Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 January 2026Main stream

Rama: Qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj qytetarëve

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot mbështetje të plotë për qytetarët e prekur nga situata e përmbytjeve, duke theksuar se qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj tyre, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë.

Rama kujtoi se kur qeveria aktuale mori detyrën, trashëgoi borxhe të shumta nga përmbytjet, veçanërisht në zonën e Shkodrës, të cilat sipas tij janë shlyer një e nga një. Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës mbrojtëse ka ndikuar që dëmet nga përmbytjet të jenë më të pakta, pavarësisht përkeqësimit të sfidave klimatike.

“Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgimia aleatët e shiut ishte edhe një pjesë të tërë borxhesh nga përmbytjet zonës së Shkodrës. Në i shlyem një më një ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, përkundrazi kemi përballuar me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik jo vetëm detyrimet nga përmbytjet, që edhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta, kanë qenë sidoqoftë shumë më pak pikërisht sepse ne kemi rritur ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të infrastrukturës sonë, apo detyrimet nga zjarret që janë një sfidë e rritur e viteve të fundit, por edhe detyrime marramendëse nga fatkeqësi si pandemia apo tërmeti, duke dalë më të fortë se para fatkeqësive e më të ditur për të përballura sfidat e së nesërme.

“Sot dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj herë se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”, tha Rama.

Gjatë mbledhjes së Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, Rama theksoi se puna intensive dhe mobilizimi në gjithë territorin do të vijojë pa u ndalur.

“Dua të theksoj se puna intensive dhe mobilizimi i pandalur 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjithash strukturave të shtetit si edhe bashkive, do të vazhdojë e pandërprerë deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike”, tha Rama.

Në fund, Rama u bëri thirrje deputetëve të shumicës qeverisëse që të jenë të pranishëm pranë qytetarëve edhe pas kalimit të situatës së vështirë.

“Nga ana tjetër dua t’u them të gjithë deputetëve të shumicës qeverisës të pranishëm në këtë mbledhje përmes zoom-it që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër, edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit”, tha Rama.

/m.q/a.f/

The post Rama: Qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK dërgon për gjykim Benet Becin dhe gjashtë të tjerë

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

SPAK njoftoi se “objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë”.

Sipas SPAK hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave”, njoftoi SPAK.

Konkretisht, sipas SPAK “nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

“I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k”.

Sipas SPAK në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me disa nene të ligjit “Për prokurimin publik”.

/m.q/a.f/

The post SPAK dërgon për gjykim Benet Becin dhe gjashtë të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi për zjarrin tek “5 Maji”: Të dëmshpërblehen tregtarët

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi për zjarrin që përfshiu disa magazina me mallra në zonën e “5 Majit” në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen jo si një aksident, por si pasojë direkte e politikave të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës.

Sipas Blushit, zjarri është rezultat i braktisjes së tregtarëve dhe i shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

“Zjarri në tregun “5 Maji” nuk është thjesht një ngjarje aksidentale. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme, të braktisjes totale të tregtarëve dhe të shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

“Neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve”, theksoi Blushi.

Deputeti i PL-së, kërkoi të merren masa konkrete për të dëmshpërblyer tregtarët.

“Sot, përveçse u dogjën stendat dhe malli, u dogj edhe mundi i familjeve që jetojnë nga puna e ndershme. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë përgjegjësi të plotë politike dhe morale. Heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë. Duhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim i menjëhershëm për tregtarët dhe fundi i politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë oligarkëve”, tha Blushi.

/m.q/a.f/

The post Blushi për zjarrin tek “5 Maji”: Të dëmshpërblehen tregtarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grabiti marketin në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Policia e Tiranës, arrestoi një 40-vjeçar pasi dyshohet si autor i grabitjes së një marketi një ditë më parë në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Policia njoftoi sot se “në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent””.

“Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.

