Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Balluku nga Gjirokastra: Niveli i ujit në Vjosë ka rënë me 1.5 metër, plan evakuimi funksional për të gjitha bashkitë

8 January 2026 at 18:13


TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se të gjitha strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura, institucionet vendore dhe ato qendrore janë angazhuar në terren dhe po veprojnë në koordinim të plotë për përballimin e situatës së shkaktuar nga kushtet e motit në qarkun e Gjirokastrës.

Pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile, të zhvilluar në Gjirokastër, Balluku bëri të ditur se niveli i ujit në Vjosë pikën e matjes në Memaliaj ka shënuar rënie me rreth 1,5 metra, nga 8 metra ka zbritur në 6,5 metra, një zhvillim që pritet të reflektohet edhe në zonën e Novoselës dhe në grykëderdhje.

“Kemi komunikuar me popullatën e zonës edhe për mundësinë e evakuimit, ndërkohë që rënia e nivelit të ujit është një tregues pozitiv për ecurinë e situatës”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi se në qarkun e Gjirokastrës temperaturat kanë rënë dhe kanë nisur reshjet e borës. Sipas saj, rrugët kryesore janë kryesisht të hapura, ndërsa disa rrugë fshatare që lidhin zona të thella mbeten për momentin të bllokuara.

Sipas Ballukut, batalioni i dislokuar në zonë ka vijuar punën në terren me të njëjtin angazhim të treguar gjatë sezonit të zjarreve, duke kontribuar në menaxhimin e situatës së reshjeve intensive. Në fshatin Memaliaj disa banesa do të inspektohen në mbrëmje nga Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.

“Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për planin e evakuimit, i cili duhet të jetë funksional për të gjitha bashkitë. Bashkitë që disponojnë struktura hotelerie apo konvikte e kanë më të lehtë zbatimin e këtij plani, ndërsa bashkitë e tjera do të bashkëpunojnë me Emergjencat Civile për të siguruar palestra apo ambiente të tjera për strehimin e qytetarëve, në rast nevoje”, deklaroi ajo.

Balluku bëri të ditur se moti pritet të ketë një përmirësim të përkohshëm, ndërsa të shtunën parashikohet një tjetër përkeqësim me reshje, çka i jep strukturave rreth 48 orë kohë për menaxhimin e situatës.

Në lidhje me situatën energjetike në qark, ministrja sqaroi se janë regjistruar ndërprerje në linjën e transmetimit të Lunxhërisë, por falë bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura, OSHEE-së dhe Emergjencave Civile, energjia elektrike është rikthyer përmes rilidhjes së linjave.

Ajo shtoi se të gjitha njësitë vendore dhe qendrore janë në koordinim të plotë edhe për sa i përket akseve rrugore kombëtare.
Balluku informoi se në aksin Tepelenë-Gjirokastër është evidentuar një rrëshqitje dherash, e cila nuk vjen nga skarpata e rrugës, por nga një nivel më i lartë për shkak të erozionit të zonës.

Zv.kryeministrja Balluku theksoi se qeveria shqiptare ka planifikuar nisjen e një procesi pyllëzimi në të gjitha zonat e prekura nga zjarret gjatë verës, bazuar në një plan të detajuar, me qëllim parandalimin e erozionit, fenomen, pasojat e të cilit po evidentohen edhe gjatë reshjeve të fundit.

Balluku siguroi se pas përmirësimit të situatës strukturat e pushtetit vendor do të nisin identifikimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa fondi rezervë i buxhetit do të përdoret për kompensimin e tyre.

“Nesër do të mbahet mbledhja e Komitetit të Emergjencave, ku do të adresohen qartë masat që do të merren gjatë 48 orëve të ardhshme, si dhe mënyra e kompensimit për dëmet e konstatuara”, tha Balluku.

Nga ana e saj, ministrja e Arsimit dhe njëkohësisht drejtuese politike e qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se procesi mësimor po vijon normalisht në të gjithë qarkun.

Sipas saj, janë paraqitur disa vështirësi për shkak të bllokimit të rrugëve në disa segmente, kryesisht në zonën e Këlcyrës në Përmet, por situata është menaxhuar.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat arsimore. Siguria e çdo nxënësi dhe mësuesi mbetet prioriteti ynë kryesor”, tha Kumbaro

/j.p/

The post Balluku nga Gjirokastra: Niveli i ujit në Vjosë ka rënë me 1.5 metër, plan evakuimi funksional për të gjitha bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e borës, vështirësohet qarkullimi në aksin Gjinar-Elbasan

8 January 2026 at 17:44

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Bashkia Elbasan bën të ditur se qarkullimi në aksin rrugor Gjinar-Elbasan është vështirësuar si pasojë e reshjeve të dëborës dhe mjeteve që kanë tentuar të ngjiten pa qenë të pajisura me zinxhirë.

