“Bankers”, lirohet drejtori/ GJKKO vendos ‘arrest shtëpie’ pas shtyrjes së afatit të hetimit
Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia me masën arrest shtëpie CEO-n kinez të kompanisë Bankers Petroleum, Hongping Xiao. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO zgjati afatet hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”. Ka qenë një kërkesë nga vetë CEO I Bankers në gjykatën e posacme, e cila vendosi të zbusë masën e sigurisë.
Më herët Gjykata e Posaçme vendosi të zgjasë me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen “Bankers Petroleum”, me kërkesë të SPAK. Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella argumentuan se kjo zgjatje është e nevojshme për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, për shkak të kompleksitetit të çështjes ndërsa kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.
Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për periudhën 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Hetimi, i cili tashmë është në dorë të SPAK, është zgjeruar duke përfshirë përgjegjësi brenda administratës tatimore dhe doganore, si dhe zyrtarë lokalë që dyshohet se kanë injoruar abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme buxhetit të shtetit. Hetimi filloi më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, ku u ekzekutuan disa masa sigurie ndaj drejtuesve të kompanisë./abcnews.al