Sipas policisë punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/a.f/

The post Grabiti marketin në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i avokatit në sallën e gjyqit, ILD nuk nis hetim disiplinor për gjyqtarin e prokurorin

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) përfundoi verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, ku ngrihen pretendime për shkelje etike, nga ana e prokurorit Gjergj Ceka dhe nga ana e gjyqtares Megi Strakosha, me avokatin Ulian Bajrami, gjatë debatit të zhvilluar në seancën e datës 17.10.2025 në Gjykatën e Elbasanit, për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit M. L. (S.)., që përfundoi me arrestimin e avokatit.

ILD njoftoi se nga analiza e të dhënave të grumbulluara nga verifikimi, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë, të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratit prokuror Gjergji Ceka, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe ndaj magjistrates gjyqtare Megi Strakosha me detyrë gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar.

Për këtë shkak, sipas ILD-së informacioni i bërë publik në media lidhur me pretendimet e ngritura për shkelje etike, duhet të arkivohet.

Lidhur me shkeljen e rregullave të etikës nga magjistrati Gjergji Ceka, theksoi se rasti do t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin etik-profesional për këtë magjistrat.

Lexo të plotë njoftimin e ILD

/m.q/a.f/

The post Arrestimi i avokatit në sallën e gjyqit, ILD nuk nis hetim disiplinor për gjyqtarin e prokurorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveri teknike me dy objektiva, zgjedhje të lira dhe larg duart nga drejtësia

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita do të kërkojë krijimin e një qeverie teknike, e cila do të realizoje zgjedhje të lira si dhe do të ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë.

Gjatë fjalës së tij në takimin “Zgjidhja për Shqipërinë”, me partitë opozitare e aktorë të tjerë të shoqërisë civile, Berisha theksoi se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë, po përmes votës së lirë.

“Ne kërkojmë një qeveri teknike thjesht me dy objektiva. Së pari përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ato nuk ekzistojnë më. Ne jemi forca politike opozitare, nuk vijmë në pushtet me dhunë. Jo, ne vijmë në pushtet me votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre. Por ne jemi të sigurt në mënyrë absolute se ne i fitojmë zgjedhjet.

“Se Edi Rrama nuk i fitonte kurrë ato zgjedhje në qoftë se nuk do organizonte me paratë e taksapaguesve 4500 aktivitete për të mashtruar qytetarët. Ne kërkojmë të votojmë të qetë, të votojmë të lirë. Kërkojmë që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë. Kërkojmë që ata që rrinë duarkryq ndaj krimit elektoral të ndëshkohen në mënyrën më të rëndë. Ndryshe Shqipëria të ardhme nuk ka. Historia ka provuar se zgjedhjet e lira, demokracia janë i vetmi regjim dhe sistem që krijon dhe ndërton të ardhme”, tha ai.

Së dyti, theksoi Berisha “qeveria do ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë”.

“Drejtësia nuk është e pagabueshme, por drejtësia nuk pengohet. Që kur është krijuar shteti mijëra e mijëra vjet më parë, është vendosur që një grupi të vogël njerëzish t’i jepet përgjegjësia për shqyrtimin e shkeljeve të ligjit dhe ndëshkimin për to. Dhe në qoftë se këto i merr në dorë ekzekutivi, drejtësi nuk ka më. Siç po ndodh tani”, tha ai.

Berisha shtoi se “qeveria teknike do ketë detyrë larg duart nga sistemi i drejtësisë”.

Berisha theksoi se largimi i qeverisë duhet të bëhet nga popullii.

