Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Rama: Viti 2026, vendimtar për të dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në BE

25 January 2026 at 10:15

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 përbën një moment kyç për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për ecurinë e procesit dhe për të ardhmen europiane të vendit.

Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se ky vit kërkon përkushtim maksimal në zbatimin konkret të reformave, përtej miratimit të tyre formal.

“Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave”, theksoi Rama.

Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se gjatë kësaj jave është prezantuar një paketë e re me rreth një duzinë nismash ligjore, të orientuara drejt forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas tij, këto nisma përfshijnë fusha thelbësore si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve dhe garantimi i funksionimit efektiv të shtetit ligjor.

Rama theksoi se reformat nuk duhet të mbeten thjesht detyrime në letër që burojnë nga procesi i negociatave, por duhet të shndërrohen në investime konkrete për rritjen e besimit të qytetarëve dhe për përmirësimin e funksionimit të institucioneve.

“Këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor”, u shpreh Rama.

“Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet”, theksoi kreu i qeverisë.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Viti 2026, vendimtar për të dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “21 Janarin”: Njollë për drejtësinë shqiptare, SPAK-u të zgjohet

25 January 2026 at 10:05

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtësia për ngjarjet e 21 janarit nuk mund dhe nuk duhet të harrohet, duke e cilësuar atë si një krim shtetëror që mbetet një plagë e hapur për drejtësinë shqiptare.

Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se 15 vite pas vrasjes së katër protestuesve më 21 janar, hija e padrejtësisë vijon të rëndojë mbi shoqërinë dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 Janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë”, u shpreh Rama.

“Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 Janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar”, tha Kryeministri.

Ai theksoi se përkujtimi i katër Dëshmorëve të Atdheut u zhvillua edhe këtë vit në praninë e familjarëve të tyre, të cilët, sipas tij, vijojnë të presin vendosjen e drejtësisë.

“Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi”, u shpreh Rama.

Rama e cilësoi 21 janarin si një nga ato krime shtetërore për të cilat drejtësia mund të vonojë, por që nuk zhduken as nga kujtesa kolektive dhe as nga përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë.

Kryeministri nënvizoi se, “21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë”.

Në këtë kuadër, Kryeministri shprehu pritshmërinë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të veprojë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se kjo çështje përbën një njollë për drejtësinë shqiptare dhe se mosveprimi do të rëndonte edhe mbi vetë institucionin.

“Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, theksoi Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama për “21 Janarin”: Njollë për drejtësinë shqiptare, SPAK-u të zgjohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protesta e opozitës, degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm

25 January 2026 at 09:55

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj protestës së mbrëmshme të opozitës, duke e krahasuar atë me forma të dhunës së organizuar që, sipas tij, nuk kanë precedent në Europën demokratike nga koha e partive famëkeqe të shekullit të kaluar.

Në reagimin e tij në rrjetin social X, Rama thekson se në vende të ndryshme europiane ka protesta nga grupe të llojeve të ndryshme, nga ekologjistë e studentë, deri te ekstremistë, por nënvizon se vetëm një parti parlamentare, sipas tij, e ka dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit politik që nga lindja e saj.

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…”, shkruan Rama

Kryeministri akuzoi organizatorët e protestës për shkatërrim prone, sulme ndaj institucioneve dhe përdorim të personave të maskuar e të rekrutuar për akte dhune, duke i cilësuar protestat si shfaqje dëshpërimi dhe degjenerimi politik.

“Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat”, thekson Rama.

“Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm”, nënvizon Rama.

Ai shpreh gjithashtu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës, duke u uruar shërim të shpejtë dhe duke dënuar ashpër dhunën ndaj forcave të rendit.

“Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, përfundon reagimin kryeministri Rama.

 

1 nga 4
Foto nga protesta e opozitës e publikur nga kryeministri Edi Rama

/gj.m/a.f/

The post Rama: Protesta e opozitës, degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta, shoqata Amerikano-Shqiptare e zbatimit të ligjit dënon dhunën ndaj Policisë së Shtetit

25 January 2026 at 09:31

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) ka shprehur solidaritet dhe mbështetje të plotë për Policinë e Shtetit Shqiptar, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë gjatë ngjarjeve të fundit në Tiranë.

