Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

BE uron Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt BE

TIRANË, 22 dhjetor/ Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri uroi Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si kreu i SPAK.

Në një njoftim për shtyp, BE vlerëson SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani.

“Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Delegacioni i BE-së u shpreh se “lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE—rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”.

Ky delegacion i bën thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.

“Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

1 nga 2

/k.s/a.f/

The post BE uron Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit për festat e fundvitit

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Porti i Durrës gjatë fundjavës që lamë pas shënoi një fluks të lartë udhëtarësh me rastin e festive të fundvitit, ku prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës 18–22 dhjetor, nëpërmjet Portit të Durrësit kanë hyrë në vendin tonë 17,380 udhëtarë dhe 4,352 automjete”.

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në këtë pikë kufitare është në gatishmëri të plotë për përpunimin e udhëtarëve dhe turistëve.

“Aktualisht po funksionojmë me 24 sportele duke garantuar siguri, lehtësi procedurash dhe shërbim të pandërprerë për qytetarët që kanë zgjedhur të kthehen në vendin tonë gjatë kësaj periudhe”, theksoi APD.

Sipas APD-së edhe gjatë fundjavës që vjen pritet të mbërrijnë afërsisht 20 mijë udhëtarë.

Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve.

/k.s/a.f/

 

 

The post Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Tirana’s Glass Hub po sfidon konceptet e zakonshme mbi artizanatin dhe po krijon një hapësirë ku ndërthuren arti, inovacioni dhe qëndrueshmëria.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë qendër inovacioni, ku riciklimi takon artin dhe inovacionin.

“Me filozofinë Zero Waste (zero mbeturina), shishet dhe kavanozët e vjetër kthehen në krijime artizanale me jetë të re. Nën drejtimin e artistes Joana Dhiamandi, qelqi i ricikluar shndërrohet me dorë në bizhuteri, objekte dekorative dhe produkte funksionale që promovojnë ekonominë qarkulluese dhe kujdesin për mjedisin”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj vlerësoi si mbresëlënës koleksionin e frymëzuar nga Vjosa, që sipas tij “është një xhevahir i vërtetë që tregon se mbrojtja e natyrës frymëzon edhe industrinë”.

“Tirana’s Glass Hub është një model i ekonomisë qarkulluese që materialet e qelqit nuk përfundojnë në landfill apo në pikat  grumbullimit të mbetjeve dhe riciklohen nëpërmjet këtyre produkteve”, nënvizoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “e ardhmja është e gjitha tek riciklimi dhe ripërdorimi i materialeve. Ripërdorimi në mënyrë kaq kreative jam i bindur që biznesi ka për tu rritur dhe do të bëhet edhe një brand”.

Çdo produkt që prodhohet nga Tirana’s Glass Hub nuk ka asnjë mbetje, asnjë thërrime nuk ikën dëm si pasojë e teknikës që përdoret për prodhimin e tyre.

Koleksionet vijnë nga natyra shqiptare si Alta Blu që ka elementin e ujit të detit Jon, koleksioni Vjosa ka lumin Vjosa, dhe koleksionet e tjera kanë disa forma të cilat mund të jenë më universale. Alta Blu, Vjosa dhe Karamele Zana, që sipas Dhimandit janë më të preferuarat dhe më të kërkuarat.

Përveç krijimit të produkteve të bukura, Tirana Glass Hub promovon ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

/k.s/

The post Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spektakël dritash mbi lagjen “Mangalem” në Berat

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e një mbi një dritareve më 24 dhe 25 dhjetor do të rikthehet “Hijet e Mangalemit” (Mangalem’s Shades), këtë herë nën titullin “Lightwaves” (Dallga e dritave).

Drejtori i Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Marius Çepele tha sot për ATSH-në se “spektakli i dritave dhe muzikës në Berat
është një event vizual dhe muzikor drejt lagjes historike Mangalem në Berat, ku pjesa karakteristike e shtëpive me një mbi një dritare transformohet në një mozaik artistik mbushur me projeksione drite, ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive”.