“Ideja se mund të vijnë të na e heqin nga jashtë është e gabuar. Ideja se mund të hiqet me procese gjyqësore është po kaq e gabuar, sepse ai bllokon. I vetmi që nuk mund t’i shpëtojë dot është gjykatësi popull. Ndaj dhe mendoj se në frymën e përgjegjësisë më të lartë ne duhet të dalim me një forum opozitar të zgjeruar. Forca politike, shoqëri civile, personalitete dhe cilido që është i gatshëm të përballemi me këtë regjim për të shpëtuar Shqipërinë”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

The post Berisha: Qeveri teknike me dy objektiva, zgjedhje të lira dhe larg duart nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Na duhet front i gjerë opozitar kundër këtij regjimi

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një dëgjesë publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë, për të bashkërenduar aksionin opozitar kundër qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e konsideroi takimin “një moment përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë tonë” dhe shprehu bindjen se “përfundimi i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur, është përgjegjësia më e vërtetë që ne marrim në këto momente para vendit dhe kombit tonë”.

Sipas Berishës “narkoshteti shqiptar është kthyer sot në rrezik për Evropën”.

“Sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Evropën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Evropë për dy arsye. Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Evropë”, tha Berisha.

Sipas Berishës “ministrat, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtorë agjencish, janë që të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës”.

“Ky vend ka sot treguesin e ndërtimit 300 përqind më të lartë se mesatarja e BE. Çmimet janë stratosferike, ndërtimet nuk kanë të ndalur. Pa llogaritur këtu me mijëra ndërmarrje eksporti, që të gjitha punojnë me euro, falimentuan. Sot shqiptarët kanë treguesin e lindshmërisë në botë për shkak të emigracionit, sipas OKB. Kombi është në rrugën e zhdukjes”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

The post Berisha: Na duhet front i gjerë opozitar kundër këtij regjimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Steblevë të Librazhdit dëbora arrin 40 cm, nuk ka bllokim të rrugëve

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Arbjan Mazniku, ishin në terren për të ndjekur nga afër dhe menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.

Aktualisht, në njësinë administrative Steblevë trashësia e dëborës ka kaluar mbi 40 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin. Strukturat e bashkisë dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar në mënyrë intensive për pastrimin e rrugëve dhe mbajtjen e tyre të hapura.

“Ekipet tona janë në të gjitha njësitë administrative duke garantuar qarkullimin e makinave dhe sigurinë e të gjithë banorëve të zonës”, tha Disha.

Në çdo njësi administrative vijon monitorimi i pandërprerë i situatës dhe gatishmëria e plotë për përballimin e çdo emergjence të mundshme.

“Në njësinë administrative Polis kemi pasur disa probleme me ngrirjen e rrugës ku kemi marrë masa dhe kemi hedhur kripë në pjesët ku ka patur akull. Në njësinë administrative Lunik ekipet e Drejtorisë së Rrugëve morën masat në kthesat ku kishin probleme dhe aty kemi hedhur kripë. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve”, theksoi Disha.

Drejtuesi politik i qarkut Mazniku tha se të gjitha njësitë administrative janë të aksesushme nga mjetet dhe nuk ka asnjë bllokim.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet e dëborës.

/m.q/a.f/

The post Në Steblevë të Librazhdit dëbora arrin 40 cm, nuk ka bllokim të rrugëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Përmbytjet në Durrës, prokuroria nis hetimet për tri vepra penale

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për tri vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.

Prokuroria njoftoi sot, se regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të reshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqenien e tyre, por edhe dëme të konsiderueshme.

“Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal”, njoftoi prokuroria.

Gjithashtu, sipas prokurorisë “nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”.

“Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale”, njoftoi Prokuroria e Durrësit.

/m.q/r.e/a.f/

The post Përmbytjet në Durrës, prokuroria nis hetimet për tri vepra penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Durrës: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Në Durrës, në fshatin Vadardhë ka nisur evakuimi i banorëve, të cilët janë prekur nga përmbytjet.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me Prefektin, Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbyjtja.

Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.

“Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të aramatosura. Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, tha Koçiu.

Sipas saj “ekipet e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Shërbimeve Zjarrfikëse, Mbrojtjes Civile dhe strukturave vendore janë në terren, në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë çdo familjeje dhe çdo qytetari të prekur nga situata e reshjeve”.

“Kjo sfidë kërkon durim, bashkëpunim dhe solidaritet. Jemi pranë qytetarëve, pa ndërprerje”, theksoi ministrja.

