Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën
TIRANË, 15 janar/ATSh/ Gjykata Kushtetuese vlerësoi sot se vendimet e gjykatave të posaçme për vijimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.
Në 17 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare çështjen me kërkues Sali Berishën, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese nënvizoi se në vitin 2023 ndaj kërkuesit rezulton se, për kërkesën e prokurorit, nga gjykatat e zakonshme janë vendosur masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
“Vendimet gjyqësore që kanë disponuar për këto masa sigurimi janë bërë objekt i shqyrtimit nga Gjykata, e cila, me vendimin e datë 21 nëntor 2024 ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kishin vendosur ato masa, si të papajtueshme me Kushtetutën, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. “Kjo me arsyetimin se në caktimin ndaj kërkuesit të këtyre dy masave vendimeve të gjykatave u mungon arsyetimi, për rrjedhojë nuk rezulton që të kenë vlerësuar nevojën për caktimin tyre për të njëjtin procedim ndaj tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për shkak se Berisha nuk respektoi një prej masave të sigurimit të caktuar nga gjykata, “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për kërkesën e prokurorit gjykatat e zakonshme, në datën 30 dhjetor 2023, ka zëvendësuar masat e sigurimit të vendosura ndaj kërkuesit me masën “Arresti në shtëpi”.
“Edhe procesi gjyqësor që disponoi për zëvendësimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, duke caktuar masën “Arresti në shtëpi”, është bërë objekt i kontrollit kushtetues nga Gjykata, e cila, me vendimin e datës 17 janar 2025, ka vendosur rrëzimin e kërkesës”, bëri të ditur Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë rasti që u shqyrtua sot lidhet me një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 30 korrik 2024, përmes të cilit është disponuar për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”.
Gjykata, bazuar në jurisprudencën e GjEDNj-së vlerësoi t’i analizojë vendimet gjyqësore në drejtim të kufizimit të lirisë personale për periudhën që ato kanë prodhuar pasoja juridike.
Në vlerësimin e kësaj çështjeje, Gjykata konstatoi se gjykatat në shqyrtimin e kushteve dhe të kritereve për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” kanë arsyetuar se nevojat e sigurimit paraqiten të pandryshuara me ato për të cilat në gjenezë është konkluduar se kërkuesi duhej të vendosej nën një masë sigurimi.
Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese evidentoi se gjykatat që kanë lejuar vijimin e masës së sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, u janë referuar të njëjtave nevoja sigurimi si në momentin fillestar, kur janë caktuar masat e sigurimit ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Gjykata konstaton se për këtë të fundit, në vendimin e saj ka konsideruar që për sa kohë u konstatua mungesë në vlerësimin e elementit të nevojës për kufizimin e të drejtave dhe të lirive të kërkuesit, në raport me mbarëvajtjen e procedimit penal, kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Po kështu, Gjykata, mbi bazën e të njëjtave argumente, konstatoi se edhe vetëm masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” duket se i plotësonte nevojat e sigurimit.
“Ndërkohë, në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi”’ në lidhje me rrezikun e ikjes, nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se ajo përmbushej nga masa e sigurimit ‘Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’”, vlerëson Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi”.
Nisur nga kjo, Gjykata konstatoi se arsyetimi i vendimeve gjyqësore nuk është i mjaftueshëm në aspektin kushtetues në vlerësimin e kësaj nevoje sigurimi, duke mbajtur parasysh edhe faktin se justifikimi për caktimin fillimisht të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” konsistonte në mosrespektimin, moszbatimin nga kërkuesi të masës “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Në vlerësimin e Gjykatës, vetëm një rrethanë e tillë nuk mund të justifikojë vijimin e zbatimit ndaj kërkuesit të masës “Arresti në shtëpi”, pra nuk mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për zgjatjen në kohë të gjatë të kufizimit të lirisë, pa arsyetuar për ndonjë arsye të re që justifikon vijimin e masës konkrete.
Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se vendimet objekt i këtij gjykimi kushtetues, që kanë disponuar për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.
Për shkak se masa e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk është më në fuqi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 3 janar 2025 ka vendosur zëvendësimin e saj me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Gjykata vendosi të mos i shfuqizojë vendimet objekt të këtij shqyrtimi kushtetues.
Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe deklarimin si antikushtetuese të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. “Shpenzimet e përfaqësimit të kërkuesit në vlerën 75.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave”, thuhet në vendim.
/m.m/a.f/r.e/
The post Gjykata Kushtetuese: Vijimi i “Arrestit në shtëpi” për Berishën, në kundërshtim me Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.