Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 January 2026Main stream

Gonxhja mohon lajmin për 2700 euro/natë në Dubai: Ishte 180 euro për person

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot lidhur me lajmin e publikuar në disa portale se ka paguar 2700 euro për 1 natë në Dubai duke theksuar se “vlera në fjalë është paguar për një delegacion prej 5 vetash, dhe për 3 netë, duke e bërë koston për person të jetë 180 euro nata”.

Në një njoftim për shtyp Gonxhja theksoi se “portale që e gdhijnë festave”, publiku e di se tregu i hoteleve kudo në botë ka pësuar rritje çmimesh dhe ka natyrisht raste kur tarifat janë të larta, në varësi të datave, sezoneve, ngjarjeve e shpesh qëndrimi lidhet me evente që zhvillohen në po ato hotele e struktura dhe nëse nuk rezervon në to mund të pësosh kosto më të larta spostimesh e lëvizjesh me transport taksi apo të dedikuar, të humbësh kohë e të mos maksimizosh agjendën”.

“Por a duhet të abuzohet kështu me lajme të sajuara qëllimisht? A s’është turp të stisësh aludime të tilla? Si ministër përgjegjës për turizmin patjetër që do udhëtoj e marr pjesë në vizita në shumë shtete e aktivitete, është pjesë e pashmangshme e punës sime, sepse kërkojmë ndërlidhje, ura turizmi e ndërkombëtarizim, dhe jam krejt i hapur të informoj nëse një media interesohet, por pse kështu? Pse të gënjehet kaq trashë pa bërë asnjë verifikim pranë Kabinetit tim apo MTKS?”, tha Gonxhja.

Sipas tij, portalet gënjejnë pacipërisht.

“Në fakt kam paguar 180 Euro për 1 natë!!! (edhe më lirë madje sesa çmimi për atë hotel në webin e Booking: 161 + 43 taksa = 204 Euro/nata, e ilustruar në album). Dhe po, jam takuar e pritur nga homologët, më saktë me Ministrin e Ekonomisë & Turizmit si dhe me Ministrin e Sportit (publikuar), përveç një agjende shumë të ngjeshur takimesh pune në Dubai dhe Yas Marina (Abu Dhabi), të Emirateve të Bashkuara Arabe. I ftuar në një prej panaireve më të rëndësishme mbi mikpritjen, “Future Hospitality Summit – Dubai, 2025”, ku Shqipëria u prezantua nga pavioni më i bukur ndonjëherë me projektet e zhvillimet më të spikatura të turizmit e të akomodimit dhe ku fola në një panel forumi mbi vendin tonë, si edhe ftova shumë kompani prestigjioze të njohin realitetin tonë dhe të konsiderojnë investimin në ekonominë shqiptare”, theksoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “të jesh kritik ndaj qeverisë e kuptoj, por të shpifësh kaq ulët, duke 15 fishuar një pagesë dhome, është e pajustifikueshme, e gabuar dhe nuk i shërben aspak as interesit publik, as medias e as Shqipërisë”.

/k.s/

The post Gonxhja mohon lajmin për 2700 euro/natë në Dubai: Ishte 180 euro për person appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje për të pritur turistët

TIRANË, 3 janar /ATSH/Llixhat e Bënjës, një nga pikat turistike më të vizituara në Përmet i janë nënshtruar një procesi rikualifikimi, që pritet të përfundojë në mars të këtij viti.

Punimet që po kryhen synojnë përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik si dhe për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga punimet që po kryhen në këtë pikë turistike që tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit.

“Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje e kushte, për të pritur me temena vizitorët e turistët e shumtë në natyrën e tyre magjepsëse”, shkruan Rama

Projekti për rehabilitimin e llixhave përfshin ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe hapësirat përreth, duke synuar krijimin e një zone të integruar turistike me standarde bashkëkohore.

Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe llixhat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës.

E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26- 32°C. Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.

