Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë

16 January 2026 at 14:48

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha sot se siguria ushqimore është një alarm kombëtar.

Sipas tij, qeveria “ka goditur produktet bio dhe markën “Made in Albania”, duke i hapur rrugë importuesve abuzivë, klientë të pushtetit të tij kriminal, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një kazan mbetjesh për ushqime të kontaminuara dhe të skaduara”.

Deputeti i PL-së theksoi se përballë kësaj situate dramatike në lidhje me sigurinë ushqimore në vend, zgjidhja është “projektligji për sigurinë ushqimore i propozuar nga Partia e Lirisë, i depozituar prej më shumë se një muaji në Kuvend”.

“Ne besojmë se siguria ushqimore nuk është luks, por e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar”, theksoi Blushi.

Sipas Blushit miratimi pa vonesë i këtij projektligji, me nisjen e sesionit parlamentar, është e vetmja zgjidhje e shpejtë dhe efektive për të ndalur këtë krim të përditshëm ndaj shëndetit publik.

“Çdo ditë vonesë është një ditë më shumë rrezik, veçanërisht për fëmijët, të cilët po ushqehen me produkte të kontaminuara”, tha Blushi.

Prandaj, sipas Blushit “miratimi i projektligjit të Partisë së Lirisë nuk është thjesht një zgjedhje politike, por alternativa e vetme konkrete për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë krizën e sigurisë ushqimore, e cila lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me shëndetin publik, por edhe me sigurinë kombëtare”.

Projektligji i propozuar nga PL synon të garantojë sigurinë ushqimore për konsumatorin shqiptar përmes vendosjes së një detyrimi të pavarur, të zbatueshëm dhe të verifikueshëm për kryerjen e analizave laboratorike për ndotësit kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, në përputhje me gjetjet e Raportit të Progresit 2025 të Komisionit Evropian.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin

16 January 2026 at 14:28

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Partia Socialiste mblodhi sot grupin parlamentar ku u diskutua në lidhje me sfidat parlamentare për Shqipërinë 2030.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, në fjalën e tij theksoi se deri në programin e datës 27 shkurt duhet të miratohet një akt normativ si dhe 38 projektligje. Sipas Manjës, shumica e projektligjeve lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Manja shtoi se çdo ministër duhet të ketë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni për ligjet që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera.

“E strukturuar, negociatorët tanë diskutojnë me Brukselin, dy ministret tona i kemi atje që negociojnë me Brukselin, qeveria sigurisht koordinon gjithë procesin, Kuvendi i Shqipërisë jemi ne ku do të duhet të kalojmë projektligjet”, sqaroi ai.

“Çdo ministër, por edhe qeveria do të duhet të kenë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni përgjegjës për ligje që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera. Për lista e relatorëve tanë në komisione do të duhet të jetë në duart e secilit prej kolegëve të qeverisë. Kështu ndërtohet procesi: negociatorët relatorët dhe kryetarët e Komisioneve”, tha Manja.

Manja theksoi se negociatoret dhe relatorët që marrin projektligjet të jenë në kontakt njëri-tjetrin për mbarëvajtjen dhe dinamikën e një projektligji.

“Kjo është skuadër, ministër, qeveri, relator dhe kryetar komisionesh të jemi në një drejtim”, tha Manja.

Në përmbledhje të punës së zhvilluar gjatë vitit të kaluar, Manja theksoi se janë kryer  “30 mbledhje, 38 ligje të trajtuar nga të cilat 6 komision përgjegjës, 32 për dhënie mendimi dhe 8 projektvendime në të cilat kemi qenë komision përgjegjës dhe 70 amendamente vlerë e shtuar për projektligjet që kemi kaluar në komision”.

/m.q/j.p/

The post Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nisim punën për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit

16 January 2026 at 12:55

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste hapi sot vitin e ri kuvendor, me mbledhjen ku Kryeministri dhe kryetari i PS-së Edi Rama vendosi piketat e punës së sezonit të ri.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u ndal edhe tek administrata e Kuvendit, e cila duhet të modernizohet. Rama gjithashtu nënvizoi se do të nisë puna për godinën e re të Kuvendit.

