Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

Mësohet plani sekret i Liverpoolit për shkarkimin e Arne Slot

1 February 2026 at 20:29


Liverpool ka kaluar lehtësisht Qarabagun me rezultat bindës 6-0 në Ligën e Kampionëve, duke siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8 së finales.

Megjithatë, ky sukses evropian ka bërë pak për të qetësuar shqetësimet në rritje rreth formës së skuadrës në kampionat dhe së ardhmes së trajnerit Arne Slot.

Liverpooli ka fituar vetëm pesë nga 18 ndeshjet e fundit në Liga Premier, një bilanc që ka rritur ndjeshëm presionin. Humbja e fundit 3-2 ndaj Bournemouth vetëm sa e ka thelluar pakënaqësinë, ndërsa tashmë ka shqetësim të hapur edhe te tifozët.

Frustrimi është grumbulluar për shkak të paraqitjeve të paqëndrueshme dhe pozitës aktuale në tabelë. Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit kanë marrë një vendim për të ardhmen e Arne Slot.

Sipas “Football Insider”, Liverpool nuk planifikon ta shkarkojë Arne Slot për momentin. Klubi synon të vazhdojë me trajnerin holandez të paktën deri në fund të sezonit, megjithëse pozita e tij nuk është aspak e sigurt.

Slot pritet të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, objektiv që brenda klubit shihet si minimumi i domosdoshëm. Dështimi për të përfunduar në top katërshe do ta ndryshonte ndjeshëm situatën.

Brenda klubit mbizotëron ndjenja se stabiliteti mbetet i rëndësishëm dhe hierarkia dëshiron t’i japë kohë trajnerit për ta përmirësuar situatën, në vend se të nxitojë drejt një tjetër ndryshimi në stol.

Megjithatë, te “The Reds” kërkohen rezultate të menjëhershme. Nëse Liverpool vazhdon të hasë vështirësi dhe nuk i arrin objektivat e vendosura, presioni do të rritet shpejt.

Në atë pikë, klubi mund të detyrohet të marrë një vendim të vështirë. Për momentin, Arne Slot mbetet në krye të skuadrës, por mesazhi nga drejtuesit është i qartë.

Nëse ai nuk arrin të sjellë rezultatet e kërkuara deri në fund të sezonit, atëherë as titulli i fituar në Liga Premier sezonin e kaluar nuk do të jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur në stolin e “Anfieldit”./Telegrafi

Hap mbrapa nga Man City, ndalet te Tottenhami

1 February 2026 at 19:29


Manchester City nuk ka fituar më shumë se një pikë në udhëtim te Tottenhami, e vlefshme për xhiron e 24-të në Ligën Premier.

Edhe pse në disavanatazh prej dy golave, Tottenhami arriti ta përmbyste për epilogun përfundimtar që doli të jetë 2-2.

Rayan Cherki me një supergol e zhbllokoi rezultatin, ku e la të shtangur portierin pas një goditje nga distanca (11’).

Cherki ishte pranë të shënonte edhe një tjetër gol të bukur, sidoqoftë Vicario me pritje fantastike ia mohoi golin.

Megjithatë, City dominoi plotësisht për ta dyfishuar epërsinë falë Antoine Semenyos pas asistimit të Bernardo Silvas (44’).

Tottenhami filloi të këndellet kur Marc Guehi shënoi një autogol pas një keqkuptimi me bashkëlojtarët (53’).

Ndërkohë, heroi i Tottenhamit rezultoi të jetë Dominik Solanke që shënoi një gol të mrekullueshëm me thembër pas asistimit të Gallagher (70’).

Kësisoj, Man City shkon në kuotën e 47 pikëve, gjashtë më pak se lideri Arsenal derisa Tottenham ngjitët në pozitën e 14-të me 29 sosh./Telegrafi

Zyrtare: Ajaxi e transferon Oleksandr Zinchenkon

1 February 2026 at 19:09


Ajax ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit të majtë të Arsenalit, Oleksandr Zinchenko, i cili ka nënshkruar një kontratë afatshkurtër me klubin nga Amsterdami.

Zinchenko, 31 vjeç, largohet nga Arsenali pas tre vjet e gjysmë, që kur u transferua nga Manchester City në vitin 2022 për 35 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi 91 paraqitje me “Topçinjtë”, duke shënuar tri gola.

