Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Parku i kullave”: Nis tjetër projekt te ish-Garda

13 March 2026 at 15:51

Zona e ish-Gardës së Republikës në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës po shndërrohet gradualisht në një “park kullash.” Zhvillimi më i fundit duket se po rëndon edhe një problem urbanistik të mbetur pezull prej vitesh: rrugën.

Në këtë hapësirë, që fillimisht u premtua se do të ishte park për qytetarët, prej vitit 2020 ishte parashikuar hapja e një lidhjeje rrugore mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”. Kjo ndërhyrje do të krijonte një korridor qarkullimi dhe do të lehtësonte trafikun në një nga hyrjet më të ngarkuara të parkut.

Por, në vend të rrugës, sot gjashtë vite më vonë, po hapet një tjetër kantier ndërtimi për një kullë të re.

Projekti quhet “Garda Tower” dhe parashikon ndërtimin e një godine 33 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me lartësi rreth 120 metra. Ai po zhvillohet nga Artech Group në bashkëpunim me kompaninë El-Prom, e cila së fundmi ka ndryshuar emrin në Hasalami.

Koncepti arkitektonik është realizuar në bashkëpunim me studion gjermane Kuehn Malvezzi, ndërsa maketi i projektit u prezantua publikisht në festivalin e arkitekturës “Bread & Heart” në qershor 2025 (foto).

Projekti 3D i “Garda Tower”/Facebook.

Por për banorët e zonës, zhvillimi i ri ka ndikim të menjëhershëm: hapësira për të kaluar në rrugën “Adem Jashari” po u ngushtohet.

Rrethimi i kantierit ka lënë vetëm një anë trotuari, edhe ai tepër i ngushtë – rreth 40 deri në 50 centimetra – duke e bërë kalimin e këmbësorëve thuajse simbolik. Hapësira në krahun ku po ndërtohet, përdorej kryesisht për parkim makinash, por sidoqoftë linte vend për të kaluar.

Si u krijua parcela për kullën

Sipas planvendosjes së miratuar, projekti ndërtohet mbi bashkimin e nëntë parcelave të ndryshme, të siguruara përmes marrëveshjeve me pronarët e ndërtesave ekzistuese 1-3 kate në zonë – pjesa ku parashikohet të bashkohet rruga “Ibrahim Rugova” me “Dora d’Istria”.

Por zhvillimi nuk përfshin pesë parcela të tjera, ku ndodhen tre ndërtesa 2-6 kate (foto: harta topografike dhe planvendosja). Këto prona mbeten jashtë projektit dhe do të vazhdojnë të bllokojnë realizimin e korridorit rrugor që ishte parashikuar nga plani urbanistik (PDV) TR/169.

Kjo krijon një situatë paradoksale: një kullë mund të ndërtohet menjëherë, ndërsa rruga që justifikonte hapjen dhe zhvillimin e zonës mbetet pezull.

Kur Bashkia e Tiranës hartoi PDV-në TR/169, zona e ish-Gardës së Republikës u prezantua si një hapësirë që do t’i kthehej qytetit. Ideja ishte që kjo zonë të shërbente si zgjatim i Parkut të Liqenit Artificial.

Për këtë arsye, disa nga parcelat që ndodheshin mbi gjurmën e rrugës u klasifikuan si “nën-njësi për transferim”.

Në praktikën e planifikimit urban kjo do të thotë se pronarët mund të kompensohen duke zhvilluar një pronë tjetër në një zonë tjetër të qytetit.

Ndërtesat që pengojnë bashkimin e rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”/Citizens.al

Ky mekanizëm përdoret shpesh për të shmangur kostot e larta të shpronësimit nga shteti.

Në shumë raste, autoritetet publike presin që zhvilluesit privatë të përfshijnë këto parcela në projektet e tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e infrastrukturës publike – si rrugë apo hapësira publike – në këmbim të rritjes së intensitetit të ndërtimit.

Pra, më shumë kate, në këmbim të një hapësire për qytetin. Por në rastin në fjalë, intensiteti nuk po sjell infrastrukturë të re publike.

Për “Garda Tower” – por jo vetëm – mekanizmi duket se funksionon vetëm në një drejtim.

Duke përfshirë në zhvillim disa nga parcelat që ndodheshin mbi rrugën e projektuar, zhvilluesit kanë arritur të përfitojnë intensitet të lartë ndërtimi.

Gjurma e ndërtesës parashikohet të zërë një sipërfaqe prej 487.6 m2 – nga 1,220.71 m2 të shpërndarë në disa parcela – projekti parashikon një volum ndërtimi prej rreth 20,300 m2.

Por 5 parcelat e tjera që janë gjithashtu mbi gjurmën e rrugës kanë mbetur jashtë marrëveshjeve me zhvilluesit. Kjo do të thotë se korridori rrugor nuk mund të realizohet pa shpronësime publike ose negociata të reja zhvillimi.

Megjithatë, mënyra si po zhvillohet projekti nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e zhvilluesit privat.

Leja e ndërtimit për “Garda Tower” është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pra qeveria, duke lejuar zhvillimin vetëm mbi parcelat e bashkuara nga investitori dhe duke anashkaluar logjikën e PDV-së së hartuar nga Bashkia e Tiranës, i cili parashikonte mekanizma transferimi për parcelat që binin mbi projekt-rrugën.

Në këtë mënyrë, instrumentet e planifikimit që synonin hapjen e korridorit rrugor u lanë në letër, ndërsa zhvillimi u lejua të ecë përpara edhe pa zgjidhur problemin urbanistik të zonës.

Me fjalë të tjera, një pjesë e kostos që do të duhej të zgjidhej në kuadër të zhvillimit privat mund të përfundojë duke u paguar nga buxheti publik dhe kjo nënkupton edhe më shumë kohë për t’u materializuar.

Planifikimi urban po i përshtatet projekteve

Organizimi i kantierit sugjeron se për një periudhë të gjatë, pjesa e rrugës që do të duhej të hapej për t’u bashkuar me “Dora d’Istrian,” do të mbetet e bllokuar.

Kompania ka shtrirë zonën e rrethimit deri pranë mesit të rrugës ekzistuese – që përkon dhe me kufinjtë e pronave të marra për zhvillim, por – duke e ngushtuar më tej hapësirën e qarkullimit. Nga zyra e saj, na u tha se kjo shtrirje do të jetë provizore “sa të bëhen shembjet” dhe më pas “kantieri do të tërhiqet deri në pjesën ku do të bëhen punimet e ndërtesës duke liruar dhe hapësirën për ndërtimin e rrugës”.

Kantieri i “Garda Tower” që zë ish-parkingun krah rrugës “Adem Jashari’/Citizens.al

Në planvendosje shihet gjithashtu se kulla e re ndërtohet shumë pranë një pallati ekzistues pesëkatësh, ndërsa korridori rrugor mbetet i paplotë.

Kjo do të thotë se edhe pas përfundimit të ndërtesës, realizimi i rrugës mbetet një çështje e hapur për të ardhmen.

Por, “Garda Tower” nuk është një projekt i izoluar. Zona e ish-Gardës së Republikës është kthyer tashmë në një nga nyjet më intensive të zhvillimit vertikal në Tiranë.

Aktualisht aty po ndërtohet “Platinum Tower”, një kullë rreth 35 kate, si dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.

Në të njëjtën zonë është planifikuar edhe një ndërtesë e re për Bibliotekën Kombëtare, rreth 18 kate.

Procesi për gjetjen e investitorëve për këtë projekt është shpallur dy herë nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe ka dështuar, ndërsa zhvillimi i tij mbetet i paqartë – është thënë se ai do të ndërtohet nga kompania X-One.

Në krah të këtyre projekteve është propozuar edhe kompleksi “Grand Park Skyline”, një zhvillim me tre kulla që arrijnë deri në 71 kate, një nga projektet më të larta të planifikuara në kryeqytet, që pritet të ndërtohet mbi disa prej pallateve ekzistuese nga e njëjta kompani: X-One.

Së bashku, këto ndërtime po krijojnë një korridor vertikal përgjatë një prej hyrjeve kryesore të parkut të liqenit.

Projektet e kullave dhe QKKF-së në zonën e ish-Gardës/Citizens.al

Në planifikimet urbane, infrastruktura duhet të paraprijë zhvillimin. Rrugët, transporti, hapësirat publike dhe rrjetet e kanaleve të ujërave, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit krijojnë bazën funksionale të qytetit, mbi të cilin më pas zhvillohet dhe densiteti urban.

Ky parim garanton që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos prodhojë probleme. Por në Tiranë ka ndodhur gjithmonë e kundërta.

Densiteti ndërtohet i pari, ndërsa infrastruktura lihet të zgjidhet më vonë dhe në disa raste, intensiteti i ndërtimit përdoret si mjet negocimi për të zhvilluar edhe infrastrukturën publike.

Rasti i “Garda Tower” dhe projekteve të tjera te ish-Garda e ilustron këtë logjikë. Projektet shtojnë volume të mëdha ndërtimi në një nyje urbane tashmë të ngarkuar, pa zgjidhur një nga problemet kryesore të zonës: lidhjen rrugore.

Në vend që të krijojë hapësira të reja publike apo të përmirësojë qarkullimin, projektet e shtojnë presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Në këtë mënyrë, zhvillimi që po i ofrohet zonës nuk jep zgjidhje urbane, por përthellon problemin kryesor të saj: mungesën e hapësirave.

*Informacioni për pjesën e gjurmës së projektit dhe shtrirjes së kantierit u saktësua pas komunikimit me kompaninë.

Lexoni gjithashtu:

The post “Parku i kullave”: Nis tjetër projekt te ish-Garda appeared first on Citizens.al.

82 vota kundër: PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut

12 March 2026 at 12:01

Ashtu sikurse njoftoi në fillim të javës, shumica socialiste vendosi me forcën e kartonit të refuzojë në Kuvend kërkesën e Prokurorisë së Posacme (SPAK) për të autorizuar arrestimin e deputetes Belinda Balluku duke e kthyer çështjen e hetimit penal ndaj saj në një krizë edhe më të fortë politike.

Kërkesa e SPAK mori 47 vota “pro,” 82 “kundër” dhe asnjë “abstenim” duke i kursyer ish-zëvendëskryeministres një masë më të rëndë sigurie.

Seanca u zhvillua në klimë të tensionuar pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa shumica socialiste vijoi direkt në votim me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime.

Vendimi konfirmon qëndrimin e mazhorancës të artikuluar prej ditësh se Partia Socialiste nuk do ta lejonte arrestimin e Ballukut, duke e konsideruar kërkesën e SPAK të pajustifikuar në kushtet aktuale politike dhe institucionale.

Argumenti i mazhorancës: “Balluku s’ka më funksion ekzekutiv”

Në emër të shumicës parlamentare, deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi në seancë se “kërkesa e SPAK kishte humbur logjikën e saj juridike” pasi “Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.”

Sipas tij, prokuroria e kishte ndërtuar kërkesën mbi argumentin e pezullimit nga detyra, por kjo masë nuk prodhon më efekt praktik pasi ajo tashmë është vetëm deputete.

“Deputetja në fjalë [Balluku] nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik”, theksoi Manja në Kuvend.

Ai shtoi se çështja e drejtësisë ishte transformuar në një “gjyq publik në sytë e qytetarëve”, duke nënkuptuar se debati politik kishte deformuar natyrën juridike të procesit.

Shumica socialiste e paraqiti vendimin si një vlerësim procedural dhe jo si mbrojtje politike të një prej ish-anëtareve kryesore të qeverisë, duke theksuar se “parlamenti nuk mund të autorizojë masa që nuk kanë më efekt praktik.”

Votimi s’pati prani të plotë

Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte kërkuar mobilizimin e plotë të grupit parlamentar socialist për këtë votim, tre deputetë të shumicës munguan në seancë.

Mes tyre ishin ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe dhe deputeti Fatmir Xhafaj.

Xhafaj raportohet se ndodhej jashtë vendit dhe kishte qenë i pamundur të merrte pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar disa ditë më parë.

Megjithatë mungesat nuk ndryshuan rezultatin final, pasi shumica parlamentare siguroi votat e nevojshme për të rrëzuar kërkesën e SPAK.

Çështja e Ballukut është kthyer në një nga episodet më të ndjeshme të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.

Në teori, reforma në drejtësi synonte pikërisht reduktimin e ndikimit politik në hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë. Por procedurat kushtetuese për arrestimin e deputetëve kërkon ende autorizim nga Kuvendi.

Ndërsa drejtësia deklarohet të jetë e pavarur për të hetuar, parlamenti mbetet filtri politik për masat ndaj deputetëve dhe rasti i Ballukut e ka ekspozuar edhe më qartë këtë tension.

Lexoni gjithashtu:

The post 82 vota kundër: PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut appeared first on Citizens.al.

Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë

11 March 2026 at 12:29

Aktivistë të shoqërisë civile iu drejtuan sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ndalimin pa afat të monopatinave elektrike, një vendim i marrë nga Ministria e Brendshme në tetor të vitit 2025 dhe që prej atëherë ka shkaktuar debat publik për lirinë e lëvizjes dhe mënyrën e përdorimit të rrugëve.

Dy organizata të shoqërisë civile, “Qëndresa Qytetare” dhe “Drejtësi Sociale,” depozituan sot kërkesën për shfuqizimin e Udhëzimit nr. 169, datë 13.10.2025, të firmosur nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Aktivistët argumentuan se udhëzimi për ndalimin e monopatinave elektrike cenon disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e lëvizjes, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës.

Sipas tyre, masa administrative që pasoi udhëzimin – përfshirë sekuestrimin e monopatinave nga policia – ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë sektor.

Avokati Gentian Sejrani, nga Drejtësi Sociale, i cili përfaqëson aktivistët në këtë proces, tha se vendimi për t’iu drejtuar Kushtetueses erdhi pas disa muajsh paqartësie dhe mungese reagimi nga institucionet.

Ai argumentoi se aktualisht mbi 1,000 monopatina elektrike mbeten të bllokuara nga policia, edhe pse fillimisht autoritetet kishin deklaruar se sekuestrimi i tyre do të ishte i përkohshëm dhe nuk do të zgjaste më shumë se 30 ditë.

“Po përballemi me cenim të së drejtës së pronës dhe të lirisë ekonomike,” tha Sejrani pas depozitimit të kërkesës. “Biznese që operojnë me monopatina janë prekur drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe disa prej tyre po shkojnë drejt falimentimit.”

Sipas tij, vetë udhëzimi ka paqartësi për kohëzgjatjen e zbatimit dhe nuk përcakton qartë një afat për ndalimin e këtyre mjeteve.

Për këtë arsye, aktivistët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit, deri në momentin që gjykata të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.

“Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të rimarrin mjetet e tyre dhe do të shmangte një dëm të mëtejshëm,” shtoi Sejrani.

Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha se aktivistët dhe përdoruesit e monopatinave kishin kërkuar për muaj me radhë një zgjidhje përmes dialogut institucional, por sipas tij përpjekjet nuk kishin marrë përgjigje.

“Aksioni i policisë ka qenë disproporcional dhe i palogjikshëm,” tha Xhemollari. “Monopatinat janë mjete që ndihmojnë në reduktimin e trafikut, ndërsa ndalimi i tyre e rëndon edhe më shumë menaxhimin e trafikut në qytet.”

Debati për monopatinat elektrike shpërtheu në tetor 2025, pasi policia nisi një aksion të gjerë në Tiranë dhe disa qytete të tjera për sekuestrimin e tyre, duke argumentuar se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i parregulluar dhe përbënte rrezik për sigurinë rrugore.

Vendimi u mor në një kohë kur monopatinat elektrike po përdoreshin gjithnjë e më shumë në kryeqytet si alternativë transporti për distanca të shkurtra, veçanërisht mes të rinjve.

Sipas aktivistëve, ndalimi i monopatinave nuk merr parasysh problemet strukturore të transportit urban në qytetet shqiptare.

Ata argumentojnë se sistemi i transportit publik mbetet i amortizuar, ndërsa mungesa e parkingjeve dhe kostot në rritje të karburantit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e automjeteve private.

Në këtë kontekst, monopatinat elektrike shihen si alternativë transporti me kosto të ulët dhe ndikim më të vogël në trafik dhe ndotje.

Xhemollari tha se janë rreth 10 mijë përdorues të këtyre mjetesh vetëm në Tiranë duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk merr parasysh nevojat reale të qytetarëve.

Ai krahasoi situatën në Shqipëri me praktikat në kryeqytetet europiane.

“Parisi, Roma apo Berlini nuk i kanë ndaluar monopatinat,” tha ai. “Ato i kanë rregulluar përmes ligjit. Pikërisht këtë kërkojmë edhe ne: rregullim përmes parlamentit dhe jo një ndalim administrativ.”

Çështja e monopatinave mund të shënojë edhe një precedent juridik pasi kjo është hera e parë që një udhëzim ministri dërgohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

Zakonisht, aktet administrative të këtij lloji kontestohen fillimisht në Gjykatën Administrative dhe vetëm më pas, nëse lind një çështje kushtetuese, ajo kalon në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë rast, sipas Sejranit, aktivistët vendosën të kalojnë direkt në Kushtetuese, sepse argumenti kryesor lidhet me shkeljen e të drejtave themelore.

“Konstatimet tona kanë të bëjnë me të drejta kushtetuese,” tha ai për Citizens.al. “Për sa kohë që kemi të bëjmë me cenim të lirisë së lëvizjes, të drejtës së pronës dhe lirisë ekonomike, gjykata që duhet ta shqyrtojë është Gjykata Kushtetuese.”

Ai pranoi se kjo qasje nuk është ndjekur më parë, por shtoi se mund të krijojë një precedent për mënyrën se si aktet administrative që prekin drejtpërdrejt të drejtat themelore mund të sfidohen në të ardhmen.

“Është hera e parë që ndodh, por le të jetë një precedent,” tha Sejrani.