Reshjet vijojnë me intensitet, duke krijuar kushte të vështira për lëvizjen e automjeteve, ndërsa në disa segmente janë evidentuar makina që kanë rrëshqitur dhe kanë penguar qarkullimin normal.

Bashkia informoi se në këtë aks ndodhen borëpastrueset dhe fadromat, së bashku me ekipet e punonjësve, të cilët po punojnë për pastrimin e rrugës dhe mbajtjen e saj të kalueshme.

Megjithatë, puna e tyre po has vështirësi për shkak të qindra mjeteve që nuk kanë marrë masat e nevojshme për lëvizje në kushte dimërore.

Bashkia Elbasan njofton se i është kërkuar Policisë Rrugore për ngritjen e një postblloku në këtë aks, me qëllim ndalimin e qarkullimit të çdo mjeti që nuk është i pajisur me zinxhirë.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse për të shmangur bllokimet dhe aksidentet. /j.p/

The post Reshjet e borës, vështirësohet qarkullimi në aksin Gjinar-Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit vendosja e urës së re të hekurt në Bleran të Shkodrës

8 January 2026 at 16:50

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Pas një pune intensive dhe të pandërprerë, po shkohet drejt përfundimit të vendosjes së urës së re të hekurt në Bleran, në rrethinat e Shkodrës, e dëmtuar nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur se kjo ndërhyrje emergjente do të rikthejë lidhjen për dy lagje me rreth 600 banorë, duke garantuar qarkullimin dhe aksesin normal për komunitetin.

Sipas tij, vendosja e urës së re vjen si zgjidhje e domosdoshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore në zonë, pas dëmtimeve që kishin ndërprerë lidhjen mes lagjeve.

“Puna po kryhet me ritme të shpejta për të minimizuar ndikimin tek banorët dhe për të rikthyer sa më parë normalitetin,” u shpreh Beci.

Ndërhyrja emergjente për vendosjen e një ure të re hekuri në Bleran erdhi pas dëmtimit të urës ekzistuese që izoloi rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe bllokim të aksesit drejt varrezave. /j.p/

 

The post Drejt përfundimit vendosja e urës së re të hekurt në Bleran të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

Skanimi i investimeve të huaja, AmCham kërkon ligj me qartësi për investitorët

7 January 2026 at 16:17

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores mbi procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen me ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjitë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacion të ndjeshëm apo lirinë e medias”, i nxjerrë për konsultim publik, ka marrë vëmendjen e plotë të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Sipas një deklarate të Amcham, projektvendimi, i cili synon të skanojë investimet e huaja që targetojnë sektorët strategjikë me qëllim garantimin e sigurisë kombëtare, vlerësohet me rëndësi të veçantë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke qenë se misioni i saj kryesor është nxitja e investimeve të huaja, veçanërisht atyre amerikane.

Ndërsa ekziston dakordësi në parim për nevojën urgjente të vendosjes së një mekanizmi filtrimi të kapitalit të huaj, AmCham thekson se Shqipëria duhet ta zhvillojë këtë proces përmes një ligji të qartë dhe gjithëpërfshirës, i cili të mbrojë sigurinë kombëtare dhe njëkohësisht të garantojë qartësi dhe parashikueshmëri për investitorët lidhur me kriteret që duhet të përmbushin.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, miratimi i një ligji të posaçëm, dhe jo vetëm i një akti nënligjor, është i domosdoshëm për të harmonizuar kuadrin ligjor të vendit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe për të siguruar një zbatim të balancuar dhe proporcional të mekanizmit të skanimit të investimeve.

Duke vendosur në ekuilibër mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe nevojën për të tërhequr kapital të huaj në ekonomi, AmCham vlerëson se siguria mund të garantohet përmes një kuadri ligjor që rrit përgjegjshmërinë e investitorëve për origjinën e fondeve të tyre, ndërkohë që mbështet iniciativat investuese përmes transparencës dhe sigurisë juridike. /j.p/

The post Skanimi i investimeve të huaja, AmCham kërkon ligj me qartësi për investitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kufizime në furnizimin me energji elektrike pas avarisë në linjat 10 kV në Belsh

7 January 2026 at 10:55

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) bën të ditur se, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, nënstacioni Kajan në Belsh ka pësuar një avari në seksionin e linjave 10 kV.