Përmeti është një mundësi më shumë për turistët, që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

/a.f/

The post Rama: Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje për të pritur turistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Borëpastrueset në terren për mbajtjen hapur të aksit Qafë Thore–Theth

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Si pasojë e reshjeve në bashkinë e Shkodrës është shembur rruga në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, si dhe është vendosur sinjalistikë duke e bllokuar për të shmangur çdo rrezik.

Prefektura e Shkodrës informoi sot se “po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit”.

Ndërkohë që borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth.

Në bashkinë Malësi e Madhe 3 borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë- Vermosh ku ka vende me ngrica dhe po bëhet kriposja dhe mirëmbajtja për të vijuar qarkullimin.

Në bashkinë Vau i Dejës momentalisht në këtë bashki reshjet e shiut kanë pushuar. Në disa njësi ka patur shkëputje të energjisë elektrike dhe grupet e punës janë në terren.

Në bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshje shiu me intensitet të lartë ka rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Ndërsa në bashkinë Pukë vijojnë reshjet shiut dhe fryn erë e fortë, momentalisht nuk raportohen problematika.

Në Lezhë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës. Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.

Hidrovoret e Velipojës (Vilun dhe Ças) janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë nëse nevojitet.

/k.s/a.f/

The post Borëpastrueset në terren për mbajtjen hapur të aksit Qafë Thore–Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas vështirësive të djeshme, vijon normalisht qarkullimi në aksin Elbasan-Qafë Thanë

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Në qarkun Elbasan situata sot paraqitet normale e pa probleme në qarkullimin e mjeteve në rrugët kombëtare.

Prefektura e qarkut Elbasan bëri të ditur për ATSH-në se “nga komunikimet qe kemi pasur me strukturat e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut nuk raportohen situata emergjente”.

“Akset rrugore nacionale e rurale përveç vështirësive në qarkullim të ditës së djeshme deri rreth orës 20:00 në aksin Elbasan-Qafë Thanë janë të hapura për qarkullimin e mjeteve”, thekson Prefektura Elbasan.

Në këtë aks gjatë natës temperaturat kanë pasur vlera pozitive dhe nuk ka pasur ngrica apo reshje dëbore.

Temperatura të ulëta nën zero e si rrjedhojë dëborë e ngrica ka pasur në segmentin Borovë-Ura Cerenecit, ku subjektet kontraktore kanë hedhur kripë.

Në qarkun e Elbasanit nuk paraqiten probleme edhe në furnizimin me energji elektrike.

Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë u përfshi dje nga një gjendje e rënduar trafiku ku një numër i madh automjetesh qarkullonin në drejtim të juglindjes, duke shkaktuar lëvizje të shtuara në këtë aks.

/k.s/

The post Pas vështirësive të djeshme, vijon normalisht qarkullimi në aksin Elbasan-Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq në qarkun e Kukësit, Baji: Po punohet për heqjen e gurëve dhe kriposjen e rrugëve

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Në qarkun e Kukësit si rezultat i reshjeve disa akse rrugore kombëtare kanë qenë nën tryesninë e rënies së gurëve dhe inerteve.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “subjektet kontraktore vazhdojnë punën gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve nacionale pa penguar qarkullimin”.

Sipas tij, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, ndërsa nga bashkitë Kukës, Has  dhe Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike Baji tha se i gjithë qarku Kukës furnizohet përveç njësive administrative Surroj, Topojan, Shishtavec, Zapod, Kolsh dhe fshati Shemri nëjsia administrative Malzi bashkia Kukës, Lekbibaj bashkia Tropojë dhe fshatrat Vlahën, Cahan njësia administrative qendër Krumë e nëjsia administrative Fajza bashkia Has.

Ndërkohë që furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Kukës.

Qarku i Kukësit ditën e sotme është përfshirë nga mot me vranësira të shoqëruara me erë.

