Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim
TIRANË, 5 janar /ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi katër protestues të Lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe vuri nën hetim gjashtë të tjerë, pasi sipas saj, gjatë protestës së zhvilluar dje, u hodhën sende të forta të drejtim të Policisë së Shtetit, ku për pasojë u plagosën dy efektivë.
Policia njoftoi se ka vënë në pranga shtetasit “E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan dy punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”.
Gjithashtu, policia procedoi penalisht edhe tre protestues të tjerë, përfshirë edhe drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të hapësirës publike përpara Kryeministrisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.
/m.q/a.f/r.e/
The post Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.