Reading view

Procedohen nëntë persona në Tiranë për pengim të qarkullimit dhe prishje të qetësisë publike

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë nëntë shtetas, të cilët, sipas policisë, pas përfundimit të një tubimi të zhvilluar më 20 qershor 2026, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia bën të ditur se personat e proceduar kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë prishur qetësinë publike duke qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit.

Sipas njoftimit, shtetasit kanë zaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard, ndërsa nuk kanë respektuar thirrjet e përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës dhe zbatimin e dispozitave ligjore.

Policia informoi se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “prishja e qetësisë publike” dhe “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, sipas parashikimeve të Kodit Penal.

/r.e/

The post Procedohen nëntë persona në Tiranë për pengim të qarkullimit dhe prishje të qetësisë publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, reagoi sot ndaj një mesazhi kritik të publikuar nga një qytetar nga Tetova, duke ritheksuar qëndrimin e tij se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por popull shtetformues në shtetin ku jetojnë.

Rama foli për qëndrimet politike të disa shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!

Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.

Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë: brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse.

Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:

“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.

/r.e/

The post Rama: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Binaj: Më 1 korrik nis rimbursimi 10% i faturave për rreth 10 mijë fermerë

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj bëri të ditur sot se më 1 korrik nis procesi i rimbursimit të fermerëve në masën 10% të vlerës së faturave, ndërsa numri i përfituesve llogaritet të jetë rreth 10 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Në një intervistë për mediet, Binaj tha se, bazuar në përllogaritjet paraprake të administratës tatimore, fondi që pritet të përfitohet nga fermerët arrin në rreth 10,7 milionë euro.

Ai nënvizoi se, krahasuar me një vit më parë, është regjistruar një rritje e ndjeshme e autofaturave, duke reflektuar zgjerimin e formalizimit të aktivitetit bujqësor dhe përfshirjen e më shumë fermerëve në skemë.

Sipas Binajt, administrata tatimore po përgatit të gjithë procedurën e nevojshme për nisjen e procesit të rimbursimit, duke synuar një mekanizëm sa më të thjeshtë dhe të aksesueshëm për fermerët.

“Brenda datës 23 qershor do të informojmë fermerët për mënyrën dhe procedurat e aplikimit. Po punohet për një zgjidhje digjitale, në mënyrë që aplikimet të kryhen online dhe procesi të jetë sa më i lehtë”, u shpreh ai.

Kreu i Tatimeve u bëri thirrje fermerëve që të hapin sa më parë llogari bankare, pasi pagesat e rimbursimit do të transferohen drejtpërdrejt në llogaritë e tyre.

Binaj theksoi se aplikimet do të nisin zyrtarisht më 1 korrik, sipas procedurave që do të përcaktohen nga administrata tatimore, ndërsa skema synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë më tej formalizimin e sektorit bujqësor.

/r.e/

The post Binaj: Më 1 korrik nis rimbursimi 10% i faturave për rreth 10 mijë fermerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MTKS: David Nikolli nuk ka qenë i punësuar në administratën shtetërore

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit reagoi sot ndaj deklaratave publike të sportistit David Nikolli, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet e tij se i është hequr një vend pune në shtet.

Në një deklaratë për shtyp, ministria theksoi se Nikolli nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në asnjë institucion të administratës shtetërore apo ent publik në Republikën e Shqipërisë, ndaj pretendimi për largim nga puna nuk mbështetet në asnjë fakt apo akt administrativ.

Sipas MTKS, sportisti prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e tij profesional në Itali, çka përjashton mundësinë e një marrëdhënieje pune shtetërore në Shqipëri.

Ministria bëri të ditur se Nikolli ka përfituar mbështetje financiare në kuadër të statusit të sportistit të nivelit të lartë, përfshirë trajtim ushqimor dhe shpërblime sportive gjatë viteve 2024-2026, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Lidhur me raportin e tij me Klubin Sportiv Partizani, MTKS sqaroi se sportisti nuk është përjashtuar nga aktiviteti sportiv. Sipas saj, klubi i ka ofruar vijimin e bashkëpunimit në kuadër të strukturës së re organizative, përmes lidhjes së një kontrate si sportist i klubit, duke i kërkuar paraqitjen e një kërkese zyrtare për shqyrtim nga organet drejtuese.

Ministria u ndal edhe te çështja e përfitimeve financiare shtesë, duke theksuar se legjislacioni sportiv parashikon jo vetëm të drejta, por edhe detyrime për sportistët e nivelit të lartë, përfshirë respektimin e rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare antidoping.

