“Nëntori i Dytë”, kolonat zanore të filmave shqiptarë nga Orkestra e TKOB dhe RTSH-së
TIRANË, 29 nëntor/ATSH/- Në kuadër të Festave të Nëntorit, Orkestra Simfonike, Kori dhe Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTSH-së nën dirigjimin e Gridi Krajës sollën një mbrëmje të magjishme nën tingujt e jashtëzakonshëm të filmave shqiptarë.
Artëdashësit të cilët mbushin çdo herë sallat e TKOBAP-së, u përfshinë nga emocionet e forta që rikthyen në skenë kryevepra të kinematografisë në një udhëtim të paharruar në historinë e filmit shqiptar.
Për rreth 2 orë, muzika e kolonave zanore i ktheu pas në kohë të pranishmit në sallën e TKOBAP-së, drejt kujtimeve të fëmijërisë, momenteve ikonike të filmit shqiptar dhe historisë sonë kulturore.
Momente solistike erdhën nga klarineta e parë e TKOBAP-së, Elton Katroshi dhe vokalistja Kamela Islamaj, të cilët plotësuan bukur këtë mozaik që ju dhurua artdashësve nga dy orkestrat më të mëdha shqiptare.
Publiku udhëtoi në atmosferën melodike të Kujtim Laros, Çesk Zadese, Aleksander Lalos, Limos Dizdarit, Hajg Zaharian me muzikën e tyre që i dhanë jetë filmit shqiptar.
The post “Nëntori i Dytë”, kolonat zanore të filmave shqiptarë nga Orkestra e TKOB dhe RTSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.