Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është dënuar me dy ndeshje pezullim në Serie A dhe me një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.
Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Lega Serie A, e cila sqaroi se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin nga stoli në dy ndeshjet e ardhshme kampionale, ndaj Parmës dhe Sassuolos.
Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të sfidës kundër Interit, pasi vendasit fituan një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional.
Tekniku italian goditi topin nga zona teknike, veprim që solli kartonin e kuq. Para se të largohej nga fusha, ai gjithashtu hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti me tone të ashpra në drejtim të gjyqtarit të katërt.
Napoli rikthehet në aksion që nesër, në ndeshjen e riplanifikuar të javës së 16-të kundër Parmës në shtëpi, ndërsa të shtunën do të përballet me Sassuolon, po ashtu në stadiumin “Diego Armando Maradona”, pa praninë e Contes në stol.
Në të njëjtën xhiro të Serie A, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ndryshe nga Conte, ata u ndëshkuan vetëm me nga një ndeshje pezullim. /Telegrafi/
Kanë kaluar 21 vjet që kur Aurelio De Laurentiis bleu Napolin, 21 vjet të shënuara nga suksese, dështime, gëzime dhe zhgënjime. Më 6 shtator 2004, De Laurentiis bleu Napolin për rreth 31 milionë euro, duke e shpëtuar klubin nga falimentimi.
Ai mori praktikisht nga hiri një skuadër, një klub, një stadium, një tifozëri dhe një qytet të tërë, duke i rikthyer në majën e futbollit italian përmes pasionit, largpamësisë, vendosmërisë, fitimeve kapitale dhe të ardhurave milionëshe pa financime të jashtme, këmbënguljes dhe investimeve të mëdha.
Duke nisur nga Serie C1, ai arriti të fitojë shtatë trofe në krye të klubit. Në fund të vitit të parë nga dy sezonet e Luciano Spallettit, marrëdhënia e tij me tifozët dukej se kishte arritur një pikë pa kthim, për shkak të raporteve të tensionuara me qytetin dhe vendimeve të papëlqyera në merkato.
Por që nga Scudettoja e tretë e tutje, ai hyri drejtpërdrejt në “Olimp” dhe u fut përfundimisht në zemrat e popullit azzur dhe në historinë e klubit si një figurë qendrore.
Pas sukseseve të para që i dhanë qytetit shijen e fitores, si Kupa e Italisë me Walter Mazzarrin dhe Superkupa e Italisë me Rafa Benitezin, erdhën triumfet më të mëdha. Dy Scudetto në tri vitet e fundit. Fillimisht me Spallettin, më pas me Antonio Conten, ky i fundit i vulosur nga fitorja në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Bolognas.
Nga Serie C në Serie A
Në javët pas falimentimit, Aurelio De Laurentiis mori drejtimin e klubit dhe e regjistroi Napolin në kampionatin 2004-2005 të Serie C1. Në sezonin 2006-2007, me Edoardo Rejan në stol, Azzurrët u rikthyen në Serie A pas gjashtë vitesh mungesë, falë ndeshjes vendimtare ndaj Genoas në stadiumin “Ferraris”.
Më 10 qershor 2007, Napoli dhe Genoa u rikthyen së bashku në elitë. Ndeshja mes dy skuadrave përfundoi 0-0, rezultat që i dha të dyja ekipeve ngjitjen matematikore.
Ishte fillimi i një rruge të re, një rilindje e vërtetë, që pa lojtarë si Marek Hamsik dhe Ezequiel Lavezzi të shndërroheshin në heronjtë e rinj të popullit napolitan.
Konsolidimi në Serie A
Me ardhjen e Walter Mazzarrit në stol, Napoli u rikthye në nivelet më të larta. Në sezonin 2010-2011, skuadra u rikthye në Ligën e Kampionëve pas 21 vitesh mungesë, ndërsa në sezonin 2011-2012 fitoi Kupën e katërt të Italisë në historinë e klubit. Në arenën evropiane, Azzurrët dhuruan disa ndeshje spektakolare, përfshirë fitoret ndaj Manchester Cityt të Yaya Toures dhe Chelseat të Didier Drogbas në fazën me eliminim direkt.
Në sezonin 2012-2013, Napoli përfundoi i dyti në kampionat, i udhëhequr nga një Edinson Cavani i jashtëzakonshëm, golashënuesi më i mirë i Serie A atë sezon. Hamsik, Lavezzi dhe Cavani formuan treshen legjendare të quajtur “Tenorët Azzur”.
Benitez dhe Sarrismo
Sezoni pasues shënoi vazhdimin e rritjes së klubit dhe nisjen e procesit të ndërkombëtarizimit, me emërimin e Rafa Benitezit, ish-trajnerit të Liverpoolit. Fitues i Ligës së Kampionëve me “The Reds”, Benitezi i dhuroi Napolit Kupën e pestë të Italisë në sezonin 2013-2014 dhe Superkupën e dytë të Italisë.
Ai solli në Napoli lojtarë të nivelit evropian si Gonzalo Higuain, Raul Albiol dhe Jose Callejon nga Real Madridi.
