Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmbylli sot në Fier turin kombëtar të dëgjesave me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026.
Në takimin përmbyllës morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, si dhe fermerë nga Patosi, Roskoveci, Mallakastra dhe Fieri.
Turi i dëgjesave nisi nga Librazhdi dhe u shtri në të gjitha qarqet e vendit, me gjithsej 23 takime në terren, duke vendosur fermerin në qendër të procesit të bashkëhartimit të politikave mbështetëse për bujqësinë.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se takimi në Fier shënon mbylljen e këtij procesi konsultues në rang kombëtar dhe kalimin në fazën finale të hartimit të skemës së re.
“Sot është dhe takimi i fundit përmbyllës në të gjithë qarqet e Shqipërisë dhe bashkë me stafin e Ministrisë dhe AZHBR-së do të përmbyllim të gjithë kërkesat dhe ankesat që lidhen drejtpërdrejt me atë që ju keni ngritur me emër mbiemër, për t’i reflektuar në paketën e re financiare dhe në masat e reja që do të prezantohen për pak ditë,” u shpreh ai.
Ministri Salla nënvizoi se nga 23 takimet e zhvilluara është ndërtuar një panoramë e qartë e nevojave reale të fermerëve, të cilat do të reflektohen drejtpërdrejt në Skemën Kombëtare 2026.
Skema po konceptohet mbi analizën e sugjerimeve të ardhura nga terreni, me synim adresimin e mbështetjes së munguar, rishikimin e kritereve dhe zgjerimin e përfitimit, për një mbështetje më të drejtë, më efikase dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.
Duke folur për zhvillimin afatgjatë të sektorit, ministri Salla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë.
“Bujqësia dhe interesi i eksporteve mbështeten në tre kolona shumë të forta: fermerët, qeverinë dhe pushtetin vendor. Nëse këta tre komponentë nuk funksionojnë së bashku, nuk mund të arrijmë rezultatin maksimal që synojmë”, u shpreh ai.
Skema e re do të nisë me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, 16% më i lartë se një vit më parë, dhe do të shoqërohet me instrumente të integruara financiare, përfshirë kredi të buta me interes deri në 2% të mbështetura nga garancia shtetërore deri në 70%, si dhe kompensim të TVSH-së, me qëllim uljen e kostove të prodhimit, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e vlerës së produkteve “Made in Albania”.
Procesi i analizimit të sugjerimeve po vijon në mënyrë të strukturuar, me synimin që Skema Kombëtare 2026 të garantojë mbështetje reale për fermerët, rritje të konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmëri afatgjatë për sektorin bujqësor shqiptar. /j.p/
The post Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.