“Administrata e Kuvendit, duhet të modernizohet dhe të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik, punë për të cilën do të flasë Kryetari dhe nga ana tjetër duhet të vendosim edhe piketat në një kalendar të qartë, për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto shkojnë bashkë në të njëjtin drejtim dhe natyrisht që asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës qe bëjmë po të gjitha këto bashkë ndihmojnë për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe energji pozitive punës së deputetëve të cilët duhet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi nga deputetët socialistë që të jenë sa më shumë të pranishëm në terren.

Rama tha se braktisja e territorit si zakonisht në të shkuarën nuk duhet dhe nuk mund të jetë një opsion për këtë grup parlamentar, ndërsa theksoi se përmbyllja e negociatave duhet bërë në vitin 2027.

“83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë, 83 mandate imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike duke filluar nga detyrimi që fundin e 2027 të dalim para atyre që na i dhanë 83 mandate, dhe të tjerëve që nuk na votuan dhe t’u themi se ne e bëjmë atë për të cilën u kërkuam votën i mbyllëm negociatat me BE. I mbaruam detyrat tona”, tha Rama.

“Detyra tjetër është sigurisht pjesa e këmbënguljes politike me gjithë kryeqytet e Evropës me gjithë parlamentet qeveritë të bëjnë ratifikimet për të anëtarësuar Shqipërinë në BE”, përfundoi Kryeministri Edi Rama.

/m.q/j.p/

The post Rama: Nisim punën për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa: Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë mbi fjalorin e ri të gjuhës shqipe

16 January 2026 at 12:20

TIRANË, 16 JANAR /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, deklaroi sot se fjalori i ri i gjuhës shqipe përgatitur nga Akademia e Shkencave paraqet shqetësime serioze për mungesë profesionalizmi.

Sipas saj “atje gjenden lehtësisht gafa, diskriminim, mospërputhje me përkufizimet e termave sipas ligjeve etj”.

“Gjuha është themeli i kulturës kombëtare. Fjalori i një gjuhe nuk është thjesht një listë fjalësh, por akt kulturor, shkencor dhe kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë i saktë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë”, nënvizoi Zhupa.

Zhupa theksoi se fjalori i ri i hedhur në konsultim publik ka gafa dhe qëndrime të cilat nuk mund të anashkalohen dhe janë tejet problematike.

Zhupa bëri të ditur se do të kërkojë një seancë dëgjimore me Akademinë e Shkencave që të japë shpjegime profesionale në lidhje me mënyrën e hartimit.

“Është interesi publik, për aq kohë sa bëhet fjalë për fjalor zyrtar, të bërë me fonde publike dhe element thelbësor i identitetit kombëtar. Kjo seancë dëgjimore nuk do trajtohet aspak si politike, por si çështje kulturore dhe kombëtare. Gjuha shqipe meriton seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë institucionale dhe një diskutim serioz”, nënvizon ajo.

Gjithashtu Zhupa solli edhe disa shembuj që sipas saj, janë qartësisht shfaqje e një pune jo cilësore dhe problematike në shumë nivele duke përmendur futjen e fjalës “abandonim” në fjalorin shqip-shqip apo fjalës “onlajn”

“Përkufizimi thellësisht diskriminues i fjalëve “djalë” dhe “vajzë”. Në fjalorin e ri, “djalë” përshkruhet me nota pozitive: trim, i urtë, shtyllë e shtëpisë, shpresë. Ndërsa “vajzë” shoqërohet me një sërë përkufizimesh negative, fyese dhe moralisht paragjykuese”, theksoi ndër të tjera Zhupa.

Sipas saj “fjalori nuk mund të jetë as ideologjik, as paragjykues, as i pakujdesshëm ndaj historisë gjuhësore dhe identitare. Ai formëson mendimin, edukon brezat dhe përcakton se çfarë konsiderohet “shqip e saktë””.