Në vitin 2013, Napoli zhvilloi një fazë të shkëlqyer të grupeve në Ligën e Kampionëve, me katër fitore në gjashtë ndeshje ndaj Borussia Dortmundit dhe Arsenalit, por për shkak të renditjes së veçantë dhe barazimit me pikë me anglezët dhe gjermanët, nuk arriti të kualifikohej më tej. Një arritje që u ndje si tallje.
Së bashku me tre lojtarët nga Real Madridi, në portë erdhi Pepe Reina, ndërsa nga PSV u transferua Dries Mertens, i cili shpejt u bë idhull i tifozëve.
Kështu nisi epoka e Maurizio Sarrit, i cili shfrytëzoi maksimalisht grupin e ndërtuar nga Benitezi dhe iu afrua shumë fitimit të Scudettos në vitin 2018, duke e mbyllur kampionatin me 91 pikë, katër më pak se Juventusi i Massimiliano Allegrit.
Napoli i Sarrit, i njohur si “Sarrismo”, një term që u përfshi edhe në fjalorin Treccani, ofroi futboll spektakolar, të admiruar në mbarë botën, me lojtarë si Allan, Jorginho, Hamsik dhe Raul Albiol.
Pavarësisht nivelit të lartë të lojës, trajneri toskan e mbylli periudhën 2015-2018 pa asnjë trofe. Ai krijoi një lidhje të fortë me Gonzalo Higuainin, i cili shënoi 36 gola në Serie A në sezonin 2015-2016, rekord absolut për një sezon të vetëm.
“Qëndro edhe një vit këtu dhe do të të bëj sulmuesin më të mirë në botë”.
Premtimi u mbajt, me një fund hollywoodian dhe golin e 36-të të shënuar me roveshatë ndaj Frosinones, nën shi të rrëmbyeshëm në stadiumin e atëhershëm “San Paolo”. Në merkaton pasuese, De Laurentiis e shiti Higuainin te Juventusi i Agnellit.
Ancelotti, Gattuso dhe vitet e vështira
Pas Sarrit erdhi Carlo Ancelotti, por ai nuk arriti të përsëriste sukseset e paraardhësit. Në sezonin e parë Napoli u rendit i dyti, por sezoni i dytë ishte një dështim total, që kulmoi me shkarkimin e tij në vitin 2020. Më pas erdhi Gennaro Gattuso, nën drejtimin e të cilit Napoli fitoi Kupën e gjashtë të Italisë.
Ishte një periudhë e vështirë për klubin, ku presidenti kishte investuar shumë besim te Ancelotti, por pa rezultatet e pritura.
Spalletti dhe Conte: Rikthimi i Scudettos
Sezoni 2021-2022 shënoi ardhjen e Luciano Spallettit, një trajner me përvojë të madhe, por pa tituj në Itali. Në sezonin e parë, Napoli përfundoi i treti, duke luftuar deri në fund për Scudetto.
Në sezonin 2022-2023, pas një revolucioni të madh në merkato me largimin e Insignes, Koulibalyt, Fabian Ruizit dhe Mertensit, erdhi triumfi historik i Scudettos së tretë, 33 vjet pas suksesit me Maradonën.
Me 90 pikë, çerekfinale në Ligën e Kampionëve dhe futboll spektakolar, Napoli u rikthye në majë të Italisë me dyshen Kvaratskhelia–Osimhen.
Scudettoja e dytë nuk vonoi 33 vjet, por erdhi shpejt, në sezonin 2024-2025 me Antonio Conten në stol. Trajneri nga Lecce, fitues serial i titujve në Itali, e nxori Napolin nga rrënojat e një sezoni katastrofik dhe e çoi drejt Scudettos së katërt në histori.
Lojtarë si Romelu Lukaku, Scott McTominay dhe David Neres ishin ndër protagonistët kryesorë. Goli me roveshatë i skocezit dhe aksioni spektakolar i belgut në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit i dhanë Napolit titullin me 82 pikë, një më shumë se Interi.
Antonio Contes iu desh vetëm një vit për ta rikthyer Scudetton nën hijen e Vezuvit, duke fituar më pas edhe Superkupën e Italisë, të tretën në histori për Napolin, me David Neres dhe Rasmus Hojlund si protagonistë absolutë.
Pronari i klubit realizoi investime masive për të përmbushur kërkesat e trajnerit, duke shpenzuar rreth 350 milionë euro në dy merkato verore. Dhe pas Higuainit, De Laurentiis arriti të sillte një tjetër yll botëror në Napoli: Kevin De Bruyne.
Qëllimi i Contes është të vazhdojë fitoret në një vit të veçantë për klubin, njëqindvjetorin e themelimit në vitin 1926. Një shekull histori, në të cilin Aurelio De Laurentiis ka qenë, është dhe do të mbetet një protagonist i madh. Ndoshta më i rëndësishmi./Telegrafi
Viti 2025 nuk mund të mbyllej në një mënyrë më të mirë për Napolin dhe trajnerin Antonio Conte. Një fitore në transfertë kundër Cremoneses e mban skuadrën napolitane në garë për kreun e tabelës, pas triumfit në Superkupën e Italisë. Conte theksoi se po festojnë një vit të mrekullueshëm, ku kanë arritur diçka të jashtëzakonshme dhe të papritur, me fitoren e titullit kampion dhe kurorëzimin me…
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka ironizuar të gjithë ata që “kanë dyshuar ndonjëherë” te Antonio Conte, pas triumfit të “Napolitanëve” në Superkupën e Italisë.
