Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Qeveria miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, zbardhet marrëveshja që pritet të votohet nesër në Kuvend

By: M C
21 January 2026 at 23:13

Qeveria ka miratuar sot marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ndërsa Kuvendi pritet ta ratifikojë nesër.

Sipas dokumentit zyrtar, marrëveshja është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr.45, datë 21 janar 2026, dhe parashikon që Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, të bëhet pjesë e Kartës themeluese të Bordit të Paqes.

Çfarë është Bordi i Paqes

Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Roli i Shqipërisë dhe statusi i anëtarit themelues

Relacioni thekson se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, çka i jep një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit.

Qeveria argumenton se ky status rrit ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare, përfshirë Lindjen e Mesme. Dokumenti e cilëson gjithashtu këtë zhvillim si konfirmim të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si funksionon Bordi i Paqes

Sipas Kartës, Bordi do të drejtohet nga një Kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por do të kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.

Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit.

Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.

Financimi dhe imunitetet

Bordi i Paqes do të financohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të shteteve anëtare. Ndërkohë, organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, si dhe privilegje e imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse.

Efektet financiare për Shqipërinë

Relacioni sqaron se në këtë fazë, miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të shoqërohet në të ardhmen me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.

Kush e zbaton marrëveshjen

Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

The post Qeveria miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, zbardhet marrëveshja që pritet të votohet nesër në Kuvend appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes

21 January 2026 at 18:40

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partia Socialiste, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon thirrjen e Kuvendit në 22 janar në orën 10:00 duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Bordit të Paqes.

Po ashtu PS thekson se kërkesa bazohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit dhe vjen pas vlerësimit të rëndësisë së projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes” dhe në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër Partia Demokratike e pyetur nga mediet për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t’u zhvilluar nesër, shprehet se “deri në orën 16.40, grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.

“Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 27 janar. Sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Sipas PD-së, “transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit  që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues”.

/m.m/j.p/

The post Shqipëria në Bordin e Paqes, PS kërkon mbledhjen e Kuvendit nesër për ratifikimin e marrëveshjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit

21 January 2026 at 16:07

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot ndryshimet ligjore të propzouara nga qeveria në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin për “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.

Deputetja e Partisë Socialiste, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se përparësia e këtij projektligji është krijimi i një mekanizmi më të fortë dhe të efektshëm ligjor për të kontrolluar lëndët narkotike dhe psikotrope, në përputhje me standardet ndërkombëtare e në funksion të rritjes së sigurisë publike.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, në fjalën e saj, duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”,  tha se ky përmirësim, vjen si nevojë për përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e mekanizmave të parandalimit e të kontrollit, në kuadër të luftës kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Objektivi specifik, që synohet të arrihet me këtë projektligj, është përditësimi i listës së lëndëve që përdoren në mënyrë të paligjshme për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.

Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.

“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”

Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të presidentit Trump ndaj kësaj çështjeje.

Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global Kundër Drogave Sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra-mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.

Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.

“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.

Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.

“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.

Në fund të punimeve, komsioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në votim.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Balla: Marrëveshja me Italinë për transmetimet e ndërsjella, hap i rëndësishëm për diasporën

20 January 2026 at 11:37

TIRANË, 20 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla vlerësoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë si një hap të rëndësishëm strategjik, me fokus të veçantë mbështetjen për diasporën shqiptare në Itali dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.

Në fjalën e tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Balla theksoi rolin vendimtar të komunitetit shqiptar në Itali në proceset demokratike të vendit, duke nënvizuar se diaspora shqiptare në Itali ishte komuniteti me pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhjet e 11 majit, çka sipas tij i dha qeverisë mandatin për të vijuar reformat integruese.

“Dhe gjej rastin të falënderoj diasporën shqiptare që jeton në Itali edhe për një fakt tjetër, që ishin edhe numri më i madh i shqiptarëve që morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Duke votuar për herë të parë. Dhe duke i dhënë mbështetjen qeverisë sonë për të vijuar reformat integruese në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Balla.

Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri edhe komuniteti italian në Shqipëri, si dhe komuniteti arbëresh, të cilin Balla e cilësoi si një frymëzim për shqiptarët.

“Komuniteti arbëresh është një inspirim i madh për çdo shqiptar pas 500 vitesh, një model i shkëlqyer i ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe”, tha ai, duke përshëndetur njëkohësisht vendimin e Qeverisë Meloni për të mundësuar transmetime në gjuhën shqipe arbëreshe në kanalet e RAI-t.