Sipas verifikimeve administrative të kryera deri tani, ministria deklaron se nuk rezulton që Nikolli të jetë pjesë e sistemit kombëtar të regjistrimit antidoping apo të ketë dokumentuar kryerjen e kontrolleve antidoping sipas procedurave të përcaktuara në kuadrin rregullator.

Për këtë arsye, MTKS vlerëson se çdo kërkesë për përfitime apo shpërblime shtesë duhet të shqyrtohet në funksion të përmbushjes së plotë të kritereve dhe detyrimeve ligjore.

Ministria ritheksoi angazhimin për zbatimin e legjislacionit sportiv, trajtimin e barabartë të sportistëve dhe mbështetjen e tyre mbi bazën e dokumentacionit zyrtar dhe procedurave ligjore, ndërsa ftoi të gjitha palët që debatin publik ta mbështesin në fakte të verifikueshme dhe transparencë.

“Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt vetëm sepse kam dalë të protestoj me të rinjtë si qytetar i lirë”, ishte akuza që ngriti të shtunën atleti David Nikolli, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendoi se po përballej me pasoja për shkak të pjesëmarrjes në protestat që prej 21 ditësh zhvillohen para Kryeministrisë kundër investimit në Zvërnec.

/r.e/

The post MTKS: David Nikolli nuk ka qenë i punësuar në administratën shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Salla: Po punohet për riparimin e avarisë në kanalin që furnizon sistemin ujitës nga Rezervuari i Thanës


TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur sot se ekipet teknike po punojnë në terren për riparimin e një avarie të konstatuar në kanalin e furnizimit që ushqen katër degët kryesore të ujitjes nga Rezervuari i Thanës.

Salla informoi se avaria ka ndikuar në furnizimin me ujë për zonat e Lushnjës, Divjakës dhe Fierit, ndërsa strukturat përgjegjëse janë angazhuar për rikthimin sa më të shpejtë të funksionimit normal të sistemit.

“Ekipet tona ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për eliminimin e avarisë dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë”, u shpreh ministri.

Ministri Salla garantoi se po bëhet çdo përpjekje për zgjidhjen e situatës dhe rikthimin e plotë të furnizimit me ujë për vaditje në kohën më të shkurtër të mundshme.

/r.e/

The post Salla: Po punohet për riparimin e avarisë në kanalin që furnizon sistemin ujitës nga Rezervuari i Thanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

DAC6, Shqipëria drejt standardeve të BE-së për raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Administrata Tatimore vijon përafrimin e legjislacionit tatimor shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, përmes projektligjit DAC 6, i cili vendos rregulla për raportimin e detyrueshëm të marrëveshjeve ndërkufitare dhe shkëmbimin automatik të informacionit tatimor ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve Anëtare të BE-së.

Projektligji përcakton detyrimin e raportimit për ndërmjetësit që projektojnë, organizojnë ose asistojnë në zbatimin e marrëveshjeve ndërkufitare, përfshirë këshilltarët tatimorë, avokatët, kontabilistët dhe profesionistë të tjerë. Në raste të veçanta, ky detyrim mund t’i kalojë vetë tatimpaguesit.

“Ky instrument forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, rrit transparencën në fushën tatimore dhe ndihmon në identifikimin dhe parandalimin e praktikave që synojnë shmangien e detyrimeve tatimore”, thekson DPT.

Sipas DPT-së, synim mbetet forcimi i transparencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në mbështetje të procesit të integrimit evropian të vendit.

DAC6 është një direktivë e Bashkimit Europian që parashikon detyrimin për raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare që përmbajnë tregues të caktuar të planifikimit të mundshëm agresiv tatimor, të njohur si “hallmarks”. Këta tregues shërbejnë për të identifikuar struktura ose marrëveshje që mund të paraqesin rrezik për shmangie tatimore.

Qëllimi i DAC6 është rritja e transparencës tatimore dhe mundësimi i marrjes së informacionit të hershëm nga administratat tatimore për marrëveshje ndërkufitare që mund të përdoren për shmangie ose planifikim agresiv tatimor. Ky informacion i lejon autoritetet të kryejnë analiza risku dhe të reagojnë më shpejt ndaj praktikave që mund të cenojnë sistemin tatimor.

Direktiva mbulon informacion mbi marrëveshjet ndërkufitare të raportueshme, personat dhe subjektet e përfshira, ndërmjetësit që kanë ndihmuar në hartimin, organizimin ose zbatimin e tyre, treguesit që përcaktojnë detyrimin për raportim, si dhe të dhëna të tjera si vlera e marrëveshjes, data e zbatimit dhe juridiksionet e përfshira.