/k.s/

The post Moti i keq në qarkun e Kukësit, Baji: Po punohet për heqjen e gurëve dhe kriposjen e rrugëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 January 2026Main stream

Reshje dëbore në qarkun e Shkodrës, 15 cm në Qafën e Thores

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Në territorin e qarkut Shkodër, kryesisht në zonat malore, kanë filluar reshjet e dëborës, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut.

Nga informacioni i siguruar nëpërmjet strukturave operacionale në terren Prefektura e Shkodrës informon se në Shkodër në zonat me fluks të lartë lëvizjeje dhe në akset rrugore ku ka prezencë dëbore dhe ngricash, është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë rrugore.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë apelohet për drejtuesit e automjeteve të përdorin goma me zinxhirë ose goma dimërore, si dhe për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Në territorin e bashkisë Shkodër vijojnë reshje shiu, ndërsa në zonat malore ka reshje dëbore.

Në aksin rrugor Bogë–Theth mjetet e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse në disa segmente rruga paraqitet me ngrica.

Në Qafë Thore trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm, qarkullimi vijon pa probleme.

Në bashkinë Malësi e Madhe vijojnë reshje dëbore në qytetin e Koplikut, trashësia e dëborës arrin rreth 3 cm. Në fshatin Vrith ka pasur problematika në qarkullimin rrugor, ku është ndërhyrë për menaxhimin e fluksit.

Ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.

Në bashkinë Pukë ka reshje dëbore me intensitet të ulët, trashësia e dëborës arrin rreth 5 cm. Momentalisht nuk raportohen situata problematike.

Në aksin rrugor Bogë–Theth po kryhet hedhja e kripës, në disa segmente ka prezencë ngricash. Borëpastrueset janë në terren duke ndërhyrë përgjatë aksit për pastrimin e rrugës.

Në aksin rrugor Tamarë–Dogana Vermosh, tri borëpastruese janë në terren për pastrim dhe hedhjen e kripës.

Në aksin rrugor Dedaj-Razëm dy borëpastruese aktualisht po punojnë në këtë segment, është hedhur sasi kripe dhe është pastruar në vendet kritike.

/k.s/j.p/r.e/

The post Reshje dëbore në qarkun e Shkodrës, 15 cm në Qafën e Thores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksi Kukës-Tuneli i Kalimashit, fluks normal automjetesh

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës-Tuneli i Kalimashit, mesditën e sotme ka një fluks normal automjetesh.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “pas aksidentit të ndodhur mëngjesin e sotëm në këtë aks, qarkullimi i mjeteve është normalizuar”.

Mediet raportuan sot se për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore.

Nga aksidentet u dëmtuan gjashtë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Rrëshenit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Qarku i Kukësit është përfshirë sot nga reshje shiu të dendura dhe erë të fortë duke sjellë vështirësi në orët e paradites.

Prefekti Baji i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë, për shkak të lagështisë dhe kushteve të pafavorshme të motit.

Ditën e sotme gjithë veriu u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore, ndërkohë që rrugët kombëtare janë të kalueshme.

1 nga 2

/k.s/j.p/r.e/

The post Aksi Kukës-Tuneli i Kalimashit, fluks normal automjetesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje dëbore në Qafë Thanë, policia apel për përdorimin e zinxhirëve

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë përfshirë ditën e sotme edhe zonën e Qafë Thanës, në Pogradec.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bën të ditur për ATSH-në se “në orët e paradites në Dragostunjë ka pasur prezencë akulli, ndërsa Policia Rrugore ndodhet në krye të detyrës për të menaxhuar situatën dhe ardhur në ndihmë mjeteve që bllokohen”.

Autoritetet policore i bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të jenë të pajisur me zinxhirë, ndërkohë që lëvizja vijon e ngadaltë në të dy krahët e rrugës.

Sipas policisë, kontraktorët po kryejnë kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet e automjeteve.

