Një fëmijë i lindur në vitin 2013, i gjinisë mashkullore, është dërguar për ndihmë mjekësore mbrëmjen e sotme në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, si pasojë e goditjes nga një automjet.
Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është paraqitur rreth orës 19:55, ku menjëherë ka marrë trajtim dhe ekzaminim emergjent nga ekipi mjekësor, përfshirë edhe masat reanimatore.
Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat laboratorike të nevojshme. Po ashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped.
Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve, është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.
Sipas spitalit, lëndimet janë kryesisht në zonën e fytyrës dhe sinuseve, por gjendja e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut jetësor./Telegrafi/
Me vendim të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, Mujë Igrishta është emëruar në pozitën e Drejtorit të Inspekcionit Komunal.
Në një postim në Facebook, Igrishta ka theksuar përkushtimin e tij ndaj detyrës.
“Angazhohem që këtë detyrë ta ushtroj me përgjegjësi të plotë para Zotit, me integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe në shërbim të interesit publik të qytetarëve, duke garantuar paanshmëri dhe transparencë në çdo veprim”, thuhet në postimin e tij.
Ai gjithashtu shprehu falënderimin për Kryetarin e Komunës për besimin e dhënë: “Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë. Me përkushtim ndaj detyrës dhe bashkëpunim institucional, besoj se do të arrijmë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve".
Igrishta përfundoi mesazhin me një premtim simbolik për qytetarët: “Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë”. /Telegrafi/
Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, ka njoftuar sot dorëheqjen e saj nga të gjitha strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe se do të vijojë të jetë anëtare e pavarur e Asamblesë Komunale.
Në një deklaratë publike, Kumnova-Baçi shkroi: "Sot kam marrë vendimin të largohem nga partia ku kam dhënë kontributin tim politik dhe njerëzor. Në Asamblenë komunale do të jem e pavarur dhe jo pjesë e AAK-së".
Ajo theksoi përkushtimin e saj gjatë katër viteve si drejtoreshë e Arsimit.
"Jam përkushtuar që shkollat të jenë paralelisht me kushte të njëjta, kam inicuar projekte që shërbejnë të mirës së përbashkët, filluam hapat e parë për digjitalizimin dhe kam trajtuar çdo sfidë me angazhim maksimal. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur për qytetarët, nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave pa asnjë dallim", thuhet më tej në postim.
Sipas saj, arsyeja e largimit është e thjeshtë.
"Puna, përkushtimi dhe integriteti nuk vlerësohen, ndërsa shpërblehen antivlera dhe servilizmi. Nuk mund dhe nuk dua të jem pjesë e një dege politike që tashmë e ka humbur busullën morale dhe politike. Politika pa vlera është thjesht pushtet pa dinjitet, dhe unë zgjedh të mbetem në anën e parimeve", ka shkruar ajo.
Në fund, Kumnova Baçi falënderoi qytetarët dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen.
"Falenderoj familjen, bashkëpunëtorët dhe votuesit e mi, për mbështetjen e pakushtë edhe në marrjen e këtij vendimi", përfundon njoftimi i Kumnova-Baçit
Ky vendim vjen në një moment kur komuniteti lokal është duke ndjekur me interes zhvillimet politike dhe të ardhmen e udhëheqjes në Gjakovë. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë vitit të kaluar, duke realizuar gjithsej 3,279 operime, apo rreth 9 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Sipas njoftimit të spitalit, ky volum pune nënkupton një mesatare prej rreth 13 operimesh të kryera në çdo ditë pune, duke reflektuar përkushtim të lartë profesional dhe përgjegjësi maksimale ndaj pacientëve.
Nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë theksohet se këto rezultate janë dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit shëndetësor, funksionimit të qëndrueshëm të reparteve kirurgjikale dhe besimit të vazhdueshëm të qytetarëve në shërbimet shëndetësore që ofron ky institucion.
