Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet

20 January 2026 at 18:46


Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat.

Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar.

“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,” tha ai.

Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.

Përmbytja ishte e parandalueshme

Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”.

Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.

Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH.

Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.

Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.

“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh.

Përgjegjësia është institucionale

Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes.

Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.

Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai.

Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.

“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”, thekson Preçi.

Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.

Përfundim

Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.

​Rruga Prishtinë-Ferizaj edhe sot e mbyllur, askush nuk intervenoi

11 January 2026 at 15:00


Rruga nacionale Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas që nga dje por edhe sot po vazhdon të jetë e mbyllur si pasojë e ujit në rrugë.

KosovaPress dje dhe sot ka qëndruar në këtë pjesë për të parë nga afër situatë.

Aty veturat po detyrohen të kthehen. Ndërkohë, deri tash nuk janë parë ndonjë ekipë të ketë intervenuar për ta larguar këtë pengesë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të infrastrukturës, Hysen Durmishi ka shkruar dje se në rrugën Prishtinë - Ferizaj, ende kemi bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike. /KP/

Rruga Ferizaj-Gjilan vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të ujit

11 January 2026 at 11:10


Rrugët në rajonin e Ferizajt, duke përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë kryesisht të kalueshme për qarkullim, njofton Policia Rajonale e Ferizajt.

Përjashtim bën aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojev, i cili për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë mbetet i mbyllur për qarkullim.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli shtoi se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.

Ai apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër fshatra, ku kushtet atmosferike dhe sasia e borës mund të ndikojnë në qarkullim.

Veslei gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës.

Policia njofton se patrullat janë në terren dhe do të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e rrugëve për sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/

FC Drenica apelon për ndihmë: Reshjet e shiut shkaktojnë dëme të mëdha në stadium

7 January 2026 at 22:49


Klubi i Futbollit Drenica ka bërë një thirrje publike për ndihmë dhe solidaritet, pas dëmeve të mëdha që reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar në fushën e stadiumit të klubit, duke e bërë atë të papërdorshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Sipas njoftimit të klubit, gjatë muajve të fundit janë bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e fushës së stadiumit, me shumë mund, përkushtim dhe sakrificë, me synimin që infrastruktura sportive t’i përgjigjet standardeve dhe nevojave të lojtarëve, klubit dhe gjithë qytetit.

Megjithatë, brenda pak orësh, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme serioze, duke shkatërruar punën e ndërtuar me aq përkushtim.

Klubi ka publikuar edhe video që tregojnë gjendjen e fushës para investimeve, pas përfundimit të punimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se pamjet flasin qartë për situatën e rëndë aktuale.

FC Drenica i është drejtuar me respekt institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe institucioneve të tjera relevante, duke kërkuar përkrahje urgjente për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e stadiumit në funksion.

Sipas klubit, ndihma institucionale është jetike për vazhdimin e garave në kampionat dhe pa këtë përkrahje ekziston rreziku real që rrugëtimi sportiv i klubit të vihet në pikëpyetje.

Njëkohësisht, FC Drenica ka bërë thirrje për solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi është më shumë se një ekip futbolli – është pjesë e historisë, e rinisë dhe e identitetit sportiv të rajonit.

“Me ndihmën e të gjithëve, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u ofrojmë lojtarëve tanë kushtet që i meritojnë. Kërkojmë përkrahje që infrastruktura të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, thuhet në thirrjen e klubit.

FC Drenica thekson se kjo thirrje është një apel për ruajtjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke përmbyllur mesazhin me sloganin: “Drenica është e Kosovës!”. /Telegrafi/

Kurti: Sonte natë kritike në rrugët e Kosovës, shmangni lëvizjet e panevojshme

7 January 2026 at 22:45


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.

Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.

Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.


Në Ohër dhe Kërçovë janë përmbytur disa lokacione

7 January 2026 at 19:29


Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, situata në pjesën më të madhe të territorit të Maqedonisë së Veriut është e qëndrueshme dhe pa ndërprerje.

Në Kumanovë, Likovë, Nagoriçan të vjetër, Kriva Pallankë, Rankovcë dhe Kratovë nuk ka dalje të lumenjve, dhe shërbimet komunale po e monitorojnë situatën.

Shkup, Strumicë, Veles, Kavadar, Negotinë, Sveti Nikollë dhe Shtip, nuk janë raportuar përmbytje ose rrëshqitje të dheut.

Megjithatë, në Ohër, janë raportuar bodrume, garazhe dhe oborre të përmbytura në disa lokacione, dhe Komuna e Ohrit dhe Shtabi i Krizave po veprojnë sipas raporteve.

