Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror
TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si politik hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Kuvendin e Rithemelimit të vitit 2021, të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u shkarkua kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha.
Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se ky hetim nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve, i cili sipas tij është mbyllur dhe është dërguar në gjykatë.
“Hetimi pasuror është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar në gjykatë. Hetimi për Kuvendin e Rithemelimit është një hetim i mirëfilltë politik dhe nuk ka asnjë lidhje me çështjen pasurore”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se është i hapur ndaj çdo hetimi dhe se prokuroria duhet të veprojë e lirë, por shtoi se përpjekja për të lidhur dy çështje të ndryshme është, sipas tij, mashtruese.
Berisha deklaroi se çdo financim për Kuvendin e Rithemelimit është deklaruar dhe se nuk ka pasur asgjë të fshehur. Sipas tij, aktiviteti është financuar nga deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, ndërsa çmimi i stadiumit është publik dhe i deklaruar nga institucionet përkatëse.
“Çdo financim është deklaruar. Personat që kanë kontribuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Nuk ka asgjë të fshehur”, u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi si dezinformim lajmin se hetimi për Kuvendin po zhvillohet në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij, duke theksuar se kjo çështje tashmë ndodhet në proces gjyqësor.
/m.q/j.p/
The post Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.