Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kosova dhe Shqipëria e mbyll vitin në të në ranglistën e FIFA-s në pozitat që ishin

22 December 2025 at 23:54


Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar ranglistën e fundit për vitin 2025, me pak ndryshime krahasuar me publikimin e muajit nëntor.

Kosova e përfundon vitin në pozitën e 80-të, që është renditja më e mirë në historinë e saj dhe e njëjtë me atë të muajit të kaluar. Ky pozicion vjen pas paraqitjeve të suksesshme në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ku Kosova e mbylli grupin në vendin e dytë, pas Zvicrës, duke lënë prapa Slloveninë dhe Suedinë.

Ndërkohë, Shqipëria e mbyll vitin 2025 në vendin e 63-të në ranglistën botërore.

Sa i përket kundërshtarëve të Kosovës në plejof, Sllovakia renditet e 45-ta dhe është rivali në gjysmëfinale më 26 mars në Bratisllavë. Në rast kualifikimi në finale, Kosova mund të përballet me Turqinë (25-ta) ose Rumaninë (47-ta).

Në krye të ranglistës botërore, nga viti 2026 do të jetë Spanja, e ndjekur nga Argjentina, Franca, Anglia dhe Brazili.

Për suksesin historik të Kosovës ka folur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në një videomesazh theksoi arritjen e Kombëtares së Kosovës, duke veçuar pozitën e 80-të si renditjen më të mirë ndonjëherë në historinë e saj. /Telegrafi/

“Kosova ka ec shumë përpara, Foda ka merita të mëdha” – Zejnullahu analizon 'Dardanët'

21 December 2025 at 15:26


I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte ish-futbollisti i njohur Faton Zejnullahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.

Zejnullahu ka folur me nota shumë pozitive për progresin e madh që ka shënuar futbolli i Kosovës vitet e fundit, duke theksuar se Kombëtarja tashmë është konkurruese ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht emrit apo reputacionit.

Ai theksoi se zhvillimi nuk vërehet vetëm te përfaqësuesja, por edhe te futbolli vendor, duke marrë si shembull lojtarët që kanë kaluar nëpër Superligën e Kosovës dhe sot performojnë pa vështirësi në nivele më të larta.

“Kosova ka ecur shumë, shumë përpara. Edhe jam i lumtur që kur te shoh Kosovën me cilindo shtet po është e barabartë me secilën, po Lufton me secilën”.



“Po i shoh lojtarët që kanë luajtur në ligën tonë dhe po luajnë pa asnjë problem domethënë liga jonë ka shumë cilësi, por edhe prej se ka ardhur Foda, mendoj se është rritur shumë”.

“Unë i përcjelli shumë ligën e Kosovës. Nuk pritoj, ndoshta kur luhej të premten, të shtunën, të dielën, dy ndeshje gjithmonë i kam parë plus Prishtinën tri ndeshje në javë”.

“Ka ndodhë ne kemi luajtur të premten, tani nuk e di se me kë, Foda ka qenë në stadium e ka parë ndeshjen”.

“Jam shku të shtunën për ta parë Dritën, ka qenë në stadium, prej aty të dielën kam qenë me pa Ballkanin, edhe atje ka qenë në stadium, që selektorat tjerë nuk i kam parë më përpara”, ka deklaruar Zejnullahu.

Episodin e plotë me Faton Zejnullahun mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

“Kundërshtar i pakëndshëm, por shkojmë në finale”, te Sllovakia besojnë se mund ta mposhtin Kosovën

19 December 2025 at 18:44


Kombëtarja e Sllovakisë ka besimin se do të arrijë ta eliminojë Kosovën në play-offin e marsit, për t’u kualifikuar në finale.

Ish futbollisti Pavol Farkash, tani njeriu më i afërt i përzgjedhësit Calzona ka konfirmuar se Sllovakia ka nisur punën e analizave për Kosovën, ndërsa e vlerësojnë si një kundërshtar shumë i “pakëndshëm”.

“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër. Shumicën e gjërave të rëndësishme i kemi gati. E dimë se me kë luajmë. Edhe pse nuk shihet si kombëtarja më e fortë në letër, është kundërshtare shumë e pakëndshëm”.

“Ata kanë trajner gjerman dhe ekip të organizuar mirë, me shumë individë të shkëlqyer që luajnë në top-ligat në të gjithë Evropën. Asgjë e lehtë nuk na pret. Besoj se me tifozët do t’ia dalim dhe do të shkojmë në finale”, deklaroi ai.

Si Kosova ashtu edhe Sllovakia kanë rastin e artë për Kampionatin Botëror sidomos meqenëse e zhvillojnë finalen si vendas, pra ku do të takohen me fituesin e gjysmëfinales tjetër Turqi – Rumani.

Kujtojmë, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet më 26 mars, ndërsa pesë ditë më vonë luhet finalja. Kombëtarja e kualifikuar do të jetë në grupin e Kupës së Botës me ShBA-në, Australinë dhe Paraguain./Telegrafi/

Kosova dhe Shqipëria do të fitonin minimalisht nga 8.2 milionë euro nëse arrijnë kualifikimin në Kupën e Botës

17 December 2025 at 16:58


FIFA ka njoftuar të mërkurën se fondi total i shpërblimeve për Kupën e Botës 2026 do të arrijë në 558 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me Kupën e Botës 2022 në Katar.