Aktualisht ngrica ka te Çesmja e Miftarit, ndërkohë që vihet re një trafik i shtuar të automjeteve që qarkullojnë drejt juglindjes.

/k.s/j.p/r.e/

The post Reshje dëbore në Qafë Thanë, policia apel për përdorimin e zinxhirëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Muzeore Krujë mirëpriti mbi 212 mijë vizitorë gjatë 2025-ës

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Qendra Muzeore Krujë ka tërhequr mijëra turistë nga e gjithë bota gjatë vitit 2025.

Drejtori i Muzeut të Krujës, Medi Hafizi tha sot për ATSH-në se mbi 212 mijë vizitorë e kanë vizituar Qendrën Muzeore Krujë gjatë 2025.

Këto shifra, sipas, dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të interesit të publikut për historinë dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.

Hafizi tha se nga 212 mijë vizitorë, rreth 182 mijë prej tyre vizitorë kanë vizituar muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa mbi 30 mijë Muzeun Etnografik.

Gjatë vitit 2025, nga turistët e huaj që vizituan Krujën kryesojnë polakët, francezët, amerikanët dhe spanjollët, por një numër të konsiderueshëm kanë zënë edhe turistët kinezë, gjermanë, izraelitë, bullgarë, hungarezë dhe italianë.

Parashikimet për vitin 2026 janë edhe për më shumë vizitorë në pazarin karakteristik të Krujës, Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik,

Ndërtuar në shekullin V-VI, Kalaja e Krujës, së bashku me Muzeun Kombëtar që ndodhet brenda saj, përfaqëson një nga monumentet arkitekturore më të çmuara në Shqipëri. Muzeu përkujton jetën dhe luftërat e Gjergj Kastriotit. Po kështu  Pazari i Vjetër është ndër më të njohurit në vend, me rrugicat e ngushta me kalldrëm ku ofrohen punime artizanale tradicionale.

/k.s/j.p/

The post Qendra Muzeore Krujë mirëpriti mbi 212 mijë vizitorë gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje dëbore në qarkun e Kukësit, Baji për ATSH-në: Rrugët kombëtare të qarkullueshme

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës në zonat malore mbi 700 metra mbi nivelin e detit, duke sjellë edhe ulje të mëtejshme të temperaturave.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “i gjithë territori i qarkut Kukës është i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët shoqëruar me erë, ndërsa në zonat malore nga dëbora. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme”.

“Nga bashkitë Kukës, Has  dhe Tropojë nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente”, tha Baji.

I gjithë qarku Kukës furnizohet me energji elektrike përveç njësisë administrative Margegaj, Lekbibaj dhe fshati Berishë, njësia administrative Bytyç bashkia Tropojë.

Sipas tij, furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve  Kukës.

Prefekti Baji i bën apel drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes sidomos gjatë orëve të natës dhe mëngjesit herët për shkak të ngricave në rrugë.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e sotëm edhe Pukën.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi ynë ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti parashikohet me reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash ndërsa në relievet malore veri-verilindje mbi 500-700 metër dhe juglindje-jug mbi 700-900 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

/k.s/j.p/

The post Reshje dëbore në qarkun e Kukësit, Baji për ATSH-në: Rrugët kombëtare të qarkullueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën

31 December 2025 at 10:31

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) gjatë këtij viti që po mbyllet ka ofruar një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që kanë eksploruar bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.

Falë TEA-s turistët kanë shijuar krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bën të ditur për ATSH-në se “TEA, guida digjitale e eventeve është shkarkuar 170 mijë herë, në krahasim me 2024 kur është shkarkuar 90 mijë herë”.

“Ky aplikacion në krahasim me vitin 2024 ka pësuar rritje. Në 2024 në TEA janë përfshirë 2144 aktivitete, ndërsa në 2025, 3331 aktivitete, ku vendin kryesor e zënë ato të Agroturizmit, Art Fest, Festivale Muzikore, Artet Pamore, Trashëgimi Kulturore dhe Teatër”, tha Çela.