Balla theksoi se një element thelbësor i kësaj marrëveshjeje historike është sanksionimi i transmetimeve të ndërsjella të kanaleve publike, çka do të rrisë mirëkuptimin kulturor mes dy vendeve dhe do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit gjuhësor të diasporës.

“Është sanksionuar përfshirja e transmetimit të kanaleve publike në territorin e palës tjetër, një hap shumë i rëndësishëm për ndërveprimin kulturor dhe qytetar mes komuniteteve”, u shpreh ai.

Në vijim, Balla u ndal edhe te marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, e cila tashmë ka hyrë në fuqi.

“Sot, rreth 500 mijë motra dhe vëllezër shqiptarë që jetojnë në Itali janë përfitues të kësaj marrëveshjeje, e cila u miratua në mënyrë të përshpejtuar nga të dyja dhomat e Parlamentit italian”, deklaroi ai.

Në përfundim, Balla theksoi rolin e Kuvendit në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nxitjen e qeverisë për të zgjeruar modele të ngjashme bashkëpunimi edhe me vende të tjera partnere ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare.

“Besoj që shpreh vlerësimin e të gjithëve, është një marrëveshje e cila gëzon mbështetjen dhe pa dyshim që roli i Kuvendit është të monitorojë. Dhe të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dhe të nxisë qeverinë, që marrëveshje të tilla të negociohen dhe të firmosen edhe me vende të tjera partnere. E nënvizova Greqinë, por edhe me vendet e tjera ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët”, përfundoi Balla fjalën e tij në Komision.

/a.f/r.e/

The post Balla: Marrëveshja me Italinë për transmetimet e ndërsjella, hap i rëndësishëm për diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon mbledhje me dyer të hapura të Byros së Kuvendit

20 January 2026 at 10:55

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Byroja e Kuvendit do të mblidhet sot në orën 11:00 për të shqyrtuar ankimimin e deputetëve të përjashtuar të Partisë Demokratike.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që mbledhja të jetë e hapur.

“Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit, në orën 11:00, të zhvillohet me praninë e medieve dhe gazetarëve”, thuhet në kërkesën e depozituar nga deputeti Belind Këlliçi, në emër të grupit parlamentar të PD-së.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka përjashtuar gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçin, Albana Vokshin, Klevis Balliun, Elda Hotin, Flamur Nokën dhe Fidel Krekën, pas kaosit të krijuar në Kuvend seancën e 18 dhjetorit.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD kërkon mbledhje me dyer të hapura të Byros së Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria sot në një fazë të re”, Peleshi: Axhenda integruese në BE, do të jetë kryefjala e këtij sesioni

By: xhir jeta
19 January 2026 at 17:32

“Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri”, kështu u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi, në nisje të seancës plenare, e para për këtë.

Fjala e Kreut të Kuvendit, Niko Peleshi: 

“Në këtë Kuvend na ka sjellë besimi i qytetarëve nga të gjitha anët e vendit.

Ata presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje.

Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu sesa çdo opsion tjetër.

Të moshuarit duan të sigurohen se mundi i viteve të punës do të shpërblehet me ditë të bardha.

Qytetarët, në qytet apo në fshat, kërkojnë siguri dhe standarde gjithnjë e më të mira të shërbimeve publike dhe të infrastrukturës.

Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste.

Ky sesion nuk është thjesht vazhdim i një kalendari.

Është një provë e dytë – provë e pjekurisë sonë parlamentare, e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz.

Gjatë sesionit të parë u përballëm me një ngarkesë të konsiderueshme pune dhe një axhendë të ngjeshur ligjvënëse e mbikëqyrëse.

Por, le ta pranojmë me sinqeritet, krahas volumit të punës, kemi pasur shpesh edhe një ngarkesë të tepruar politike, larg funksionit tonë dhe larg nevojave reale të qytetarëve.

Kjo është arsyeja pse sesioni që çelim sot kërkon një kthesë të vogël në stil dhe një kthesë të madhe në rezultate.

Në vitin që vjen do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku. Do të ketë edhe më shumë sfida politike, por detyra jonë është ta mbajmë Kuvendin në rolin e vet: një institucion që prodhon zgjidhje dhe standarde, jo zhurmë.

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 18 seanca plenare, miratuam 41 ligje dhe 59 vendime. U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat. Deputetët e shumicës mbajtën 229 diskutime me kohëzgjatje rreth 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje rreth 48 orë.

Falënderoj të gjithë kolegët deputetë, administratën parlamentare dhe strukturat mbështetëse, sepse, pavarësisht tensioneve, ky Kuvend ka vijuar të funksionojë, të vendosë dhe të prodhojë.

Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane.

Një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me kulturën që përçon.