Në një reagim zyrtar, AALEA e cilëson sulmin ndaj oficerëve të Policisë si një akt brutal dhe të papranueshëm, duke theksuar se dhuna ndaj atyre që shërbejnë për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurisë së komuniteteve duhet të marrë përgjegjësinë e plotë ligjore.

Shoqata shpreh respektin dhe mbështetjen më të thellë për punonjësit e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë tubimit, si dhe për familjet e tyre, duke vlerësuar guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre si burim krenarie për shqiptarët kudo në botë.

AALEA gjithashtu nderon shërbimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe lutet për shërim të plotë dhe të shpejtë të oficerëve të lënduar, duke ritheksuar mbështetjen e saj të palëkundur ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri.

“Ne nderojmë shërbimin e tyre dhe lutemi për shërimin e tyre të plotë dhe të shpejtë:, thekson AALEA.

“Për Policinë e Shtetit Shqiptar: nuk jeni vetëm. Komuniteti amerikan-shqiptar i zbatimit të ligjit qëndron me ju në solidaritet, sot dhe përherë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim misionin tuaj për të mbrojtur dhe shërbyer, dhe kurrë nuk do të harrojmë guximin e atyre që qëndrojnë në vijën e parë të sigurisë publike”, thuhet në reagim.

/gj.m/a.f/

The post Protesta, shoqata Amerikano-Shqiptare e zbatimit të ligjit dënon dhunën ndaj Policisë së Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Krichbaum takim me Ramën: Duam ta shohim Shqipërinë në BE

23 January 2026 at 15:59

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë.

Ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, zv.ministren e Jashtme, Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.

Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave ministri i Shtetit, Krichbaum u shpreh se, “për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së”.

“Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë”, tha ai.

“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Krichbaum.

Për këtë qëllim, vijoi ai, “lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Krichbaum takim me Ramën: Duam ta shohim Shqipërinë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Papajorgji pret Tarran: “Kushtetuesja”, bashkëpunim të frytshëm me OSBE-në

23 January 2026 at 14:42

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.

Gjatë takimit, Papajorgji e falënderoi ambasadorin Tarran për bashkëpunimin shumë të frytshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë të fundit si një partner ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm në mbështetje të veprimtarisë dhe strategjisë institucionale të Gjykatës.

Papajorgji theksoi kontributin e çmuar të OSBE-së në forcimin e kapaciteteve, si dhe shprehu vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të projekteve konkrete dhe iniciativave praktike me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, ambasadori Tarran përgëzoi kryetaren Papajorgji për marrjen e kësaj detyre të lartë dhe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese, si një prej institucioneve më të rendësishme shtetërore.

Ai theksoi rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të njeriut, si dhe në përparimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ambasadori Tarran riafirmoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të vijuar mbështetjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, përmes asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta, duke shprehur besim të plotë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

1 nga 2

/gj.m/r.e/a.f/

The post Papajorgji pret Tarran: “Kushtetuesja”, bashkëpunim të frytshëm me OSBE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes

23 January 2026 at 14:37

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Platforma do të fokusohet në avancimin e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin europian, paqen rajonale.

Ministrja Spiropali njoftoi se “në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, kolegu Fidan prezantoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash”.

Spiropali shtoi se “Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes”.

Bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë, sipas Spiropalit, do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Më herët Spiropali zhvilloi një takim me ministrin Fidan, për partneritetin strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona, përgjatë këtij viti.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, KOKSH: Pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit”

23 January 2026 at 14:24

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta, në moshën 73-vjeçare, të një prej figurave të shquara të basketbollit shqiptar, Spiro (Pirro) Koleka.

Në një mesazh ngushëllimi, KOKSh vlerëson kontributin e Kolekës si pjesë e “brezit magjik” të ekipit “17 Nëntori” (sot KS Tirana) në vitet ’70, një periudhë e artë për basketbollin shqiptar, ku ai la gjurmë të pashlyeshme me talentin dhe përkushtimin e tij.