/m.q/j.p/

The post Zhupa: Akademia e Shkencave do thirret në dëgjesë mbi fjalorin e ri të gjuhës shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfitoi 30 milionë euro duke krijuar kompani fiktive, sekuestrohen pasuritë e shtetasit spanjoll

16 January 2026 at 10:53

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me kërkesë të prokurorisë së Tiranës sekuestroi pasuritë e një shtetasi spanjoll A.C në Shqipëri.

Gjykata sekuestroi shoqëri tregtare, mbi 23 hektarë tokë në Dhërmi, automjete e llogari bankare të të dyshuara se janë produkt i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet rezultoi se shtetasit A.C., i ati shtetasi D.I. dhe partnerja e tij, shtetasja M.M., rezultuan të përfshirë në një skemë mashtrimi duke krijuar kompani një shtete të ndryshme si Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Dominikane dhe Estonia. Vlera e përfituar përmes kësaj skeme arrin shumën 30 milionë euro.

“Në territorin e shtetit shqiptar, shtetasit e mësipërm, vepruan nëpërmjet shoqërisë “Wingwort” sh.p.k dhe 2 (dy) shoqërive të tjera të regjistruara në Regjistrin Tregtar, me të njëjtin objekt veprimtarie “Aktivitet në fushën e turizmit, hapja e menaxhimi i hoteleve, godinave etj”, “Menaxhim i pasurive të paluajtshme, shërbime agjenci turistike”, nëpërmjet shoqërive të krijuara të përfshirë në kontrata, transferta dhe shkëmbime tregtare me shoqëri të huaja me vendndodhje në Bullgari, Sllovaki, Malajzi, (Labuan vend offshore). Këto shoqëri ka nënshkruar kontratë shitblerje pasuri e paluajtshme dhe ka blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se sa vlera e tregut”, njoftoi prokuroria.

Nga verifikimet e kryera sipas prokurorisë “ka rezultuar se këto subjekte ushtrojnë të njëjtin aktivitet dhe kanë të njëjtën adresë, me administratorë këta shtetas. Subjektet rezultojnë me status “pezulluar”, çka rrit dyshimet për ekzistencën e një aktiviteti të përbashkët ekonomik të mundshëm dhe përdorim formal të subjekteve për qëllime të fshehjes apo transferimit të të ardhurave me origjinë të dyshimtë, veprime që mund të përbëjnë elementë të veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale””.

“Shtetasi D.I., është subjekt i një hetimi nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me veprimtarinë e tij financiare ndërkombëtare. Hetimi lidhet kryesisht me aktivitetet e tij në kompaninë Madeira Invest Club dhe shoqëri të tjera të tij financiare. Në qëndër të skemës qëndron A.C., i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”. Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare. Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte ngritur kompani fiktive në Portugali, SHBA, Estoni, Republikën Dominikane dhe Shqipëri, për të fshehur qarkullimin e parave. Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qëndrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”. Të dyja kompanitë kishin si objekt aktivitetin turistik dhe menaxhimin e hoteleve, por sipas dokumenteve, ato nuk zhvilluan ndonjë veprimtari të vërtetë. Pronari i “Wortned” ishte vetë A C., ndërsa “Wortonova” figuron në pronësi të shtetases rumune M.M. me administrator të përbashkët D. I. babai i tij”, njoftoi prokuroria.

Bazuar në veprimet hetimore të kryera dhe provat e mbledhura, rezulton se është kryer vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh seriozitetin e veprës, dëmin e shkaktuar dhe mundësinë e fshehjes ose shfrytëzimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, sugjerojmë dërgimin e çështjes në gjykatë për gjykim për veprën penale të sipërpërmëndur si dhe vendosjen e masës së sekuestros mbi pasuritë e identifikuara gjatë hetimit, si më poshtë: Pasuria e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 13.66 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Kolia, “Tokë Kullotë”;  Pasuria në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 9.5 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Megali-Langadhea, “Tokë Kullotë”;  Shoqëria ‘Wortend’; Shoqëria ‘Wingwort’;  Shoqëria ‘Wortnova’;  Automjeti, Toyota, Land Cruiser; Automjeti Mercedez Benz, AMG G 63; dhe Llogaritë bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë ku mund të ketë llogari aktive bankare”, njoftoi prokuroria e Tiranës.