Partenopejt fituan Superkupën e Italisë për herë të tretë në histori, pas edicioneve 1990-91 dhe 2014-15, ndonëse vetëm në epokën Diego Armando Maradona kanë arritur ta kombinojnë këtë trofe edhe me Scudetton.
David Neres, pasi kishte shënuar në fitoren 2-0 ndaj AC Milan në gjysmëfinale, realizoi sërish dy gola në finale ndaj Bolognas, duke u shpallur ylli i mbrëmjes.
“A kishit dyshime për Conten? Humbëm 2-0 në Bologna në Serie A, ndërsa këtu e barazuam situatën, me dallimin se, siç thotë miku im Joey Saputo, ky është një turne tjetër dhe kishte një trofe në lojë”, deklaroi De Laurentiis për “Sport Mediaset”, duke iu referuar presidentit të Bolognas.
“Më vjen keq për të, por tani është 1-1, kështu që i presim në Napoli për ndeshjen vendimtare nga tri përballje”.
Një nga përfituesit më të mëdhenj të krizës së lëndimeve në mesfushë ka qenë pikërisht Neres, i cili më parë kishte shumë pak minuta në dispozicion, por ka shpërthyer në skemën e re 3-4-2-1.
Braziliani ka shënuar tre nga katër golat e Napolit, ndërsa këtë sezon numëron gjashtë gola dhe katër asistime në 22 ndeshje.
“Fansave të Napolit mund t’u them vetëm se sezonin e kaluar kishim vetëm Serie A-në dhe Kupën e Italisë, por edhe atëherë u përballëm me shumë lëndime dhe ishim vazhdimisht në fije të perit”, theksoi De Laurentiis.
“E njëjta gjë ndodhi edhe këtë sezon, por ndryshimi është se tani kemi shumë më tepër lojtarë, sepse investuam shumë në afatin kalimtar të verës. Kështu, në fatkeqësi patëm edhe fatin e mirë që u detyruam t’i aktivizonim dhe t’i zbulonim afrimet e reja”.
“Megjithatë, duhet të qëndrojmë të qetë, sepse një pengesë është gjithmonë pas qoshes. Më 28 dhjetor kemi ndeshje tjetër në Serie A ndaj Cremoneses dhe duhet të jemi të kujdesshëm, pa u shpërqendruar”.
“Sonte u kënaqëm, sepse që nga epoka Maradona nuk kishim fituar dy trofe brenda një viti kalendarik, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fansave u them: ëndërroni pa u ndalur dhe gjithmonë ëndërroni ‘Forza Napoli!”, deklaroi ai./Telegrafi
Antonio Conte i Napolit është trajneri më i mirë i sezonit të kaluar në Serie A, pasi u zgjodh në një ceremoni të mbajtur në Milano të hënën mbrëma.
Pasi pranoi çmimin, Conte foli për kampionatin e sivjetmë në Serie A, ku zbuloi se qëllimi i napolitanëve është ta mbrojnë titullin kampion.
“Scudetto e vitit të kaluar u fitua me të vërtetë me shumë luftë. E donim me gjithë forcën tonë, duke e ditur se duhej të bënim diçka të jashtëzakonshme për të mposhtur një ekip shumë të fortë plot me kampionë si Interi”, ka thënë fillimisht Conte.
“Bëmë mirë që qëndruam në garë, pjesërisht falë angazhimit të tyre në Ligën e Kampionëve. Filluam të besonim në vetvete gjatë rrugës dhe djemtë ishin vërtet të jashtëzakonshëm në arritjen e diçkaje të veçantë".
"Sezoni 2025/26? Do të jetë një kampionat shumë konkurrues, me shumë ekipe të forta. Është e vështirë të hartosh një renditje pas 13 ndeshjesh; në fakt, të gjithë jemi aty”.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë Scudetton, por është shumë e vështirë sepse ka ekipe të mira, të pajisura mirë dhe të forta. Le të fitojë ekipi më i mirë”, përfundoi trajneri i Napolit. /Telegrafi/
Mbrëmë u mbajt ceremonia prestigjioze e Gran Gala del Calcio, ngjarja më e rëndësishme e futbollit italian që vlerëson lojtarët dhe ekipet më të mirë të sezonit 2024-25 në Serie A.
Në qendër të vëmendjes ishte formacioni i vitit, si dhe çmimet individuale që njohin arritjet më të spikatura të sezonit.
Mesfushori i Napolit, McTominay, fitoi çmimin kryesor si "Lojtari i Vitit" në Serie A, pas titujve të fituar me klubin në vitet 2023 dhe 2025.
Në Formacionin e Vitit u përfshinë disa nga emrat më të mëdhenj të kampionatit italian, duke përfshirë Scott McTominay, Lautaro Martinez dhe Tijjani Reijnders.
Napoli dhe Inter dominuan në përbërje, duke reflektuar garën e ngushtë për titull deri në fund të sezonit. Nga Inter dhe Napoli u përfshinë: Denzel Dumfries, Amir Rrahmani, Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, McTominay, Nicolò Barella dhe Lautaro Martinez.
