Kuvendi shqyrton sot dekriminalizimin e shpifjes
TIRANË, 27 janar /ATSH/ Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës është shqyrtimi dhe votimi i ndryshimeve në Kodin Penal për dekriminalizimin e shpifjes.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet e përhershme të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes.
Po ashtu, Kuvendi merr në shqyrtim ndryshimet në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nismë e deputetit socialist Olsi Komici.
Deputeti gjatë prezantimit në komisione është shprehur se projektligji është ndërhyrje e domosdoshme për forcimin e themeleve të Reformës në Drejtësi dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian.
Komici vuri në dukje se ndryshimet e propozuara adresojnë problematika të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual, veçanërisht mungesën e drejtuesve të përhershëm në gjykata dhe prokurori, nevojën për rritjen e transparencës së vendimmarrjes së Këshillave, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të integritetit të kandidatëve për magjistratë.
Ndërkaq, në rendin e ditës është edhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë””.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe Aktin Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2025.
Gjithashtu, parlamenti do të shqyrtojë projektligjet për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente.
Në seancë do të diskutohet gjithashtu projektligji për aderimin e Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, si dhe për ratifikimin e vendimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, përkatësisht për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë.
Për shqyrtim është edhe projektligji për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, kontrollin e lëndëve narkotike dhe psikotrope, barnat narkotike, parandalimin e dhunës në familje, lobimin, importin dhe eksportin e armëve të zjarrit, konfliktin e interesave në funksionet publike, mbrojtjen nga diskriminimi dhe organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit.
/gj.m/j.p/r.e/
The post Kuvendi shqyrton sot dekriminalizimin e shpifjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.