Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Vizitorë nga e gjithë bota zbulojnë pasuritë natyrore e kulturore të Shqipërisë në Panairin e Madridit

25 January 2026 at 13:55

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot përshtypjet e vizitorëve të huaj për stendën e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, ku vizitorë nga Spanja, Kina, Porto Rico, Maroku, Italia dhe vende të tjera të botës po zbulojnë pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit tonë.

Përmes punimeve artizanale, aromave dhe shijeve autentike të produkteve dhe pijeve tradicionale, Shqipëria prezantohet si një destinacion turistik që përjetohet me të gjitha shqisat.

Vizitorët shprehën interes të madh për të vizituar vendin tonë dhe për të njohur kulturën, artizanatin, muzikën dhe qytetet historike si Berati.

Një vizitor nga Porto Rico vlerësoi stendën shqiptar si “të mrekullueshëm”, duke theksuar se koktejet dhe produktet tradicionale ishin të shkëlqyera, dhe se kishte vizituar Shqipërinë më parë dhe planifikon të kthehet këtë vit.

Një vizitore nga Kina vlerësoi punën e mjeshtërve me leshin dhe ngjyrat e artizanatit shqiptar, duke e cilësuar tërheqëse dhe motivuese për të vizituar vendin. Ajo vlerësoin gjithashtu mikpritjen, ushqimin dhe pijet tradicionale, duke shprehur dëshirën për një vizitë të afërt në Shqipëri.

Një vizitor nga Maroku ndau emocionet e tij për përputhshmërinë e veshjeve kulturore shqiptare me traditat e Marokut, duke theksuar se stenda shqiptare i kishte rikujtuar kulturën, familjen dhe shtëpinë e tij.

Ai shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë për herë të parë dhe për të njohur artizanatin dhe traditat vendase.

Një turist italian u shpreh se kishte pasur një përvojë shumë pozitive gjatë turit me motoçikleta off-road në jug dhe qendër të vendit, duke kaluar përmes Vlorës, liqenit të Pogradecit dhe Tiranës, dhe kishte vlerësuar terrenin, bregdetet dhe ushqimin fantastik.

Kryeministri Rama nënvizoi se pjesëmarrja e vizitorëve të huaj në stendën e Shqipërisë tregon interesin e madh ndërkombëtar për turizmin, kulturën dhe traditat e vendit, duke promovuar Shqipërinë si një destinacion autentik dhe tërheqës për turistët nga e gjithë bota.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

/gj.m/a.f/

 

The post Vizitorë nga e gjithë bota zbulojnë pasuritë natyrore e kulturore të Shqipërisë në Panairin e Madridit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset

25 January 2026 at 12:42

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

/gj.m/a.f/

 

The post Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Batalioni i Forcave Speciale, stërvitje dimërore 72-orëshe “Shigjeta Ilire-26”

25 January 2026 at 12:32

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Efektivat e Batalionit të Forcave Speciale të Forcave të Armatosura po zhvillojnë stërvitjen dimërore 72-orëshe “Shigjeta Ilire-26” në kushte ekstreme malore, me dëborë dhe temperatura nën zero.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtnant Arben Kingji, bëri të ditur se stërvitja ka për qëllim forcimin e aftësive fizike dhe psikologjike të trupave në kushte mbijetese, testimin e armatimit dhe pajisjeve të reja, si dhe rritjen e gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë operacionale për veprime në mjedise të vështira.

Stërvitja synon përgatitjen e trupave për përmbushjen e çdo misioni me profesionalizëm të lartë, duke garantuar gatishmërinë maksimale në kushte të paparashikueshme dhe të rrezikshme.

/gj.m/a.f/

The post Batalioni i Forcave Speciale, stërvitje dimërore 72-orëshe “Shigjeta Ilire-26” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestuesit ishin ndërgjegja e kombit në betejë, regjimi u trondit

25 January 2026 at 12:30

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot një konferencë se protesta e mbrëmshme e PD-së ishte protesta e ndërgjegjes.

Berisha theksoi se protestuesit, pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, dolën në rrugë për më shumë se tre orë, duke shprehur revoltën e tyre kundër qeverisjes aktuale.

“Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj.  Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë”, tha Berisha.

Kreu i PD shprehu nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur.

Berisha theksoi se, protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese.

“Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se, dje protestuesit ishin vetë ndërgjegja e kombit në betejë.

“Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar”, theksoi Berisha.

“Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste.  Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut”, tha Berisha.

/gj.m/a.f-

The post Berisha: Protestuesit ishin ndërgjegja e kombit në betejë, regjimi u trondit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fituese të çmimeve në SHBA, dy kineaste shqiptare po përgatisin film për Nënë Terezën

25 January 2026 at 12:00

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kishte të ftuara sot në podkastin “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6” dy motra kineaste shqiptare nga Vlora, Vilma dhe Greta, të cilat jetojnë dhe veprojnë në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku merren me prodhimin e filmave.

Gjatë bisedës, Rama vlerësoi historinë e tyre si një shembull pozitiv të energjisë krijuese të shqiptarëve jashtë vendit, duke theksuar se ato kanë arritur ta shndërrojnë pasionin për artin dhe filmin në një burim frymëzimi dhe energjie pozitive.

Vilma dhe Greta sipas Kryeministrit, ruajnë me krenari identitetin e tyre kulturor, ndërkohë që janë të integruara dhe aktive në industrinë kinematografike amerikane.

Dy motrat kanë prodhuar deri më tani katër filma dhe bashkëpunojnë me platformën “Amazon Prime” në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një tjetër sukses të diasporës shqiptare në fushën e industrisë kreative dhe kinematografisë. Ato kanë fituar gjithashtu çmime në disa festivale kinematografike ndërkombëtare.

Gjatë podkastit u bë e ditur se Vilma dhe Greta ndodhen aktualisht në Shqipëri për përgatitjen e një filmi artistik mbi jetën e Nënë Terezës.

“Kemi një skenar interesant, të bazuar në jetën e saj. Shumë njerëz mendojnë se Nënë Tereza është nga India apo Italia dhe jo nga Shqipëria. Ne duam të tregojmë se si u formua ajo si Nënë Tereza, duke u fokusuar te fëmijëria dhe rrënjët e saj”, u shprehën ato.

Sipas kineasteve, po shqyrtohen disa lokacione për xhirime, përfshirë Shkupin dhe Shkodrën, duke vlerësuar veçanërisht arkitekturën e vjetër të Shkodrës, e cila ruan ngjashmëri me periudhën e Perandorisë Osmane dhe përmban ende banesa tradicionale të kohës.

Rama theksoi se histori të tilla janë dëshmi e potencialit të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe e rolit të rëndësishëm që diaspora luan në promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.

/gj.m/a.f/

The post Fituese të çmimeve në SHBA, dy kineaste shqiptare po përgatisin film për Nënë Terezën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ofronin kalim të paligjshëm drejt SHBA-së kundrejt 35 mijë eurove, Prokuroria dërgon në gjyq 6 persona”

25 January 2026 at 11:35

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 6 shtetas për veprat penale ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave’, ‘Falsifikim i dokumentit’ si dhe ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’.

Nga hetimet të nisura mbi bazën e materialeve të referuara nga Departamenti i Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Diplomatik/ Zyra për Hetimet kriminale jashtë SHBA-së, rezultoi se shtetasi A.H., së bashku me disa shtetas te tjerë shqiptarë janë kontrabanduar në rajonin e Karaibeve, me qëllim më pas për të kaluar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave, personi i dyshuar që ka organizuar këtë aktivitet është shtetasi shqiptar H.M. alias A. M., i hetuar më parë me të njëjtin aktivitet të kontrabandës njerëzore.

Të dhënat tregojnë se ky shtetas u ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve që për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada të paguajnë çmimin prej 35.000 dollarësh. Intinerari që ndjek ky shtetas për të kontrabanduar njerëz fillon nga Shqipëria ku rekrutohen dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumente false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumente udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të ShBA-së.

Nga hetimet, rezultoi e provuar se shtetasi H.M. ka pajisur me dokumenta të falsifikuara disa shtetas shqiptarë për t’u larguar në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-së dhe ka konsumuar elementet  e veprës penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e provuar në disa raste. Po ashtu nga interceptimet telefonike është provuar se shtetasi H. M., gjatë kohës që është duke u hetuar me masë sigurie “Arrest në burg” nga ambientet e paraburgimit të Fushë-Krujës ka përdorur dy numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” më shumë se një herë.