Përveçse u përfshi në formacionin më të mirë, Amir Rrahmani spikati duke luajtur luajti një rol kyç për Napolin. Rrahmani u vlerësua për kontributin e tij në mbrojtje dhe stabilitetin që solli në linjën e pasme, duke ndihmuar skuadrën të ruante performancën e lartë që e vendosi Napolin në garë për titull.
Ndër çmimet individuale, trajneri Antonio Conte u shpall "Trajneri i Vitit", ndërsa Napoli mori titullin "Klubi i Vitit" për arritjet e jashtëzakonshme në Serie A.
Ky formacion pasqyron lojtarët më të mirë të sezonit, duke përfshirë Amir Rrahmanin, i cili është një nga figurat kyçe në mbrojtjen e Napolit dhe një nga lojtarët më të shquar nga Ballkani në Serie A këtë vit. /Telegrafi/
Trajneri Antonio Conte thotë se e ka larguar qendërmbrojtësin Amir Rrahmani sepse ka qenë i lodhur dhe nuk ka të bëjë me ndonjë lëndim.
Kishte frikë që ylli i Kosovës u lëndua ndaj Atalantas sepse pas një dueli me Zapacostan, tekniku italian e largoi menjëherë nga fusha.
Megjithatë, Conte për “Napoli Zone” ka konfirmuar se si largimi i Hojlund, ashtu edhe i Rrahmanit kanë ndodhur vetëm sepse i pa të lodhur.
“Hojlund dhe Rrahmani u zëvendësuan sepse e vërejta që ishin pak të lodhur. Preferoja të bëja ndryshime, sidomos meqenëse duhet të përfshihemi të gjithë dhe secili lojtarë duhet të ndihet i përfshirë. Pesë muaj kanë kaluar dhe na duhen të gjithë lojtarët tanë”, deklaroi ai.
Amir Rrahmani
Ky padyshim është lajm i shkëlqyer për Rrahmanin, i cili u kthye nga lëndimi që pësoi te Kosova vetëm muajin e kaluar, ndërsa ka rol të rëndësishëm në formacionin bazë të skuadrës italiane.
Kujtojmë, Rrahmani zhvilloi paraqitje solide në suksesin e Kosovës – ku u kualifikuan për herë të parë në histori në play-offin e Kampionatit Botëror 2026./Telegrafi/
Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani është detyruar të largohet nga fusha në derbin ndaj Atalantas, shkaku i lëndimit.
Qendërmbrojtësi u largua nga fusha në minutën e 64-të, pasi mori një goditje nga Zappacosta.
Sipas gazetarit italian Gianluca di Marzio, Rrahmani ka ndjerë dhimbje prandaj edhe trajneri Antonio Conte e largoi nga fusha.
“Gjatë ndeshjes me Atalantan, Rrahmani u largua shkaku i lëndimit. Mbrojtësi i Napolit pësoi një goditje, duke e detyruar trajnerin për ta zëvendësuar”, shkruan ndër të tjera ai.
Amir Rrahmani
Gjendja e Rrahmanit do të mësohet në orët e ardhshme, me shpresën që lëndimi i lojtarit të mos jetë serioz.
Kujtojmë, Rrahmani sapo ishte kthyer nga lëndimi në muajin e kaluar ndërsa zhvilloi paraqitje pozitive ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës./Telegrafi/
Disa media në Itali raportojnë se trajneri i Napolit, Antonio Conte, duhet të qartësojë situatën brenda zhveshtores pas humbjes 2-0 ndaj Bolognas të dielën e kaluar.
Sipas të përditshmes italiane Il Mattino, një pjesë e konsiderueshme e skuadrës është e pakënaqur me metodat stërvitore të Contes, dhe kjo pakënaqësi është vërejtur qartë në deklaratat dhe sjelljen e disa futbollistëve.
Së fundmi, Stanislav Lobotka dhe përfaqësuesi i tij kanë ngritur dyshime, duke lënë të kuptohet se lojtari sllovak mund të kërkojë një klub të ri në vitin 2026, edhe pse agjenti i tij më pas është përpjekur të zbusë situatën.
Ndërkohë, Noa Lang dhe Kevin De Bruyne kanë shfaqur gjithashtu shenja frustrimi ndaj Contes. Lang kishte pranuar në tetor se që nga transferimi i tij në verë, vetëm një herë kishte biseduar me Conten, ndërsa De Bruyne reagoi me zemërim kur u zëvendësua në ndeshjen kundër Milanit në fund të shtatorit.
Në atë rast, Conte reagoi publikisht duke thënë se shpresonte që belgu ishte i pakënaqur me rezultatin, e jo me vendimet e trajnerit, dhe paralajmëroi se nuk do të tolerojë asnjë ankesë të ngjashme nga asnjë lojtar i Napolit.
Sipas La Gazzetta dello Sport, edhe Lorenzo Lucca dhe Zambo Anguissa janë të pakënaqur – megjithëse për arsye të ndryshme.