Sa i përket repartit me numrin më të madh të operimeve, kryeson Kirurgjia me 1,453 ndërhyrje, e ndjekur nga Obstetrika me 633 operime dhe Urologjia me 433 operime.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë vlerëson se këto shifra pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Pejës dhe rajonit. /Telegrafi/
Enis Osmani është emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke marrë një rol të ri udhëheqës në qeverisjen lokale. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar përgjegjësinë dhe angazhimin e tij për shërbim ndaj qytetarëve.
“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit”, ka shkruar Osmani.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, për besimin e dhënë. “Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën”, ka theksuar ai.
Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me kryetarin Peci, duke nënvizuar se ky partneritet është ndërtuar mbi korrektësi dhe sinqeritet për më shumë se një dekadë. Ai ka shprehur bindjen se “vizoni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit”.
Në mesazhin e tij, Nënkryetari i ri ka theksuar se qeverisja e mirë është një kontratë me qytetarët. “Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka shtuar se çdo veprim i tij do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje në dobi të qytetarëve, duke falënderuar njëkohësisht për mbështetjen dhe besimin e treguar. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka emëruar sot drejtorët e rinj të drejtorive komunale, duke kompletuar ekipin ekzekutiv që do të udhëheqë institucionin gjatë këtij mandati qeverisës.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, me këto emërime synohet forcimi i strukturës udhëheqëse dhe rritja e efikasitetit në qeverisjen lokale, me fokus të veçantë interesin publik dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit për media pjesë e ekzekutivit do të jenë edhe antarë të LDK-së e PDK-së.
Në përbërjen e re të ekzekutivit komunal janë emëruar:
Flamur Fetahaj, Nënkryetar i Komunës
Durim Halilaj, Drejtor për Buxhet dhe Financa
Shkumbin Kastrati, Drejtor për Infrastrukturë
Adea Roka, Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport
Ferdinand Kolaj, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik
Gjevalin Nikollbibaj, Drejtor për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit
Haxhi Sejdiu, Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim
Hysen Brahimaj, Drejtor i Arsimit
Ervin Shabani, Drejtor i Inspektoratit
Gani Hajdari, Drejtor i Bujqësisë
Lediana Bardhi, Drejtoreshë për Gjeodezi dhe Kadastër
Lulzim Goqi, Drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Jon Bytyqi, Drejtor i Shërbimeve Publike
Zeqë Tahiraj, Drejtor i Administratës
Nga Komuna e Gjakovës theksohet se kjo përbërje synon një qeverisje funksionale dhe profesionale, e cila do të vendosë interesin e qytetarëve në qendër të çdo vendimmarrjeje dhe do të punojë për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kryejnë me kohë pagesat obligative për ujin e shpenzuar, duke paralajmëruar masa ligjore ndaj debitorëve.
Sipas njoftimit të Departamentit Komercial, kompania vazhdon në mënyrë të pandërprerë përgatitjen dhe dërgimin e lëndëve tek përmbaruesit, si dhe çkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët që kanë borxhe të papaguara.
Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se qytetarët ftohen t’i kryejnë pagesat për të shmangur grumbullimin e borxhit, ndërsa theksohet se ekziston edhe mundësia e riprogramimit të borxhit me pagesa këstesh deri në 36 muaj.
Për informata shtesë dhe shërbime lidhur me pagesat, konsumatorët mund t’i drejtohen zyrave për Shërbime me Konsumatorë në Gjakovë, në rrugën “UÇK-së” nr. 7, në Rahovec në rrugën “Sheh Myhedini”, si dhe në Prizren në rrugën “Wesley Clark”.
Kompania u bën apel qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të obligimeve financiare, me qëllim të garantimit të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm. /Telegrafi/
Komuna e Kamenicës ka njoftuar opinionin publik për ndërmarrjen e masave emergjente për rihapjen e kanalit të ujërave atmosferikë dhe rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme në fshatin Koretin, konkretisht në anën perëndimore të rrugës “Rafet Isufi”.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, vendimi është marrë në bazë të raporteve teknike të komisioneve vlerësuese komunale dhe planeve për parandalimin e vërshimeve, pas analizës së dëmeve të përsëritura të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet.