Më pas, Spiro Koleka e çoi përvojën dhe pasionin për basketbollin edhe në arenën ndërkombëtare, duke ushtruar me sukses detyrën e trajnerit në kampionatin italian, ku drejtoi skuadrën e njohur Victoria Libertas Pesaro.

Sipas KOKSh-it, kontributi i tij në sport, profesionalizmi dhe dashuria e palëkundur për basketbollin do të mbeten një frymëzim i qëndrueshëm për brezat e rinj të sportistëve shqiptarë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Koleka, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv për këtë humbje të madhe.

Spiro (Pirro) Koleka do të kujtohet si një emër i respektuar dhe një mjeshtër i vërtetë i basketbollit shqiptar.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vdes ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, KOKSH: Pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla pret Krichbaum: Gjermania mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE

23 January 2026 at 14:13

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim zyrtar me Gunther Krichbaum, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë.

Gjatë takimit, Balla shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Krichbaum ndaj Shqipërisë, si në Bundestagun gjerman, ashtu edhe në rolin e tij aktual qeveritar.

Ai theksoi se, Gjermania renditet e para për mbështetjen e drejtpërdrejtë të akorduar Shqipërisë.

Sipas Ballës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ndodhen sot në nivelin më të lartë historik, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku të dyja vendet janë pjesë. “Gjermania vazhdon të mbështesë fuqimisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Balla.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Balla pret Krichbaum: Gjermania mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në 2026 nis prodhimi i municioneve e dronëve “Made in Albania”, gjashtë kontrata të firmosura nga KAYO

23 January 2026 at 15:48

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me projektligjin “Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, se aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë.

Në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, mbi zhvillimet në industrinë e prodhimit të armëve, ministri Vengu bëri të ditur se, këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile.

Ministri bëri me dije gjithashtu se, janë në fazën përfundimtare negociatat me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me gjigantin italian.

“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate”, tha Vengu.

Vengu u shpreh se pritet që produktet e para “Made in Albania” të nisin prodhimin që këtë vit.

“Presim që produktet e para ‘Made in Albania’ për mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet, të nisin prodhimin që këtë vit”, u shpreh Vengu.

Ai theksoi se vendi ka hyrë në një fazë ku synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vengu: Në 2026 nis prodhimi i municioneve e dronëve “Made in Albania”, gjashtë kontrata të firmosura nga KAYO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takim me Fidan: Bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë

23 January 2026 at 10:20

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Stamboll ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut turk Hakan Fidan.

Platforma është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë me fokus zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi ndërlidhjen e infrastrukturës, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes.

Përpara takimit të nivelit të lartë, ministrja Spiropali u prit në një takim nga ministri Hakan Fidan, me fokus thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët.

Spiropali theksoi se, “partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti”.

“Mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike”, tha Spiropali.

Në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent por edhe më gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali do të pritet edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ministrja Spiropali pritet nga homologu turk, Hakan Fidan.
1 nga 2
Ministrja Spiropali pritet në turqi nga homologu Hakan Fidan - FOTO: MEPJ

/gj.m/a.f/r.e/

The post Spiropali takim me Fidan: Bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 343 aplikime për shërbim aktiv në fazën e parë të rekrutimeve

23 January 2026 at 10:16

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Rekrutimet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po shënojnë një prirje të qëndrueshme në rritje.

Gjatë Fazës së parë të vitit 2026 janë regjistruar 343 aplikime për shërbim aktiv, duke reflektuar një vijimësi pozitive të trendit të vitit 2025 dhe një interes në rritje të të rinjve për uniformën ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur këtë zhvillim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se rritja e interesit dhe besimit të rinisë lidhet me politikat e ndjekura për përmirësimin e kushteve të shërbimit ushtarak.

