Manchester United ka refuzuar disa oferta për mbrojtësin Harry Maguire gjatë këtij muaji, duke bërë të qartë se qendërmbrojtësi anglez nuk është në shitje, pavarësisht interesimit në rritje nga klube të njohura të Evropës.
Sipas raportimeve, AC Milan dhe disa skuadra nga Liga Premier kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e Maguire, por drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë të vendosur ta mbajnë atë në “Old Trafford” të paktën deri në fund të sezonit.
“The Sun” raporton se United do të refuzojë çdo ofertë që vjen gjatë afatit kalimtar të janarit, duke nënvizuar vendosmërinë për të mos u ndarë nga një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e klubit.
Harry Maguire u bashkua me Manchester United si nënshkrimi rekord prej 80 milionë funte dhe pavarësisht kritikave dhe periudhave të vështira, klubi vazhdon ta shohë atë si një pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Kontrata aktuale e mbrojtësit skadon në verë dhe ende nuk është e qartë nëse United do t’i ofrojë një zgjatje deri në vitin 2027 apo do të vendosë të ndahet me të në fund të marrëveshjes.
Për momentin, e ardhmja e Maguire në “Old Trafford” konsiderohet e sigurt, teksa Manchester United po përgatitet për pjesën e mbetur të sezonit nën drejtimin e përkohshëm të Michael Carrick./Telegrafi
Që nuk do të ishte spektakolar, kjo u kuptua me zgjedhjen për të ulur në pankinë Masimiliano Alegrin. Por në futboll rëndësi kanë pikët dhe Milan ka kaluar çdo pritshmëri në këtë sezon të Serie A, ndërsa mbetet bindshëm në garën për titullin kampion pas fitores 3-1 në transfertën e Como.
Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje dhe falë klasit të yjeve të tyre, si Mike Maignan që bëri disa pritje shpëtimtare dhe Adrien Rabiot, autor i dy golave.
Për pjesën tjetër, ishin vendasit e drejtuar nga Cesc Fabregas, ata që dominuan sfidën në të gjithë komponentët e lojës.
Ky detaj nuk e prishi festën e Milan, që ngushton sërish në tre pikë diferencën me kryesuesit dhe rivalët e përjetshëm të Inter, në një garë për titull që për momentin duket e gjitha milaneze.
Kjo edhe për faktin se favoritët e tjerë si Napoli apo Juventus kanë humbur terren në klasifikim.
Për t’u kthyer sërish te Milan, a mund të mjaftojë vetëm cinizmi për të shkuar te titulli kampion.
Kjo mbetet për t’u parë në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa ndryshe nga rivalët, kuqezinjtë kanë edhe një tjetër detaj të rëndësishëm në krahun e tyre.
Jashtë Kupave të Europës dhe çdo kompeticioni tjetër në këtë sezon, Milan mund të menaxhojë më me lehtësi forcat dhe të fokusohet në vetëm një objektiv.
Pra, megjithë kritikat e mediave dhe pakënaqësinë e tifozëve për lojën, kuqezinjtë mund të ëndërrojnë për titullin. Në fund qëllimi justifikon mjetet.
Milani mundi Comon në udhëtim me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të të Serie A dhe iu afrua vetëm tre pikë liderit, Interit.
Rossonerët arritën të marrin një fitore të madhe me rikthim ndaj Comos, por mediat italiane po shkruajnë shumë për situatën e minutës së fundit të pjesës së parë, kur kur Milanit iu akordua një penallti.
"Pati tension për penalltinë për Milanin. Në vend që lojtarët e Comos të protestonin, lojtarët e Milanit dolën në skenë”, shkruan fillimisht Gazzetta dello Sport.
“Rafael Leao donte ta gjuante penalltinë, por trajneri Allegri ndërhyri dhe tha se Nkunku do ta gjuante. Trajneri i Milanit e thirri portugezin në stol dhe ia shpjegoi vendimin e tij”.
Leao është normalisht gjuajtësi i penalltive te Milani, por këtë herë francezi mori epërsinë ndaj portugezit, duke shënuar golin e tij të pestë të sezonit. Allegri e shpjegoi vendimin e tij.
"Nkunku është një gjuajtës i mirë i penalltive, ashtu si edhe Leao. Në atë moment ndjeva se Nkunku duhej të gjuante”, deklaroi Allegri. /Telegrafi/
AC Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Comos, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar me shifrat 1-3, në një ndeshje ku Adrien Rabiot ishte figura kryesore.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të, kur Marc Oliver Kempf u shkëput më lart se mbrojtja pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë realizoi për 1-0.
