Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj
TIRANË, 7 janar/ATSH/ Në bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.
Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot se në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Reze e Vështit, ka prezencë uji në rrugën e fshatit, ndërsa po vijon pastrimi i kanaleve dhe rregullimi i rrugës pranë Përroit të Thatë në fshatin Kamicë.
Në fshatin Vukpalaj raportohet prezencë uji në një banesë, ndërsa Emergjencat Civile, Shërbimi Zjarrfikës dhe drejtuesit vendorë janë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje apo evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.
Reshjet e shiut në bashkinë Fushë Arrëz vijojnë me intensitet të lartë dhe si rezultat, kanë shkaktuar përkeqësim të situatës në disa rrugë rurale. Në njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali, si pasojë e vërshimit të ujërave në rrugë, kanë shkaktuar dëmtimin e tyre.
Në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit, forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut kanë angazhuar një mjet dhe 3 efektivë në terren. Prania e ujit në rrugë është rreth 40 cm.
Sipas të dhënave të DRUK Lezhë, lumenjtë Drin, Buna, Kir, Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë rënie të prurjeve dhe të nivelit të ujit, me tendencë në zbritje. Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet rrezik dëmtimi apo përmbytjeje. Hidrovoret e Velipojës, në Vilun dhe Cas, janë në gatishmëri dhe funksionojnë me kapacitet të plotë.
Nga OSHEE Shkodër bëhet me dije se furnizimi me energji elektrike paraqitet në gjendje normale.
Parashikohet ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në zonën e Bushatit, për shkak të punimeve nga OST në linjën 110 kV.
Institucioni i prefektit të qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke mbajtur prioritet sigurinë e qytetarëve.
/k.s/j.p/
The post Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.