Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Main stream

Dy persona gjenden pa shenja jete në një vilë në Pejë

30 December 2025 at 16:15


Dy persona janë gjetur pa shenja jete sot në një vilë në rrugën e KFOR-it, në qytetin e Pejës.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti është raportuar rreth orës 15:10.

“Sot rreth orës 15:10 policia është informuar se në një vilë në rrugën e KFOR-it dy persona dyshohej se ishin pa shenja jete. Në vendngjarje është lajmëruar edhe emergjenca. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tyre,” ka deklaruar Gashi.

Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar dhe autoritetet janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Më shumë detaje pritet të bëhen publike pas përfundimit të hetimeve fillestare./Telegrafi.

Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

30 December 2025 at 14:35


Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, gjatë ditës së sotme, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se operacioni policor ndërlidhet me një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur më 28.12.2025 në Prishtinë.

Personi i dyshuar, G.P., mashkull, 42 vjeç, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/

Hodhi mbeturina në rrugë nga vetura, gjobitet një person në Prishtinë

30 December 2025 at 13:52


Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi i njëjti është hasur duke hedhur mbeturina nga vetura në rrugë.

Pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla. /Telegrafi/

Aktakuzë për krime lufte ndaj S.A, dyshohet për vrasjen e 13 civilëve në komunën e Gjilanit

30 December 2025 at 12:14


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.A. për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

I pandehuri S.A., akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatin Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër personave të tjerë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Lumbardh Salihu flet pas zgjedhjeve: Rezultati nuk është i kënaqshëm, por unë nuk do të ndalem

30 December 2025 at 12:00


Me numërimin e rreth 30 për qind të kutive të votimit, kanë dalë në dritë shifrat e para për kandidatin e LDK-së, Lumbardh Salihu.

Deri në këtë fazë të procesit, Salihu ka grumbulluar rreth 1200 vota.

Ky rezultat tregon një ecuri sfiduese për ish-fituesin e Big Brother, i cili po garon për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas publikimit të rezultateve të para, Salihu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.

“Qytetarë të dashur, faleminderit për përkrahje. E kuptoj që rezultati nuk është i kënaqshëm, por unë nuk do të ndalem".

"Do të vazhdoj të kontribuoj me zemër për vendin tim dhe atë vetëm përmes LDK-së. Respekt”, ka shkruar ai.

Procesi i numërimit të votave vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sjellin një pasqyrë më të qartë për garën elektorale. /Telegrafi/

Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit

30 December 2025 at 11:20


Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.

“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.

Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.

Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore. /Telegrafi/

Gjeti kuletën me 800 euro por viktimës i'a ktheu vetëm 500 - arrestohet i dyshuari

30 December 2025 at 09:18


Një person është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim të pasurisë së huaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas raportit policor, i dyshuari mashkull kosovar ka gjetur një portofol në parkingun e një pompe derivatesh në magjistralen Podujevë-Prishtinë i cili i kishte rënë një viktime mashkull kosovar.

Në portofol, sipas deklarimit, ndodheshin rreth 800 euro para të gatshme dhe dokumente personale.

Policia bën të ditur se i dyshuari nuk e ka raportuar gjetjen e portofolit në institucionet përkatëse dhe dyshohet se ka mbajtur një pjesë të parave. Pas identifikimit, ai është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Viktimës i është kthyer portofoli me 500 euro para dhe dokumentet personale, ndërsa rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Aksident me fatalitet në Bresje të Fushë Kosovës, këmbësori goditet për vdekje

30 December 2025 at 08:33


Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e së martës në Bresje të Fushë Kosovës, ku një këmbësor është goditur për vdekje.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 05:00, kemi pranuar informatën se në Bresje të Fushë Kosovës, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një këmbësor. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka mbetur i vdekur”, tha ajo.

Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Me rastin po merret Njësiti i trafikut rajonal. /Telegrafi/

Yesterday — 29 December 2025Main stream

SC Gjilani me fondacionin e klubit gjithmonë në shërbim të komunitetit - ndahen donacione për tri qendra

29 December 2025 at 20:24


Fondacioni i SC GjilaniT po vazhdon të dëshmojë se sporti është shumë më tepër se garë dhe emocione në fushë.

Me një frymë solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore, Fondacioni ka mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan, me nga 2 mijë euro secilën.