Sipas OSSH-së, avaria ka sjellë kufizim të furnizimit me energji elektrike në disa zona përreth Belshit.

Grupet e Drejtorisë së Tensionit të Lartë pranë OSSH ndodhen në terren dhe kanë nisur menjëherë punën për riparimin e defektit dhe zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me energji elektrike.

OSSH bën me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se ekipet teknike janë në gatishmëri të plotë deri në normalizimin e plotë të situatës.

/a.f/

The post Kufizime në furnizimin me energji elektrike pas avarisë në linjat 10 kV në Belsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Gatishmëri e plotë për pastrimin dhe sigurinë e rrugëve pas reshjeve

7 January 2026 at 10:53

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe se kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, për të minimizuar problematikat e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Balluku informoi se gjatë natës kanë vijuar reshjet e shiut në të gjithë territorin e vendit. Sipas saj, është shënuar rritje e intensitetit të reshjeve në zonat juglindore, ndërsa në orët e para të mëngjesit reshjet kanë pushuar në rajonin verior.

Reshje bore janë regjistruar në zonat Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fierzë.

Zëvendëskryeministrja theksoi se, si pasojë e kushteve atmosferike, janë evidentuar probleme me rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore.

Në rajonin verior, problematika është shfaqur në akset Bajram Curri-Valbonë, Dushaj-Lekbibaj, Sopot-Kam, Qafë Mali-Fierzë, Ura e Fanit, Rrëshen-Shpal, Shpal-Fushë Arrëz, Hani i Hotit-Dogana, Vermosh, Sevaster-Kalivaç, Kukës-Shishtavec, Shpal-K/Hadroj, Kukës-Krumë, Skuraj-Burrel dhe Peshkopi-Vasije.

Ndërkohë, në rajonin jugor, problematika është konstatuar në akset Lazart, Kardhiq-Delvinë dhe Lekël-Këlcyrë.

Balluku garantoi se kontraktorët, me mjete dhe punëtorë, janë në terren 24 orë në 24, duke kryer pastrimin e akseve rrugore dhe duke garantuar sigurinë e qarkullimit për të gjithë përdoruesit e rrugës.

1 nga 2

/a.f/

The post Balluku: Gatishmëri e plotë për pastrimin dhe sigurinë e rrugëve pas reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Strukturat e MIE-s në terren për normalizimin e situatës nga reshjet

6 January 2026 at 13:49

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Reshje intensive shiu dhe dëbore kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit prej 24 orësh, duke shkaktuar problematika të ndryshme në akset rrugore, furnizimin me energji elektrike dhe sistemet e ujësjellësit.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se të gjitha strukturat nën varësinë e ministrisë dhe kontraktorët e kompanive të mirëmbajtjes janë në terren që nga momenti i parë dhe po ndërhyjnë për normalizimin e situatës.

Në zonën veriore reshjet kanë qenë të intensitetit të lartë, duke sjellë rënie gurësh dhe prurje të mëdha uji. Në aksin Bogë-Theth ka reshje dëbore. Problematika ka pasur edhe në akset Bajram Curri-Valbonë; Ura Bujan-Qafë Morinë; Bajram Curri-Fierzë; Dedaj-Bogë; Kukës-Krumë; Kukës-Shishtavec-Skuraj-Peshkopi; Dushaj-Lekbibaj ku ka rrëshqitje në kilometrin 4, dhe po punohet për largimin e materialit; Vorë-Maminas ku ka prezencë të ujit në kilometrin 2.

Sa i përket furnizimit me energji, aktualisht, në vend janë 22 fidera jashtë funksionit. Më e prekur është zona e Durrësit për shkak të motit të keq dhe prurjes së ujit në kabina.

Zv.kryeministrja Balluku bëri të ditur se të gjitha linjat që furnizojnë hidrovorët janë në funksion, përveç segmentit në Synej të Kavajës, ku po punohet. Linjat 35 kV dhe nënstacionet furnizojnë normalisht.

Nga ana tjetër, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal, ndërsa brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri.

Në nënstacionin Rrashbull 220/110 kV ka prani të shtuar uji, dhe ekipet e OST-së, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, po marrin masat e nevojshme.

