Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani
TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore” u zhvillua të premten dhe të shtunën, duke konfirmuar edhe një herë rivalitetin dhe intensitetin e lartë të këtij sezoni, me ndeshje të luftuara, përmbysje dhe rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në renditje.
Në “Adush Muçaj”, Partizani arriti një fitore me përmbysje ndaj Bylisit, duke triumfuar 2-1 në një përballje të fortë dhe të luftuar deri në fund.
Ndërkohë, Vllaznia vijoi ecurinë perfekte, duke mposhtur FK Vorën 1-0 dhe duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në kampionat. Skuadra shkodrane kryeson renditjen me 45 pikë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer.
Në “Elbasan Arena”, AF Elbasani fitoi me përmbysje ndaj Teutës me rezultatin 2-1, në një ndeshje me ritëm dhe intensitet të lartë.
Mbrëmjen e së premtes, në Vlorë, Egnatia u rikthye te fitorja pas katër ndeshjesh, duke triumfuar 1-0 ndaj Flamurtarit dhe duke marrë tre pikë të rëndësishme në vazhdimësinë e kampionatit.
Java u mbyll të shtunën në “Selman Stërmasi”, ku Tirana barazoi me Dinamo City 1-1. Bardheblutë u ngjitën në vendin e tetë të renditjes me 21 pikë.
Kampionati “Abissnet Superiore” vijon të ofrojë garë, spektakël dhe emocione, ndërsa çdo javë mbetet vendimtare në rrugëtimin e skuadrave drejt objektivave të sezonit.
/e.i/j.p/
The post Java e 23-të e “Abissnet Superiore”, fitojnë Vllaznia, AF Elbasani, Egnatia dhe Partizani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