Reprezentuesi i Ukrainës, i cili ka 75 ndeshje me kombëtaren, gjashtë muajt e fundit i kaloi si i huazuar te Nottingham Forest, ku regjistroi vetëm pesë paraqitje në Liga Premier.

Në Amsterdam, Zinchenko ka firmosur një kontratë gjashtëmujore, e cila do t’i mundësojë drejtorit teknik Jordi Cruyff, që nis zyrtarisht punën më 1 shkurt, të rivlerësojë kontributin e mbrojtësit dhe gjendjen financiare të klubit gjatë verës.

Ready to play for Ajax.

Welcome, Oleksandr Zinchenko! ❌❌❌ pic.twitter.com/yyk9IWNicY
— AFC Ajax (@AFCAjax) February 1, 2026

Në një njoftim zyrtar, drejtori sportiv i Ajaxit, Marijn Beuker, e mirëpriti Zinchenkon dhe vlerësoi përvojën e tij si një aset të rëndësishëm për skuadrën.

“Me Oleksandr po sjellim një lojtar me përvojë, i cili na jep menjëherë një rritje cilësore në garën për futbollin e Ligës së Kampionëve. Si mbrojtës i majtë, ai është taktikisht shumë i fortë, ofron stabilitet në mbrojtje dhe përshtatet në mënyrë perfekte me stilin tonë të lojës”, deklaroi Beuker.

“Oleksandr e ka dëshmuar në Liga Premier se, përveç cilësive mbrojtëse, mund të luajë një rol të rëndësishëm edhe në ndërtimin e lojës dhe thyerjen e linjave kundërshtare. Jemi shumë të kënaqur që ai do ta forcojë skuadrën tonë të paktën deri në verë”.

Eredivisie nuk është terren i panjohur për Zinchenkon, i cili sezonin 2016/17 e kaloi i huazuar te PSV, ku zhvilloi 17 ndeshje në të gjitha garat.

Aktualisht, Ajax renditet në vendin e katërt në Eredivisie, vetëm një pikë prapa Feyenoordit të vendit të dytë, ndërsa është 18 pikë larg liderit PSV./Telegrafi

Thun vazhdon fuqishëm drejt titullit, Valmir Matoshi shënon golin e fitores ndaj Baselit

1 February 2026 at 18:26


Thun ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Baseli, në kuadër të xhiros së 22-të në Superligën e Zvicrës.

Thun arkëtoi pikët e plota me rezultat të ngushtë 1-2, sfidë ku luajtën plot katër shqiptarë.

Bertone pas vetëm 15 minutave lojë e zhbllokoi epërsinë me një gol të bukur për të kaluar Thun në epërsi.

Megjithatë, Baseli që luajti pa Xherdan Shaqirin e suspenduar arriti ta barazojë përmes Schmid.

Sidoqoftë, ishte i inkuadruari Valmir Matoshi që e vulosi fitoren me një vollej të fuqishme pas një gabimi të mbrojtjes vendase (79’) – VIDEO.

Ndërkohë, qendërmesfushori ka të drejtë ta përfaqësojë Kosovën pasi ka luajtur vetëm për grupmoshën U21 të Zvicrës./Telegrafi

Zhurmë te Lugano: E ardhmja e Amir Shaipit në pikëpyetje

1 February 2026 at 17:30


Portieri i Luganos Amir Shaipi mund të largohet para se të mbyllet afati kalimtar dimëror, pasi ka marrë një ofertë zyrtare.

“Gardiani” e ka rifituar vendin e titullarit te Lugano, megjithatë ka refuzuar rinovimin e kontratës kësisoj pritet të bëhet me skuadër të re, qoftë tani ose në verë.

“Blick” raporton se një ofertë zyrtare tashmë ka mbërritur te klubi zviceran, megjithatë nuk është bërë me dije emri i klubit që ka shprehur interesim për portierin.

Pas një paraqitje të shkëlqyer ndaj Grasshoppers, Shaipi është pyetur nëse ishte ndeshja e fundit në fanellën e Luganos, sidoqoftë refuzoi t’i komentojë thashethemet.

“Vërtetë nuk e di, ju dini më shumë për mua. Unë luaj dhe përpiqem të jap maksimumin në fushë. Nuk di për asgjë tjetër”, deklaroi ai për “Blick”.

Ndërkohë, te Lugano trajneri Mattia Croci-Torti deklaroi se pret që Shaipi të qëndrojë deri në fundin e sezonit.