Como vazhdoi të rrezikojë, por në minutën e 41-të Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje vendimtare ndaj një goditjeje nga afërsia të Lucas Da Cunha.
Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 44-të, kur Kempf shkaktoi penallti. Christopher Nkunku u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën 45+1, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të përmbysi rezultatin. Adrien Rabiot përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-2.
Francezi e vulosi fitoren në minutën e 88-të me një supergol nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 1-3.
Milani me këtë fitore zë pozitën e dytë me 43 pikë, derisa Como zë vendin e gjashtë me 34 sosh./Telegrafi
E ardhmja e Harry Maguire te Manchester United mbetet e paqartë, teksa gjithnjë e më shumë po rriten spekulimet për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit.
Mbrojtësi anglez është në radarët e AC Milanit dhe Romës, dy klube të mëdha italiane që po ndjekin nga afër zhvillimet rreth situatës së tij.
Milani është në kërkim të një mbrojtësi qendror me eksperiencë, për shkak të mungesës së thellësisë në repartin defensiv dhe problemeve të vazhdueshme me dëmtimet.
Trajneri Massimiliano Allegri e sheh afrimin e një lojtari me profil të sigurt dhe me përvojë ndërkombëtare si prioritet për gjysmën e dytë të sezonit.
Edhe pse drejtuesit kuqezi kanë analizuar disa alternativa në treg, ende nuk është konkretizuar asnjë objektiv, çka e bën Maguire një opsion të mundshëm, veçanërisht për një marrëveshje me kosto të përballueshme.
Sipas raportimeve të Sky edhe Roma po e vlerëson situatën e 30-vjeçarit, duke parë tek ai një mundësi për të rritur konkurrencën dhe stabilitetin në mbrojtje.
Maguire ka pasur një rol të kufizuar këtë sezon te Man Utd, me vetëm 10 paraqitje dhe mungesë aktiviteti që nga fillimi i nëntorit, çka ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në “Old Trafford”.
Me kontratën që i skadon në verë, Man Utd mund të jetë i hapur për një largim në janar për të shmangur humbjen e lojtarit pa përfitim financiar.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka oferta zyrtare nga asnjëra palë, ndërsa gjithçka mbetet në fazën e monitorimit.
Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse interesimi i Milanit apo Romës do të kthehet në një lëvizje konkrete. /Telegrafi/
Ajaxi ka nënshkruar me Maximilian Ibrahimovic, djalin e legjendarit Zlatan Ibrahimovic, në formë huazimi nga AC Milan deri në fund të sezonit.
Klubi holandez synon ta përsëris historinë e para më shumë se 20 viteve, pasi ka nënshkruar me djalin e Zlatan Ibrahimovicit, Maximilianin, i cili vjen si huazim nga Milani.
“AC Milan mund të konfirmojë se Maximilian Zlatan Seger Ibrahimovic i është bashkuar AFC Ajax në formë huazimi, me një opsion për ta bërë marrëveshjen të përhershme”.
“Klubi dëshiron t’i urojë Maximilianit gjithë të mirat për pjesën e mbetur të sezonit”, thuhet në deklaratën e klubit italian.
Edhe klubi holandez ka konfirmuar marrëveshjen e huazimit për sulmuesin 19-vjeçar.
“Ajax ka arritur një marrëveshje me Maximilian Ibrahimovic dhe AC Milan për huazimin e sulmuesit 19-vjeçar. Marrëveshja e huazimit është e vlefshme për gjashtë muaj, deri në fund të këtij sezoni. Marrëveshja përfshin një opsion blerjeje për Ajax”, njofton klubi holandez.
Ndryshe, sulmuesi anësor suedez ka qenë në formë të shkëlqyer për Milan Futuro (ekipi rezervë) këtë sezon, duke shënuar pesë gola dhe katër asistime.
Do të jetë interesante të shihet nëse koha e Maximilian do të ndahet midis ekipit të parë të Ajaxit dhe Jong Ajax, ekipit rezervë të gjigantit të Amsterdamit. /Telegrafi/
Klubi italian, Milani ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit të ri kosovar, Aron Babaj, i cili së fundmi ishte pjesë e ekipit Prishtina e Re.
Nga Kosova në Itali. Nga Superliga e Kosovës në Serie A. Nga Prishtina e Re te klubi i madh evropian, Milani.
Një histori e bukur është zyrtarizuar sot (e martë) me kalimin e 16-vjeçarit Aron Babaj te Rossonerët.
