Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”.

Në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga kjo vizitë e cila nisi me pritjen në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me medaljen “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama e cilësoi këtë vizitë si “një mikpritje e paharrueshme në Emiratet e Bashkuara” duke theksuar se vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, Kreu i Ekzekutivit ishte pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.

Gjatë diskutimit, Rama vuri theksin tek investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse. A

i vlerësoi rolin dhe vizionin e lidershipit të Emirateve, si dhe kontributin e Dr. Sultan Al Jaber në nxitjen e projekteve ambicioze të tranzicionit energjetik. “Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Doktor Sulltani, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër”  u shpreh Kryeministri Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë foli edhe për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online.

Kryeministri konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian. /a.g/

The post Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada amerikane sqaron se cilët qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë drejt SHBA-ve

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të vijojnë të udhëtojnë në drejtim të SHBA-ve dhe cilat kategori janë të ndaluara.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, shqiptarët që disponojnë vizë amerikane lejohet të udhëtojnë drejt SHBA-ve vetëm nëse kanë për qëllim  turizmin, pushimet, blerjet, takime biznesi apo vizite te miqtë e të afërmit.

Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt SHBA-ve me qëllim lindjen e fëmijës, studimi për një diplomë apo me qëllim pune.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku mes tyre përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova.

“Është përgjegjësia juaj ta përdorni vizën tuaj në mënyrë korrekte”, deklaron ambasada e SHBA-ve në reagimin e saj në rrjetet sociale.

Disa aktivitete që LEJOHEN me vizë vizitori B1/B2:

✅ Turizëm

✅ Pushime

✅ Blerje

✅ Vizitë me miq ose të afërm

✅ Takime me bashkëpunëtorë biznesi

✅ Pjesëmarrje në një konventë ose konferencë

Aktivitete që NUK LEJOHEN me një vizë vizitori B1/B2:

❌ Turizëm lindjeje (udhëtim me qëllim kryesor lindjen në Shtetet e Bashkuara për të marrë shtetësinë amerikane për fëmijën)

❌ Punë që rezulton në pagesë nga një punëdhënës ose biznes amerikan

❌ Studimi për një diplomë ose kredite akademike

❌ Performanca të paguara

The post Ambasada amerikane sqaron se cilët qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë drejt SHBA-ve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrëfimi i ish-diplomatit Krisafi se si sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare për masakrën në Reçak

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/- Njëzet e shtatë vjet pas masakrës në Reçak, ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ksenofon Krisafi rrëfen se si kishte sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për agresionin e Serbisë mbi popullatën e pafajshme shqiptare.

Ksenofon Krisafi ka qenë ambasador i Shqipërisë në OKB, në periudhën 1998-2002.

Në një intervistë për KosovaPress, Krisafi tregon se në atë kohë ndodhej në Gjenevë, dhe dy ditë pas kishte telefonuar disa prej drejtuesve të organizatave ndërkombëtare.

Në takimet që kishte pasur me ta, Krisafi thotë se kishte vërejtur se e kishin marrë me të lehtë gjenocidin në Reçak.

“Unë u ndodha tamam-tamam në kohën e masakrës në Gjenevë. Ishte janari i vitit 1999. Më 15 janar ndodhi masakra, dy ditë më vonë, ishte ditë e hënë, e mbaj mend shumë mirë, në zyrën e ambasadorit të Shqipërisë, tek unë, trokiti dera dhe u fut vrullshëm një djalë i ri, një djalë i Kosovës, të cilin unë kisha pak ditë që e kisha njohur, ishte pikërisht Tahir Shabani, një aktivist i shquar i atyre kohëve, i cili ishte i zbehur në fytyrë, gati pa frymë, i tronditur, i tmerruar, erdhi pranë meje dhe lëshoi mbi tavolinën time një tufë fotografish saqë u mbush gjithë sipërfaqja e tavolinës dhe e CD-së. Dhe përmes lotëve, gati i ngashëryer, filloi të tregonte, ‘shiko se çfarë ka ndodhur’. I thashë Tahir, unë i di këto sepse i kam ndjekur lajmet, i kam parë, por sidoqoftë ato çka solli ai ishin jashtëzakonisht shumë prekëse. Dhe në prani të të Tahirit, unë njoftova menjëherë qeverinë time, sepse kështu është rregulli, për të marrë autorizimin e saj. I rashë telefonave të disa prej drejtuesve të organizatave ndërkombëtare me selinë në Gjenevë. Mary Robinson ishte kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut. Sadako Ogata ishte drejtuesja e organizatës për refugjatët, Brunson McKinley ishte për migracionin, e të tjera dhe ju kërkova takime”, rrëfen ai.