“Amiri ka qenë shumë i mirë kohët e fundit dhe është normale që ka interesim për të nga klubet e tjera. Por, është lojtar i Luganos dhe jam i kënaqur me të. Besoj se do të qëndrojë deri në fundin e sezonit”, shtoi ky i fundit.

Mbetet të shihet nëse klubi që ka shprehur interesim për Shaipin do ta kompletojë marrëveshjen me Luganon, ku kanë mbetur më pak se 48 orë para se të mbyllet afati kalimtar dimëror./Telegrafi

Edhe Flaka Loxha stoliset me të bronztën, tri medalje për Kosovën në Sofje të Bullgarisë

1 February 2026 at 17:08


Flaka Loxha ka fituar një tjetër medalje për Kosovën në European Open të xhudos, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Në kategorinë deri në 57 kilogramë, Loxha triumfoi në luftën për medaljen e bronztë ndaj francezes Maelenn Cotard.

Xhudistja kosovare siguroi fitoren me mbërthim, përkatësisht me teknikën “osaekomi”, duke konfirmuar paraqitjen e saj të mirë në këtë turne.

Flaka e mbylli garën me tri fitore dhe një disfatë, duke u ngjitur meritorisht në podium.

Me këtë sukses, Kosova ka arritur të fitojë tri medalje të bronzta në European Open në Sofje. Përveç Flaka Loxhës, medalje të bronztë siguruan edhe Erza Muminoviq dhe Fationa Kasapi, duke e bërë këtë turne mjaft të suksesshëm për xhudon kosovare.

Në të njëjtën kohë për të bronztë luftoi edhe Laurinë Gashi. Ajo megjithatë u mposht nga Sita Kadamboeva e Uzbekistanit. Kësisoj, kjo e fundit e mbylli si vend i pestë./Telegrafi

Man Utd vazhdon me rezultate pozitive, triumfon edhe ndaj Fulhamit

1 February 2026 at 17:01


Manchester United ka shënuar fitore edhe në derbin ndaj Fulhamit, në kuadër të xhiros së 24-të në Ligën Premier.

“Djajtë e Kuq” morën fitoren e tretë radhazi në kampionatin anglez, për të regjistruar triumf në shtëpi me rezultat 3-2.

Casemiro me një supergol nga distanca e kaloi Man Unitedin në epërsi pas 19 minutave lojë.

Ndërsa, ishte Mathues Cunha që mori një asistim nga Casemiro dhe me një finalizim fantastik e dyfishoi epërsinë (56’).

Fulham e gjeti rrugën drejtë rrjetës përmes Jorge Cuenca, mirëpo VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje (65’).

Mysafirët nisën këndelljen përmes Raul Jimenez që shënoi nga penalltia (85’) pas një ndërhyrje të Harry Maguire brenda zonës.

Pas kësaj, Kevin realizoi një eurogol nga distanca, për ta dërguar topin në korner të portës (90+1’).

Sidoqoftë, Unitedi vetëm tre minuta më vonë – Benjamin Sesko doli në skenë për të shënuar nga afërsia pas asistimit të Fernandes (90+4’).

Kësisoj, United rikthehet në pozitën e katërt me 41 pikë ndërsa Fulham bie në vendin e tetë me 34 sosh./Telegrafi

Fantastike: Xhudistja Erza Muminoviq e fiton të bronztën në Sofje

1 February 2026 at 16:42


Xhudistja Erza Muminoviq ka fituar medaljen e bronztë në turneun ndërkombëtar “Sofia European Open 2026”, që po mbahet në Sofje.

Në ndeshjen për medaljen e bronztë, Muminoviq triumfoi me Yuko ndaj xhudistes Ulbusin Khakimova nga Uzbekistani, duke siguruar kështu një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Garën e nisi pa luftë në xhiron e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti me Yuko francezen Anais Perrot. Në çerekfinale, xhudistja kosovare ishte bindëse duke fituar me Ippon ndaj Fotimakhon Tursunboeva nga Uzbekistani. Rrugëtimi i saj u ndal në gjysmëfinale, ku u mposht me Ippon nga Laziza Haydarova, po ashtu nga Uzbekistani.

Sukseset e Kosovës në Sofje mund të vazhdojnë edhe më tej, pasi për medalje të bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë janë ende në garë Fationa Kasapi dhe Laurinë Gashi. Ndërkohë, në kategorinë deri në 57 kilogramë, Flaka Loxha po ashtu do të luftojë për vendin e tretë.