Është vet faqja zyrtare e klubit italian, e cila ka njoftuar se mesfushori i lindur në vitin 2009 ka nënshkruar një kontratë me klubin Rossoner.
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë blerjen e Aron Babajt, i cili do të jetë pjesë e Projektit të së Ardhmes së Milanit, një iniciativë e dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të reja”.
“Mesfushori i lindur në vitin 2009 ka zgjedhur të bashkohet me Rossonerët”, thuhet në njoftimin e klubit kuqezi.
Ndryshe, Babaj është pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës U-17 dhe është djali i ish-futbollist të njohur, Shpëtim Babaj. /Telegrafi/
Pas një viti të mrekullueshëm te Club Brugge ku edhe kompletoi kalimin te AC Milani, mesfushori shqiptar Ardon Jashari e ka fituar edhe “Këpucën e Artë” në Belgjikë që i jepet lojtarit më të mirë të vitit.
Jashari mposhti ish-bashkëlojtarët e tij, Christos Tzolis dhe Hans Vanaken, të cilët konsideroheshin favoritët kryesorë para nisjes së votimit.
Ky çmim është veçanërisht i veçantë, pasi Jashari arriti të grumbullojë pikë vetëm në një raund votimi. Transferimi i tij veror te AC Milan e bëri të pamundur marrjen e votave të mëtejshme, por paraqitjet e tij në gjysmën e parë të vitit 2025 rezultuan vendimtare.
Pas atij lëndimi serioz, ky trofe ka një domethënie edhe më të madhe për Jasharin.
“Është një ndjenjë e pabesueshme. Për mua është një nder i madh ta fitoj këtë trofe. Pas gjashtë muajve të fundit, me lëndime dhe momente të vështira, kjo do të thotë jashtëzakonisht shumë”.
“Kam kaluar një periudhë të mrekullueshme në Belgjikë. Kur e shoh pas, nuk do ta harroj kurrë Belgjikën. Ajo është bërë vërtet një shtëpi e dytë për mua”.
Futbollisti që përfaqëson Zvicrën udhëtoi posaçërisht për të marrë çmimin. Pas një ndeshjeje kundër Fiorentinës, ai hipi pothuajse menjëherë në avion drejt Ostendës.
“Pata mezi 15 minuta pas ndeshjes. Këtu pata pesë minuta pushim dhe më pas dola direkt në skenë”.
Takimi me ish-bashkëlojtarët e tij e preku dukshëm Jasharin. Ai foli për një pritje shumë të ngrohtë dhe theksoi respektin dhe vlerësimin që ende ndjen për lojtarët dhe stafin e Club Brugge.
“Sapo të kem pak kohë, dua të bëj një festë të vogël atje”.
“Jam rritur si lojtar dhe si njeri. Ky trofe, ky vend dhe ky klub e bëjnë historinë time edhe më të veçantë”, nënvizoi ai./Telegrafi
Një përballje e tensionuar në javën e 20-të të Serie A u mbyll me barazimin 1-1 mes Fiorentinës dhe AC Milanit, një rezultat që jep një pikë të çmuar për ekipin nga Firence në luftën për mbijetesë dhe një paralajmërim për kuqezinjtë që luftojnë për kreun e tabelës.
Kuqezinjtë kishin tri raste shumë të mira në pjesën e parë me Christian Pulisic, por amerikani nuk ishte i saktë.
Fiorentina kaloi e para në avantazh në minutën e 66’, kur Pietro Comuzzo shfrytëzoi një kros perfekt nga këndi i Albert Gudmundsson dhe me një goditje me kokë të fuqishme shënoi golin e avantazhit 1-0, duke mposhtur portierin e Milanit, Mike Maginian.
Milan nuk u dorëzua dhe rriti presionin dhe në minutën e 90’, Christopher Nkunku barazoi rezultatin pas një pasimi të Youssouf Fofana në zonë, duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes së Fiorentinës (1-1).
Ky barazim lë Milanin në vendin e dytë me 40 pikë, duke ruajtur presionin mbi kreun, ndërsa Fiorentina ngjitet në 18-të me 14 pikë, duke marrë një pikë të çmuar në luftën për mbijetesë. /Telegrafi/
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për formën e skuadrës, të ardhmen e portierit Mike Maignan, si dhe pritshmëritë për mesfushorin e ri Ardon Jashari, ndërsa ka komentuar gjithashtu mbi situatën e sulmuesit Christopher Nkunku.