Kampion në fuqi i botës mbetet Argjentina, e cila tri vite më parë e fitoi trofeun pas finales dramatike ndaj Francës, të vendosur me penallti.

Çdo kombëtare që do të kualifikohet për Kupën e Botës 2026 do të përfitojë 1.28 milionë euro si mbulim për kostot e përgatitjes, para nisjes për SHBA, Kanada dhe Mekisikë.

Në total, FIFA do të shpërndajë rreth 619 milionë euro për ekipet pjesëmarrëse në turneun që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Kosova dhe Shqipëria, në muajin mars do të luajnë për mundësinë për t’u kualifikuar për Kampionatin Botërorin të vitit 2026, por edhe për milionat që mund të marrin.

Kosova luan me Sllovakinë e më pas në finale kundër Rumanisë apo Turqisë, ndërsa Shqipëria kundër Polonisë në gjysmëfinale dhe më pas fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi.

Me 1.2 milion euro për kualifikim dhe 7 milionë euro minimalisht për pjesëmarrje, për ekipet që zënë vendet nga 33 deri në 48, pra që eliminohen në fazën e grupeve, Kosova dhe Shqipëria, do të kishin minimalisht 8.2 milionë euro.

Shpërndarja e shpërblimeve (në euro)

Kampioni i botës – 42.6 milionë euro

Nënkampioni – 28 milionë euro

Vendi i tretë – 24 milionë euro

Vendi i katërt – 23 milionë euro

Vendet 5–8 – 16 milionë euro

Vendet 9–16 – 13 milionë euro

Vendet 17–32 – 9 milionë euro

Vendet 33–48 – 7 milionë euro

/Telegrafi/

“Kualifikohemi në Botëror”, Vesel Demaku me plot shpresë për Kosovën, flet edhe për lëndimin

12 December 2025 at 16:10


Kombëtarja e Kosovës ka kualitetin për t’i mposhtur të gjitha kundërshtarët e play-offit të marsit, ndërsa mund të kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Botëror, kështu ka deklaruar mesfushori Vesel Demaku në intervistë ekskluzive për Telegrafin.

Demaku fatkeqësisht ishte mungesa e madhe e Kosovës për kualifikueset e Botërorit, pasi u lëndua para ndeshjes me Zvicrën kur përfaqësonte Altach, lëndim që e la jashtë fushës për plot 98 ditë.

Për herë të parë pas lëndimit, Demaku në një intervistë për Telegrafi deklaroi se është i lumtur që është rikthyer në fushën e gjelbër.

“Po si për çdo futbollist rikthimi pas lëndimit të gjatë është plot emocion sepse ne jetojmë për futboll. Procesi i shërimit ka kaluar shumë mirë, tani që dy javë kam filluar edhe të luaj nga 20–25 min dhe ndihem shumë mirë”.

“Në momentet e para ka një frustrim por megjithatë unë jam profesionist. Pasiguria nuk ka vend tek unë. Motivi ka qenë pasioni për futbollin, familja si dhe besimi”.

“Pas çdo lëndimi si çdo sportist për momentin është më rëndësi që të kthehesh sa më shumë minutazhë në lojë e të tjerat vijnë me rend”, deklaroi fillimisht ai.

Demaku pastaj komentoi edhe ndeshjet e Kosovës, ku ndër të tjera shtoi se ndjenja më e veçantë që ka përjetuar është debutimi në fanellën “dardane”, që e kompletoi në muajin mars.

“Në mars kam debutuar për Kosovën, ishte dhe do të mbetet ndjenja më e veçantë në jetën time, edhe për shkak të familjes sepse gjyshin e kam hero të Kosovës, kurse unë mbas emrin e tij me plot krenari. Për fat të keq u lëndova por me zemër kam qenë gjithmonë pranë kombëtares. Ndeshjet ishin fenomenale”.

I pyetur nëse e ka pritur këtë sukses të lojtarëve, mesfushori nënvizoi se nuk ka mbetur i befasuar, por më shumë i ka pëlqyer fitorja në udhëtim në Suedi.

“Po kam pritur sepse e njoh grupin e lojtarëve. Padyshim kundër Suedisë në Suedi”.

Kosova në gjysmëfinalen e play-offit do të përballet me Sllovakinë, kurse në rast fitores do të luajë me gjysmëfinalistin tjetër Turqi – Rumani në Prishtinë.

Pavarësisht se sfidat do të jenë të vështira, Demaku u shpreh i sigurt se Kosova do të kualifikohet në Botëror 2026, meqenëse ka kualitetin për t’i mposhtur të gjitha kundërshtarët.

“Deri në mars ka edhe pak kohë. Për momentin mundemi të mposhtim cilindo kundërshtarë por deri atëherë lutemi që të gjithë lojtarët të jenë shëndoshë dhe të jemi në formën e duhur”.

“Tifozëve të Kosovës ju dëshiroj çdo të mirë në jetë dhe së bashku i lutemi Zotit që në mars ëndrra të bëhet realitet. Mua personalisht në mars 2024 ëndrra mu ka bë realitet. Shpresoj dhe besoj që edhe në mars 2026 të përsëritet me kualifikim në Kupën e Botës”, përfundoi ai për Telegrafi.

Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Sllovakisë zhvillohet më 26 mars, kurse nëse shkojmë në finale – në Prishtinë përballemi pesë ditë më vonë.