Sipas ministrit, rritja e pagave, konsolidimi i shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimi i dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Të dhënat e rekrutimit konfirmojnë një prirje pozitive të raportit mes rinisë dhe institucionit të mbrojtjes, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme të interesit për shërbimin aktiv. Paralelisht, Forcat e Armatosura vijojnë proceset për rritjen jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi të komponentit aktiv, përmes investimeve në përgatitjen profesionale, mirëqenien dhe perspektivën afatgjatë të personelit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto politika dhe masa konkrete kanë sjellë rezultate të matshme dhe përbëjnë një element të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore të Forcave të Armatosura, si dhe në rritjen e rolit të tyre në garantimin e sigurisë kombëtare.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: 343 aplikime për shërbim aktiv në fazën e parë të rekrutimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin”

22 January 2026 at 15:44

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se kryeministri Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, si mik i presidentit Donald Trump, për të firmosur autorizimin që do t’i japë sot Parlamenti.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai u shpreh se, “sipas porosisë, por edhe sipas vlerës dhe rëndësisë, kokën poshtë, dorën lart dhe votoni marrëveshjen”.

Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Balla tha se “ne, pa u zbardhur përgjegjësia jote sa i përket urdhrave për vrasjen e katër shqiptarëve më 21 Janar, kjo forcë politike nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje”.

Balla theksoi se, “kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me katër dëshmorë apo me shumë të plagosur të tjerë, por ka të bëjë me një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e këtij vendi, e cila erdhi, në fakt, si një ripërsëritje e një përpjekjeje tjetër tënden për të qëlluar mbi popullin: në vitin 1997, kur urdhërove avionët të qëllonin mbi popullin e Jugut, dhe në vitin 2011, kur urdhërove të qëllohej mbi popullin opozitar në shesh”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet, investim strategjik për modernizimin e FA

22 January 2026 at 14:22

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi sot kompleksin stërvitor në Bizë/Pajet, një investim strategjik që synon modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të trajnimit të Forcave të Armatosura si dhe zhvillimin e stërvitjeve ndërkombëtare sipas standardeve bashkëkohore të NATO-s.

Gjatë inspektimit, ministri Vengu u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet funksionale të kompleksit, i cili përfaqëson një pol të ri modernizimi për përgatitjen operacionale të trupave dhe rritjen e ndërveprimit me partnerët ndërkombëtarë.

Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet ka kapacitet akomodimi deri në 1200 persona dhe ofron kushte të plota fjetjeje, ushqimi, ambiente moderne dhe shërbime të tjera thelbësore, duke garantuar mbështetje logjistike dhe operacionale për zhvillimin e stërvitjeve të zgjatura dhe komplekse.

Vengu theksoi se ky investim është një element kyç për rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët strategjikë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor aktiv dhe të besueshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky kompleks stërvitor do të jetë funksional për stërvitjen kryesore të FA që pritet të zhvillohet në muajin shtator për certifikimin e Grupbatalionit të Këmbësorisë së Lehtë sipas standardeve të NATO-s si dhe për stërvitje dypalëshe e shumëkombëshe si ajo “Defender Europe 2027”.

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet, investim strategjik për modernizimin e FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bordi i Paqes, Gogu: Shqipëria fiton kur ulet në tryezë

22 January 2026 at 14:20

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu mbrojti në Kuvend vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke theksuar se bëhet fjalë për një zgjedhje strategjike që shkon përtej diplomacisë klasike dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveriset rendi i ri botëror.

Sipas tij, ky debat nuk ka të bëjë thjesht me politikën e jashtme, por me ndërtimin e mekanizmave realë që garantojnë stabilitet dhe paqe në një botë që po përballet me kriza të thella.

Gogu argumentoi se përballë konflikteve si Gaza dhe zonave të tjera të tensionit, deklaratat politike nuk mjaftojnë për të siguruar paqen.

Ajo që mungon, tha ministri, janë mekanizmat e qartë të koordinimit, rregullat, llogaridhënia dhe një qendër përgjegjësie që të drejtojë proceset pas armëpushimeve.

Në këtë kontekst, Bordi i Paqes synon të krijojë një strukturë funksionale për mbikëqyrje, mobilizim burimesh dhe stabilizim afatgjatë.