Lidhur me situatën në kaskadën e Drinit, Balluku informoi se prurjet në HEC-in e Komanit dhe HEC-in e Vaut të Dejës janë të larta, pa shfaqur tendencë rënieje.

Të gjitha njësitë prodhuese, 9 agregatët, janë në funksion me kapacitet të plotë, uji përpunohet për funksionimin e njësive dhe pjesa tjetër shkarkohet për sigurinë e veprave prodhuese.

Duke u ndalur në situatën e furnizimit me ujë, zv.kryeministrja Balluku tha se në rajonin e Durrësit situata paraqitet e rënduar për shkak të reshjeve intensive.

Të gjitha stacionet e pompave janë në funksion, niveli i kanalit të hidrovorit është maksimal, dhe grupet e punës monitorojnë situatën në terren. Në pjesën tjetër të vendit, sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimet janë nën kontroll dhe funksionojnë normalisht.

Ndërsa porti i Durrësit funksionon normalisht, imbarkimi i pasagjerëve në tragete vijon.

Në portin e Vlorës nisjet e trageteve mbeten të varura nga kushtet e motit dhe kapiteneria ka pezulluar daljen e anijeve të vogla.

Në portin e Sarandës situata paraqitet e qetë dhe linja me Korfuzin operon normalisht.

Në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vazhdojnë normalisht, megjithëse kushtet meteorologjike në zonën përreth mbeten të ngarkuara.

1 nga 5

/r.e/a.f/

The post Strukturat e MIE-s në terren për normalizimin e situatës nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA: Fluturimet mund të ndryshojnë orar për shkak të motit të keq

6 January 2026 at 12:46

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Tirana International Airport (TIA) njofton se për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, disa fluturime mund të pësojnë ndryshime në oraret e parashikuara.

Sipas TIA-s, operacionet në aeroport vazhdojnë normalisht, ndërsa stafi është në koordinim të vazhdueshëm për të siguruar mbarëvajtjen e shërbimeve dhe për të garantuar sigurinë e pasagjerëve.

Pasagjerëve u rekomandohet të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre përpara nisjes dhe të qëndrojnë në komunikim të drejtpërdrejtë me linjën ajrore për çdo përditësim të mundshëm.

/a.f/r.e/

The post TIA: Fluturimet mund të ndryshojnë orar për shkak të motit të keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimpaguesit do të aplikojnë online për shmangien e tatimit të dyfishtë

5 January 2026 at 17:16


TIRANË, 5 janar/ATSH/ Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit se, duke filluar nga 1 janari 2026, procedura për zbatimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të Dyfishtë do të kryhet ekskluzivisht online, përmes platformës digjitale të Administratës Tatimore.

Tatimpaguesit duhet të plotësojnë formularin elektronik përkatës dhe të ngarkojnë dokumentacionin shoqërues, sipas kriterëve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin tatimor dhe aktet nënligjore përkatëse. Ngarkimi elektronik i dokumentacionit duhet të bëhet brenda afateve ligjore, për të përfituar lehtësitë tatimore që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Në rastet kur sistemi digjital nuk mundëson përkohësisht ngarkimin elektronik të dokumentacionit ose paraqiten probleme teknike të verifikuara, tatimpaguesit kanë të drejtë të dorëzojnë dokumentacionin në formë fizike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke shpjeguar arsyen e pamundësisë së dorëzimit elektronik.

Administrata Tatimore fton tatimpaguesit të informohen paraprakisht mbi mënyrën e përdorimit të platformës dhe dokumentacionin e nevojshëm, duke përdorur udhëzuesin zyrtar të publikuar në faqen e YouTube të Administratës Tatimore. /j.p/

The post Tatimpaguesit do të aplikojnë online për shmangien e tatimit të dyfishtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend

5 January 2026 at 14:55

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Shqipëria po përjeton një rritje të dukshme të rikthimit të emigrantëve.

Sipas të dhënave të Anketës Kombëtare të Migracionit 2024, e realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend.

Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë 12 viteve të fundit, 109 mijë shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Nga këta, gati gjysma, ose 45%, janë rikthyer midis viteve 2020 dhe 2024, duke treguar se ritmi i kthimeve është përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Sa i përket moshës, shumica e personave të rikthyer janë mbi 35 vjeç, ndërsa 29% janë 25-34 vjeç. Vetëm 9% janë të rinj 15-24 vjeç, që tregon se rikthimi i emigrantëve përqendrohet kryesisht tek të rriturit që janë të gatshëm për të punuar.