Përndryshe, në rast kualifikimit historik – Kosova do të jetë në të njëjtin grup me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë./Telegrafi/

Dy ndeshje në ora 6 të mëngjesit, Kosova mëson edhe orarin për Kupën e Botës në rast kualifikimi

6 December 2025 at 20:57


Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë në orët e hershme të mëngjesit (me kohën tonë lokale) ndeshjet e Kupës së Botës, gjithnjë nëse arrin të kualifikohet.

“Dardanët” fillimisht kanë dy përballje në muajin mars ndaj Sllovakisë dhe pastaj fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani, ku nevojiten dy fitore për të avancuar në eventin më të madh.

Kosova të enjten mësoi se në rast kualifikimi do të jetë në grup me Australinë, Paraguain dhe ShBA-në, kurse tani FIFA e ka bërë publike edhe orarin saktësisht.

Kosova dy ndeshjet e para pra ndaj Australisë dhe Paraguait, do të zhvillojë në ora 6 të mëngjesit (në kohën tonë lokale), kurse ndaj ShBA-së në ora 4.

Kujtojmë, përballja e parë zhvillohet në Kanadë më saktësisht në stadiumin “BC Place”, kurse dy tjerat në ShBA, pra në stadiumet “Levi’s Stadium” dhe “So-Fi Stadium”.

Sidoqoftë, fokusi fillimisht do të jetë në play-off, ku më 26 mars përballemi me Sllovakinë në Bratsillavë./Telegrafi/

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Nëse kualifikohemi, ky do të ishte shorti që do të kishim dashur

5 December 2025 at 23:27


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur pas hedhjes së shortit për Kupën e Botës.

I pari i FFK-së ka deklaruar se ky ishte një short më i veçantë se sa herët e kaluara, teksa respektoi kundërshtarët me të cilët Kosova do të përballet në rast se ia del ta sigurojë kualifikimin.

Ai gjithashtu tha se nëse Kosova arrin në fund që të kualifikohet, ky do të ishte grupi që ata kanë dashur, kryesisht për shkak të lidhjes së ngushtë që ka vendi ynë me SHBA-të.

“Një short i jashtëzakonshëm krejtësisht ndryshe nga shortet tjera, special me njerëz që tërheqën ekipet dhe shortin, tre presidentët e tri shteteve organizative është diçka e jashtëzakonshme çfarë ka ndodhur kështu që i jap komplimente FIFA-s dhe moderatorin e fillimit Gianni Infantino i cili e bëri këtë gjë mjaft atraktive”.

“Pra, tri shtete, tri kombëtare të respektueshme, ne fillimisht duhet t’i kalojmë edhe dy hapat tonë që shpresoj që do t’i kalojmë këta hapa me Sllovakinë dhe pas Sllovakisë është hapi tjetër me Turqinë ose Rumaninë”.

“Shpresoj që ne do t’i kalojmë këta hapa do të ecim drejt këtij Kampionati dhe po i kaluam këta hapa në këtë grup që jemi ndoshta do të ishte grupi që do e kishim dashtë”.

“Një arsye më shumë pse po them grupi që do kishim dashtë është për faktin që ne kemi punuar me SHBA-në të cilët realisht janë shteti që na kanë ndihmuar, na ka organizuar dhe Kosovën e ka ndihmuar në të gjitha aspektet”.

“Kështu që sigurisht shpresoj të jemi komplet të mos kemi ndonjë futbollist të lënduar dhe të shkojmë para në këtë Kampionat, i uroj ‘Dardanëve’ të gjitha të mirat e mundshme dhe shumë suksese në këtë kampionat”./Telegrafi/

“Grup ku gjithçka është e mundur”, Franco Foda komenton shortin e Kupës së Botës

5 December 2025 at 22:51


Përzgjedhësi Franco Foda thotë se Kosova do të ndodhet në një grup ku gjithçka do të ishte e mundur, në rast që siguron kualifikimin në Kupën e Botës.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin mars, por në rast që kualifikohet, atëherë do të jetë në një grup me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë.

Përzgjedhësi Foda për faqen zyrtare të FFK-së komentoi shortin e Kupës së Botës, por sërish iu kujtoi të gjithëve se synimi aktual është kualifikimi.

“Australia, Paraguai dhe ShBA, ka një grup shumë interesant këtu. Por, gjëja më e rëndësishme për ne është që të fillimisht duhet të kualifikohemi”.

“Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, një ndeshje e rëndësishme si mysafir i Sllovakisë, duhet të fitojmë. Në rast fitores atëherë do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë dhe këto janë për tani ndeshjet me të rëndësishme tona. Kjo ka prioritet”.

“Këtu ishte një ngjarje fantastike, atmosferë e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi në Botëror do të kishim një grup të balancuar ku gjithçka është e mundur. Por, siç e përmenda gjëja më e rëndësishme është të kualifikohemi për Botëror. Nëse kualifikohemi do të gëzohemi për këto ndeshje”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Kosova do të jetë mysafir i Sllovakisë më 26 mars kurse pesë ditë më vonë nëse fiton do ta presë në Prishtinë, fituesin e takimit Turqi – Rumani./Telegrafi/

Mediumi amerikan: Ideja që Kosova të kualifikohet në Kupën e Botës është shumë romantike

5 December 2025 at 22:05


Mediumi i njohur amerikan “New York Times” ka mbështetur Kosovën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja e Kosovës në rast që arrin të kualifikohet në muajin mars për Botëror, do të jetë në një grup me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë.