“Tabela tregon se po kalojmë një periudhë pozitive. Gjysma jonë e parë e sezonit pati disa rezultate të rëndësishme. Ka ende shumë për të përmirësuar, por ne jemi optimistë dhe e kuptojmë se duhet të bëjmë sa më pak gabime të jetë e mundur deri në fund të sezonit”, tha Tare për DAZN Italia.
Në lidhje me Maignan, negociatat për një kontratë të re morën një kthesë të papritur, pas një periudhe ku largimi i tij dukej i sigurt.
Tare konfirmoi se portieri francez dëshiron të qëndrojë dhe është në prag të nënshkrimit të një zgjatjeje.
“E dimë që raporti me Mike është i jashtëzakonshëm. Atij i pëlqen projekti i Milanos dhe dëshiron të qëndrojë. Duhet të presim derisa të jepet drita jeshile, por jam i bindur se arsyeja e shëndoshë do të triumfojë dhe ai do të jetë një figurë kyçe për të ardhmen e këtij projekti.”
Sa i përket Ardon Jasharit, Tare shprehu pritshmëri të mëdha për mesfushorin pas rikthimit nga lëndimet që e mbajtën jashtë për katër muaj.
“Kemi pritshmëri të mëdha për të, pasi tregoi disa performanca të mrekullueshme sezonin e kaluar. Ai ka luajtur shumë më mirë në dy muajt e fundit, duke marrë minuta në Serie A, Kupën e Italisë dhe Superkupën, duke dëshmuar se i përket një klubi si Milani", tha Tare. /Telegrafi/
Juventusi dhe Milani po konsiderojnë një shkëmbim të mundshëm lojtarësh gjatë afatit kalimtar të janarit, sipas raportimeve të Tuttosport.
Bëhet fjalë për një marrëveshje huazimi që përfshin Federico Gatti dhe Ruben Loftus-Cheek.
Mundësia u diskutua gjatë një takimi të zhvilluar të premten, ku morën pjesë trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, drejtori ekzekutiv Damien Comolli dhe drejtori i ri sportiv, Marco Ottolini. Bëhet e ditur se në ditët në vijim mund të ketë bisedime konkrete midis të dy klubeve.
Prioritetet e Juventusit në këtë merkato mbeten një mesfushor qendror i gjithanshëm dhe një zëvendësues për Kenan Yildiz. Spalletti ka theksuar se do të nënshkruajë vetëm lojtarë që mund t’i shtojnë cilësi ekipit dhe të mos prishin ekuilibrin e arritur në javët e fundit.
Sipas Tuttosport, trajneri i Juventusit është admirues i Loftus-Cheek, i cili kohët e fundit ka refuzuar një transferim te Lazio, pavarësisht interesit të ish-trajnerit të tij te Chelsea, Maurizio Sarri. Loftus-Cheek kërkon më shumë minuta lojë, me shpresën për të qenë pjesë e skuadrës së Anglisë në Kupën e Botës 2026, dhe Juventusi mund t’i ofrojë mundësi më të shumta për të treguar vlerën e tij.
Fizikaliteti dhe shkathtësia e Loftus-Cheek do t’i përshtateshin taktikave të Spallettit, ndërsa Gatti do t’i lejonte trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, të forconte qendrën e mbrojtjes në pjesën e dytë të sezonit./Telegrafi/
Milani dhe Ajaxi janë në fazën përfundimtare të shkëmbimit të dokumenteve për transferimin e Maximilian Ibrahimovic, i cili pritet të largohet nga Rossonerët për të nisur një aventurë të re në Holandë.
Gati 22 vjet pasi Zlatan Ibrahimovic zbarkoi për herë të parë në Amsterdam, një tjetër Ibrahimovic do të veshë fanellën historike të Ajaxit, duke ndjekur një rrugë që në mënyrë të pashmangshme rikthen kujtime nga e kaluara, por me një histori krejtësisht të re për t’u shkruar.
Marrëveshja mes palëve është arritur në formë huazimi me opsion blerjeje në vlerën e 3.5 milionë eurove. Milani, edhe pse ruan fillimisht kontrollin mbi të ardhmen e anësorit të lindur në vitin 2006, ka përfshirë gjithashtu një përqindje nga rishitja e mundshme në të ardhmen, duke treguar se klubi vazhdon të besojë fort në potencialin e sulmuesit të ri suedez.