Detyrimet e raportimit mund të prekin ndërmjetësit, si këshilltarë tatimorë, avokatë, kontabilistë, konsulentë financiarë apo ofrues të tjerë shërbimesh profesionale të përfshirë në këto marrëveshje. Në raste të caktuara, përgjegjësia për raportim mund t’i kalojë vetë tatimpaguesit, veçanërisht kur nuk ka ndërmjetës ose kur ai nuk mund të raportojë për shkak të kufizimeve ligjore.

Administrata Tatimore po punon për përafrimin e legjislacionit dhe procedurave me kërkesat e BE-së, duke përfshirë përcaktimin e marrëveshjeve që do të raportohen, afatet dhe mënyrën e raportimit, subjektet përgjegjëse, ruajtjen e konfidencialitetit profesional dhe masat në rast mosrespektimi.

Zbatimi i DAC6 do të përcaktohet përmes akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse në kuadër të procesit të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian. Administrata Tatimore do të publikojë udhëzime dhe materiale informuese për subjektet që mund të preken nga këto detyrime.

Raportimi sipas DAC6 nuk do të thotë automatikisht se një marrëveshje është e paligjshme. Ai shërben si një mekanizëm transparence që i siguron administratës tatimore informacion për të vlerësuar riskun dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Gjithashtu, nuk raportohen të gjitha transaksionet ndërkufitare, por vetëm ato që plotësojnë kriteret ligjore dhe përmbajnë treguesit e përcaktuar.

The post DAC6, Shqipëria drejt standardeve të BE-së për raportimin e marrëveshjeve ndërkufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Falja e detyrimeve vendore në Tiranë, mbi 24 mijë subjekte përfituese në fazën e parë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Bashkia e Tiranës përmbylli procesin automatik të fshirjes dhe shuarjes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e përcaktuara në ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Sipas të dhënave të publikuara nga Bashkia e Tiranës, në fazën e parë të procesit janë falur pa kushte detyrimet vendore të krijuara deri në fund të vitit 2014.

Nga kjo masë kanë përfituar gjithsej 24,103 subjekte, ndërsa numri i detyrimeve të falura ka arritur në 541,452.

Bashkia e Tiranës vlerëson se procesi i faljes së detyrimeve synon të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve dhe bizneseve, duke krijuar mundësi për një marrëdhënie më të rregullt me administratën vendore.

Autoritetet vendore kanë bërë thirrje që subjektet e interesuara të informohen mbi procedurat dhe përfitimet e kësaj nisme pranë strukturave përkatëse të taksave dhe tarifave vendore.

Procesi i faljes së detyrimeve vendore po vijon në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, me synimin për të rritur formalizimin dhe përmirësuar administrimin e të ardhurave vendore. /a.gj/ /a.g/

The post Falja e detyrimeve vendore në Tiranë, mbi 24 mijë subjekte përfituese në fazën e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Fluks i shtuar në Kapshticë, mbi 21 mijë qytetarë në 5 ditë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është regjistruar një fluks i shtuar lëvizjesh gjatë pesë ditëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, në këtë periudhë kanë kaluar rreth 21 mijë qytetarë dhe mbi 8400 automjete nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticë Dogana Kufitare.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se janë marrë masa organizative për përballimin e fluksit sezonal, me qëllim garantimin e një procesi sa më të shpejtë dhe pa vonesa për qytetarët.

Fluksi pritet të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim për shkak të sezonit veror dhe lëvizjeve të shtuara ndërkufitare.

/a.f/

The post Fluks i shtuar në Kapshticë, mbi 21 mijë qytetarë në 5 ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Përmbyllet procesi automatik i fshirjes së gjobave tatimore, përfitojnë mbi 105 mijë tatimpagues

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Administrata Tatimore përmbylli procesin automatik të fshirjes dhe shuarjes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e përcaktuara në ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Sipas DPT-së, nga ky proces kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira dhe të shuara arrin në rreth 91,6 milionë euro.

Administrata Tatimore bën të ditur se 70,5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe me datë kontabilizimi deri më 31 dhjetor 2024. Nga kjo masë kanë përfituar 13,667 tatimpagues.

Ndërkohë, 21,1 milionë euro i përkasin gjobave të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30 qershor 2026.

Sipas ligjit, përfitimi është aplikuar për rastet kur deklaratat përkatëse kanë statusin “e dorëzuar”. Në këtë kategori kanë përfituar 96,302 tatimpagues.

Sipas Administratës Tatimore, procesi është realizuar në përputhje me përcaktimet e ligjit, i cili parashikon përjashtimin nga përfitimi të tatimpaguesve të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave.

Po ashtu, nuk janë përfshirë në procesin e fshirjes dhe shuarjes detyrimet tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore e konsideron këtë proces një hap të rëndësishëm në zbatimin e masave të parashikuara nga ligji nr. 86/2025, pas përfundimit të procesit të kompensimit automatik të tepricave kreditore me detyrimet tatimore të papaguara.