Shumica e të rikthyerve vijnë nga Italia dhe Greqia, ndërsa emigrantët që jetojnë në vende më të largëta kthehen më rrallë.

Sa i përket punësimit, meshkujt e rikthyer punësohen në masën 67%, krahasuar me shkallën prej 59% për meshkujt jomigrantë.

Ndërsa femrat e rikthyera kanë një performancë të ngjashme me femrat jomigrante (34% krahasuar me 36%).

Shkalla e vetëpunësimit te të rikthyerit është rritur me kalimin e kohës. Nga 7% për ata që u kthyen midis viteve 2000-2004 në 29% për ata që u kthyen gjatë viteve 2015-2024, duke arritur kulmin, 34% për ata që u kthyen në periudhën 2010-2014.

Gratë që kthehen herët kanë një shkallë më të lartë të vetëpunësimit (41%) krahasuar me meshkujt (25%).

Shumica e vetëpunësimeve janë punë individuale (91-93%), por të rikthyerit janë më të prirur të bëhen punëdhënës me punonjës të paguar, veçanërisht ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet jashtë vendit.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post INSTAT: 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Doganat arkëtuan 240 miliardë lekë në 2025-ën, rritje e të ardhurave nga karburantet dhe akcizat

5 January 2026 at 12:03

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Administrata Doganore ka mbyllur vitin 2025 me të ardhura në vlerën 240 miliardë lekë, ose rreth 2,5 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, janë mbledhur rreth 10 miliardë lekë më shumë, duke shënuar një rritje prej 4,3%.

Gjatë vitit 2025, sipas raportit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, forcimi i lekut ndaj valutave të huaja ka ndikuar negativisht në të ardhurat, duke sjellë një humbje prej rreth 9,5 miliardë lekësh. Nëse ky efekt nuk do të kishte ndodhur, rritja reale e të ardhurave do të ishte rreth 19,5 miliardë lekë, ose 10% më shumë se një vit më parë.

Në raport me planin vjetor, të ardhurat u realizuan në masën 98%. Por duke marrë parasysh ndikimin e kursit të këmbimit, rezulton se realisht janë mbledhur rreth 5 miliardë lekë më shumë se plani, ose 103,3% e tij.

Sipas Administratës Doganore, këto rezultate janë arritur falë menaxhimit më të mirë, kontrolleve më të forta në dogana dhe masave për të luftuar evazionin fiskal, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e mbledhjes së të ardhurave.

Viti 2025 solli gjithashtu rritje të ndjeshme të të ardhurave nga mallrat e akcizës. zhdoganimi i karburanteve arriti në rreth 760 mijë tonë, ose 75 mijë tonë më shumë se një vit më parë. Zhdoganimi i cigareve arriti në 3450 tonë, duke kaluar planin dhe duke u rritur me 250 tonë krahasuar me vitin 2024.

Po ashtu, u shënua rritje edhe në zhdoganimin e kafesë me rreth 500 tonë dhe të birrës me rreth 1 mijë tonë më shumë se një vit më parë.

/a.f/r.e/

The post Doganat arkëtuan 240 miliardë lekë në 2025-ën, rritje e të ardhurave nga karburantet dhe akcizat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Universitetet, përfituesit kryesorë të fondeve për kërkimin shkencor

4 January 2026 at 13:39

TIRANË, 4 janar/ATSH/ Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi për herë të parë të dhëna mbi fondet e alokuara nga buxheti i shtetit për aktivitetet e Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit (GBARD) në Shqipëri.

Sipas statistikave, në vitin 2024, shpenzimet e buxhetit të shtetit për kërkimin shkencor dhe zhvillimin përbënin 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) kanë përfituar pjesën më të madhe të financimit, duke marrë 54,7% të totalit të fondeve, ndërsa sektori qeveritar ka përfituar 43,8% dhe sektori privat jofitimprurës 1,5%.

Sipas klasifikimit të objektivave socio-ekonomike (NABS), rreth 52,6% e fondeve janë vënë në funksion të përmirësimit të njohurive të përgjithshme, kryesisht përmes kërkimit dhe zhvillimit të financuar nga universitetet.

/j.p/r.e/

The post Universitetet, përfituesit kryesorë të fondeve për kërkimin shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Qarkullimi rrugor normal në të gjitha akset

3 January 2026 at 11:35


TIRANË, 3 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, ndërsa gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar.

