TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë, të cilët i vlerësoi për sakrificën dhe përkushtimin në shërbim të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Rama tha se nuk duhet harruar sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve, punonjësve të Urgjencës Kombëtare, të gjithë stafit që mbështet për çdo orë e çdo ditë të vitit pa pushim, duke shpëtuar jetë, duke shëruar njerëz të sëmurë dhe duke kryer një shërbim jetik për shoqërinë dhe për vendin.
Kreu i qeverisë u shpreh se janë rreth 60 mijë operacione të suksesshme që bën shërbimi ynë shëndetësor në vit edhe plus 35 mijë ndërhyrjet mikro-kirurgjikale, që së bashku bëjnë 95 mijë ndërhyrje në trupin e njerëzve mesatarisht në vit dhe që janë të suksesshme.
“Përderisa nuk bëjnë lajm të keq – nuk bëjnë lajm të mirë dhe mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi për t’u kthyer në të kundërt, për të gjithë, për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor”, vuri në dukje Kryeministri.
“Kur ndodh pastaj që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që e njollosin bluzën e bardhë, atëherë sigurisht që kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe pavarësisht se totalisht e pamerituar për të tjerët, janë të gjithë që paguhen. Por, në fund të ditës për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të shërbesh në sistemin shëndetësor, për të gjithë ata që marrin shërbim, pjesa pozitive është pozitive, është ajo që dominon”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe tek Spitali Onkologjik dhe investimet që janë kryer aty.
“Përpara se të vinim këtu, vizituam Onkologjikun, që siç e dimë shumë mirë, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë së bashku përballë faktesh që nuk nderojnë askënd. Takuam disa pacientë, të cilët ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe që dukej që ishin tërësisht të sinqertë në fjalët e tyre dhe unë po i thosha drejtores dhe ministrit, që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata dhe prej atyre, që fatmirësisht nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital. Sepse po të pyesësh ata që kanë marrë shërbim në spital, pjesa dërrmuese, jo të gjithë patjetër, pjesa dërrmuese kanë marrë një shërbim që e kujtojnë për mirë, edhe i kujtojnë mjekët për mirë, nuk i kujtojnë për keq. Dhe ju këtë e dini shumë mirë, sepse keni pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju jam mirënjohës, edhe ju kujtoj për mirë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se gjithsesi, duhet vazhduar të adresohen problemet dhe të ngrihet niveli i shërbimeve.
Rama tha se ndërtesa e re e parkimit do të zgjidhë përfundimisht gjithë problematikën e lëvizjes së makinave dhe parkimit të makinave mbi lulishte, sepse do të akomodojë të gjitha makinat që hyjnë në territorin e QSUNT-së.
“Janë rreth 700 e ca makina që parkojnë gjatë ditës nëpër territor, ndërkohë që parkingu ka 1400 vende, kështu që do të akomodojë të gjitha makinat. Plus do të shërbejë edhe për komunitetin rreth e rrotull, duke krijuar të ardhura që do të ndahen midis QSUNT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Dhe kjo do të bëjë që ndërkohë gjithë territori i QSUNT-së sot, që është faktikisht rreth 80 mijë metra katrorë territor i lirë, të bëhet parku më i madh urban i Tiranës, duke krijuar një atmosferë tërësisht tjetër, ku rrugët e makinave të ndahen midis rrugë këmbësorësh edhe rrugë për makinat e shërbimit”, tha Rama.
/k.s/j.p/
The post Rama: 95 mijë operacione të suksesshme në vit në shërbimin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.