Ne nuk mund të kërkojmë standarde europiane nga shoqëria, nëse brenda kësaj salle nuk vendosim standarde të reja të sjelljes dhe të respektit institucional.

Për këtë arsye, dua ta ritheksoj qartë: gjuha e urrejtjes, fyerjet, personalizimi i debatit, nënçmimi dhe përbaltja nuk mund të normalizohen dhe nuk mund të shiten si “politikë e fortë”.

Nuk janë forcë. Janë dobësi. Një dobësi që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian e kanë lënë pas prej dekadash.

Si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj ta ushtroj detyrën me përkushtim dhe paanësi, me bindjen se shumica dhe pakica dallojnë nga fuqia vendimmarrëse, por jo nga të drejtat, jo nga mundësitë për të folur, jo nga qasja në proces dhe jo nga respekti institucional që meriton secili deputet.

Kjo është baza e një Kuvendi që fiton autoritet. Europa ka qenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë dhe do të mbetet i tillë.

Shqipëria sot është në një fazë të re: faza ku nuk flasim më vetëm për “rrugëtim”, por për “hyrje”. Nga proces integrimi, në proces anëtarësimi.

Ky ndryshim kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim institucional dhe një konsensus politik më të gjerë për çështjet strategjike.

Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.

Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht:

– të përshpejtojë përafrimin ligjor, pa komprometuar cilësinë e ligjit;

– të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh, duhet të provosh se ligji funksionon.

Kjo do të thotë që sesioni i ri duhet të jetë sesioni ku kontrolli post-legjislativ bëhet praktikë e qëndrueshme: ligjet të maten jo vetëm në sallë, por në terren – te qytetari, te biznesi, te shërbimi publik.

Gjatë sesionit të kaluar vijoi bashkëpunimi funksional me institucionet e pavarura dhe u përmbyll raportimi i 27 institucioneve.

 

Kjo nuk është një rutinë proceduriale. Është mënyra se si Kuvendi mban gjallë ekuilibrat kushtetues dhe garanton që institucionet të funksionojnë si mbrojtës të interesit publik.

Mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet e palëkundur.

Sot kemi një drejtësi të re, të pangjashme me atë të trashëguar.

Kuvendi ka një rol kyç në sfidën për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.

Sesioni që nisim sot do të udhëhiqet nga disa drejtime të qarta pune:

  • Axhenda e integrimit europian si prioritet i padiskutueshëm

Projektligjet e përafrimit, reformat për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, të drejtat themelore, lirinë e medias, transparencën dhe mirëqeverisjen do të kenë trajtim të përshpejtuar, por edhe filtrin e cilësisë.

  • Diplomacia parlamentare si rrjet besimi për anëtarësiminDiplomacia parlamentare do të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e pranishme, sepse procesi i anëtarësimit është edhe proces besimi, ku sfida më e madhe nuk është vetëm përafrimi teknik, por ratifikimi final nga të gjitha shtetet anëtare.
  • Mbikëqyrje më e fortë, më e dobishme, më pak formale

Kuvendi do të rrisë kërkesën për llogaridhënie, me më shumë mekanizma kontrolli dhe me më shumë vlerësim të ndikimit real të ligjeve dhe politikave publike.

  • Modernizimi dhe transparenca-Kuvendi i hapur 24/7

Teknologjia nuk është luks, por mjet për ta sjellë Kuvendin më pranë qytetarëve: arkivim, indeksim dhe transmetim më të mirë e më të kuptueshëm të punimeve parlamentare, konsultim publik më të aksesueshëm, gjurmim të akteve dhe një kulturë të re transparence që e bën Kuvendin të lexueshëm për publikun.

Të gjitha këto sot i bën të mundura teknologjia, me më shumë lehtësi dhe cilësi.

Të nderuar kolegë deputetë,

Na pret një volum i madh pune. Por ky volum është privilegj dhe përgjegjësi, sepse kemi në dorë një kapitull historik: ta afrojnë Shqipërinë me Europën jo vetëm si aspiratë, por si standard.

Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional, më i hapur dhe më europian në etikë, në procedurë, në cilësinë e debatit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Përballë sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi thjesht shumicë apo opozitë. Jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, që duhet të ecë me dinjitet drejt të njëjtit destinacion: Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë sesion parlamentar.

