Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës
TIRANË, 17 janar /ATSH/ Partia “Shqipëria Bëhet” zhvilloi sot një protestë në sheshin para Kryeministrisë, ku kryetari i saj, Adriatik Lapaj, iu drejtua qytetarëve dhe aktivistëve me thirrjen për vijimin e qëndresës kundër qeverisë.
Në fjalën e tij, Lapaj theksoi se protesta është pjesë e një angazhimi disa-javor të qytetarëve, duke nënvizuar se qëndresa do të vazhdojë deri në ndryshimin e situatës politike në vend.
Ai deklaroi se, sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka sjellë përmirësime reale për qytetarët, pavarësisht fondeve të mëdha të administruara ndër vite.
Lapaj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike gjatë 12 viteve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi investimet në shëndetësi, paga dhe shërbime publike.
Ai theksoi se qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë shërbimesh dhe emigrim të lartë, ndërsa kërkoi llogaridhënie për përdorimin e buxhetit të shtetit.
Kryetari i “Shqipëria Bëhet” deklaroi gjithashtu se protestuesit nuk janë zmbrapsur nga kushtet e vështira atmosferike apo ndërhyrjet e forcave të rendit, duke e cilësuar këtë angazhim si një betejë për demokratizimin e vendit.
Protesta u zhvillua pa incidente dhe u shoqërua me thirrje për ndryshim politik dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar vijimin e aksioneve të saj publike në ditët në vijim.
Në fund të protestë pati dhe përplasje me policinë, kur protestuesit ju afruan gardhit të vendosur nga unifirmat blu për ruajtjen e godinës në Këshillit të Ministrave dhe hodhën miell ndaj policëve.
/gj.m/a.f/
The post Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.



