Marrëveshja Danimarkë – Kosovë për të burgosurit, transferimet e para në 2027
PRISHTINË, 9 janar /ATSH/ Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez.
Ai njofton se ka filluar trajnimi i grupit të parë të stafit me rregulla të sistemit të burgjeve në Danimarkë. Në intervistën për KosovaPress, ai thekson se nuk kanë interes për marrëveshje me shtete të tjera për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Ai gjithashtu flet për rastet e parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve, por edhe përfshirjen e zyrtarëve korrektues në këto raste.
Në këtë intervistë, drejtori Ismail Dibrani thekson se drejtor i burgut në Gjilan do të jetë Rasim Selmani, po ashtu njofton se është zgjedhur edhe guvernatori nga shteti danez.
“Është vjeshta e vitit 2027 kur do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez. Kështu që atje janë duke bashkëpunuar ngushtë grupet teknike të dy shteteve, sepse janë të themeluara dy komitete drejtuese nga shteti i Kosovës dhe shteti i Danimarkës, të cilët janë duke hartuar planet se si do të funksionojë ky burg. Ka filluar trajnimi i stafit, sepse ju e dini që atje do të respektohet rendi shtëpiak danez, ka filluar trajnimi i grupit të parë… Shumica e stafit që do të punojnë në këtë burg do të trajnohet në Danimarkë sipas rregullave dhe sistemit danez të burgjeve. Përveç aspektit të përfitimit të praktikave më të mira të sistemit danez, ne do të kemi mundësi që këto praktika t’i implementojmë edhe në burgje të tjera, ato praktika që janë edhe në përputhje me legjislacionin tonë”, deklaron ai.
Dibrani thotë se në këtë burg nuk do të vendosen të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda të shëndetit mendor.
KosovaPress mëson se edhe Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë kërkesë për marrëveshje për transferimin e të burgosurve në Kosovë.
Megjithatë, Dibrani shpreh kundërshtinë e tij, duke thënë se “nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën”.
“Si Shërbim Korrektues nuk kemi interes që të lidhim marrëveshje të tjera për shumë arsye. Po, ka pasur shumë kërkesa prej shumë shteteve të Bashkimit Evropian, por që rekomandimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës do të jetë jo marrëveshje të reja sepse kemi mjaft punë për të bërë me këto institucione, me këta të burgosur që kemi të shtetasve tanë. Dhe nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën edhe me të burgosur të shteteve të tjera”, shton ai.
Buxheti i vitit të ardhshëm parasheh rreth tetë milionë euro për investime kapitale për Shërbim Korrektues të Kosovës.
Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani thotë se kanë planifikuar ndërtimin e burgut të Lipjanit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren.
Në anën tjetër, Dibrani bën të ditur se gjatë tri viteve të fundit janë regjistruar mbi 600 raste të parandalimit të kontrabandës brenda institucioneve korrektuese.
Të burgosurit përdorin metoda të ndryshme për futjen e kontrabandës, përfshirë përmes familjarëve, trupit, ushqimit, por edhe mjeteve më të sofistikuara si dronët.
Në disa raste ndihmohen edhe nga zyrtarë korrektues, por sipas Dibranit këto raste janë në ulje.
Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë vitit të kaluar është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (ICPA), për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.
Dibrani thotë se të burgosurit po përfshihen në programe rehabilituese, të cilat ndikojnë risocializimin e tyre.
Në gjitha qendrat korrektuese në Kosovë janë mbi 1750 të burgosur, prej tyre janë 1100 të dënuar dhe 600 të paraburgosur. Ndërkaq, kapaciteti në të gjitha burgjet e Kosovës është 2200 shtretër.
/Kosovapress/
The post Marrëveshja Danimarkë – Kosovë për të burgosurit, transferimet e para në 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