Komuna ka konstatuar se mbyllja e kanalit ka penguar rrjedhën natyrore të ujërave, duke rrezikuar drejtpërdrejt infrastrukturën rrugore dhe sigurinë në komunikacion. Po ashtu, ndërhyrjet e paautorizuara mbi kanalin atmosferik kanë cenuar kushtet e banimit dhe sigurinë e pronës për shumë familje të zonës.
Në këtë kuadër, Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të parcelave përgjatë rrugës “Rafet Isufi” (ana perëndimore) që të lirojnë hapësirën e kanalit, duke larguar çdo investim, rrethojë, objekt montues apo material tjetër që pengon funksionimin e tij. Afati për përfundimin e këtij procesi është caktuar deri më 31 mars 2026.
Nga Komuna bëhet e ditur se, pas kalimit të këtij afati, drejtoritë përkatëse do të fillojnë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, ndërsa të gjitha shpenzimet për largimin e pengesave do të bien në barrë të palëve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoritetet komunale theksojnë se ky projekt është në interes të përgjithshëm të komunitetit dhe synon mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve, duke apeluar për bashkëpunim nga të gjithë banorët e zonës. /Telegrafi/
Situata me mbeturina në Komunën e Prishtinës po vazhdon të jetë e rëndë, pasi edhe në vitin e kaluar kishte probleme me grumbullimin e tyre.
Madje, kishte edhe dilema për qytetarët se a duhet paguar mbeturinat Kompanisë “Pastrimi” apo komunës.
Por, në marrëveshjen e arritur mes kompanisë dhe komunës, u mor vendim që qytetarët të paguanin faturat tek këta të fundit, raporton Telegrafi.
Mirëpo, edhe pas kësaj situate ka ankesa nga qytetarët që mbeturinat ka me javë që nuk mblidhen nga Kompania e Pastrimit, duke bërë që ato të kundërmojnë rëndë.
Grumbulli i tyre në masë të madhe nëpër lagje të ndryshe të kryeqytetit, ka shkaktuar edhe rrezik nga qentë endacak që në këtë kohë ngricash, është piketim i tyre për të gjetur ushqim.
Një zonë e rënduar mbetet edhe pjesa tek Muzeu i Kosovës, ku mbeturinat janë grumbulluar tash e disa ditë dhe vazhdojnë të sjellin probleme për qytetarët. /Telegrafi/
Shfaqja teatrore “Hotel Grand”, me autorë dhe interpretë Rebeka Qena dhe Armend Smajli, e realizuar në Barabar Center në Prishtinë, është përzgjedhur nga platforma rajonale SEEstage si një nga shfaqjet më të mira teatrore të vitit 2025 në Evropën Juglindore.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), shfaqja është vlerësuar për qasjen artistike dhe fuqinë e saj emocionale, si dhe për trajtimin e thellë të marrëdhënieve njerëzore në kontekstin e luftës dhe kujtesës kolektive.
Ky vlerësim e rendit “Hotel Grand” si një përfaqësuese të denjë të krijimtarisë bashkëkohore teatrore nga Kosova në skenën ndërkombëtare.
SEEstage, e njohur si platformë rajonale për kritikë teatrore dhe gazetari kulturore, ka theksuar cilësinë artistike, guximin krijues dhe potencialin ndërkombëtar të kësaj vepre, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të spikatura teatrore të vitit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka mbështetur realizimin e shfaqjes, ka uruar ekipin krijues për këtë sukses, duke ritheksuar përkushtimin institucional për mbështetjen e artit dhe kulturës që promovojnë Kosovën përtej kufijve të saj. /Telegrafi/
Vërshimet që ndodhën në fillim të vitit 2026 kanë shkatërruar shumë ekonomi familjare, përfshirë edhe kampin tek Ura e Fshajtë ne Gjakovë.