Edhe në konkurrencën e meshkujve ka shpresa për medalje, pasi Shpati Zekaj, në kategorinë deri në 100 kilogramë, është ende në garë për ta fituar medaljen e bronztë./Telegrafi

Gjiganti italian kontakton Al Ittihadin për Karim Benzeman

1 February 2026 at 16:24


Sipas një raporti të “L’Equipe”, Juventusi ka bërë një qasje zyrtare për të nënshkruar me Karim Benzeman nga Al-Ittihad.

Sulmuesi francez e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga klubi i Ligës Profesionale Saudite para përfundimit të afatit kalimtar.

38-vjeçari refuzoi të luajë në ndeshjen e fundit të Al-Ittihad kundër Al Fateh, pasi mbeti i pakënaqur nga përpjekja më e fundit e klubit saudit për t’i zgjatur kontratën. Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth së ardhmes së tij.

Teksa kërkojnë të përforcojnë repartin ofensiv përpara mbylljes së merkatos, Juventusi ka pyetur për disponueshmërinë e ish-sulmuesit të Real Madridit.

Edhe pse disa klube saudite janë gjithashtu të interesuara për shërbimet e tij, gazetari Sacha Tavolieri raporton se prioriteti i fituesit të Topit të Artë është rikthimi në Evropë, me Francën si destinacionin e preferuar.

Negociatat mes Juventusit dhe Benzemas janë ende shumë të hershme ndërsa nuk dihet nëse “Zonja e Vjetër” do të arrijë ta mbyllë këtë marrëveshje brenda 48 orëve./Telegrafi

Ibrahima Konate mes lotësh pas golit: U ktheva ta ndihmoj Liverpoolin pavarësisht vdekjes së babait

31 January 2026 at 23:42


Mbrojtësi Ibrahima Konate ishte një ndër golashënuesit në fitoren 4-1 të Liverpoolit kundër Newcastle Unitedit.

Francezi shënoi me kokë golin e fitores, ndërsa ia dedikoi babait, që i ndërroi jetë para dy javëve, derisa assesi s’arriti t’i mbajë lotët.

Pas ndeshjes, Konate e ka pranuar se ka kaluar këto javë shumë të vështira, megjithatë gjeti forcën për t’u kthyer në fushë vetëm për ta ndihmuar skuadrën angleze.

“Jam shumë i lumtur dhe nuk di si ta përshkruaj atë që po ndiej tani. Ishte një moment shumë i vështirë për mua dhe familjen time gjatë dy javëve të fundit”.

“Por kjo është pjesë e jetës dhe është shumë e vështirë për t’u pranuar… kemi disa lojtarë të lënduar, trajneri më tha të merrja kohën time, por mendova se ishte e rëndësishme për mua të vija, sepse doja ta ndihmoja ekipin në një moment vendimtar për ne”, deklaroi ai.

Konaté scored in his first game back in the Liverpool lineup since his father passed away.

He was in tears as all his teammates celebrated with him and even Alisson ran across the pitch to join in 🥹 pic.twitter.com/dNIXUvxexf
— ESPN FC (@ESPNFC) January 31, 2026

Ndërkohë, Liverpooli mori një fitore tepër të rëndësishme për t’u ngjitur në pozitën e pestë në tabelë.

Sa i përket Konate, ende nuk dihet nëse do të rinovojë kontratën apo të largohet falas në verën e vitit 2026./Telegrafi

“Na duhet një skuadër më e madhe” – Conte ankohet për mungesën e lojtarëve te Napoli

31 January 2026 at 23:21


Napoli duhet ta forcojë dhe zgjerojë skuadrën nëse dëshiron të garojë seriozisht në disa fronte njëkohësisht, kështu vlerëson trajneri Antonio Conte.

Kampionët në fuqi të Serie A u eliminuan nga Liga e Kampionëve në mesjavë, pasi u mposhtën 3–2 në shtëpi nga Chelsea.

Skuadra e Contes reagoi shpejt në kampionat, duke mposhtur Fiorentinën 2–1 në “Diego Armando Maradona”, falë golave të Antonio Vergaras dhe Miguel Gutierrezit.

Megjithatë, fitorja u zbeh nga një lajm i keq, pasi Giovanni Di Lorenzo pësoi një lëndim serioz në gju në mes të pjesës së parë, duke shkaktuar shqetësim të madh në stafin teknik.