30 minuta seancë, 6 deputetë nuk i bashkohen aksionit të PD. Prania e Ballukut shkaktoi tensione

By: redi
19 January 2026 at 17:41

Kuvendi i Shqipërisë nisi këtë të hënë zyrtarisht punimet për vitin e ri 2026, dhe seanca u shoqërua me kaos nga ana e deputetëve të opozitës. Deputetët bllokuan foltoren e Kuvendit me në krye Sali Berishës i cili doli edhe LIVE në Facebook. Këtij aksioni nuk iu bashkuan Agron Shehaj, Erald Kapri, Fatmir Mediu, Artan Luku, Ana Dajko dhe Redi Muçi. Seanca zgjati 30 minuta. Prania e zv/

Source

Sesioni i ri Parlamentar, kryetari Peleshi thirrje PD-së: Integrimi kërkon konsensus të gjerë

By: redi
19 January 2026 at 17:32

Mes kaosit të PD, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mbajti fjalën e tij në fillim të sesionit të ri Parlamentar. Peleshi i bëri thirrje opozitës, dhe tha se do të vazhdojë ta kryejë detyrën e tij me paanësi dhe shtoi se tashmë Shqipëria ndodhet në fazë të re, teksa i përket procesit të anëtarësimit në BE. ”Si kryetar i Kuvendit do të vazhdoj të ushtroj detyrën me paanësi. Europa ka qenë fokus…

Source

Debate dhe tensione/ Mbyllet seanca plenare pas vetëm 30 minutash

By: M C
19 January 2026 at 17:41

Ka nisur me tensione sesioni i ri parlamentar për vitin 2026, por është mbyllur në vetëm 30 minuta.

Që në nisje të seancës ndërsa kreu i Kuvendit Niko Peleshi nisi fjalën, deputetët e PD kanë bllokuar foltoren dhe kanë kërkuar largimin e Belinda Ballukut nga salla.

“Si nuk u lodhe o burrë’, dëgjohet Peleshi duke iu drejtuar Gazment Bardhit i cili fliste mbi fjalën e tij duke kërkuar largimin e zv. kryeministres nga salla e Kuvendit.

E ndërsa opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca, Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS ka hedhur në votim projektligjet, të cilat janë miratuar me votat e PS. “Keni kohë një javë”, Balla paralajmëron opozitën: Nëse nuk vini në Komision për reformën zgjedhore dhe territoriale, do e bëjmë pa ju

The post Debate dhe tensione/ Mbyllet seanca plenare pas vetëm 30 minutash appeared first on Albeu.com.

“Mos provoko qytetarët”/ Berisha në Kuvend: Po të jetë burrë, le të vijë Rama, mos të fshihet

By: M C
19 January 2026 at 17:39

Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se qeveria po mbron një personazh që është bërë famoz në botë për vjedhje me Edi Ramën. Nga Kuvendi, Berisha u shpreh se prania e Belinda Ballukut në Kuvend, është provokacioni më i ulët ndaj shqiptarëve. Lideri demokrat i bëri thirrje Ramës të paraqitet vetë në Kuvend dhe mos të fshihet pas të tjerëve.

Berisha:Ju mbroni një personazh që është bërë famoz në botë për vjedhje me Edi Ramën. Mos provoko qytetarët. Provokacion i ulët ndaj qytetarëve shqiptarë. Prania e Lubisë në parlament provokacioni më i ulët ndaj shqiptarëve. Po të jetë burrë le të vijë ai tjetri, mos të fshihet pas Lubisë.

The post “Mos provoko qytetarët”/ Berisha në Kuvend: Po të jetë burrë, le të vijë Rama, mos të fshihet appeared first on Albeu.com.

Gazment Bardhi kërkon largimin e Ballukut nga salla e Kuvendit, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren

By: M C
19 January 2026 at 17:27

Ka nisur me tensione seanca e parë plenare në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2026.

Deputetët e PD-së me në krye, Sali Berishën dhe Gazment Bardhin bllokuan foltoren e Parlamentit, duke i kërkuar Niko Peleshit, te miratoje autorizimin dhe te lejoje SPAK-un që të arrestojë zv.kryeministren Balluku.

Bardhi bëri thirrje nga foltorja ndaj Peleshit, se Balluku ndodhet në sallë teksa duhej të ishte në qeli për korrupsion. “Ke shkelur ligjin duke u bërë mburojë e një të korruptuare. Dorëzoja Ballukun drejtësisë”, eshte shprehru Bardhi.

Ndërkohë që Niko Peleshi i eshte pergjigjur me ironi: “Do ngjisherresh mor burr! Si s’u lodhe”.

The post Gazment Bardhi kërkon largimin e Ballukut nga salla e Kuvendit, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren appeared first on Albeu.com.

Begaj thirrje deputetëve: Dialog konstruktiv për realizimin e reformave integruese

19 January 2026 at 12:53

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj theksoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes palëve në Kuvend për realizimin e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, ndërsa u shpreh se “nëse bashkëpunimi ngec, debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar: integrimi në Bashkimin Evropian”.