Pas tërheqjes së shortit, edhe mediumet amerikane kanë nisur të komentojnë kundërshtarët e ShBA-së. “Nytimes” ka mbështetur idenë që Kosova të kualifikohet.

“Sllovakia është e fortë dhe ka përformuar tepër mirë në kualifikuese, ndërsa ideja që Kosova të kualifikohet në Kupën e Botës është shumë romantike. Ata do të vuajnë ta kalojnë Sllovakinë dhe në rast që Rumania nuk shkakton ndonjë befasi ndaj Turqisë”, raporton mediumi në fjalë.

Kosova përndryshe ka mësuar edhe orarin në rast kualifikimi, ku fillimisht përballemi me Australinë në stadiumin “Vancouver” në Kanada, më 13 qershor.

Gjashtë ditë më vonë, Kosova do të përballet me Paraguain në stadiumin “Santa Clara”, kurse do ta mbyllte fazën e grupeve përballë ShBA-së në “Inglewood”./Telegrafi/

Fillimisht përballet me Australinë, Kosova mëson edhe orarin për Kupën e Botës në rast kualifikimi

5 December 2025 at 21:34


Kombëtarja e Kosovës ka mësuar edhe orarin për Kupën e Botës 2026, gjithnjë në rast kualifikimi.

“Dardanët” që fillimisht duhet të fitojnë dy përballje në muajin mars për ta siguruar një vend në Botëror, ka mësuar se mund të jetë në grupin B me Australinë, Paraguain dhe ShBA-në.

Tashmë, FIFA ka njoftuar edhe orarin e Kupës së Botës – ku Kosova fillimisht mund të përballet me Australinë në Kanada, më saktësisht në stadiumin “Vancouver”, më 13 qershor.

Gjashtë ditë më vonë, Kosova ndeshjen e dytë do ta ketë kundër Paraguait në “Santa Clara”, ndërsa grupin do ta përmbyllë me ShBA-në në “Inglewood” më 25 qershor.

🌴 From Prishtina to the Pacific, Kosovo is headed for the West Coast!

The opener will be in Vancouver of Canada, with the remaining two matches taking place in beautiful California.

An exciting summer awaits us, but all eyes are on the play-off first 👀#FIFAWorldCup pic.twitter.com/ssXyksaq6l
— Kosovo Football 🇽🇰 (@FootballKosovo) December 5, 2025

Përndryshe, Kosova fillimisht duhet të fokusohet te play-offi i muajit mars, ndaj Sllovakisë dhe në rast fitores atëherë finalen e zhvillojmë në Prishtinë me fituesin e takimit Turqi – Rumani.

Ndeshja e parë zhvillohet në Bratsilavë më 26 mars, ndërsa finalja më 31 mars 2026./Telegrafi/

Tërhiqet shorti për Kupën e Botës 2026, grupi C i “vdekjes”

5 December 2025 at 20:15


Është tërhequr shorti komplet për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në verën e ardhshme.

Kosova ka pasur fat në short, gjithnjë nëse arrin të kualifikohet – sepse ndodhet në grupin D, së bashku me ShBA-në, Paraguain dhe Australinë.

Shqipëria në anën tjetër në rast kualifikimi nuk e ka shumë të lehtë, meqenëse do të ndodhet në grupin F pranë Holandës, Japonisë dhe Tunizi.

Të gjitha grupet e Kupës së Botës:

Grupi A: Meksikë, Afrikë Jugore, Republikë e Koresë, Play-offi i Evropianit D

Grupi B: Kanadë, Play-offi i Evropianit A, Katar, Zvicër

Grupi C: Brazil, Maroku, Haiti, Skoci

Grupi D: ShBA, Paraguai, Australi, Play-off i Evropianit C (ku ndodhet Kosova)

Grupi E: Gjermani, Curaçao, Bregu i Fildishtë, Ekuador

Grupi F: Holandë, Japoni, Play-offi i Evropianit B (ku ndodhet Shqipëria), Tunizi

Grupi G: Belgjikë, Egjipt, Iran, Zelandë e Re

Grupi H: Spanjë, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai

Grupi I: Francë, Senegali, Play-offi i FIFA-s turneu 2, Norvegji

Grupi J: Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani

Grupi K: Portugali, Play-offi i FIFA-s turneu 1, Uzbekistan, Kolumbi

Grupi L: Angli, Kroaci, Gana, Panama./Telegrafi/

Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në rast kualifikimi në Kupën e Botës 2026

5 December 2025 at 20:03


Sot (e premte) në Uashington është hedhur shorti për Kupën e Botës 2026, që do të fillojë më datë 11 qershor dhe do të zgjasë deri më 19 korrik.

Pjesë e këtij shorti për herë të parë është edhe Kosova që tashmë ka mësuar kundërshtarët e mundshëm të saj në rast kualifikimi.

Kundërshtarët e mundshëm të Kosovës nëse ‘pren’ biletën për Botëror janë:

Grupi D: USA, Paraguai, Australia dhe *Kosova

Për herë të parë në histori, Botërori do të ketë 48 skuadra pjesëmarrëse (nga 32 më parë) dhe do të organizohet njëkohësisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ndeshjet që do të përcaktojnë gjashtë ekipet e fundit të kualifikuara do të zhvillohen në fund të marsit 2026.