Conte ka vuajtur mungesën e disa lojtarëve kyç gjatë pjesës më të madhe të sezonit. Romelu Lukaku sapo është rikthyer nga lëndimi, ndërsa Kevin De Bruyne mbetet një nga emrat e mëdhenj që ende mungojnë.

Trajneri italian nuk e fshehu pakënaqësinë e tij me mënyrën se si klubi ka planifikuar ndërtimin e skuadrës, duke theksuar se numri i lojtarëve nuk është i mjaftueshëm për të përballuar një kalendar kaq të ngarkuar.

“Nuk ka shumë për të thënë, është ndeshje pas ndeshjeje, pa pushim. Jemi të detyruar të përdorim lojtarë që do të duhej të pushonin, por nuk munden, dhe kjo çon në këto situata”, tha Conte për DAZN.

“Unë vetë e kam këputur ligamentin e kryqëzuar. E di çfarë do të thotë, është një lëndim traumatik. Të gjitha këto ndeshje i shkatërrojnë lojtarët dhe po e vrasin futbollin”.

“Tani ka kufizime për numrin e lojtarëve që mund të kesh në skuadër, dhe e jona është edhe më e vogël sepse nuk kemi shumë lojtarë nga akademia, ndërsa ata që i kemi duan të huazohen për të luajtur më rregullisht”.

“Nëse duhet të luajmë 60 ndeshje në vit, na duhet një skuadër më e madhe; përndryshe, është vetëvrasje”.

I pyetur për gjendjen e Di Lorenzos, Conte u shpreh me tone të zymta.

“Ndjesia është se ka pësuar dëmtime serioze në gju dhe bëhet fjalë për ligamentin e kryqëzuar. Është shumë keq. Ju e dini mirë se çfarë do të thotë Di Lorenzo për ne”.

“Njerëzit thonë se unë ankohem, por ne nuk po ankohemi aspak, duke marrë parasysh se kjo është një seri e pafund lëndimesh. Dhe nuk janë vetëm muskulore, janë lëndime serioze”.

“Po ia dalim të mbulojmë boshllëqet sepse këta djem po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Edhe një herë, nuk kishte shumë alternativa në stol”./Telegrafi

Barcelona nuk gabon ndaj Elches

31 January 2026 at 22:58


Barcelona ka arkëtuar pikët e plota në përballjen ndaj Elche, e vlefshme për xhiron e 22-të në La Liga.

Katalunasit zhvilluan një tjetër sfidë fantastike, ku dominuan plotësisht dhe triumfuan me rezultat 1-3.

Lamine Yamal pas vetëm gjashtë minutave lojë kaloi Barcelonën në epërsi duke dribluar edhe portierin pas asistimit të Dani Olmos (6’).

Elche u këndell përmes Rodriguez nga një kundërzbritje e shpejtë (29’).

Sidoqoftë, ishte Ferran Torres që nuk dështoi në portën e zbrazur pas asistimit të De Jong për ta rikthyer epërsinë (40’).

Ndërkohë, i inkuadruari Marcus Rashford me një gol të bukur e vulosi fitoren (72’).

Barcelona me këtë fitore mbledhë 55 pikë në krye të La Liga-s, kurse Elche zë pozitën e 12-të me 24 sosh./Telegrafi

Liverpool triumfon me përmbysje ndaj Newcastle Utd

31 January 2026 at 22:57


Liverpooli ka shënuar fitore të rëndësishme në shtëpi në derbin ndaj Newcastle Utd.

Edhe pse në disavantazh prej 0-1, “Reds” e përmbysën në 4-1 për t’i marrë pikët e plota midis “Anfield”.

Newcastle kaloi në epërsi falë Anthony Gordon, i cili shënoi një gol fantastik për ta zhbllokuar rezultatin (36’).

Sidoqoftë, pesë minuta më vonë, Hugo Ekitike u asistua nga Florian Wirtz dhe shënoi nga afërsia për ta barazuar rezultatin (41’).

I njëjti dy minuta më vonë realizoi një gol të bukur për ta përmbysur epërsinë (43’).

Ndërkohë, fitoren e vulosi Wirtz me një goditje të saktë pas asistimit të Mo Salah (67’).

Krejt në fund në skenë doli edhe mbrojtësi Ibrahima Konate që shënoi me kokë për epilogun përfundimtar 4-1 (90+3').