Në Kërçovë, ndërtesat banesore në rrugën "Prilepska" janë përmbytur, dhe ekipet nga Komuna e Kërçovës, Instituti Shtetëror i Sigurimeve Shoqërore, Kryqi i Kuq dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Komunalec" janë në terren për të evakuuar banorët e rrezikuar.

Në Strugë, është raportuar rrëshqitje dheu në rrugën nga fshati Tatesh në fshatin Mislodezhda, dhe Ndërmarrja Publike e Shërbimeve "Rrugët e Maqedonisë" po merr masa për sanim.

Në Manastir dhe Resnjë, është regjistruar një rrëshqitje dheu pranë fshatit Sirhan, ndërsa në fshatin Drmeni janë përmbytur dy oborre.

Reshjet e shiut vazhdojnë, dhe institucionet kompetente po monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit të lumenjve dhe gjendjen e terrenit.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë evakuime dhe pakënaqësi në Shqipëri

7 January 2026 at 18:27

Disa qytete dhe fshatra janë prekur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm që filluan të martën në Shqipëri, duke shkaktuar mbylljen e shkollave në Durrës, një nga qytetet më të dëmtuara. Ministria e Mbrojtjes nuk ka publikuar ende një raport të dëmeve të deritanishme, por situata duket dramatike në disa qytete. Lideri i opozitës, Sali Berisha […]

The post Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë evakuime dhe pakënaqësi në Shqipëri appeared first on Reporter.al.

IKSHPK paralajmëron probleme me ujin e pijes në disa rajone pas reshjeve të shiut

7 January 2026 at 17:31


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se pas reshjeve të fundit të shiut, janë paralajmëruar probleme me ujin e pijes në disa rajone, gjatë së mërkurës, më 07.01.2026.

Sipas IKSHPK-së, në rajonin e Prishtinës, fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa sistemet në Badovc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe aktualisht nuk ka probleme me cilësinë e ujit në rrjet.

Në rajonin e Prizrenit, thuhet se uji nga “40 bunarët” përdoret vetëm për nevoja sanitare dhe nuk është i sigurt për pije, ndërsa në burimet e tjera si Cvilen dhe Soz, është i sigurt.

Në Suharekë dhe Malishevë, raportohet se uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për pije, ndërsa në Dragash gjendja paraqitet stabile.

Në rajonin e Gjilanit, uji i pijes thuhet se është në rregull në qytetin e Gjilanit, por në fshatin Berivojcë të Kamenicës janë vërejtur nitrate të rritura dhe uji nuk rekomandohet për pije. Në Viti, furnizimi është ndërprerë për shkak të turbullirës.

Në rajonin e Pejës thuhet se janë vërejtur turbullira në disa burime, me ndërprerje të furnizimit në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë. Në Pejë, furnizimi nga burimi i Radacit ka rifilluar normalisht.

Sipas njoftimit, uji i pijes në Ferizaj dhe Gjakovë është i sigurt, përderisa në disa burime lokale në rajonin e Gjakovës uji nuk duhet të përdoret për pije.

Instituti njofton po ashtu se edhe në rajonin e Mitrovicës, uji ende nuk është i sigurt për konsum për shkak të turbullirës së madhe dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar.

IKSHPK u rekomandon qytetarëve që ujin nga bunarët e pambrojtur ta vlojnë para përdorimit, të përdorin vetëm burime të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të institucioneve në komunat e tyre.

“Qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt. Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut. Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta”- thuhet në njoftimin publik.

Pamje me dron të lumit Drin pas reshjeve të rrëmbyeshme që shkaktuan vërshime

7 January 2026 at 17:21


Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale, probleme në infrastrukturë dhe vështirësi në qarkullim.

Si pasojë e përmbytjeve, autoritetet u detyruan të shtyjnë për disa ditë rifillimin e procesit mësimor pas pushimit dimëror, për shkak të situatës së rënduar dhe rrezikut për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje të pronave private, tokave bujqësore dhe rrugëve, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe evakuime të banorëve. Të martën, qarkullimi në disa akse rrugore është bllokuar përkohësisht për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Telegrafi ka realizuar disa fotografi përmes dronit, të cilat pasqyrojnë gjendjen e krijuar nga vërshimet e lumit Drin.

Pamjet tregojnë shtrirjen e madhe të ujit dhe dëmet e shkaktuara në zonat përreth, duke dëshmuar përmasat e situatës.

Autoritetet kompetente janë në terren dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë lumenjve dhe rrugëve të rrezikuara nga përmbytjet, derisa situata të stabilizohet.