Maximilian Ibrahimovic ka lënë gjurmë me Milan Futuro, fillimisht në Serie C dhe më pas në Serie D, ku ka treguar rritje të vazhdueshme në paraqitje. Në këtë sezon, ai ka regjistruar 16 paraqitje, duke kontribuar me 5 gola dhe 4 asistime.
Kalimi te Ajaxi shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij, teksa Maximilian synon të ndërtojë identitetin e vet në futbollin evropian, larg hijes së emrit të madh që mban mbi shpinë./Telegrafi
Sipas Gazzetta dello Sport, Mike Maignan ka rënë dakord për të zgjatur kontratën me Milanin, dhe tani ‘Rossonerët’ po negociojnë vetëm për tarifat e agjentit përpara se të vendosin firmën mbi një marrëveshje të re deri në vitin 2030.
Maignan është “më afër se kurrë” për të zgjatur qëndrimin e tij te Milani, sipas Gazzetta dello Sport.
Gazeta italiane raporton se portieri me përvojë ka rënë dakord të nënshkruajë një kontratë të re me vlerë 5 milionë euro në sezon plus bonus deri në 2030.
Portieri francez aktualisht fiton 2.8 milionë euro në sezon dhe kontrata e tij në ‘San Siro’ skadon këtë qershor.
Me kontratën e re, Maignan do të bëhet lojtari më i paguar në skuadër së bashku me Rafael Leaon.
Maignan ka luajtur një rol kyç te Milani këtë sezon, duke pranuar vetëm 17 gola në 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke mbajtur 10 portat e paprekura dhe duke shpëtuar dy penallti.
Komisionet e agjentit raportohet se mbeten çështja e vetme e pazgjidhur për ‘Rossonerët’.
Drejtuesit e Milanit e dinë se kampi i Maignan do të merrte një shumë të konsiderueshme nëse ai largohet si agjent i lirë në qershor, çka e bën thelbësore negociatën me përfaqësuesit e tij.
Sipas Gazzetta dello Sport, dy palët janë në marrëdhënie të mira dhe sapo të arrihet marrëveshja, portieri do të nënshkruajë kontratën e re./Telegrafi/
I madh me të mëdhenjtë, por i vogël me të vegjëlit. Milan vazhdon të vuajë nga kjo sindromë në këtë sezon të Serie A, duke zhgënjyer edhe një herë pritshmëritë e 70 mijë tifozëve që kishin mbushur “San Siro” për të festuar një fitore të sigurtë në letër kundër Genoa.
Por kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1. Gjithsesi duhet të jenë të kënaqur, pasi mund të kishte shkuar më keq në një ndeshje të mbyllur me një dramë të vërtetë.
Miqtë surprizuan në minutën e 28-të, kur kaluan në epërsi me një ish si Kolombo. “Djali I shtëpisë” ndëshkoi Milan dhe vendosi fatin e pjesës së parë.
Ashtu siç pritej, pas pushimit të besuarit e Allegri provuan me çdo mënyrë për të kthyer sfidën, madje edhe me mënyra të palejueshme si Pulisic, goli i të cilit u anulua për një prjekje me dorë.
Përpjekjet e kuqezinjve do të shpërbleheshin vetëm në minutën e dytë shtesë. Rafael Leao shënoi golin e barazimit.
Por në minutën e nëntë shtesë, Genoa fitoi një 11 metërsh. Nga pika e penalltisë, Stancu shpërdoroi shansin e fundit për triumf të skuadrës së tij, duke lënë në fuqi barazimin 1-1.
Një tjetër ndalesë për Milan, që i lejon kryesusëve të Inter të thellojnë në tre pikë diferencën. Nuk është ndonjë distancë e madhe, por mund të thellohet më tej, nëse Masimilliano Allegri dhe të besuarit e tij nuk largojnë frikën nga të vegjëlit, që i ka hequr 11 pikë mes Cremonese, Pisa, Sassuolo, Parma dhe në fund Genoa./abcnews.al
Milani vazhdon të vuajë ndaj skuadrave të ashtuquajtura “të vogla”, duke lënë pikë të çmuara. Këtë herë ishte Genoa që ka marrë një pikë ndaj kuqezinjve, pas barazimit 1-1 në “San Siro”. Skuadra e Allegri mbetet 3 pikë pas Interit kryesues.
Colombo kaloi miqtë në avantazh në pjesën e parë, ku Milani iu afrua golit, sidomos me Fofana, i cili rrëshqiti në momentin e fundit. Pulisiç barazoi shifrat, por goli u anulua për një prekje të topit me dorë nga ana e amerikanit.