/m.q/j.p/

The post Përfitoi 30 milionë euro duke krijuar kompani fiktive, sekuestrohen pasuritë e shtetasit spanjoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrimin e pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit

16 January 2026 at 10:44

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin për sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit dhe bashkëshortes së tij, Argita Malltezit.

Vendimi u mor sot me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili rrëzoi ankimimin Jamarbër dhe Argita Malltezit, për heqjen e sekuestros preventive dhe vendosi që të miratojë vendimin e datës 27 tetor 2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Gjykata ka sekuestruar 25 pasuri të vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të dosjes për aferën Partizani.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, Jamarbër Malltezi akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrimin e pasurive të Jamarbër dhe Argita Malltezit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK publikon katalogët e përditësuar të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për vitin 2025

16 January 2026 at 10:21

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) publikoi në faqen e saj zyrtare versionet e përditësuara për vitin 2025 të Katalogut të Pasurive të Sekuestruara dhe Katalogut të Pasurive të Konfiskuara.

Këta katalogë janë publikuar fillimisht për herë të parë gjatë muajve shkurt dhe mars 2025 dhe tashmë janë përditësuar për të reflektuar të gjitha ndryshimet, zhvillimet dhe lëvizjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2025 deri në fund të tij, në kuadër të administrimit të pasurive nga AAPSK. Përditësimi i tyre përfaqëson vijimësinë e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës inventarizimi të pasurive të vendosura nën administrimin e Agjencisë.

Publikimi dhe rifreskimi i katalogëve synon rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe garantimin e aksesit të hapur në informacion për qytetarët, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara. Katalogët ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, statusin ligjor të tyre dhe mënyrën e administrimit nga AAPSK.

Në lidhje me këtë proces, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, u shpreh se “publikimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i katalogëve të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është një angazhim konkret i AAPSK për transparencë dhe administrim të përgjegjshëm. Për herë të parë, këto pasuri po dokumentohen dhe bëhen publike në mënyrë të strukturuar, duke krijuar një standard të ri në administrimin e tyre dhe duke forcuar besimin e publikut dhe institucioneve në këtë proces.”

AAPSK sqaron se vlerat e pasurive të pasqyruara në katalogë, të shoqëruara me pasaportat përkatëse, nuk përfaqësojnë vlerën e tyre të tregut. Këto vlera janë referuese dhe janë marrë në bazë të dokumentacionit zyrtar dhe dosjeve hetimore përkatëse. Publikimi i pasurive realizohet për qëllime transparence dhe informimi, dhe nuk ka si objektiv shitjen apo tjetërsimin e tyre.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbetet e angazhuar në zbatimin e parimeve të ligjshmërisë, eficiencës, transparencës dhe interesit publik, duke garantuar një administrim sa më të rregullt dhe profesional të pasurive që i janë besuar.

Katalogët e përditësuar për vitin 2025 janë tashmë të disponueshëm për konsultim në faqen zyrtare të AAPSK.

/m.q/j.p/

The post AAPSK publikon katalogët e përditësuar të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend

15 January 2026 at 17:10

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi situatën në vend si “dramatike”, teksa fajësoi qeverinë për përmbytjet dhe menaxhimin e dështuar të emergjencave natyrore.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin nga opozita zgjidhjen e krizës.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë në Evropë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri. Një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha u ndal edhe te pasojat e përmbytjeve, duke shtuar se PD do të bëjë inventarin e përmbytjeve dhe do t’i dëmshpërblejë të gjithë banorët kur të vijë në pushtet.

“Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin Komitetin e Emergjencave Civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narkoqeverisë”, vijoi Berisha.

Kreu demokrat i garantoi qytetarët e këtyre zonave se PD në pushtet do t’i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto përmbytje.

Duke iu referuar imunitetit të Belinda Ballukut, Berisha tha sesi asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, Kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim.

“Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është ekzekutimi para shqiptarëve i një pushteti që quhet pushteti i drejtësisë”, tha Berisha.

Ndaj, iu drejtua Berisha deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, duhet të ngrejnë në këmbë çdo shqiptar gjer në largimin e qeverisë. /m.q/j.p/r.e/

The post Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin

15 January 2026 at 13:18

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi sot se Shqipëria është kthyer në një vend të pasigurt “si pasojë e vjedhjes sistematike, korrupsionit të shfrenuar, kapjes së shtetit, mungesës së lirisë dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të qeverisë me kartelet e drogës”.

Balliu tha se “Bashkimi Evropian ka pezulluar fondet për dixhitalizimin pas skandalit në AKSHI”.

“Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin”, deklaroi Balliu.

Ai shtoi se, sipas tij, fondet janë bllokuar sepse BE e ka të qartë se ato vidhen nga qeveria dhe përdoren për interesa të ngushta të pushtetit.

Balliu tha se qeveria po mashtron qytetarët me premtime për integrimin evropian, ndërkohë që realiteti është krejt i kundërt, pasi “Bashkimi Europian po pezullon fondet për Shqipërinë për shkak të vjedhjeve dhe bashkëpunimit me bandat kriminale”.

Sipas deputetit të PD-së, Shqipëria po negocion interesat kombëtare për përfitime personale të pushtetit, ndërsa institucionet shtetërore janë nën kontrollin e grupeve kriminale.

“Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria vizitohej nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara; sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së, sepse udhëhiqen nga një qeveri e karteleve. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Bashkimi Evropian sillte fonde për Shqipërinë, si në bujqësi ashtu edhe në dixhitalizim; sot këto fonde janë bllokuar, sepse BE deklaron qartë se ato vidhen nga qeveria. /m.q/ j.p/

The post Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror

14 January 2026 at 19:20

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si politik hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Kuvendin e Rithemelimit të vitit 2021, të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u shkarkua kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se ky hetim nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve, i cili sipas tij është mbyllur dhe është dërguar në gjykatë.

“Hetimi pasuror është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar në gjykatë. Hetimi për Kuvendin e Rithemelimit është një hetim i mirëfilltë politik dhe nuk ka asnjë lidhje me çështjen pasurore”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se është i hapur ndaj çdo hetimi dhe se prokuroria duhet të veprojë e lirë, por shtoi se përpjekja për të lidhur dy çështje të ndryshme është, sipas tij, mashtruese.

Berisha deklaroi se çdo financim për Kuvendin e Rithemelimit është deklaruar dhe se nuk ka pasur asgjë të fshehur. Sipas tij, aktiviteti është financuar nga deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, ndërsa çmimi i stadiumit është publik dhe i deklaruar nga institucionet përkatëse.

“Çdo financim është deklaruar. Personat që kanë kontribuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Nuk ka asgjë të fshehur”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi si dezinformim lajmin se hetimi për Kuvendin po zhvillohet në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij, duke theksuar se kjo çështje tashmë ndodhet në proces gjyqësor.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arratisja e Ndocit, shkarkohet drejtori dhe zinxhiri komandues në burgun e Durrësit

14 January 2026 at 15:02

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj është shkarkuar nga detyra nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, nga spitali Rajonal i Durrësit.

Gjithashtu në vijim të ngjarjes së një dite më parë, pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.

Për këtë ngjarje, janë arrestuar edhe tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës.

Ndaj Altin Ndocit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal. Ai u arratis pasi kreu një konsultë mjekësore në spitalin Rajonal të Durrësit.

/m.q/j.p/

The post Arratisja e Ndocit, shkarkohet drejtori dhe zinxhiri komandues në burgun e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit

14 January 2026 at 13:49

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës janë arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal në Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm: komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka, punonjëse e Policisë së Burgjeve; kryeinspektor Dorjan Saraçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Preng Marvataj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela, punonjës i Policisë së Burgjeve; kryeinfermier Aulon Quku, punonjës i IEVP Durrës.