Thotë se kishte insistuar që të takohej me të gjithë këta drejtues të organizatave ndërkombëtare, por ishte e çuditshme se si të njëjtit nuk ishin shqetësuar sa Krisafi për gjenocidin në fshatin Reçak.

“Unë takimet që pata me to, transmetova shqetësimin për atë çka kishte ndodhur dhe kërkova me insistim që ato të tregoheshin pakës më të vendosur, për arsye se pata përshtypjen që e kishin marrë pak lehtë. Mendonin që këto janë gjëra që ndodhin, janë gjëra që nuk duhen amplifikuar e të tjera e të tjera. I thashë, nuk është çështje e amplifikimit, është çështje e ekzistencës së një populli të tërë. Dhe nuk vonoi, opinioni u sensibilizua, bashkësia ndërkombëtare vendosi atë që vendosi, domethënë, thirrjen e Rambujesë dhe pastaj bombardimin e Jugosllavisë si përgjegjëse për këto që ndodhën, po ndodhnin këtu në në Kosovë”, tregon ai për KosovaPress.

Serbët kanë qenë gjithmonë agresori

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ksenofon Krisafi sot mori pjesë në tryezën shkencore të organizuar nga Forumi i Intelektualëve me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për ballkanin”.

Ai theksoi se serbët gjithmonë kanë qenë agresioni, por kanë luajtur rolin e viktimës.

“Ajo që ka ndodhur midis shqiptarëve dhe serbëve është gati unikale. Serbët kanë qenë gjithmonë agresori dhe kanë marrë rolin e viktimës. Kanë arritur që me mjeshtërinë e tyre dhe me djallëzinë të sensibilizojnë opinionin në favorin e tyre dhe t’ia transferojnë, t’ia delegojnë gjithë përgjegjësinë e konflikteve – shqiptarëve, njerëzve të pafajshëm. Është një gjë që nuk duhet të ndodhë, është një gjë që na obligon ne shqiptarëve që përveç përplasjeve normale, politike, për sa i përket qarkullimit në pushtet të opozitave, të mazhorancës e të tjera e të tjera, ne duhet të bëjmë kujdes se ka një gjë shumë më të madhe që është çështja kombëtare dhe për çështjen kombëtare ne duhet të bëhemi një”, shprehet ai mes tjerash.

Fshati Reçak i komunës së Shtimes, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, rreth tre dekada më parë, bëri kthesë të madhe në historinë të Kosovës.

Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe. /KosovaPress/

The post Rrëfimi i ish-diplomatit Krisafi se si sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare për masakrën në Reçak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

27 vjet nga Masakra e Reçakut që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/- Kosova përkujton sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e trupave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

/Kosovapress/

The post 27 vjet nga Masakra e Reçakut që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 January 2026Main stream

Rama ndan pamje nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me urdhrin “Zayed”

TIRANË, 14 janar/ATSH/- Kryeministri Rama është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.

Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit duke e cilësuar “videokartolinë e një momenti të paharrueshëm”.

Medalja, që mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikut Zayed përfaqëson vlerësimin më të lartë shtetëror dhe i akordohet personaliteteve që kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama ka theksuar se ky vlerësim i dedikohet çdo shqiptari që i ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit, duke e konsideruar medaljen një nder për Shqipërinë dhe përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”, me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

The post Rama ndan pamje nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me urdhrin “Zayed” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe ku po merr pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu DhabiSustainability Week 2026” (ADSË).

Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga sisja e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që organizohet nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i Ekzekutivit është i pranishëm në këtë event me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilin e cilëson “një mik të madh të Shqipërisë”.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

The post Rama: Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

113-vjetori i Policisë së Shtetit, mijëra aksione e sakrifica në shërbim të vendit dhe qytetarëve

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit, një ditë për të kujtuar dhe vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave të tërë të punonjësve të policisë në shërbim të ligjit, rendit dhe sigurisë për qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e efektivëve të Policisë së Shtetit në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu nënvizon se në këtë 113-vjetor, me mijëra burra e gra në uniformë, mijëra aksione, mijëra sakrifica me një mision të vetëm, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Më 13 janar të vitit 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit duke ngarkuar për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Halim Gostivari do të ishte drejtori i parë i Policisë së Shteti. Ndërsa më 3 qershor 1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare”.

