Vengu për ATSH: Rritje e angazhimit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s
TIRANË, 26 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot, në një konferencë për shtyp, se Shqipëria do të vijojë rritjen e angazhimit të saj në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.
I pyetur nga ATSH lidhur me situatën politike dhe nëse Shqipëria ka në plan të rrisë praninë e trupave në misionet paqeruajtëse të NATO-s, Vengu tha se angazhimi ndërkombëtar i vendit ka ardhur vazhdimisht në rritje.
“Angazhimi ndërkombëtar në të gjitha misionet, qoftë të NATO-s, BE-së apo Kombeve të Bashkuara, ka ardhur në rritje dhe do të vazhdojmë ta rrisim. Kjo lidhet edhe me vlerësimin e NATO-s për misionin në KFOR, ku kërkohen forca shtesë. Si një prej kontribuuesve kryesorë në KFOR, edhe Shqipëria do të shtojë forca, këtë vit konkretisht me komponentin ajror, ndërkohë që tradicionalisht kemi qenë të angazhuar me komponentin tokësor”, u shpreh Vengu.
Ministri theksoi se veprimi i forcave shqiptare realizohet gjithmonë në partneritet me vende shumë herë më të fuqishme, brenda strukturave të të cilave operojnë forcat tona, element që, sipas tij, duhet marrë parasysh.
Po ashtu, Vengu nënvizoi se Shqipëria dislokon forca në ato misione ku mund të sjellë një vlerë të shtuar.
“Forca e Armatosur ka një specialitet specifik, siç është komponenti EOD në Letoni, pasi Shqipëria ka kapacitete të konsoliduara në demontimin, çminimin dhe eliminimin e rrezikut nga mjetet plasëse në fushëbetejë. Këtë kapacitet do të vazhdojmë ta ofrojmë për Aleancën”, tha ai.
Sa i përket rreziqeve biologjike dhe kimike, ministri bëri të ditur se po ndërtohen kapacitete të reja për përballimin e tyre, të cilat do t’i japin Shqipërisë mundësinë të kontribuojë edhe në misione të tjera të NATO-s.
Vengu vuri në dukje se misionet ndërkombëtare janë gjithashtu një teatër i rëndësishëm stërvitor për Forcat e Armatosura.
“Ato janë një instrument diplomatik për vendin, në procesin e linjëzimit me BE-në dhe NATO-n, por njëkohësisht janë edhe mundësi konkrete për rekrutët, ekspertët dhe oficerët tanë që të stërviten në kushte reale, shpeshherë me një shkallë të caktuar rrezikshmërie”, tha ai.
Sipas ministrit, angazhimi në misione sjell një përfitim të dyfishtë, ndaj synimi është që rotacionet të bëhen më të shpeshta, në mënyrë që një numër sa më i madh personeli aktiv të ketë mundësi të ekspozohet, të specializohet dhe të stërvitet në kushte reale operacionale.
/r.e/
The post Vengu për ATSH: Rritje e angazhimit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.