Gjithashtu, është bërë edhe pezullimi i tyre nga detyra. Po ashtu janë pezulluar me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ drejtori i IEVP-së Durrës Indrit Cerloj, Afrim Zeqiraj, shef i Policisë; Ylfete Sema, shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; Idajet Calamaj, punonjës i Policisë së Burgjeve.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

“Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve informoi më tej se “i paraburgosuri është paraqitur në pavijonin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se po vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

/m.q/j.p/

The post 8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme

14 January 2026 at 13:18

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Mbrojtësit ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaruan sot në një konferencë për mediet, se Meta po mbahet në paraburgim, duke tejkaluar çdo standard ligjor, kushtetues dhe human.

Avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake.

“Kjo do të thotë që një seancë e tillë ligjërisht duhet të përfundojë brenda një muaji dhe pastaj çështja ose duhet të pushohet, ose të kthehet në hetim ose duhet të kalojë në gjykim themeli”, sqaroi ai.

Sipas avokatit, kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.

“Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie që është kthyer në një drejtësi inkuzitore”, tha ai.

Cakrani theksoi se kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por përsëri gjyqtarja Irena Gjoka, e cila sipas tij është e “shantazhueshme”, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar.

Avokati shtoi se ndaj Metës ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.

“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidentit të Partisë së Lirisë, numrit dy të opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë”, tha ai.

Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.

Cakrani tha se nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.

“Pasuria e Metës, është zero, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme, sepse ka punuar me dinjitet, ka punuar me pastërti. Prokuroria e ka nisur analizën në vitin 2002, thua se Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar. Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin  e vënë në dispozicion nga Kuvendi. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur në 1995. Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992″, tha Cakrani.

“Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e Metës nga puna si deputet, si ministër, si zv.kryeministër, si kryeministër, si kryetar kuvendi dhe në fund president i Republikës, kanë qenë 87,385,031 lekë. Ndërkohë që shpenzimet e tij, janë në shumën 39,448,575 lekë. Meta ka në bilancin e tij 530, 146 lekë. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më edhe këto kursime sepse ka pasur shpenzime”, vijoi avokati.

“Akuza e prokurorisë është se Meta paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e ka shpikur organi i procedurës këtë, për të fshehur veprimet arbitrare që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme Meta”, tha Cakrani.

/m.q/j.p/

The post Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër

14 January 2026 at 09:20

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut, njoftoi sot se nga monitorimi gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territor paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën e Obotit është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 centimetra, nga 100 centimetra që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje me rreth 10 centimetra. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse do të qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Sipas bashkisë, në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit me rreth 10 centimetra krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Bashkia bëri të ditur se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç 80 hektarë, në Velipojë 10 hektarë, Ana e Malit 530 hektarë, Bërdicë 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 760 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /j.p/

The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau

13 January 2026 at 22:33

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gara e sllallomit të Kupës së Botës në ski, e zhvilluar të martën në mbrëmje në Flachau të Austrisë, u karakterizua nga kushte shumë të vështira atmosferike.

Mjegulla dhe shikueshmëria e ulët ndikuan dukshëm në performancën e skiatoreve, duke bërë që nga 75 skiatore të regjistruara, plot 35 të mos arrinin të përfundonin garën.

Skiatorja italo-shqiptare, u rendit e 8-ta në klasifikimin final. Colturi u dallua veçanërisht në lëshimin e dytë, ku me kohën 53 sekonda e 77 të qindtat regjistroi rezultatin më të mirë me vendin e parë, duke lënë pas edhe kampionen amerikane Mikaela Shiffrin.

Megjithatë, një gabim i bërë në lëshimin e parë e mbajti Colturin jashtë podiumit, pasi atë raund e mbylli vetëm në vendin e 16-të. Në total, performanca e kombinuar e pozicionoi atë të tetën në renditjen përfundimtare.

Në podiumin e garës në Flachau, në shkallën më të lartë të tij u ngjit Milkaela Shifrin, që e çon në 60 numrin e fitoreve në sllallom, një shifër e jashtëzakonshme në historinë e këtij sporti. Pas saj u klasifikua amerikania Paula Molzen, ndërsa vendin e tretë e mori austriakja Katarina Trupe.