“Më 24 dhjetor, mbrëmjen e Krishtlindjes dhe më 25 do të ketë muzikë dhe performanca të dritave mbi lagjen historike duke krijuar një atmosferë magjike festive për banorët dhe vizitorët që kanë zgjedhur të kalojën festën në qytetin e Beratit, tha Çepele.

Sipas tij, projeksioni mund të shihet nga çdo kënd dhe nga çdo anë ku mund të shihet lagjja historike e Mangalemit.

Berati tashmë është në sezonin festiv të fundvitit me dekorime, drita dhe aktivitete  speciale. Dritat festive dhe dekoret kanë krijuar një atmosferë magjike për vizitorët dhe banorët në qendra dhe sheshe publike.

Qyteti i Beratit ruan thesare të shumta me rëndësi historike dhe kulturore. Me arkitekturën unike të vendit, tolerancën fetare dhe ndërtesat e epokës otomane, ky qytet tërheq mijëra vizitorë në çdo stinë të vitit.

1 nga 4

/k.s/a.f/

The post Spektakël dritash mbi lagjen “Mangalem” në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kumbaro, vuri theksin te roli i universiteteve si motorë zhvillimi dhe domosdoshmëria e profilizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë shqiptar.

“Universitetet nuk janë ishuj. Ato marrin identitet nga territori dhe i japin territorit vizion. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ është shembull i një rritjeje të përbashkët me qytetin e Durrësit dhe me ekonominë e tij”, u shpreh ministrja.

Kumbaro theksoi se viti 2026 do të jetë viti me buxhetin më të lartë historik për arsimin, ndërsa për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë parashikuar 185 milionë euro, duke përfshirë edhe të ardhurat e vetë universiteteve publike.

“UAMD hyn në një fazë të re zhvillimi me buxhetin më të lartë historik për arsimin në 2026, me investime konkrete në Fakultetin e Studimeve Profesionale, me projektimin e kampusit të ri universitar përmes një konkursi ndërkombëtar dhe me një strategji të qartë profilizimi përmes ndërkombëtarizimit 2025–2030”, tha Kumbaro.

Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, u ndal te rrugëtimi 20-vjeçar i universitetit, zgjerimi i programeve të studimit dhe projektet strategjike në proces, duke theksuar vizionin për një universitet modern, të hapur dhe konkurrues në hapësirën europiane të arsimit të lartë.

Ceremonia shërbeu si moment reflektimi për arritjet, por edhe si pikënisje për fazën e re të zhvillimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në shërbim të studentëve, qytetit të Durrësit dhe vendit.

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit, rreth 13 mijë priten deri të dielën

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në Portin e Durrësit kjo fundjavë ka shënuar nisjen e fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve me rastin e festave të fundvitit.

Për përballimin e këtij fluksi prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur sot për ATSH-në se “gjatë dy ditëve të fundit, 18 dhe 19 dhjetor në port kanë mbërritur rreth 5600 udhëtarë. Fluksi më i lartë i udhëtarëve pritet të jetë të dielën”.

Sipas APD-së, në këto katër ditë pritet që të mbërrijnë 13 mijë udhëtarë dhe rreth 5 mijë mjete.

“Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve”, tha APD duke shtuar se në port po kryhet në kohë dhe pa vonesa përpunimi i pasagjerëve dhe mjeteve.

Si çdo fundviti edhe në ndërrimin e viteve 2025-2026 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkatdhetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre.

/k.s/a.f/

 

The post Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit, rreth 13 mijë priten deri të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore deri në nëntor

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit tonë kanë shënuar një rritje prej 53% në janar-nëntor të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se “1,492,656 vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë sitet tona kulturore gjatë periudhës janar–Nëntor 2025”.

“Nga muzetë kombëtarë, që kanë mirëpritur 455,872 vizitorë, te Parqet Arkeologjike me 615,047 vizitorë, e deri te Kalatë dhe Monumentet e Kulturës me 421,737 vizitorë, ky vit ka dëshmuar rritje dhe interes të shtuar për trashëgiminë kulturore të vendit”, theksoi Gonxhja.