Ndërsa çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, debati për monopatinat ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë për mënyrën se si rregullohet lëvizja urbane në Shqipëri.

Nga njëra anë, autoritetet argumentojnë se mungesa e rregullave të qarta për përdorimin e monopatinave përbën rrezik për sigurinë rrugore. Nga ana tjetër, aktivistët dhe përdoruesit e tyre thonë se ndalimi total nuk është zgjidhje dhe se vendi ka nevojë për një kuadër ligjor që të përcaktojë qartë mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve.

Vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese në muajt në vijim pritet të jetë vendimtar jo vetëm për fatin e monopatinave elektrike, por edhe për mënyrën se si institucionet shqiptare mund të ndërhyjnë në rregullimin e formave të reja të mobilitetit urban.

Lexoni gjithashtu:

The post Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë appeared first on Citizens.al.

10 pika pa përgjigje për projektin “Blue Borgo”

4 March 2026 at 19:53

Kompania “Gener 2” publikoi të martën një tekst me titull “10 fakte mbi statusin ligjor dhe administrativ të projektit në Velipojë”, ku pretendoi se projekti “Blue Borgo” është në përputhje me ligjin dhe se debati mbi pretendimet për pronat, bazohet në “keqinformime”.

Por dokumentet zyrtare të marra nga Citizens.al përmes institucioneve dhe raportimet në terren tregojnë se rreth projektit mbeten plot çështje pa përgjigje. Më poshtë janë dhjetë prej tyre.

Na takon të theksojmë se redaksia jonë iu drejtua në të paktën dy raste me kërkesa për koment, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati përgjigje.

1- A ishin të ligjshme punimet e një viti më parë?

Në mars 2025 banorët e Rrjollit u përplasën me grupin e punonjësve që nisën zhvillimin e projektit “Blue Borgo”. Situata përshkallëzoi pas ndërhyrjes së policisë teksa banorët denoncuan pretendimet e tyre se kompania “Gener 2” po përpiqej t’u merrte tokat.

Kompania reagoi me një njoftim prej gjashtë rreshtash. Ajo konfirmoi se projekti kishte nisur të zhvillohej, por hodhi poshtë pretendimet duke këmbëngulur se gjithçka ishte konformë ligjit.

“Gener 2” rezulton se fitoi licencë zbatimi për projektin (NZ.4586/34) më 16 shtator 2025. Ndërsa vendimi i lejes së ndërtimit u firmos më 8 gusht 2025 dhe leja u zbardh nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) vetëm më 15 janar 2026 (Leje ndërtimi Nr.360/1).

Kjo nënkupton se punimet paraprake të vitit 2025 ishin para përmbylljes së plotë të procedurave ligjore.

2- A është verifikuar plotësisht statusi i pronësisë?

“Gener 2” thotë se ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me “palën që figuron si mbajtëse e të drejtave të pronësisë” dhe se ajo nuk ka cenuar të drejtat e askujt.

“[…] projekti është mbështetur vetëm në vendime të formës së prerë, të certifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” thuhej në një nga reagimet.

Pamje e zonës që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Megjithatë, “Gener 2” nuk ka treguar përmbledhje të këtyre vendimeve, titullin bazë të pronësisë, zinxhirin e kalimeve të pronës, apo dokumentet që provojnë sigurinë juridike të transaksioneve.

Në planvendosjen e lejes së ndërtimit “Gener 2” shfaqet si projektues bashkë me studion arkitekturore të Stefano Boerit, ndërsa si zhvillues kompania tjetër e zotëruar nga familja Ulaj “ABA Blue Borgo,” çka lë të nënkuptohet se pala e tretë është po një sipërmarrje e Ulajve.

Në një projekt të kësaj përmase, transparenca mbi pronësinë është element kyç për besueshmërinë e investimit.

3- Për çfarë heton Prokuroria e Shkodrës?

Sipas “Gener 2” nuk rezulton të ekzistojë as edhe një akt pezullues ndaj vijimit të projektit.

“Prona dhe procesi përkatës kanë kaluar fazat e shqyrtimit të nevojshëm sipas kuadrit përkatës, dhe mbi këtë bazë nuk rezulton ndonjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve,” thuhet nga kompania.

Por, Prokuroria e Shkodrës ka konfirmuar për Citizens.al se ekziston një procedim penal i hapur mbi këtë çështje, bazuar në materialet e referuara nga SPAK (Procedimi Nr.390/2025 referuar nga Prokuroria e Posaçme më 21 mars 2025) mbi bazën e kallëzimit të bërë nga banorët për pretendime falsifikimesh të titujve të pronësisë.

Edhe pse hetimet janë ende në zhvillim, fakti që ekziston një procedim penal tregon se disa aspekte të projektit janë ende nën verifikim nga organet e drejtësisë.

4- Pse nuk ka tabelë me lejen e zbardhur në kantier?

Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës Shëngjin-Velipojë u vu një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Tabela tregon se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro), se punimet pritet të zgjasin 5 vite (60 muaj) dhe se kur ka marrë licencën e zbatimit kompania “Gener 2”.

Tabela në kantier e “Blue Borgo”/Citizens.al

Tabela nuk ka informacion për pozicionet kadastrale, pamjet 3-D të projektit, vendosjes së strukturave që do të ndërtohen, hartën topografike, treguesit teknik për parcelat e pasurive kufitare, distancave të pronës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të truallit, etj.

5- Sa i informuar ishte komuniteti lokal?

Kompania thotë se projekti është prezantuar në konsultime publike dhe se nuk ka pasur kundërshtime.

Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), për projektin qe zhvilluar konsultim në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik “me ndikim të menaxhueshëm në mjedis”.

Por banorët e zonës kanë deklaruar publikisht se u njohën me projektin vetëm kur filluan punimet në terren.

Kjo krijon një kontradiktë mes narrativës zyrtare dhe perceptimit të komunitetit lokal për sa kohë nuk ka pasur asnjë reagim tjetër sqarues nga institucionet publike.

6- Si u përjashtua projekti nga taksa e ndikimit në infrastrukturë?

Bashkia Shkodër ka konfirmuar për Citizens.al se projekti rezulton i përjashtuar nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik akti konkret administrativ që e vendos këtë përjashtim për projektin “Blue Borgo”, as baza e detajuar ligjore që e justifikon atë.

Sipas skemës së taksave vendore, për një investim turistik të kësaj përmase në Velipojë norma e taksës së ndikimit në infrastrukturë është rreth 3% e vlerës së investimit.

Projekti i resortit “Blue Borgo”.

Nëse merret si referencë vlera e projektit që është përmendur publikisht – rreth 280 milionë euro – atëherë taksa potenciale e ndikimit në infrastrukturë do të arrinte në rreth 8.4 milionë euro.

Derisa të publikohet dokumenti që justifikon përjashtimin, mbetet e paqartë si dhe mbi çfarë baze u fal një detyrim fiskal i kësaj përmase.

7- A e plotëson projekti kriterin “brand name” për përjashtim nga taksa?

Ligji për taksat vendore parashikon një përjashtim të veçantë nga taksa e infrastrukturës për strukturat akomoduese me 5 yje, status special, por vetëm nëse ato operohen nga një markë hotelerie ndërkombëtare “brand name”.

Deri tani, as në komunikimet publike të “Gener 2” dhe as në dokumentet e bëra publike nga institucionet nuk është përmendur ndonjë markë ndërkombëtare hotelerie që do të operojë resortin “Blue Borgo”.

Në mungesë të këtij elementi, pyetja që mbetet është nëse projekti i plotësonte vërtetë kushtet ligjore për përjashtim nga taksa e infrastrukturës apo jo.

8- Pse projekti nuk figuron si investim strategjik?

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) konfirmoi dy herë për Citizens.al se për projektin “Blue Borgo” nuk rezulton asnjë vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.

Kjo do të thotë se projekti nuk ka statusin formal të investitorit strategjik, një status që shpesh përdoret për të justifikuar lehtësi fiskale apo procedura të përshpejtuara.

Në këtë kontekst, mbetet e paqartë mbi çfarë mekanizmi tjetër ligjor është mbështetur përjashtimi nga taksa e infrastrukturës.

9- A cenon projekti zonë të mbrojtur?

Zona ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo” ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë, konkretisht në nënzonën 1b, ku zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore. Kjo kategori synonte ruajtjen e biodiversitetit dhe peizazhit natyror, duke lejuar vetëm aktivitete ekonomike dhe turistike që nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.

Megjithatë, ndryshimet e miratuara në vitin 2024 (kur u konceptua dhe projekti) në Ligjin për Zonat e Mbrojtura përfshinë konceptin e “turizmit të ekselencës”, që lejon ndërtimin e strukturave akomoduese turistike me standarde të larta edhe brenda zonave të mbrojtura.

Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al

Organizata si, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të hapë rrugën për zhvillime intensive turistike në territore që më parë ishin të destinuara kryesisht për konservim.

Vetë “Gener 2” nuk ka folur për këtë pjesë dhe nuk ka garantuar qartësisht se çfarë masash ka parashikuar për të reduktuar impaktin në mjedisin e zonës.

Në këtë kuptim, konflikti në Rrjoll nuk lidhet vetëm me një resort të vetëm, por edhe me një debat më të gjerë: nëse zonat e mbrojtura duhet të mbeten hapësira prioritare për ruajtjen e natyrës apo të shndërrohen në zona zhvillimi turistik

10. Nëse dokumentet janë kaq të qarta, pse nuk publikohen të gjitha?

Në reagimin e saj publik, “Gener 2” deklaron se është e gatshme të vërë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

Megjithatë, pavarësisht edhe kërkesave në rrugë elektronike të Citizens.al, deri më tani nga investitori nuk është mbajtur asnjë konferencë për shtyp dhe nuk është bërë publik asnjë dosje e plotë që të përfshijë: aktin e përjashtimit nga taksa e infrastrukturës, provën e ortakërisë “brand name” si hotelier ndërkombëtar, listën e kushteve të vendosura nga KKT, dhe dokumentet që provojnë përmbushjen e tyre.

Derisa këto dokumente të bëhen publike, projekti “Blue Borgo” do të vazhdojë të mbetet jo vetëm një investim i madh turistik, por edhe një histori me shumë pyetje të hapura.

Lexoni gjithashtu:

The post 10 pika pa përgjigje për projektin “Blue Borgo” appeared first on Citizens.al.

Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan

3 March 2026 at 16:48

Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.

Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.

Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.

Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.

Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.

Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.

Përmasat reale të projektit të propozuar

Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.

Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.

Fazat e ndërtimeve sipas fazave në ishullin e Sazanit/Citizens.al

Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.

Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.

Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner

Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).

“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.

Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.

Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.

“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.

Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.

Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.

Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).

Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.

Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.

Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.

Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.

Kontrasti i ndërtimeve të propozuara dhe relievit që ka Sazani/Citizens.al

Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.

Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?

Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”

Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.

Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:

  • Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
  • Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
  • Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
  • Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
  • Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
  • Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
  • Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
  • Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
  • Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.

Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.

Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.

Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.

Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.

Kryeministri Rama dhe Ivanka Trump gjatë takimit në Vlorë, janar 2026/Citizens.al

Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.

Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.

Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.

Negociata pa afat dhe pa shpjegim

Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.al se shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.

Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.

Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.

AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.

Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli

Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.

Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.

Pamje nga ishulli i Sazanit/Citizens.al

Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.

Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.

Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”

Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.

Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.

Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.

Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?

Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.

Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.

Lexoni gjithashtu:

The post Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan appeared first on Citizens.al.

Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë

27 February 2026 at 20:06

Ditëve të javës, kodrat e Petrelës vijojnë një përgjumje të gjatë e të heshtur, kryesisht për shkak të mungesës së vizitorëve. Kjo heshtje nis nga ullishtat, vazhdon mbi muret e kalasë dhe humbet në kthesat e rrugicave që lidhin qendrën e fshatit me rrugën kryesore drejt Tiranës.

Në një ditë të kthjellët, kryeqyteti duket pranë. Zhurmat e makinave në rrugën për në Elbasan dëgjohen deri lart. Një horizont vilash, pallatesh dhe kullash gri të kujton se metropoli është vetëm 15 minuta larg. Por në shtigjet e këtyre kodrave, ndjesia e afërsisë humbet shpejt.

Petrela mbetet një vend që duket sikur është gjithmonë pranë diçkaje, një zhvillimi të madh që mbetet në pritje prej kohësh, por që nuk ka ardhur kurrë.

Në hyrje të fshatit, pak pasi kalon restorantet e para, një tabelë e gjelbër e rrëzuar përtokë bën me shenjë për te “Faith Park” (Parku i Besimit). Sipër saj, një tabelë tjetër drejton për te “Kengo Art Park”. Më tutje, dy tabela të tjera të bëjnë konfuz (foto; foto).

Tabelat e rrugës për në Petrelë/Citizens.al

Ato duket se ngatërrojnë edhe vetë banorët, të cilët nuk dinë të thonë me siguri se cila është e saktë, ku është “Parku i Besimit” dhe ku “Kengo Art Park”.

Në fakt, “Parku i Besimit” nuk ekziston, së paku për momentin. Ndërsa “Kengo Art Park” është duke u ndërtuar. Por ka qenë një ditë kur të dy këto emra parqesh ishin i njëjti vend.

Ngjan si lojë fjalësh, por kjo është zanafilla e këtij reportazhi, dy projekte parqesh që ekzistojnë njëkohësisht si ide arkitekturore dhe si paqartësi lokale. Projekte që në prezantime shfaqen futuristike, ndërsa në terren ndeshin rrugë me gropa, mbetje urbane, ndërtime të braktisura dhe një komunitet që nuk ka informacion.

Konkursi ndërkombëtar në një ish-repart ushtarak

Më 11 tetor 2025, një varg makinash me zyrtarë dhe arkitektë të huaj u ngjit në anën perëndimore të Petrelës. Destinacioni nuk ishte kalaja, as restorantet e njohura buzë kodrës.

Ishin kapanonet e një ish-reparti ushtarak, poshtë rrugës “Sheh Mehmet Kuqi”, të cilat prej gushtit 2024 ishin kthyer në kantier ndërtimi për atë që zyrtarisht njihet si “Parku Tematik Kulturor Tirana Art Garden”.

Aty u prezantuan projektet finaliste për thirrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një koncept-ide që synon të materializohet në kodrat verilindore mes Petrelës dhe zonës së Përsqopit, një sit arkeologjik ilir.

Pamje nga kodrat e Petrelës/Citizens.al

Sipas konceptit fitues – nga studioja daneze e Bjarke Ingels – “Parku i Besimit” nuk është thjesht park rekreativ. Ai është menduar si hapësirë ndërfetare, një kompleks që përfaqëson bashkëjetesën mes besimeve, një ide që politika shqiptare e përdor shpesh për prezantim ndërkombëtar.

Ingels është një arkitekt i diskutueshëm për impaktin që projektet e tij kanë pasur mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, përfshirë debatin mbi Teatrin Kombëtar dhe kullën “Pixel”.

Lexo: Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit

Ai propozoi zhvillimin e kodrave me një sistem shtigjesh të gjarpëruara bimësie në formën e një “peme të jetës”, që përfshin besimet me vlerat, simbolet dhe konceptet e tyre. Zona, sipas tij, zhvillohet njëkohësisht si park, muze, vend pelegrinazhi, meditimi dhe rekreacioni.

“Një hartë e evolucionit të rrugëtimit shpirtëror të njerëzimit mbi topografinë e këtij shpati mali që përshkohet deri në qiell,” u shpreh Ingels gjatë prezantimit në tetor.

“Kremtojmë harmoninë e besimeve fetare,” vijoi ai teksa në renderë shfaqeshin pemë dhe shkurre tropikale si palma apo frangipani.

Krahas kësaj ideje disi utopike, parashikohen edhe një fshat ekologjik, hotel, bare dhe restorante për akomodim, pra zhvillim imobiliar me një total investimi që kërkon rreth 23.5 milionë euro.

“Kengo Art Park” në fazë ndërtimi, shkurt 2026/Citizens.al

Në renderët e prezantimit, Petrela dukej si një peizazh mesdhetar i kuruar: ndërtesa shumëngjyrëshe të shkrira në relievin e gjelbëruar kodrinor.

Por në terren, në të njëjtën ditë, pranë kapanonit ku zhvillohej konkursi, punëtorët e kompanisë “Salillari” vazhdonin punën për parkun artistik “Tirana Art Garden”, i cili pak javë më vonë kur atë e vizitoi sërish Kryeministri Rama, u prezantua zyrtarisht “Kengo Art Park”, pjesë e një investimi rreth 3.5 milionë euro për transformimin e ish-bazës ushtarake në destinacion kulturor.

Kështu, projekti i së ardhmes “Faith Park” u prezantua mbi një projekt të së tashmes “Kengo Art Park,” që ende nuk ishte realizuar dhe madje ndryshoi emrin pa u hapur – u quajt në nder të arkitektit japonez Kengo Kuma.

“Kengo Art Park” duhej të kishte përfunduar në shkurt, por punimet pritet të zgjasin deri në shtator 2026.

Një projekt që Petrela e mësoi nga televizioni

Në sheshin e vogël pranë kalasë, dy lokalet e vetme kanë punë kryesisht pasditeve, prej muajit të Ramazanit.

Teksa binte muzg, dy burra rreth të pesëdhjetave prisnin që e zonja e një prej lokaleve t’u sillte kafenë. Pasi u prezantuam, i pyeta nëse dinin gjë për “Parkun e Besimit” dhe nëse po, se ku do të zhvillohej.

“E morëm vesh vetëm nga televizori, që erdhi Rama andej poshtë,” tha njëri prej tyre. “Por se ku do bëhet dhe çfarë është fiks, nuk dimë.”

Pak më poshtë, një banor i zonës po krasiste pemët buzë rrugës. Edhe ai nuk e kishte të qartë për çfarë bëhej fjalë për “Parkun e Besimit”.

“Më kanë thënë [se do të bëhet] nga ana tjetër, poshtë, nga ullishtat, afër zip-line,” tregoi ai. “Por s’na ka pyetur njeri, s’dimë gjë.”