The post 113-vjetori i Policisë së Shtetit, mijëra aksione e sakrifica në shërbim të vendit dhe qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla në Dimal e Kuçovë: Vijon verifikimi i dëmve, çdo qytetar dhe fermer do të dëmshpërblehet

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte sot në bashkitë Dimal dhe Kuçovë, së bashku me kryetaren e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, dhe kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ku po ndjek nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Gjatë takimeve, ministri Salla zhvilloi bashkëbisedim me banorët, fermerët dhe blegtorët e zonës mbi dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Ai theksoi se institucionet janë pranë çdo qytetari dhe po ndjekin nga afër situatën.

“Jemi në terren dhe pranë çdo qytetari. Verifikimi i dëmeve po vijon dhe çdo qytetar, fermer e blegtor i prekur do të dëmshpërblehet”, u shpreh ai.

Ministrit Salla deklaroi se procesi i verifikimit po kryhet në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përkatëse, me qëllim evidentimin e plotë të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, si dhe garantimin e mbështetjes për të gjithë të prekurit.

The post Salla në Dimal e Kuçovë: Vijon verifikimi i dëmve, çdo qytetar dhe fermer do të dëmshpërblehet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Në prill mbahet Samiti IV i Diasporës

TIRANË, 10 janar/ATSH/- Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim online me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, me fokus bashkëpunimin dhe fuqizimin e rolit të diasporës në sfidat e zhvillimit të vendit.

Spiropali bën të ditur se në takim u fol për tri çështje konkrete: Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, risitë e Ligjit të Ri për Diasporën, si dhe përgatitjet për samitin e 4-t të Diasporës.

Ajo thekson se Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030, e ngre në një tjetër nivel ndërveprimin me shqiptarët përtej kufijve.

Kryediplomatja shton se gjatë takimit onlime u diskutua për risitë e Ligjit të Ri për Diasporën, përfshirë krijimin e Qendrave të Kulturës shqiptare në botë, fuqizimin e Agjencisë Kombëtare për Diasporën dhe shtimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Gjithashtu, shton ministrja Spiropali, u diakutua edhe për përgatitjet për samitin IV të Diasporës që do të mbahet në Tiranë në datat 14 dhe 15 prill, si një platformë konkrete e bashkëpunimit.

The post Spiropali: Në prill mbahet Samiti IV i Diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrëshqet rruga në Matogjinë të Selenicës, autoritetet masa për rikthimin e lëvizjes

TIRANË, 10 janar/ATSH/-Në zonën e Matogjinit të Bashkisë së Selenicës është shkëputur një pjesë mali duke shfaqur problematika në aksesin rrugor drejt lagjes Bashaj.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se aksesi është i bllokuar për lëvizje me automjete dhe se banorët janë jashtë rrezikut.

Në njoftim sqarohet se autoritetet vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit janë në komunikim të vazhdueshëm me banorët.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në bashkëpunim me Repartin e Xhenios, po merr masat e nevojshme për mbështetje dhe ndërhyrje në terren, me qëllim normalizimin e situatës dhe rikthimin e lëvizshmërisë.

The post Rrëshqet rruga në Matogjinë të Selenicës, autoritetet masa për rikthimin e lëvizjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendro: Strukturat në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast

TIRANË, 8 janar/ATSH/- Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro ka deklaruar se në Tiranë dhe në të gjitha fshatrat e këtij qarku ku ka problematika, ekipet e emergjencave janë në terren prej orëve të para të ditës dhe deri tani në mbrëmje.

Qendro nënvizon se “me gjithçka mundemi dhe kemi në dorë po punohet për normalizimin e situatës”.

Prefekti bën me dije se janë kryer disa evakuime dhe se strukturat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që do të kërkohet ndihmë.

Ai apelon qytetarët që të evitojnë lëvizjet e panevojshme teksa parashikimet thonë se reshjet do të jenë intensive edhe gjatë ditës së nesërme.

 

 

The post Qendro: Strukturat në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rëndohet situata në Novoselë, strukturat në gatishmëri për evakuimin e banorëve

TIRANË, 8 janar/ATSH/- Situata në njësinë administrative Novoselë po rëndohet, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, duke krijuar rrezik për banorët dhe pronat e zonës.

Bashkia e Vlorës njoftoi sot se në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.

Bashkia u bën thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.

Gjithashtu, Bashkia ka vënë në dispozicion të banorëve numrat e kontaktit:

Emergjencat Civile

+355 69 213 9738

Ndërmarrja e Shërbimeve Publike

+355 69 541 9296

Ujësjellës-Kanalizime

+355 69 930 8090

The post Rëndohet situata në Novoselë, strukturat në gatishmëri për evakuimin e banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: Strukturat shëndetësore në gatishmëri, aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës 24/7

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren dhe funksionimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin, për shkak të kushteve të motit.