Lucca është i zhgënjyer me minutazhin e ulët, pasi deri tani ka luajtur vetëm rreth 400 minuta në këtë sezon, ndërsa Anguissa pret më shumë vlerësim nga klubi, sidomos gjatë bisedimeve për zgjatjen e kontratës së tij përtej vitit 2027. /Telegrafi/
Në fund të sezonit 2024/25, Antonio Conte dhe Gian Piero Gasperini ishin dy opsionet kryesore të Juventusit për stolin, por ndërkohë që Igor Tudor është tashmë i shkarkuar nga “Zonja e Vjetër”, të dy trajnerët italianë po e udhëheqin garën në Serie A me skuadrat e tyre përkatëse.
Sipas Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Juventusit pritet të zhvillojnë sot bisedime me Luciano Spallettin, ndërsa klubi kërkon zëvendësuesin e Tudor pas rezultateve zhgënjyese.
Kroati ishte emëruar në mars 2025 në vend të Thiago Mottës dhe arriti ta kualifikojë ekipin në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, ai mbeti në post edhe për sezonin e ri, madje në qershor firmosi kontratë deri në vitin 2027.
Megjithatë, bordi kishte shqyrtuar edhe alternativa të tjera përpara rinovimit.
Juventus kërkoi Conten dhe Gasperinin
Në maj, prioriteti absolut i Juventusit ishte Antonio Conte, ish-mesfushori dhe trajneri i klubit. Drejtori sportiv i atëhershëm, Cristiano Giuntoli, kishte kontaktuar trajnerin e Napolit, por Conte vendosi të qëndrojë në “Stadio Maradona” pas fitimit të titullit kampion.
Giuntoli kishte tentuar ta sillte Conten edhe përpara se të emëronte Tudor, duke synuar një marrëveshje për sezonin 2025/26. Krahas tij, ai kishte kontaktuar edhe Gian Piero Gasperinin, i cili në atë kohë po përgatitej të largohej nga Atalanta dhe nuk kishte ende marrëveshje me Romën.
Gasperini zgjodhi Romën, jo Juventusin
Napoli arriti ta mbante Conten, ndërsa vetë Giuntoli u shkarkua nga Juventusi. Pasardhësi i tij, Damien Comolli, ndryshoi disi strategjinë e klubit.
Megjithëse Comolli mbajti kontakte me Gasperinin, trajneri tashmë ishte në negociata të avancuara me Romën. Edhe pse Giorgio Chiellini kishte sugjeruar emërimin e tij, Comolli nuk ishte plotësisht i bindur për të. Kështu, Gasperini zgjodhi të nënshkruajë me Romën.
Ironia e fatit
Sot, ndërsa Juventusi po kërkon sërish trajner të ri, Antonio Conte me Napolin dhe Gasperini me Romën ndajnë kreun e renditjes së Serie A me nga 18 pikë, ndërsa “Zonja e Vjetër” mbetet në kërkim të stabilitetit të humbur, pasi me 12 pikë mban vendin e tetë. /Telegrafi/
Pas dy rezultateve kontradiktore në Ligën e Kampionëve, fitorja 4-0 e Interit në Bruksel dhe humbja 6-2 e Napolit në Eindhoven kundër PSV-së atmosfera për Interin dhe Napoli është e përzier.
Interi vjen në ndeshjen e radhës në Diego Maradona në një formë të shkëlqyer, ndërsa Napoli, i trajnuar nga Antonio Conte, kërkon rikuperimin pas dy humbjeve radhazi.
Stafi mjekësor i Napolit ka një lajm pozitiv: Rasmus Hojlund dhe Amir Rrahmani synojnë të jenë gati për ndeshjen kundër Interit.
Danezi Hojlund po fiton vetëbesim pas paraqitjeve të fundit, ndërsa qendërmbrojtësi kosovar Rrahmani pritet të jetë i disponueshëm për ndeshjen, përveç ndonjë surprize të fundit.
McTominay gjithashtu është rikuperuar dhe ishte gatshëm për udhëtimin në Holandë, ku shënoi dy gola, ndërsa trajneri Conte po përpiqet të shmangë çdo rrezik dhe të përgatisë skuadrën sa më mirë të jetë e mundur, duke pasur parasysh serie të vështirë ndeshjesh që e presin Napoli.
Hojlund, ish-lojtari i Atalantës, ka synim të imponojë veten dhe të marrë një rol vendimtar në ndeshjen kundër Interit, duke u përpjekur të fitojë besimin e trajnerit Conte dhe të kontribuojë në luftën për Scudetto. /Telegrafi/
Napoli do të luajë të mërkurën me fillim nga ora 21:00 ndaj Sporting Lisbonës në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, po mungon te Napoli, dhe kjo është një shqetësim i madh për trajnerin Antonio Conte.
Në një paraqitje para mediave të martën, Conte theksoi rëndësinë që ka mbrojtësi kosovar për skuadrën.
“Amiri pësoi një lëndim gjatë angazhimeve me përfaqësuesen dhe, bashkë me Buongiornon, përbëjnë dy mungesa të rëndësishme në qendër të mbrojtjes”, ka deklaruar tekniku italian.
Rrahmani u dëmtua më 5 shtator, në ndeshjen që Kosova u mposht nga Zvicra me rezultat 4-0 në Basel.