Sipas ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Shqipëria duhet të jetë pjesë e këtij mekanizmi për tri arsye kryesore: nevojën për koordinim në fazën e stabilizimit, domosdoshmërinë e llogaridhënies dhe shpejtësinë e instrumentit të ri krahasuar me mekanizmat shumëpalësh klasikë.

Gogu theksoi se vendi ynë nuk merr asnjë detyrim financiar në këtë fazë dhe se aderimi forcon pozicionin e Shqipërisë si vend kandidat i Bashkimit Europian, duke e vendosur atë në tryezën ku merren vendime dhe jo jashtë saj.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Bordi i Paqes, Gogu: Shqipëria fiton kur ulet në tryezë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Të hënën do t’i drejtohem Knesetit izraelit

22 January 2026 at 14:13

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se Shqipëria po përjeton një moment historik për pozicionin e saj ndërkombëtar.

Rama informoi Kuvendin se të hënën e ardhshme do t’i drejtohet Knesset-it, parlamentin e Izraelit, si Kryeministër i Shqipërisë, në të njëjtin format që iu është rezervuar më parë Presidentit të SHBA-së dhe një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj në historinë e atij institucioni.

Ai e cilësoi këtë si një nder të veçantë, jo vetëm për të, por edhe për shumicën qeverisëse dhe për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të vendit tonë në nivel ndërkombëtar.

Rama nënvizoi se, “për Shqipërinë, për mua dhe për ne konsiderohet nder çdo ftesë që nuk u bëhet të gjitha shteteve e botës, sepse ne nuk jemi as kërthiza e botës, as ndonjë vend me një fuqi të spikatur ekonomike ose ushtarake”.

“Po jemi në një vend tejet të vogël që u vetëzhduk nga harta e Europës për 50 vjet, duke mbyllur derën me çelës nga brenda. Pastaj, kur hapi derën e lidhjes me botën, u keqtrajtua nga brenda dhe nga jashtë për vite të tëra, duke u tërhequr zvarrë sa nën rrënoja piramidash e sa nëpër gropa borxhesh, sa nëpër duart e atyre që e keqqeverisën, e sa nëpër pasqyrat ndërkombëtare të atyre që u hidhnin në kurriz Shqipërisë dhe shqiptarëve plot gurë të pamerituar, një vend që askush përveç meje dhe një grushti njerëzish që besuan, kur e gjithë Partia Socialiste thoshte: “Ky është një i çmendur, mos i shkoni nga mbrapa”, as nuk e ka imagjinuar dot se do të ngjitej këtu ku është ngjitur sot me punën, vendosmërinë dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të një dekade që ka përmbysur historinë e mbrapshtë të Shqipërisë”, tha Rama.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Rama u shpreh se, ata duhen në Kuvend për t’i kujtuar shqiptarëve atë “ishullin e turpit”.

“Ju na duheni këtu, sepse ju jeni këtu për t’i kujtuar shqiptarëve atë “ishullin e turpit”, ndërsa ne jemi këtu për t’i ngjitur shqiptarët në atë majën e shumë ëndërruar të Shqipërisë 2030”, tha Rama.

“Atyre që na besojnë, po edhe atyre që hezitojnë të na besojnë, unë u them vetëm kaq: kini besim dhe jeni të bindur se ne do të ngjitemi për aty ku jemi nisur, duke u rritur ekonomikisht, duke u forcuar shtetërisht dhe duke u vlerësuar ende më shumë akoma ndërkombëtarisht. Dhe mos e harroni kurrë: sa më shumë lehin qentë, aq më përpara ka shkuar karvani dhe aq më e madhe është bërë distanca mes karvanit dhe qenve”, tha Rama.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Të hënën do t’i drejtohem Knesetit izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ai që është “non grata” nga SHBA, i ka ngulur thikë pas shpine aleancave strategjike të Shqipërisë

22 January 2026 at 14:04

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”, se ai që ka marrë stausin e “non gratës” nga ShBA, është i paarritshëm në të gjitha poshtërsitë, ligësitë, pabesitë që i ka bërë popullit shqiptar dhe thikat pas shpine që i ka ngulur të gjitha aleancave strategjike të Shqipërisë, duke iu referuar kryetarit të partisë demokratike, Sali Berisha,

“Mos e lini pas dore atë punën e “non gratës” për mua. Në asnjë mënyrë, se siç ju kanë dalë të tëra fjalët do ju dali dhe fjala për non gratën”, iu drejtua Rama opozitës.