DPT rithekson angazhimin për zbatimin e plotë të dispozitave ligjore, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit. /a.g/

The post Përmbyllet procesi automatik i fshirjes së gjobave tatimore, përfitojnë mbi 105 mijë tatimpagues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ibrahimaj: Brenda korrikut përmbyllen 9 ligje për harmonizimin e shoqërive tregtare me BE-në

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi tre projektligje të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit europian, të cilat synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar për shoqëritë tregtare me atë të Bashkimit Europian.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se projektligjet janë pjesë e kapitullit 6 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me të drejtën e shoqërive.

“Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit miratuam tre projektligje shumë të rëndësishme që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Janë tre projektligje që janë pjesë e kapitullit 6, i cili lidhet me shoqëritë europiane”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur se qeveria po punon për një paketë prej nëntë ligjesh, të cilat do të garantojnë që shoqëritë tregtare shqiptare të kenë të njëjtat mundësi dhe kushte si shoqëritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Ne kemi një paketë prej nëntë ligjesh për të miratuar, të cilat do të garantojnë që shoqëritë tregtare shqiptare të kenë të njëjtat kushte dhe të njëjtat mundësi që kanë shoqëritë europiane”, u shpreh ajo.

Sipas Ibrahimajt, një nga projektligjet e miratuara sot lidhet me statutin e shoqërive europiane dhe krijon për herë të parë një kuadër ligjor të plotë në këtë fushë.

“Ky ligj krijon një kuadër ligjor që më parë nuk ka ekzistuar, i cili është në përputhje me legjislacionin europian dhe do t’i hapë rrugën një bashkëpunimi më të mirë të shoqërive shqiptare me shoqëritë europiane”, tha ministrja.

Ajo shtoi se dy projektligjet e tjera lidhen me shoqëritë europiane të bashkëpunimit dhe grupimet ekonomike me interes europian, duke plotësuar bazën ligjore të nevojshme për integrimin e biznesit shqiptar në tregun europian.

Ibrahimaj bëri të ditur se tre projektligjet e miratuara sot pritet të kalojnë për miratim në Kuvend brenda muajit korrik, në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.

“Po ndërkohë do të plotësohen me një grup tjetër ligjesh, të cilat i kemi gati dhe jemi në pritje të miratimit final nga Bashkimi Europian me qëllim që t’i kalojmë në Parlament”, deklaroi ajo.

Sipas ministres, e gjithë paketa prej nëntë ligjesh është në përputhje të plotë me direktivat europiane dhe do të krijojë mundësi të reja për bizneset shqiptare.

“Këto ligje do t’i hapin rrugë bashkëpunimeve me shoqëritë europiane, aksesit në projekte të përbashkëta me to dhe do të garantojnë të drejta të barabarta për shoqëritë tregtare shqiptare me ato europiane”, deklaroi Ibrahimaj.

/a.f/

The post Ibrahimaj: Brenda korrikut përmbyllen 9 ligje për harmonizimin e shoqërive tregtare me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ibrahimaj: Zhvillimi i Zvërnecit do të ecë vetëm sipas standardeve mjedisore të BE-së

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se qeveria shqiptare mbështet vijimin e projektit turistik në zonën e Zvërnecit, por theksoi se aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se çdo propozim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë mjedisor dhe ligjor.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se qeveria ndodhet ende në fazën e studimeve dhe projektimit për zhvillimin e zonës.

“Nuk kemi ende një projekt për zhvillimin e zonës dhe për ndërtimin në zonën e Zvërnecit. Janë duke punuar arkitektë të njohur, studiues, inxhinierë të ndikimit në mjedis dhe arkitektë peizazhi. Jemi ende në fazën e një studimi dhe projektimi. Qeveria shqiptare nuk ka një projekt final që mund ta ndajë me publikun”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, çdo projekt që do të paraqitet për miratim do të duhet të përmbushë të gjitha standardet mjedisore dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

“Jam e sigurt që në momentin që do të na vijë një propozim, ai do të jetë një propozim që do t’i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Shqetësimi ynë kryesor është që të gjitha standardet e mjedisit të respektohen. Projekti do të vazhdojë vetëm brenda të gjitha kushteve dhe standardeve që Bashkimi Europian ka”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria ndodhet në proces negociatash me Bashkimin Europian dhe se legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit po rishikohet në përputhje me detyrimet e integrimit.

“Kemi një proces të nisur negociatash me Bashkimin Europian dhe një kalendar të mirëpërcaktuar detyrash, ku bën pjesë edhe legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit. Në momentin që do të na vijë një projekt me studim të impaktit në mjedis, ai do të analizohet nga strukturat e qeverisë dhe do të bëhet transparent”, deklaroi ajo.