Aktualisht territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat kanë pësuar rritje.

Grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve dhe inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka pasur nevojë, me qëllim parandalimin e ngricave.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore.

/a.f/

The post ARRSH: Qarkullimi rrugor normal në të gjitha akset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga janari, 144 mijë punonjës të administratës publike përfitojnë rritje page

3 January 2026 at 11:07

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Me buxhetin e vitit 2026 nis zbatimi i masave financiare që synojnë rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e fuqisë blerëse për punonjësit në sektorin publik dhe privat.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se paga minimale në shkallë vendi do të rritet në 500 euro, masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat që aktualisht paguhen nën këtë nivel.

“Po kështu, nga muaji janar nis edhe rritja e pagave për rreth 144 mijë punonjës të administratës publike”, deklaroi Malaj.

Rritja e pagave do të përfshijë, përveç administratës publike, edhe sektorë të rëndësishëm për shërbimet ndaj qytetarëve, si arsimi, shëndetësia dhe strukturat e rendit, përfshirë uniformat blu.

1 nga 2

/a.f/

The post Nga janari, 144 mijë punonjës të administratës publike përfitojnë rritje page appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kufizohet përdorimi i cash-it, bizneset detyrim për pajisjen me POS

3 January 2026 at 09:49

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Ndryshimet e miratuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” sjellin masa të reja për uljen e përdorimit të parasë në dorë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në transaksionet ekonomike, duke përfshirë detyrimin e bizneseve për pajisjen me terminale “POS” dhe shtrëngimin e rregullave për pagesat cash.

Ligji parashikon uljen e kufirit të lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal përmes nxitjes së përdorimit të pagesave bankare.

Njëkohësisht, vendoset kufi edhe për transaksionet cash që personat fizikë, individët e vetëpunësuar dhe tregtarët apo entitetet kryejnë me individë, kur vlera e transaksionit tejkalon 500 mijë lekë, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.

Në kuadër të politikave për nxitjen e pagesave elektronike, ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin për pajisjen me terminale “POS” në pikat e shitjes për tatimpaguesit që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të përcaktuara.

Sipas Ministrisë së Financave, ky detyrim duhet të përmbushet deri më 30 maj 2026 nga bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit, ndërsa për të gjitha bizneset e tjera afati përfundimtar është 31 dhjetori 2026.

Ndryshimet në ligj përfshijnë edhe përjashtimin nga kamatëvonesat për institucionet publike, në rastet kur mosrespektimi i afateve të deklarimit apo pagesës së detyrimeve vjen si rezultat i zbatimit të akteve ligjore ose nënligjore me efekte prapavepruese, apo i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke synuar shmangien e penaliteteve që burojnë nga faktorë të pavarur nga vullneti i institucioneve.

Po ashtu, parashikohen sanksione administrative ndaj prodhuesve ose mirëmbajtësve të softuerëve të pajisjeve fiskale, në rastet e refuzimit të bashkëpunimit me administratën tatimore, me qëllim sigurimin e bashkëpunimit të plotë gjatë proceseve të verifikimit dhe kontrollit të pajisjeve fiskale të konfiskuara dhe forcimin e funksionimit të sistemit të fiskalizimit.

Ligji u njeh gjithashtu tatimpaguesve individë të drejtën për të korrigjuar deklaratën vjetore të të ardhurave personale brenda gjashtë muajve nga data e dorëzimit, me mundësinë për të kryer jo më shumë se dy korrigjime, ndërsa afati për dorëzimin e deklaratave të ndryshuara reduktohet nga 36 muaj në 24 muaj, në funksion të rritjes së korrektësisë dhe vetëdeklarimit të të ardhurave.

/a.f/

The post Kufizohet përdorimi i cash-it, bizneset detyrim për pajisjen me POS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Së shpejti, Lura e aksesueshme përmes rrugës së re turistike

2 January 2026 at 12:38

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Punimet për riparimin e rrugës Peshkopi-Lurë dhe Lurë-Perlat po shkojnë drejt përfundimit. Puna vijon njëkohësisht në dy drejtime, nga Lura drejt Arrasit të Dibrës dhe nga Lura në drejtim të Rrëshenit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shumë shpejt Lura do të jetë e aksesueshme përmes rrugës së re turistike, duke theksuar se është hedhur shtresa e parë asfaltike në segmentin Peshkopi-Lurë dhe po vijon puna në segmentin Lurë-Rrëshen.