Kujtojmë se Kosova në kuadër të ‘play-off’-it do të luajë në Bratisllavë ndaj Sllovakisë, ku do të synojë të arrijë finalen e madhe e cila do të luhej eventualisht në stadiumin “Fadil Vokrri” përballë Turqisë ose Rumanisë./Telegrafi/

“Kosova ka gjasat e saj, por duhet të luajmë dy ndeshje të forta” - Franco Foda flet nga SHBA-të para shortit

4 December 2025 at 21:27


Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zhvilluar një intervistë të gjatë të enjten për Sky Sports përpara Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Tekniku gjerman ka folur fillimisht për prezencën e tij në SHBA, duke theksuar se Kosova dhe ekipet e tjera pjesëmarrëse në play-off për kualifikim kanë ende mundësi reale për të arritur në Kampionatin Botëror.

Foda ka shtuar se pjesëmarrja në short jep një ndjesi të veçantë, sikur të ishe tashmë pjesë e turneut, por ka pranuar se Kosova ka ende rrugë për të bërë për t’u kualifikuar historikisht.

Kombëtarja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të play-offit, më 26 mars, kundër Sllovakisë në Bratislavë.

Nëse fitojnë, më 31 mars do të presin fituesin e duelit Turqi – Rumani. Një fitore edhe në atë ndeshje do t’i çonte “Dardanët” për herë të parë në Kupën e Botës.

“Kur je pjesëmarrës në një short ke ndjesinë se je në Kupën e Botës, edhe pse nuk jemi zyrtarisht ende, duhet të luajmë dy ndeshje kualifikuese, por a mund t’i fitojmë ato? Nëse kualifikohemi do të ishte e mrekullueshme”, tha Foda.

Trajneri gjerman do të jetë i pranishëm në short së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Foda ka theksuar se Kosova ka zhvilluar një kampanjë kualifikuese të mirë dhe ka përmendur rëndësinë e disa lojtarëve të rinj si Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm në ngritjen e nivelit të ekipit.

“Kemi disa prurje të reja në muajt e fundit. Nuk duhet ta harrojmë Fisnik Asllanin dhe gjithashtu Albian Hajdarin, që janë lojtarë të Hoffenheimit. Ata pa dyshim e kanë bërë ekipin tonë shumë më të mirë. Dhe, po, kemi ekuilibër të mirë ndërmjet lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kemi punuar shumë në muajt e fundit, kemi një strukturë të mirë brenda ekipit dhe do të thosha se kemi mposhtur disa shtete të mira si Suedia, Sllovenia dhe Islanda. Jemi në rrugën e duhur dhe tani na duhet të bëjmë dy hapat e fundit për t’u kualifikuar në Botëror”, shtoi Foda.

Ai shprehet i bindur se Kosova ka pjekuri dhe vetëbesim për t’u përballur me këto sfida, por me respekt ndaj rivalëve.

“Në të dyja ndeshjet mendoj se gjasat janë të barabarta, 50 me 50. Ndeshjen e parë e luajmë jashtë fushës kundër Sllovakisë, e cila fitoi në shtëpi ndaj Gjermanisë 2-0. Sigurisht që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Nëse mposhtim Sllovakinë, për fat të mirë do të kemi një ndeshje në shtëpi dhe pastaj do të përballemi ose me Turqinë ose me Rumaninë, gjithashtu jo ndeshje e lehtë. Por siç thashë, jemi në formë të mirë për momentin, kemi shumë më tepër vetëbesim dhe sigurisht që jemi të bindur se mund t’i mposhtim këto ekipe dhe të kualifikohemi për ngjarjen më të madhe të futbollit”, deklaroi timonieri i Kosovës.

Foda gjithashtu shprehu kënaqësinë për kualifikimin e Austrisë në Botëror, ekip që ai ka drejtuar me sukses nga viti 2017 deri në 2022, duke marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian 2021.

Tekniku gjerman foli edhe për favoritët për të fituar Botërorin, duke përmendur Spanjën, Argjentinën, Gjermaninë dhe Anglinë, si ekipe që luftojnë gjithmonë deri në fund. /Telegrafi/

Agim Ademi dhe Franco Foda mbërrijnë në Amerikë për shortin e Kupës së Botës 2026

4 December 2025 at 18:39


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi dhe përzgjedhësi i ‘Dardanëve’, Franco Foda, kanë mbërritur në Amerikë para hedhjes së shortit për Kupën e Botës 2026.

Shorti për Kupën e Botës 2026 do të mbahet nesër (e premte) në Uashington me fillim nga ora 18:00.

Kujtojmë se Kosova tashmë ka siguruar kualifikimin historik në ‘play-off’-in që do të zhvillohet gjatë muajit mars, ku si kundërshtar do ta ketë fillimisht Sllovakinë dhe nëse e kalon atë, fituesin e ndeshjes Turqi/Rumani në finale.

Njoftimi i plotë nga Agim Ademi:

Në Washington D.C. pranë Shtëpisë së Bardhë

Së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, realizuam këtë fotografi në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, një simbol i demokracisë dhe mbështetjes historike për popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë.

Jemi të vetëdijshëm se para nesh janë edhe dy sfida të vështira në “play-off” që ta bëjmë realitet ëndrrën e kualifikimit, por besimi dhe përkushtimi ynë janë të palëkundur.

Të bashkuar për sukses, me besim në Dardanët tanë!

