Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

​Kërkohet plan për zgjedhjet, Malisheva zona më e rrezikuar nga ndërprerjet e rrymës

23 December 2025 at 15:21


Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kërkuar harmonizim me institucionet ditën e zgjedhjeve, në rast se mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani ka thënë se nevojitet planifikim i detajuar të dielën me 28 dhjetor, në rast se mund të paraqiten sfida të tilla.

“Duke parë që gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore ka ndërprerje të energjisë anë e kënd vendit, konsideroj që prej KQZ-së nevojitet një komunikim i drejtë me ministrinë por edhe me institucionet dhe organet tjera, në këtë rast me KEDS-in edhe me KESCO-n dhe KOSST dhe kushdo që është i nevojshëm për të harmonizuar edhe për të parë se ku mund të kemi sfida për ditën e zgjedhjeve. Pra po flasim për procesin e numërimit që bëhet pas orës 19:00 por edhe që ka të bëjë edhe me funksionalitetin edhe të kamerave në çdo vendvotim por edhe me kapacitetet ekzistuese të qendrave të votimit, shkollave në këtë rast me gjeneratorët në qoftë se janë të pajisur, konsideroj që nevojitet një planifikim i detajuar i sekretariatit në raport me secilën qendër të votimit por edhe në anën tjetër të shpalosim edhe sfidat tona që mund t’i kemi me qendrat komunale të numërimit, sepse i gjithë procesi i numërimit tashmë është i varur prej teknologjisë, nuk janë gjëra që bëhen manualisht”, theksoi ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se kjo çështje është diskutuar nga sekretariati por që do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.

“Para 10 dite kemi pasur një takim me KEDS-in në këtë sallë. Ajo çka i ka interesuar KEDS ka qenë çështja e gjeneratorëve që janë në dispozicion në qendra të votimit. Në këto të dhëna i kemi marr prej krejt Komisioneve komunale zgjedhore edhe ka prej qendrave të votimit që nuk ka fare gjenerator, ka edhe qendra të votimit që kanë gjenerator ose gjeneratori është i lidhur vetëm për ngrohje por jo ndriçim. Bazuar në zgjedhjet e kaluara KEDS në zona me problematike i ka ofruar vetë llampat në vend votime. Kësaj radhe kanë dashur që të shohin gjendjen e gjeneratorëve në mënyrë që përmes ekipeve të tyre në terren t’i aktivizojnë. Është e vërtetë që zona më e rrezikuar është Malisheva, është për shkak të transmisionit”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe çështja e orarit për numërimin e votave, ku anëtari Muharrem Nitaj ka ngritur çështjen që të ketë pushim me datën 1 janar.

“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.

Ndërkaq, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se për shkak të integritetit të procesit nuk duhet të ndalet aktiviteti i punës.

“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim.. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se komunat janë njoftuar për oraret e punës.

“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai. /KP/

Prattipati: Qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta janë pritshmëri e SHBA-së në veri të Kosovës

23 December 2025 at 14:36


E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar sot një takim me katër kryetarët e sapoinauguruar të komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile serbe në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, gjatë takimit u theksuan pritshmëritë amerikane për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjitha komunitetet.

“Anu Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të drejta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të autoriteteve lokale me institucionet e sigurisë publike, të cilat janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve pa dallim.

“Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike, të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasada e SHBA-së ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në komunat me ndjeshmëri politike dhe institucionale. /Telegrafi/


Kurti: 1 miliard euro investime kapitale çdo vit

23 December 2025 at 14:28


Kryeminstri Albin Kurti ishte dje në Gadime dhe Sllovi të Lipjanit, ku u prit me entuziazëm nga dy fshatrat më të mëdha të kësaj komune.

Me banorët dhe mërgimtarët e pranishëm, ai ndau zotimet e tij qeverisëse për mandatin e ardhshëm, të cilat garantojnë shtrirje të mirëqenies përmes rritjes së ekonomisë.

Kryeministri tha se gjatë mandatit të tij, do të ndajë 1 miliard euro çdo vit për investime kapitale.

Me buxhetin më të lartë ndonjëherë, prej 4 miliard eurosh, nuk do të mungojë as përkrahja për prodhuesit.

1 miliard euro për prodhimtari, përfshirë ata që riinvestojnë fitimin.