“Së shpejti, edhe Lura magjike do të jetë e arritshme përmes rrugës së re turistike, ku është hedhur shtresa e parë asfaltike mbi segmentin Peshkopi-Lurë dhe po vazhdon puna mbi segmentin Lurë-Rrëshen”, deklaroi Rama.

Rruga e re krijon një lidhje të qëndrueshme me zonën e Lurës, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe duke hapur mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Projekti përfshin riparimin e aksit me gjatësi rreth 40, kilometra dhe ndërtimin e shtresave asfaltike, mureve mbajtëse, tombinove, veprave të artit rrugor dhe sinjalistikës.

Banorët e zonës e vlerësojnë këtë investim si të shumëpritur dhe shpresojnë se rruga e re do të ndihmojë në rikthimin e banorëve të larguar dhe në rritjen e investimeve në Lurë.

/j.p/r.e/

The post Së shpejti, Lura e aksesueshme përmes rrugës së re turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Familjet me fëmijë nën 18 vjeç, rimbursim tatimi përmes DIVA-s

2 January 2026 at 11:46

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Familjet me fëmijë nën moshën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim nga tatimi mbi të ardhurat, përmes zbritjes së shpenzimeve për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve, parashikuar në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Kompensimi nuk jepet si shumë fikse, por përfitohet pas rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025, përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) në mars 2026. Nga të ardhurat bruto vjetore do të zbriten 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim dhe një shpenzim fiks prej 100 mijë lekësh në vit për arsimimin e fëmijëve, sipas kufijve të përcaktuar të të ardhurave.

Individët që nga rillogaritja rezultojnë se kanë paguar më shumë tatim gjatë vitit 2025, do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e diferencës brenda tre muajve nga dorëzimi i DIVA-s. E drejta e zbritjes për fëmijët dhe arsimin përfitohet vetëm nga prindi me të ardhurat më të larta vjetore.

Skema e kompensimit do të vlejë edhe për individët që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj gjatë vitit 2025, me kusht plotësimin e DIVA-s. Dokumentacioni justifikues për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet e arsimit duhet të ruhet për kontroll tatimor.

Efekti financiar i kësaj mase vlerësohet rreth 15 milionë euro në vit, duke ulur ndjeshëm barrën tatimore dhe duke rritur të ardhurat neto të familjeve shqiptare.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) pritet të mblidhen rreth 88,3 miliardë lekë, me një rritje prej 4,9% krahasuar me vitin 2025. /j.p/

The post Familjet me fëmijë nën 18 vjeç, rimbursim tatimi përmes DIVA-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëborë dhe temperatura nën zero, vështirësi në qarkullim në verilindje dhe juglindje

2 January 2026 at 11:04

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore të vendit, veçanërisht në verilindje dhe juglindje, ku rrugët janë bërë të rrëshqitshme nga ngricat.

Në zonat malore, gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, temperaturat kanë zbritur deri 16 gradë nën zero, duke krijuar ngrica në rrugë. Dëbora e rënë në disa segmente, ka sjellë lëvizje më të ngadalta dhe vështirësi për drejtuesit e automjeteve.

Më problematike paraqitet situata në akset malore të verilindje dhe në zonat e juglindjes, ku drejtuesit e mjeteve duhet të lëvizin me kujdes të shtuar. Qarkullimi vijon, por me shpejtësi të reduktuar.

Drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore, zinxhirë, të mbajnë distancë sigurie dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. /j.p/

The post Dëborë dhe temperatura nën zero, vështirësi në qarkullim në verilindje dhe juglindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Buxheti 2026, rritje ekonomike 4% dhe ulje të borxhit publik

2 January 2026 at 10:38

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Rritja e pagës minimale, indeksimi i pagave në administratë dhe rritja graduale e pensioneve janë disa nga shtyllat kryesore të buxhetit të vitit 2026, i cili hyn në fuqi sot me fokus në mbështetjen e qytetarëve dhe investimet publike.

Sipas projeksioneve, rritja ekonomike për periudhën 2026-2028 pritet të jetë mesatarisht rreth 4% në vit. Për vitin 2026, deficiti buxhetor është planifikuar në nivelin 2,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi publik parashikohet të ulet në 53,6% të PBB-së në fund të vitit, duke reflektuar konsolidimin fiskal dhe stabilitetin makroekonomik.

