Pezullimi i Ballukut, Kuvendi: Vendimi i GjKKO pa bazë kushtetuese
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi parashtroi argumentet e këtij institucioni gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GjKKO).
Në fjalën e saj ajo u shpreh se një deputet apo ministër nuk mund të pengohet të ushtrojë detyrën apo të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Sipas saj, pezullimi nuk prek vetëm individin, por edhe Këshillin e Ministrave.
“Deputeti gëzon imunitet, nuk mund te pengohet të ushtrojë detyrën, nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Ndjekja penale bëhet me miratim të Kuvendit”, tha ajo.
Arbi deklaroi se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të një ministri përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të Kuvendit dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ajo theksoi se, ndonëse ministrat nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, legjitimiteti i tyre buron nga Kuvendi, i cili është organ i zgjedhur drejtpërdrejt.
“Logjika juridike është e qartë, deputeti përfaqëson vullnetin e popullit dhe ushtron një mandat që i është dhënë nga zgjedhësit pezullimi i tij nga detyra do të përbente një ndërhyrje në këtë mandat do të cenonte pavarësinë pushtetit legjislativ. E njëjta logjikë zbatohet edhe për anëtarin e Këshillit të Ministrave.
“Dekreti i emërimit të ministrave shqyrtohet nga Kuvendi dhe ky shqyrtim nga Kuvendi krijon lidhjen kushtetuese ndërmjet vullnetin popullor dhe përbërjes të Këshillit të ministrave. Ndonëse ministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli ai merr legjitimim nga Kuvendi i cili është organ i zgjedhur drejtpërdrejt”, tha ajo.
Arbi nënvizoi se Kushtetuta ka synuar të sigurojë një mbrojtje të barabartë institucionale midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, gjë që është njohur edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.
“Ministrat ndonëse nuk zgjidhen drejtpërdrejt përfitojnë legjitimitetin e tyre nga Kuvendi dhe në kuptim kanë një natyre të ngjashme me personat e zgjedhur. Kur kushtetutëbërësi ka vendosur që ministrat të gëzojnë imunitetin e deputetit, ai ka synuar që të sigurojë një mbrojtje të barabartë institucionale midis dy organeve të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e ka njohur këtë mbrojte të barabartë institucionale midis dy organeve”, tha Arbi.
Arbi e cilësoi vendimin e GjKKO-së si të pambështetur në Kushtetutë dhe paralajmëroi se ai krijon konfuzion juridik dhe institucional.
“Nëse deputeti mbrohet nga pezullimi nga detyra për të garantuar ushtrimin e mandatit të tij, atëherë e njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Pezullimi i ministrit nga detyra do të cenonte veprimtarinë e ekzekutivit. Në vlerësimin e Kuvendit, ky vendim cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të Kuvendit. Ndërhyrja gjyqësore në përbërjen e Këshillit të Ministrave që Kuvendi ka miratuar përbën një cenim të drejtpërdrejtë të kompetencave të tij kushtetuese.
“Ky proces kushtetues që përfshin tre organe të larta të shtetit nuk mund të pezullohet më një vendim gjyqësor që mbështet në asnjë depozitë kushtetues. Vendimi i GjKKO krijon një situatë kritike që bien në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta i ka njohur Kuvendit në procesin e formimit dhe funksionit të Këshillit të Ministrave”, tha ajo.
Në përfundim, Arbi theksoi se vendimi i GjKKO është ngritur pa një bazë kushtetuese.
“Vendimi i GjKKO krijon një situatë faktike që është në kundërshtim me vendimin e Kuvendit që ka dhënë votëbesimin për miratimin e programit dhe përbërjes së Këshillit të ministrave. Vendimi krijon edh enjë konfuzion juridik në lidhje me statusin e akte që presidenti ka nxjerrë në emërimin e ministrit. Vendimi i GjKKO është ngritur pa një bazë kushtetuese”, tha Arbi.
/m.q/r.e/a.f/
The post Pezullimi i Ballukut, Kuvendi: Vendimi i GjKKO pa bazë kushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.