Duke folur për përfitimet ekonomike të projektit, ministrja tha se qeveria e konsideron të rëndësishëm një investim të kësaj përmase jo vetëm për ndikimin ekonomik, por edhe për standardet që mund të sjellë në sektorin e turizmit.

“Ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri jo vetëm për paratë që sjell në ekonomi, por edhe për imazhin, standardet që sjell në turizëm dhe për impaktin që mund të ketë në sektorin e turizmit dhe në hotelet e tjera”, tha Ibrahimaj.

E pyetur për vlerën e investimit prej 4 miliardë eurosh të përmendur më herët, ministrja sqaroi se kjo shifër i përkiste një projekti të mëparshëm, i cili nuk është miratuar.

“4 miliardë euro ka qenë një projekt që është dorëzuar më parë dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit, pasi nuk i plotësonte standardet që kishim për intensitetin e ndërtimit dhe ndikimin në mjedis”, tha ajo.

Sipas Ibrahimajt, ende nuk dihet vlera e projektit që mund të paraqitet në të ardhmen.

“Nuk e dimë sa do të jetë vlera e projektit që do të vijë për miratim. Mund të jetë pesë miliardë, mund të jetë gjashtë miliardë, mund të jetë edhe dy ose tre miliardë euro. Nuk mund të flasim sot pasi nuk kemi një projekt”, u shpreh ministrja.

Duke iu referuar shqetësimeve për ndikimin në mjedis, Ibrahimaj theksoi se ruajtja e natyrës është interes si i qeverisë, ashtu edhe i investitorëve potencialë.

“Arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra. Është në interesin tonë që ne ta mbrojmë natyrën, por është edhe në interesin e tyre për nivelin e turizmit që duan të sjellin në Shqipëri. Natyra duhet të ruhet dhe të mbrohet, sepse është një vlerë e shtuar për projektin”, deklaroi Ibrahimaj. /a.g/

The post Ibrahimaj: Zhvillimi i Zvërnecit do të ecë vetëm sipas standardeve mjedisore të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Evazioni fiskal në ndërtim, zbulohen 3,4 milionë euro të ardhura të padeklaruara


TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Sektori i ndërtimit mbetet një nga prioritetet kryesore të Administratës Tatimore në kuadër të luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit në ekonomi.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të kryera së fundmi, Administrata Tatimore ka zbuluar një rast të dyshuar evazioni fiskal që lidhet me një rrjet agjencish imobiliare që operojnë në disa qytete të vendit.

Sipas të dhënave paraprake, nga analizat dhe hetimet administrative janë konstatuar rreth 3,4 milionë euro të ardhura të padeklaruara, të cilat dyshohet se nuk janë reflektuar në dokumentacionin tatimor në përputhje me detyrimet ligjore.

Administrata Tatimore bën të ditur se kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe në aktivitetet e lidhura me tregun e pasurive të paluajtshme do të vijojnë në të gjithë vendin, me fokus identifikimin e rasteve të fshehjes së të ardhurave, mosdeklarimit të transaksioneve dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit tatimor.

Sipas DPT-së, qëllimi i këtyre veprimeve është garantimi i zbatimit të ligjit, rritja e transparencës financiare dhe mbrojtja e konkurrencës së ndershme në treg.

Administrata Tatimore u bën gjithashtu thirrje qytetarëve dhe bizneseve të kontribuojnë në luftën kundër evazionit fiskal, duke raportuar çdo rast të dyshuar shkeljeje përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”.

“Lufta kundër informalitetit mbetet një nga prioritetet kryesore për forcimin e administrimit tatimor dhe krijimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë”, bën të ditur DPT. /a.g/

The post Evazioni fiskal në ndërtim, zbulohen 3,4 milionë euro të ardhura të padeklaruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kthimi i emigrantëve për pushime, Dogana e Kakavijës rrit kapacitetet për përballimin e fluksit

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës janë rritur kapacitetet operacionale dhe është intensifikuar puna e shërbimeve doganore dhe kufitare, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të lëvizjes së qytetarëve gjatë sezonit veror.

Masat e marra përfshijnë shtim të sporteleve aktive në oraret e pikut, riorganizim të fluksit të automjeteve, si dhe angazhim të përforcuar të ekipeve në terren, të cilat po operojnë 24 orë pa ndërprerje.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 4 mijë hyrje-dalje shtetasish shqiptarë dhe të huaj, ndërsa janë përpunuar rreth 1500 automjete, me kohë pritjeje të reduktuara në krahasim me ditët e mëparshme.