Projektbuxheti për vitin 2026 fokusohet në financimin prioritar të sektorëve kyç për zhvillimin e vendit, përfshirë arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen sociale, infrastrukturën rrugore dhe transformimin digjital. Investimet publike parashikohen të arrijnë mbi 6,5% të PBB-së, me synimin për të përshpejtuar realizimin e projekteve strategjike në rrugë, hekurudha dhe porte, si dhe për të rritur lidhshmërinë dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Të ardhurat totale buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823,1 miliardë lekë, ose 6,8% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025. Në raport me ekonominë, të ardhurat pritet të arrijnë në 29,6% të PBB-së, rritje që i atribuohet kryesisht përmirësimit të administrimit fiskal dhe reduktimit të informalitetit.

Në krahun e shpenzimeve, buxheti i shtetit për vitin 2026 parashikon 886,8 miliardë lekë, ose 31,9% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve do të orientohet drejt politikave sociale dhe mbështetjes direkte për qytetarët.

Që nga hyrja në fuqi e buxhetit, paga minimale rritet në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa nis edhe indeksimi i pagave për administratën publike. Paralelisht, buxheti parashikon fonde për rritjen graduale të pensioneve, me objektivin që deri në fund të mandatit pensioni minimal të arrijë në 200 euro në muaj dhe pensioni mesatar në 400 euro.

Një tjetër prioritet i buxhetit të vitit 2026 është buxhetimi me bazë gjinore, ku rreth 9,5% e shpenzimeve të përgjithshme publike do t’u dedikohen politikave që synojnë zvogëlimin e hendekut gjinor dhe forcimin e barazisë në shoqëri.

Buxheti vendor për vitin 2026 parashikohet në nivelin 97,7 miliardë lekë, ose 9% më shumë krahasuar me vitin 2025. Transferta e pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore do të jetë më e lartë si në raport me një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me periudhën para reformës administrativo-territoriale, duke forcuar kapacitetet financiare të pushtetit vendor. /j.p/

The post Buxheti 2026, rritje ekonomike 4% dhe ulje të borxhit publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rivlerësimi i pronave me tatim të reduktuar 5% gjatë 2026-ës

2 January 2026 at 16:51

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Deri më 31 dhjetor 2026 të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme do të kenë mundësinë të përfitojnë nga fushata e rivlerësimit të pronës me normë tatimore të reduktuar prej 5%, nga 15% që ishte.

Sipas parashikimeve ligjore, procesi i rivlerësimit mund të ndiqet përmes dy rrugëve.

Individët që planifikojnë ta nxjerrin pronën në treg gjatë periudhës 2026-2028 mund të zgjedhin rivlerësimin mbi bazën e vlerës reale të tregut, duke u mbështetur në një raport vlerësimi profesional, i cili përdoret më pas për aplikim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kjo mundëson që prona të rivlerësohet me vlerën maksimale që ofron tregu.

Por, qytetarët mund të aplikojnë për rivlerësim sipas çmimeve të referencës shtetërore, përmes platformës e-Albania, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Pas dorëzimit të aplikimit, lëshohet fatura për tatimin mbi diferencën e vlerës së pronës, e cila paguhet në bankë dhe më pas ngarkohet në sistem për përfundimin e procedurës. Në përfundim të procesit, pronari pajiset me kartelën e re të pronës, ku pasqyrohet vlera e përditësuar.

Në kuadër të fushatës së rivlerësimit, pritet që tregu i pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2026 të karakterizohet nga një ritëm më i ngadaltë i rritjes së çmimeve, krahasuar me dy vitet e fundit. Parashikohet gjithashtu që oferta e pronave të jetë më e lartë, duke krijuar më shumë alternativa për qytetarët.

Vlerësohet se një numër i konsiderueshëm pronash, përfshirë banesa, do të jenë subjekt i rivlerësimit, ndërsa pjesëmarrja në këtë proces mbetet në vullnetin e individëve.

Fushata e vitit 2026 konsiderohet si një mundësi për të përfituar nga lehtësia fiskale, pasi pas përfundimit të saj pritet rikthimi i normës standarde të tatimit prej 15% për transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë, kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë përpunuar deri më 31 dhjetor 2026, do të konsiderohen të vlefshme në kuadër të kësaj fushate, për sa kohë që pagesa e tatimit kryhet deri më 31 mars 2027.

/j.p/r.e/

The post Rivlerësimi i pronave me tatim të reduktuar 5% gjatë 2026-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