Nga veprimet e kryera janë mbledhur prova se edhe shtetasja L.M., është e përfshirë në aktivitetin e bashkëshortit të saj me veprime konkrete si në shoqërimin në udhëtimin e tyre për në Republikën Domenikane si dhe duke përfshirë në bashkëpunim edhe vëllain e saj A.P., në marrjen e porosive nëpërmjet linjave të udhëtimit Tropojë -Tiranë. Ajo ka konsumuar veprën penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga këqyrja e të dhënave telefonike, është provuar se shtetasi E.N. i punësuar pranë agjencisë turistike, ka ndihmuar duke i vënë në dispozicion foto të dokumenteve të dy shtetasve të huaj, me qëllim që shtetasi H.M., ky i fundit të mundësojë kalimin e shtetasve të ndryshëm duke përdorur dokumenta model. Mënyrë kjo, e përdorur në disa raste nga shtetasi H. M.,  janë konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Po kështu shtetasi A.P., në bashkëpunim me të afërmit e tij me veprime konkrete ka marrë dokumenta të falsifikuara që do të mundësonin kalimin në mënyrë të kundërligjshme të një shtetasi duke konsumuar elementët e veprave penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit” si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ndërsa shtetasi C.N., duke qenë shofer automjeti ka mundësuar transportin e dokumentave të falsifikuara duke konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikim i leternjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falifikim i dokumentit”.

Shtetasi A.M., duke i vënë në dispozicion të hetuarit H. M., të dhënat e pasaportës/pasaportën e tij Britanike si model për të prodhuar dokumenta të tjera të falsifikuara, për të bërë të mundur një mënyrë më të sigurtë kalimi për shtetas të tjerë për të ikur në Kanada dhe me këto veprime ka konsumuar elementët e veprës penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi dërgimin në gjyq e të pandehurve: H.M; L.M, A.P, C.N, A.M, dhe E.N.

/gj.m/a.f/

The post Ofronin kalim të paligjshëm drejt SHBA-së kundrejt 35 mijë eurove, Prokuroria dërgon në gjyq 6 persona” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Viti 2026, vendimtar për të dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në BE

25 January 2026 at 10:15

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 përbën një moment kyç për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për ecurinë e procesit dhe për të ardhmen europiane të vendit.

Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se ky vit kërkon përkushtim maksimal në zbatimin konkret të reformave, përtej miratimit të tyre formal.

“Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave”, theksoi Rama.

Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se gjatë kësaj jave është prezantuar një paketë e re me rreth një duzinë nismash ligjore, të orientuara drejt forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas tij, këto nisma përfshijnë fusha thelbësore si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve dhe garantimi i funksionimit efektiv të shtetit ligjor.

Rama theksoi se reformat nuk duhet të mbeten thjesht detyrime në letër që burojnë nga procesi i negociatave, por duhet të shndërrohen në investime konkrete për rritjen e besimit të qytetarëve dhe për përmirësimin e funksionimit të institucioneve.

“Këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor”, u shpreh Rama.

“Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet”, theksoi kreu i qeverisë.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Viti 2026, vendimtar për të dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “21 Janarin”: Njollë për drejtësinë shqiptare, SPAK-u të zgjohet

25 January 2026 at 10:05

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtësia për ngjarjet e 21 janarit nuk mund dhe nuk duhet të harrohet, duke e cilësuar atë si një krim shtetëror që mbetet një plagë e hapur për drejtësinë shqiptare.

Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se 15 vite pas vrasjes së katër protestuesve më 21 janar, hija e padrejtësisë vijon të rëndojë mbi shoqërinë dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 Janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë”, u shpreh Rama.

“Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 Janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar”, tha Kryeministri.

Ai theksoi se përkujtimi i katër Dëshmorëve të Atdheut u zhvillua edhe këtë vit në praninë e familjarëve të tyre, të cilët, sipas tij, vijojnë të presin vendosjen e drejtësisë.

“Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi”, u shpreh Rama.

Rama e cilësoi 21 janarin si një nga ato krime shtetërore për të cilat drejtësia mund të vonojë, por që nuk zhduken as nga kujtesa kolektive dhe as nga përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë.

Kryeministri nënvizoi se, “21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë”.

Në këtë kuadër, Kryeministri shprehu pritshmërinë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të veprojë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se kjo çështje përbën një njollë për drejtësinë shqiptare dhe se mosveprimi do të rëndonte edhe mbi vetë institucionin.

“Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, theksoi Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama për “21 Janarin”: Njollë për drejtësinë shqiptare, SPAK-u të zgjohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protesta e opozitës, degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm

25 January 2026 at 09:55

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj protestës së mbrëmshme të opozitës, duke e krahasuar atë me forma të dhunës së organizuar që, sipas tij, nuk kanë precedent në Europën demokratike nga koha e partive famëkeqe të shekullit të kaluar.

Në reagimin e tij në rrjetin social X, Rama thekson se në vende të ndryshme europiane ka protesta nga grupe të llojeve të ndryshme, nga ekologjistë e studentë, deri te ekstremistë, por nënvizon se vetëm një parti parlamentare, sipas tij, e ka dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit politik që nga lindja e saj.

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…”, shkruan Rama

Kryeministri akuzoi organizatorët e protestës për shkatërrim prone, sulme ndaj institucioneve dhe përdorim të personave të maskuar e të rekrutuar për akte dhune, duke i cilësuar protestat si shfaqje dëshpërimi dhe degjenerimi politik.

“Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat”, thekson Rama.

“Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm”, nënvizon Rama.

Ai shpreh gjithashtu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës, duke u uruar shërim të shpejtë dhe duke dënuar ashpër dhunën ndaj forcave të rendit.

“Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, përfundon reagimin kryeministri Rama.

 

1 nga 4
Foto nga protesta e opozitës e publikur nga kryeministri Edi Rama

/gj.m/a.f/

The post Rama: Protesta e opozitës, degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta, shoqata Amerikano-Shqiptare e zbatimit të ligjit dënon dhunën ndaj Policisë së Shtetit

25 January 2026 at 09:31

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) ka shprehur solidaritet dhe mbështetje të plotë për Policinë e Shtetit Shqiptar, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë gjatë ngjarjeve të fundit në Tiranë.

Në një reagim zyrtar, AALEA e cilëson sulmin ndaj oficerëve të Policisë si një akt brutal dhe të papranueshëm, duke theksuar se dhuna ndaj atyre që shërbejnë për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurisë së komuniteteve duhet të marrë përgjegjësinë e plotë ligjore.

Shoqata shpreh respektin dhe mbështetjen më të thellë për punonjësit e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë tubimit, si dhe për familjet e tyre, duke vlerësuar guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre si burim krenarie për shqiptarët kudo në botë.

AALEA gjithashtu nderon shërbimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe lutet për shërim të plotë dhe të shpejtë të oficerëve të lënduar, duke ritheksuar mbështetjen e saj të palëkundur ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri.

“Ne nderojmë shërbimin e tyre dhe lutemi për shërimin e tyre të plotë dhe të shpejtë:, thekson AALEA.

“Për Policinë e Shtetit Shqiptar: nuk jeni vetëm. Komuniteti amerikan-shqiptar i zbatimit të ligjit qëndron me ju në solidaritet, sot dhe përherë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim misionin tuaj për të mbrojtur dhe shërbyer, dhe kurrë nuk do të harrojmë guximin e atyre që qëndrojnë në vijën e parë të sigurisë publike”, thuhet në reagim.

/gj.m/a.f/

The post Protesta, shoqata Amerikano-Shqiptare e zbatimit të ligjit dënon dhunën ndaj Policisë së Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Krichbaum takim me Ramën: Duam ta shohim Shqipërinë në BE

23 January 2026 at 15:59

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë.

Ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, zv.ministren e Jashtme, Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.

Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave ministri i Shtetit, Krichbaum u shpreh se, “për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së”.

“Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë”, tha ai.

“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Krichbaum.

Për këtë qëllim, vijoi ai, “lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Krichbaum takim me Ramën: Duam ta shohim Shqipërinë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Papajorgji pret Tarran: “Kushtetuesja”, bashkëpunim të frytshëm me OSBE-në

23 January 2026 at 14:42

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.

Gjatë takimit, Papajorgji e falënderoi ambasadorin Tarran për bashkëpunimin shumë të frytshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, duke e vlerësuar këtë të fundit si një partner ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm në mbështetje të veprimtarisë dhe strategjisë institucionale të Gjykatës.