Rritja e numrit të vizitorëve në këto site kulturore ka ardhur edhe si pasojë e vizitave falas në fundjavën e fundit të çdo muaji.

“E diela e fundit e çdo muaji mbetet ditë me hyrje falas për vizitorët vendas, një ftesë për t’u rikthyer, për të zbuluar më shumë dhe për t’u frymëzuar nga thesaret që na bashkojnë dhe na përfaqësojnë”, tha Gonxhja.

Vizitorët dhe turistët e huaj kanë vizituar plot monumente kulture dhe site, si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.

Gjithashtu turistët kanë vizituar edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos etj.

/k.s/a.f/

The post Rreth 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore deri në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kepi i Rodonit pastrohet nga mbetjet

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kepi i Rodonit, i ndodhur përgjatë bregdetit të Adriatikut, ishte ditët e fundit në fokus të një aksioni pastrimi.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Durrës së bashku me vullnetarët, organizatat, studentët, bizneset dhe institucionet vendore, u bashkuan në një aksion masiv pastrimi dhe ndërgjegjësimi në Kepin e Rodonit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aksioni duke vënë në dukje se ky aksion është mesazh kuptimplotë se kujdesi për zonat e mbrojtura është një mision i përbashkët për të mbrojtur natyrën, biodiversitetin dhe bukuritë e peizazhit.

Stafet e administratave të zonave të mbrojtura po zhvillojnë aksione pastrimi në të gjithë territorin.

Ky aksion ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit, të përmirësojë gjendjen e ekosistemeve dhe të nxisë një kulturë të qëndrueshme mjedisore në nivel lokal dhe kombëtar.

Kepi i Rodonit vizitohet çdo vit nga turistë vendas e të huaj. Aty ndodhet Kalaja e Skënderbeut, si dhe rrënojat e kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët.

/k.s/j.p/

The post Kepi i Rodonit pastrohet nga mbetjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Ndërthurja e turizmit, sportit dhe aktiviteteve, faktor kyç për promovimin ndërkombëtar

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Investimet strategjike në sektorin e mikpritjes, zhvillimi i destinacioneve turistike dhe projektet me karakter unik në Shqipëri ishin në qendër të takimit mes ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ali Al Gebely, themelues dhe kryetar i ONE Development, si dhe drejtor ekzekutiv i EHC Investment (pjesë e IHC).

Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndërthurjes së turizmit, sportit dhe aktiviteteve si faktorë kyç për promovimin ndërkombëtar të vendit.

Gonxhja dhe Gebely diskutuan edhe për rritjen e flukseve turistike dhe krijimin e ndikimit ekonomik në nivel lokal, si dhe zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe organizimit të aktiviteteve sportive ndërkombëtare.

“Ky takim riafirmoi angazhimin për vijimin e dialogut dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike afatgjata, të bazuara në cilësi, qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik, me synimin për ta pozicionuar Shqipërinë si një destinacion rajonal referencë për turizmin sportiv dhe investime me vlerë të shtuar”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Ndërthurja e turizmit, sportit dhe aktiviteteve, faktor kyç për promovimin ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, transformim në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Nënat dhe bebet e porsalindura së shpejti do të marrin shërbime më të mira në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Ky maternitet po transformohet rishtazi në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime, ku rreth  20 mijë paciente në vit do të kenë një maternitet të standardeve europiane, me kushte dhe teknologji të fjalës së fundit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala vizitoi nga afër ambientet e spitalit, si dhe u takua me mjekët që shërbejnë në këtë institucion.

Sala tha se ambientet e reja janë të mrekullueshme, teksa i përgëzoi mjekët që kanë punuar deri tani në një të tretën e hapësirave.

“Të funksionosh me një të tretën e hapësirave, të japësh të njëjtën cilësi dhe volum pune nuk është kollaj”, tha Sala.

