Pezullimi i Ballukut, SPAK: Masë individuale, asnjë cenim i kompetencave të ekzekutivit
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dritan Prençi, paraqiti argumentet gjatë seancës plenare, duke theksuar se nuk ka asnjë shkelje të kompetencave të pushtetit ekzekutiv. Sipas tij, nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash.
Gjatë fjalës së tij, Prençi kërkoi që mos të pranohet ankimimi i Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, pasi masa e marrë është individuale.
“Në këtë çështje pala kërkuese nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, pasi vlerësohet se kërkuesi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë i procedimit penal, nuk ka provuar një interes personal aktual dhe kushtetues me pasoja të pariparueshme apo shfaqjen e rrezikut të kryerjes së funksionit të tij e për rrjedhojë shkaqet e ngritura nuk krijojnë bazë kushtetuese të pranueshme për shtrimin nga kjo gjykatë.
“Në vlerësimin tonë pretendimet e kërkuesit bazohet në interpretime të kushtetues dhe ligjit, pa u provuar ekzistenca e një marrëdhënie juridike konkrete të cenuar, që do të ketë sjellë pasoja juridike. Po ashtu nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash dhe për rrjedhojë mungon një çështje kushtetuese reale, pasi qëndrimet e ndryshme interpretuese në mungesë të një marrëdhënie juridike konkrete nuk janë të mjaftueshme për të ngritur një çështje me objekt kushtetues”, tha Prençi.
Sipas Prençit, Gjykata Kushtetuese “vendosur qartë në jurisprudencën e saj, se për ekzistencën e një konflikti kompetencash duhet që ai të burojë nga një marrëdhënie konkrete midis pushteteve që pretendohet se ushtrojnë një të drejtë, që i takon vetëm njërit”.
“Në rastin konkret nuk ka një ndërveprim të tillë midis gjykatës penale dhe Kryeministrit. Pra gjykata ushtron kompetencat e saj ligjore për caktimin e masave të sigurimit në bazë të ligjit procedural penal, ndërsa marrëdhënia e pretenduar nga kryeministri buron nga Kushtetuta, që do të thotë se kemi dy marrëdhënie të ndryshme, për dy pushtete të ndryshme dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash”, tha ai.
Prençi vijoi më tej duke theksuar “A ka konflikt konkret të kompetencave kushtetuese midis GJKKO dhe Kryeministrit? Në jurisprudencën e saj Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar gjerësisht këtë çështje, duke argumentuar se çdo pushtet ka kompetencat e veta dhe secili organ ka pushtet të mjaftueshëm për të vepruar në mënyrë të pavarur.
“Po ashtu kjo gjykatë ka sqaruar se për të pasur konflikt kompetencash midis pushteteve duhet të plotësohen tre kritere ligjore; mosmarrëveshja lind midis organeve të pushteteve të ndryshme, mosmarrëveshja lidhet me organet që vendosin përfundimisht vullnetin e pushtetit të tyre, mosmarrëveshja ka të bëjë me përcaktimin e sferës së kompetencave. Në rastin konkret këto kritere nuk përmbushen, pasi mosmarrëveshja e pretenduar nuk lind nëpërmjet pushtetesh që ushtrojnë të njëjtën sferë kompetencash”.
Sipas tij Prokuroria e Posaçme “vlerëson se kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e vendimit të gjykatës së posaçme për masën e sigurimit personal apo për interpretimin e nenit 103 pika 3 të Kushtetutës (imuniteti i deputetit) po ashtu nuk lidhen me kontroll kushtetues mbi ligje, nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat janë e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash”.
Prokurori nënvizoi se “kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit, pasi ndjekja penale janë kompetenca ekskluzive të pushtetit ligjor dhe nuk mund të cenohet nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv”.
Prençi tha se ka një procedurë të plotë në pushtetin ligjor, që është ankimimin në gjykata.
Më tej ai shtoi se edhe “shqyrtimi i kushtetutshmërisë në këtë fazë do të shkelte parimin e shterimit të mjeteve gjyqësore”, ndërsa shtoi se “cenon funksionim e sistemit gjyqësor”.
Prençi tha gjithashtu se masa prek individin dhe nuk ndalon funksionin e institucionit. Kërkesa e Kryeministrit sipas Prençit, synon të kundërshtojë vendimet e gjykatës.
“Po ashtu prokuroria vlerëson se kërkuesi nuk ka një interes personal dhe aktual për të parashtruar këtë çështje. Në vlerësimin tonë pretendimi se pezullimi i zëvendëskryeministrit ka penguar funksionim normal të Këshillit të Ministrave ose kompetenca e Kryeministrit, nuk qëndron. Masa ka natyrë të përkohshme dhe është e nevojshëm për të vijuar hetimin penal dhe nuk shkakton pasoja të pariparueshme për institucionet. Kërkesa kërkuesit nuk tregon shkelje të drejtpërdrejt të kushtetuese, por synon të kundërshtoje vendimet e gjykatës”, tha ai.
Prençi tha se SPAK vlerëson se kërkesa a nuk duhet të pranohet dhe duhet t’i hapë rrugë funksionit normal të pushtetit gjyqësor.
Sa i përket imunitetit, Prençi tha se “ky pretendim është i pabazë, pasi duket se kërkuesi tenton të barazoj pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv gjë që kushtetuat nuk e parashikon. Mandati i deputeti lidhet me përfaqësimin e elektoratit ndërsa funksioni i ministrit është pjesë e ekzekutivit.
“Mandati i deputetit buron nga vota e popullit, ndërsa funksioni i ministrit është e natyrës ekzekutive dhe administrative dhe nuk barazohet me funksionin e deputetit. Imuniteti parashikohet për detyra përfaqësuese të deputetit dhe nuk i jep funksionit të ministrit imunitet ndaj masave të pezullimit të natyrës penale. Kemi mendimin se nëse kushtetutbërësi do të kishte dashur që funksionit ekzekutiv të anëtareve të Këshillit të Ministrave tu jepte imunitet ndaj masave procedurale penale, sikurse është rasti, kjo do të ishte parashikuar qartë në dispozita kushtetues”, tha ai.
Pezullimi si masë procedurale, sipas Prençit “nuk kufizon lirinë personale”.
“Ajo nuk pengon as ushtrimin e funksionit të deputetit si përfaqësues i parlamentit”, tha ai.
Përfaqësuesi i SPAK nënvizoi se “pretendimi i shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, në vlerësimin tonë ky pretendim është i pabazuar pasi masa e pezullimit ka karakter ligjor parandalues dhe është vendosur brenda procedimit penal pa përfshirë Kryeministrin apo Këshillin e Ministrave. Nuk ka ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv”.
Prençi shtoi gjithashtu se pezullimi i vendimit të GJKKO-së nga Kushtetuta cenon parimin e ndarjes së pushteteve.
Në mbyllje, Prençi tha se “ndërhyrja e këtij lloji rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi mund të ndikojë mbi vendimet gjyqësor duke cenuar balancën dhe ekuilibrin e pushtëve të përcaktuar nga Kushtetuta”, tha ai.
/m.q/a.f/
The post Pezullimi i Ballukut, SPAK: Masë individuale, asnjë cenim i kompetencave të ekzekutivit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.