Sheshi “Mamica,” Petrelë/Citizens.al

Prej tetorit 2025, askush në qendrën e fshatit nuk kishte informacione të tjera për projektin veç faktit se zonën e kishte vizituar dy herë Rama dhe se vizitat e tij i kishin parë në televizor.

Ky është dhe paradoksi i zakonshëm i zhvillimeve të mëdha në vendin tonë ku komuniteti që preket nga projektet është shpesh i fundit që merr informacion.

Në dokumente, informimi nis pas studimeve të fizibilitetit dhe vijon me konsultimet publike. Në praktikë, ai nis vetëm pasi projekti bëhet lajm në media.

Turizmi që erdhi vetë

Ndryshe nga burrat e fshatit, Xhulio, një i ri në të tridhjetat, e sheh ndryshimin si mundësi. Ai është ndër të kthyerit nga emigracioni dhe prej një viti drejton një biznes turizmi aventuror me ture quadbike në kodrat përreth Petrelës.

“Zona është ideale, me terren të përshtatshëm dhe peizazh fantastik,” thotë ai. “Afër Tiranës, por duket si larg.”

Sipas Xhulios, vizitorët kërkojnë më shumë se një destinacion dhe Petrela mundet t’ua ofrojë atë, pra kalanë, shtigjet, restorantet, natyrën dhe ndjesinë e një përvoje të përzier në një vend të vetëm.

“Sa më shumë aktivitete të ketë, aq më mirë për të gjithë sepse rrit ofertën turistike dhe kohën e qëndrimit të vizitorëve,” thotë ai.

Edhe Xhulio tha se nuk kishte informacion të zgjeruar për projektin, por u shpreh optimist se nëse ndërhyrjet e zotuara bëhen pa dëmtuar mozaikun historik e kulturor të zonës, do të sjellin zhvillim ekonomik.

Sipërmarrja e Xhulios, e cila ndërthur edhe risitë e tekonologjisë me rezervimet online, është në kontrast me hotelet dhe restorantet e kodrave përtej, që kanë mbyllur aktivitetin prej vitesh dhe shfaqen si relike të një turizmi që nuk u konsolidua kurrë.

Rruga ku fillon projekti

Për të parë zonën ku parashikohet ndërtimi i “Parkut të Besimit” duhet të ndjekësh rrugën e Durishtit në verilindje të Petrelës.

Asfalt nuk ka. Segmenti është me çakull dhe në disa pjesë i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut (foto; foto; foto). Anash shfaqen ndërtesa gjysmë të braktisura: dy hotele dhe një tjetër i papërfunduar në majë të kodrës (foto).

Një nga shtigjet e devijuara prej rrëshqitjet e tokës/Citizens.al

Më tej shihen pirgje mbeturinash dhe inerte, ndërsa në thellësi një pjesë e kodrës është zhveshur nga bimësia. Kjo të sjell ndërmend zotimin që Ingels bëri gjatë prezantimit:

“Të gjitha ndërtimet do të bëhen në zona ku ka pasur gërmime. Nuk do të gërmojmë thuajse fare dhe nuk do të heqim asnjë pemë.”

Por të gjitha janë gjurmët e një optimizmi të vjetër, të asaj vale investimesh të viteve 2000-2010 kur Petrela shihej si periferia turistike e ardhshme e Tiranës, por që u tradhtua nga infrastruktura që nuk erdhi kurrë deri këtu.

Sot ato ndërtesa janë monumente të një zhvillimi që nuk u mbështet dhe nuk u materializua.

Dhe pikërisht mbi këtë terren planifikohet një projekt që entuziazmon edhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar si Bjarke Ingels, i cili e quan gjendjen aktuale si “një plagë” që duhet shëruar.

Por projekti i parkut përfshin edhe të paktën tetë parcela pronash private, dhe këtu nisin pyetjet kryesore.

Zona e Përsqopit njihet edhe për gjurmë arkeologjike ilire dhe mbetet e paqartë nëse preket zona e mbrojtur apo dhe ajo buferike. Pyetjet për këto shqetësime drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Korporatës së Investimeve nuk morën përgjigje.

Heshtja institucionale shpesh është forma më konkrete e informimit në projekte të tilla.

“Parku i Besimit” është ende një ide. Por në Petrelë ideja duket se ka nisur të ndikojë realitetin përpara se të ekzistojë fizikisht: në biseda, pritshmëri, çmime toke dhe vilash që reklamohen për shitje, si dhe në mënyrën sesi banorët e imagjinojnë të ardhmen.

Mes këtyre dy kohësh, kohës së projektit dhe kohës fizike, do të vendoset nëse vërtetë “Parku i Besimit” do të bëhet zhvillim, apo thjesht një tjetër premtim në rrethinat e Tiranës.

Deri atëherë, tabela e rrugës në Petrelë do të vazhdojë të tregojë njëkohësisht edhe “Faith Park” edhe “Kengo Art Park”, por askush nuk do ta dijë se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.

Lexoni gjithashtu:

The post Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë appeared first on Citizens.al.

Largimi i Ballukut, riorganizim kabineti apo menaxhim kostosh politike?

27 February 2026 at 12:35

Pasi i ofroi për rreth katër muaj mbrojtje politike ndaj kërkesave të SPAK-ut për ta arrestuar, Kryeministri Edi Rama vendosi të enjten të shkarkojë Belinda Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ajo ishte e pezulluar me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili mbeti në fuqi pavarësisht ankimit që qeveria i bëri në Gjykatën Kushtetuese.

A u tërhoq vërtetë Rama nga Balluku?

Largimi i Ballukut nga qeveria nuk erdhi si një lëvizje e zakonshme riorganizimi të kabinetit.

Njoftimi u bë pas një mbledhjeje të gjatë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të dominuar nga kritikat ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe sistemit të drejtësisë, çka e zhvendosi menjëherë këtë zhvillim nga një vendim administrativ në një zhvillim institucional.

Në të njëjtën mbrëmje, portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu besua një figure të re politike apo teknike nga jashtë, por një vartësi të drejtpërdrejtë të Ballukut: Enea Karakaçi, i cili drejtonte Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE).

Ky detaj është ndoshta më domethënësi. Rama ndryshoi ministren (dhe ministri të tjera), por jo strukturën që drejton sektorin më të madh financiar të qeverisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përqendron projektet më të mëdha publike: rrugët kombëtare, koncesionet, energjetikën, aeroportet dhe portet. Në praktikë, aty kalon pjesa më e madhe e investimeve kapitale të qeverisë, po ashtu edhe kostot politike.

Për këtë arsye, çdo ndryshim në drejtimin e saj zakonisht shoqërohet me ndryshim kursi, qasje të politikave, investimeve, ose rishikim kontratash. Por në rastin konkret, asnjë nga këto nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, Balluku lavdërohet edhe në ikje si ministrja më e suksesshme e qeverisë.

Ndaj, vendimi duket më shumë si distancim nga një figurë sesa si rishikim i politikave që drejtonte Balluku, pavarësisht se Rama nuk e shprehu qartësisht këtë gjë të enjten.

Qeveria ruajti aparatin administrativ dhe vazhdimësinë e projekteve, duke lënë të kuptohet se nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi politike për mënyrën e qeverisjes së sektorit, por me një menaxhim të kostos së saj publike.

Kjo përforcohet  nga ngritja në postin e ministrit të Mbrojtjes (në vend të Pirro Vengut) të Ermal Nufit, i cili më herët ka qenë drejtor kabineti për zëvendëskryeministren Balluku.

Konteksti i bën këto zhvillime edhe më të rëndësishme. Largimi i Ballukut bëhet në një moment tensioni të hapur mes ekzekutivit dhe SPAK-ut. Për herë të parë, kritikat ndaj drejtësisë nuk kanë qenë thjesht deklarata të izoluara politike, por pjesë e një komunikimi institucional qeveritar.

Në këtë kuptim, lëvizja duket më pak si një reagim ndaj performancës si ministre – vënë seriozisht në diskutim pas dëmtimeve serioze në disa rrugë kombëtare të vendit – dhe më shumë si një reagim ndaj rrezikut juridik që prodhon hetimi penal ndaj saj në nivele të larta.

Pak ditë më parë, qeveria propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra gjatë hetimeve – një prej mjeteve kryesore që SPAK përdori për të parandaluar mundësinë e prishjes së provave nga Balluku.

Me rastin “Balluku”, reforma në drejtësi ka krijuar për herë të parë një rrezik real penal për qeveritarët, dhe politika duket se po përshtatet me këtë realitet të ri.

Ky “lëshim” i Ballukut nga qeveria nuk e zhvesh atë nga imuniteti si deputete. Pra SPAK nuk mund ta arrestojë gjithsesi.

Me këtë zhvillim, qeveria nënkupton se pezullimi apo largimi i saj nga postet e larta janë të mjaftueshme për të mos-penguar hetimet, megjithëse SPAK ka raportuar në Këshillin e Mandateve se dëshmitarë në çështje janë kërcënuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Largimi i Ballukut, riorganizim kabineti apo menaxhim kostosh politike? appeared first on Citizens.al.

Alternativat që shmangin rrugën e bllokuar Elbasan-Qafë Thanë

25 February 2026 at 13:31

Bllokimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pranë Dragostunjës në Librazhd, ka nxjerrë në pah varësinë e pothuajse gjithë juglindjes së vendit nga një korridor i vetëm rrugor.

Prej fundjavës, rrëshqitja e dherave dhe dëmtimi i urës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” ka ndërprerë lidhjen kryesore me Tiranën për Korçën, Pogradecin, Prrenjsin, Librazhdin dhe rrethinat e tij.

E njëjta zonë është edhe pjesë e punimeve të Korridorit VIII. Ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin kanë krijuar tension mjedisor dhe social, të raportuar më herët nga Citizens.al dhe organizatat mjedisore.

Por, si arrihet sot juglindja nga kryeqyteti dhe anasjelltas? Banorët e zonave pranë vendit ku ndodhi shembja, por dhe linjat e udhëtarëve dhe transportit të mallrave po përballen me kosto dhe kohë më të larta udhëtimi.

Më poshtë Citizens.al sjell disa nga alternativat që po përdoren aktualisht për të qasur juglindjen me Tiranën.

Duhet theksuar se shumica e rrugëve alternative janë në gjendje të vështirë, nuk përballojnë fluksin e shtuar dhe ofrojnë pak ose aspak siguri dhe mbështetje për: pika karburanti, vende pushimi apo shërbime bazë përgjatë udhëtimit.

Rruga juglindore dhe devijimi lokal

Korçë-Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan-Tiranë

Kjo është ndër rrugët më të përdorura aktualisht. Distanca është rreth 170 kilometra dhe mund të përshkohet për 3-5 orë udhëtim në varësi të fluksit të trafikut.

Segmentet malore dhe kthesat e shumta, sidomos në zonën e Moglicës, e bëjnë të lodhshme dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.

Rruga nga Moglica dhe alternativa tjetër me devijimin nga fshatrat e zonës.

Ndërkohë po përdoret edhe një devijim përmes fshatrave lokal dhe vijimit përgjat një segmenti të ish-rrugës “Egnatia”.

Kjo rrugë devijon nga aksi kryesor për të shmangur Dragostunjën dhe urën e dëmtuar. Nis nga Librazhdi, kalon nga fshatrat si Spathari, Dardha dhe del në Hotolisht, me një gjatësi rreth 170 kilometra dhe kërkon rreth 4-6 orë udhëtim.

Pjesa e devijimit ka rrugë të ngushta, të paasfaltuara, me çakull e baltë dhe pjerrësi të forta. Përdoret kryesisht nga automjetet private, por tashmë po krijon radhë të gjata dhe trafik të rënduar.

Rruga jugore

Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Tepelenë-Fier-Durrës-Tiranë

Konsiderohet alternativa më e sigurt për të shmangur segmentin Qafë Thanë-Elbasan (dhe anasjelltas). Në praktikë është një “devijim kombëtar”: juglindja lidhet me Tiranën përmes jugut të vendit.

Ajo parashikon rreth 370 kilometra rrugë e cila mund të përshkohet për rreth 6-8 orë udhëtim.

Rruga nga jugu dhe me kalimet nga RMV.

Megjithëse relativisht e sigurt, distanca dhe koha është thuajse e dyfishtë duke e bërë pak të konsiderueshme për udhëtarët.

Ajo këshillohet për autobusët interurbanë, mjetet e rënda dhe udhëtimet jo urgjente.

Rruga ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut

Korçë-Pogradec-Qafë Thanë/Tushemisht-Strugë/Ohër-Dibër-Bllatë-Rruga e Arbrit-Tiranë

Kjo rrugë prej rreth 220-240 kilometrash mund të përshkohet për 4-6 orë udhëtim.

Konsiderohet alternativë praktike, por njëkohësisht si një treguese e fortë e situatës: për të shkuar në Tiranë nga Korça duhet të dalësh jashtë Shqipërisë.

Kalimi bëhet nga pikat kufitare të Qafë Thanës ose Tushemishtit drejt Strugës apo Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe rikthimi në Shqipëri nga Bllata, për të vazhduar në Maqellarë dhe më pas në Rrugën e Arbrit.

Ia vlen vetëm nëse rrugët e tjera janë të mbingarkuara dhe udhëtarët kanë dokumentet e nevojshme. Në orët e pikut, pritjet në doganë e bëjnë kohën e mbërritjes të paparashikueshme.

Alternativat e rrugëve më sipër nuk janë thjesht një lajm për trafikun, por panoramë e qartë se planifikimi i zhvillimit të infrastrukturës në vend ka probleme serioze.

Një korridor kombëtar i shoqëruar me projekte strategjike të zgjerimit hasi dëmtime dhe rrëshqitje dherash aq sa të izolojë një rajon të tërë.

Lexoni gjithashtu:

The post Alternativat që shmangin rrugën e bllokuar Elbasan-Qafë Thanë appeared first on Citizens.al.

€450 milionë projekte të Korporatës “gati për leje” pa transparencë

19 February 2026 at 16:57

Sipas qeverisë shqiptare, një seri projektesh të ndërmjetësuara nga Korporata e Investimeve (KISH), me vlerë që i kalon 450 milionë euro, po i afrohen fazës së lejeve të ndërtimit.

Por ndërsa projektet e kullave shtohen, dokumentet që përcaktojnë detajet e marrëvesheve financiare mbi tjetërsimin e pronave publike mbeten të panjohura, duke lënë në hije transparencën dhe përfitimin real të publikut nga ky transformim.

Gati “për leje” nga hiçi

Në fund të janarit, në një nga sallat e ish-Hotel Dajtit, gjatë konkursit për projektin fitues të Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve, Drejtuesja e KISH, Elira Kokona dhe Kryeministri Edi Rama njoftuan diçka që kaloi pa debat publik: disa nga projektet e ndërmjetësuara nga Korporata ndodhen tashmë “në fazë të avancuar” dhe një pjesë e tyre “gati për të marrë lejet”.

Në ekranet e prezantimit u shfaqën projektet e ndërtesave të reja, shumica me kulla. Për herë të parë u shfaqën publikisht edhe shifra: një portofol investimesh që i afrohet 1 miliard eurove.

Por sërish u anashkalua një detaj thelbësor, shumica projekteve do të ndërtohen mbi prona publike dhe publiku di pak ose aspak për fatin e tokave aq të lakmuara nga sektori imobiliar.

“Shtatë objekte ndërtimore janë gati për të marrë lejen e ndërtimit,” tha Kokona para konkursit.

Ajo nënkuptoi se në këtë listë përfshinte edhe projektet e dy rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, që iu dhanë privatëve për t’u kthyer në hotele.

“Punët vijojnë me përfundimin, në ditët në vijim, të negocimit për dy hotelet […] të cilat gjithashtu fillojnë fazën e aplikimit për leje,” vijoi Kokona duke kërkuar mbështetjen nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).

Lexo: Rezidencat qeveritare do jepen për hotele te privati

“[…projektet] janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna,” u shpreh Rama si për të saktësuar faktin se si fillim nevojiten lejet e zhvillimit dhe përpara ka ende procedura për t’u ndjekur.

Leja e zhvillimit është një nga dokumentet bazë për të vijuar implementimin e një projekti. Ajo jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), që drejtohet nga Kryeministri Rama dhe organizohet nga AZHT, që luan rolin e sekretariatit.

Leja e zhvillimit përcakton në parim kushtet se sa dhe si mund të ndërtohet në një truall: intensitetin, volumetrinë, numrin e kateve dhe distancat nga kufijtë. Ajo nuk të mundëson të drejtën për të nisur punimet.

E drejta për të ndërtuar mundësohet vetëm nga leja e ndërtimit, e cila jepet po nga KKTU-ja, që miraton edhe projektin teknik, arkitekturor dhe zbatimin konkret brenda kushteve të lejes së zhvillimit. Ajo i jepet ndërtuesve vetëm pas plotësimit të kushteve tekniko-ligjore si dhe pagesës së taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.

Sidoqofshin projektet e ndërmjetësuara me KISH – pra, në pritje të lejes së zhvillimit, apo të ndërtimit – deklarata e 29 janarit, nënkupton se ato kanë tashmë një kontratë të nënshkruar dhe pronat publike janë dakordësuar të zhvillohen.

Transparenca, thjesht formalitet

Pas deklaratave të Kryeministrit dhe drejtueses së KISH, Citizens.al kërkoi zyrtarisht nga Korporata listën e projekteve “në fazë të avancuar”, statusin e negociatave me investitorët, përfitimin që do të marrë shteti prej tyre dhe kontratat paraprake mbi të cilat mbështeten këto zhvillime.

Lexo: Thirrjet “pa garë” dhe “pa llogari” të Korporatës së Investimeve

Përgjigjja ishte e shkurtër: informacioni gjendet në faqen zyrtare të KISH. Në pamje të parë kjo duket përgjigje administrative. Por verifikimi i publikimeve tregon krejt tjetër gjë.