Ai nuk ishte i gatshëm as për sfidën ndaj Suedisë tri ditë më vonë, dhe prej atëherë nuk ka luajtur në asnjë nga tre ndeshjet e fundit të Napolit.
Ndërkohë që ishte në stol kundër Pisas, u raportua se ai kishte pësuar një tjetër dëmtim në prag të ndeshjes me Milanin gjatë një seance stërvitore.
Gjendja e tij fizike pritet ta mbajë jashtë fushave edhe gjatë përballjeve të Kosovës në muajin tetor, ku "Dardanët" do të përballen me Slloveninë dhe Suedinë./Telegrafi/
Pavarësisht raportimeve se qendërmbrojtësi Amir Rrahmani do të jetë titullar ndaj AC Milanit, gjërat kanë ndryshuar me lojtarin e Kosovës që do t’i mungojë Napolit në derbin ndaj AC Milanit.
Rrahmani është shëruar plotësisht nga lëndimi, mirëpo kanë ndodhur “disa probleme tjera” kësisoj nuk do të jetë i pranishëm me skuadrën në udhëtimin për “San Siro”.
Trajneri Antonio Conte ka konfirmuar në konferencë për media se si Rrahmani ashtu edhe Bngiorno nuk do të jenë me skuadrën.
“Nuk ka qenë javë më fat, disa lojtarë po mungojnë (Rrahmani dhe Bongiorno) , kemi pasur edhe disa probleme tjera, por siç e dini problemet gjithnjë vijnë tërë sezonin dhe shpesh së bashku”.
“Duhet të gjejmë zgjidhje dhe të provojmë më të mirën. Kur luan me skuadra si Milan, Inter ose Juventus, gjithnjë janë sfida të mëdha. Po flasim për klube me histori, traditë dhe një rekord arritjesh”.
Amir Rrahmani
Conte ndër të tjera u pyet nëse AC Milani është favorit për titull në Itali shkaku që nuk luan në gara evropiane, por tekniku italian deklaroi se nuk ka favoritë.
“Nuk e shoh ndonjë si favorit. Milan, Inter dhe Juve janë skuadra të forta. Nëse janë favoritë ose jo, atëherë ajo shkon për mediat. Ne duhet të jemi të fokusuar”.
Mungesa e Rrahmanit padyshim do të jetë problem edhe për Kosovën, pasi lista e Franco Fodas do të bëhet publike javën e ardhshme./Telegrafi/
Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka reflektuar mbi humbjen 2-0 të skuadrës së tij ndaj Manchester Cityt në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve 2025/26.
Ekipi i Contes mbeti me dhjetë lojtarë në fillim të ndeshjes, pasi kapiteni Giovanni Di Lorenzo u përjashtua me të kuq në minutën e 21-të nga gjyqtari Felix Zëayer.
Megjithatë, trajneri italian është i bindur në suksesin e ekipit të tij këtë sezon, pasi beson se mund ta fitojnë trofeun evropian në fund.
“Është mjaft e vështirë të përballesh me Manchester Cityn 11 kundër 11, por të luash me dhjetë lojtarë pas 20 minutash është pothuajse e pamundur”, ka thënë fillimisht Conte pas ndeshjes.
“Në mbrojtje luajtëm mirë, megjithëse në situatat ku pranuam gola mund të kishim bërë shumë më mirë. Megjithatë, nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi - ata treguan karakter dhe përkushtim”.
“Nëse ndeshja do të kishte mbetur 11 kundër 11, mund të kishim parë një ndeshje krejtësisht të ndryshme. Po flasim për Manchester Cityn - një ekip fantastik. Por ne do të sjellim përsëri në Itali frymën e ekipit dhe vendosmërinë”.
“Tani duhet të rikuperohemi dhe të përqendrohemi në Serie A. Jam i bindur se jemi të aftë të kemi sukses në Ligën e Kampionëve”, përfundoi trajneri i Napolit. /Telegrafi/
Trajneri Antonio Conte thotë se Napoli duhet t’ia dalë pa shërbimet e qendërmbrojtësit Amir Rrahmani, i cili do të jetë mungesë e madhe.
Rrahmani pësoi lëndim derisa përfaqësonte Kombëtaren e Kosovës në humbjen e rëndë në Zvicër, e si pasojë do të jetë për disa javë jashtë fushës.
Lëndimin e Rrahmanit e ka komentuar edhe tekniku italian, që tha se duhet t’ia dalin pa yllin kosovar, i cili vazhdimisht ka qenë shumë i rëndësishëm te “Napolitanët”.
“Mungesë e madhe. Vitin e kaluar zhvilloi 38 ndeshje nga 38 të mundshme, një shtyllë te skuadra. Por, siç thashë, kur ka lojë çdo tre ditë në pushimet ndërkombëtare, atëherë gjasat e lëndimeve janë më të mëdha”.
Amir Rrahmani
“Për këtë arsye jemi përgatitur në afatin e verës. Beukema arriti, Marianucci gjithashtu dhe ndoshta do të luajnë titullarë nesër, na duhet t’i inkuadrojmë në ritmin e skuadrës”.