Koçiu u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të bashkëpunojnë dhe të kërkojnë ndihmë në raste emergjence.

Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.

Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësive administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.

/m.q/r.e/a.f/

The post Koçiu në Durrës: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveria nuk shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të mos kompensuar qytetarët

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga përmbytjet e ditëve të fundit, pasi nuk do që të kompensojë qytetarët.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha theksoi se përmbytjet nga shirat kanë marrë dimensione të reja dramatike në mbarë vendin.

“Narko-qeveria është në narkozë të plotë, është jashtë çdo lloj imagjinate, jashtë çdo lloj standardi, që në kushte kur mijëra e mijëra banesa, dhjetëra-mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria, narko-qeveria nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila detyron të ashtuquajturin shtet të mobilizojë të gjitha burimet për të ndihmuar, për të shpëtuar, për të nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara, të përmbytura”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Durrësi është përmbytur jo vetëm për shkak të reshjeve të shiut, por nga gjendja e kanalizimeve dhe hidrovoreve.

“Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovoreve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë.

Pra, këto dy hidrovore, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, kurse hidrovori i Hamallajt i ka pompat e djegura. Përveç kësaj, kanalizimet janë të bllokuara nga ndërtimet e tjera ose nuk janë pastruar. Pra, në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë, bizneset e tyre”, tha Berisha.

Berisha theksoi se situata dramatike është edhe në zonën e Novoselës, ndaj dhe bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.

“U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë, sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit, në befasinë e prurjeve të tij.

“Lumenj të tjerë kanë dalë dhe përmbytur zona, siç është lumi i Drojës, që në fakt është një përrua në realitet, por gjatë shtrëngatave të mëdha bëhet lumë i rrëmbyer dhe ka çarë argjinaturat dhe ka përmbytur zonat e tjera”, tha Berisha.

Berisha dënoi me forcën më të madhe “këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Qeveria nuk shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të mos kompensuar qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Peleshit, po pengon drejtësinë

TIRANË, 8 janar /ASTH/ Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkuan sërish sot mbledhjen e Këshillit, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij, nga kryesia e Kuvendit, Oerd Bylykbashi, bëri të ditur se PD do të depozitojë kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkak se po pengon Kuvendin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

“Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, i cili me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka penguar autoritetin kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë, për të shqyrtuar këtë kërkesë dhe ka penguar nëpërmjet këtyre veprimeve bërjen e drejtësisë, duke penguar prokurorinë që duke marrë autorizimin e Kuvendit të shkojë të marrë masën e arrestit para Gjykatës së Posaçme”, tha Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit, “Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca po bllokojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të hequr imunitetin. PD e ka bërë të qartë se ne jemi në mbështetje të plotë për të vazhduar procedurën për të hequr imunitetin e deputetes së Belinda Ballukut”.

Bylykbashi theksoi se “provat janë të qarta se kërkesa për të zbatuar masën ka ardhur për shkak se janë rënduar rrethanat dhe është rritur rrezikshmëria e personit të pandehur për shkak se ka intimiduar dëshmitarët”.

“Ne kërkojmë me urgjencë thirrjen e mbledhjes dhe sot që e kemi kërkuar Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi e ka penguar thirrjen e Këshillit. Rregullorja e përcakton qartë se 5 anëtarët e opozitës e kanë të drejtën të thirri mbledhjen njësoj me kryetarin dhe kjo e vendos kryetarin në detyrimin ligjor për të njoftuar palët. Mjafton gjysma e anëtarëve që mbledhja të jetë e vlefshme”, tha ai.

Sipas Bylykbashit urdhri vjen nga kryeministri Edi Rama. “Edi Rama duke urdhëruar mazhorancën, po e kthen Kuvendin dhe procedurën për heqjen e imunitetit në një koracë për mbrojtjen e korrupsionit”, tha ai.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post PD: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Peleshit, po pengon drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Strukturat në gatishmëri, vijon pandërprerje pastrimi i akseve rrugore

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se gjatë natës për mbarëvajtjen e situatës nga reshjet, të gjitha njësitë operative kanë qenë në terren dhe puna vijon pa ndërprerje për pastrimin e askeve rrugore.