Ministrja Sala vuri në dukje se “protokollet dhe procedurat standarde të operimit janë të nevojshme aq më kollaj behet edhe kontrolli edhe ka praktika më të mira. Nuk ecet përpara nëse nuk ka një digjitalizim të plotë të sistemit”.

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfshiu tre plane: ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që ka ruajtur detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

Në këtë spital obstetrik pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

/k.s/j.p/

 

The post Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, transformim në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krasniqi vlerëson figurat e shquara të radios dhe ekranit: Keni qenë shkollë për brezat

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka përcjellë një urim të veçantë për profesionistët veteranë të medias shqiptare, duke organizuar një pritje në nder të figurave që kanë lënë gjurmë ndër vite në radio dhe ekran.

Takimi mblodhi regjisorë, gazetarë, folës, operatorë, teknikë dhe profesionistë të tjerë, pionierë të Radio-Televizionit Shqiptar, të cilët me përkushtimin dhe përvojën e tyre kanë ndërtuar themelet e medias publike.

Atmosfera u shoqërua me emocione, kujtime dhe nostalgji për vitet e punës së përbashkët.

Duke u drejtuar të pranishmëve, Krasniqi theksoi se ky ishte një privilegj personal dhe profesional.

“Ju keni qenë shkollë për ne. Jam rritur me shembullin tuaj dhe e kam nisur karrierën time në RTSH, ndaj sot, përveç mirënjohjes, ndjej edhe shumë nostalgji”, u shpreh ajo, duke i uruar veteranët për shëndet dhe festa të gëzuara.

Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe emra të njohur të pionierëve të RTSH-së, si Kozeta Mamaqi, Bashkim Zeneli, Pali Kuke, Dhimitër Gjoka, dhe shumë të tjerë, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre medias publike shqiptare.

/k.s/j.p/

The post Krasniqi vlerëson figurat e shquara të radios dhe ekranit: Keni qenë shkollë për brezat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka pret në takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti në një takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello, sponsor teknik i Kombëtares shqiptare.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin mes FSHF-së dhe Macron, si edhe mbi historikun e marrëdhënieve shumë të mira ndër vite mes dy palëve.

Presidenti Duka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Macron për Kombëtaren shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që ky partneritet ka pasur në forcimin e identitetit dhe imazhit të skuadrave tona kombëtare.

Nga ana e tij, Gianluca Pavanello shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me FSHF-në, duke nënvizuar rritjen e vazhdueshme të futbollit shqiptar dhe sukseset e arritura në vitet e fundit, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Pas takimit zyrtar, CEO i Macron zhvilloi edhe një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u njoh nga afër me një nga investimet më të mëdha të futbollit shqiptar dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit si edhe vizitoi ambientet e FSHF TV.

Gjatë vizitës, ai u informua mbi funksionimin e këtij kompleksi modern, që shërben si zemra administrative dhe organizative e futbollit shqiptar, si edhe mbi rolin e saj në zhvillimin e projekteve strategjike të FSHF-së.

1 nga 5

/k.s/j.p/

The post Duka pret në takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur” është nisma e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për festat e fundvitit për fëmijët pa kujdes prindëror.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nisma përfshin 138 fëmijë pa kujdes prindëror, që janë të akomoduar në 6 shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës në të gjithë Shqipërinë.

Fëmijët kanë shprehur dëshirat e tyre në letra drejtuar Babagjyshit, dhe dhuratat për ta nuk kanë munguar. Çdo kuti me emrin e një prej fëmijëve mban brenda një dëshirë, një përqafim simbolik dhe një arsye më shumë për të buzëqeshur.

Kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u mbështet nga deputetët e Partisë Socialiste në Kuvend për përmbushjen e dëshirës së çdo fëmije.

“Sepse kur bashkohemi, mund të bëjmë ndryshimin – një fëmijë, një dëshirë, një buzëqeshje në një kohë”, vuri në dukje MSHMS.

/k.s/j.p/

The post Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku gjatë katër netëve interpretojnë 28 artistë.