Liverpooli me këtë fitore ngjitët në pozitën e pestë me 39 pikë ndërsa Newcastle zë vendin e 10-të me 33 sosh./Telegrafi

Yesterday — 31 January 2026Main stream

Samuel Krasniqi shënon supergol, Amir Shaipi sërish ndër më të mirët

31 January 2026 at 22:40


Portieri Amir Shaipi ka zhvilluar një tjetër paraqitje të shkëlqyer për Luganon, këtë herë në barazimin ndaj Grasshoppers.

Sfida përfundoi me rezultat 1-1, por mund të thuhet se Lugano e mori një pikë vetëm falë pritjeve të jashtëzakonshme të portierit të Kosovës.

Sidoqoftë, një tjetër futbollist me prejardhje nga Kosova la mbresa në këtë sfidë. Bëhet fjalë për mesfushorin Samuel Krasniqi, i cili edhe shënoi golin e barazimit.

Pas asistimit të Asp, Krasniqi e ruajti topin nga dy mbrojtës dhe me një goditje të fuqishme e mposhti Shaipin (85’).

Për ta parë golin: VIDEO

Ky ishte goli i parë i Krasniqit në Superligën e Zvicrës, ndërsa ka të regjistruar edhe një asistim. Kujtojmë, lojtari ka të drejtë ta përfaqësojë Kosovën, qoftë grupmoshën U21 pasi ka luajtur vetëm për Zvicrën U19./Telegrafi

Man Utd rivalizon Liverpoolin në garë për yllin e Barcelonës

31 January 2026 at 22:24


Liverpooli është në kërkim të një anësori të ri dhe po përgatitet për largimin e Mohamed Salahut. Pikërisht për këtë arsye, klubi nga “Anfield” kishte shfaqur interes për Antoine Semenyo, por reprezentuesi i Ganës vendosi të bashkohej me Manchester Cityn.

Pas këtij zhvillimi, drejtuesit e Liverpoolit kanë zhvendosur vëmendjen te një tjetër anësor, këtë herë nga Barcelona. Megjithatë, ata nuk janë të vetmit që po e ndjekin situatën e lojtarit, pasi edhe Manchester United është futur seriozisht në garë.

“Djajtë e Kuq” pritet të ndahen me Marcus Rashfordin në verë, pas periudhës së tij mbresëlënëse te “Camp Nou”, dhe kjo i ka shtyrë drejtuesit e klubit të kërkojnë një zëvendësues në krahë. Si pasojë, Manchester United është gati të rivalizojë Liverpoolin për nënshkrimin e anësorit të Barcelonës, Raphinha, përpara afatit kalimtar të verës.

Reprezentuesi brazilian u largua nga Leeds United në korrik të vitit 2022 për t’u bashkuar me Barcelonën, në një marrëveshje që kapte vlerën rreth 55 milionë funte.

Në këtë sezon, Raphinha ka regjistruar nëntë gola dhe tri asistime në 18 paraqitje në të gjitha garat. Ai ka shënuar në dy ndeshje radhazi ndaj Real Oviedos dhe FC Copenhagenit, gjë që ka ringjallur interesimin nga Liga Premier.

Sipas raportimeve të “El Nacional”, si Manchester United ashtu edhe Liverpool janë të gatshëm ta testojnë vendosmërinë e Barcelonës. Dy gjigantët anglezë thuhet se janë të përgatitur të ofrojnë rreth 95 milionë euro, afërsisht 82 milionë paund, për të arritur një marrëveshje gjatë verës.

Ndërkohë, interesim të fortë ka shfaqur edhe klubi saudit Al-Hilal. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, Raphinha e ka refuzuar kategorikisht një transferim drejt Lindjes së Mesme. Ai e ka bërë të qartë se prioriteti i tij është të qëndrojë në Evropë.

Në rast se arrihet një marrëveshje, braziliani do të përfitonte një rritje të ndjeshme të pagës, duke mundur të fitojë rreth 22 milionë euro neto në sezon./Telegrafi

“Përballemi me mbretërit”, Jose Mourinho reagon për herë të parë pas shortit të Ligës së Kampionëve

31 January 2026 at 21:47


Pasi e mposhtën Real Madridin me rezultat 4–2 dhe siguruan kualifikimin për në “playoff”-in e Ligës së Kampionëve, Benfica është shortuar sërish për t’u përballur me gjigantët spanjollë në këtë fazë të kompeticionit.

Duke reaguar ndaj shortit, ish-trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i cili aktualisht drejton Benfican, u shpreh se zgjedhjet ishin shumë të kufizuara.