Kjo iniciativë humane u realizua falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të pakursyer të partnerëve të çmuar të klubit – si El Bau, Demiri Gartenbau GmbH dhe Autovillage AG – të cilët qëndrojnë pranë SC Gjilanit jo vetëm në rrugëtimin sportiv, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.


Përfaqësuesit e klubit, së bashku me disa nga futbollistët dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri institucione, ku u dorëzuan mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste, si shenjë respekti, përkrahjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.

Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë e tij humanitare, duke mbështetur iniciativa dhe organizata që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe forcimin e komunitetit tonë./Telegrafi/

Nga bllokimi në drejtim: Çfarë treguan votimet në Kosovë

29 December 2025 at 15:43

Ndërsa pluhuri po bie pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës të dielën, rezultati nuk duket si një ngjarje politike rutinë, por si një gjykim kolektiv. Elektorati nuk ishte delikat. Ai i dërgoi një mesazh të qartë dhe të fuqishëm klasës politike në vend dhe vëzhguesve jashtë Kosovës: paraliza 1-vjeçare institucionale solli kosto dhe kishte […]

The post Nga bllokimi në drejtim: Çfarë treguan votimet në Kosovë appeared first on Reporter.al.

Aktakuzë ndaj nëntë personave për mashtrim financiar ndaj shtetasve të huaj

29 December 2025 at 15:57


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi”, përmes së cilës dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm miliona euro duke mashtruar shtetas të huaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuar janë: N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q. dhe V.M. Përveç veprës së mashtrimit, i pandehuri N.S. akuzohet edhe për “posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, në bashkëveprim dhe në një periudhë të papërcaktuar kohore deri në shkurt të vitit 2024, kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar mjete financiare në vlerë prej 2,067,271 euro.

Sipas hetimeve, të pandehurit janë paraqitur në mënyrë të rreme si kompani investimesh dhe kanë kontaktuar viktimat, duke i bindur të investojnë në platformat “Option888” dhe “Krack”. Pas sigurimit të qasjes në aplikacionet e viktimave, ata dyshohet se kanë manipuluar të dhënat financiare, duke paraqitur rritje fiktive të investimeve.

Hetimet e Prokurorisë kanë konstatuar se mjetet financiare të përfituara nga viktimat, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë shpërndarë ndërmjet të gjithë të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe në mbrojtjen e rendit juridik dhe ligjshmërisë në vend. /Telegrafi/


Lumezi nuk e pranoi propozimin, KPK e heq nga rendi i ditës

29 December 2025 at 15:16


Këshilli Prokurorial i Kosovës ka tërhequr nga rendi i ditës propozimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e zëvendëskryeprokurorit të kësaj zyre, pas refuzimit të kandidatit të propozuar.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, kishte propozuar Aleksandër Lumezin për këtë pozitë, duke u bazuar, siç tha ai, në përvojën e tij të gjatë profesionale dhe pas konsultimeve paraprake. Megjithatë, gjatë ditës u raportua se Lumezi nuk e ka pranuar propozimin.

Pas tërheqjes së kandidaturës, Qalaj deklaroi se e respekton vendimin e Lumezit dhe se për rrjedhojë është tërhequr edhe propozimi nga rendi i ditës së KPK-së. Ai shtoi se çështja e emërimit të zëvendëskryeprokurorit të Shtetit do të rishqyrtohet në të ardhmen.

“"Pas propozimit qe kam bërë dhe kam propozuar Aeksandër Lumezin me konsultim dhe me të duke u bazuar edhe në përvojën e tij te gjatë, e kam parë të arsyeshme qe ta propozojë si zëvendës, mirëpo meqë e ka spjeguar situatën me letrën e tij dhe unë e tespektoj vullnetin e tij dhe tërhiqem nga propozimi për zëvendës të prokurorit të ahtetut në të ardhmen do te shohim", tha ai.

Vendimi i KPK-së lë të hapur procesin për përzgjedhjen e një kandidati tjetër për këtë pozitë të rëndësishme në sistemin prokurorial të vendit, në një periudhë kur institucionet e drejtësisë janë në fokus të reformave dhe vëmendjes publike./kp/

Fondi Pensional mbyll vitin me mbi 300 milionë euro kthim nga investimet

29 December 2025 at 14:29


Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se deri më 24 dhjetor 2025 ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë euro, duke e bërë vitin 2025 një nga më të suksesshmit në historinë e institucionit.