Në reportazhin më poshtë, Bedriu na tregoi se si vërshimet e kanë goditur një vend që e kishin ndërtuar me shumë përkushtim, derisa u bëhet thirrje institucioneve qendrore dhe lokale që ta ndihmojnë për ta rikthyer sërish kampin në një oazë që promovon Kosovën. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka marrë sot vendim për rrënimin dhe lirimin e hapësirës publike në zonën e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë.
Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky vendim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të kryetarit Peci për mbrojtjen e interesit publik dhe zbatimin e ligjit.
Me këtë rast, ai ka theksuar se institucionet komunale do të vazhdojnë me veprime konkrete për rikthimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve.
“Aksione të tilla do të vazhdojnë deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave publike të uzurpuara”, është shprehur kryetari Peci.
Po ashtu, kryetari i Komunës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shfrytëzojnë në mënyrë të kundërligjshme hapësirat publike, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Çdo shfrytëzim i paligjshëm i hapësirave publike do të trajtohet sipas ligjit”, ka theksuar ai.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me masa dhe aksione të ngjashme edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim të ruajtjes së rendit urban dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve. /Telegrafi/
Komuna e Malishevës ka njoftuar se është shtyrë afati për paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e javës së kaluar.
Sipas njoftimit të Sektorit për Emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, personat juridikë dhe fizikë do të kenë mundësi që kërkesat e tyre t’i paraqesin deri më 21 janar 2026 (e mërkurë).
“Vendimi për shtyrjen e afatit është marrë për shkak të numrit të madh të kërkesave të pranuara, si dhe për faktin se një pjesë e qytetarëve, për arsye objektive, nuk kanë mundur ende t’i paraqesin kërkesat e tyre brenda afatit fillestar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Nga Komuna bëhet e ditur se me qëllim të përfshirjes së të gjithë qytetarëve të dëmtuar nga vërshimet, afati fillestar, i cili ishte paraparë deri më 16 janar, është shtyrë edhe për disa ditë.
Po ashtu, autoritetet komunale sqarojnë se kërkesat për vlerësim të dëmeve duhet obligativisht të shoqërohen me dokumentacionin përcjellës, përfshirë kopjen e letërnjoftimit dhe numrin e llogarisë bankare.
Komuna e Malishevës ka apeluar tek të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet që ende nuk i kanë paraqitur kërkesat e tyre, ta bëjnë këtë brenda afatit të ri të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe verifikimi i dëmeve nga komisionet përkatëse. /Telegrafi/
Zyrtarët e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), në bashkëpunim me përfaqësuesit e kompanisë “Studio Pietrangeli”, kanë zhvilluar vizita monitoruese në terren në digën e Përlepnicës dhe digën e Badovcit.
Sipas njoftimit të ARPL-së, këto vizita janë realizuar në kuadër të projektit “Asistencë Teknike për Vlerësimin dhe Menaxhimin e Sigurisë së Digave”, i cili ka për qëllim vlerësimin e gjendjes aktuale të digave, rritjen e nivelit të sigurisë së tyre, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e qëndrueshëm të infrastrukturës ujore.
Gjatë vizitave në terren, ekipet profesionale kanë shqyrtuar aspektet teknike dhe operative të digave, me fokus të veçantë në identifikimin e nevojave për përmirësime dhe masa parandaluese në funksion të sigurisë afatgjatë.
Nga ARPL është theksuar se institucioni mbetet i përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm dhe menaxhimin e sigurt të digave, me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit. /Telegrafi/
Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se afati për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet është i hapur deri më 23 janar 2026, në ora 16:00.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që brenda këtij afati të paraqesin dëmet e shkaktuara, në mënyrë që ato të përfshihen në procesin e verifikimit nga komisioni përgjegjës i Komunës.
Nga Komuna e Obiliqit bëhet e ditur se komisioni i caktuar po vazhdon punën në terren për verifikimin e dëmeve, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente për të gjithë qytetarët e prekur.