Dogana Kakavijë bën të ditur se është rritur ndjeshëm efikasiteti i kontrollit përmes koordinimit më të mirë ndërinstitucional dhe përdorimit të plotë të kapaciteteve ekzistuese, duke synuar qarkullim sa më të rrjedhshëm në të dyja drejtimet.

Gjithashtu, gjatë periudhës së pikut po aplikohet fleksibilitet në menaxhimin e korsive dhe orientimin e mjeteve, me qëllim shmangien e krijimit të radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Masat do të vijojnë të mbeten në fuqi përgjatë gjithë sezonit veror për të garantuar një shërbim të shpejtë, të sigurt dhe efikas në këtë pikë të rëndësishme kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

/a.f/r.e/

The post Kthimi i emigrantëve për pushime, Dogana e Kakavijës rrit kapacitetet për përballimin e fluksit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kuvendi kalon në votim pas debateve dhe bllokimit të seancës nga opozita

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla për ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pas situatës së krijuar në seancën plenare.

Seanca plenare u shoqërua me debate të forta politike dhe tensione, pasi opozita bllokoi foltoren duke penguar disa herë vijimin normal të diskutimeve.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëri të ditur se ishte përpjekur për të siguruar vijimin normal të punimeve të seancës duke thirrur kryetarët e grupeve parlamentare për konsultime me qëllim zgjidhjen e ngërçit dhe rikthimin e debatit parlamentar sipas rregullores.

“Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur, pavarësisht se i kam ftuar për të diskutuar mbi zgjidhjen e ngërçit të seancës. Në kundërshtim me rregulloren, seanca është bllokuar. Kemi një propozim nga kryetari i grupit të mazhorancës për ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Propozimi u miratua me 79 vota pro dhe 2 kundër, duke hapur rrugën për vijimin me votim të rendit të ditës pa diskutime.

Gjatë seancës pati debate mes kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me protestat e qytetarëve dhe qëndrimet politike në Kuvend.

Berisha deklaroi se protestat nuk kanë karakter antiamerikan apo anti-Trump, por lidhen me kërkesat për shtet ligjor dhe transparencë, ndërsa Balla e kundërshtoi duke e sfiduar që t’u bashkohet protestave dhe duke theksuar se opozita nuk përfaqëson protestuesit.

Për shkak të bllokimit të foltores dhe tensioneve, punimet u ndërprenë disa here.

Në rend dite ishin një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh, përfshirë ndryshime në Kodin Rrugor, projektligjin për sektorin e energjisë elektrike, amnistinë, sigurimet shoqërore, si dhe ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare.

Po ashtu, Kuvendi parashikonte informimin mbi Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

/a.f/

The post Kuvendi kalon në votim pas debateve dhe bllokimit të seancës nga opozita appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndërtimi dhe energjia rriten në 3-mujorin e parë, industria shënon rënie

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Ndërtimi, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë shënuan rritje në tremujorin e parë të vitit, ndërsa industria regjistroi rënie në prodhim, shitje dhe punësim.

Referuar të të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, industria ka pësuar tkurrje në këtë periudhë, me ulje të shitjeve neto në volum me 3,1%, të prodhimit me 4,9% dhe të punësimit me 2,9%. Ndërkohë, fondi i pagave u rrit me 7,5%.

Në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit u shënua rritje e fortë në të gjithë treguesit kryesorë.

Shitjet neto në volum janë rritur me 17,6%, ndërsa prodhimi është rritur me 45%.

Punësimi ka shënuar rritje me 2,1%, ndërsa fondi i pagave me 13,1%.

Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve ka regjistruar gjithashtu rritje, me rritje të shitjeve neto në volum prej 15,1% dhe të prodhimit me 5,6%. Punësimi është rritur lehtë me 0,3%, ndërsa fondi i pagave është rritur me 18,5%.

Ndërtimi po ashtu vijoi rritjen gjatë tremujorit të parë të vitit, me rritje të shitjeve neto në volum prej 8,6%, të prodhimit me 7,2% dhe të punësimit me 5,6%. Fondi i pagave është rritur me 22,4%.

/a.f/

The post Ndërtimi dhe energjia rriten në 3-mujorin e parë, industria shënon rënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

INSTAT: Rritje e pagave dhe shitjeve në shërbime, e nxitur nga pasuritë e paluajtshme, turizmi dhe tregtia

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Sektori i shërbimeve vijoi zgjerimin gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke reflektuar një ecuri pozitive si në rritjen e pagave të punonjësve ashtu edhe në shtimin e shitjeve neto në volum, të mbështetur kryesisht nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, turizmit dhe tregtisë.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, pagat janë rritur në pjesën më të madhe të aktiviteteve të shërbimeve.
Rritja më e lartë është regjistruar në pasuritë e paluajtshme me 35%, të ndjekura nga hotelet me 22%.