Kontrolli i të gjitha njoftimeve të publikuara nga Korporata tregon një model të përsëritur. Ajo publikon konkurset arkitekturore, studiot fituese, vizualizimet “3D”, por jo studimet e fizibilitetit, verifikimet e bëra për kapacitetet e investimit, garancitë, apo dhe marrëveshjet financiare me ndërtuesin.

Mungojnë kontratat paraprake të negociuara, kushtet e dakordësuara dhe mbi të gjitha vlerat e përfitimit që do të marrë shteti nga shfrytëzimi i pronave publike për qëllime ndërtimi privat.

Me fjalë të tjera, publiku sheh ndërtesat që do të ndërtohen, por jo pazaret që qeveria finalizon me privatët.

Çfarë fitojmë ne nga këto? Kush janë mekanizmat që mbrojnë nga abuzimet?

KISH nuk është një zhvillues publik klasik dhe as investitor. Korporata funksionon si ndërmjetësuese ekonomike: identifikon prona shtetërore, organizon gara për investitorë dhe negocion zhvillimin e tyre.

Lexo: Shkëmbimi jetimore-kulla përplas qeverinë me pronën private

Deri më sot të gjitha thirrjet janë çuar para nga arkitektë të huaj, por asnjë prej tyre nuk ka thithur investitorë të huaj. Një e metë që qeveria dhe Korporata përpiqen ta mënjanojnë nga diskursi publik.

Në praktikë, mënyra përmes së cilës pronat publike po shndërrohen në marrëveshje ekonomike me ndërtuesit vendas është përmes përqindjeve të sipërfaqes që merr shteti në raport me vlerën e tokës.

Pikërisht ky element, çmimi real i pasurisë publike, është ai që nuk publikohet, madje në disa thirrje ku përqindja e kërkuar ka zbritur në rreth 40% nuk shoqërohet me shpjegime.

Një rast konkret: në thirrjen për Lift Tower, fillimisht Korporata kërkonte minimalisht 45% të sipërfaqes, por me thirrjen e rihapur, këtë muaj, kërkon 40%.

Projektet “gati për leje”

Në prezantimin e janarit u identifikuan 5 projekte që konsiderohen në prag të lejeve: kulla “Tirana Void Tower” (€79 milionë), Kompleksi Governativ (€37 milionë), stadiumi “Selman Stërmasi” (€172 milionë), Pallati i Sportit “Asllan Rusi” (€109 milionë) dhe Biblioteka Kombëtare (€55 milionë).

Vlera e investimeve të tyre arrin €452.5 milionë.

Lexo: Kulla, zyra dhe stadiumi i ri: Qeveria i jep privatëve 8 prona publike

Fituesi fillestar i garës për “Void Tower,” ofroi 46.1% (Aiba Company) të sipërfaqes për shtetin, por u tërhoq. Negociatat kaluan te oferta e dytë, 45% (Progeen). Në këtë thirrje, investitori do të ndërtojë për qeverinë Kompleksin Governativ.

Nga shtatori 2025, në faqen e Korporatës nuk ka pasur asnjë njoftim për nënshkrim kontrate. Megjithatë, sipas qeverisë, projekti rezulton sot ndër ata që konsiderohen si “gati për leje”.

Kjo tregon shumë për procedurat: një zhvillim mbi tokë publike i afrohet miratimit të lejeve, por marrëveshja mbi të cilën mbështetet nuk njoftohet publikisht.

Ngjashëm është vepruar edhe për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Asnjë njoftim për lidhje të mundshme kontrate. Investitori (Trema Tech) ofroi për këtë projekt 40.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet.

Lexo: Hije konflikti interesi në konkurset e projekteve të tre stadiumeve

I vetmi projekt që ka pasur njoftim paraprak për kontratë të nënshkruar rezulton të jetë ai për Stadiumin “Selman Stërmasi”. Në këtë investim, privati (Albanian Investment Construction) ofroi 46.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet mbi pronat publike të zonës.

Megjithatë nuk ka të dhëna për datën e nënshkrimit të kontratës, kushtet e vendosura në negocim dhe afatet e mundshme se kur mund të nisin dhe mbarojnë punimet.

Por, rasti më i paqartë dhe shqetësues është ai i Bibliotekës Kombëtare, një ndërtesë e rëndësishme publike, të cilën KISH e ofroi ta ndërtojë në partneritet me privatin. 

Dy thirrje të hapura, ku jepej si incentivë mundësia për të ndërtuar kulla te ish-Vilat Gjermane, u anuluan për mungesë ofertash.

Por, befas, projekti i Bibliotekës shfaqet në listën e projekteve “në pritje të lejes”. KISH nuk ka njoftuar asnjë procedurë të re konkurruese dhe për rrjedhojë asnjë marrëveshje publike me investitorin (X-One).

Lexo: Qeveria s’gjen dot investitorë për Bibliotekën Kombëtare

Bëhet fjalë për një institucion publik kombëtar, por mënyra se si do të financohet dhe formula se si do ta marrë shteti në dorëzim atë mbetet e panjohur.

Gjashtë thirrje të tjera të KISH me vlerë investimi €538 milionë cilësohen “në proces”: Expo Albania (€50 milionë); Lift Tower (€64 milionë); Godina e Kadastrës (€28 milionë); Stadiumi Skënderbeu (€56 milionë); Stadiumi Flamurtari (€200 milionë), Stadiumi Niko Dovana (€140 milionë).

Paralelisht, “në proces”, cilësohen edhe Durana Tech Park, Parku i Besimit dhe dy rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, por që nuk shoqërohen me një kosto të përafërt investimi.

Thirrje si “Shtëpia e re e fëmijëve, Korpusi i Inspektorateve, Godina multifunksionale” dhe “Pallati i Kongreseve” janë në proces për përzgjedhjen e partnerëve privatë.

Ndërkohë që për të ardhmen pritet hapja e thirrjeve për zhvillimin e tre korpuseve “Drejtësisë”; “Sigurisë” dhe “Institucioneve të Pavarura” si dhe “Parkimet Publike”. Nga këto thirrje të njoftuara paraprakisht kuptohet se do të ofrohet mundësia e ndërtimit të së paktën një kulle te “Fusha e Aviacionit”.

Mënyra se si qeveria dhe KISH po e trajton këtë proces zhvillimi është më shumë se një çështje transparence.

Në mungesë të kontratave dhe kushteve të negociuara, publiku nuk mund të verifikojë nëse këto projekte përbëjnë investim publik, apo thjesht një “transferim” të pasurive shtetërore te privatët pa procedura të mirëfillta privatizimi dhe konkurrence.Prandaj çështja nuk është thjesht transparenca procedurale, por kontrolli mbi mënyrën se si po vendoset për përdorimin e pronës publike.

Pa llogaridhënie, zhvillimi urban rrezikon të mbetet një vendim i mbyllur që qytetarët e kuptojnë vetëm kur kantieret nisin të hapen, apo ndërtesat janë ngritur tashmë.

The post €450 milionë projekte të Korporatës “gati për leje” pa transparencë appeared first on Citizens.al.

Shkëmbimi i jetimores me kulla përplas qeverinë me një pronë private të njohur ligjërisht

16 February 2026 at 18:02

Poshtë Qytetit Studenti, jo shumë larg Parkut të Madh të Liqenit Artificial, ndodhet një nga zonat më të lakmuara të Tiranës. Për dekada ajo ka qenë ndër hapësirat e vilave dhe rezidencave më të kërkuara në kryeqytet.

Një kompleks banesash i ndërtuar gjatë diktaturës për diplomatët e Gjermanisë Lindore u kthye në pikë referimi aq sa sot rruga që kalon aty njihet zyrtarisht si “Vilat Gjermane”.

Pas viteve ’90 ndërtesat u përdorën nga institucione dhe agjenci shtetërore, ndërsa toka mbi të cilën ndodheshin hyri në një proces që rëndomtë preku mijëra familje shqiptare dhe që vazhdon prej tre dekadash: kthimin e pronave.

Sot ky kompleks është në qendër të një konflikti tjetër juridik, që lidhet me një nga mekanizmat më të diskutueshëm të zhvillimit urban të qeverisë: Korporatën e Investimeve Shqiptare (KISH).

Në pamje të parë duket si histori tipike pronarësh kundër shtetit. Por dokumentet e shqyrtuara nga Citizens.al tregojnë një realitet më kompleks. 

E drejta e pronës e njohur ligjërisht, që mund të bëhej pengesë për projektet e Korporatës në zonë, u anashkalua duke shmangur privatizimin dhe shpronësimin.

1995: Zanafilla e njohjes së pronësisë

Gjatë diktaturës, shteti konfiskoi dhe zotëroi thuajse çdo pronë. Ish-pronarët ishin klasa që u përndoq më së shumti politikisht. 

Pas rrëzimit të sistemit, në vitin 1991, Shqipëria hyri në tranzicionin drejt demokracisë kapitaliste ku fillimisht synoi kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Për këtë u ngrit Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP).

Planvendosja sipas vendimit të KKKP në zonën e Qytetit Studenti dhe ish-Vilat Gjermane/Citizens.al

Në serinë e vendimeve, KKKP u shpreh edhe për zonën poshtë Qytetit Studenti (konvikti Nr.4; kinoklubi dhe fushat e klubit “Studenti”). Në vendimin Nr. 461, të datës 8 nëntor 1995, të cilin Citizens.al e disponon, KKKP njohu pronësinë e rreth 72,000 m2 tokë për trashëgimtarët e familjes së Ismail Surelit.

Lexo: “Një masterplan privat”: Shembje dhe kulla pas Muzeut Kombëtar

Vendimi përmbante edhe një element thelbësor. Familjes i njihej e drejta e parablerjes për ndërtesat shtetërore të ngritura mbi këtë truall, përfshirë ish-Vilat Gjermane, ish-kinoklubin, konviktin, magazinat përreth etj.

Hipoteka e regjistroi këtë të drejtë në regjistrin e pasurive po atë vit: 1995. Nga verifikimet e mëvonshme të regjistrave nga trashëgimtarët, atyre u është konfirmuar sërish deri në vitin 2014 se i njihej “e drejta e parablerjes në momentin e privatizimit të vilave, ish-klubit dhe ish-magazinave.”

Në praktikë kjo nënkuptonte se shteti mund t’i përdorte ndërtesat mbi truallin e familjes Sureli, por në momentin që do të vendoste t’i privatizonte, pronari i tokës do të kishte përparësi absolute për t’i blerë ato.

Pra shteti nuk ishte pronar i plotë, ishte vetëm zotërues i ndërtesave mbi tokën private.

“Strategjia e mosveprimit”

Gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, shumë objekte shtetërore u privatizuan, por ish-Vilat Gjermane, jo.

Shteti vazhdoi t’i përdorte, ose t’i jepte me qira për zyra, qendra, apo funksione të tjera. Në këtë mënyrë u shmang privatizimi i plotë, pasi nëse do të kishte nisur një procedurë të tillë, e drejta e parablerjes nga trashëgimtarët e familjes Sureli do të aktivizohej automatikisht.

Në një shkresë të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, theksohet se ato janë të domosdoshme për funksionin shtetëror, prandaj “nuk mund të jepet as miratimi për privatizim”. Deri në vitin 2018 çështja mbetej pezull mes njohjes si pronarë, por refuzimit të privatizimit.

Ilustrim referuar hartave nga ASIG/Citizens.al

Rreth dy dekada nga vendimi i KKKP-së, qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama ngriti një instrument të ri që do të merrej me zhvillimin e pronave shtetërore: Korporatën e Investimeve Shqiptare (KISH).

Lexo: Si e tjetërsoi zonën te ish-Garda lakmia për kulla

Prej vitit 2024 Korporata ka nisur t’i zhvillojë pronat shtetërore përmes partneritetit publik-privat (PPP). Kryesisht, ajo ka vënë si incentivë mundësinë që privatët të ndërtojnë kulla në troje publike dhe në këmbim të japin sipërfaqe nga objektet që do të ndërtojnë. Paralelisht ata marrin përsipër zhvillimin e projekteve për zyra administrate apo institucionesh.

Kjo qasje rezultoi kritike për fatin e pronave të familjes Sureli te ish-Vilat Gjermane. Ndërsa për autoritetet shtetërore ishte një justifikim më shumë për të mos ua kthyer më.

Teksa privatizimi aktivizonte të drejtën e parablerjes, zhvillimi, jo domosdoshmërisht e bënte këtë gjë.

Me veprimet dhe mosveprimet e saj, qeveria nënkupton se mund ta përdorë truallin e familjes Sureli si “mall shkëmbimi” për projekte investimi, pa e kaluar pronësinë e drejtpërdrejtë tek privatët dhe pa aktivizuar automatikisht të drejtën e njohur që në 1995.

Projekti i parë: Biblioteka Kombëtare

Në fillim të vitit 2025, Korporata hapi thirrje për partnerë privatë për ndërtimin e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare.

Projekti i studios XDGA shoqërohej me një komponent shtesë: Investitori privat që do të merrte përsipër realizimin, përfitonte të drejtën për të shfrytëzuar 5,219 m2 truall të ish-vilave gjermane për ndërtimin e një objekt me sipërfaqe deri në 60,000 m2 – praktikisht një kullë mbi 20 kate.

Me këtë ide, qeveria nuk po i privatizonte dhe as shiste vilat, por po i rrafshonte për t’i hapur rrugë një “kompensimi urbanistik për qëllime publike”.

Specifikimi i truallit si pronë shtetërore në thirrjen e Korporatës për Bibliotekën/Citizens.al

Në fakt, me vendim të qeverisë trualli te ish-vilat gjermane rezultonte pronë shtetërore, pa kushte, dhe i i kalonte Korporatës së Investimeve.

Lexo: Dështon thirrja, qeveria s’gjen dot investitorë për Bibliotekën Kombëtare

Kjo u kuptua vetëm në atë periudhë nga familja Sureli, e cila pasi u interesua mori zyrtarisht si përgjigje nga Kadastra se “origjina e pasurisë […] regjistruar në shkurt 2012 […] nuk kishte shënime për të drejtë parablerjeje”.

Përgjigja ishte shqetësuese. Familja kishte dokumente të nxjerra nga Kadastra të vitit 2014 në të cilat shënimet ishin prezente.

Nën dyshimin se, në rastin më të mirë titulli i pronësisë nuk ishte pasqyruar si duhet, ose në rastin më të keq mund të ishte fshirë, zhdukur apo manipuluar në regjistrat fizikë dhe elektronikë të Kadastrës, ajo përthelloi kërkesat.

Tashmë çështja kishte kaluar jo vetëm në refuzim privatizimi, por edhe refuzim njohjeje si pronarë. 

Teksa familja Sureli angazhohej për të marrë informacione, thirrja për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare dhe kullës te ish-Vilat Gjermane u anulua. Njësoj edhe thirrja e dytë.

Zyrtarisht Korporata tha se nuk pati interesime, por gjasat janë që kjo të ketë lidhje me lëvizjen e familjes Sureli dhe problemet që do të kishte investitori privat në të ardhmen në rast se do ta zhvillonte kullën mbi truallin e pretenduar prej saj.

Ndryshimi i planit: Kulla mbi shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”

Në shtator 2025, Korporata e kaloi në plan të dytë Bibliotekën Kombëtare dhe hapi një thirrje tjetër që përfshinte sërish zonën e ish-vilave. Kjo thirrje parashikonte ndërtimin aty të mjediseve të reja të jetimores “Zyber Hallulli”.

Në pamje të parë, po zhvillohej një projekt social. Por nga ana ligjore dhe urbane, ky veprim prodhonte një efekt të rëndësishëm, shembjen e godinës aktuale të jetimores, duke e liruar truallin tek rruga e Elbasanit për ndërtime kullash.

Lexo: Një kullë pritet të zëvendësojë jetimoren “Zyber Hallulli”

Nga ana tjetër, sikurse tregojnë dokumentet e shqyrtuara nga Citizens.al, kjo thirrje vijoi t’i mohonte të drejtën e pronës familjes Sureli, e cila vijoi një seri të gjatë korrespondence me Kadastrën dhe qeverinë.

Në parim, me thirrjen e re qeveria nënkuptonte se nuk po e privatizonte kompleksin e ish-Vilave Gjermane dhe se funksioni i zonës do të mbetej sërish publik pas ndërhryjeve – pavarësisht se ato parashikojnë qartësisht, edhe në dokumente, shembjen e ndërtesave aktuale.

Specifikimi i se ish-vilat gjermane do të prishen në dokumentet e thirrjes për Zyber Hallulli/Citizens.al

Por, për sa kohë ish-vilat janë objekte mbi të cilat familja Sureli gëzonte të drejtën e parablerjes që prej vitit 1995, qeveria nuk mundet t’i prishë, zhdukë apo tjetërsojë ato për t’u hapur rrugë projekteve të reja, pa i ofruar paraprakisht ushtrimin e së drejtës së parablerjes.

Familja pretendon se nuk ka pasur asnjë kontakt, konsultim apo bisedim paraprak, qoftë për thirrjen e parë që parashikonte ndërtimin e një kulle si formë incentive për zhvillimin e Bibliotekës, qoftë në rastin e dytë.

Një nga kushtet për të zhvilluar projektin e “Shtëpisë së Re të Fëmijëve & Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore” është që fillimisht të krijohen hapësirat e reja për jetimoren (në këtë rast te ish-Vilat Gjermane) dhe më pas të hapet sheshi për ndërtim për privatin te “Zyber Hallulli”.

“Modeli i zhvillimit” që po shtyn qeveria

Në qershor 2025 familja Sureli kërkoi zyrtarisht nisjen e procedurave të privatizimit. Një kërkesë e ngjashme në 2018 ishte refuzuar me argumentin se “objektet ishin të nevojshme për funksion shtetëror.”

Në gusht 2025 ajo iu drejtua edhe Korporatës për t’u përfshirë në zhvillim, ndërsa paralelisht nisi ankesa pranë Avokatit të Popullit, KLSH-së dhe një padi në Gjykatën Administrative.