I cilësuar si festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare ky festival prezantohet nga aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara.

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani çeli natën e parë duke interpretuar këngën “Pyes lotin” të Elsa Liles, fituese e Festivalit të 35-të të Këngës në RTSH, duke risjellë emocione të forta dhe kujtime të paharrueshme për publikun.

Në skenë performoi edhe Kroni Pula, e cila interpretoi këngën “Fruta Perime”, me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision.

Në natën e parë të festivalit performuan 14 artistë, që prezantuan krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore.

Artistët që u ngjitën në skenë natën e sotme janë: Rigersa Loka me këngën “Albanian Heart”, Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”, Sara Kapo – “Të dua shumë”, Sheila – “Zemra e tokës”, Kleansa Susa – “Hije”, Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”, Rezarta Smaja – “Balukeprera”, Ghiti – “Okej”, Lynx – “Nuk kthehem pas”, Erand Sojli – “Të kam në fron”, Inis Neziri – “Ta kam fal”, Kimi – “Prapë diell del”, Alis – “Nan” dhe Enxhi Nasufi – “Dritë”.

Ndërsa në natën e dytë, më 18 dhjetor, në skenë do të ngjiten Savjana Vjerdha, 2 Farm, Greta Mahmutaj, Sihana Haxhnikaj, Luna Causholli, Erik Lloshi, Frensi, Malvina Likaj, Vedat Ademi, Kamela Islamaj, Threex, Endri Kacaci, Fifi dhe Tiri Gjoci dhe Evi Reci.

Për 4 netë me radhë, 28 artistët pjesëmarrës, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj, do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve, ku do të performojnë këngët e tyre para publikut dhe jurisë, si dhe do të garojnë për çmimet e këtij viti.

Nata e tretë, e cila do të quhet Nata e Nostalgjisë, do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit, të cilët do të sjellin performanca emocionuese për publikun, këngë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e festivalit të fundvitit.

Në natën finale, më 20 dhjetor, do të shpallet, përveç çmimeve të tjera, edhe fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj
1 nga 16
Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj

 

/k.s/a.f/

The post Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Rritja ekonomike ndërtohet përmes bashkëpunimit me biznesin

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/  Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbrëmjen gala të dedikuar sipërmarrjes shqiptare, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), e cila bëri bashkë përfaqësues të biznesit, shoqatave të biznesit, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të ekonomisë.

Aktiviteti shërbeu si një moment vlerësimi për kontributin e sipërmarrjes në zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e prodhimit vendas dhe krijimin e vendeve të punës.

Në mbrëmjen gala ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj, duke nënvizuar rëndësinë që ka sipërmarrja shqiptare si një shtyllë kryesore e stabilitetit ekonomik dhe e perspektivës europiane të vendit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi rolin e biznesit dhe të shoqatave të biznesit si partnerë strategjikë të qeverisë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike.
“Biznesi shqiptar ka treguar se di të rritet, të përshtatet dhe të konkurrojë.

“Shoqatat e biznesit kanë krijuar ura bashkëpunimi dhe kanë shërbyer si katalizatorë të rritjes së prodhimit, të vlerës së shtuar dhe të ndërkombëtarizimit të sipërmarrjeve shqiptare”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të ndërtojë politika dhe instrumente mbështetëse për biznesin, duke pasur si objektiv forcimin e produktit “Made in Albania” dhe zgjerimin e pranisë së tij në tregjet ndërkombëtare.

“Ne hartojmë politika dhe krijojmë kushte, por rezultatet konkrete vijnë nga puna juaj e përditshme. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe besimit mund të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që ofron tregu i përbashkët europian”, tha ajo.

Ministrja Ibrahimaj uroi sipërmarrësit për sukseset e arritura dhe ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për të qenë një partnere aktive e biznesit në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian.

Mbrëmja gala shërbeu gjithashtu si një moment reflektimi për arritjet e vitit që po mbyllet, por edhe për përgjegjësitë dhe sfidat që sjell viti i ardhshëm për ekonominë shqiptare, në kuadër të përmbushjes së standardeve dhe forcimit të konkurrueshmërisë.