Sipas Ramës, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia, kanë qenë në gatishmëri, teksa ekipet e kontraktorëve vijojnë në mënyrë të pandërprerë punën për pastrimin e askeve rrugore të prekura nga reshjet, rrëshqitjet e dheut, apo dëbora.

Duke bërë një përditësim për situatën në të gjithë vendin, Rama u ndal tek akset rrugore.

Sipas kreut të qeverisë gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit.

“Reshje dëbore ka pasur në Rajonin Verior: Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafë Morinë (doganë), Sopot-Kërrnajë, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli-Peshkopi, Peshkopi-Maqellarë, Hani i Hotit-Dogana Vermosh, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë-Arrëz, Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fushë Dukagjin.

“Në Rajonin Qendror: Surrel Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Kërrabë-Elbasan.

“Në Rajonin Jugor: Llogora, Qafë Thanë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik”.

Rama nënvizoi se “kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore”.

Kreu i qeverisë këshilloi qytetarët që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet e tyre.

“Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.

Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash”, theksoi Rama.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama: Strukturat në gatishmëri, vijon pandërprerje pastrimi i akseve rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, sekuestrohen pasuritë e të arrestuarit në Gjermani për drogë

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e shtetasit I.D., i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Sipas prokurorisë nga hetimet, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike” dhe “Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve”.

“Nga të dhënat rezultoi se kjo veprimtari kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohë krahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme. Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e subjektit në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari kjo që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare. Në analizën financiare të detajuar vërehet se vlera totale e të ardhurave të faktuara të shtetasit I.D. dhe familjarëve të tij është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera nga ky shtetas dhe familjarët e tij dhe dyshohet se vjen nga veprimtaria kriminale”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria nënvizoi se arriti në përfundimin se shtetasi I.D. dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme për të cilat kërkon konfiskimin si më poshtë: Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë; Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe 2 “poste parkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate+1kat nën tokë, në rrugën “Bulevardi Blu-Kamëz”.

/m.q/a.f/

The post Tiranë, sekuestrohen pasuritë e të arrestuarit në Gjermani për drogë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmuesi Redon Xhixha rikthehet tek Tirana

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Sulmuesi Redon Xhixha është rikthyer tek Tirana. Lajmi është konfirmuar nga Klubi i Futbollit Tirana. Xhixha, 27-vjeçar, rigjen fanellën bardheblu tre vite pas largimit te Qarabag dhe përvojës te CR Belouizdad në Algjeri.

Sulmuesi u largua nga Tirana në janarin e vitit 2023, duke vijuar karrierën në Azerbajxhan te Karabaku, ku pati një eksperiencë të rëndësishme në aspektin profesional. Më pas, ai firmosi me CR Belouizdad, ekip me të cilin ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka grumbulluar 117 minuta lojë.

Rikthimi i Xhixhës shihet si një lëvizje strategjike nga drejtuesit bardheblu, të cilët synojnë të forcojnë repartin e sulmit për gjysmën e dytë të sezonit.

Në 55 ndeshje me Tiranën në Superligë, Xhixha ka shënuar 32 gola dhe asistuar në shtatë raste.

/m.q/r.e/a.f/

The post Sulmuesi Redon Xhixha rikthehet tek Tirana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Boçi për ATSH: Opozita jo pjesë e dy komisioneve të posaçme, nuk bëhemi fasadë

TIRANË, 7 janar /ATSH- Marseda Qefalia/ Opozita nuk do të ulet në tryezën e komisioneve të posaçme parlamentare për Reformën Administrativo-Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, nëse mazhoranca nuk reflekton për t’i dhënë hapësirën e duhur në jetën parlamentare.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, pohoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se edhe për sesionin e ri parlamentar “qëndrimi i opozitës për të dy komisionet, varet nga sjella e mazhorancës dhe hapësira që i jep opozitës”.