Në një mesazh drejtuar Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar, Presidenti Begaj theksoi se ky gjashtëmujor mbart sfida të rëndësishme për vendin dhe kërkon vullnet politik e vetëdije të lartë shtetformuese, në mënyrë që çdo nismë ligjore t’i shërbejë drejtpërdrejt forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve tanë dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian, sipas Kreut të Shtetit, “nuk mund të ketë konkurrencë”.

Begaj theksoi se kjo kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, reforma të thella dhe punë intensive.

“Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”, shtoi Begaj.

Duke iu drejtuar deputetëve, Begaj u shpreh se qytetarët presin më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje. “Ata presin ligje cilësore, mbikëqyrje mbi qeverisjen dhe një debat politik të ndershëm. Në këtë ekuilibër rolesh, secili ka përgjegjësinë e vet. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ekuilibër dhe pa respekt reciprok”, tha Begaj.

Ky sesion, sipas Kreut të Shtetit, përballet me nevojën që politika të konfirmojë mbështetjen për drejtësinë. “Politika duhet të ndihet krenare kur drejtësia vepron kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kur drejtësia tregon pavarësi, integritet, profesionalizëm dhe kur qytetarët marrin drejtësi sipas standardeve evropiane”, shtoi ai.

Po ashtu, Begaj theksoi se në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore.

“Angazhimet në funksion të kësaj reforme kërkojnë përkushtimin tuaj maksimal. Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve”, u shpreh Presidenti.

Një tjetër gur kilometrik, sipas Kreut të Shtetit, përbën reforma administrativo-territoriale, e cila suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis.

“Kjo reformë  duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme”, shtoi Begaj.

Begaj tha se “qytetarët kanë nevojë ta shohin Kuvendin në veprim dhe qeverinë të japë llogari, por, mbi të gjitha, ata kanë nevojë që kjo procedurë parlamentare të jetë serioze dhe e përgjegjshme”.

Në këtë drejtim, ai theksoi se kontrolli parlamentar ka kuptim kur ai prodhon rezultat, kur institucionet vihen në lëvizje, kur merren masa, ndryshohen procedura, përmirësohen ligje.

“Një parlament me qytetarët dhe për qytetarët duhet të reflektojë problemet dhe kërkesat e tyre prioritare. Përmes një komunikimi politik, etik, konstruktiv dhe bashkëpunues, sfidat e demografisë, të sigurisë sociale, sigurisë kibernetike, sigurisë nga fatkeqësitë natyrore dhe të sigurisë kombëtare meritojnë vëmendje më të madhe ligjore dhe institucionale”, tha Presidenti.

/m.m/a.f/r.e/

The post Begaj thirrje deputetëve: Dialog konstruktiv për realizimin e reformave integruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale nuk mund të bllokohen

19 January 2026 at 12:50

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe realizimin e reformës territoriale.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Balla i bëri thirrje opozitës që të fokusohet te puna parlamentare për përmbylljen e dy reformave të rëndësishme, duke theksuar se “revolucionet” e shpallura prej saj nuk do të ndodhin.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një ndarje administrativo-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër që kërkon procesi”, u shpreh Balla.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai theksoi se reformat nuk mund të bllokohen, duke kujtuar marrëveshjen e arritur në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve përkatëse.

“Nëse sot tërhiqeni nga komisionet, kjo përbën shkelje të njëanshme të marrëveshjes. Ne do të detyrohemi të vijojmë punën edhe pa ju”, tha Balla.

Ai theksoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, duke vënë theks të veçantë te depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore.

“Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE, ku partitë jo vetëm garojnë, por edhe numërojnë votat”, u shpreh Balla.

Sipas tij, është e domosdoshme që procesi i numërimit dhe shpalljes së rezultateve zgjedhore të përshpejtohet, duke mos përjashtuar mundësinë që numërimi të kryhet drejtpërdrejt në qendrat e votimit.

Balla nënvizoi se koha nuk pret më, si për sa i përket komisioneve zgjedhore partiake, ashtu edhe për vonesat në nxjerrjen e rezultateve, sidomos në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Ai kujtoi se reforma zgjedhore kërkon të paktën 84 vota në Kuvend, ndërsa mazhoranca, sipas tij, synon një reformë më të thellë, që përfshin edhe reduktimin e numrit të deputetëve në 100 ose 101.

Në reagim ndaj pretendimeve të opozitës për kufizim të së drejtës së fjalës, Balla theksoi se të dhënat nga sesioni i kaluar tregojnë të kundërtën.

