Berisha: Gjykata Kushtetuese po vepron si instrument politik i Kryeministrit
TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me mediet, e cilësoi situatën aktuale në Gjykatën Kushtetuese si “degradimin më të thellë institucional që ka njohur vendi”.
Berisha tha në Gjykatën Kushtetuese se ka humbur çdo rol kushtetues dhe moral, duke vepruar, sipas tij, si instrument politik i Kryeministrit. Ai theksoi se me vendimet e fundit, kjo gjykatë ka kryer një akt të hapur vetëposhtërimi.
“Dita e djeshme faktoi para secilit prej jush, para të gjithë shqiptarëve, para komunitetit ndërkombëtar dhe mbarë botës se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj. Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.
“Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha e vendosi veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në kontrast të drejtpërdrejtë me interesin e qytetarëve dhe krizën sociale në vend.
”Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre, sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre, sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit. Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime. Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet hor, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë, dhe e bëjnë vetëm për interesa personale. Kemi të bëjmë me një degradim të shkallës më të thellë që mund të ekzistojë. Me ambiguitetin e tyre tregojnë se sa të pakarakter dhe të pafytyrë janë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se, Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë gjithmonë pa probleme, por theksoi se kurrë më parë nuk ka arritur këtë nivel degradimi.
“Edhe atëherë kur ka dhënë 37 vendime kundër qeverisë time, nuk ka qenë e tillë. Edhe atëherë kur në gjykatë ishin anëtarë të kryesisë së PS, nuk ka qenë e tillë. Sot ajo është në gjendjen më të turpshme, më të mjeruar. Me njerëzit më pa dinjitet që mund të bëhen”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij Berisha dha edhe një mesazh drejtuar qytetarëve duke i cilësuar si forca dhe shpresa e vetme përballë këtij realiteti, ndërsa i ftoi qytetarët të vazhdojnë rezistencën politike dhe morale deri në “triumfin e të drejtës dhe dinjitetit”.
I pyetur për protestën e 10 shkurtit dhe mundësinë e një proteste të pandërprerë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kjo kërkesë po vjen gjithnjë e më shumë nga vetë qytetarët.
“Tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve”, tha Berisha.
/m.q/r.e/a.f/
The post Berisha: Gjykata Kushtetuese po vepron si instrument politik i Kryeministrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.