/k.s/a.f/

The post Ibrahimaj: Rritja ekonomike ndërtohet përmes bashkëpunimit me biznesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani shkëlqen në dritat e festave të fundvitit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Dekoret dhe dritat shumëngjyrëshe i kanë dhënë një tjetër pamje qytetit të Elbasanit, i cili është zbukuruar për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Qendra e qytetit me muret e lashta të kalasë dhe portën madhështore të saj është shndërruar në një pikë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qendra e qytetit dhe atmosfera festive në qytet.

Dekorimi i qytetit dhe ndezja e dritave ka sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për fëmijët, të cilët i shijojnë më shumë këto festa.

Sheshi kryesor i qytetit është mbushur me lodra për fëmijët, shtëpiza festive që ofrojnë pije e ëmbëlsira për të gjitha moshat, dhe një pemë e madhe e Vitit të Ri që ngrihet si simbol i kësaj feste, duke ftuar këdo të bashkohet në atmosferën e gëzueshme.

Ky fundvit sjell edhe një seri aktivitetesh festive dhe kulturore që zgjasin gjatë gjithë muajit dhjetor.

/k.s/a.f/

The post Elbasani shkëlqen në dritat e festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Vijon rritja ekonomike, turizmi dhe investimet me kontributin më të madh

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se “pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit”.

Në konferencën për mediet, ku prezantoi politikën monetare, Sejko theksoi se se “të dhënat nga sektori real, monetar e fiskal, sinjalizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, duke reflektuar vijimin e trendit pozitiv gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare – për herë të parë në periudhën post-tranzicion – drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit”.

“Rritja ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e tregut të punës. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve, pagjeneruar presione shtesë mbi inflacionin. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe kufizimet në fuqinë punëtore vazhdojnë të mbajnë nën presion tregun e punës, duke përbërë një rrezik të kahut të sipërm mbi ecurinë e inflacionit”, tha Sejko.

Në tërësi, vijoi Sejko, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike në afatin e mesëm paraqiten solidë.

“Gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, së bashku me klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit, kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private. Paralelisht me to, rritja e të ardhurave nga turizmi ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në ekonomi. Njëkohësisht, politikat e kujdesshme dhe të koordinuara makroekonomike kanë bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë makroekonomike”, tha Sejko.

Në veçanti, shtoi Sejko, politika monetare ka lëvizur në kahun akomodues gjatë vitit 2025, duke ulur normën bazë të interesit në muajin korrik dhe duke vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.

“Për rrjedhojë, tregu financiar është shfaqur i qëndrueshëm, me prime të ulëta rreziku dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta, e nxitur nga kërkesa e qëndrueshme dhe e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14.2% në muajin tetor, duke qëndruar pranë ritmeve të vitit të kaluar, por dukshëm mbi mesataren e viteve të fundit. Në veçanti, vihen re tre zhvillime pozitive: së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%”, nënvizoi Sejko.

Sipas tij, parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.

/k.s/a.f/

The post Sejko: Vijon rritja ekonomike, turizmi dhe investimet me kontributin më të madh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Ushqimet dhe qiratë ndikuan në rënien e inflacionit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se “inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 2.2% gjatë muajve tetor e nëntor, duke shënuar një rënie të lehtë nga tremujori i tretë.

Sejko theksoi se “Kjo ecuri u diktua më së shumti nga ulja e inflacionit të artikujve ushqimorë. Paralelisht me to, rritja e shpejtë e çmimit të qirasë u frenua në muajin nëntor, kontributi negativ i inflacionit të naftës u zbeh plotësisht, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë rezultoi përgjithësisht i qëndrueshëm.

“Në terma makroekonomikë, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, duke pasqyruar një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve. Nga ana tjetër, presionet e huaja janë dobësuar më tej, në pasqyrim të rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit – ndonëse më të ngadaltë – të Lekut”, nënvizoi Sejko.