Kryeministri tha se ai që e ka marrë statusin e “non gratës” e ka merituar në mënyrën më bindëse.

“E tha sot dikush: Edi Rama po mbledh parlamentin se ka ngërç. Ngërçi në fakt është se për parlamentin e Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non gratë dhe ajo është e zënë. Dhe është e zënë me meritë. Ai që e ka marrë non gratën e ka merituar në mënyrën më bindëse dhe kishte të drejtë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se për këtë arsye, fjala për heqjen e statusit do të shfaqet në vitin 2025, dhe pavarësisht se jemi tashmë në vitin 2026, procesi do të ndiqet sipas kalendarit të përcaktuar.

“Juve do iu dali fjala që non grata do të hiqet në mars të 2025-ës, dhe pavarësisht se është 2026-a juve vazhdoni fort se në mars 2025-ës do ta hiqni”, tha Rama.

“Puna është që dy fjalë janë mbivendosur. Keni mbivendosur fjalë, keni thënë do hiqet dhe po vihet. Ajo po s’u hoq nuk vihet, se është një kuotë. Dhe, vallahi, ai që e ka marrë atë kuotë, ai është i paarritshëm në të gjitha poshtërsitë, ligësitë, pabesitë që i ka bërë popullit shqiptar dhe thikat pas shpine që i ka ngulur të gjitha aleancave strategjike të Shqipërisë, kështu që zor shumë se lëviz ajo kuotë”, u shpreh Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Ai që është “non grata” nga SHBA, i ka ngulur thikë pas shpine aleancave strategjike të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nuk isha në Davos sepse mikprita Ivanka Trump në Shqipëri

22 January 2026 at 12:45

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nuk ndodhej sot në Davos për të firmosur marrëveshjen e Bordit të Paqes me presidentin e ShBA, Donald Trump sepse zgjodhi të mikpriste vajzën e tij, Ivanka Trump, në Shqipëri.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës se pse nuk ishte në Davos për të firmosur marrëveshjen për Bordin e Paqes, Rama tha se, “meqë po përsëritet e njëjta pyetje, edhe që mos shqetësoheni, sepse e kuptoj që jeni shumë të shqetësuar pse unë nuk jam atje sepse mezi prisnit që të më shikonit atje, në fakt unë duhet të bëja një zgjedhje midis t’i përgjigjesha ftesës së babit apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri dhe zgjodha vajzën. Dhe natyrisht vajzën e zgjodha me lejen e babait”.

Rama iu përgjigj edhe deputetit Fatmir Mediu, duke u shprehur se është ura që lidh Amerikën me “Rrugën e shpresës”.

“E dyta, duke qenë se zoti Mediu është ura që lidh Amerikën me “Rrugën e shpresës” unë prisja nga zoti Mediu në fakt që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës, po s’ka problem, se nuk shohim ne asnjë arsye për të parë divergjenca të tilla. Kështu që, zoti Mediu, rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që na kanë ftuar dhe ne nuk na ka ardhur koha të analizojmë ata që na ftojnë”, tha Rama.

Kuvendi diskuton për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes - Foto: Florian Abazaj
1 nga 4
Kuvendi diskuton për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes - Foto: Florian Abazaj

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Nuk isha në Davos sepse mikprita Ivanka Trump në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në Bordin e Paqes, Spiropali: Moment me peshë të veçantë, nuk është çështje partiake

22 January 2026 at 12:43

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se ky është një moment me peshë të veçantë për mënyrën se si Shqipëria po shihet dhe po dëgjohet në arenën ndërkombëtare.

