Hoffenheim në rrugën e Ligës së Kampionëve, me tre kosovarë që po shkëlqejnë – kjo e kthen në shans historik edhe për Kosovën
Pas fitores vendimtare ndaj Bayer Leverkusenit, Hoffenheim ka ngritur shpresat e tifozëve duke u renditur aktualisht në vendin e tretë të Bundesligës, duke u afruar drejt një vendi në Ligën e Kampionëve.
Hoffenheim aktualisht mban vendin e tretë me 33 pikë në 17 xhiro, një pikë më shumë se sa morën sezonin e shkuar, kur shpëtuan në fund.
Pikat kyçe të këtij suksesi janë tre lojtarë të rinj shqiptarë nga Kosova, të cilët po luajnë rol vendimtar në ekipin gjerman.
Albian Hajdari, Leon Abdullahu dhe Fisnik Asllani, të moshës nga 21 deri në 23 vjeç, kanë qenë motorët e skuadrës që nga rikthimi i tyre në formën e lartë.
Vitin e kaluar, Hoffenheim ishte në një sezon të vështirë dhe pothuajse ra nga Bundesliga, duke e siguruar qëndrimin vetëm në fund.
Albian Hajdari, që nga zbarkimi i tij nga Lugano, ka arritur të luajë në 14 ndeshje, madje ka shënuar edhe një gol.
Leon Abdullahu, nga ana tjetër, u ble nga Basel dhe ka luajtur në 17 ndeshje, duke dhuruar një asistim, ndërsa konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë mbrojtës në Bundesliga.
Për fund, lojtari që ka çmendur të gjithë me aftësitë e tij, Fisnik Asllani, ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 4 asistime, pas kthimit nga Elversberg.
Pra, Hoffenheim, me afrimet strategjike dhe kthimin e lojtarëve të talentuar nga huazimet, ka transformuar lojën dhe ka filluar të shfaqë konsistencë të lartë.
Ky sukses ka edhe një dimension kombëtar. Kosova ka shansin të kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Botëror 2026 përmes play-offit.
Përballja e parë është kundër Sllovakisë, më 26 mars, dhe nëse kalon këtë sfidë, finalja e play-off-it do të luhet kundër Turqisë ose Rumunisë, ku Kosova do të ketë avantazh fushë.
Ky është një moment historik për futbollin kosovar, dhe tri yjet e Hoffenheimit janë bërë shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë në vend.
Ekspertët dhe tifozët vlerësojnë se forma e shkëlqyer e Hoffenheimit dhe performanca e jashtëzakonshme e kosovarëve mund të jenë vendimtare për të siguruar suksesin e dyfishtë: një vend në Ligën e Kampionëve dhe një histori të paharrueshme për Kombëtaren e Kosovës. /Telegrafi/