Përpjekjet e vazhdueshme të kuqezinjve u finalizuan në kohën shtesë me golin e portugezit Leao. Minutat e shtesë ishin dramatike, pasi Genoa pas një kundërsulmi arriti të fitonte penalltinë që do t’i kishte dhënë fitoren. Nga pika e bardhë Stanciu gjuajti keq, duke e çuar topin mbi traun e portës së Maignan.
Ka përfunduar kështu gjithçka në barazim, rezultat që kënaq skuadrën e drejtuar nga De Rossi, ndërsa Milani shpërdoron një tjetër shans për t’iu afruar Interit në kreun e tabelës së renditjes.
Milani ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Genoas në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit italian.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen më mirë dhe që në minutat e para krijuan rrezik serioz. Në minutën e 8-të, Matteo Gabbia u ngrit lart pas një harkimi nga këndi, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa, duke shpëtuar Genoan nga pësimi i hershëm i golit.
Genoa reagoi dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 28-të. Ruslan Malinovskyi dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa Lorenzo Colombo përfitoi dhe me një goditje të shpejtë e dërgoi topin në cepin e poshtëm të majtë të portës për rezultatin 1-0.
Në pjesën e parë pati edhe momente polemike, kur Genoa kërkoi penallti në minutën e 18-të, por gjyqtari Maurizio Mariani vlerësoi se ndërhyrja ishte e rregullt dhe loja vazhdoi.
Në pjesën e dytë, Milani shtoi presionin dhe barazimi erdhi në minutën e 58-të. Pas një goditjeje nga këndi, Matteo Gabbia fitoi duelin ajror, ndërsa Christian Pulisic ishte në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë dhe për të barazuar rezultatin në 1-1.
Megjithatë, gëzimi i kuqezinjve zgjati pak. Vetëm disa minuta më vonë, Milani realizoi sërish, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të një prekjeje me dorë në fazën ndërtuese të aksionit.
Milani pati edhe një tjetër mundësi të artë për të kaluar në epërsi, kur Davide Bartesaghi u gjend para portës pas një topi të kthyer, por goditja e tij përfundoi ngushtë jashtë.
Kur dukej se Milani do të mposhtet, në skenë doli Rafael Leao i cili në minutën e 93-të realizoi një gol të mrekullueshëm për epilogun përfundimtar 1-1.
Në minutën e 96-të Genoa fitoi penallti, por Nicolae Stanciu dështoi të shënojë nga pika e bardhë duke goditur mbi traversë.
Pas këtij barazimi, Milani shkon në kuotën e 39 pikëve dhe aktualisht pozicionohet në vendin e dytë në tabelë./Telegrafi/
Në tregun italian të transferimeve, emri më i përfolur në këto ditë është Federico Chiesa, i cili duket se nuk hyn në planet e trajnerit Arne Slot te Liverpooli.
Sipas mediave, ai është vlerësuar ndërmjet 12 dhe 15 milionë eurosh për të mundur të largohet gjatë këtij afati kalimtar dimëror nëse situata e kërkon.
Liverpooli kishte dukur se po rifitonte ritmin në javët e fundit, por dy barazime të reja ndaj Leeds United dhe Fulham kanë rikthyer dyshimet mbi performancën e skuadrës në Anfield.
Në konferencë për shtyp, Arne Slot shprehu indinjatën e tij ndaj kritikave që e cilësojnë ekipin e tij si “të mërzitshëm”, duke theksuar se gjatë karrierës së tij ka preferuar gjithmonë një futboll sulmues.
Megjithatë, për të menaxhuar valën e humbjeve të fundit, trajneri holandez ka zgjedhur të fusë një mesfushor të katërt, Florian Wirtz, për të marrë më shumë kontroll në mesfushë, në vend që të përdorte një sulmues krahu natyral si Chiesa, i cili duket se nuk hyn plotësisht në planet e tij këtë dimër.
Garë për rikthimin e Chiesas
Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, Milan dhe Napoli janë dy skuadrat me shanse.
Për Napolin, transferimi i Chiesas do të varej nga largimi i Noa Lang drejt Turqisë, ndërsa për Milanin, dëmtimi i fundit i Nkunku ka rritur nevojën për një zëvendësues.
Megjithatë, favoriti kryesor për të siguruar shërbimet e tij duket se është Juventusi.
Nga Torino kanë marrë sinjalin se për ta sjellë Chiesan ne Liverpool ne janar, duhet të paguajnë 12-15 milionë euro, dhe duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike të klubit, duket se do të përpiqen të negociojnë deri në çastin e fundit për një ulje çmimi që të përputhet me buxhetin aktual.