Kreu i BSH-së tha se “në reflektim të këtyre zhvillimeve, inflacioni i brendshëm dhe ai bazë janë rritur gjatë vitit, duke qëndruar rreth niveleve mesatare 3.1-3.5% në muajt tetor-nëntor, ndërkohë që inflacioni i importuar është në territor negativ dhe ai afatshkurtër ka zbritur në minimumet e tij historike”.

/k.s/a.f/

The post Sejko: Ushqimet dhe qiratë ndikuan në rënien e inflacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Norma bazë e interesit për lekun mbetet 2.5%

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se Këshilli Mbikëqyrës vendosi që normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 1.5% dhe 3.5%.

Sejko theksoi se “ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, mbeten të konsoliduar. Në veçanti, inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje”.

Sipas Sejkos, “politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një kontribut pozitiv në këtë ecuri. Reagimi në kohë i saj ka mundësuar kontrollin e presioneve dhe të pritjeve inflacioniste. Po ashtu, fleksibiliteti që kemi shfaqur nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm me politikën fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, ka mundësuar një ambient monetar akomodues për rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve”, theksoi Sejko.

Kreu i BSH-së u shpreh se rritja ekonomike pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë periudhës afatmesme, ndërkohë që inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, tha Sejko

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

/k.s/a.f/

The post Sejko: Norma bazë e interesit për lekun mbetet 2.5% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, ku theksoi se “vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga destinacionet kryesore të financimeve zhvillimore në vend”.

Në fjalën e tij, Jaupaj tha se kjo nuk është thjesht statistikë.

“Kjo është prova e një besimi të fortë ndërkombëtar mbi aftësinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar, planifikuar dhe zbatuar programe komplekse me standarde evropiane”, u shpreh ministri i Mjedisit.

Duke u ndalur tek projektet kryesore të këtij portofoli, Jaupaj tha se programi për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, me financim 66.7 milionë euro nga KfW dhe SECO, është një ndërhyrje që transformon shërbimet bashkiake dhe rrit standardet e mjedisit urban.

“Programi “Klima në Shqipëri I”, i mbështetur nga KfW, modernizon dhe digjitalizon rrjetin energjetik, duke sjellë një reduktim real të emetimeve dhe një forcim të qëndrueshmërisë së sistemit energjetik. Në bujqësi, projekti “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë”, me financim 64.6 milionë euro nga Banka Botërore, ndihmon vendin të përshtatet ndaj rreziqeve klimatike përmes modernizimit të ujitjes dhe kullimit, forcimit të sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit të analizës së politikave”, nënvizoi Jaupaj.

Në fushën e menaxhimit të rreziqeve, Jaupaj përmendi programin CLIRES, financuar nga SECO, si dhe programin ALBAdapt, i financuar nga GCF, BMZ, SECO dhe SDC, të cilët theksoi ai “krijojnë sisteme moderne paralajmërimi të hershëm dhe mbështesin 12 bashki bregdetare si edhe institucionet tona qendrore të menaxhimit të fatkeqësive si IGJEUM dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”.

Ministri Jaupaj informoi se në fushën e natyrës, vijoi programi “EU for Nature”, i financuar nga BE dhe SIDA, që po ndihmon integrimin e rrjetit “Natura 2000”, ndërsa në transport, programi gjerman për transportin urban të qëndrueshëm mbështet tranzicionin e qyteteve tona drejt sistemeve moderne, gjithëpërfshirëse dhe klimë–rezistente.

“Nëse analizojmë burimet financiare të këtyre ndërhyrjeve, përveç Bashkimit Evropian, vërejmë se Banka Botërore ka aktualisht në zbatim 1,474 milionë euro projekte, KfW dhe GIZ rreth 1,240 milionë euro, ndërsa Japonia dhe AFD kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në projektet mjedisore përkatësisht me 717,500 euro dhe 610,000 euro. Zvicra dhe Suedia mbeten gjithashtu partnerë të qëndrueshëm në financime klimatike”, vuri në dukje Jaupaj.