“Përpos De Bruyne, gjithnjë kam thënë se do të nënshkruajë me lojtarë për të tashmen dhe të ardhmen”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Napoli do të jetë të shtunën mysafir i Fiorentinas me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/
Anësori i Pisa Cuadrado ka zbuluar se trajneri Antonio Conte nuk donte që ai t’i bashkohej Juventusit nga Chelsea në vitin 2015 sepse trajneri italian nuk kishte raporte të mira me “Bianconerët”.
Ish anësori i skuadrave si Juve e Inter ka treguar se Conte deri vonë tentoi t’ia bllokonte kalimin.
“Conte nuk kishte raporte të mira me Juventusin, prandaj kishte disa probleme. Nuk më lejonte që të shkoja. Klubet e tjera erdhën pas meje, sidomos nga jashtë, por kur dëgjova se Juventusi më donte, i thashë agjentit se doja vetëm bardhë dhe zi”.
Cuadrado iu bashkua Juves në formë huazimi me opsion blerje, ku pastaj “Zonja e Vjetër” e bëri transferimin e përhershëm në fundin e edicionit 2015/16.
Juan Cuadrado
“U bëra tifoz i Juventusit. Nëna ime ende jeton aty, fëmijët më kanë lindur në Torino. Lucas është gjashtë, Lucia nëntë. Kalova tetë sezone mahnitës dhe fitova pesë tituj të ligës, si dhe disa kupa tjera”.
“Duke krahasuar versionin e Cuadrados te Fiorentina, isha më i kompletuar dhe mbi të gjitha më i matur. Pendimi i vetëm mbetet humbja në finalen e Ligës së Kampionëve”, nënvizoi ai për “Gazzetta dello Sport”.
Ndërkohë, Cuadrado i “prishi” raportet me tifozët e Juves kur u largua për t’iu bashkuar si agjent i lirë, rivalit Interit, vetëm disa javë pasi “Bianconerët” refuzuan t’ia rinovojnë kontratën.
Kolumbiani tani është pjesë e Pisas, skuadër që iu bashkua këtë verë./Telegrafi/
Kevin De Bruyne, maestro 34-vjeçar i mesfushës, po përqafon një sfidë të re te Napoli, duke u përshtatur me filozofinë e strukturuar dhe të bazuar në mentalitet të Antonio Contes, pas shumë viteve nën sistemin e fokusuar në posedim të topit të Pep Guardiolës.
De Bruyne theksoi kontrastin midis dy trajnerëve të njohur dhe ky ndryshim është i dukshëm .
“Pep është ndoshta pak më i përqendruar në kontrollin dhe posedimin e topit, ndërsa Conte është pak më i strukturuar në lojën e tij dhe përqendrohet shumë në mentalitet”, ka thënë fillimisht De Bruyne.
Pasi iu bashkua Napolit në verën e vitit 2025, pas një dekade të mbushur me trofe te Manchester City, De Bruyne po i afrohet rolit të tij të ri me entuziazëm rinor, duke iu përkushtuar plotësisht vizionit taktik të Contes.
“Ka disa gjëra që janë të ndryshme, por çdo trajner ka parimet dhe karakteristikat e veta”, shtoi ai, duke shfaqur inteligjencën dhe përshtatshmërinë e tij në futboll.
Kalimi nga qasja zonale e Guardiolës, e cila ishte e fokusuar kryesisht në posedim të topit, te theksi i Contes te disiplina dhe qëndrueshmëria mendore shënon një ndryshim të rëndësishëm për veteranin belg. /Telegrafi/
Sulmuesi i Lillet, Edon Zhegrova, nuk do të transferohet te kampioni i Italisë, Napoli, raportojnë burime të ndryshme përfshirë “Corriere dello Sport”.
Drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, ishte i interesuar për transferimin e Zhegrovës, por vendimi final i përket trajnerit të ri, Antonio Conte.
Sipas “Corriere dello Sport”, Conte i ka kërkuar drejtuesve të Napolit të ndalin negociatat për Zhegrovën, duke e larguar nga lista e objektivave të verës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe “arenanapoli.it”, ndërsa mediume të tjera pranë klubit kampion të Italisë raportojnë të njëjtën gjë: Conte nuk e sheh sulmuesin kosovar si pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, Zhegrova është në fazën e rikuperimit pas një lëndimi që e ka mbajtur larg fushave që nga dhjetori i kaluar.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka qenë një nga figurat më të shquara të Napolit këtë sezon, duke u bërë shtylla e mbrojtjes nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, ky skuadra fitoi titullin e kampionit në Serie A.
Në një garë të ngushtë me Interi deri në xhiron e fundit, Napoli ia doli edhe pse nuk llogaritej fare favorit në fillim të sezonit. Prishtinasi shkëlqeu në të gjitha 38 ndeshjet e Serie A, duke kontribuar jo vetëm në prapavijë, por edhe në fazën sulmuese me një gol dhe tre asistime.
Mbrojtësi i jashtëzakonshëm i Napolit, Rrahmani, në një intervistë për Telegrafin ka folur për titullin e kampionit, që është i dyti për të me këtë klub, punën me një trajner si Antonio Conte, por edhe për Kosovën, dhe ndeshjet që i zhvillon për kualifikueset për Kupën e Botës.
Fillimisht kapiteni dardan u ndal te suksesi në kampionatin italian, duke thënë se titulli në xhiron e fundit ishte emocionues dhe e bën më të veçantë.