Papajorgji theksoi kontributin e çmuar të OSBE-së në forcimin e kapaciteteve, si dhe shprehu vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të projekteve konkrete dhe iniciativave praktike me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, ambasadori Tarran përgëzoi kryetaren Papajorgji për marrjen e kësaj detyre të lartë dhe shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese, si një prej institucioneve më të rendësishme shtetërore.

Ai theksoi rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të njeriut, si dhe në përparimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ambasadori Tarran riafirmoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të vijuar mbështetjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, përmes asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta, duke shprehur besim të plotë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

1 nga 2

/gj.m/r.e/a.f/

The post Papajorgji pret Tarran: “Kushtetuesja”, bashkëpunim të frytshëm me OSBE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes

23 January 2026 at 14:37

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Platforma do të fokusohet në avancimin e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin europian, paqen rajonale.

Ministrja Spiropali njoftoi se “në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, kolegu Fidan prezantoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash”.

Spiropali shtoi se “Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes”.

Bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë, sipas Spiropalit, do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Më herët Spiropali zhvilloi një takim me ministrin Fidan, për partneritetin strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona, përgjatë këtij viti.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, KOKSH: Pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit”

23 January 2026 at 14:24

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta, në moshën 73-vjeçare, të një prej figurave të shquara të basketbollit shqiptar, Spiro (Pirro) Koleka.

Në një mesazh ngushëllimi, KOKSh vlerëson kontributin e Kolekës si pjesë e “brezit magjik” të ekipit “17 Nëntori” (sot KS Tirana) në vitet ’70, një periudhë e artë për basketbollin shqiptar, ku ai la gjurmë të pashlyeshme me talentin dhe përkushtimin e tij.

Më pas, Spiro Koleka e çoi përvojën dhe pasionin për basketbollin edhe në arenën ndërkombëtare, duke ushtruar me sukses detyrën e trajnerit në kampionatin italian, ku drejtoi skuadrën e njohur Victoria Libertas Pesaro.

Sipas KOKSh-it, kontributi i tij në sport, profesionalizmi dhe dashuria e palëkundur për basketbollin do të mbeten një frymëzim i qëndrueshëm për brezat e rinj të sportistëve shqiptarë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Koleka, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv për këtë humbje të madhe.

Spiro (Pirro) Koleka do të kujtohet si një emër i respektuar dhe një mjeshtër i vërtetë i basketbollit shqiptar.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vdes ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, KOKSH: Pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla pret Krichbaum: Gjermania mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE

23 January 2026 at 14:13

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim zyrtar me Gunther Krichbaum, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë.

Gjatë takimit, Balla shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Krichbaum ndaj Shqipërisë, si në Bundestagun gjerman, ashtu edhe në rolin e tij aktual qeveritar.

Ai theksoi se, Gjermania renditet e para për mbështetjen e drejtpërdrejtë të akorduar Shqipërisë.

Sipas Ballës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ndodhen sot në nivelin më të lartë historik, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku të dyja vendet janë pjesë. “Gjermania vazhdon të mbështesë fuqimisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Balla.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Balla pret Krichbaum: Gjermania mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në 2026 nis prodhimi i municioneve e dronëve “Made in Albania”, gjashtë kontrata të firmosura nga KAYO

23 January 2026 at 15:48

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me projektligjin “Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, se aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë.

Në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, mbi zhvillimet në industrinë e prodhimit të armëve, ministri Vengu bëri të ditur se, këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile.

Ministri bëri me dije gjithashtu se, janë në fazën përfundimtare negociatat me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me gjigantin italian.

“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate”, tha Vengu.

Vengu u shpreh se pritet që produktet e para “Made in Albania” të nisin prodhimin që këtë vit.

“Presim që produktet e para ‘Made in Albania’ për mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet, të nisin prodhimin që këtë vit”, u shpreh Vengu.

Ai theksoi se vendi ka hyrë në një fazë ku synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vengu: Në 2026 nis prodhimi i municioneve e dronëve “Made in Albania”, gjashtë kontrata të firmosura nga KAYO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takim me Fidan: Bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë

23 January 2026 at 10:20

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Stamboll ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut turk Hakan Fidan.

Platforma është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë me fokus zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi ndërlidhjen e infrastrukturës, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes.

Përpara takimit të nivelit të lartë, ministrja Spiropali u prit në një takim nga ministri Hakan Fidan, me fokus thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët.