Federico Chiesa, 28 vjeç, luajti 14 ndeshje për Liverpoolin sezonin e kaluar në të gjitha kompeticionet, ku shënoi 2 gola dhe regjistroi 1 asistim. /Telegrafi/
Ne jemi mësuar tashmë që Superkupa e Italisë dhe Superkupa e Spanjës nuk luhet më para fillimit të sezonit, siç ishte më parë rasti në Angli dhe Gjermani, por zhvillohet tani gjatë dimrit. Dhe të dy turnetë janë mbajtur disa herë në Arabinë Saudite.
Italianët tashmë e kanë zhvilluar Superkupën e tyre – në dhjetor, Napoli ngriti trofeun në një turne ku morën pjesë edhe Bologna, Inter dhe Milan.
Ndërkohë, në Spanjë, fituesi do të përcaktohet në fundjavë – me Real Madrid dhe Atletico Madrid që kërkojnë një vend në finale ku është Barcelona tashmë.
Por pse këto kompeticione nuk zhvillohen në vendet e tyre dhe pse tani luhet me format katër ekipe? Le të analizojmë.
Superkupa italiane “jashtë vendit” që nga vitet ’90 – Arabia Saudite siguron fondin më të madh të çmimeve
Arabia Saudite është vetëm stacioni më i fundit në historinë e gjatë të udhëtimeve të Superkupës italiane. Kompeticioni u luajt për herë të parë jashtë vendit në 1993 në Shtetet e Bashkuara, kur Milan mundi Torinon 1-0 në Uashington.
Që atëherë, Superkupa u zhvillua edhe një herë në SHBA, dy herë në Katar dhe katër herë në Kinë – gjatë një periudhe kur futbolli në Kinë po rritej ndjeshëm. Më e veçanta mbetet Tripoli, kryeqyteti i Libisë, ku Juventus mposhti Parmën 2-1 në vitin 2002.
Që nga 2018 (me ndërprerje për shkak të COVID në 2020 dhe 2021), Superkupa italiane zhvillohet në Arabinë Saudite. Sikurse ndodhi më parë në Katar, kjo lëvizje ndikoi edhe në kohën e zhvillimit të turneut – në vend që të shërbente si ndeshje hapëse e sezonit, ajo zhvillohet tani gjatë dimrit për shkak të kushteve klimatike.
Arabia Saudite ka ndikuar edhe te formati i turneut. Që nga Superkupa e 2023 (luajtur në janar 2024), kalimi në një turne me katër ekipe – dy gjysmëfinale dhe një finale, në vend të një ndeshjeje të vetme – ishte një kërkesë kontratat e vendosura nga Arabia Saudite ndaj organizatorëve.
Në këmbim, mbreti i Gjirit paguan 23 milionë euro në vit për Serie A, prej të cilave 16.2 milionë euro shkojnë direkt në fondin e çmimeve – më i madh midis të gjitha superkupave evropiane. Fituesi merr 8 milionë euro, i dyti 5 milionë euro, ndërsa gjysmëfinalistët marrin nga 1.6 milion euro secili.
Superkupa spanjolle – më fitimprurëse, por e varur nga Real Madrid dhe Barcelona
Pas një eksperimenti në Marok në 2018, Spanja gjithashtu ka zhvilluar Superkupën e saj në Arabinë Saudite që nga 2020 (me ndërprerje në 2021 për shkak të COVID). Spanjollët ishin pionierë të formatit me katër ekipe, duke e futur atë për herë të parë në janar 2020. Në krahasim, Italia mbajti formatin tradicional deri në 2024.
Arabia Saudite paguan Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) më shumë sesa italianët – 40 milionë euro për çdo edicion deri në 2028. Megjithatë, vetëm rreth 12 milionë euro shkojnë direkt në fondin e çmimeve për klubet. Një pjesë e konsiderueshme e parave shpërndahet edhe para fillimit të turneut.
Ka gjithashtu një varësi të qartë nga Real Madrid dhe Barcelona. Nëse asnjë prej gjigantëve spanjollë nuk arrin finalen, federata rrezikon të humbasë 10 milionë euro, dhe një tjetër 5 milionë euro nëse njëri prej tyre nuk kualifikohet për turneun fare.