Kurti tha se mbështetja për të rinjtë dhe studentët po zgjerohet përmes programit të mobilitetit.


KRU Mitrovica u bën thirrje konsumatorëve për shlyerjen e obligimeve financiare

23 December 2025 at 14:25


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve që, para përfundimit të vitit, të shlyejnë obligimet e tyre financiare për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizim.

Sipas njoftimit të KRU Mitrovica, kjo thirrje bëhet me qëllim të mbylljes së vitit financiar dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve cilësore për të gjithë konsumatorët.

Kompania thekson se pagesa me kohë e faturave është thelbësore për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit, realizimin e investimeve të nevojshme dhe sigurimin e shërbimeve të qëndrueshme.

“Shlyerja me kohë e obligimeve financiare kontribuon drejtpërdrejt në funksionimin normal të sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, KRU Mitrovica i ka ftuar qytetarët që pagesat t’i kryejnë sa më parë, me qëllim të shmangies së masave administrative që mund të ndërmerren në rast të mosshlyerjes së obligimeve financiare.

Në fund, kompania ka falënderuar konsumatorët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj institucionit. /Telegrafi/


Komuna e Junikut reagon ndaj reduktimeve të energjisë elektrike

23 December 2025 at 14:15


Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike që, sipas saj, po aplikohen nga KEDS në këtë komunë, duke theksuar se këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Në reagimin e saj, komuna vlerëson se mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik lokal.

Veçanërisht shqetësuese, sipas komunës, është koha kur po ndodhin reduktimet, përkatësisht gjatë periudhës së festave dhe pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë po qëndrojnë pranë familjeve të tyre në Junik.

“Në vend që të kalojnë kohë të qetë dhe të sigurt me të afërmit, bashkatdhetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike, gjë që ndikon negativisht në rehatinë dhe cilësinë e jetës”, thuhet në reagim.

Komuna e Junikut thekson gjithashtu se kjo komunë renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të parapagimit të faturave të energjisë elektrike, duke dëshmuar përkushtimin e qytetarëve për përmbushjen e obligimeve ndaj furnizuesit. Sipas komunës, aplikimi i reduktimeve në një komunë me këtë nivel kontributi financiar konsiderohet i padrejtë dhe i papranueshëm.

Në këtë drejtim, Komuna e Junikut ka adresuar disa kërkesa ndaj KEDS-it, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve të paarsyeshme, sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjatë periudhave festive, si dhe rritjen e transparencës dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve në menaxhimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/


Inspektohen punimet në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë

23 December 2025 at 13:33


Drejtoria e Infrastrukturës e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar inspektim në terren në kuadër të kontratës për projektin dyvjeçar “Rregullimi i Rrugës Dardania në Fushë Kosovë”.

Gjatë inspektimit, Autoriteti Kontraktues ka kryer hapje kontrolluese për të verifikuar pozicionin, nivelin dhe përputhshmërinë teknike të instalimeve nëntokësore, në përputhje me projektin ekzekutiv, paramasat dhe paralogaritë përkatëse.

Këto ndërhyrje janë pjesë e procedurave të rregullta të kontrollit teknik të punimeve në terren.

Nga komuna bëhet e ditur se, për shkak të kushteve sezonale dhe periudhës së festave, është paraparë nivelizimi i përkohshëm i sipërfaqes së punuar, me qëllim të sigurimit të qasjes funksionale për bizneset dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për vazhdimin e punimeve në fazat e ardhshme të projektit. /Telegrafi/


Shkyçje emergjente e transformatorit në Prizren, qytetarët paralajmërohen për ndërprerje të energjisë

23 December 2025 at 12:52


KOSTT ka njoftuar qytetarët që furnizohen nga transformatori energjetik TR3 në Nënstacionin Prizren 1 për një shkyçje emergjente, e cila është e nevojshme për të kryer punimet dhe eliminuar problemet e paraqitura në transformatorin e fuqisë T3 (110 kV/10 kV).

Gjatë kryerjes së punimeve, të cilat pritet të zgjasin rreth 4 orë, një pjesë e qytetarëve dhe institucioneve që furnizohen nga NS Prizren 1 do të mbeten pa energji elektrike, me një reduktim të parashikuar rreth 30 MW.