/m.q/a.f/r.e/

The post Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara

13 January 2026 at 20:38


TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF

13 January 2026 at 20:19

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Mozaiku “Dielli i ditës tjetër”, i artistes Blerta Kambo, i cili ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF).

“Tashmë “Shqipja” siç i thërrasim ne ose “Dielli i ditës tjetër” i rikrijuar nga artistja Blerta Kambo dhe i mbështetur nga MTKS do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

“Faleminderit Blerta Kambo që kujtesës arkivale shqiptare i shtove gjendjen tënde muzeale! Një mozaik që nuk rri në mur, por të rri përballë. Të shikon drejt e në sy, pa zë, dhe të pyet gjëra që i ke shmangur gjithë ditën. Copëza të vogla, të thyera, ngjyra që rrisin emocionet si ne. Dhe prapë, kur bashkohen, bëhen figurë. Bëhen kujtesë. Ky mozaik flet për dhimbjen dhe artin! Flet për durimin dhe gruan. Për kohën. Për njeriun që thyhet dhe ndërtohet copë copë derisa më në fund guxon të qendrojë drejt”, njoftoi AQShF.

Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar përmes instalacionit “Dielli i ditës tjetër”, ku historia bashkohet me artin bashkëkohor.

Artistja zgjodhi të vendosë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.

Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.

Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndërgjegjësimit kolektiv.

Instalacioni qëndroi i dukshëm në fasadën e muzeut, si kushtim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.

/m.q/r.e/

The post Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë

13 January 2026 at 20:15

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e radhës të “Foltores” me demokratët në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek situata brenda partisë si dhe përballja me qeverinë. Në 35-vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Lezhë, Berisha tha se kjo ditë është “një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë”.

Sipas Berishës, qeveria ka zero legjitimitet, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama “ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat”. Berisha bëri thirrje që “mos të bllokohet drejtësia”.

“Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet. Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, tha Berisha, teksa shtoi se PD “beson në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita i ka fituar të gjitha betejat “kur ka dalë në shesh me moton “ja vdekje, ja liri””.

“Edhe një herë, ne, mbajeni mend, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje, ja liri. Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’98-99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton “ja vdekje, ja liri”. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht. Ndaj dhe ky është misioni. Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje. Ne jemi të pamposhtur, ne e kemi faktuar.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë. Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan”, theksoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 24 janar.

“Ju garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe ju ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu garantoi se “PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve

13 January 2026 at 19:32

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla dha një mesazh mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite, duke nderuar veçanërisht dëshmorët që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

“113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është një ditë e shënuar kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e trupës policore shqiptare ndër vite. Shqipëria nderon dhe përulet para sakrificave sublime të dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Jetët dhe gjaku i dëshmorëve të Policisë janë një reflektim dhe detyrim për drejtuesit dhe punonjësit aktualë të kësaj trupe për ta kryer këtë detyrë me përkushtim dhe ndershmëri!”, shkruan Balla në mesazhin e tij.

Në këtë rrugëtim 113-vjeçar, 231 punonjës policie kanë rënë dëshmorë, duke dhënë jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e ligjit dhe rendit.

Policia e Shtetit Shqiptar u krijua më 13 janar 1913, me vendim të Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, dhe prej mëse një shekulli ka qenë një nga institucionet themelore të rendit dhe sigurisë në vend.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas

13 January 2026 at 17:48

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Dy barinj, të cilët kishin humbur kontaktin në tokat e përmbytura në zonën e Hasturkasit në Fier, janë gjetur pas disa orësh kërkime.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se “AKMC, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile vendore dhe qendrore, bëri të mundur gjetjen në kushte të mira shëndetësore“.

“Siguri për ta dhe për gjithë banorët, si dhe ushqimi i nevojshëm për gjënë e gjallë,” nënvizoi Vengu.

Lokalizimi i tyre u bë përmes një droni termik.

/m.q/r.e/a.f/

The post Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