Foto: Telegrafi

Foto: Telegrafi



Foto: Telegrafi


Shkëputet masivi shkëmbor, bllokohet rruga në aksin Gjirokastër-Tepelenë

7 January 2026 at 16:11


Një incident ka ndodhur sërish në aksin rrugor që lidh Gjirokastrën me Tepelenën. Nga vendngjarja bëhet me dije se një masiv shkëmbor është shkëputur nga shpati i malit duke rënë në rrugë, e për pasojë ka sjellë bllokimin e rrugës.

Pjesa e masivit shkëmbor ka rënë në zonën që njihet si “Shkalla e Zezë”. Strukturat e emergjencës po punojnë për largimin e dherave dhe rikthimin e qarkullimit të mjeteve. Ndërkohë policia njofton qytetarët që për shkak të këtyre kushteve të vështira, edhe rruga në këtë aks funksionon me një sens lëvizjeje.

Njoftimi i plotë i policisë:

Njoftojmë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, se si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe guresh, për shkak të kushteve atmosferike me reshje të dendura shiu, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Strukturat e Emergjencës dhe me ato të ARrSh-së po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës.

Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve me uniformë dhe me automjete të pajisura me fenelina, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe ofrimin e ndihmës përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.

Policia e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi ka prezencë të ujit në akset rrugore.

Gjithashtu, apelon për vëmëndje të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Dy ditë reshje në Kosovë, sasia e tyre arrin 43 mm sipas IHMK-së

7 January 2026 at 09:11


Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë periudhës nga 5 deri më 6 janar 2026, në territorin e Kosovës është regjistruar një sasi mesatare reshjesh prej 43 mm.

Në bazë të të dhënave sipas pellgjeve lumore, reshjet kanë qenë më të mëdha në: Drini Bardhë me 76.2 mm, Lepenci me 47.9 mm, Ibri me 27.8 mm dhe Morava e Binçës me 19.9 mm.


Si pasojë e këtyre reshjeve intensive, shumica e lumenjve në Kosovë, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe qendrore, kanë pësuar ngritje të ndjeshme të niveleve, duke dalë në disa segmente nga shtrati dhe shkaktuar përmbytje lokale.

Situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica dhe Lumi i Istogut, sidomos në degët e tyre malore.

Lumenjtë në lindje dhe jug të vendit, si Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci dhe Nerodimja, kanë pasur ngritje të lehtë të niveleve dhe aktualisht nuk paraqesin problem.

IHMK paralajmëron se reshjet do të vazhdojnë gjatë natës dhe ditës së nesërme, që do të vështirësojë edhe më shumë situatën e krijuar.

Banorët dhe autoritetet lokale kërkohen të jenë vigjilentë dhe të marrin masat e nevojshme për parandalimin e dëmeve nga vërshimet. /Telegrafi/

Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën dhe dy banesa në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati

By: V K
7 January 2026 at 08:13

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa.

Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa fatmirësisht banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.

Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, duke përmbytur pazarin e gjësë së gjallë. Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 metra.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar dhe si masë parandaluese janë evakuuar 12 banesa.

Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë, vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

The post Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën dhe dy banesa në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati appeared first on Albeu.com.

Shqipëria nën pushtetin e motit të keq/ Rritet niveli lumit Vjosa në Urën e Mifolit, shkon në 5.9 metra

By: Rovena
6 January 2026 at 23:43

Reshjet e dendura të shiut në Qarkun e Gjirokastrës kanë sjellë rritje të nivelit të lumit Vjosa, veçanërisht në zonën e Novoselës. Autoritetet janë në komunikim të vazhdueshëm me Prefekten e Qarkut Gjirokastër për ndjekjen nga afër të situatës dhe vlerësimin e çdo rreziku të mundshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, në orën 21:00 niveli i lumit Vjosa në Urën e Mifolit ka arritur kuotën 5.9 metra. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë në mënyrë të pandërprerë zhvillimet, si dhe parashikimet e motit për orët dhe ditët në vijim.

Të gjitha strukturat qendrore dhe vendore në nivel qarku janë angazhuar për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast të përkeqësimit të situatës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë lumit./abcnews.al

800 shtëpi me prezencë uji, evakuohen 180 banorë, Vengu nga Durrësi: Rreziku nuk ka kaluar

6 January 2026 at 21:05


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi mbrëmjen e së martës Komitetin e Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit lidhur me situatën nga përmbytjet në këtë qark.

Pas mbledhjes ministri deklaroi se situata e përmbytjeve në qarkun e Durrësit mbetet ende problematike. Sipas tij, rreth 800 banesa janë prekur nga prezenca e ujit, ndërsa 180 persona janë evakuuar për shkak të rrezikut.

Vengu theksoi se strukturat janë në terren dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.