Boçi theksoi se opozita “nuk do që të bëhet fasadë”, ndërsa përsëriti se “duhet respektuar konsesusi politik dhe të drejtat e opozitës në jetën parlamentare”.

Nënkryetari demokrat shtoi se ende nuk ka një njoftim për mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale duke nënvizuar se në këtë komision opozita “nuk vendos as veton për shkak të numrit të barabartë të anëtarëve”.

Sipas Boçit, një nga arsyet që solli qëndrimin e opozitës ishte edhe mënyra sesi mazhoranca u soll me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

“Duhet reflektim nga ana e mazhorancës, për të respektuar të drejtat e opozitës”, tha ai.

Opozita braktisi pjesëmarrjen në komisionet e posaçme parlamentare, me pretendimin se nuk negociohen reforma me mazhorancën, pasi sipas tyre ajo cenon rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik.

Ngritja e dy komisioneve të posaçme parlamentare për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore u realizua gjatë sesionit të parë të legjislaturës së XI dhe është pjesë e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. BE ka inkurajuar palët që të zhvillojnë një proces gjithëpërfshirës.

Për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, opozita vendosi si kusht garancinë nga ndërkombëtarët, duke kërkuar pjesëmarrjen e ODIHR si dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Sa i përket Reformës Territoriale, opozita ka paralajmëruar se do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.

Ndërsa për komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore, opozita kërkon që të reflektohen në ligj rekomandimet e OSBE/ODIHR, në lidhje më zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

/m.q/j.p/

The post Boçi për ATSH: Opozita jo pjesë e dy komisioneve të posaçme, nuk bëhemi fasadë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në Kurbin, 50 qytetarë të evakuuar nga situata e reshjeve

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndodhet në Vlorë në monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e dendura.

Në një intervistë për mediet, Vengu bëri të ditur se në Kurbin janë evakuuar 8 familje dhe 50 qytetarë për shkak të situatës së krijuar.

“Në Kurbin kemi 8 familje dhe 50 qytetarë të cilët janë evakuuar dhe akomoduar”, tha ai.

Vengu theksoi se grupet e bashkisë dhe emergjencave civile pas konstatimit të dëmeve, do të kryejnë dëmshpërblimin e banorëve për shtëpitë, blegtorinë dhe bletarinë, sipas detyrimeve ligjore.

“Për sa i përket evidencave për bagëtinë dhe gjënë e gjalle është herët ta themi, sepse duhet të bëjmë verifikimet e duhura”, vuri në dukje ai.

“Grupet e konstatimit të dëmeve nga bashkitë dhe Emergjencat Civile sapo të tejkalohet situata e emergjencës dhe patjetër këto dëmshpërblehen për sa i përket banesave, blegtorisë dhe bletarisë, këto janë tre zëra që ligji parashikon, ku ne mund të veprojmë menjëherë me dëmshpërblimet, siç e kemi bërë në fund të vitit të kaluar me dëmshpërblimin e zjarreve, do të vijojmë ta bëjmë dhe për të gjithë ciklin e përmbytjeve, janë instrumentet financiarë për të bërë”, tha ministri i Mbrojtjes.

“Dhe patjetër që të gjitha banesat e dëmtuara në momentin që konstatohen në procesverbale evidentohen dhe financohen. Ky është cikli që ndjekin dhe nuk ka arsye pse të bëjë përjashtim dhe kjo situatë aktuale”, tha ai.

/m.q/j.p/

The post Vengu: Në Kurbin, 50 qytetarë të evakuuar nga situata e reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bylykbashi: Fajin për përmbytjet në Durrës e ka korrupsioni

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht drejtues politik i PD-së për qarkun e Durrësit, i shoqëruar me drejtues të tjerë strukturash të PD-së, inspektoi sot disa zona dhe banesa të përmbytura në Durrës.