Derimë tani, federata ka shmangur çdo penalitet – çdo finale e zhvilluar në Arabinë Saudite ka përfshirë ose Real Madrid ose Barcelonën, me tre finalet e fundit që kanë qenë direkt midis këtyre dy klubeve. /Telegrafi/
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka thotë se po e “shikon” vetëm një duel titulli midis Interit dhe Napolit, të cilët mbeten favoritë për të fituar Scudetton këtë sezon.
Milani renditet i dyti në tabelën e Serie A, vetëm një pikë poshtë liderit, Inter. Nga ana tjetër, kuqezinjtë kanë një pikë epërsi ndaj Napolit të vendit të tretë, por Allegri përsërit se Nerazzurrët dhe Partenopei janë favoritët për titull këtë sezon.
Një gazetar me shaka i kërkoi sot teknikut italian të etiketonte se kush midis tij, Cristian Chivu dhe Antonio Conte, ishte i keqi, i miri dhe i shëmtuari, dhe Allegri u përgjigj duke buzëqeshur: “Nuk e di, mund të them vetëm se tani për tani, unë jam në anën e atij që po e shikon duelin”.
Napoli do të presë sot Veronën, e cila po vuan, ndërsa Interi do të vizitojë Parmën, por Nerazzurrët dhe Partenopei do të takohen në San Siro të dielën në një përballje për titull.
Interi dhe Napoli kanë humbur nga katër ndeshje në Serie A secili, ndërsa Milani ka humbur vetëm një herë dhe është i pamposhtur në 16 xhirot e fundit të ligës. Interi nuk ka barazuar asnjë ndeshje këtë sezon, me 13 fitore dhe katër humbje.
"Statistikisht, duket si një anomali, por me kalimin e një sezoni, numrat ekuilibrohen", vuri në dukje Allegri.
"Nuk mendoj se një ekip mund të përfundojë pa barazime, por kjo mund të ndodhë. Mendoj se titulli do të përfundojë rreth 86-88 pikëve, por varet edhe se si do të shkojnë ndeshjet kokë më kokë".
Milani ka shënuar me gjuajtjen e parë në portë në 12 ndeshjet e Serie A këtë sezon, megjithatë një pjesë e medias po e kritikon Allegrin për stilin e tij të lojës në mbrojtje.
“Kritika është gjithmonë e mirë nëse bëhet në mënyrën e duhur. Të stimulon. Askush nuk e mban të vërtetën absolute, sigurisht jo unë”, u përgjigj Allegri.
"Forca e këtij grupi është se çdo ditë ata vijnë në stërvitje me dëshirën për t'u përmirësuar. Ne pësuam 10 gola kundër Pisas, Cremoneses, Sassuolos, Torinos dhe Parmës. Pati një periudhë ku na ra përqendrimi; shpresojmë që nesër të mund të tregojmë vazhdimësi”, përfundoi trajneri i Milanit.
Të enjten, Rossonerët do të presin Genoan në San Siro. /Telegrafi/
I vetëdijshëm për interesimin e madh që Rafael Leao po ngjall te disa prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian, AC Milan ka vendosur të veprojë.
Drejtuesit kuqezi kanë nisur lëvizjet konkrete me objektivin e qartë për të rinovuar kontratën e yllit portugez, i cili është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës.
Leao iu bashkua Milanit në vitin 2019 për shumën e 50 milionë eurove dhe, që prej asaj kohe, është konsoliduar si një prej liderëve të ekipit.
Në një sezon ku Milani konsiderohet ndër favoritët për titullin në Serie A, 26-vjeçari po dhuron paraqitje të rëndësishme, pavarësisht problemeve fizike që e kanë mbajtur larg fushës në disa ndeshje.
Deri më tani, ai ka regjistruar 7 gola dhe 1 asistim në 13 paraqitje.
Forma e tij e mirë dhe potenciali i madh e kanë bërë Leaon një emër të përhershëm në zërat e afatit kalimtar.
Disa gjigantë evropianë po monitorojnë nga afër situatën e tij, me Bayern Munich që përmendet shpesh si një nga klubet më të interesuara, edhe pse nuk është i vetmi.
Megjithatë, pozicioni i Milanit është i qartë: klubi dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me sulmuesin portugez.
Sipas gazetarit Daniele Longo të CalcioMercato, drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet për të zgjatur kontratën aktuale deri më 30 qershor 2028.
Në ditët dhe javët në vijim pritet zhvillime të rëndësishme rreth së ardhmes së Rafael Leao, një dosje që premton të jetë ndër më të nxehtat e afatit kalimtar./Telegrafi/