Rritje të ndjeshme është shënuar gjithashtu në agjencitë e udhëtimit me 20,5%, aktivitetet e sigurimit dhe hetimit me 14,8%, tregtia me 14,6%, si dhe bar-restorantet me të njëjtën përqindje.

Në rritje paraqiten edhe informacioni dhe komunikacioni me 10,4%, aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit me 6,1% dhe transporti e magazinimi me 1,2%.

E vetmja rënie është regjistruar në administrimin e zyrave dhe shërbimet mbështetëse, me 6,5%.

Edhe indeksi i shitjeve neto në volum ka shënuar rritje në disa nga degët kryesore të shërbimeve.

Rritjet më të forta janë regjistruar në pasuritë e paluajtshme me 31,5%, hotelet me 12,6% dhe bar-restorantet me 8,4%. Tregtia është rritur me 4,6%, ndërsa agjencitë e udhëtimit me 1,9%.

Në kahun tjetër, ulje janë regjistruar në transport dhe magazinim me 3,8%, informacion dhe komunikacion me 1,6% dhe në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative me 5,4%.

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, rritje të lehtë kanë shënuar hotelet dhe bar-restorantet, ndërsa transporti, magazinimi dhe disa shërbime të informacionit kanë pësuar rënie të lehta.

/a.f/

The post INSTAT: Rritje e pagave dhe shitjeve në shërbime, e nxitur nga pasuritë e paluajtshme, turizmi dhe tregtia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ngritja e Këshillit Fiskal, Malaj: Hap i rëndësishëm për forcimin e disiplinës fiskale

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Qeveria po ndërmerr një hap të ri në drejtim të forcimit të transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e financave publike, përmes krijimit të Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur publik që do t’i përgjigjet Kuvendit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se projektligji për ngritjen e Këshillit Fiskal është hedhur për konsultim publik dhe synon të harmonizojë më tej kuadrin fiskal të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, edhe pse Shqipëria vlerësohet si një nga vendet lidere në rajon për transparencën buxhetore, ngritja e këtij institucioni përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e transparencës dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike.

Këshilli Fiskal do të funksionojë si një institucion i pavarur publik, me mandat për të ofruar analiza dhe vlerësime profesionale mbi politikat fiskale dhe buxhetore të vendit.

Sipas projektligjit, përfitimet kryesore që pritet të sjellë Këshilli Fiskal janë forcimi i disiplinës fiskale, rritja e transparencës në proceset buxhetore, garantimi i qëndrueshmërisë së financave publike, përputhshmëria me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe ndjekja e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e menaxhimit fiskal.

Ndër funksionet kryesore të Këshillit Fiskal do të jenë analiza e parashikimeve buxhetore, analiza e parashikimeve makroekonomike, vlerësimi i politikës fiskale si dhe monitorimi i zbatimit të rregullave fiskale.

“Krijimi i këtij institucioni do të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së politikave fiskale, duke forcuar mbikëqyrjen e pavarur të financave publike dhe duke mbështetur vendimmarrjen ekonomike në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi Malaj.

1 nga 3

/a.f/

The post Ngritja e Këshillit Fiskal, Malaj: Hap i rëndësishëm për forcimin e disiplinës fiskale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Balla dhe Berisha përplasen në Kuvend për kërkesat e protestuesve

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Debati për kërkesat e protestuesve dhe qëndrimet ndaj rezolutës së Parlamentit Evropian ka shkaktuar përplasje të forta mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare të së enjtes.

Në fjalën e tij, Berisha hodhi poshtë pretendimet se lëvizja e protestuesve ka karakter antiamerikan apo anti Trump, duke theksuar se ajo lidhet me respektimin e shtetit ligjor dhe transparencën.

“Kjo nuk është lëvizje anti Trump. Kjo është lëvizje për shtetin ligjor, për transparencën, për ligjin ndërkombëtar. Nuk ka asgjë të përbashkët as me anti presidentin Trump, as me antizionizëm”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë tërheqjen e ndryshimeve të ligjeve që janë bërë në këtë parlament dhe kërkoi që Kuvendi të fokusohet tek kërkesat e ngritura nga protestuesit.

“Dhe Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë tërheqjen e ndryshimeve të ligjeve që janë bërë në këtë parlament. Kërkon moratorium për çdo leje të re dhe për çdo veprim të ri para se të ndryshohet ligji”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kundërshtoi pretendimet e opozitës për përfaqësimin e protestuesve dhe sfidoi Berishën që t’u bashkohej protestave.

“Unë të sfidoj, Sali Berisha. Sot pasdite dil në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Balla tha se Berisha nuk mund të flasë në emër të protestuesve, duke kujtuar qëndrimet e tij në ditët e para të protestës.

