Boçi për ATSH: Opozita jo pjesë e dy komisioneve të posaçme, nuk bëhemi fasadë
TIRANË, 7 janar /ATSH- Marseda Qefalia/ Opozita nuk do të ulet në tryezën e komisioneve të posaçme parlamentare për Reformën Administrativo-Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, nëse mazhoranca nuk reflekton për t’i dhënë hapësirën e duhur në jetën parlamentare.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, pohoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se edhe për sesionin e ri parlamentar “qëndrimi i opozitës për të dy komisionet, varet nga sjella e mazhorancës dhe hapësira që i jep opozitës”.
Boçi theksoi se opozita “nuk do që të bëhet fasadë”, ndërsa përsëriti se “duhet respektuar konsesusi politik dhe të drejtat e opozitës në jetën parlamentare”.
Nënkryetari demokrat shtoi se ende nuk ka një njoftim për mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale duke nënvizuar se në këtë komision opozita “nuk vendos as veton për shkak të numrit të barabartë të anëtarëve”.
Sipas Boçit, një nga arsyet që solli qëndrimin e opozitës ishte edhe mënyra sesi mazhoranca u soll me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
“Duhet reflektim nga ana e mazhorancës, për të respektuar të drejtat e opozitës”, tha ai.
Opozita braktisi pjesëmarrjen në komisionet e posaçme parlamentare, me pretendimin se nuk negociohen reforma me mazhorancën, pasi sipas tyre ajo cenon rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik.
Ngritja e dy komisioneve të posaçme parlamentare për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore u realizua gjatë sesionit të parë të legjislaturës së XI dhe është pjesë e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. BE ka inkurajuar palët që të zhvillojnë një proces gjithëpërfshirës.
Për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, opozita vendosi si kusht garancinë nga ndërkombëtarët, duke kërkuar pjesëmarrjen e ODIHR si dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Sa i përket Reformës Territoriale, opozita ka paralajmëruar se do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.
Ndërsa për komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore, opozita kërkon që të reflektohen në ligj rekomandimet e OSBE/ODIHR, në lidhje më zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
/m.q/j.p/
The post Boçi për ATSH: Opozita jo pjesë e dy komisioneve të posaçme, nuk bëhemi fasadë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.