Çështja mori kthesë vetëm në dhjetor 2025 kur Kadastra pranoi probleme në regjistra. Nënkontraktori i dixhitalizimit nuk kishte pasqyruar plotësisht transkriptimet historike të pronave, ndaj më 26 janar 2026 ajo e (ri)regjistroi të drejtën e parablerjes në kartelën e pasurisë.

Por, pavarësisht këtij zhvillimi, thirrja e Korporatës për të “zhvilluar” jetimoren te ish-vilat gjermane nuk u ndal. Përkundrazi, tre ditë më vonë u shpallën fituesit e konkursit: tre kulla deri në 35 kate në truallin aktual të jetimores dhe struktura të reja në zonën e ish-vilave gjermane.

“Sot me këtë projekt, ne i hapim rrugë drejtimeve të reja për të ardhmen, […] duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët,” tha në fillim të konkursit Kryeministri Rama.

Lexo: Shpallet fituesi, tre kulla deri 35 kate te “Zyber Hallulli”

Pas kësaj, familja Sureli shtoi në padinë gjyqësore edhe kompaninë fituese. Çështja mund të bllokojë kështu zhvillimin e mjediseve të reja të jetimores, duke vënë në pikëpyetje qëllimin e justifikuar nga qeveria.

A ishte ky varianti më i mirë për t’iu dhënë zgjidhje nevojave të jetimores? A nuk ka qeveria mjaftueshëm fonde, fjala bie, për ta zhvilluar vetë në prona publike dhe të pakontestuara një hapësirë të re për ta?

Kjo histori nuk është më vetëm një konflikt pronësor, por me gjasë, rasti i parë i një përplasjeje konkrete me modelin e ri dhe të rrezikshëm të zhvillimit të shtyrë përpara nga qeveria përmes Korporatës së Investimeve. Prona private po përdoret si “mall shkëmbimi” për t’i hapr rrugë kullave.

Ngjan si lojë fjalësh, por realiteti që po hasim është i tillë: një lojë ku po favorizohen investime të caktuara në kurriz të të drejtave të ish-pronarëve.

Pyetja që mbetet nuk është vetëm nëse familja Sureli ka të drejtë, por: A mund të shmanget një e drejtë pronësore duke mos e shitur pronën, por duke e (ri)zhvilluar atë?

Përgjigjja e kësaj çështjeje nuk do të ndikojë një zonë të vetme të Tiranës. Ajo do të përcaktojë mënyrën se si do të trajtohen konfliktet mes zhvillimit urban dhe pronësisë private në Shqipëri për vitet që vijnë.

The post Shkëmbimi i jetimores me kulla përplas qeverinë me një pronë private të njohur ligjërisht appeared first on Citizens.al.

Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit? Konflikti mes ortakëve rrezikon operimin

11 February 2026 at 17:06

Hapja e Aeroportit të Vlorës mbetet e paqartë, ndërsa konflikti mes ortakëve të koncesionit ka kaluar nga përplasjet publike në një seri vendimesh gjyqësore të cilat duket se kanë prekur drejtpërdrejt drejtimin e projektit.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Mabco Construction” (investitori kryesor i projektit), deklaruan se ajo është lënë jashtë vendimmarrjes dhe paralajmëruan arbitrazh ndërkombëtar ndaj qeverisë nëse çështja nuk gjen zgjidhje në gjykatat e vendit.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se gjykatat kanë vendosur masa sigurimi që pezullojnë të drejtën e votës dhe veprimtarinë vendimmarrëse të Mabco-s si ortak shumicë në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), ndërsa një proces tjetër gjyqësor vijon për vlefshmërinë e transferimit të aksioneve mes saj dhe ortakut “2A Group”.

Kompania kërkoi sot ndërhyrjen e shtetit për të sqaruar situatën, ndërsa nuk dhanë përgjigje për pyetje mbi vlefshmërinë e lejes së ndërtimit, hetimet e SPAK dhe ndikimin e konfliktit gjyqësor në licencimin e aeroportit për operim.

“Rrezikohet siguria dhe garancia e aeroportit”

Në konferencën për shtyp, e cila u mbajt mëngjesin e sotëm në mjediset e një fondacioni privat në zonën e ish-Bllokut, përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s deklaruan se, ndonëse zotërojnë 98% të kuotave, aktualisht janë lënë jashtë kontrollit mbi projektin.

Lexo: “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës

Këshilltarja, Ornela Çuçi, tha se situata ka pasoja të drejtpërdrejta mbi investimin dhe vetë sigurinë e projektit. Sipas saj, VIA ka investuar rreth 120 milionë euro, ku pjesa dërrmuese ka ardhur nga Mabco si aksionere kryesore: 18 milionë nga asetet e veta dhe pjesa tjetër nga kredi të garantuara me pasuritë e saj.

Gjatë konferencës për shtyp të Mabco për çështjen e VIA/Mabetex Group.

Çuçi theksoi se Mabco kërkon angazhimin e një kompanie auditi ndërkombëtar si SGS, e cila do të mund të verifikojë dhe certifikojë punimet për pistën dhe veprat e tjera të kryera. Teksa avokati Ervin Metalla e përshkroi situatën si të paprecedentë.

“Ka 98% të kuotave dhe është e shpronësuar ‘de facto’ me vendim gjykate,” theksoi ai.

Drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, konfirmoi qëndrimin e avokatit Metalla se ortaku “2A Group” ka marrë kontroll praktik mbi VIA dhe nuk informon as për mbledhjet e asamblesë. Ai tha se mundësia është që Mabco t’i drejtohet arbitrazhit, megjithëse “vullneti kryesor nuk është ky”.

Gjatë konferencës, gazetari i pavarur Artan Rama kërkoi qëndrimin e investitorëve ndaj rolit të qeverisë dhe mediave në konflikt. Përfaqësuesit e Mabco-s u shprehën se kërkojnë ndërhyrje të shtetit për të garantuar qartësi dhe korrektësi në një projekt strategjik siç është VIA.

Një tjetër pikë kritike u ngrit nga Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA): leja e ndërtimit, e cila rezulton e tejkaluar në afate.

“Aktualisht afati 36-mujor i lejes së ndërtimit të VIA ka mbaruar, a keni ndonjë njoftim nga autoritetet për këtë dhe si do të vazhdohet, do të aplikohet për [zgjatje] lejeje, apo do të vazhdohet pa leje?” pyeti Vorpsi.

Përfaqësuesit ligjorë e konsideruan këtë si informacion teknik dhe se për këtë nuk kishin informacion të saktë, teksa u justifikuan me idenë se në gjendjen aktuale e kanë të vështirë të marrin informacione nga koncesionari.

Lexo: Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës

“Shqetësimi ynë është për këtë situatë që po themi, dhe po na pyesni [për lejen] teksa ne na është bllokuar edhe e drejta për të marrë informacion, në thelb as nuk e kuptojmë kur e kanë mbledhjen, as kur e hapin derën,” tha avokati Metalla.

Foto ilustruese nga VIA gjatë fazës së ndërtimit/Facebook VIA.

Po ashtu, ata deklaruan se nuk kanë dijeni për hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila konfirmoi për mediat në muajin korrik 2025 se po hetonte koncesionin. Edhe pyetja nga Citizens.al nëse konflikti mund të pengojë marrjen e licencës për operimin e aeroportit nuk mori përgjigje konkrete.

Vendimet gjyqësore dhe pretendimi për “përjashtim” nga projekti

Në thelb të përplasjes qëndron kontrolli mbi koncesionarin VIA, e krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit me ministrinë e Infrastrukturës, për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se konflikti për kontrollin e koncesionarit VIA ka kaluar prej muajsh në procese të njëpasnjëshme sigurimi padie.

Kompania “2A Group” (e cila zotëronte vetëm 2% të aksioneve) pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë Mabco, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh.

Lexo: Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK

Por, Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate dhe pretendon se transferimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, në këtë rast ministrisë së Infrastrukturës.

Sipërmarrësi B. Pacolli gjatë nënshkrimit të kontratës koncesionare VIA dhe qeverisë shqitpare, 2021/Kryeministria.

Mosmarrëveshja kaloi në gjykatë në tetor 2025, kur “2A Group” kërkoi masë sigurimi padie për pezullimin e vendimmarrjes së asamblesë dhe të drejtës së votës së Mabcos si ortak shumicë. Gjykata i pranoi kërkesën dhe pezulloi të drejtën e votës së Mabco-s deri në sqarimin e çështjes së pronësisë së kuotave.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të Mabco-s, vendimi u mor në dhomë këshillimi, pa praninë dhe pa njoftimin e kompanisë, duke e lënë atë praktikisht jashtë kontrollit të shoqërisë.

Mabco e apeloi vendimin duke pretenduar se “pezullimi i së drejtës së votës së ortakut shumicë krijon një përjashtim faktik nga shoqëria dhe rrezikon përmbushjen e kontratës koncesionare për aeroportin.”

Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e parë në dhjetor 2025. Megjithatë, sipas dokumenteve dhe pretendimeve të paraqitura nga Mabco, një ditë pas vendimit të Apelit, më 23 dhjetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi sërish një masë sigurimi ndaj kompanisë.

Këtë herë kërkesa u paraqit nga vetë shoqëria koncesionare VIA dhe 2A Group, duke kërkuar kufizimin e çdo transferimi të kuotave të Mabco-s në shoqëri.

Përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s pretendojnë se masa e re rivendosi në praktikë të njëjtin efekt.

Lexo: Aeroporti i Vlorës, një premtim që vetëm “rinovohet”

Në ankimin tjetër, të depozituar më pas, Mabco argumenton se pezullimi i së drejtës së votës e përjashton praktikisht nga drejtimi i shoqërisë, ndonëse mbetet zotëruese e shumicës së aksioneve (51%, edhe me ndryshimet e pretenduara nga 2A Group) dhe mban detyrimet financiare të projektit.

Pretendimi i Mabco-s për “shpronësim” në konferencën e sotme për shtyp lidhet pikërisht me këto vendime gjyqësore.

Nga ana tjetër, pala kundërshtare në proces gjyqësor pretendon se transferimi i kuotave është i vlefshëm dhe se masat e sigurisë janë të nevojshme deri në zgjidhjen e konfliktit mbi pronësinë.

Dosja tregon se konflikti nuk është vetëm një mosmarrëveshje kontraktuale mes ortakësh, por një bllokim i drejtimit të koncesionarit: gjykata po vendos masa mbi votën, administrimin dhe transferimin e aksioneve ndërsa projekti është ende në ndërtim.

Kjo shpjegon edhe pasigurinë e shprehur në konferencë për operimin e aeroportit, për lejen e ndërtimit dhe për rolin e shtetit në ndërmjetësimin e konfliktit.

The post Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit? Konflikti mes ortakëve rrezikon operimin appeared first on Citizens.al.

Shqipëria bie më poshtë në indeksin e korrupsionit

10 February 2026 at 14:19

Lufta ndaj korrupsionit ishte ndër zotimet kryesore të qeverisë ndaj partnerëve ndërkombëtar gjatë marrjes së mandatit të katërt, por situata duket se ka përshkallëzuar në një drejtim tjetër.

Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe prirja po shkon gjithmonë e më për keq. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025 i “Transparency International” e vlerëson Shqipërinë me 39 pikë nga 100, nën mesataren globale prej 42 pikësh dhe larg standardeve të Bashkimit Europian.

Rënia është me 3 pikë dhe 11 vende në klasifikim krahasuar me vlerësimin e vitit 2024 (42, vendi 80), i cili ishte vlerësimi më i lartë i fiksuar ndonjëherë nga raportimet e “Transparency International” (më i ulëti 31, 2013).

Publikimi i raportit vjen në një moment të tensionuar politik: Qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama ndodhet nën hetime të vazhdueshme nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ndërsa përplasja mes ekzekutivit dhe drejtësisë u thellua në fund të vitit 2025 pas çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Balluku u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe masa nuk ndryshoi as pasi qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se po cenohej ndarja e pushteteve dhe e drejta e mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të udhëhequr vendin.

Në këtë kontekst, raporti nuk duket më një statistikë teknike, apo thjesht perceptim, pasi përputhet me një realitet institucional që tashmë është bërë konflikt i hapur politik dhe i përditshëm.

Çfarë tregon raporti?

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) rendit 182 shtete sipas korrupsionit në sektorin publik në një shkallë 0-100. Sa më i ulët rezultati, aq më i dobët konsiderohet integriteti institucional.

CPI nuk është sondazh qytetarësh, por bazohet në vlerësimet e ekspertëve ekonomikë, investitorëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai mat besimin tek institucionet shtetërore.

Indeksi i korrupsionit sipas Transparency International/Citizens.al

Në rastin e Shqipërisë, besimi te institucionet mbetet i ulët, një prirje e cila duket se po haset në gjithë rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Sipas Transparency International korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e institucioneve demokratike dhe kontrollit mbi pushtetin.

Ballkani Perëndimor ka performancë të dobët me mesataren 39 pikë dhe me problemet kryesore si: Ndërhyrjet politike në drejtësi, vendimmarrja jo transparente dhe përqendrimi i pushtetit.

Vendet renditen si në vijim: Mali i Zi (46); Kosova (43); Maqedonia e Veriut (40); Shqipëria (39); Bosnje Hercegovina (34); Serbia (33);

Raporti përmend edhe rastet kur projekte të mëdha zhvillimore miratohen pa transparencë, duke rritur rrezikun e korrupsionit dhe dëmeve mjedisore. Kjo përfshin pikërisht fusha ku Shqipëria është kritikuar shpesh: investimet strategjike, koncesionet dhe projektet urbane duke u përmendur specifikisht rasti i projektit zhvillimor të Sazanit.

Publikimi i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 rikthen një realitet që politika shqiptare e diskuton rrallë faktin që korrupsioni nuk matet vetëm me arrestime, por me besimin që institucionet krijojnë te shoqëria.

Raporti flet për një lidhje të zhdrejtë mes korrupsionit dhe llogaridhënies. Sa më e ulët llogaridhënia, aq më i lartë korrupsioni. Ngjashëm kjo reflektohet edhe nga perceptimi nën trysni i institucioneve të drejtësisë, që sipas indeksit kur drejtësia perceptohet nën presion politik institucionet dobësohen dhe besimi publik bie.

Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar. Në dekadën e fundit janë miratuar shumë ligje anti-korrupsion, është reformuar drejtësia dhe janë kryer hetime të nivelit të lartë. Megjithatë perceptimi nuk përmirësohet, sepse indeksi nuk mat vetëm arrestimet, por mat stabilitetin dhe qasjen institucionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Shqipëria bie më poshtë në indeksin e korrupsionit appeared first on Citizens.al.

Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh

9 February 2026 at 21:21

Harmonia e peizazhit natyror të Rrjollit në Velipojë u thye nga zhurmat e makinerive të rënda që mësynë zonën javën e parë të muajit shkurt. Kamionë, ekskavatorë dhe dhjetëra punonjës nisën të hapnin trasenë e një rruge të re që i bashkohej rrugës kryesore me synim kantierin e resortit turistik “Blue Borgo”.

Rrjolli nuk është një fshat tipik turistik bregdetar. Nuk ka bulevard me palma, resorte dhe ndërtesa elitare. Në fakt në shumicën e horizontit të tij është i paprekur.

Ai shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug. Një brez toke me shkurre dhe pisha të ulëta, duna rëre dhe parcela toke e banesash të shpërndara që për dekada mbijetuan mes bujqësisë sezonale dhe emigracionit.

Të paktë kanë qenë turistët që thyenin vështirësitë e rrugës për ta frekuentuar këtë zonë. Por këto vështirësi janë tejkaluar së fundmi me rrugën e re Shëngjin-Velipojë, e cila të tregon që nga lart për lagunën e cekët, ku ende shihen gjurmë të gjallesave dhe shpendëve ujorë.

Pikërisht kjo ishte arsyeja pse për vite me radhë zona konsiderohej praktikisht e paprekshme nga ndërtimet masive. Ajo ishte pjesë e një brezi ekologjik që lidhte deltën e Bunës me sistemin e dunave të Shëngjinit, një korridor natyror që mbante në këmbë ekosistemin bregdetar të veriut.

Por ky korridor duket se do të thyhet shumë shpejt. Resorti Blue Borgo, një investim prej rreth 280 milionë eurosh nga kompania Gener 2, premton të ngrejë mbi 30 vila dhe 3 hotele deri në 10 kate me shtrirje deri në 146 hektarë.

Projekti i konceptuar nga Stefano Boeri mori dritën jeshile nga qeveria në vitin 2024, por buzë rrugës në Rrjoll tabela informuese u vu vetëm në shkurt të këtij viti. Tabela nuk shoqërohej me një dokument zyrtar lejeje nga Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pavarësisht se leja në fakt u zbardh nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit vetëm në janar.

Një seri vendimmarrjesh të paqarta kanë lënë vend për përplasje dhe kontestime me banorët e zonës. Gener 2 provoi ta hapte kantierin edhe në fillim të vitit 2025, por u tërhoq pas protestave.

Nga tabela e vendosur këtë vit kuptohet se asokohe Gener 2 nuk kishte licencë zbatimi, teksa AZHT-ja nuk e kishte zbardhur ende lejen duke shtuar më shumë kontradiktat për këtë çështje.

Por, konflikti në Rrjoll nuk është thjesht për një resort. Është një konflikt mbi politikat e zhvillimit, statusin e territorit dhe pronësinë.

Zona ku po ndërtohet ishte pjesë e një brezi të mbrojtur bregdetar. Përfshihej në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.

Në këtë nënzonë zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synonte ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.

Por, me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”,i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.

Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al

Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.

Por kjo seri ndryshimesh tregon qartë se teksa qeveria punonte për të tjetërsuar këtë kuadër rregullator, paralelisht sipërmarrësit e tregut imobiliar po hartonin planet për ndërtim, të sigurt se do të kishin rrugë të lirë për ta zbatuar projektin.