KOSTT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe falënderon për durimin gjatë kryerjes së punimeve, duke theksuar se ndërhyrja është e domosdoshme për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe stabil të energjisë elektrike. /Telegrafi/


Ambasadori britanik, Hargreaves: Stafi i KQZ-së i përkushtuar për zgjedhje të ligjshme dhe transparente

23 December 2025 at 12:48


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vizitoi sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shprehur vlerësimin për profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që priten të mbahen së shpejti.

Gjatë vizitës, ambasadori Hargreaves falënderoi Kreshnik Radoniqin dhe ekipin e tij për përpjekjet e palodhshme që të sigurohet një proces zgjedhor i rregullt dhe në përputhje me ligjet dhe procedurat e Kosovës.

“Si gjithmonë, jam impresionuar nga profesionalizmi i qetë i stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë vizitës së sotme. Faleminderit Kreshnik Radoniqi dhe ekipit të tij për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të kryhen në mënyrë të qetë dhe ligjore”, ka shkruar ambasadori.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur institucionet zgjedhore po përgatiten intensivisht për të garantuar transparencë dhe rregullsi në procesin zgjedhor. /Telegrafi/


Kastrati dhe stafi i komunës sjellin gëzim për fëmijët në prag të Vitit të Ri

23 December 2025 at 12:42


Me rastin e festave të fundvitit 2025, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, organizuan një aktivitet të veçantë për fëmijët e komunës, duke sjellë buzëqeshje dhe atmosferë festive në prag të Vitit të Ri.

Gjatë aktivitetit, fëmijët u pritën me dhurata simbolike, argëtim dhe programe artistike të përgatitura posaçërisht për ta. Kryetari Kastrati uroi të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre për shëndet dhe suksese në vitin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe investimit në mirëqenien e brezit të ri.

“Fëmijët janë e ardhmja e komunitetit tonë, dhe institucioni do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që synojnë edukimin, argëtimin dhe zhvillimin e tyre”, tha Kastrati.

Prindërit dhe të pranishmit vlerësuan nismën si një gjest domethënës që forcon frymën e solidaritetit dhe festës në komunitet. Aktiviteti u mbyll me duartrokitje dhe urime për festa të mbara. /Telegrafi/


Konjufca: Rinia, shtylla e fitores sonë

23 December 2025 at 11:38


Glauk Konjufca ishte dje në Mitrovicë, ku takoi qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se tashmë po ndihet energjia e fitores, prapa së cilës qëndrojnë të bashkuar populli për t’i mbështetur, përmes votës më 28 dhjetor.

Nga aty, vazhdoi në Vushtrri, ku së bashku me kandidatët për deputetë të kësaj komune, takoi vullnetarët dhe të rinjtë nga Vushtrria.

Konjufca tha se rinia është shtyllë kyçe e arritjeve dhe fitoreve të përbashkëta.

Bashkë me kryetarin e Fushë Kosovës, Valon Prebreza, si dhe qytetarët e kësaj komune, Glauk Konjufca bisedoi për të arriturat e Qeverisë Kurti.

Qytetarët e kanë ndjerë këtë qeverisje, prandaj vullneti dhe mbështetja e tyre është garantues për fitoren e numrit 116 dhe Lëvizjes Vetëvendosje.


Bllokada rrugore në Kurshumli të Serbisë, QKMK këshillon mërgimtarët t'i përdorin rrugët alternative

23 December 2025 at 10:49


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se më 24 Dhjetor 2025, banorët lokalë në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (Serbi) do të zhvillojnë një bllokadë të rrugës, nga ora 11:50 deri në 15:50.

Sipas deklaratave të këshilltarëve të opozitës, bllokada është paralajmëruar për shkak të kërkesave të paplotësuara, që përfshijnë: sigurimin e tekstesh shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore, një rritje të fondeve për zhvillimin ekonomik lokal, dhe shkarkimin e disa zyrtarëve komunalë.

Bllokada do të zhvillohet në një pjesë të autostradë në Nish, pranë kryqëzimit në fshatin Kastrat, raporton Telegrafi.

Autoritetet e QKMK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të evituar pengesat në trafikun rrugor gjatë periudhës së paralajmëruar.