Nesër mbahet shorti i Kupës së Botës 2026 – gjithçka që duhet të dini

4 December 2025 at 17:27


Shorti i Kampionatit Botëror 2026 do të zhvillohet të premten, më 5 dhjetor, në qendrën Kennedy në Uashington, duke nisur nga ora 12:00 me kohën lokale (18:00 sipas orës sonë).

Ceremonia pritet të ndjekë traditën e eventeve të mëdha të FIFA-s: fjalime zyrtare, performanca artistike dhe video simbolike që nënvizojnë misionin e futbollit për të afruar njerëzit në mbarë botën.

Për herë të parë në histori, Botërori do të ketë 48 skuadra pjesëmarrëse (nga 32 më parë) dhe do të organizohet njëkohësisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Turneu do të zgjasë pesë javë, nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026. Të 48 ekipet janë shpërndarë në katër vazo me nga 12 ekipe.

Vazoja e parë përfshin tre vendet pritëse — SHBA, Meksika dhe Kanadaja, së bashku me nëntë përfaqësueset më të mira të renditjes aktuale të FIFA-s.

Vazot e tjera janë ndarë sipas renditjes botërore, ndërsa ekipet më poshtë në renditje janë vendosur në vazon 4.

Nga shorti do të krijohen 12 grupe, secili me katër skuadra, një nga secila vazo,sipas rregullave të FIFA-s.

Format i ri i turneut lejon kualifikimin e dy ekipeve të para nga secili grup, si dhe tetë skuadrave më të mira të vendeve të treta. Kështu, 32 ekipe do të vazhdojnë në fazën eliminatore.

Në anën tjetër, FIFA ka planifikuar të shmangë përplasjet e parakohshme mes disa prej favoritëve më të mëdhenj. Çifte si Spanja-Argjentina apo Franca-Anglia do të ndahen në kahe të ndryshme të rrugës eliminatore nëse kryesojnë grupet, duke mos u ndeshur me njëra-tjetrën deri në fazat e vona.

Turneu përfshin një raund të ri të 16-shes, që do të thotë se skuadra fituese e Botërorit do të duhet të luajë tetë ndeshje, një më shumë se në formatin e mëparshëm.

Vazot për shortin e Kupës së Botës 2026

Vazo 1: Kanada, Meksikë, SHBA, Spanjë, Argjentinë, Francë, Angli, Brazil, Portugali, Holandë, Belgjikë, Gjermani.

Vazo 2: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria, Australia.

Vazo 3: Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite, Afrika e Jugut.

Vazo 4: Jordania, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti, Zelanda e Re, katër ekipe evropiane të “play-off”-it dhe dy ekipe nga “play-off”-et ndërkontinentale.

Sipas formulës së re, çdo grup do të ketë pikërisht nga një skuadër prej secilës vazo. Ndeshjet që do të përcaktojnë gjashtë ekipet e fundit të kualifikuara do të zhvillohen në fund të marsit 2026.

Në këto duele, Shqipëria do të përballet në Varshavë me Poloninë, ndërsa Kosova do të sfidojë Sllovakinë në Bratislavë, me shpresën për të siguruar një biletë për finalen e madhe, e cila do të vendos kush do të shkojë në Botëror./Telegrafi/

Ish-përzgjedhësi i Sllovenisë: Dua që Kosova të shkojë në Botëror

3 December 2025 at 17:45


Humbja që Kosova i shkaktoi Sllovenisë në Lubjanë ishte fatale për përzgjedhësin Matjaz Kek, pasi Federata e Futbollit të Sllovenisë vendos të mos e vazhdojë më bashkëpunimin me të.

Lajmi për ndarjen e palëve u bë i ditur të hënën, ndërsa tani vetë Kek, në një intervistë për mediumin e njohur kroat Sportske Novosti, ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovën.

Ai shprehu dëshirën që Kosova të jetë pjesë e Kampionatit Botëror që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Tani pasi Sllovenia nuk është në Botëror, nuk kam probleme se për kë të bëj tifo në Kampionatin Botëror. Çdo gjë është më e lehtë”.

Matjaz Kek

“Dëshiroj që edhe Bosnjë-Hercegovina të kualifikohet, edhe Kosova le të kalojë”, ka deklaruar ai.

Gazetari kroat ia kujtoi se Kosova e eliminoi Slloveninë nga gara për Botërorin dhe trajneri e pranoi faktin.

“Po, është e pakëndshme që na ka mposhtur 2-0 në Lubjanë. Para kësaj kemi luajtur në Prishtinë ndeshjen më të mirë dhe është dashur të fitojmë”.

Ndeshja e tetorit në Prishtinë kishte përfunduar pa gola, me sllovenët që kishin krijuar më shumë raste shënimi.

Në përfundim të kualifikimeve, Kosova u rendit e dyta dhe siguroi pjesëmarrjen në 'play-off-in' e marsit, ndërsa Sllovenia përfundoi në vendin e tretë.

Kek vlerësoi nivelin e Kosovës dhe mënyrën se si funksionon ekipi.

“Më ka treguar se në cilën mënyrë mund të funksionojnë vendet e vogla, me bazë më të vogël të lojtarëve por me kualitet shumë të mirë. Ka fituar shumë lojtarë që luajnë në Gjermani, Spanjë”.