AKT promovon Shqipërinë globalisht si një destinacion autentik, të sigurt dhe mikpritës, me një ofertë të larmishme.

“Agjencia zbaton një paketë të integruar promovimi; përveç prezantimit të Shqipërisë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, promovimi digjital ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin. Promovimi digjital dhe marketingu tradicional ecin krah për krah, duke përdorur teknologjitë e reja dhe duke krijuar aplikacione digjitale, si aplikacioni TEA, TEA Digital Tourism App”, theksoi Çela.

Sipas saj, aplikacioni TEA është një zgjidhje inovative e zhvilluar nga AKT-ja, që vendos teknologjinë digjitale në qendër të promovimit të turizmit.

“TEA shërben si një asistent personal për udhëtarët, duke ofruar aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, si dhe shërbime praktike”, tha Çela.

Disa nga vendet ku është shkarkuar ky aplikacion janë Shqipëria, Italia, SHBA, Anglia, Franca, Spanja, Turqia, Holanda, Kosova etj.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

/k.s/j.p/

The post Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lahuta “stolis” kalanë e Shkodrës

30 December 2025 at 22:44

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kalaja e Rozafës, një prej dëshmive më tërheqëse të historisë shqiptare, këtë fundvit ndriçon më shumë.

Përveç dritave shumëngjyrëshe që e rrethojnë atë, në qiell ndrit lahuta shqiptare tashmë pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga lahuta, e cila ka stolisur Kalanë e Shkodrës, që këto ditë të fundit të vitit pret vizitorë vendas dhe të huaj, që shijojnë mbrëmjet mes historisë dhe panoramës që ajo ofron mbi qytet.

Një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës u shpall më 9 dhjetor të këtij viti pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s.

Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

/k.s/a.f/r.e/

The post Lahuta “stolis” kalanë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë

30 December 2025 at 22:12

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL).

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore SMIAL është Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat e bazës shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndërkohë që të dhënat parësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat dytësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, Regjistri Tregtar dhe nga Sistemi i Tatimit Elektronik.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.
Institucioni administrues siguron që përpunimi i të dhënave personale në SMIAL të kryhet në përputhje me parimet dhe kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, minimizimin e të dhënave, saktësinë dhe ruajtjen e tyre, vetëm për periudhën e nevojshme për të përmbushur qëllimin e grumbullimit.
Pas përfundimit të afatit të përcaktuar të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të miratuara nga institucioni administrues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Organizimi e funksionimi i brendshëm i sistemit dhe i bazës së të dhënave të SMIAL-it përcaktohen e miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve e të shërbimeve të përpunimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/r.e/a.f/

The post Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton dhënien e pensioneve speciale për artistë e sportistë të njohur

30 December 2025 at 22:00

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Qeveria miratoi sot vendimin për dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm për disa artistë e sportistë të njohur.

Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit  “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit.

Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm për Agim Nuri Bajko, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Agustin Pjetër Kola, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Aishe Daut Stari, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Edra Kabil Alibegaj, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kostandin Aleko Kamberi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kostandin Llazar Shkurti, në masën e dhjetëfishit të pensionit social.

Gjithashtu u miratua dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Kujtim Rexhep Vorpsi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Leonard Sifi Toska, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Nikolin Luigj Gurakuqi, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Rapo Selman Tao, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; Dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Shegushe Hysni Bebeti, në masën e dhjetëfishit të pensionit social; dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Vasillaq Thoma Ruci, në masën e dhjetëfishit të pensionit social si dhe dhënia e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror Virxhil Athanas Karaja, në masën e dhjetëfishit të pensionit social.

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Qeveria miraton dhënien e pensioneve speciale për artistë e sportistë të njohur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet kompensimi i të ardhurave mujore të pensionistëve

30 December 2025 at 21:48

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kompensimin e të ardhurave mujore deri në 1 800 lekë në muaj për personat me të ardhura deri në 40 000 lekë në muaj sipas disa kategorive.

Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.

Gjithashtu përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2025, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, kategoritë e mëposhtme: Familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike; Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare; Personat me aftësi të kufizuara; Individët përfitues të statusit; “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, Individët përfitues të statusit “Për statusin e të verbrit”; Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 lekë, të cilat ndahen: 9 728 460 000 lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve; 72 500 000 lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a. dhe bankat e nivelit të dytë.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 lekë do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
/k.s/a.f/r.e/

The post Miratohet kompensimi i të ardhurave mujore të pensionistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbështetje financiare prej 15 000 lekësh për disa kategori të veçanta

30 December 2025 at 21:41

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot mbështetjen financiare për vitin 2025, në masën 15 000 lekë për disa kategori të veçanta.

Sipas vendimit të qeverisë familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike sipas ligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshirë edhe ata që përfitojnë nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike janë: Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare; Personat me aftësi të kufizuara, sipas ligjit “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Individët përfitues të statusit, sipas ligjit “Statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar; Individët përfitues të statusit sipas ligjit “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar; Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 2 227 500 000 lekë dhe përballohen nga buxheti i akorduar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2025.

Mbështetjet financiare të patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2026.

Për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Mbështetje financiare prej 15 000 lekësh për disa kategori të veçanta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Librazhdi pret ndërrimin e viteve me aktivitete dhe atmosferë festive

30 December 2025 at 20:05


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Qyteti i Librazhdit po e pret ndërrimin e viteve me një atmosferë festive. Aktivitetet e shumta të organizuara gjatë ditëve të fundit kanë krijuar entuziazëm te qytetarët, të cilët janë mbledhur në sheshin kryesor për të festuar, duke shijuar muzikën nga këngëtarët e ftuar.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga atmosfera festive në Librazhd, ku qytetarë të të gjitha moshave shihen teksa kërcejnë dhe argëtohen nën ritmet e muzikës, duke i dhënë qytetit një energji të veçantë në prag të Vitit të Ri.

Gjatë gjithë muajit dhjetor, në Librazhd janë zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe argëtuese për fëmijë dhe të rritur, përfshirë shfaqje artistike dhe koncerte me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare.

Atmosfera festive është ndjerë në të gjithë vendin, ku qytetet e Shqipërisë janë zbukuruar me dekorime shumëngjyrëshe, pemë Krishtlindjesh dhe ndriçime vezulluese që kanë transformuar sheshet dhe rrugët kryesore.

Gjatë ditëve të dhjetorit, në sheshet kryesore të qyteteve janë organizuar aktivitete festive me muzikë live dhe performanca artistike, të cilat do të kulmojnë mbrëmjen e nesërme, më 31 dhjetor, në natën e ndërrimit të viteve.

/k.s/a.f/r.e/

The post Librazhdi pret ndërrimin e viteve me aktivitete dhe atmosferë festive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme

30 December 2025 at 18:17

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) informon opinion publik dhe median se ka nisur kontrollin administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme.

Në një reagim për mediet FSDKSH thekson se “ky kontroll synon mbrojtjen e interesit publik, garantimin e ligjshmërisë dhe përdorimin korrekt të fondeve publike”.
“Proceset e verifikimit janë iniciuar, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kërkesave zyrtare të disa prej subjekteve farmaceutike dhe zhvillohen në bazë të kuadrit ligjor në fuqi dhe të dhënave nga sistemet zyrtare”, u shpreh FSDKSH.
Me kërkesë të Urdhrit të Farmacistëve, FSDKSH priti dje në një takim përfaqësues të urdhrit dhe rreth 50 subjekte farmaceutike, me qëllim sqarimin e çështjeve të ngritura.
Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është marrë ende asnjë vendim përfundimtar, nuk ka ndëshkime kolektive dhe procedurat e kontrollit po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Aktualisht, Fondi vijon punën për analizimin e informacionit dhe shqyrtimin e observacioneve të paraqitura nga subjektet farmaceutike, brenda afateve ligjore.
Sipas FSDKSH-së, në përfundim të procesit do të bëhet publik Raporti Përfundimtar i Kontrollit.
FSDKSH mbetet i përkushtuar për transparencë, dialog dhe bashkëpunim me të gjitha palët, duke garantuar zbatimin korrekt të ligjit dhe funksionimin e qëndrueshëm të skemës së sigurimit shëndetësor.
Ky kontroll po kryhet në kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, i cili rregullon administrimin e skemës së Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kryesisht ligjin “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.
/k.s/r.e/a.f/

