Shqipëria në Bordin e Paqes, Spiropali: Moment me peshë të veçantë, nuk është çështje partiake
TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se ky është një moment me peshë të veçantë për mënyrën se si Shqipëria po shihet dhe po dëgjohet në arenën ndërkombëtare.
Spiropali u shpreh se pak ditë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka drejtuar Kryeministrit Edi Rama një ftesë të pazakontë, e cila, sipas saj, e pozicionon Shqipërinë si anëtare themeluese të një mekanizmi të ri ndërkombëtar të quajtur Bordi i Paqes.
“Një ftesë që nuk është e zakonshme dhe që e pozicionon vendin tonë si anëtare themeluese të një mekanizmi të ri ndërkombëtar. Jo për të marrë pjesë formalisht, por për të qenë e ftuar përtej simbolikës, për të qenë aty që në fillim në ndërtimin e këtij mekanizmi. Kjo ka rëndësi”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se kjo çështje nuk duhet parë si një debat partiak apo si përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
“Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje mazhorance apo opozite. Kjo është çështje e shtetit shqiptar dhe e mënyrës sesi ne e kuptojmë veten dhe rolin tonë në botë”, u shpreh ministrja.
Duke iu drejtuar deputetëve në sallë, Spiropali pranoi se dallimet politike janë normale në një parlament, por theksoi se ka momente kur këto ndarje nuk ndihmojnë.
“Në këtë sallë kemi dallime politike, dhe kjo është normale. Por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë, dhe ky është njëri prej tyre”, theksoi ajo.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të ngritura në publik se pse Shqipëria pranon anëtarësimin në Bordin e Paqes dhe nëse kjo nënkupton largim nga Bashkimi Evropian, Spiropali u shpreh se Shqipëria nuk po zgjedh mes aleancave.
“Shqipëria po vepron brenda orientimit të saj strategjik të pandryshuar. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet vokacioni ynë historik dhe kombëtar, objektivi ynë kryesor politik, institucional dhe shoqëror. Ai nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër”, deklaroi Spiropali.
Ajo shtoi se duhet thënë me ndershmëri se Bashkimi Evropian është destinacioni i brendshëm i Shqipërisë, ndërsa politika e jashtme e vendit është ndërtuar mbi marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi përgjegjësinë për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.
“Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk është strukturë integrimi. As nuk është alternativë ndaj multilateralizmit, në të cilin ne besojmë fort. Ai është një mekanizëm ndërkombëtar për ndërtimin dhe menaxhimin e paqes në një botë që po ndryshon shumë shpejt. Shqipëria nuk hyn në Bordine e Paqes të për të zëvendësuar asgjë, por për të kontribuar aty ku ka besim dhe përgjegjësi”, u shpreh ministrja.
Në përfundim, Spiropali theksoi se këto janë dy rrugë dhe nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, sipas saj, ato e forcojnë njëra-tjetrën.
/gj.m/a.f/
The post Shqipëria në Bordin e Paqes, Spiropali: Moment me peshë të veçantë, nuk është çështje partiake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