“Opozita ka pasur 48 orë diskutime në seancë plenare, ndërsa shumica bashkë me qeverinë 40 orë”, përfundoi ai.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu në fjalën e saj në Konferencën e Kryetarëve u ndal te çështjet që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.

“Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt, i cili vendosi në shënjestër familjarë të kryetarit të grupit parlamentar të PS. Mediet të cilat i servirën këto lajme, edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Është e paparanueshme ajo që ndodhi. Duhen gjetur mekanizmat që raste të tilla si ky të marrin përgjegjësitë qoftë edhe penale personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla”, tha Spahiu.

/r.e/

The post Balla: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale nuk mund të bllokohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi nis sesionin e dytë të legjislaturës XI/ Begaj mesazh politikës: Qytetarët presin nga ju më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje

19 January 2026 at 12:04

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i dërgoi sot një mesazh deputetëve të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar të Legjislaturës XI, ku theksoi se Kuvendi nis një gjashtëmujor vendimtar, të mbushur me nisma reformuese dhe përgjegjësi të larta shtetformuese.

Kreu i Shtetit nënvizoi se çdo iniciativë ligjore duhet t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe objektivit strategjik të Shqipërisë: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar përafrimit të legjislacionit dhe agjendës së integrimit, Presidenti i Republikës thekson në mesazhin drejtuar deputetëve se procesi kërkon përkushtim, reforma të thella dhe bashkëpunim të sinqertë ndërinstitucional.

“Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”,- shprehet Presidenti Begaj.

Ndërsa thekson reformën në drejtësi dhe nisjen e saj si emergjencë kombëtare, Presidenti i Republikës shprehet për rëndësinë e mbështetjes së politikës ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që qytetarët të marrin drejtësi sipas standardeve evropiane:

“Reforma në drejtësi nisi si nevojë dhe emergjencë kombëtare. Ajo krijoi institucione të reja dhe mori mbështetjen masive qytetare për një drejtësi të pavarur, profesionale, funksionale dhe që garanton zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ky sesion përballet me nevojën që politika të konfirmojë mbështetjen për drejtësinë. Politika duhet të ndihet krenare kur drejtësia vepron kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kur drejtësia tregon pavarësi, integritet, profesionalizëm dhe kur qytetarët marrin drejtësi sipas standardeve evropiane”, tha presidenti i vendit.

Në këtë sesion parlamentar, Kreu i Shtetit e cilësoi reformën zgjedhore si një prioritet, duke kërkuar adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe shmangien e ndryshimeve të vonuara që rrezikojnë standardin e zgjedhjeve.

Reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore, – u shpreh Kreu i Shtetit, – duke theksuar se angazhimi në funksion të saj kërkon përkushtim maksimal: “Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve”, u shpreh Begaj.

Po ashtu, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e reformës administrativo-territoriale, e cila duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve, zhvillimet demografike dhe nevoja për shërbime publike cilësore e të barabarta.

“Reforma administrativo-territoriale përbën, gjithashtu, një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme”, pohoi kreu i shtetit. Presidenti Begaj kërkoi një Kuvend aktiv në kontrollin parlamentar, ku qeveria jep llogari dhe institucionet reagojnë, duke e bërë parlamentin të jetë më pranë qytetarëve dhe më funksional.

“Qytetarët kanë nevojë ta shohin Kuvendin në veprim dhe qeverinë të japë llogari, por, mbi të gjitha, ata kanë nevojë që kjo procedurë parlamentare të jetë serioze dhe e përgjegjshme”, – vlerëson Presidenti i Republikës, duke nënvizuar rëndësinë e rezultatit në këtë proces. Presidenti Begaj shprehet se “Kontrolli parlamentar ka kuptim kur ai prodhon rezultat, kur institucionet vihen në lëvizje, kur merren masa, ndryshohen procedura, përmirësohen ligje”, tha ai.

Në përmbyllje të mesazhit, Kreu i Shtetit u bëri thirrje deputetëve që mandatin ta trajtojnë si një kontratë besimi me qytetarët dhe ta kthejnë atë në vendime të drejta dhe veprime konkrete në shërbim të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane.

Nis sesioni i ri parlamentar, punë për ligje dhe reforma. Sot seanca e parë e Kuvendit

19 January 2026 at 10:05

Deputetet rikthehen sot në kuvend për nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Në fokus do të jenë dy reformat e rëndësishme zgjedhore dhe territorial, ndërsa dy ditë më parë kryeministri njoftoi dhe nisjen e punës për ndryshime Kushtetuese.

PD ka bojkotuar diskutimet që nga dhjetori dhe nuk duket të jetë e gatshme të rikthehet në tryezë.