Sipas njoftimit, meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vjetët e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.

FKPK thekson se ky ishte “viti i 21-të, nga gjithsej 24 vjet të operimit të FKPK-së, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet”, ndërsa “kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në këtë datë të raportimit ka arritur në rreth 1.3 miliardë euro”.

Në njoftim bëhet e ditur se edhe arkëtimi i kontributeve të reja ka shënuar rritje të ndjeshme.

“Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i kontributeve të reja dhe kthimit nga investimet, FKPK njofton se vlera neto e mjeteve nën menaxhim për këtë vit aktualisht është ngritur për rreth 569 milionë euro, duke qenë larg ngritja më e shpejtë ndonjëherë e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së.

Sa i përket Portofolit Standard, FKPK bën të ditur se “performanca e investimeve për vitin 2025 është +9.14%”, duke theksuar se ky portofol “ka arritur ta tejkalojë dukshëm inflacionin në vend”.

Në njoftim thuhet se kjo performancë i atribuohet si vlerësimit pozitiv të indekseve kryesore të tregjeve financiare, por po ashtu edhe alokimeve taktike të FKPK-së, veçanërisht përqendrimit në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Megjithatë, FKPK paralajmëron kujdes për vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2026 FKPK-ja do të mirëmbajë vigjilencën, ngase trajektorja rritëse e vitit 2025 mund të ballafaqohet me pengesa nga vlerësimet e larta dhe normat e vazhdueshme të inflacionit”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, Portofoli i Balancuar për vitin 2025 ka shënuar rritje prej “+8.97%”, ndërsa Portofoli Konservativ ka pasur një performancë prej “+3.43%”, me fokus në mbrojtjen e kursimeve për pjesëmarrësit e moshës 63 vjeç e sipër.

Në përfundim, FKPK vlerëson se të tre portofolat investues, përgjatë këtyre dy vjetëve të funksionimit, kanë dhënë shenja tejet inkurajuese, duke ritheksuar se do të vazhdojë strategjinë e saj afatgjatë të investimeve, të kombinuar me veprime taktike në varësi të zhvillimeve globale. /Telegrafi/

Prishtina ndanë rrugët me Gentrit Salihun

29 December 2025 at 14:28


Prishtina ka ndarë rrugët me mesfushorin Gentrit Salihun.

22-vjeçari ka qenë pjesë e skuadrës në dy vitet e fundit, teksa ka ndërprerë kontratën me marrëveshje me klubin.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Salihu ka pasur 35 ndeshje zyrtare ku ka shënuar edhe një gol dhe ka dhuruar dy asistime.

Njoftimi i plotë nga FC Prishtina:

FC Prishtina njofton se bashkëpunimi me mesfushorin Gentrit Salihu ka përfunduar me mirëkuptim të ndërsjellë.

Mesfushori, 22 vjeçar Gentrit Salihu, ishte pjesë e klubit për një sezon e gjysmë, gjatë së cilës periudhë ka regjistruar gjithsej 35 paraqitje zyrtare.

Me fanellën bardh e kaltër, ai kontribuoi me 1 gol dhe 2 asistime, duke qenë gjithashtu pjesë e ekipit që triumfoi në Kupën e Kosovës 2025.Gentrit Salihu u rikthye te FC Prishtina në korrik të vitit 2024, pasi më herët kishte qenë pjesë e klubit duke u formuar te ekipi U19.

FC Prishtina e falënderon Gentrit Salihun për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së kaluar në klub, duke i uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij profesionale. /Telegrafi/

Formacioni i vitit 2025 në Superligën e Kosovës - Drita dominon me gjashtë futbollistë

29 December 2025 at 13:37


Futbolli për vitin 2025 në Kosovë ka marrë fund dhe tanimë skuadrat janë në pushim të merituar pas angazhimit 12 mujor.

Drita është kampione e Kosovës të shpallur në maj për sezonin 2024/25, derisa në stinorin e ri 2025/26, në pozitën e parë e ka mbyllur Ballkani dhe dimëron si lider.