Komuna ka apeluar te qytetarët që ende nuk i kanë paraqitur dëmet, që ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mos mbesin jashtë procesit të vlerësimit dhe verifikimit. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës po vazhdojnë angazhimet e shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, pavarësisht fokusit të deritanishëm në zbatimin e planit operativ “Sezoni Dimëror”.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor, në periudhën nga 1 janari deri më 14 janar 2026, ka vepruar në kushte të vështira atmosferike, duke u angazhuar në rregullimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, veçanërisht në zonat ku qarkullimi ka qenë i vështirësuar. Këto aktivitete janë realizuar në koordinim me zyrtarët e ministrisë përkatëse dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve.
Paralelisht me menaxhimin e situatës në terren, Policia ka theksuar se është punuar edhe në rritjen e nivelit të sigurisë në trafik. Vetëm gjatë dy javëve të para të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar gjithsej 1.883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Sipas statistikave të Policisë, përveç tejkalimit të shpejtësisë, sidomos në kushtet e dimrit, një sfidë e vazhdueshme mbetet edhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 353 automjete të paregjistruara, të cilat përbëjnë rrezik serioz për sigurinë rrugore, pasi qarkullojnë pa kontrollim teknik.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut, duke paralajmëruar se Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor – Prishtinë do të vazhdojë aktivitetet policore me qëllim të mbarëvajtjes dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/
Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.
Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.
Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton Top Channel
Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.
Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.
Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.
Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.
Vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për miratimin e Listës së Pronave Publike për dhënie në shfrytëzim për vitin 2026, është konstatuar i paligjshëm nga Minsitria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Më 30.12.2025, Asambleja e Kryeqytetit, ka miratuar listën e veçantë të pronave të paluajtshme të komunës, të cilat planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2026.
KALLXO.com, ka sigurar vendimin e MAPL-së në të cilin thuhet se Ministria më 31.12.2025 kishte pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë vedimin për miratimin paraprak të pronave të paluajtshme të komunës.
Ndërkaq, të entjen, më 15.01.2026, MAPL ka vlerësuar se ky akt nuk është në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.
“Minsitria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të Komunës, vlerëson se akti i Komunës, nuk është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”- thuhet në vendimin e nxjerrë nga Ministria.
Sipas vendimit, në bazë të Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, Komuna e Prishtinës duhet ta publikoj listën e përgjithshme të pronave të paluajshtme, si dhe listën e veçantë të pronave që planifikohen për dhënie në shfrytëzim për vitin vijues deri më 31 dhjetor, duke e arsytuar interesin publik dhe zhvillimin ekonomik të komunës.
Po ashtu, sipas MAPL-së, lista e pronave të paluajtshme për dhënie në shtrytëzim duhet të përmbajë të dhënat kadastrale të pronës, qëllimin, destinimin, datën e publikimit të njoftimit dhe përiudhën kohore për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme.
“Andaj, bazuar në të lartcekurat, Kuvendi i Komunës së Prishtinës duhet të ndërmerr veprime dhe brenda afatit ligjor prej 30-të ditësh, të shqyrtoj dhe harmonizoj aktin me legjislacionin në fuqi”- theksohet tutje në përfundim të vendimit.
Në lidhje me këtë vendim, Kallxo.com ka adresuar pyetje edhe në Komunën e Prishtinës dhe është në pritje të përgjigjeve.
Votimi i këtij vendimi, në Asamblenë e Prishtinës u shoqërua me diskutime e përplasje lidhur me qartësinë e dokumentacionit dhe transparencën e qeverisjes komunale rreth përgatitjes së listës së veçantë të pronave të paluajtshme.
Nora Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se lista e dorëzuar nga ekzekutivi nuk përmbush të gjitha kërkesat ligjore.
“Në dokumentacionin e dërguar mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës. Ne kemi vetëm një listë të veçantë, e cila në vetvete është e mangët. Sipas ligjit, Komuna është e obliguar të publikojë të dy listat”- tha Kelmendi.