Megjithatë, shtoi ai, Bashkimi Evropian mbetet kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër.

“Nën instrumentin IPA III, Dritarja 3 “Marrëveshja e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm” përfaqëson shtyllën kryesore të mbështetjes së BE-së për vendin tonë. Rreth 15% e portofolit IPA për Shqipërinë është dedikuar për ndërhyrje klimatike, përfshirë programet BE për Natyrën, BE për Ekonominë Qarkulluese, BE për Ujin, paketën e rezistencës energjetike nën IPA 2023 me vlerë 80 milionë euro, si dhe programin BE për Pyjet me 13 milionë euro nën IPA 2024. Krahas kësaj, Programet Operacionale 2024–2027, veçanërisht Programi Operacional për Eficiencën Energjetike, me vlerë totale 79 milionë euro – ku 50 milionë euro janë kontribut i BE-së dhe 29 milionë euro bashkëfinancim kombëtar – adresojnë drejtpërdrejt ndërtesat publike, e-mobilitetin, energjinë e rinovueshme dhe elektrifikimin e hekurudhave, duke përputhur politikat tona kombëtare me prioritetet e BE-së për neutralitet klimatik”, tha Jaupaj.

Jaupaj bëri të ditur se “në kuadrin e Facilitetit për Reforma dhe Rritje, fusha e politikës nr.4  që i dedikohet energjisë së pastër parashikon një fond 127.8 milionë euro, i cili pritet të përthithet nga institucionet shqiptare pas kryerjes së reformave të qëndrueshme me fokus klimën dhe energjinë e pastër”.

Më tej Jaupaj tha se “në vitet e fundit, tranzicioni i gjelbër është shndërruar në boshtin themelor të modernizimit të shtetit shqiptar, një bosht që përkufizon qartë ambicien e vendit tonë për të avancuar si një ekonomi evropiane, rezistente, konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes”.

“Shqipëria në vitin 2025 është një vend në transformim të thellë evropian. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030 e përfshin tranzicionin e gjelbër si pjesë të pandashme të rrugës sonë drejt BE-së, duke e konsideruar energjinë e pastër, efikasitetin energjetik, ekonominë qarkulluese dhe mbrojtjen e mjedisit si fusha që përkufizojnë vetë modelin tonë të zhvillimit”, theksoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “raporti i parë i progresit të kësaj strategjie, finalizuar në vitin 2025, dëshmoi forca të prekshme të Shqipërisë në fushën e klimës dhe energjisë, duke vërtetuar se vendi ynë nuk është më vetëm një aspirues i standardeve evropiane, por një kontribuues aktiv me rezultate konkrete”.

Sot, vijoi Jaupaj, mbi 45.4% e konsumit total të energjisë së vendit mbështetet në burime të rinovueshme, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së pastër në Evropë.

Jaupaj vuri në dukje se “kjo arritje nuk buron vetëm nga tradita hidroenergjetike, por edhe nga investimet e reja strategjike si Parku Diellor i Karavastasë me kapacitet 140 MË, një shembull i modelit të ri të zhvillimit të energjisë në vend”.

“Klima është sot fusha ku bashkërendohet më qartë se kudo tjetër vizioni politik i qeverisë, pritshmëria e qytetarëve dhe standardet e BE-së. Detyra jonë e përbashkët është të garantojmë koherencë, të forcojmë koordinimin dhe të sigurojmë që çdo euro e investuar të materializohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe në mirëqenie për qytetarët e vendit.  Platforma Kombëtare e Financave të Klimës do të jetë një tjetër element i rëndësishëm i bashkimit të forcave dhe energjive për të maksimizuar burimet dhe rezultatet. SASPAC mbetet plotësisht e angazhuar ta udhëheqë këtë proces me profesionalizëm, me integritet dhe me një vizion të qartë evropian për Shqipërinë e vitit 2030”, tha Jaupaj.

/k.s/j.p/

 

The post Jaupaj: BE, kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