Redaksia e Telegrafi Sport vazhdon të zgjedh formacionin e vitit si gjithmonë dhe këtë e ka bërë edhe për vitin 2025, duke përzgjedhur 11 futbollistë që kanë lënë gjurmë gjatë 12 muajve në futbollin kosovar.

Përkundër se ka pasur konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat, Telegrafi Sport ka zgjedhur 11 futbollistë që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrat e tyre, kanë pasur arritje personale dhe ato ekipore.

Portieri:

Faton Maloku ka qenë fantastik këtë vit me Dritën. Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.

34-vjeçari ishte disa herë edhe i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës.

Mbrojtja:

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Besnik Kransiqi, i cili vazhdon të shkëlqejë përkundër moshës. 35-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm gjatë vitit 2025 ku në 48 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.

Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Egzon Bejtullai i Dritës dhe Ardian Limani i Prishtinës. Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.

Partner i Bejtullait është Ardian Limani, që ka qenë lojtari që ka shkëlqyer te Prishtina gjatë gjithë vitit. Limani zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar 3 asistime, ku njëri nga ta ishte në finalen e Kupës së Kosovës, e ku Prishtina arriti të fitonte trofeun.

Mbrojtja kompletohet me anësorin kongolez të Dritës, Raddy Ovouka i cili ishte i pakalueshëm në mbrojtje e i pandalshëm në sulm. 26-vjeçari zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar tetë asistime.

Mesfusha:

Albert Dabiqaj është në qendër të mesfushës falë një viti fantastik ku shkëlqeu si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 53 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime.

Së bashku me Dabiqajn në mesfushë është Etnik Brruti, i cili ishte lojtari kryesor i Malishevës. 21-vjeçari ishte motor në mesfushën e Malishevës, derisa në 38 ndeshje gjatë vitit 2025 kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime.


telegrafi.com

Në krahun e djathtë të mesfushës është talenti i Llapit, Arianit Hasani që ishte edhe zbulimi i këtij sezoni. Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.


Ndërkohë në të majtë të mesfushës është Almir Kryeziu i Ballkanit, i cili mbajti ritmin gjatë gjithë sezonit. 27-vjeçari në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime.


Sulmi:

Në qendër të sulmit janë dyshja Arb Manaj i Dritës dhe Senad Jarovic i Gjilanit.

Duke zhvilluar plot 48 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.


“Ndeshje e vështirë, ritmi më i madh në Evropë se në Superligë”, Arb Manaj flet pas barazimit ndaj Omonoian telegrafi.com

Përkrah lojtarit më të mirë të viti 2025 në Kosovë, është Senad Jarovic i Gjilanit. Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.


Senad Jarovic 2024/05/Senad-Jarovic.jpg telegrafi.com

Trajneri i Vitit:

Trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë është padyshim Zekirija Ramadani i Dritës. Shkupjani u shpall kampion me Dritën, derisa arriti ta fus në grupe të Ligës së Konferencës, madje edhe kaloi në fazën 'Play-Off'. /Telegrafi/

Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, fiton çmimin për shkrimin më të mirë në media online nga BQK

29 December 2025 at 12:42


Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, është shpërblyer me çmimin e Bankës Qendrore të Kosovës për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar.

Çmimi i është ndarë për artikullin “Shkrimi më i mirë i publikuar në media online/web portal”, që trajton mashtrimet bankare përmes email-eve dhe SMS-ve, si dhe masat e sigurisë të ndërmarra nga BQK dhe Shoqata e Bankave të Kosovës.

Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, fiton çmimin për shkrimin më të mirë në media online nga BQK telegrafi.com

BQK ka vlerësuar kontributin e gazetarisë në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për sigurinë financiare dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur në Prishtinë, ndërsa mirënjohja është nënshkruar nga Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.

Guvernatori i BKQ-së: Rritje ekonomike 3.9% në vitin 2025, për 2026 parashihet 4.1%

29 December 2025 at 11:49


Banka Qendrore e Kosovës (BQK), nën drejtimin e guvernatorit Ahmet Ismaili, ka publikuar të dhënat kryesore ekonomike të vendit për vitin 2025, duke evidentuar një rritje pozitive dhe stabilitet financiar të qëndrueshëm.