MSHMS bën të ditur në njoftimin zyrtar se nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 4 Drejtoritë Rajonale, po sigurohet raportim i detajuar dhe i përditësuar mbi gjendjen e qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.

Ndërkohë, strukturat shëndetësore kanë marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Në këtë kuadër, vijon monitorim i pandërprerë 24/7 i situatës në terren, verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës, sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinim me autoritetet vendore dhe emergjencat civile si dhe caktim i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor

Ndërsa në nivel spitalor, MSHMS nënvizon se janë marrë një sërë masash si aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës me gatishmëri 24/7, forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave, monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës si dhe verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.

The post MSHMS: Strukturat shëndetësore në gatishmëri, aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës 24/7 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve u angazhuan për përballimin e pasojave nga moti i keq

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Përkeqësimi i motit dhe reshjet intensive të shiut përkeqësuan situatën mbrëmjen e djeshme në disa lagje të qytetit të Gjirokastrës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehu mirënjohje të veçantë për efektivët e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë në terren duke luftuar me prurjet e vrullshme të ujit në Gjirokastër.

Ai vlerësoi edhe angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar në disa zona të vendit.

Ministri nënvizon se mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete si dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në qarqet Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër, si edhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.

The post Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve u angazhuan për përballimin e pasojave nga moti i keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Monitorim i vazhdueshëm për mbrojtjen e pasurive kulturore

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor me prioritet, mbrojtjen e pasurive kulturore.

Gonxhja thekson se në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës.

“Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit”, bën të ditur ministri.

Gonxhja pohon se në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.

“Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim”, deklaron ai.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja shton se monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm.

The post Gonxhja: Monitorim i vazhdueshëm për mbrojtjen e pasurive kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e dendura të shiut krijojnë vështirësi në qarkullim në disa zona të Qarkut Durrës

TIRANË, 6 janar/ATSH/- Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar sot vështirësi serioze në qarkullim në disa zona në Durrës.

Prefektura e Qarkut Durrës në këtë situatë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo lëvizjeje dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave të Emergjencave Civile dhe të autoriteteve vendore, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë së tyre dhe të komunitetit.

Strukturat e Prefekturës së Qarkut Durrës, në bashkëpunim me ato të Mbrojtjes Civile, ndodhen në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme, duke garantuar reagim të koordinuar ndaj çdo emergjence.

Për të siguruar një komunikim të menjëhershëm me qytetarët, në rast të çdo shqetësimi apo situate të papritur, Prefektura Durrës ka publikuar kontaktet zyrtare të Prefekturës, Bashkive dhe Njësive Administrative të Qarkut Durrës:

PREFEKTURA E QARKUT DURRËS

Prefekti i Qarkut: 068 213 3479

Sekretari i Përgjithshëm: 069 298 6677

Sektori i Emergjencave Civile: 069 333 4448

BASHKIA DURRËS

Kryetare e Bashkisë: +355 69 404 2397

Nj.A. nr.1: +355 67 396 6496

Nj.A. nr.2: +355 68 602 6066

Nj.A. nr.3: +355 69 346 4644

Nj.A. nr.4: +355 67 204 03946

Nj.A. nr.5: +355 68 602 2222

Nj.A. nr.6: +355 68 522 7118

Sukth: +355 68 202 7057

Katund i Ri: +355 69 487 4868

Rrashbull: +355 69 912 8286

Ishëm: +355 68 202 2933

Manëz: +355 67 619 9666

Shërbimet e Bashkisë Durrës:

Policia Bashkiake: +355 52 232 250 / +355 68 874 8477

Ndërmarrja Rruga: +355 69 395 8568

UKD: +355 69 241 6094

Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale: +355 69 440 3455

Ndërmarrja Komunale Plazh: +355 69 203 6667

Agjencia e Parqeve Urbane: +355 68 208 7570

BASHKIA SHIJAK

Kryetari i Bashkisë: 069 209 7914

Policia Bashkiake: 067 506 6600

Zjarrfikësja: 069 332 1400

Emergjencat Civile: 069 335 3554

BASHKIA KRUJË

Emergjencat Civile:+355 68 406 9203

Policia e Shtetit: 129

Zjarrfikësja: 128

Numri unik i emergjencave në Shqipëri: 112

The post Reshjet e dendura të shiut krijojnë vështirësi në qarkullim në disa zona të Qarkut Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Rritje e niveleve të lumenjve, dëborë në zonat malore

TIRANË, 2 janar/ATSH/- Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se ditën e nesërme do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe qendër të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Gjithashtu, sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave 3 deri më 7 janar priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit.

Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, liqenin e Shkodrës, lumenjtë Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Ndërsa në qarqet Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, shoqëruar me shtrëngata.

Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

The post IGJEO: Rritje e niveleve të lumenjve, dëborë në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci

PRISHTINË, 1 janar/ATSH/- Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha.

Daci ka shërbyer si kryetar i Kuvendit e më pas edhe si president në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 2006.

Nexhat Daci është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.

Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi më 1944 në Tërnoc, ku mbaroi shkollimin fillor. Shko­llimin e mesëm e kreu në Leskoc (1956-1960). Studimet universitare i mba­roi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e ki­misë) në Beograd (1962-1966), ku u diplomua në qershor të vitit 1966. Studimet pasuniversitare i mbaroi në fakultetin dhe drejtimin e njëjtë në Beograd (1966-1968). Një kurs pasuniversitar e ka mbaruar Lièges (Belgjikë), në vitin 1970. U dok­torua në vitin 1973 në Universitetin e Zagrebit. Studimet e pasdoktoraturës i vazhdoi në Angli (Universiteti i Bradfordit) në vitin 1974.

Pas përfundimit të studimeve të rregullta dhe të magjistraturës, në vitin 1968 zuri punë – asistent në Fakultetin Filozofik të atëhershëm, në Katedrën e Kimisë. Karrierën universitare (më 1971 ligjërues; më 1974 profesor inordinar; më 1984 profesor ordinar) pa ndërprerje e ka ushtruar në Prishtinë, ndërsa dhjetëra herë ka pasur udhëtime studimi në Çeki (Brno), Shqipëri, Angli (Bradford, Oksford, Londër), Skotlandë (Aberdin).
Ka marrë pjesë në tubime shkencore (sim­poziume, konferenca dhe kongrese) në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare në: SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri, Kosovë. Është anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane në vitin 1985, i Akademisë Evropiane për Çështje Mjedisi me seli në Tübingen të Gjermanisë dhe Londër në vitin 1987 dhe kombëtare, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Ko­sovës në vitin 1993, korrespondent, dhe i rregullt në vitin 1996. Është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve nga viti 2014.

Gjatë periudhës akademike-universitare ka ushtruar edhe këto detyra: shef i Degës së Kimisë 1971-1973; sekretar i përgjithshëm i ASHAKut, 1994-1999; kryetar i ASHAK-ut, 1999-2002 dhe 2018-2019.

Ka qenë deputet (2001-2011) kryetar i Parlamentit të Kosovës në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

/Kosovapress/

The post Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia masa për ndërrimin e viteve, rritje e efektivëve dhe kontrolle në hyrje e dalje të kryeqytetit

30 December 2025 at 09:32

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/- Policia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.

Në njoftimin për mediet, Drejtoria e Policisë së Tiranës bën me dije se do të ketë shtim të prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Policia do të ketë pika fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë.

Gjithashtu do të intensifikohen masat për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Punonjësit e policisë do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale.

Në kuadër të masave të marra, policia do të rrisë prezencën e shërbimeve në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve.

Punonjësit e Policisë do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë menjëherë, në çdo rast nevoje, ndaj apelojnë qytetarëve për ndihmë dhe denoncim të paligjshmërive që hasin, pranë çdo patrulle fizike, njësie policie ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112.

The post Policia masa për ndërrimin e viteve, rritje e efektivëve dhe kontrolle në hyrje e dalje të kryeqytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis furnizimi me ujë në disa zona të Vlorës

30 December 2025 at 09:31

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/-  Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit në Vlorë është riparuar pas mesnate.

Bashkia Vlorë njofton se pas mbi 72 orëve pune intensive dhe pa ndërprerje u bë e mundur për riparimi i defektit në linjën kryesore 1000 mm të furnizimit me ujë të qytetit.

Prova e tretë e furnizimit ka rezultuar pozitive dhe aktualisht po furnizohen me ujë të pijshëm Zona e Çentrales, një pjesë e Lungomares dhe një pjesë e lagjes “Pavarësia”.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersni ka falenderuar ekipet teknike për sakrificën dhe qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin.

The post Nis furnizimi me ujë në disa zona të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