Spiropali theksoi se, “partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti”.

“Mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike”, tha Spiropali.

Në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent por edhe më gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali do të pritet edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ministrja Spiropali pritet nga homologu turk, Hakan Fidan.
1 nga 2
Ministrja Spiropali pritet në turqi nga homologu Hakan Fidan - FOTO: MEPJ

/gj.m/a.f/r.e/

The post Spiropali takim me Fidan: Bashkëpunim për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 343 aplikime për shërbim aktiv në fazën e parë të rekrutimeve

23 January 2026 at 10:16

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Rekrutimet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po shënojnë një prirje të qëndrueshme në rritje.

Gjatë Fazës së parë të vitit 2026 janë regjistruar 343 aplikime për shërbim aktiv, duke reflektuar një vijimësi pozitive të trendit të vitit 2025 dhe një interes në rritje të të rinjve për uniformën ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur këtë zhvillim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se rritja e interesit dhe besimit të rinisë lidhet me politikat e ndjekura për përmirësimin e kushteve të shërbimit ushtarak.

Sipas ministrit, rritja e pagave, konsolidimi i shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimi i dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Të dhënat e rekrutimit konfirmojnë një prirje pozitive të raportit mes rinisë dhe institucionit të mbrojtjes, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme të interesit për shërbimin aktiv. Paralelisht, Forcat e Armatosura vijojnë proceset për rritjen jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi të komponentit aktiv, përmes investimeve në përgatitjen profesionale, mirëqenien dhe perspektivën afatgjatë të personelit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto politika dhe masa konkrete kanë sjellë rezultate të matshme dhe përbëjnë një element të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore të Forcave të Armatosura, si dhe në rritjen e rolit të tyre në garantimin e sigurisë kombëtare.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: 343 aplikime për shërbim aktiv në fazën e parë të rekrutimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin”

22 January 2026 at 15:44

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se kryeministri Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, si mik i presidentit Donald Trump, për të firmosur autorizimin që do t’i japë sot Parlamenti.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai u shpreh se, “sipas porosisë, por edhe sipas vlerës dhe rëndësisë, kokën poshtë, dorën lart dhe votoni marrëveshjen”.

Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Balla tha se “ne, pa u zbardhur përgjegjësia jote sa i përket urdhrave për vrasjen e katër shqiptarëve më 21 Janar, kjo forcë politike nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje”.

Balla theksoi se, “kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me katër dëshmorë apo me shumë të plagosur të tjerë, por ka të bëjë me një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e këtij vendi, e cila erdhi, në fakt, si një ripërsëritje e një përpjekjeje tjetër tënden për të qëlluar mbi popullin: në vitin 1997, kur urdhërove avionët të qëllonin mbi popullin e Jugut, dhe në vitin 2011, kur urdhërove të qëllohej mbi popullin opozitar në shesh”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet, investim strategjik për modernizimin e FA

22 January 2026 at 14:22

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi sot kompleksin stërvitor në Bizë/Pajet, një investim strategjik që synon modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të trajnimit të Forcave të Armatosura si dhe zhvillimin e stërvitjeve ndërkombëtare sipas standardeve bashkëkohore të NATO-s.

Gjatë inspektimit, ministri Vengu u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet funksionale të kompleksit, i cili përfaqëson një pol të ri modernizimi për përgatitjen operacionale të trupave dhe rritjen e ndërveprimit me partnerët ndërkombëtarë.

Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet ka kapacitet akomodimi deri në 1200 persona dhe ofron kushte të plota fjetjeje, ushqimi, ambiente moderne dhe shërbime të tjera thelbësore, duke garantuar mbështetje logjistike dhe operacionale për zhvillimin e stërvitjeve të zgjatura dhe komplekse.

Vengu theksoi se ky investim është një element kyç për rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët strategjikë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor aktiv dhe të besueshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky kompleks stërvitor do të jetë funksional për stërvitjen kryesore të FA që pritet të zhvillohet në muajin shtator për certifikimin e Grupbatalionit të Këmbësorisë së Lehtë sipas standardeve të NATO-s si dhe për stërvitje dypalëshe e shumëkombëshe si ajo “Defender Europe 2027”.

1 nga 3

/gj.m/a.f/r.e/

The post Vengu: Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet, investim strategjik për modernizimin e FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