Kjo ndodhi në të njëjtën kohë me një tjetër faktor: Rruga e re Shëngjin-Velipojë, e cila nuk është thjesht infrastrukturë, por një sinjal për transformim. Në fakt, aktualisht në zonë po punohet edhe për dy resorte të tjera.

Në terma urbanistikë, kjo është hapja e një fronti të ri ndërtimi: një “Riviere të dytë” ose “Riviera e Veriut”. Por, vlen të thuhet se në letra, zyrtarisht, investimi i vetëm strategjik në zonë është “Dukagjini Resort”. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka konfirmuar për Citizens.al se “Blue Borgo” nuk ka një status investimi strategjik aktiv.

Paralelisht, banorët e Rrjollit nuk protestojnë vetëm për mjedisin. Ata protestojnë për pronësinë. Sipas tyre, parcela kryesore ku po ndërtohet “Blue Borgo” përfshin toka që i takojnë të paktën 5 fiseve të zonës. Ata thonë se toka është kaluar tek investitori përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë ka procese gjyqësore që vijojnë.

Në vitin 2025 ata iu drejtuan Prokurorisë së Posaçme, ku kërkuan hetim për mënyrën se si toka përfundoi tek projekti i “Gener 2”. Por pas kësaj, vetëm heshtje.

Ilustrim i protestës përpara SPAK/Citizens.al

Një vit më vonë, ata detyrohen sërish të përplasen me kompaninë për të ndaluar fizikisht punimet. Konflikti ka kaluar dukshëm nga një çështje administrative dhe ligjore në një konflikt social: shteti po garanton investimin qindra milionësh teksa banorët kërkojnë veçse njohjen e pronës.

Rasti Blue Borgo ekspozon një problem tipik të zhvillimit bregdetar në Shqipëri: procedurat administrative nuk ecin paralel me realitetin në terren, kantieri hapet para zbardhjes së lejeve, konsultimi publik formalizohet më pas dhe lejet publikohen kur ndërtimi praktikisht ka nisur.

Raste të ngjashme kemi hasur edhe në Tiranë, sidomos kur në lojë janë kompani të mëdha me ndikime të forta ekonomike dhe politike.

Sipas dokumenteve mjedisore, konsultimi publik për “Blue Borgo” ishte zhvilluar në shtator 2024 dhe statusi i investitorit strategjik u dha në dhjetor 2024. Megjithatë banorët thonë se nuk kanë qenë realisht pjesë e procesit dhe e kanë mësuar projektin vetëm kur mbërritën ekskavatorët.

Rrjolli është një rast model për një proces më të madh. Shqipëria nuk po zhvillon vetëm turizëm. Po ndryshon strukturën e pronës dhe përdorimit të bregdetit.

Nëse projekti vazhdon, Rrjolli do të ndryshojë përgjithmonë – nga zonë ekologjike dhe gjysmë-bujqësore në zonë resortesh. Nëse ndalet, do të krijojë precedent për të gjitha investimet strategjike në bregdet. Dhe kjo është arsyeja pse beteja për një fshat të vogël në Velipojë është, në të vërtetë, një debat mbi të ardhmen e gjithë vijës bregdetare shqiptare.

Lexoni gjithashtu:

The post Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh appeared first on Citizens.al.

Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë

4 February 2026 at 16:45

Projekti i kompanisë “Gener 2” për të kthyer një pjesë të bregdetit mes Shëngjinit dhe Velipojës në një resort luksoz me emrin “Blue Borgo” ka nxitur sërish përplasje me banorët e zonës.

Prej së hënës dhjetëra banorë të Baks-Rrjollit në Shkodër, të cilët pretendojnë se ndërtimi po bëhet duke shkelur mbi të drejtat e tyre për pronën, janë në protestë.

Ata kërkojnë që punimet të pezullohen deri në një vendim nga gjykata. Përplasja mes tyre, policisë dhe grupit të investitorëve vijon prej vitit të shkuar, kur edhe atëherë kompania provoi të niste punimet në zonë.

Nga njëra anë qëndron një leje ndërtimi e firmosur nga qeveria dhe një investitor strategjik. Nga ana tjetër, dhjetëra familje që pretendojnë se investimi po bëhet pa pëlqimin e tyre, mbi toka të grabitura përmes dokumentesh të falsifikuara.

Përplasja me policinë dhe përshkallëzimi i çështjes

Të martën, rreth 30-40 banorë u shoqëruan në komisariat pasi bllokuan rrugën Shëngjin-Velipojë dhe u përpoqën të ndalnin punimet. Protesta vijoi edhe sot, ngjashëm, me bllokim të rrugës çka u shoqërua sërish me përplasje me policinë.

Pas rreth një ore pritjeje për ambulancë, një prej protestuesve, i cili humbi ndjenjat, u transportua me urgjencë për në spital.

Banorët paralajmëruan se të enjten do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu drejtuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, ku prej marsit të vitit të kaluar kanë depozituar një kallëzim për çështjen e pronësisë, pa marrë ende një përgjigje publike.

Paralelisht, në zonë, kompania “Gener 2” vijon punimet. Makineritë e saj kishin hapur trasenë e rrugës dytësore për në kantier. Kamionë dhe makineri të rënda po lëviznin dherat, teksa një grup punonjësish qëndronin në anë, përballë protestuesve.

Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës ishte vënë një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Zona e Baks-Rrjollit në Velipojë ku pritet të ngrihet resorti Blue Borgo/Citizens.al

Tabela tregonte se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro) dhe se kompania “Gener 2” kishte marrë licencë zbatimi për projektin (NZ. 4586/34) më 16 shtator 2025. Kjo nënkupton se kompania kur provoi të hapte kantierin në mars 2025 nuk kishte licencë.

Në letër, KKTU e ka dhënë lejen e ndërtimit të resortit më 17 dhjetor 2024 – e zbardhur vetëm në janar 2026 në web-faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Vendimi parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.

Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë mes “Ranës së Hedhun” dhe Rrjollit.

Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për projektin “Blue Borgo” qe zhvilluar konsultim publik në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik me ndikim të menaxhueshëm në mjedis.

Tabela e vendosur në kantierin e resortit “Blue Borgo”/Citizens.al

Në dhjetor 2024, projekti ka përfituar statusin e investitorit strategjik për strukturë akomoduese me pesë yje, duke i hapur rrugë përparësive procedurale dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, referuar një korrespondence të Citizens.al me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), deri në maj 2025, “i vetmi projekt me status aktiv” ishte projekti “Dukagjini Resort” me subjekt “Dukagjini Group”.

Sidoqoftë, këto vendimmarrje janë marrë paralelisht me një konflikt të hapur pronësie në zonë, i cili po kundërshtohet nga banorët dhe është ende në proces gjyqësor, duke e kthyer projektin në një nga rastet më të debatuara të zhvillimit turistik të momentit për bregdetin në veri.

Konflikti i pronës: Ligjshmëri formale, konflikt real

Thelbi i përplasjes nuk lidhet vetëm me përmasën e projektit, por me pronësinë e tokës. Banorët pretendojnë se parcela të trashëguara prej dekadash janë regjistruar në emër të palëve të treta përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë shitur te investitori.

Pikërisht kjo çështje është objekt i një procesi gjyqësor ende në zhvillim. Banorët kërkojnë që, në kushtet e një konflikti të hapur pronësie, punimet të ndalen deri në një vendim përfundimtar, për të shmangur një situatë të pakthyeshme.

Megjithatë, leja e ndërtimit nuk parashikon asnjë klauzolë pezullimi në rast kontestimi gjyqësor, duke e zhvendosur konfliktin nga salla e gjyqit në terren, mes banorëve dhe policisë.

Kompania “Gener 2” reagoi vitin e shkuar duke theksuar përmes një njoftimi për shtyp se pretendimet janë spekulime dhe se ajo garantonte se “gjatë gjithë procesit, nuk ka shkelur të drejtat e pronës së askujt”.

Sipas lejes, subjekti zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e themeluar në janar 2024. Por, ajo është pjesë e grupit “Gener 2”, në pronësi si aksioner kryesor të sipërmarrësit Bashkim Ulaj.

Pamje e zonës bregdetare të Rrjollit dhe zona që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Dokumentet tregojnë ndryshime të shpeshta në strukturën e ortakëve dhe transferime kuotash gjatë viteve 2024-2025, një element që banorët e përdorin si argument shtesë për të shtuar pretendimet për abuzime të mundshme.

Rasti i Rrjollit ndjek një model të njohur në zhvillimet turistike të viteve të fundit: projekte të mëdha të miratuara në nivel qendror, mbi toka me histori të paqarta pronësie, ku banorët përballen përpara faktit të kryer.

Ndërsa shteti e konsideron projektin si investim strategjik, banorët mbeten përballë vetëm një alternative: Zhvendosjes së pretendimeve në rrafshin juridik, çka nënkupton largimin nga prona.

Në mungesë të një reagimi publik nga SPAK apo nga qeveria që ka miratuar lejen, përplasja duket se do të thellohet pasi asnjë prej banorëve nuk duket se do të tërhiqet.

Lexoni gjithashtu:

The post Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë appeared first on Citizens.al.

Shpallet fituesi, tre kulla deri 35 kate te “Zyber Hallulli”

29 January 2026 at 19:37

Konkursi për zhvillimin e truallit të jetimores “Zyber Hallulli” u mbyll sot me shpalljen e dy fituesve të ndarë: grupi i udhëhequr nga studio Rojkind Arquitectos do të zhvillojë 3 kulla deri 35 kate, ndërsa grupi i udhëhequr nga Hector Barroso do të zhvillojë kampusin e ri të jetimores dhe zyrave të inspektorateve te ish-vilat gjermane.

Vendimi u mor pas rreth katër orësh diskutime, ku juria arriti në përfundimin se asnjë projekt-propozim nga 5 grupet finaliste nuk i trajtonte në mënyrë plotësisht të suksesshme kërkesat duke bërë kështu që fituesit të ishin të ndarë sipas funksioneve.

Pesë finalistë, e njëjta qasje vertikale

Pavarësisht ndarjes së çmimeve, prezantimet e pesë projekteve finaliste treguan një uniformitet të qartë në qasje: të gjitha studiot propozuan tre deri në katër kulla me lartësi deri në 45 kate.

Trualli i ish-jetimores u trajtua nga të gjitha ekipet si një nyje intensive zhvillimi imobiliar, ku dominoi vertikalizimi, densiteti i lartë dhe funksionet rezidenciale elitare, ndërsa hapësirat publike mbetën të kufizuara dhe kryesisht dekorative.

Projekti i Rojkind Arquitectos S.C për kulla te “Zyber Hallulli”/KISH.

Ndryshimet mes projekteve u kufizuan në fasada, volumetri dhe gjuhë simbolike, por asnjë prej tyre nuk doli nga paradigma e zhvillimit intensiv vertikal, duke e kthyer konkursin më shumë në një garë estetike sesa në një debat real mbi alternativat e përdorimit të truallit publik.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli

Juria përbëhej nga Kryeministri Edi Rama, drejtueset e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, si dhe arkitektë ndërkombëtarë.

Në këtë përbërje ra në sy mungesa e përfaqësimit të Bashkisë Tiranë, e cila në konkurse të mëparshme ishte e përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje përmes kryetarit Erion Veliaj, aktualisht në paraburgim si i pandehur për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Mungesa e pushtetit lokal në një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë urban për kryeqytetin ngre pikëpyetje mbi formulën e vendimmarrjes dhe rolin e bashkisë në zhvillimet madhore të Tiranës.

Çfarë parashikonte thirrja e KISH?

Thirrja “duo për projekt-propozim dhe investim”, e hapur më 15 shtator 2025, parashikonte shpërnguljen e jetimores dhe zyrave të shërbimeve të punës nga trualli aktual, si dhe ndërtimin e një kampusi të ri te rruga “Gramoz Pashko”, në ish-kompleksin rezidencial të diplomatëve të Gjermanisë Lindore.

Sipas kushteve, ndërtimi i godinave të reja për jetimoren dhe zyrat do të mbulohet nga investitori privat, ndërsa një pjesë e sipërfaqes së ndërtimit në kullat e reja do të jepet për përdorim publik.

Gara për zhvillimin e truallit u fitua nga grupi i kryesuar prej studios Rojkind Arquitectos S.C (me bashkëpunëtorë Asab, Son Engineering & Construction, dhe Julian Kasharaj). Ky grup qe angazhuar nga kompania Motus (e zotëruar nga sipërmarrësi Idajet Ismailaj, aksionere në kompaninë Alb-Star e njohur për ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”).

“Quhet Kor, si zëri i shumë njerëzve” tha gjatë prezantimit arkitekti meksikan të projektit që parashikon tre kulla 20-25-35 katëshe të lidhura me ura (korridore të përbashkëta) dhe shfrytëzim maksimal të truallit për parking (rreth 3,500 m2). Dy prej kullave parashikohen për rezidenca teksa fasada propozohet të jetë e varur me forma unike të çrregullta.

Projekti i Taller Hector Barroso i kampusit të ri të jetimores te ish-vilat gjermane/KISH.

Ndërsa pjesa e kampusit të ri të jetimores iu dha grupit të kryesuar nga studio Taller Hector Barroso (me bashkëpunëtorë Studio B&L, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci). Ky grup qe angazhuar nga PROGEEN (e zotëruar nga sipërmarrësi Genc Kuçuku, i cili mbetet në diskutime me KISH për të zhvilluar projektin e Void Tower në këmbim të ndërtimit të zyrave qeveritare te Komuna e Parisit).

Lexo: Darka e Sazanit, si u vu pasuria publike në tryezë

Pritet që mes dy investitorëve të paraqitet ofertë ndaj KISH për t’u vendosur më pas se cili do të jetë sipërmarrësi që do të përfitojë të drejtën për ta zhvilluar këtë thirrje.

Ndër grupet e tjera propozuese ishin:

  • BE-IS (e sipërmarrësit Hamz Islamaj) dhe CEBRA Arkitekter A/S, me LOFT Architects dhe Superflex Studio
  • Gruppo Koni SRL (e sipërmarrësve Nik dhe Sandër Nikolli), që përfshin Stefano Boeri Architetti, Gross.Max, AEI Progetti dhe artistin Patrick Tuttofuoco, së bashku me kontraktorë lokalë
  • DIAGONAL Projektim & Zbatim (e sipërmarrësit Nikolin Jaka), + ASL shpk me Carrilho da Graca Arquitectos.

Diskurs optimist, bilanc problematik

Në fjalën e tij para konkursit, Kryeministri Edi Rama e paraqiti thirrjen si një mundësi për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët jetimë dhe si pjesë të një serie veprash madhore arkitekturore që, sipas tij, e kthejnë Shqipërinë në pikë referimi për arkitektët ndërkombëtarë dhe në një “universitet të hapur” për brezat e rinj.

Por përtej këtij diskursi, bilanci i KISH në konkurset për pronat publike mbetet problematik. Në më shumë se 16 thirrje të hapura prej vitit 2024, nuk është njoftuar asnjë kontratë finale e përfunduar, ndërsa në të paktën një rast investitori i shpallur fitues është tërhequr (AIBA Company te thirrja për Void Tower).

Projekti i Rojkind Arquitectos S.C për kulla te “Zyber Hallulli”/KISH.

Edhe thirrja për Bibliotekën Kombëtare, e lidhur me ndërtimin e një kulle në të njëjtën zonë, u anulua për mungesë interesimi dhe aktualisht nuk ka një proces të ri të hapur.

Në praktikë, puna e Korporatës dhe agjencive partnere ka prodhuar kryesisht konkurse dhe projekte në formë vizualizimesh, me një faturë prej të paktën 1.4 milionë euro shpërblime për finalistët, por pa rezultate konkrete në terren.

Ndërkohë, fakti që pesë studio të ndryshme përfundojnë në të njëjtën zgjidhje urbane (3 kulla!) sugjeron se korniza e konkursit ishte e orientuar që në fillim drejt ndërtimeve shumëkatëshe (paralajmëruar nga Citizens.al që në fillim), duke lënë pak ose aspak hapësirë për modele alternative zhvillimi.

Në këtë kuptim, konkursi për “Zyber Hallullin” nuk hap një debat mbi interesin publik, por e konsolidon më tej praktikën ku trualli publik shihet kryesisht si potencial ndërtimi maksimal, ndërsa funksioni social dhe ndikimi urban mbeten çështje dytësore dhe madje shpërngulen sa më larg rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Lexoni gjithashtu:

The post Shpallet fituesi, tre kulla deri 35 kate te “Zyber Hallulli” appeared first on Citizens.al.

50 ndryshime, pa reformë: Kodi Penal si mjet kontrolli

28 January 2026 at 11:44

Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal. Qeveria i paraqiti ato si “harmonizim me standardet evropiane”. Por në praktikë, ndryshimet prodhuan forcim selektiv të shtetit ndëshkues, përmes një procesi të shpejtë dhe politikisht të mbyllur.

Paketa u votua rreth orës 03:00 të mëngjesit, vetëm me votat e shumicës socialiste. Ajo përfshinte rreth 50 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, mes tyre edhe dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes, përmes ndryshimit të Nenit 120.

Kodi Penal, i miratuar fillimisht në vitin 1995, ka pësuar tashmë 26 ndërhyrje në 31 vite. Dhjetë prej tyre kanë ardhur pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Frekuenca e ndryshimeve tregon për mungesën e stabilitetit dhe vizionit afatgjatë.

Ndryshimet e fundit qenë propozuar në tetor 2025. Ato pasuan draftin e një Kodi të ri Penal, prezantuar në korrik nga Ministria e Drejtësisë. Drafti i Kodit të ri u përball me kritika të forta nga juristë, akademikë, media dhe shoqëria civile dhe për rrjedhojë qeveria e tërhoqi pa e çuar në Kuvend.

Kështu, në vend të një reforme të plotë, shumica zgjodhi rrugën e arnimeve. Ndryshime të pjesshme, të shpërndara dhe pa një debat të gjerë publik. Pyetja mbetet: A përmbush kjo qasje pritshmëritë e integrimit evropian? Sipas qeverisë, po, por rruga e ndjekur nuk bind.