Sipas raportit të BQK-së, ekonomia e Kosovës është rritur me 3.9 për qind gjatë këtij viti, me kontribuese kryesore konsumin e brendshëm, eksporte në rritje dhe flukset e qëndrueshme të remitencave.

Guvernatori Ahmet Ismaili theksoi se “trendët e stabilitetit financiar dhe rritjes ekonomike tregojnë forcën e ekonomisë kosovare, pavarësisht sfidave globale”, raporton Telegrafi.

Për vitin 2026, BQK parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 për qind, e nxitur nga investimet dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik. Remitencat vazhdojnë të kenë një rol kyç në mbështetjen e konsumit, me një vlerë të pritshme prej 1.4 miliard euro deri në fund të vitit.

Raporti gjithashtu evidenton një trend të rritjes së investimeve të huaja direkte, të cilat pritet të kontribuojnë më tej në zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Guvernatori Ismaili theksoi se “synimi ynë mbetet ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për një rritje të qëndrueshme, duke nxitur besimin tek ekonomia kosovare dhe partnerët investues”. /Telegrafi/

Policia e Ferizajt shqipton 1,421 gjoba dhe pezullon 23 patente shoferësh brenda një jave

29 December 2025 at 11:40


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë publike statistikat për aktivitetet e saj gjatë javës së kaluar, nga 22 deri më 28 dhjetor 2025, duke përfshirë gjobat e shqiptuara dhe aksidentet në komunikacion.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1,421 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 23 patente shoferësh janë pezulluar për shkelje të rënda në trafik.

Gjatë javës së fundit janë regjistruar 56 aksidente, përfshirë:

  • 1 aksident fatal, ku ka humbur jetën një person,
  • 22 aksidente me lëndime, ku janë raportuar 29 persona të lënduar,
  • 33 aksidente me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt thekson se aktivitetet për parandalimin e aksidenteve do të vazhdojnë dhe bën thirrje tek shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve.

Gjithashtu, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, apo në numrin kujdestar 192. /Telegrafi/

Vazhdojnë mesazhet mashtruese, Posta e Kosovës apelon qytetarët për kujdes

29 December 2025 at 11:18


Posta e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një valë të re të mesazheve mashtruese që qarkullojnë përmes SMS-ve, ku palë të panjohura paraqiten në emër të Postës së Kosovës.

Sipas njoftimit të institucionit, menjëherë pasi është bërë i ditur për rastet, Posta ka informuar organet kompetente dhe po bashkëpunon me to për hetimin e sulmeve.

Posta e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve, si dhe të mos bashkëpunojnë me numra telefonikë që nuk i përkasin Postës.

“Në asnjë rast, Posta e Kosovës nuk do t’ju kërkojë të dhëna personale apo informacione bankare”, thuhet në njoftim.

Institucioni ka theksuar se kanalet e saj zyrtare janë:

Posta e Kosovës ka bërë të ditur se sulme të ngjashme janë raportuar edhe në postat e tjera të rajonit dhe ka riafirmuar përkushtimin e saj për të mbrojtur qytetarët dhe për të bashkëpunuar me institucionet relevante. /Telegrafi/


Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ publikon përditësimin e fundit, LVV siguron 49.30% të votave, ja si renditen partitë e tjera

By: Fax Web
29 December 2025 at 09:18

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka publikuar përditësimin më të fundit të rezultateve në orën 07:24, ku janë numëruar 900,330 vota nga 1,999,204 gjithsej, ose 45.03% e votave, ndërsa përpunimi i vendvotimeve ka arritur në 99.26%.

Sipas këtij përditësimi, renditja e partive politike është si më poshtë:

-Lëvizja VETËVENDOSJE! kryeson bindshëm me 429,979 vota, që përbëjnë 49.30% të totalit të votave të numëruara.
-Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 183,258 vota ose 21.01%.
-Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban vendin e tretë me 118,490 vota, që përfaqësojnë 13.59%.
-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 49,571 vota apo 5.68%.
-Lista Serbe (Srpska Lista) ka marrë 41,335 vota, që përkthehen në 4.74%.
-NISMA Socialdemokrate ka grumbulluar 14,973 vota, ose 1.72%.

Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në orët në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të konfirmohen pas përpunimit të plotë të të gjitha votave.

❌
❌