Por maxhoranca nga ana tjetër është e vendosur të vazhdoje punën me intensitet, edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Rama: Të ngrihet një grup nismëtar për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë

16 January 2026 at 20:45

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se përveç reformave të tjera në proces, duhet menduar edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese.

Rama theksoi se që në fillim të këtij mandati është shtruar nevoja për rishikimin e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas tij, parlamenti aktual me 140 deputetë mund të reduktohet në 100, një hap që do të pritej pozitivisht nga publiku dhe do të sillte racionalizim të forcave dhe burimeve.

“Ne kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund të kemi një parlament me 100 vetë. Kjo do të ishte e mirëpritur nga publiku dhe do të ndihmonte në racionalizimin e burimeve”, u shpreh Kryeministri.

Ai sqaroi se ulja e numrit të deputetëve nuk është e vetmja çështje që duhet adresuar, pasi Kushtetuta përmban edhe aspekte të tjera që kërkojnë rishikim nga ekspertë të fushës, të cilët kanë njohuritë dhe përgjegjësinë e nevojshme për të vlerësuar ndryshimet e nevojshme.

“Ka dhe aspekte të tjera që duhen rivizituar nga sigurisht njerëzit që dinë se çfarë shohin, dinë çfarë lexojnë, çfarë thonë dhe shkruajnë kur vjen fjala tek Kushtetuta e Shqipërisë.”

Sipas Ramës, duhet ngritur një grup nismëtar që të hapë zyrtarisht procesin e diskutimit për ndryshimet kushtetuese.

Ai theksoi se një reformë e tillë është shumë më komplekse se reforma zgjedhore apo ajo administrativo-territoriale dhe kërkon më shumë kohë, angazhim dhe burime.

“Duhet ngritur një grup që pastaj të hapi një proces. Natyrisht është shumë më tepër sesa një reformë zgjedhore, apo një reformë administrativo-territoriale, kështu që kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime etj. Por duhet nisur kjo punë”, tha Rama.

“Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit ne të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, theksoi Rama.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Të ngrihet një grup nismëtar për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Puna për integrimin nuk pret karriget bosh të opozitës

16 January 2026 at 18:28

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se mazhoranca është e angazhuar për të bërë punën e saj dhe se proceset kyçe për vendin, përfshirë integrimin europian, nuk mund të presin.

“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe, për të gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret”, u shpreh Rama, duke shtuar se do të ishte “qershia mbi tortë” nëse edhe opozita do të ishte e interesuar për të bërë të njëjtën punë për vendin dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Kryeministrit, opozita nuk është e angazhuar në këtë drejtim, por përkundrazi, synon që jashtë kufijve të Shqipërisë të përçojë një imazh negativ të vendit, ndërsa brenda vendit përpiqet të pengojë proceset.

“Përkundrazi janë të angazhuar që me çdo mjet dhe mënyrë të përcjellin jashtë kufijve të Shqipërisë kobin e zi që ky vend është një narkoshtet. Ndërkohë, këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë”, tha Rama.

Në këtë kontekst, Rama theksoi se mazhoranca nuk do të ndalet në asnjë rast për të vazhduar punën e saj.

“Pa hequr dorë në asnjë moment dhe për asnjë arsye nga gatishmëria për të bashkëpunuar nëse do të vijnë të ulen në tavolinat e bashkëpunimit, ne nuk do të presim për asnjë rast dhe arsye askënd për të vazhduar të bëjmë punën tonë”, tha Rama, duke nënvizuar se kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

Ai u shpreh se e mirëkupton thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për dialog, bashkëpunim dhe konsensus, duke theksuar se mazhoranca është e gatshme për dialog, por se bashkëpunimi nuk mund të imponohet me forcë.

“Dialog dhe ulje në një tavolinë të përbashkët me zor, unë nuk kam parë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se dera e bashkëpunimit nuk do të mbyllet asnjëherë dhe për asnjë arsye, por se mazhoranca nuk do ta ndalojë rrugën e saj për shkak të mungesës së vullnetit nga ana tjetër.

“Karriget bosh janë aty, kush do le të vijë të ulet, kush do të bashkëpunojë le të bashkëpunojë”, tha Kryeministri.

Në përfundim, Rama theksoi se rrugët mes mazhorancës dhe opozitës janë të ndara, duke nënvizuar se mazhoranca do të vazhdojë përpara, ndërsa opozita, sipas tij, do të mbetet pas.

