Nga Gazeta ‘SI’ – Një skandal në prag të festave të fundvitit, ka detyruar qeverinë të marrë një vendim të ri…për të monitoruar prodhimin dhe shishet e verës.
Sipas vendimit të sapopublikuar, në një regjistër të ministrisë së Bujqësisë do të mbahet shënim çdo lëvizje e produkteve të verës nga prodhimi ose importi, magazinimi, transporti dhe shitja apo humbja. Urdhri detyron prodhuesit, përpunuesit, mbushësit e shisheve dhe tregtarët e verës të mbajnë regjistra të posaçëm, fizikë ose elektronikë.
Ligji i ri thekson se prodhuesit duhet të shënojnë edhe konsumin personal e të familjes, e cila nuk mund të jetë më shumë se 10 hektolitër në vit.
Çdo humbje, konsum apo tërheqje duhet të deklarohet brenda 3 ditëve, ndryshe do të nisë një hetim nga autoritetet përgjegjëse.
Vendimi vjen pas një skandali në Agjencinë e Informacionit, AKSHI, me personazh kyç, Ergys Agasin, i cili është shpallur në kërkim. Agasi, biznesmen që dikur ka shërbyer në qeveri, dyshohet se ka zhdukur brenda natës një 900 shishe verë me vlerë miliona euro, pak orë pasi SPAK vendosi sekustrimin. Koleksioni ishte prodhim i limituar dhe sipas burimeve, ishte kontrabandë.
Për shkak të pengesave logjistike, drejtoria e Hetimit Doganor kishte planifikuar marrjen e mallit ditën pasuese, ndërsa verërat ishin bllokuar në ambientet ku ruheshin. Të nesërmen, përveç verës, rezultuan të zhdukura edhe kamerat e sigurisë së qilarit, në një zonë rurale në lindje të Tiranës.
Për Ergys Agasin ka një urdhër-arrest të paekzekutuar, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, pastrim parash, pengmarrje me dhunë dhe shkelje e barazisë në tender. Me të njëjtat akuza kërkohet dhe ortaku i tij Ermal Beqiri. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Pjesë e të njëjtit grup, sipas Prokurorisë, është në arrest shtëpie.
The post Skandali me verën e Agasit, qeveria masa për prodhuesit dhe shitësit: Raportim për çdo shishe që pihet e ‘humbet’ appeared first on Gazeta Si.