“Kur i ke 7-8 të tillë, formon ekip shumë të mirë. Për mua ishte dëshpëruese, por në anën tjetër e pranoj që te Kosova ishin më të mirë”, ka thënë Kek mes tjerash.

Kujtojmë se Kosova në gjysmëfinale të ‘play-off-it’ luan me Sllovakinë në Bratisllavë dhe nëse e fiton atë ndeshje, e pret Turqinë apo Rumaninë në finale e cila vendos kush do të kualifikohet në Botëror./Telegrafi/

"Ishte nder të luaja për këtë klub" - Visar Bekaj largohet nga Hatayspor pas dy vitesh e gjysmë

1 December 2025 at 17:04


Portieri i Kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj, ka njoftuar largimin nga Hatayspor pas dy vite e gjysmë qëndrimi në klubin turk.

Përmes një postimi emocionues, ai falënderoi klubin, stafin dhe tifozët për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.

“Faleminderit Hatayspor për dy vite e gjysmë! Ishte nder të luaja për këtë klub dhe të ndaja fushën me shokë të mrekullueshëm. Falënderim i veçantë për tifozët dhe stafin teknik për përkrahjen. I uroj klubit çdo të mirë në të ardhmen”, shkroi Bekaj.


Bekaj iu bashkua Hataysporit pas paraqitjeve të shkëlqyera me Tiranën, kur në krye të klubit turk ishte trajneri Volkan Demirel, i cili ka qenë portier në të shkuarën, ndërsa e vlerësonte Bekajn tej mase.

Hatayspor ka rënë nga elita dhe duket rrugës të bie edhe nga Liga e Parë, pasi ka vetëm 4 pikë pas 15 ndeshjes, ndërsa probleme financiare janë evidente në klub.

Bekaj pritet ta vazhdojë karrierën në Turqi, ku ka oferta nga klubet elitare.

Në Kosovë, ai ka mbrojtur portën e Prishtinës dhe Ramiz Sadikut, duke u konsideruar një nga portierët më të sigurt të gjeneratës së tij.

Portieri 28-vjeçar mbetet një pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës tash e disa vite. /Telegrafi/

Historike: Për herë të parë katër lojtarë të Kosovës luajtën titullarë në Bundesliga

30 November 2025 at 18:12


Klubi gjerman Hoffenheim ka shkruar se për herë të parë në histori katër lojtarë nga Kosova luajtën në një ndeshje në Gjermani.

Treshja e Hoffenheim Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, së bashku me Elvis Rexhbecajn e Ausgburgut ishin titullarë në fundjavë në Bundesliga.

Edhe vetë skuadra gjermane ka uruar FFK-në për këtë arritje të jashtëzakonshme.

“KosoWOW. Me Fisnik Aslllanin, Leon Avdullahun, Albian Hajdarin dhe Elvis Rexhbecaj i Augsburgut, katër lojtarë kosovarë luajtën në një ndeshje për herë të parë në histori të Bundesligas”, shkroi klubi gjerman.

Hoffenheim përndryshe e fitoi përballjen me rezultat bindës 3-0, ku Hajdari e Avdullahu bënë paraqitje të shkëlqyer./Telegrafi/

“Po marrin gjithnjë e më shumë lojtarë”, Shaqiri flet për Kosovën: Dardanët në Botëror do të ishte histori e jashtëzakonshme

29 November 2025 at 22:17


Sulmuesi Xherdan Shaqiri thotë se do të ishte e shkëlqyer nëse Kosova kualifikohet në Kampionatin Botëror, ndërsa është i lumtur me përparimin që kanë bërë “Dardanët”.

Ai në një intervistë së fundmi përgëzoi përmirësimin e madh që ka bërë Kosova, ku edhe prandaj shumë lojtarë po duan ta veshin fanellën dardane.

Fillimisht, Shaqa tregoi se bisedon shpesh me presidentin e FIFA-s Gianni Infantino, si dhe që i shkroi kur mori medalje nderi në Kosovë.

“U takuam rastësisht. Po udhëtonim për në Londër dhe asistenti i tij u ulë pranë meje, pastaj nisëm të bisedonim. Rrugës për në aeroport mora një mesazh në ËhatsaApp nga Gianni (Infantino) dhe pastaj kemi folur rregullisht. Ai së fundmi mori një çmim në Kosovë dhe e urova”.

I pyetur për formatin e ri të Kupës së Botës, Shaqiri shtoi se është adekuati meqenëse edhe kombëtaret kanë më shumë gjasa. Ai përmendi që Shqipëria dhe Kosova janë ende në garë shkaku i play-offit.

“Ka kombëtare që po garojnë për herë të parë dhe mendoj se është më mirë që kombëtaret më të vogla kanë më shumë shanse kualifikimi. Mund të shihni se Shqipëria dhe Kosova mund të kualifikohen përmes play-offit”.

Në fund, i pyetur për mundësinë që Kosova të jetë në Botëror, Shaqiri me entuziazëm nënvizoi se do të ishte madhështore.

“Kosova në Botëror? Do të ishte një histori e jashtëzakonshme. Do të ishte turneu i tyre i parë. Fakti që kanë ende mundësi tregon se çfarë progresi kanë bërë. Mund të shihni se gjithnjë e më shumë lojtarë po duan të luajnë për Kosovën, prandaj po përmirësohen dhe po ia dalin nën presion. Tani janë skuadër me lojtarë në liga të mira, prandaj edhe kanë një ndihmë më të madhe”, deklaroi ai për “watson.ch”.