“Ne gjithmonë e më përpara, ata gjithmonë më mbrapa, por keni parasysh që sa më mbrapa të mbeten aq më e fortë do të vijë jehona e lehjes së tyre. Sepse ajo që ata bëjnë në shqipen time quhet “lehaqenie””, tha Kryeministri.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Puna për integrimin nuk pret karriget bosh të opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Më shumë dëgjesa në Kuvend nga ministrat për çështjet me interes publik

16 January 2026 at 18:17

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, u kërkoi ministrave të kenë më shumë dëgjesa në Kuvend, me qëllim informimin e publikut, përkundër “baltës së hedhur nga opozita”, siç i cilësoi ai akuzat e opozitës.

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga ana e të gjithëve.

“Është mirë që këtë temë ta trajtojmë dhe të krijojmë më tepër hapësirë si grup parlamentar për të pasur dëshmi të ministrave dhe të tjerëve për çështje që kanë interes për publikun, pra dëgjesa të parlamentit”, tha Rama.

Sipas tij, numri i dëgjesave është shumë i vogël dhe kjo për shkak se opozita nuk i njeh këto si instrument parlamentar, por kërkon vetëm “teatër” përmes komisioneve parlamentare.

“Ka shumë pak dëgjesa, pasi kemi një çetë që nuk e njeh dëgjesën, por komisionin hetimor, që e thënë ndryshe është ftesë për një teatër balte. Dëgjesat janë një praktikë e konsoliduar parlamentare në vendet normale dhe ne s’mund të presim, se zakonisht i ka për detyrë opozita t’i thërrasë ato, por mund t’i organizojë edhe mazhoranca”, theksoi Rama.

“Na duhen dëgjesat dhe si një instrument institucional për të trajtuar çështjet të një rëndësie të parë për vendin, por që degradojnë në copëza trillimesh dhe historish që hidhen për të helmuar publikun”, u shpreh kryeministri Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Më shumë dëgjesa në Kuvend nga ministrat për çështjet me interes publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit

16 January 2026 at 18:09

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot rëndësinë e futjes së teknologjisë në funksionimin e Kuvendit.

“Duhet të ecim me shumë vendosmëri në futjen sa më thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit”, u shpreh ai, duke shtuar se është i domosdoshëm përparimi në këtë drejtim.

Rama propozoi që kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit, jo vetëm për të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat apo komisionet, por për të pasqyruar më gjerësisht aktivitetin parlamentar.

“Vendet e tjera e kanë një kanal parlamentar, duhet ta kemi edhe ne dhe ai duhet të jetë nën kujdesin e Kuvendit, duke ftuar edhe përfaqësues të opozitës, si Agron Gjekmarkaj”, tha Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

/r.e/

The post Rama: Kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat

16 January 2026 at 18:08

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se, procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian kërkon një rritje të ndjeshme të aktivitetit diplomatik parlamentar, si dhe një administratë më cilësore dhe më të specializuar të Kuvendit.

Duke iu referuar konkluzioneve të diskutuara, Rama theksoi se diplomacia parlamentare duhet të jetë në fokusin e Kryetarit të Kuvendit, por jo vetëm.

Sipas tij, ky angazhim duhet të përfshijë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që janë pjesë e grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, dhe në mënyrë të posaçme me ato parlamente ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe.

Nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se ky proces kërkon domosdoshmërisht edhe një shërbim administrativ më cilësor të Kuvendit.

Ai kujtoi se prej vitesh është folur për një reformë të brendshme në Kuvend dhe se janë hedhur disa hapa, por sipas tij mbeten ende sfida të rëndësishme.

“Kuvendi ka rreth 350 punonjës, nga të cilët rreth 300 janë nëpunës civilë. Megjithatë, barra reale e punës mbështetëse për komisionet parlamentare, deputetët dhe Kryetarin e Kuvendit bie mbi një numër shumë më të vogël”, u shpreh Rama, duke theksuar se kjo situatë kërkon vëmendje të veçantë.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh edhe çështjet që lidhen me sigurinë juridike të punonjësve aktualë, mund të lindë nevoja për shtimin e forcave të reja dhe për rritjen e ekspertizës, veçanërisht në funksion të komisioneve parlamentare që trajtojnë çështjet e negociatave me BE-në.

Në këtë kuadër, Rama theksoi se për të funksionuar siç duhet mekanizmi i koordinimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar, është e domosdoshme që skuadra negociatore, përfshirë Kryenegociatoren dhe Zëvendëskryenegociatoren, të ketë një kundërpalë në Kuvend me ekspertizën e nevojshme.

“Vetëm kështu koordinimi mes qeverisë dhe Kuvendit do të jetë efektiv dhe në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve të procesit të negociatave”, përfundoi Kryeministri.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