PRISHTINË, 4 janar/ATSH/ 27-vjetori i themelimit e gjen KosovaPress-in në objekt të ri Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot shënon 27-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës. Kjo ditëlindje e gjen Agjencinë në objekt të ri, modern dhe funksional, i cili përmbush të gjitha kushtet për veprimtarinë e një mediumi bashkëkohor.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në misionin e KosovaPress-it për informim të saktë, të shpejtë dhe objektiv, si dhe një investim në cilësinë e gazetarisë dhe komunikimit medial në Kosovë.
Objekti i ri i KosovaPress-it është i pajisur me studio televizive, sallë konferencash, hapësira redaksionale dhe infrastrukturë teknike bashkëkohore, duke krijuar kushte optimale për prodhim dhe shpërndarje të informacionit profesional dhe të besueshëm.
Me 27 vjet përvojë në shërbim të publikut, KosovaPress vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të informimit, duke u përshtatur me trendet moderne dhe nevojat e kohës.
KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare.
Gjatë periudhës së luftës, KosovaPress publikoi lajme në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.
Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, në shtator të po këtij viti, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve.
Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë (në shkurt 2002 mediat dëbohen nga ish-ndërtesa e Rilindjes), ndërsa më pas, falë punës dhe këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe, vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.
Një kronologji e shkurtër:
Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005 rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.
Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin.
KosovaPress, në përvjetorin e 17 të punës (2016), prezantoi produktin e vet më të ri e që ishte transmetimi i drejtpërdrejt i ngjarjeve. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re, përmes kamerave 4K.
Investimi i vazhdueshëm në teknologji i lejon sot KosovaPress-it të bëjë deri në 10 transmetime “live” në të njëjtën kohë, si dhe me regji.
Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni.
Në vitin 2017, KosovaPress, pas nje lobimi disavjeçarë anëtarësohet me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE www.abnase.com). KosovaPress, që prej anëtarësimit, është duke dhënë një kontribut të vlefshëm në promovimin e vlerave nacionale në rrjetin e lajmeve që editohen në platformat e ABNA-SE.
Në shtator të 2021, KosovaPress pasi organizoi suksesshëm Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, mori presidencën për një vit.
Pas presidencës 2021-2022, KosovaPress vazhdon të jetë për tri vjet radhazi, pjesë e bordit të ABNA-SE (https://abnase.com/contacts/).
Lobimi dhe përpjekjet për të qenë pjesë edhe e rrjeteve tjera të agjencive të lajmeve nuk u ndalën.
Në shtator të 2022-ës, në Asamblenë Gjenerale, KosovaPress pranohet zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe me ketë anëtarësim KosovaPress-it iu hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e lajmeve të Evropës duke sjell produktet që i ofrojnë këto agjenci (https://www.newsalliance.org/news/the-european-alliance-of-news-agencies-we
Me këtë KosovaPress-it iu hapën edhe me shumë dyert e bashkëpunimit me të gjitha këto agjenci dhe rritjes së lajmeve nga këto vende dhe në këto vende për klientët e ndërsjellët.
Ne shkurt të vitit 2024 në Prishtinë, KosovaPress organizoi konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit. Në Prishtinë u bashkuan më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani.
Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe vende të tjera të rajonit e me gjerë i besojnë Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë, tashmë për vite me radhë.
Agjencia e Lajmeve KosovaPress vijon të sjellë për lexuesin dhe klientin gjithë çfarë ndodhë në jetën e përditshme politike, ekonomike e sociale të Kosovës, regjionit, Evropës dhe botës, por edhe duke ngritur çështje të rëndësishme përmes gjinive të tjera gazetareske si intervista, dokumentarë, reportazhe e të tjera.
KosovaPress është një burim i besuar i lajmit si dhe një kontribuues i madh i rritjes së lirisë së të shprehurit.
Vitin e kaluar i është bashkuar Clive Marshall, ish-shef ekzekutiv i Agjencisë së Lajmeve PA Media Group në Mbretërinë e Bashkuar, si President jo-ekzekutiv i KosovaPress-it.
/KosovaPress/
The post KosovaPress me zyra të reja në 27-vjetorin e themelimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.