Në fund, ylli i Baselit shtoi se nuk po e konsideron pensionimin.

“Jo, ndihem mirë. Zgjohëm në mëngjes dhe dua të luaj çdo ditë futboll, sidomos në ndeshjet si vendas. Kjo më jep energji dhe fuqi”./Telegrafi/

“Kosova do të bëhet e rrezikshme për secilin kundërshtar botëror”, Rudi Vata komenton shanset e “Dardanëve” dhe Shqipërisë për play-offin

28 November 2025 at 16:11


Si Kosova ashtu edhe Shqipëria me pak fat mund të kualifikohen në Kupën e Botës 2026, kështu ka deklaruar për Telegrafin ish kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata.

Kosova dhe Shqipëria për herë të parë në histori luajnë në play-offin e Botërorit 2026, me “Dardanët” që takohen me Sllovakinë derisa “Kuq e Zinjtë” me Poloninë.

Vata për Telegrafin tha se gjasat më të mëdha i ka Kosova ndërsa ka shpresë që të dy kombëtareve t’iu prijë fati dhe të shkojnë në Botëror.

“Si Shqipëria ashtu edhe Kosova ndodhën në një situatë që asnjëherë nuk kanë qenë. Janë edhe dy ndeshje në play-off për të prerë biletën për në Botëror. Si Sllovakia ashtu edhe Polonia janë kundërshtarë të shkollës lindore, pak a shumë në stil të lojës të fokusuar të agresiviteti dhe loja fizike”.

“Polonia është më e avancuar sepse një komb që normalisht është në gjendje të bëjë gjëra të mëdha, komb me eksperiencë dhe kanë marrë pjesë në kompeticione të tilla dhe historikisht kanë pasur përvojë të jashtëzakonshme edhe në gjysmëfinalen e Botërorit”.

“Shanset më të mëdha i ka Kosova, është më e avancuar dhe me prioritet. Kosova në fazën ofensive është më efikase, ka shumë lojtarë që janë të orientuar mirë në portën kundërshtare dhe shënojnë gol thuajse në çdo ndeshje. Të dyja ndeshjet do të jenë të hapura dhe në një ditë të mirë për Kosovën dhe Shqipërinë mund të ndodhi mrekullia”.

Vata kërkoi nga Shqipëria që të jenë një grup i bashkuar, ndërsa këshilloi Sylvinhon që t’i analizojë polakët në secilin detaj të mundshëm.

“Sylvinho e ka një eksperiencë me polakët, ka bërë dy ndeshje ku ka marrë një fitore dhe një humbje. Sigurisht që Sylvinho duhet ta ketë një ide të qartë si ta ndërtojë strategjinë e kësaj ndeshje, çdo detaj duhet analizuar në mënyrë perfekte. Grupi është me rëndësi të jetë i bashkuar, bashkimi bën fuqinë. Si kurrë më parë të jemi të bashkuar, sepse Shqipëria dhe shqiptarët presin të jenë pjesë e Botërorit, i cili është aq pranë”.

Kapiteni legjendar gjithashtu lavdëroi punën që ka bërë Franco Foda te Kosova, ndërsa është i sigurt se “Dardanët” do të jenë kundërshtarë i fortë për secilin ekip të botës brenda pak viteve.

“Franco Foda ka bërë punë të jashtëzakonshme te Kosova. Ka implementuar një mentalitet që të lënë përshtypje sepse vetë grupi dhe futbollistët tregon që disiplina ka qenë çelësi. Të gjithë djemtë i ka pasur titullarë të padiskutueshëm, pranojnë të jenë rezervë dhe e grupit sepse e kanë kuptuar që në çdo moment mund t’i jepet mundësia për të kontribuar. Kosova është komb i talentuar historikisht evropianë dhe botëror, besoj në të ardhmen do të jetë kundërshtar i rrezikshëm për secilin nivel botëror”.

“Kosova po rritet shpejtë sepse janë më të vërtetë grup fantastik lojtarësh, që dinë të shënojnë dhe të luajnë mirë. Tregojnë që janë skuadër kompakte”.

Vata shkurtimisht komentoi edhe situatën e djalit të tij Rokos, i cili aktualisht përfaqëson Irlandën. Ai la të hapur mundësinë që ta shohim yllin e Watfordit në fanellën e Kosovës ose Shqipërisë, megjithatë nënvizoi se projekti duhet të jetë serioz për ta bindur lojtarin.

“Roko e ka bërë një progres shumë të mirë, por ka shumë gjëra që të mëson. Ka qenë mes shumë dilemave për ekipin kombëtar të cilin dëshiron ta përfaqëson. Ka luajtur një ndeshje me Irlandën, e cila normalisht ka treguar seriozitet dhe respekt. E kanë treguar në të gjitha mënyrat e mundshme në aspektin profesional. Nuk e di se çfarë mendon Roko nëse ndonjë Federatë e kontakton, gjithçka është e hapur”, përfundoi Vata për Telegrafin.

Kujtojmë, të dy përballjet gjysmëfinale të play-offit do të zhvillohen më 26 mars 2026. Në rast që kualifikohen në finale, Kosova në Prishtinë do ta priste fituesin e takimit Turqi – Rumani, ndërsa Shqipëria prapë do të luajë si mysafir, ndaj Ukrainë – Suedi./Telegrafi/

❌
❌