Edhe pse në mandatin e katërt, shumica socialiste shmang ende kostot politike të një Kodi të ri Penal. Një reformë e tillë kërkon debat, konsensus dhe balancë mes sigurisë publike dhe të drejtave themelore. Elemente që munguan në procesin e fundit të përmbyllur mëngjesin e së mërkurës.

Çfarë përfshijnë ndryshimet?

Paketa zgjeroi juridiksionin penal për shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, edhe për vepra pjesërisht të kryera jashtë territorit. U përjashtuan nga parimi i “dënueshmërisë së dyfishtë” disa krime të rënda, përfshirë trafikun e qenieve njerëzore dhe abuzimin seksual me të mitur.

Pati rishikime dhe nene specifike për të luftuar terrorizmin. Ndërkohë, u shtuan dënime plotësuese në rastet e refuzimit të ekstradimit dhe ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijët për persona të dënuar për vepra penale. U forcuan ndëshkimet për pornografinë, shfrytëzimin dhe krimet seksuale ndaj të miturve, me dënime që shkojnë deri në 20 vjet burg.

Një ndryshim domethënës ishte heqja e (pikës 7 të Nenit 28) mundësisë për ulje ose përjashtim nga dënimi për anëtarët e grupeve kriminale, edhe kur bashkëpunimi i tyre mund të jetë vendimtar për zbardhjen e veprimtarisë kriminale. Ky hap ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e hetimeve komplekse dhe vetë luftën ndaj krimit të organizuar.

Në të njëjtën paketë, u përfshi edhe një nen i posaçëm (Neni 143/a/8) për “Mashtrimet që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian”. Keqpërdorimi i fondeve të BE-së tashmë dënohet me burgim deri në 5 vjet, ose deri në 10 vjet kur shuma e keqpërdorur kalon 50 mijë eurot.

Por pa zbardhjen dhe ndëshkimin e rasteve konkrete, veçanërisht atyre që lidhen me fondet IPARD, ky nen rrezikon të mbetet deklarativ. Një sinjal formal drejt BE-së, më shumë sesa një mjet real llogaridhënieje.

Neni në fjalë do të mbetet si njollë e turpshme e abuzimeve.

Shpifja, gazetarët dhe parkimi dysh

Paketa dekriminalizoi pjesërisht (Nenin 120) shpifjen, por vetëm për një kategori të paqartë “gazetarësh të regjistruar dhe të njohur”. Fyerja do të vijojë të mbetet vepër penale. Kështu qeveria duket se po synon të krijojë një regjim të dyfishtë mbrojtjeje duke hapur rrugë për interpretime selektive.

Cilësimi “i njohur” dhe me “regjistër” për gazetarët lë vend për një zhvillim paralel në kuptimin e kërkesës së mundshme për licencim apo të një lloji “Urdhri të gazetarit” apo “punonjësve të medias”.

Kjo shihet si një mënyrë për ta kufizuar lirinë e shprehjes, pasi gazetarët e lirë, ose qytetarët e angazhuar, apo sinjalizuesit që do të shprehen për çështje të caktuara, do të vijojnë të përballen me format penale të “shpifjes”.

Paralelisht, dhuna ndaj gazetarëve tashmë do të trajtohet si “goditje për shkak të detyrës” (Neni 237), me dënime nga një deri në pesë vjet burg. Sigurisht, një masë pozitive, por e shoqëruar me një mekanizëm problematik të përkufizimit të gazetarit lë vend për interpretime.

Kështu, në praktikë, shteti shmang dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe mban sërish në dorë instrumentet e presionit ligjor.

Por problemi i paketës nuk qëndroi vetëm te çfarë nuk dekriminalizoi, por edhe te çfarë zgjodhi të kriminalizojë.

Mes ndryshimeve u përcollën dispozita që e shtrijnë dorën e Kodit Penal në sjellje të përditshme, të cilat deri dje trajtoheshin administrativisht, pra me gjoba.

(Neni 293/1) “Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë” tashmë do të trajtohet me masa më të ashpra penale.

Në një vend ku ka mungesë të theksuar infrastrukture parkimi, rregullimi penal i këtij fenomeni u shfaq si zëvendësim i politikës edukuese dhe planeve afatgjata urbane me një politikë ndëshkuese.

Ky është thelbi i problemit: Qeveria po përdor Kodin Penal për të kompensuar dështimet e saj në administrimin publik.

Në vend të zgjidhjeve strukturore, ajo zgjedh të tutelojë qytetarët përmes frikës së ndëshkimit “me gjobë ose një vit burg”.

Amendamenti që nuk kaloi

Në fund të seancës u diskutua propozimi i bërë një ditë më parë nga deputeti socialist Erion Braçe për ashpërsimin e (Nenit 288) ndëshkimeve ndaj shitjes së duhanit dhe cigareve elektronike për të miturit.

Amendamenti parashikonte gjoba deri në 500,000 lekë dhe burgim deri në 16 vjet në rastet kur tregtia sillte si pasojë vdekjen.

Propozimi nuk u mbështet nga shumica socialiste, e cila abstenoi. Në një paketë që nuk heziton të kriminalizojë parkimin në rresht të dytë, mbrojtja penale e shëndetit të të miturve u la jashtë.

Ky kontrast ekspozon natyrën selektive të reformës, ose mungesës së diskutimeve të gjera për ndërhyrje.

Kodi Penal nuk forcohet aty ku interesi publik është i pakontestueshëm, por aty ku shteti kërkon kontroll dhe veprim të shpejtë.

Në këtë panoramë, ndryshimet e fundit nuk përbëjnë një reformë penale. Ato janë një seri masash ndëshkuese, të mbledhura nën flamurin e “harmonizimit evropian,” por të udhëhequra nga logjika e menaxhimit politik të rrezikut.

Kodi Penal po shndërrohet gradualisht në një instrument për të mbuluar dështimet e politikave publike. Sa më pak funksionon shteti, aq më shumë zgjerohet qasja ndëshkuese me shtojca nenesh.

Në këtë kuptim, votimi i mëngjesit të hershëm të së mërkurës nuk është fundi i këtij debati. Kodi i ri Penal do të vijë sërish për t’u diskutuar, por arnat janë sinjali se Shqipëria po vijon fazën ku ligji penal përdoret si zëvendësim i qeverisjes dhe jo si mjeti fundit i aplikimit të drejtësisë.

Lexoni gjithashtu:

The post 50 ndryshime, pa reformë: Kodi Penal si mjet kontrolli appeared first on Citizens.al.

Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

22 January 2026 at 17:44

Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.

Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrim të pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.

Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial. 

Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.

Sazani e Zvërneci si “plaçka për t’u falur”

Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnec po përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe lavdëruara nga BE për integrimin.

Erdhi si propozim i pakërkuar. Vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë: A është oferta e Kushnerit më e mira e mundshme dhe a po shihet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan?

Prej janarit 2025, kur mori statusin e investitorit strategjik, qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners” (zotëruese e “Atlantic Incubation Partners LLC”) të Kushnerit, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen qeveritare “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE), e cila u krijua në qershor.

Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të administratës së Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vetmja ende në detyrë pas ndryshimeve qeveritare të zgjedhjeve të fundit, ministrisë së Financave, Mjedisit dhe Turizmit. 

Paralelisht grupi është përbërë edhe nga përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC). Kjo e fundit e ka përfshirë në hartën e projekteve që synon të zhvillojë.

Pikërisht AIC kontraktoi në shkurt 2025 për rreth 300 mijë euro zyrat ligjore “Tonucci & Partners” dhe “Nexia Consulting” për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim” përmes një “ekspertize ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore”.

Nga kjo qasje, kuptohet se qeveria ia dha statusin e investitorit Kushnerit, pa qenë e sigurt për pozitën e saj në propozimin e pakërkuar. Pra, pa e ditur saktë impaktin financiar dhe mjedisor.

Pikërisht për impaktin mjedisor Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata të tjera mjedisore kanë apeluar disa herë shqetësimin se propozimi i Kushnerit prek zona të mbrojtura, veçanërisht Zvërnecin. 

Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.

Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.

Sidoqoftë, vlen të thuhet se për rastin konkret BE ka qendruar e heshtur, pak a shumë si në rastin e Aeroportit të Vlorës, që pritet të ndikojë tejmase në rrjetin e zonave të mbrojtura Vjosë-Nartë.

Citizens.al iu drejtuar të gjitha strukturave të grupi negociator për të marrë informacion për takimet, pozitën aktuale të bisedimeve dhe nëse ka pasur interes nga sipërmarrës të tjerë, veçanërisht kompani shqiptare.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, vetëm AIDA dhe AIC dhanë përgjigje duke u kufizuar te theksimi se Affinity Partners mbetet e interesuar ta vijojë projektin dhe se ASDRE nuk po shqyrton asnjë projekt-propozim tjetër në Sazan*.

Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se qeveria po e trajton Sazanin dhe Zvërnecin thjeshtë si plaçka për t’u falur, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që nevojiten të menaxhohen me rregulla.

Zyrtarisht theksi për rastin e Kushnerit vihet te statusi “investitor strategjik”, një etiketë që në praktikë ka shërbyer si çelës për të anashkaluar procedurat standarde, parlamentin, debatin publik mbi kostot, përfitimet dhe rreziqet.

Modeli që përsëritet

Sazani dhe Zvërneci nuk qëndrojnë vetëm. Qeveria Rama ka vepruar ngjashëm duke trajtuar si plaçkë edhe Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën e mbrojtur përreth Aeroportit të Vlorës.

Porti i Durrësit iu dha sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Ali Alabbar. Në rastin e tij u bë me ligj të posaçëm, procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe partneritet të paracaktuar në darkën e famshme të qeverisë në restorantin e Nusret Gökçe (njohur si Salt Bae) në Dubai (2021). 

Kështu, projekti “Durrës Yachts & Marina” me grupin e Emirateve “Eagle Hills” pati zero debat publik dhe zero konkurrencë. Formula e ktheu Kuvendin në “noter” të një marrëveshjeje të negociuar dhe dakordësuar larg institucioneve dhe vëmendjes publike.

Për Portin e Vlorës, raportimet kanë treguar se qeveria përdori një kombinim të ligjit të investimeve strategjike, formulën “Shqipëria 1 euro” dhe VKM të posaçme, duke lënë pa sqaruar mënyrën sesi u shmang dhe minimizua pjesëmarrja reale e shtetit në projektin e “Marina di Valona”.

Ngjashëm zero debat publik, zero konkurrencë.

Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur do dhe ka vullnet, mund të ndjekë dhe aplikojë procedurat konkurruese të një gare me tender ndërkombëtar pas një ofertë të pakërkuar. 

Sigurisht, tjetër gjë se kjo procedurë ishte formale – fillimisht aeroporti iu premtua konsorciumit turk Cengiz-Kalyon-Kolin Constr. më pas me procedura të dyshimta iu dha ortakërisë “Mabetex-2A Group” të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.

Rastet tregojnë qartë sesi qeveria nuk e mat interesin publik me garë dhe kushte të qarta, por me negocime dhe vendime që merren nëpër tavolina jashtë institucioneve. Për më tepër nga investimet në fjalë qeveria merr përsipër detyrimet për të siguruar infrastrukturën mbështetëse.

Në këtë kuptim Sazani e Zvërneci – historikisht të paurbanizuara, pa furnizimin me ujë dhe energji elektrike – janë thjesht plaçkat e radhës, pasi në rastin e tyre nuk po ndiqet as formalisht procedura e një tenderi apo konkursi ndërkombëtar

Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët e qeverisë

Për Sazanin dhe Zvërnecin jo vetëm që nuk po duket të ketë garë, por tani duket se vetë projekti arkitektonik po riformatohet, me takime të raportuara mes Ivanka Trump, përfaqësuesve të qeverisë dhe “50-60 arkitektë” që nuk dihet se nga dolën dhe u shfaqën në Vlorë.

Foto e rrjedhur në media nga resorti ku u prit Ivanka Trump, 21 janar 2026.

Mes tyre, nga disa foto që qarkulluan në rrjet, spikati arkitekti japonez Kengo Kuma, i njohur ndërkombëtarisht për stilin modernist. Kuma ishte i ftuar në Shqipëri për festivalin e arkitekturës “Bread and Heart” dhe është projektues i Parkut të Vizitorëve në Butrint.

Nga fotot, duket të ketë qenë e pranishme edhe Adelajda Roka, drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit te Territorit (AZHT), e cila nuk është pjesë e grupit negociator. 

Nga kjo dhe prezenca e Kumës, mund të kuptojmë se grupi i arkitektëve në fjalë mund të jetë organizuar nga AZHT.

Prej tetorit 2025, AZHT dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) kanë riorganizuar festivalin “Bread and Heart” në një fondacion. Citizens.al ka kërkuar qartësi për objektivin, arsyet dhe mënyrën e këtij tranzicioni.

Por dukshëm, ky riorganizim që ka bërë bashkë arkitektët e preferuar të qeverisë, po merr rol domethënës. Takimi me arkitektët u raportua se kishte në fokus projektet në Sazan e Zvërnec. Kjo nënkupton se tanimë diskutimet kanë kaluar te “si do të bëhet” projekti, jo më thjesht “a do të bëhet”.

Nëse propozimi fillestar i vitit 2024 ishte një “vizion” (render 3D), takimet me arkitektë nënkuptojnë se tani po negociohet përmbajtja e investimit: volumet, ndërhyrjet, infrastruktura, fazat si edhe lehtësitë fiskale.

Por nëse projekti “po rikonceptohet” gjatë negociimit, atëherë justifikimi për “ofertë të pakërkuar” bie, sepse nuk kemi më një ofertë të përcaktuar që vetëm vlerësohet dhe trajtohet, por realisht kemi një bashkë-projektim pa transparencë.

Qeveria shqiptare, edhe pas kërkesave të përsëritura për transparencë, ende nuk ka zbardhur një sërë detajesh: Çfarë do të ndërtohet realisht në në Sazan dhe Zvërnec? Çfarë po ofron realisht qeveria shqiptare: truallin, infrastrukturën, trajtim preferencial apo ekskluzivitet? Çfarë kanë premtuar investitorët dhe e në fund, çfarë përfitojnë qytetarët Shqiptarë?

*Artikulli u përditësua me përgjigjen nga AIC për Sazanin.

The post Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë appeared first on Citizens.al.

Paradoksi me fishekzjarret: Shqipëria nyje piroteknike e rajonit

13 January 2026 at 15:20

Shqipëria e ka të kufizuar me ligj shitjen dhe shpërthimin e fishekzjarreve. Megjithatë, sasi të mëdha hyjnë dhe dalin çdo vit nga vendi dhe përdorimi i tyre është i rregullt thuajse çdo mesnatë.

Të dhënat doganore, raportet dhe përgjigjiet zyrtare ndaj Citizens.al tregojnë për një paradoks: një sektor formal i mbyllur për qytetarët, por me qarkullim të gjerë tregtar.

Paralelisht një rrjet tregu në të zezë, që gjen hapësirë në rrjetet sociale, teksa përdorimi i tyre dyshohet se devijon edhe në aktivitetin kriminal.

Një treg i ndaluar për qytetarët, por në volume aktive

Në vitin 2018 qeveria kufizoi tregtimin dhe përdorimin e fishekzjarreve. Prej asaj kohe, ato lejohen vetëm për subjekte të licencuara dhe për aktivitete të kontrolluara publike në periudha të caktuara të vitit.

Megjithatë, statistikat doganore për periudhën 2020-2025 tregojnë se dhjetëra tonelata fishekzjarre janë importuar çdo vit, kryesisht nga Kina dhe shpesh përmes shtetesh tranzite nga Bashkimi Europian si Sllovenia, Bullgaria, Italia apo dhe Greqia.

Në total gjatë kësaj periudhe janë importuar rreth 485 tonë, duke kulmuar me vitin 2024 (195 tonë). Një volum relativisht i lartë për një vend ku përdorimi privat është i kufizuar.

Kjo krijon një mospërputhje thelbësore mes masave rregullatore dhe realitetit tregtar. Kush e përdor këtë sasi dhe ku përfundojnë ato?

Gjatë gjithë periudhës 2020-2025 Shqipëria eksportoi 5 herë më shumë fishekzjarre sesa importoi (totali 2,440 tonë), fakt që sugjeron përdorimin e stoqeve ose rolin e vendit tonë si pikë prodhimi, grumbullimi dhe ri-shpërndarjeje.

Ky profil duket se po e shndërron Shqipërinë në një nyje të rëndësishme, ku mallra të ndaluara për përdorim privat qarkullojnë në volume të mëdha, duke rritur rrezikun e kontrabandës dhe humbjes së kontrollit institucional.

Kina rezulton burimi dominues i fishekzjarreve që hyjnë në Shqipëri, ndërsa Bullgaria (688 tonë), Çekia (511 tonë), Rumania (348 tonë), Polonia (335 tonë) dhe Kosova (90 tonë) janë destinacionet kryesore të eksporteve. Vlen të theksohet se për dy vite, destinacion eksporti ka qenë dhe Bjellorusia (140 tonë).

Asokohe Bjellorusia ishte nën sanksione të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe rolin e saj në konfliktin Rusi-Ukrainë. Sanksionet ndalonin eksportet e mallrave që mund të kontribuonin në zgjerimin e represionit të regjimit të Lukashenkos dhe kapacitetet e industrisë ushtarake.

Shqipëria ndoqi në përputhje sanksionet në fjalë, megjithatë sikurse tregojnë të dhënat doganore, eksportet drejt një vendi që ishte subjekt i sanksioneve për individë dhe disa kategori mallrash ngre pikëpyetje për shmangien e këtyre kufizimeve, apo ri-interpretim të masave. 

Kjo çështje kërkon verifikim më të thellë të kontratave, destinacionit final, dhe nëse ngarkesat u përdorën realisht për qëllime të tjera.