“I fundit në këtë sallë që mund të flasë në emër të protestuesve është ky këtu. Ditën e parë të protestës i quajte sikur i kemi nxjerrë ne protestuesit. Ditën e dytë të protestës the që je kundër protestës”, deklaroi ai.

Deputeti socialist iu referua gjithashtu një kallëzimi penal të depozituar ndaj Berishës, duke thënë se një nga kërkesat e protestuesve ka qenë ndëshkimi i ish-kryeministrit.

“Protestuesit thonë: Sali Berisha në burg. Unë e kam bërë një kallëzim për ty dhe i ftoj protestuesit ta marrin në shqyrtim”, tha Balla.

Në vijim të debatit, ai kritikoi edhe përfaqësues të opozitës që kanë zhvilluar takime në Bruksel në emër të protestuesve.

“Pashë disa që thanë: kemi ardhur këtu në Bruksel për të sjellë kërkesat e protestuesve. Kush ju ka mandatuar juve? Në marrëdhënie me ata djem e vajza nuk kemi nevojë për ty si ndërmjetës. Je i fundit që mund të bësh ndërmjetësimin me protestuesit”, u shpreh Balla.

Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të një kërkese procedurale në Kuvend për tërhiqjen e rendit të ditës, dhe diskutimin e kërkesave të qytetarëve në protestë, ku shumica socialiste paralajmëroi se do ta rrëzojë atë, duke argumentuar se nuk ishte e formuluar sipas rregullores dhe nuk u shoqërua me argumente lidhur me objektin e kërkesës.

Por kreu i PD-së, Berisha deklaroi se opozita nuk mund të vijojë normalisht punën parlamentare pa u trajtuar kërkesat e protestuesve, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama me dorëheqje ose përmes një mocioni me debat në Kuvend.

/a.f/

The post Balla dhe Berisha përplasen në Kuvend për kërkesat e protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Prodhuesit privatë kalojnë KESH-in në prodhimin e energjisë gjatë 4-mijorit

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Prodhuesit privatë dhe koncesionarë siguruan më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të prodhuar në vend gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, duke tejkaluar për herë të parë prodhimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Bilanci energjetik tregon se prodhimi neto vendas arriti në 4,4 milionë MWh në periudhën janar-prill. Nga kjo sasi, 2,38 milionë MWh ose rreth 54% u prodhuan nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë, ndërsa KESH gjeneroi 2,03 milionë MWh, ose 46% të totalit.

Të dhënat tregojnë se rritja e investimeve private në sektorin energjetik po ndryshon gradualisht strukturën tradicionale të prodhimit, e cila historikisht dominohej nga prodhuesi publik.

Një nga zhvillimet më të dukshme lidhet me zgjerimin e prodhimit nga energjia diellore. Centralet fotovoltaike prodhuan mbi 230 mijë MWh gjatë katërmujorit, duke përfaqësuar rreth 5,2% të prodhimit neto vendas.

Pjesa më e madhe e këtij prodhimi u sigurua nga impiantet e lidhura në rrjetin e transmetimit, çka tregon se rritja e sektorit po mbështetet kryesisht nga projektet e mëdha fotovoltaike dhe jo nga prodhimi i shpërndarë.

/a.f/

The post Prodhuesit privatë kalojnë KESH-in në prodhimin e energjisë gjatë 4-mijorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Berisha: Parlamenti duhet t’i rikthehet agjendës së qytetarëve

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në Kuvend se Parlamenti nuk duhet të trajtojë asnjë çështje tjetër, përveç kërkesave të qytetarëve të shprehura në protestën e opozitës.

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Berisha akuzoi drejtuesit e Kuvendit për censurim të pjesëve të fjalimeve të tij në procesverbal.

“Në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por ato i kanë dëgjuar qytetarët”, u shpreh ai.

Berisha e cilësoi protestën e zhvilluar nga opozita si “më madhështoren në historinë e vendit” dhe tha se kërkesat e qytetarëve përbëjnë një axhendë që, sipas tij, ka marrë mbështetje edhe nga Parlamenti Evropian.

Sipas kreut të PD-së, Kuvendi duhet të tërheqë rendin e ditës dhe t’i rikthehet diskutimit të çështjeve që lidhen me kërkesat e protestuesve.

Ai shtoi se ky është detyrimi i Parlamentit për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe situatës politike në vend.

“Gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra mijëra shqiptarëve të cilët kanë një axhendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, axhendë që u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian dje. Ky Parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç agjendës së qytetarëve. Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi axhendës”, deklaroi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Parlamenti duhet t’i rikthehet agjendës së qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