Spiropali u shpreh se pak ditë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka drejtuar Kryeministrit Edi Rama një ftesë të pazakontë, e cila, sipas saj, e pozicionon Shqipërinë si anëtare themeluese të një mekanizmi të ri ndërkombëtar të quajtur Bordi i Paqes.

“Një ftesë që nuk është e zakonshme dhe që e pozicionon vendin tonë si anëtare themeluese të një mekanizmi të ri ndërkombëtar. Jo për të marrë pjesë formalisht, por për të qenë e ftuar përtej simbolikës, për të qenë aty që në fillim në ndërtimin e këtij mekanizmi. Kjo ka rëndësi”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se kjo çështje nuk duhet parë si një debat partiak apo si përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

“Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje mazhorance apo opozite. Kjo është çështje e shtetit shqiptar dhe e mënyrës sesi ne e kuptojmë veten dhe rolin tonë në botë”, u shpreh ministrja.

Duke iu drejtuar deputetëve në sallë, Spiropali pranoi se dallimet politike janë normale në një parlament, por theksoi se ka momente kur këto ndarje nuk ndihmojnë.

“Në këtë sallë kemi dallime politike, dhe kjo është normale. Por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë, dhe ky është njëri prej tyre”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të ngritura në publik se pse Shqipëria pranon anëtarësimin në Bordin e Paqes dhe nëse kjo nënkupton largim nga Bashkimi Evropian, Spiropali u shpreh se Shqipëria nuk po zgjedh mes aleancave.

“Shqipëria po vepron brenda orientimit të saj strategjik të pandryshuar. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet vokacioni ynë historik dhe kombëtar, objektivi ynë kryesor politik, institucional dhe shoqëror. Ai nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër”, deklaroi Spiropali.

Ajo shtoi se duhet thënë me ndershmëri se Bashkimi Evropian është destinacioni i brendshëm i Shqipërisë, ndërsa politika e jashtme e vendit është ndërtuar mbi marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi përgjegjësinë për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

“Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk është strukturë integrimi. As nuk është alternativë ndaj multilateralizmit, në të cilin ne besojmë fort. Ai është një mekanizëm ndërkombëtar për ndërtimin dhe menaxhimin e paqes në një botë që po ndryshon shumë shpejt. Shqipëria nuk hyn në Bordine e Paqes të për të zëvendësuar asgjë, por për të kontribuar aty ku ka besim dhe përgjegjësi”, u shpreh ministrja.

Në përfundim, Spiropali theksoi se këto janë dy rrugë dhe nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, sipas saj, ato e forcojnë njëra-tjetrën.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëria në Bordin e Paqes, Spiropali: Moment me peshë të veçantë, nuk është çështje partiake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miraton ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes

22 January 2026 at 11:47

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali prezantoi me pika përmbajtjen, ndërsa ftoi deputetët që të votojnë, duke theksuar se për projektligjin janë marrë opinionet e disa ministrive të ndryshme, si Ministria e Drejtësisë, e Financave, e Mbrojtjes, e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga Ministria e Brendshme, për zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Ky partneritet mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe garanci për orientimin euroatlantik të vendit. Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, ky projektligj është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Karta e Bordit të Paqes parashikon që asnjë shtet nuk është i detyruar të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tyre dhe se sovraniteti kombëtar mbetet i paprekur”, u shpreh Spiropali.

Teksa prezantoi disa nga krerët që përmban karta e Bordit të Paqes, Spiropali theksoi se “shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga kreu i shtetit ose kreu i qeverisë. Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar, subjekt i rinovimit nga kryetari i Bordit të Paqes”.

Sa i përket projektligjit, ajo shtoi se “në këtë fazë, projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Kontributet do të jenë vullnetare dhe do të planifikohen në mënyrë transparente në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, sipas standardeve buxhetore afatmesme. Akti është hartuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bazë të informacioneve të sjella nga ambasada e Shqipërisë në Uashington”.

Më herët Kuvendi miratoi në seancën plenare, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Pas miratimit të pr.ligjit nga Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, në orën 12:00 pritet të rifillojë seanca plenare për diskutimin dhe miratimin e tij.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miraton ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes...
1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miraton ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