Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve
TIRANË, 28 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, deklaroi se çështja e procedurave eksportuese dhe lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur koston dhe kohën e transportit, mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme.
Në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro për herë të parë ditën e sotme u prezantua platforma ExportOn.
Rama tha janë vendosur instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare.
“Thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me çfarë do donim të ishte. Qoftë për linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, qoftë për çfarë do të fillojë të bëjë Banka e re e Zhvillimit duhet të kuptojmë ekzaktësisht prej jush ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë në mënyrë që këto instrumente të jenë sa më të arritshëm nga ju dhe që ne të mund të fusim në dizpozicionin tuaj sa më shumë fonde”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “linja e kreditimit e Bankës së Shqipërisë është “pa limit”, po të kemi parasysh sa larg jemi nga thithja e pjesës së parë të fondeve që është vënë në dispozicion”.
Kryeministri e mbylli fjalën duke iu kujtuar kompanive rëndësinë e investimit në burime njerëzore.
“Kompanitë shqiptare po e kuptojnë vetë, por përsëri mund ta adresojnë shumë më shpejt dhe më mirë dhe me më shumë përfitim. Përpara disa vitesh, u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Dhe ishte diçka e jashtëzakonshme ajo pasqyrë për të parë lidhjen e drejtpërdrejtë mes investimit në burimet njerëzore, trajnimeve, kualifikime të mbështetura financiarisht. Të gjitha ato kompani që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burimet njerëzore, kishin ardhur me rënie në raport me kompanitë që kishin investuar në burime njerëzore”, tha Rama, duke theksuar se kjo është e rëndësishme edhe në kuadër të sfidës së integrimit evropian.
/e.i/j.p/
The post Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.