“Kishim vetëm dy opsione, Real Madridin ose Interin. Nuk kishim shumë zgjedhje. Ne shortuam mbretin”.

Mourinho tregoi edhe një episod pas ndeshjes së fundit mes dy skuadrave, duke theksuar madhështinë e klubit madrilen.

“Një ditë më parë, kur një lojtar i Real Madridit më ofroi fanellën e tij pas ndeshjes, unë me shaka ua tregova lojtarëve të mi stemën që kishin në fanellë, 15 të tilla. Ata janë mbretërit. Me gjithçka që kjo nënkupton”.

“Nuk është vetëm historia. Do të luajmë kundër, ndoshta, pretendentit më të madh për ta fituar këtë kompeticion”, shtoi Mourinho.

Një eliminim ndaj Benficas në fazën “playoff” do të përbënte një dështim monumental për Real Madridin, duke pasur parasysh statusin dhe ambiciet e klubit në Ligën e Kampionëve./Telegrafi

Këndellet KB Peja, triumfon ndaj Rahovecit 029

31 January 2026 at 21:30


GO+Peja ka shënuar fitore shumë të thellë ndaj Rahoveci 029 me rezultat 92-60, në një ndeshje ku vendasit e diktuan ritmin nga fillimi deri në fund dhe e mbyllën takimin me epërsi +32.

GO+Peja e nisi ndeshjen me energji të lartë, duke marrë kontrollin e rezultatit që në minutat e para dhe duke e shtuar vazhdimisht diferencën përmes tranzicionit dhe realizimeve nga distanca. Rahoveci 029 pati vështirësi të krijojë seri pikësh dhe në shumë momente u ndal nga mbrojtja agresive e pejanëve, të cilët i shfrytëzuan gabimet për pikë të shpejta.

Në pjesën e dytë, GO+Peja e menaxhoi epërsinë me qetësi dhe e rriti edhe më shumë avantazhin, duke mos lejuar kthim në lojë. Çereku i fundit shërbeu vetëm për administrim të rezultatit, teksa GO+Peja vazhdoi të ruajë intensitetin dhe e mbylli ndeshjen bindshëm 92-60.

Te GO+Peja, më efikasi ishte O. Williams me 21 pikë dhe 7 asistime, ndërsa u mbështet fuqishëm nga M. Mala me 13 pikë dhe 5 asistime, si dhe C. Edwards me 12 pikë, 9 kërcime dhe 3 vjedhje. Kontribut të rëndësishëm dha edhe T. Green me 10 pikë, 6 kërcime dhe 3 bllokada, ndërsa nga banka u veçuan S. Llapi me 9 pikë e 8 kërcime, dhe L. Routt me 9 pikë.

Te Rahoveci 029, më i dalluari ishte A. Thomas me 17 pikë, ndërsa K. Pullian kontribuoi me 13 pikë dhe 5 asistime. Megjithatë, mysafirët patën probleme serioze në realizim, sidomos nga distanca, ku përfunduan me vetëm 6/35 për tri pikë.

Në statistikat ekipore, GO+Peja ishte dukshëm më e saktë me 52% nga loja (33/63), realizoi 10 treshe nga 21 tentime (47%), dhe dominoi në lojën brenda me 44 pikë në zonë. Rahoveci 029, në anën tjetër, realizoi vetëm 30% nga loja (22/72) dhe nuk arriti të mbajë hapin në asnjë segment të ndeshjes.

Kjo fitore e thellë i jep GO+Pejës momentum të rëndësishëm për ndeshjet e ardhshme, ndërsa Rahoveci 029 do të kërkojë reagim dhe riorganizim pas kësaj humbjeje të rëndë./Telegrafi

KB Bashkimi i “fortë” për Prishtinën

31 January 2026 at 21:06


Pas një fillimi relativisht të baraspeshuar, Bashkimi e rriti intensitetin në pjesën e dytë të çerekut të dytë dhe në vazhdimësi arriti të krijojë epërsi të qëndrueshme.

Në pushimin mes pjesëve, vendasit hynë me avantazh të qartë, ndërsa në çerekun e tretë e thelluan edhe më shumë diferencën, duke e mbyllur atë pjesë me rezultat 65-42.

Në çerekun e katërt, Bashkimi vazhdoi me lojë të organizuar në të dyja fazat e lojës, duke mos i dhënë mundësi Sigal Prishtinës të afrohet në rezultat. Diferenca maksimale arriti në +28, ndërsa ndeshja u mbyll me shifrat përfundimtare 84-63.

