Përfundon takimi, Kurti: S’ka marrëveshje me LDK-në
PRISHTINË, 5 gusht/ATSH/ Takimi i dytë i zhvilluar këtë të mërkurë mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përfundoi pa marrëveshje.
Takimi, i cili nisi në orët e drekës, përfundoi rreth orës 17:35, ndërsa kreu i LVV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi se ende nuk ka një marrëveshje mes palëve.
“Nuk kemi lajme, pasi nuk kemi marrëveshje. Kur të kemi marrëveshje, flasim”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Takimi i parë mes Kurtit dhe Abdixhikut u zhvillua të martën në mbrëmje, por edhe ai përfundoi pa rezultat.
Pas takimit, Albin Kurti tha se biseda me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk ka rezultuar me marrëveshje politike, por ka shërbyer për diskutimin e zhvillimeve aktuale dhe mundësive për bashkëpunim, raporton KosovaPress.
Kurti ka bërë përpjekje për të mbajtur bisedime me të gjitha partitë opozitare shqiptare, por Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë zgjedhur të qëndrojnë në opozitë, duke hedhur poshtë ofertat për takime me të.
Tani, Kurti ka vetëm LDK-në për ta arritur një marrëveshje medoemos, për të nxjerrë vendin nga kriza pothuajse dyvjeçare politike e institucionale.
LVV-ja e tij i siguroi 53 vende në Kuvend dhe, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të tij me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – Kurti pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 deputetëve për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë e re.
Por, që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 deputetë do të qëndronin në sallën e Kuvendit.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të ri do të mbahet të enjten paradite, dhe partia në pushtet nuk pritet të përballet me telashe për ta përmbyllur me sukses këtë proces. Por, çështja është nëse po soset koha për një marrëveshje të gjerë edhe për postin e presidentit.
/a.f/
The post Përfundon takimi, Kurti: S’ka marrëveshje me LDK-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

(@04Hoti) 