Ai bëri me dije se forcat e emergjencave civile, bashkitë dhe institucionet përkatëse janë të angazhuara për menaxhimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme aty ku është e nevojshme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve

6 January 2026 at 15:43


Komuna e Shtimes ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me reshjet e dendura që kanë përfshirë rajonin dhe që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Situata aktualisht në komunën tonë është jashtë rrezikut, por kërkohet vigjilencë e vazhdueshme,” thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet lokale apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që mund të rrezikojë sigurinë publike.

“Apelojmë te qytetarët që gjatë lëvizjes të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informojnë autoritetet për çdo rrezik të mundshëm,” theksohet në njoftim.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

  • Zjarrfikësit: 193
  • Policinë: 192
  • Emergjencat: 112
  • Drejtorinë për Shërbime Publike: +383 44 172 839

Institucionet e Komunës së Shtimes janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës.

Reshjet e shiut shkaktojnë vështirësi në Prishtinë, autoritetet paralajmërojnë qytetarët

6 January 2026 at 15:39


Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, duke bërë apel për respektimin e masave të sigurisë.

“Sipas raportimeve tona, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar deri tani në mbi 40 raste, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm,” theksojnë nga Drejtoria.

Autoritetet paralajmërojnë se gjatë orëve në vijim, nëse intensiteti i reshjeve vazhdon, mund të paraqiten vështirësi shtesë, veçanërisht në zonat rurale të Prishtinës.

Në këtë kontekst, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u bën thirrje qytetarëve:

  • Të shmangin lëvizjet në zona të përmbytura dhe të mos kalojnë përmes ujërave të rrjedhshëm.
  • Të mos parkojnë automjetet pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve.
  • Të sigurojnë bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve.
  • Të raportojnë çdo situatë emergjente tek numrat zyrtarë të emergjencës.

“Drejtoria po koordinon të gjitha aktivitetet dhe menaxhimin e situatës në terren, në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar,” shtojnë autoritetet.

Çdo situatë emergjente mund të raportohet në numrat e telefonit: 0800 122 33; 0800 122 44. /Telegrafi/


Vërshimet bllokojnë akset kryesore të Drenasit, Lladrovci bënë thirrje për kujdes

6 January 2026 at 14:36


Komuna e Drenasit po përballet me vërshime të rënda, që kanë goditur dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci njoftoi se nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Rrugët kryesore në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve janë ndërprerë për qarkullim, ndërsa vështirësi po raportohen edhe te ura e Shtrubullovës.

Lladrovci ka shtuar se dalja në magjistrale po bëhet përmes rrugëve alternative. Po ashtu, qindra hektarë tokë janë të vërshuara, ndërsa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës. Kryetari paralajmëron se priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë.

Në këtë situatë, Lladrovci falënderoi institucionet dhe qytetarët për përkrahjen e tyre.

“Falënderoj Presidenten, Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, z. Elbert Krasniqi dhe z. Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin dhe ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes”, ka shkruar Lladrovci.

Ai shtoi ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë.

Komuna e Drenasit vijon të monitorojë situatën dhe të angazhohet për të siguruar ndihmë dhe për të menaxhuar emergjencën. /Telegrafi/

Uji arrin deri te dritaret, disa zona të Gjakovës nën ujë

6 January 2026 at 12:33


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar gjendje të rënduar edhe në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth.

Në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre.

Pamje nga rrugët “Myrtë Zeneli”, “Jakova” në Pjetërshan dhe “Bekim Fehmiu”, si dhe nga fshatrat Shqiponjë, Babaj i Bokës, Rracaj dhe përgjatë rrjedhës së lumit Erenik, tregojnë përmbytje të konsiderueshme.

Si pasojë e dëmtimeve, ura në rrugën “Fehmi Agani” është në gjendje të rëndë dhe është ndaluar për qarkullim, ndërsa autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe apelojnë për kujdes të shtuar. /Telegrafi/




​Kolona në magjistralen Fushë Kosovë - Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

6 January 2026 at 12:01


Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës. /KP/

IKSHPK del me këshilla për qytetarët pas reshjeve të shiut

6 January 2026 at 10:37


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar pas reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit, duke theksuar ndikimin e mundshëm të tyre në shëndetin publik.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.

Megjithatë Instituti shprehet se qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Instituti gjithashtu paralajmëron për kujdes me ushqimin.

“Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut”, thuhet në njoftim.

Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme.

“Rekomandohet që grupet më të ndjeshme të shmangin lëvizjet e panevojshme”, njofton IKPSHK.

IKSHPK fton qytetarët të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ndjekin këshillat e institucioneve për të parandaluar rreziqet shëndetësore. /Telegrafi/

❌
❌