Pak kompani, shumë përgjegjësi

Importet dhe eksportet e fishekzjarreve në Shqipëri realizohen nga një numër i kufizuar kompanish të licencuara.

Ilustrim, sasi fishekzjarresh e e kapur kontrabandë në Shqipëri/Citizens.al

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), i cili kontrollon transferimet e mallrave ushtarake, lëndëve plasëse dhe artikujve piroteknikë, tha për Citizens.al se aktualisht në Shqipëri ka vetëm katër kompani “të licensuara për import-eksport fishekzjarresh”.

Shqyrtimi i deklarimeve tregtare nga Citizens.al tregoi se dy prej katër kompanive u themeluan në vitin 2022 teksa njëra prej tyre (Panda-T-AL) nuk ka depozituar asnjë bilanc vjetor. 

Nga viti 2018, kur u vendos kufizimi i tregtimit dhe përdorimit të fishekzjarrëve, sektori ka pasur vetëm rritje fitimesh.

Në vitin 2018 dy kompanitë që operonin në këtë treg (Arpi dhe Arpiko Trade) deklaronin rreth 36,500 euro fitime totale. Ndërkohë, në vitin 2024 fitimi ishte 2,740 herë më i lartë (rreth 1 milion euro).

Në total në 6 vite nga kufizimi i përdorimit të fishekzjarreve (2018-2024) kompanitë që merren me tregtimin e tyre kanë fituar rreth 3 milionë euro. 

Sigurisht këto kompani merren edhe me veprimtari të tjera, por kjo shifër është tregues domethënës se me fishekzjarret  “punët po ecin mirë”.

Përqendrimi i tregut e bën teorikisht më të lehtë kontrollin, ashtu si e bën edhe më të rrezikshëm devijimin, nëse një hallkë e zinxhirit – prodhimi, magazinimi, transporti apo shpërndarja – del jashtë mbikëqyrjes së autoriteteve.

Deri më sot nuk ka një analizë apo raport publik mbi humbjet e mundshme gjatë magazinimit, sasitë e asgjësuara, apo diferencat mes importeve dhe eksporteve.

Nga festat publike te rreziku i grupeve kriminale

Festa me fishekzjarre e mbrëmjes së fundvitit në Shqipëri tregoi edhe njëherë se sa i pakontrolluar është tregu.

Teksa autoritetet deklarojnë dhe ndjekin me bujë aksione sporadike policore të kapjes së disa dyqaneve dhe tregtarëve të dorës së dytë, ato shiten lirshëm online dhe në rrjetet sociale – një faqe e reklamon aktivitetin madje si “Fishekjzarre taxi”.

Në mungesë të një rregullatori të fortë për tregun, çdo produkt që del jashtë kontrollit institucional është potencialisht i paligjshëm dhe rrezik për t’u devijuar në përdorim nga grupet kriminale. 

Praktika e nxjerrjes së pluhurit piroteknik nga fishekzjarret për ndërtimin e bombave artizanale është e njohur në vende të tjera europiane. Rastet e atentateve me eksplozivë të tillë në vendet e Evropës Perëndimore janë kthyer në një shqetësim permanent.

Ndërkohë, kombinimi i volumeve të larta të import-eksportit, ndalimit të përdorimit privat dhe kontrollit të fragmentuar, krijon një terren të favorshëm në Shqipëri për grupet kriminale që kërkojnë lëndë plasëse të lehta për t’u siguruar dhe të vështira për t’u gjurmuar.

Punishte artizanale dhe sasi fishekzjarresh kontrabandë e kapur në Shqipëri/Citizens.al

Faktet tregojnë se autoritetet nuk janë në lartësinë e duhur për ta parandaluar prirjen. Përgjigjjet e Prokurorisë së Përgjithshme për Citizens.al tregojnë se organet ligjzbatuese fokusohen kryesisht te pasojat penale, jo te zinxhiri i furnizimit.

Hetimet nisin dhe statistikat mbahen pasi shpërthimet ndodhin, ndërsa nuk ka një databazë të centralizuar që lidh apo ngre dyshime për: fishekzjarret me lëndët plasëse të përdorura në atentate.

Ekspertimi teknik kryhet nga Laboratori Qendror i Kriminalistikës, Sektori i Balistikës, si dhe në Njësinë Speciale Antieksplozivë të Repartit RENEA, por pa një profilizim sistematik kimik, që të gjurmojë origjinën tregtare të materialit të përdorur në bomba artizanale.

Rasti i fishekzjarreve në Shqipëri tregon se ndalimi ligjor, pa transparencë dhe gjurmueshmëri, nuk është i mjaftueshëm. Pa auditim të plotë të zinxhirit tregtar dhe pa lidhje të drejtpërdrejtë mes doganave, licencimit dhe hetimit, tregu formal rrezikon të bjerë në dorën e krimit të organizuar.

Fishekzjarret janë të ndaluara për qytetarët, por jo të pakapshme për krimin. Të dhënat tregojnë qartë për një ekonomi piroteknike aktive, të ligjshme në letra, por me boshllëqe reale kontrolli.

Pyetja që mbetet është, jo nëse ndalimi ekziston, por sa i aftë është shteti shqiptar ta garantojë që një mall i ndaluar si fishekzjarret, të mos kthehet në armë të rëndomtë për krimin.

Lexo gjithashtu:

The post Paradoksi me fishekzjarret: Shqipëria nyje piroteknike e rajonit appeared first on Citizens.al.

Zjarri te ish-Uzina Dinamo shkrumbon rreth 50 biznese

9 January 2026 at 12:30

Një zjarr masiv shkrumboi pasditen e së enjtes dy magazinat kryesore në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë. Situata u vu nën kontroll vetëm sot duke kthyer në vëmendje pasigurinë e ndërtesave tregtare.

Në magazinat A dhe B ruheshin rroba dhe materiale stoku për dhjetëra biznese të vogla.

Forcat e policisë dhe zjarrfikëses rrethuan zonën dhe ndaluan qytetarët mëngjesin e së premtes që të afroheshin. Paralelisht, tregtarë të dëmtuar tentuan të shpëtonin mallrat që nuk ishin prekur nga flakët dhe tymi.

Disa fajësuan autoritetet për neglizhencë dhe mangësi logjistike, teksa një tregtar u konfliktua edhe me përgjegjësin e tregut duke sjellë ndërhyrjen e policisë.

Struktura e magazinave u shkatërrua thuajse tërësisht, duke mbetur vetëm hi dhe skelete metalike. Autoritetet nuk raportuan persona të lënduar.

Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, deklaroi se materialet e djegura ishin kryesisht rroba dhe sende plastike. Sipas tij, ato favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve.

Ai sqaroi se nuk ishte konstatuar prani e lëndëve të rrezikshme në zonë. Megjithatë, policia largoi bizneset dhe banorët përreth për arsye sigurie.

Sipas tregtarëve të prekur ambientet nuk ishin të siguruara dhe nuk kishin mbrojtje nga zjarri.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës e cilësoi rastin goditje të rëndë për sipërmarrjen e vogël dhe dhjetëra familje që siguronin jetesën nga këto biznese.

Sipas saj, shkatërrimi i rreth 50 njësive tregtare nxjerr në pah mungesën e sigurimit dhe nevojën për menaxhim më të mirë të riskut, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian ku Shqipëria synon integrimin.

Deri tani, autoritetet dyshojnë se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike brenda një prej magazinave, por do të jenë hetimet konkrete ato që do ta përcaktojnë shkakun e saktë pas shuarjes së plotë të flakëve.

Presioni i ndërtimeve dhe dyshimet për projekte të reja

Në dhjetë vitet e fundit, zona e ish-Uzinës Dinamo dhe rruga “5 Maji” janë vënë nën presion të vazhdueshëm nga ndërtimet.

Të paktën dy komplekse rezidenciale janë ndërtuar në afërsi të territorit të tregut. Zjarri në dy kapanonet kryesore ka nxitur dyshimet mes tregtarëve dhe banorëve se zona mund të shfrytëzohet për një projekt tjetër ndërtimi.

Autoritetet nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve.

Uzina mekanike “Dinamo” u ndërtua në vitin 1962. Fillimisht prodhonte pjesë ndërrimi të ndryshme, por më pas u kthye në uzinë të specializuar për makineri për industrinë ushqimore, energjitike, minierare dhe të dururit.

Por pas ndërtimit të Uzinës së Re “Dinamo” në zonën pranë “Lumit të Tiranës”, një pjesë e punonjësve u transferuan atje dhe uzina u degradua. Gjatë tranzicionit ajo u kthye në treg ushqimor dhe më pas treg rrobash dhe elektroshtëpiakesh.

The post Zjarri te ish-Uzina Dinamo shkrumbon rreth 50 biznese appeared first on Citizens.al.

Akuadromi nën presionin e kullave: Tjetër “konkurs rehabilitimi” poshtë digës së liqenit

7 January 2026 at 11:16

Qeveria dhe Bashkia Tiranë synojnë të “rehabilitojnë” pishinat te diga e Liqenit Artificial, njohur si Akuadromi (Aquadrome) apo dhe Akuaparku (Aquapark).

Konkursi i projektimit, i hapur për herë të dytë, po kalon pa informacione nëse ka ngjallur interes. Ndërkohë zona është e rrethuar nga projekte kullash, të cilat kushtëzojnë tejmase zhvillimin e së vetmes hapësirë publike të mbetur aty.

Konkursi për Akuadromin favorizon kullat

Më 15 shtator 2025, qeveria dhe Bashkia e Tiranës hapën konkurs arkitekture për riprojektimin e zonës së Akuadromit – një prej hapësirave më të lakmuara për ndërtim pranë digës së Liqenit Artificial. Një konkurs i mëparshëm – hapur në mars 2025 – dështoi.

Sipas njoftimeve zyrtare, gara – e cila sipas kalendarit, më 6 janar përmbylli fazën e dytë të dorëzimit të propozimeve – synon “rehabilitimin e Akuaparkut të Tiranës” dhe integrimin e tij me mjedisin përreth, përmes “një qasjeje bashkëkohore të peizazhit, sportit dhe rekreacionit”.

Në letër kërkohen zhvillime me parametra të larta për 6 pishinat, kompleksin sportiv dhe mjediset përreth, të cilave u shtohen edhe sauna.

Por pas kësaj nisme“kulturore dhe ekologjike” fshihet një tjetër betejë urbane për kontrollin e zonës më të vlefshme poshtë digës së Liqenit Artificial – aty ku tashmë kanë mbirë projekte të reja kullash.

Ilustrim grafik gjendjes së pishinave te Akuadromi/Citizens.al

Sipas kushteve të konkursit, studiot e përzgjedhura duhet të propozojnë një qendër multifunksionale me pishina të brendshme e të jashtme, zona sportive, hapësira publike të gjelbra, si dhe shërbime komerciale. 

Por, projekti duhet të lidhet me Parkun e Liqenit, Kopshtin Zoologjik e atë Botanik dhe Parkun Olimpik, duke krijuar një “rrjet të vazhdueshëm të gjelbër” rreth perimetrit të digës.

Në letër, ideja duket frymëzuese. Por ky është versioni institucional i një procesi të njohur tashmë në Tiranë, që fillon me “rehabilitim” dhe përfundon ose me “ndërtime vertikale” ose hapësira që u jepen apo favorizojnë privatët.

Lexo: Shqipëria si kantier ndërtimi, kulla dhe leje pa kriter

Akuadromi u ndërtua në fund të viteve 80-të si pjesë e kompleksit multi-sportiv Dinamo, i cili zinte një sipërfaqe prej rreth 80,000 m2 poshtë digës. Zona degradoi gjatë tranzicionit dhe dhënies në përdorim të privatëve.

Pasi u nda nga klubi Dinamo, në 1999, gjatë luftës në Kosovë, Akuadromi u kthye në qendrën kryesore pritëse për shqiptarët që i iknin përndjekjes së paramilitarëve serbë. 

Në fillim-vitet 2000, kompleksi u rikonstruktua dhe për rreth 20 vite u dha me qira.

Sot, Akuadromi është pjesa që ka mbetur nga ish-kompleksi sportiv. Më shumë se gjysma e sipërfaqes së truallit u është dhënë privatëve për komplekse kullash, të cilat e shtrijnë kantierin deri në hyrjen e tij.

Rrethimi i kullave: Projektet kryesore

Vetëm pak metra larg zonës së konkursit po zhvillohet projekti “Tirana Lake”, i propozuar nga arkitekti italian Marco Casamonti për grupin Armaar (zotëruar nga sipërmarrësi Armand Lilo), që parashikon pesë kulla 17-katëshe me funksione banimi dhe komerciale.

Lilo njihet si investitor në projekte madhore kullash si “Eyes of Tirana”, “United Towers“,  “Corner” dhe një sërë kompleksesh rezidenciale në Tiranë, Durrës, Himarë dhe së fundmi në Pogradec.

Ilustrim grafik, silueta e kullave poshtë digës së liqenit/Citizens.al

Faza e II-të e projektit “Tirana Lake” mori edhe truallin e bashkisë që shërbente për parking publik.

Në dy skajet e tjera, janë ngritur tashmë 7 kullat 17-katëshe në formë spiraleje “Lake View” të grupit Gener 2 (zotëruar nga sipërmarrësit Bashkim, Astrit dhe Ahmet Ulaj).

Pikërisht “Gener 2” ishte kompania që sponsorizoi konkursin për masterplanin e vitit 2008 të zonës poshtë digës, i cili nga studioja fituese – holandezët e MVRDV – u quajt “Tirana Rocks“.

Një masterplan që parashikonte rreth çerek milioni metra katrorë ndërtim gati për të nisur brenda vitit 2010 me një kosto rreth 600 milionë euro, dhe që u pëlqye dhe prezantua me pompozitet nga asokohe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, ankandet e 2025, nga Sazani te Zyber Hallulli

Dy dekada më vonë ai koncept kubash i MVRDV-së rrëzuar rrëmujshëm poshtë digës së liqenit është ndryshuar, por volumi masiv i ndërtimeve në zonë jo, madje pritet të shtohet më tej.

Në cep, në truallin e korpusit të Universitetit Marin Barleti, pritet të ngrihen dy kulla të tjera 30 dhe 35 katëshe të njohura me emrat “Vistas Lake” nga grupi Vistas (zotëruar nga sipërmarrësi Adriatik Dudaj) dhe “Lake Diamond Tower” reklamuar nga “Texas Development” (zotëruar nga arkitektët sipërmarrës Andi dhe Olsi Efthimi).

Ky zhvillim është shembull tipik i mënyrës sesi planifikimi urban i Tiranës po orientohet nga kërkesat e ndërtuesve dhe jo më nga nevoja publike.

Toka poshtë digës, dikur e paprekshme për ndërtim, sot është e rrethuar nga leje të miratuara për ndërtime të larta.

Në këtë prespektivë, zinxhiri i investimeve në zonë e ka zhdukur kufirin me “hapësirën publike”.

Sipas dokumenteve të konkursit për Akuadromin, zona konsiderohet “e ndjeshme ekologjikisht”. Por në asnjë pjesë nuk sqarohet si do të garantohet që projekti fitues i konkursit të mos shndërrohet në një tjetër zhvillim ndërtimor, i justifikuar me togfjalëshit “rekreacion”, “hapësirë sportive” apo “inovacion”.

Koncepti i MRVDV-së për zhvillimin poshtë digës së liqenit, 2008.

Projektet e fundit të shpallura fituese në zona dhe hapësira sportive si për shembull Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, kanë treguar se për qeverinë dhe Bashkinë Tiranë, një pallat sporti mund të jetë dhe pallat rezidencial prej 20 katesh.

Transparenca, pyetja që mungon në çdo konkurs

Konkursi i Akuadromit është prezantuar si garë ndërkombëtare. Ajo thuhet se do të ketë një jurí profesionale – edhe pse nuk është bërë me dije ende se kush do të jenë pjesë e saj – dhe me 100,000 euro shpërblim për 5-shen finaliste.

Por përtej termave estetikë, mbeten pa përgjigje disa pyetje kyçe: Kush do të jetë autoriteti përfundimtar që do ta zhvillojë projektin fitues: Bashkia e Tiranës apo qeveria përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare?

Lexo: Projekti fitues i MVRDV-së për “Asllan Rusin”: Një “top betoni” 20-katësh

Në rastin e Korporatës, përvoja ka treguar se qeveria nuk investon në ndërtim, përkundrazi. Në të gjitha thirrjet e saj qeveria ka ofruar hapësirat publike si incentivë për të ndërtuar kulla ose për të marrë pjesë nga ndërtimet e reja.

Në këtë pikë nuk dihet se kush do ta financojë zbatimin e projektit dhe çfarë forme do marrë investimi, do të jetë një partneritet me privatin, apo koncesion.

Vlen të theksohet se në periudhën kur Akuadromi iu rikthye bashkisë, në vitin 2020, Kryetari Erion Veliaj, tha se “do ta zhvillonte më mirë se privati”. Por, më 19 prill 2023 bashkia e nxorri sërish me qira për 20 vite – edhe pse vetëm një pjesë të kompleksit 1,284 m2.

Çmimi dysheme për qiranë mujore ishte 180 mijë lekë (1,800 euro), çka ngjalli reagime nga opozita për aferë korruptive.

Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritja e nivelit minimal të qirasë“ishte bërë me vlerën e objekteve të banimit dhe jo të objekteve tregtare”.

Kështu, Akuadromi po shitet si rikualifikimi urban. Por realiteti përreth tregon logjikën e një qyteti që humb hapësirat e fundit publike nën retorikën e “gjelbërimit” dhe “sportit”.

Pyetja që mbetet është nëse do të jetë ky rehabilitim në interes të qytetarëve, apo një tjetër stacion në lartësimin e kullave drejt digës së Liqenit Artificial.

Lexoni gjithashtu:

The post Akuadromi nën presionin e kullave: Tjetër “konkurs rehabilitimi” poshtë digës së liqenit appeared first on Citizens.al.

❌
❌