“Sigurisht që ky është një sukses i jashtëzakonshëm që kemi arritur dhe natyrisht që jam shumë i lumtur që kam arritur dhe unë me paraqitjet që kam pasur dhe i kam ndihmuar ekipit për të arritur këtë sukses të madhë”.
“Ky sezon ka qënë tejet interesant deri në ndeshjen e fundit dhe e bënë edhe më të veçantë titullin kampion”, ka thënë Amir Rrahmani fillimisht për Telegrafin.
Nuk mund të mungonte dhe një pytje për trajnerin tashmë sërish kampion, kësaj radhe me Napolin, ku luan edhe mbrojtësi ynë, pas atyre me Juventusin dhe Interi, Antonio Conte.
Rrahmani deklaroi se Conte sjell energji të madhe, por edhe kërkon maksimumin dhe për këtë sukseset nuk mungojnë.
“Trajneri Conte solli një frymë dhe energji të re te skuadra dhe puna me të ka qenë e jashtëzakonshme. Ai është një trajner që gjithmonë kërkon maksimumin dhe besoj që një gjë e tillë ka sjellur edhe titullin kampion. Sigurisht që puna që kemi bërë këtë sezon në fund u kurorëzua edhe me titullin kampion”, deklaroi shtylla e mbrojtjes së Napolit.
Rrahmani u shpall mbrojtësi më i mirë i Serie A nga CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) para disa ditësh, ndërsa i katërti më i mirë në botë – një arritje e madhe për të.
Ai po ashtu është futbollisti i parë shqiptar në histori qe e fiton titullin e Serie A dy herë, në sezonet 2022/23 dhe 24/25, pasi Riza Lushta me Juventus (1939-40), Naim Kryeziu me Romën (1941-42) dhe Elseid Hysaj me Napolin (2022-23), e kanë fituar vetëm nga njëherë. Kjo gjë e bën krenar dhe shton se është arritje e madhe dy tituj në Serie A.
“Dy tituj kampion në Serie A me Napolin sigurisht që për mua është një arritje e madhe dhe ndihem krenarë që kam arritur të shkruaj emrin tim në historinë e klubit. Është emocion i veçantë të fitosh titullin e kampionit në Serie A, e sidomos në ndeshjën e fundit të edicionit çka e bënë më të veçantë”, deklaroi kapiteni i Kosovës.
Rrahmani, i cili do të mungojë në ndeshjet e qershorit për Kosovën, pasi përzgjedhësi Franco Foda e ka lënë të pushojë, ai mbetet i fokusuar për sfidat zyrtare që e presin në shtator.
Kosova luan në të njëjtin grup me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën, ku kapiteni e pranin që nuk është grup i lehtë, por do t’i marrin ndeshjet një nga një.
“Jemi në një grup aspak të lehtë pasi të gjitha Kombëtaret janë të forta dhe nuk ka kundërshtar të lehtë. Secila kombëtare synon të marrë maksimumin në këtë grup dhe ne do të kërkojmë ta bëjmë të njëjtën gjë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe synimi gjithmonë mbetet rezultatet pozitive,” përfundoi Rrahmani.
Rrahmani ishte në formacionin e sezonit në Serie A nga shumë mediume dhe kompani të statisikave, kur njëra ndër to me një mesatare të vlerësimit 7.27, SofaScore, e vendosi Rrahmanin në formacion, pasi ai po ashtu dëshmoi aftësitë e tij të jashtëzakonshme në duele – 4.82 duele të fituara për ndeshje (62%) dhe 3.37 duele ajrore të fituara (69.6%). /Telegrafi/
Antonio Conte ka konfirmuar qëndrimin e tij në krye të Napolit, duke sqaruar se vendimi për të vazhduar erdhi pas një reflektimi të thellë dhe një dakordësie të plotë me klubin për të ardhmen.
Pavarësisht spekulimeve të shumta gjatë javës që sugjeronin një ndarje të mundshme, gjithçka ndryshoi pas diskutimeve intensive mes palëve pas festimeve të titullit kampion.
Presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis, ka premtuar se do t’i ofrojë Contes gjithçka që ai kërkon për të ndërtuar një skuadër konkurruese, ndërsa trajneri italian thekson rëndësinë e një vizioni të përbashkët”.
“Në fund të çdo sezoni, ka një diskutim midis trajnerit dhe klubit, për të vlerësuar vitin dhe për të kuptuar nëse ata kanë të njëjtin vizion për të ardhmen, të njëjtin vizion për të arritur fitore”.
“Kemi të njëjtin vizion, sepse jemi njerëz seriozë. E diskutuam, e vlerësuam sezonin, si pozitivet ashtu edhe negativet”.
“Të festojmë Scudetton ishte e mrekullueshme dhe e pabesueshme. Ekziston dëshira për të vazhduar ndërtimin e themeleve të forta për Napolin, duke ecur në të njëjtin drejtim për t’i bërë napolitanët krenarë”, deklaroi Conte.
Kështu, Conte do të vazhdojë aventurën me Napolin, duke synuar të ndërtojë një ekip që do të jetë konkurrues në nivel të lartë edhe në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/