Vengu: Situatë kritike nga reshjet në Gjirokastër e Durrës, kaskada e Drinit e qëndrueshme
TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha sot se në Gjirokastër situata paraqitet kritike, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimit të ujërave.
Gjatë një interviste për mediet, Vengu theksoi se energjia elektrike në Gjirokastër është ndalur për arsye sigurie.
“Që nga pasditja e sotme kemi një agravim të situatës në Gjirokastër, ka një vërshim të ujërave në lagjen 18 shtatori. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë për evakuime. Energjia elektrike është ndaluar për efekte sigurie dhe shpresojmë që në vijim të krijojmë një situatë më pozitive në Gjirokastër dhe të mundësohet rikthimi i energjisë. Është problematike situata”, tha Vengu.
Duke u ndalur në qarkun e Shkodrës, Vengu nënvizoi se kaskada e Drinit është e qëndrueshme.
“Në Shkodër, përpjekja jonë ka qenë këto ditë e përqendruar në kaskadën e Drinit, në mirëmenaxhimi i saj dhe sot kemi një situatë të qëndrueshme. Që prej ditës së shtunë forcat janë në terren”, tha Vengu.
Sa i përket situatës në Lezhë, Vengu tha se po monitorohet bastioni i Gjadrit, pasi ka prurje të shumta.
“Në Lezhë sot kemi pasur zona të prekura nga uji, por situata është në kontroll sepse është mirëmenaxhuar. Kemi pasur situatë të vështirë në Laç”, tha ai.
Ministri tha se edhe në Durrës situata vijon që të jetë problematike, ku rreth 800 banesa janë përmbytur, ndërsa 180 banorë janë evakuuar.
“Situata në Durrës është ende problem. Janë 800 banesa të prekura dhe qindra të tjera të rrethuara nga uji, 180 banorë të evakuuar dhe të akomonduar pranë dy kavalishencave në Durrës dhe aty do të ofrohet ushqim dhe shërbim mjekësor. Po reshjet e shiut do të vijojnë dhe nuk jemi ende jashtë rrezikut”, tha ai.
Vëngu bëri me dije se deri më tani nuk janë konstatuar probleme në argjinatura.
“Një lajm pozitiv është se në argjinatura nuk kemi pasur probleme qoftë në Lezhë apo edhe në jug të vendit. Nëse reshjet nuk përkeqësohen do të jemi në një situatë që do ta mirëmenaxhojmë zonën e nën Shkodrës. Jemi në komunikim për të ulur kuotat dhe aty ku është e mundur të bëhen shkarkime. Në nivel vendor ka pasur gatishmëri edhe nga forcat e armatosura, mjete gomone pompa thithëse kanë qenë në dispozicion”,shtoi Vengu.
“Në kemi shpërndarë hartën e zonave të riskut në nivel kombëtar dhe kemi komunikuar me bashkitë dhe me prefekturat”, përfundoi ministri. /m.q/j.p
The post Vengu: Situatë kritike nga reshjet në Gjirokastër e Durrës, kaskada e Drinit e qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.