Bylykbashi e cilësoi gjendjen si “katastrofike”, dhe theksoi se “vjen nga dora e qeveritarëve dhe jo e natyrës”.

“Fajin nuk e kanë shishet plastike që kanë bllokuar kanalet, siç pretendon Kryeministri! Fajin e ka korrupsioni dhe grykësia e qeveritarëve që ka masakruar dhjetëra miliona euro të hedhura dëm”, theksoi Bylykbashi.

Sipas tij “rezultati është kjo përmbytje, për të cilën shumë banorë thonë që nuk e kanë parë asnjëherë në këto 30 vite”.

Bylykbashi theksoi se hidrovori i ri është jashtë kuotës së nevojshme dhe nuk tërheq ujë sa duhet,

“Përsëritjet, duke u rënduar e përmbytjes 3 herë nga janari 2025 deri më sot, banorët dhe specialistët i lidhin drejtpërdrejt me punimet për hidrovorin e ri që është jashtë kuotës së nevojshme e nuk tërheq ujë sa duhet, mbulimit të 2,6 km kanal të ujërave të larta që duhet të mbledhë ujërat e kodrave, por e mbuluan për ta kthyer në shëtitore mes varrezave, mospastrimit të kanaleve kryesore”, shkruan Bylykbashi.

Deputeti i PD-së kërkoi që “prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të gjetur përgjegjësitë e veprimeve dhe mosveprimeve kriminale të Bashkisë Durrës në shpenzimin e dhjetëra milionë eurove ndër vite”.

/m.q/j.p/

The post Bylykbashi: Fajin për përmbytjet në Durrës e ka korrupsioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura ndërhyjnë për largimin e ujit nga banesat tek ish-Këneta në Durrës

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Në Durrës, në zonën e njohur si ish-Këneta, efektivët dhe mjetet e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për largimin e ujit nga banesat e përmbytura si pasojë e reshjeve të shiut gjatë dy ditëve të fundit.

Për të monitoruar situatën në terren ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtes Pirro Vengu. Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga momenti i ndërhyrjes së Forcave të Armatosura për largimin e ujit.

“Vijon puna në terren nga ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore, dhe Policia për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të 48 orëve të fundit”, shkruan Rama.

Në qarkun e Durrësit mbi 300 banorë janë evakuar si pasojë e përmbytjeve dhe mbi 900 banesa janë të prekura nga uji.

/m.q/j.p/

The post Forcat e Armatosura ndërhyjnë për largimin e ujit nga banesat tek ish-Këneta në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Durrës: Dy hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e situatës së reshjeve

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektoi sot hidrovorin e ri të Porto Romanos.

Gjatë inspektimit, Koçiu nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovoreve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar nga përmbytjet në qytet.

Ministrja theksoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

“Reshjet kanë sjellë një situatë shqetësuese, por të gjitha institucionet janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. 12 orët e ardhshme mbeten kritike dhe fokusi ynë është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve. Më pas do të vijojë procesi i vlerësimit të dëmeve, i cili ka nisur tashmë në disa zona”, u shpreh ministrja Koçiu, duke apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.

“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash.

“Ne si bashki menaxhojmë këto dy objekte, por Durrësi ka edhe një hidrovor tjetër që menaxhohet nga Ministria e Bujqësisë, që është ai në Hamallaj, dhe aty kemi pasur kontakt të vazhdueshëm me përgjegjësit, për të parë mbarëvajtjen e procesit, sepse dhe Sukthi ka pasur përmbytje dhe ka pasur familje të prekura. Mendojmë se situatën e kemi nën kontroll në këto objekte dhe do të vijojmë monitorimin deri në rikthimin e situatës në një gjendje normale në qytet”, theksoi Sako.

Autoritetet konfirmojnë se monitorimi vijon pa ndërprerje dhe se të gjitha strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm të situatës.

/m.q/

The post Koçiu në Durrës: Dy hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e situatës së reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