Për informacion shtesë, QKMK ka vënë në dispozicion numrat e kontaktit: +383 45 198 000, +383 45 198 606 dhe 0800 500 95.

Ky njoftim vjen si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për informim të drejtpërdrejtë të mërgimtarëve, që tashmë janë nisur nga venet e ndryshme drejtë Kosovës. /Telegrafi/


Ditë e pestë e grevës, Sindikata e KRU Hidrodrinit paralajmëron vazhdim deri në adresimin e kërkesave

23 December 2025 at 10:25


Punëtorët e KRU “Hidrodrini” po vazhdojnë grevën paralajmëruese, e cila sot hyri në ditën e pestë, si pjesë e ushtrimit të së drejtës për grevë në përputhje me ligjin.

Në një njoftim për media, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” theksoi: "Greva gëzon përkrahje të gjerë nga punëtorët, por rrugët e dialogut dhe negociatave mbeten të hapura për adresimin e kërkesave të punëtorëve, në kuadër të kompetencave të palëve përgjegjëse".

Greva zhvillohet çdo ditë nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e kërkesave ose deri në një njoftim tjetër zyrtar nga Këshilli i Grevës.

Në njoftim bëhet e ditur se greva po zhvillohet në qytete të ndryshme, përfshirë Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, ndërsa Shoqata Sindikale ka publikuar edhe fotografi nga aktiviteti.

Këshilli i Grevës njofton se qëllimi i grevës është të sigurojë respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë ligjore dhe transparente. /Telegrafi/

Anulohen dy konkurse publike në Fushë Kosovë, nga komuna thonë se ka shkelje ligjore

23 December 2025 at 10:20


Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se gjatë procedurave për dy konkurset publike të shpallura më 8 gusht 2025, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, çka ka sjellë vendimin për anulimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.

Konkursi i parë, me Nr. 849, ishte shpallur për pozitat në sektorin shëndetësor dhe administrativ, duke përfshirë: mjekë të përgjithshëm (6 pozita), mjek stomatolog (1 pozicion), infermier/e (18 pozita), teknik/e stomatologjie (4 pozita), teknik/e laborant (4 pozita), teknik/e i farmacisë (1 pozicion), administrator i sistemit informativ shëndetësor (1 pozicion) dhe jurist/e (1 pozicion).

Konkursi i dytë, me Nr. 850, përfshinte pozitat e vozitësve (2 pozita), higjienistëve (3 pozita), mirëmbajtës/punëtor teknik (1 pozicion) dhe punëtor sigurimi (1 pozicion).

Komuna ka bërë të ditur se për çdo konkurs të ri eventual, qytetarët do të njoftohen me kohë përmes faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale. /Telegrafi/


Abdixhiku: Prishtina kërkon zhvillim dhe projekte konkrete, LDK premton 1.5 miliard euro investime

23 December 2025 at 10:14


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim zgjedhor në shkollën “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit, organizuar nga Dega e Tretë e LDK-së.

Gjatë tubimit, Abdixhiku theksoi se Prishtina kërkon zhvillim dhe projekte konkrete, duke prezantuar një plan investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro, që përfshin Unazën e Jashtme, Qendrën Sportive, teatrot dhe parkun teknologjik.

Ai shtoi se qytetarët e kryeqytetit kanë zgjedhur ndryshimin e parë, duke theksuar se LDK-ja, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, synon të sjellë normalitet dhe projekte konkrete për qytetarët.

Abdixhiku prezantoi gjithashtu kandidatët e Degës së Tretë për zgjedhjet e ardhshme, të cilët përfaqësojnë një ekip me përvojë institucionale, energji qytetare dhe përkushtim ndaj vlerave rugoviane dhe shërbimit publik.

Kandidatët përfshijnë: Alban Zogaj (22), Ukë Rugova (10), Adelina Thaqi Meta (12), Doruntinë Maloku (21), Elmire Nikçi Rexha (42), Myzejene Selmani (48), Sokol Havolli (49), Arta Metaj Govori (53), Lumbardh Salihu (77), Bejtush Gashi (83) dhe Nazmije Krasniqi Jusufi (84). /Telegrafi/


Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në disa zona të Pejës

23 December 2025 at 09:54


KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se për shkak të rjedhjeve të mëdha të ujit në gypin kryesor, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të qytetit të Pejës.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja do të zgjasë nga ora 10:00 deri në ora 14:00 dhe do të prekë lagjen B.T. “Fidanishte”, si dhe rrugët “Agim Qelaj”, “Konferenca e Bujanit”, “Myrvete Maksutaj”, “Hasan Riza” dhe disa rrugë dytësore përreth.