The post FSDKSH kontroll administrativ mbi gjurmueshmërinë e barnave të rimbursueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria drejt heqjes së tarifave roaming me BE-në

30 December 2025 at 19:40

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë sot për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian për zbatimin e regjimit “Roaming Like At Home” (RLAH).

Kjo nismë ligjore vjen në kuadër të procesit të integrimit të përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, objektivi politik është që “zbatimi efektiv i tarifave zero për roaming me BE-në të realizohet në vitin 2026”.

Projektligji është një hap i nevojshëm për realizimin e RLAH, e cila do të sillte përfitime për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe përmirësonte klimën e biznesit midis Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian dhe do të ishte një hap i rëndësishëm drejt integrimit në tregun unik digjital të BE-së.

Për herë të parë, shtohen dispozita ndëshkuese administrative (gjoba) për operatorët që nuk do të respektojnë rregullat e reja të shërbimit roaming.

Ligji harmonizon tarifat e terminimit të thirrjeve zanore me shumicë (wholesale), një hap teknik i domosdoshëm për të mundësuar uljen e kostove për përdoruesin fundor.

Realizimi i RLAH do të thotë se qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e BE-së do të mund të përdorin minutat, SMS-të dhe internetin e paketës së tyre kombëtare pa kosto shtesë, njëlloj siç ndodh aktualisht me vendet e Ballkanit Perëndimor.

E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët evropianë që vizitojnë Shqipërinë, duke ndikuar pozitivisht në turizëm dhe në klimën e biznesit.

Palët e interesuara kanë afat 20 ditë nga shpallja e njoftimit për të dërguar komentet dhe rekomandimet e tyre lidhur me këtë projektligj, para se ai të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend.

Për zbatimin e këtij ligji ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

/k.s/r.e/a.f/

The post Shqipëria drejt heqjes së tarifave roaming me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Firmoset kontrata për impiantin MIDA Steel në Elbasan

29 December 2025 at 14:04

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kurum International Albania dhe Danieli Officine Meccaniche S.p.A. kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën e investimit për ndërtimin e një impianti të ri për prodhimin e çelikut në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan.

Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm për industrinë shqiptare, pasi me realizimin e tij Shqipëria bëhet vendi pritës i impiantit të parë MIDA Steel në Europë, duke u pozicionuar drejtpërdrejt në tregun europian të çelikut të gjelbër dhe duke ndjekur standardet më të avancuara të teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u shpreh se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit industrial dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.

Sipas tij, hapja e impiantit të ri do të rrisë ndjeshëm numrin e vendeve të punës, duke krijuar mundësi konkrete punësimi për qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth, si dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e ekonomisë lokale.

Ky investim strategjik pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e rolit të Elbasanit si qendër industriale, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të lidhur me industrinë e çelikut, rritjen e të ardhurave për familjet dhe përmirësimin e klimës së biznesit në qytet.

Ndërtimi i impiantit MIDA Steel konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, pasi fokusohet në prodhimin e çelikut me teknologji moderne dhe miqësore me mjedisin, në përputhje me kërkesat e tregut europian.

/k.s/j.p/

 

The post Firmoset kontrata për impiantin MIDA Steel në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