Te Bashkimi, më efikasi ishte S. Shorter me 24 pikë (9/14 nga loja), ndërsa I. Nwamu zhvilloi paraqitje shumë efikase me 21 pikë (9/12 nga loja). Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe L. Zeqiri me 11 pikë, D. Lake me 8 pikë dhe 7 kërcime, si dhe M. Armstead me 7 pikë dhe 3 asistime. Nga banka u veçua T. Bickerstaff me 4 pikë dhe 6 kërcime.

Te Sigal Prishtina, më të dalluarit ishin K. Dukes me 17 pikë dhe E. Clarance gjithashtu me 17 pikë dhe 5 asistime, ndërsa V. Kakruki kontribuoi me 7 pikë. Megjithatë, mysafirët patën vështirësi në realizim nga distanca, duke përfunduar ndeshjen me vetëm 4/24 për tri pikë.

Në statistikat ekipore, Bashkimi realizoi 50% nga loja (31/62) dhe përfitoi nga gabimet e kundërshtarit me 18 pikë nga topat e humbur, ndërsa dominoi edhe në pikët nga tranzicioni dhe rastet e dyta. Sigal Prishtina, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti ta mbajë ritmin ofensiv dhe mbeti prapa gjatë gjithë pjesës së dytë.

Me këtë fitore, Bashkimi e konfirmon formën e mirë para ndeshjeve të radhës, ndërsa Sigal Prishtina do të kërkojë reagim në takimet në vijim.

Bashkimi ka shënuar fitore si vendas ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 84-63, në një ndeshje ku vendasit dominuan nga çereku i parë e tutje dhe nuk e lëshuan kontrollin deri në fund./Telegrafi

Gabon Bayern Munichu, ndalet nga Hamburgu

31 January 2026 at 20:34


Bayern Munichu është ndalur në një barazim në udhëtim te Hamburgu, në kuadër të xhiros së 20-të në Bundesliga.

“Bavarezzët” edhe pse dominuan nuk arritën t’i merrnin pikët e plota, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 2-2.

Fabio Vieira u tregua i saktë nga pika e bardhë për të zhbllokuar rezultatin (34’).

Sidoqoftë, Harry Kane shënoi pas asistimit të Joshua Kimmich për ta barazuar shpejtë rezultatin (42’).

Bayerni e përmbysi epërsinë përmes Serge Gnabry, sidoqoftë goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë – Michael Olise e gjeti Luis Diaz, i cili nuk gaboi përballë portierit për ta përmbysur Hamburgun (46’).

Pas kësaj Hamburgu nisi të sulmojë më shumë dhe e gjeti golin e barazimit përmes Luka Vuskovic, i cili shënoi me kokë (53’).

Bayerni e mori krejtësisht lojën në dorë por assesi s’arriti ta thyente më mbrojtjen vendase. Kësisoj, ata shkojnë në kuotën e 51 pikëve ndërsa Hamburgu qëndron në vendin e 13-të me 19 sosh./Telegrafi

Chelsea me përmbysje fantastike triumfon ndaj West Hamit

31 January 2026 at 20:33


Chelsea me rikthim ka arritur t’i fitojë pikët e plota në përballjen londineze ndaj West Ham Unitedit.

“Blutë” ishin në disavantazh prej dy golave, por arritën ta përmbysnin në 3-2 për t’i gëzuar tifozët midis “Stamford Bridge”.

Jarrod Bowen kaloi West Hamin në epërsi pas vetëm shtatë minutave lojë për të shënuar nga afërsia.

Ndërsa, ishte Summerville që dyfishoi epërsinë pas asistimit të Wan-Bissaka (36’).

Megjithatë, në pjesën e dytë Chelsea zhvilloi krejtësisht lojë tjetër. Joao Pedro fillimisht me një goditje të fuqishme e ngushtoi epërsinë (58’).

Ndërsa, ishte Marc Cucurella që shënoi me kokë nga afërsia për ta barazuar rezultatin (70’).

Fitoren e Chelseas krejt në kohën shtesë e vulosi mesfushori Enzo Fernandez, i cili me një goditje të lehtë e la të shtangur portierin mysafir (90+2’).

Chelsea me këtë fitore ngjitët në pozitën e katërt me 40 pikë kurse West Ham qëndron në vendin e 18-të me 20 sosh./Telegrafi

❌
❌