Nga KRU “Hidrodrini” bëhet e ditur se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërmarrja u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve të zonave të prekura për shqetësimet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/


Komuna e Fushë Kosovës heq kufizimet për parkingun e brendshëm - hapet edhe për qytetarë

23 December 2025 at 09:31


Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se hapësira e parkingut brenda oborrit të objektit komunal tashmë është e lirë dhe e qasshme për të gjithë qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtar, nga data 8 dhjetor 2025, parkingu i komunës do të jetë në shërbim të qytetarëve që vizitojnë institucionin për të marrë shërbime administrative. Vendimi është marrë me rekomandim të kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.

Deri më tani, kjo hapësirë parkimi ka qenë e dedikuar ekskluzivisht për automjetet zyrtare dhe stafin administrativ të komunës.

Nga komuna bëhet e ditur se ky vendim ka për qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet komunale dhe përmirësimin e kushteve gjatë vizitave të tyre në institucion. /Telegrafi/


Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje, dy gra të keqtrajtuara

23 December 2025 at 08:33


Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje, ndaj dy viktimave femra, nënës dhe bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:30, i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka keqtrajtuar fizikisht dy familjaret e tij.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/

Tentativë arratisjeje nga dhomat e ndalimit në Rahovec, i dyshuari rikapet nga policia

23 December 2025 at 08:28


Një person i privuar nga liria ka tentuar të arratiset nga Stacioni Policor në Rahovec, por është arrestuar sërish pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:00, i dyshuari, mashkull kosovar, i cili ndodhej në dhomat e ndalimit, ka përdorur forcë për të hapur derën e dhomës dhe ka dalë nga objekti i stacionit policor me qëllim arratisjeje.

Patrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, duke e kthyer atë sërish në Stacionin Policor të Rahovecit, përcjell Telegrafi.

Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa pas përfundimit të tretmanit është rikthyer në dhomat e ndalimit.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. /Telegrafi/

Zhduket një vajzë në Junik, policia nis hetimet

23 December 2025 at 08:24


Policia e Kosovës ka iniciuar hetime lidhur me zhdukjen e një vajze në Junik.

Sipas raportit zyrtar nga policia, rreth orës 19:51, në rrugën “Fadil Maloku”, një qytetar ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe që nga ai moment nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj, përcjell Telegrafi.

Rasti është cilësuar si “person i zhdukur”, ndërsa njësitë relevante policore kanë nisur procedurat hetimore për lokalizimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të zhdukjes.

Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në këtë rast, t’i raportojnë ato në stacionin më të afërt policor ose përmes numrave zyrtarë të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Komuna e Istogut njofton qytetarët për pagesën e Tatimit në Pronë

23 December 2025 at 08:17


Komuna e Istogut, përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa – Sektori i Tatimit në Pronë, ka bërë të ditur se po afrohet afati për përfundimin e vitit fiskal 2025 dhe njëkohësisht afati ligjor për pagesën e Tatimit në Pronë.

Në njoftimin zyrtar të datës 22.12.2025, Komuna u bën thirrje të gjithë qytetarëve që obligimet e tyre për Tatimin në Pronë t’i përmbushin brenda afatit të përcaktuar me ligj, me qëllim të shmangies së gjobave dhe interesit për vonesë, të cilat llogariten për çdo muaj vonesë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata më të detajuara lidhur me shumën e saktë të tatimit, si dhe për çdo paqartësi apo informacion shtesë, qytetarët mund t’i drejtohen Sektorit të Tatimit në Pronë, në objektin e Komunës së Istogut, Zyra nr. 109, gjatë orarit zyrtar të punës.

Nga Komuna e Istogut shprehin mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve dhe për përmbushjen me kohë të obligimeve ligjore, duke theksuar rëndësinë e këtyre pagesave për funksionimin dhe zhvillimin e shërbimeve komunale. /Telegrafi/


❌
❌