Asamblisti tjetër nga kjo parti, Egzon Azemi shtoi kritika për ndikimin e grupeve të interesit.
“Grupet e interesit na e kanë marrë kryetarin në shtrytëzim, e po e marrin edhe cilëndo pronë në shtrytëzim. Kryetar, dëshmoje që nuk të kanë marrë në shfrytëzim këto grupe të interesit dhe që në vendimet që merren, nuk je vegël e tyre”- deklaroi Azemi.
Ndërsa, Besa Shahini nga PSD theksoi se mungesa e një regjistri të përgjithshëm e vështirëson monitorimin e pronave dhe inkasimin e të hyrave.
Sipas saj, ka keqmenaxhim të përmasave të mëdha të pronës publike në Kryeqytet dhe se dëmi që i është shkaktuar komunës është mbi 200 mijë euro. Ndërkaq, Drejtori i Pronës, Brahim Mehmetaj, tha se procesi është kryer sipas ligjit.
Lista e veçantë pronave publike të komunës në LINK.
Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave, KRM Çabrati, ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë e thellë për veprimin e papranueshëm të një punëtori, i cili, me vetëdije, ka hedhur mbeturina në lumë, duke rrezikuar ekosistemin dhe shëndetin publik.
Në një reagim zyrtar, kompania thekson se ky veprim përbën “shkelje të rëndë të rregullave të punës, standardeve etike dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit” dhe cenon imazhin e institucionit.
“Hedhja e mbeturinave në lumë dëmton ekosistemin, rrezikon shëndetin publik dhe cenon imazhin e institucionit ndërmarrjes sonë. Sjellje të tilla janë në kundërshtim të plotë me parimet tona për mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në reagim.
KRM Çabrati ka njoftuar se ndaj punëtorit do të ndërmerren “masat përkatëse disiplinore, në përputhje me rregulloren e brendshme dhe legjislacionin në fuqi”.
Njëkohësisht, kompania ka paralajmëruar forcimin e kontrollit dhe ndërgjegjësimin e stafit për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.
“Ftojmë të gjithë punonjësit dhe qytetarët që të sillen me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës, sepse ruajtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim.
Kompania ka siguruar se do të vazhdojë të zbatojë praktika të qëndrueshme mjedisore dhe të veprojë kundër çdo sjelljeje që cenon ambientin dhe interesin publik. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka marrë sot vendim për emërimin e drejtorëve të rinj të drejtorive komunale, si dhe për emërimin e kabinetit të ri komunal, me qëllim të përforcimit të strukturës udhëheqëse të administratës dhe sigurimit të një menaxhimi profesional në shërbim të qytetarëve.
Sipas vendimit të kryetarit, emërimet në drejtoritë komunale janë si më poshtë: Ajkuna Maliqi-Gjonaj është emëruar drejtoreshë e Drejtorisë së Administratës, Shkelzen Hajdini drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Rasim Hasani drejtor i Drejtorisë për Arsim, Burim Rrustemi drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Latif Ramadani drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Pacolli drejtor i Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim, Imri Semetishti drejtor i Drejtorisë për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Mjedisit, Safete Amerllahu drejtoreshë e Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, Ardian Olluri drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë, Flamur Sylejmani drejtor i Drejtorisë për Inspektorate, Rexhep Rexhepi drejtor i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Sead Aliu drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa Bekim Shabani është emëruar drejtor i Drejtorisë për Prokurim.
Po ashtu, Avni Jashari është emëruar shef i Kabinetit të Kryetarit, ndërsa Besarta Qadraku zëdhënëse e Komunës së Lipjanit.
Kryetari Ahmeti ka theksuar se këto emërime pasqyrojnë përkushtimin e tij për ndërtimin e një administrate komunale të qëndrueshme, transparente dhe efektive, e cila do të punojë ngushtë me qytetarët për zhvillimin e Komunës së Lipjanit dhe për ofrimin e shërbimeve cilësore në interes të përgjithshëm. /Telegrafi/