Një situatë tejet shqetësuese po denoncohet nga banorët e fshatit Terbaç, të cilët ngrenë alarmin për gjendjen e rrugës që lidh komunitetin e tyre me aksin kryesor Vlorë–Kuç. Rruga, e ndërtuar së fundmi nga shteti dhe e përfunduar nga Bashkia e Himarës, ka nisur të degradojë në mënyrë alarmante vetëm pak muaj pas përfundimit të […]
Banorët e lagjes Sinoballa, nr. 4, në Kamëz kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës së tyre, e cila prej rreth katër muajsh ka mbetur e pashtruar. Sipas tyre, punimet e nisura nga Bashkia Kamëz janë lënë përgjysmë: vetëm gjysma e rrugës është asfaltuar, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur me baltë dhe zhavorr, duke u […]
TIRANË- Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit. Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor. Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.
“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.
Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.
“Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.
Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.
“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.
Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim. Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./abcnews.al
Barometri i sigurisë për vitin 2025 tregon një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë publike në vendin tonë, si në rrugë ashtu edhe në luftën kundër krimit. Në raport tregohet një vlersim në rritje për Policinë e shtetit sipas sondazhit te kryer nga qendra Agenda.
Në raport, perceptimi për Policinë e Shtetit mbetet kryesisht pozitiv, ku 70.1% e qytetarëve kanë vlersim pozitiv dhe 20.9% shprehen të pakënaqur.
Sipas Barometrit të Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë për vitin 2025, të hartuar nga Eduard Zaloshnja, vdekjet rrugore janë ulur me 43.5%, si dhe ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme.
“Këtu kam bërë një përmbledhje të vdekjeve rrugore dhe nga krimi për 15 vitet e fundit, dhe shifrat flasin vetë. Këtë vit që mbyllëm kemi patur 153 vdekje rrugore më pak se sa në vitin 2010. Shofim vrasjet e qëllimshme, 41 vdekje nga vrasjet e qëllimshmë patëm këtë vit, 109 kanë qenë në 2010. Pra, një reduktim me mbi 60%” u shpreh Zaloshnja
Ky raport tregon se vendi ynë ka tregues më të mirë sigurie se një dekadë më parë, si në aspektin e kriminalitetit ashtu edhe të aksidenteve rrugurore./abcnews.al
Gjatë raportimit në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Kombëtare, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se pavarësisht motit të keq, të gjitha rrugët kombëtare ishin të hapura.
“Kemi arritur të sigurojmë që akset rrugore kombëtare të jenë të hapura gjatë gjithë kohës…”-deklaroi Balluku.
Por pak minuta pas kësaj deklarate, informacionet zyrtare nga Prefektura e Korçës vërtetonin tjetër gjë. Në raportimin e orës 09:30 të mëngjesit të 9 janarit, Prefektura njoftonte se aksi Qafë Plloçë – Qukës ishte i bllokuar dhe vijonte puna për pastrimin e inerteve.
Edhe verifikimet e Faktoje në terren atë ditë tregojnë qartë se rruga, e sapoinaguruar, nuk ishte e kalueshme.
Rruga Qukës –Qafë Plloçë, 9 janar 2025
Madje, jo vetëm atë ditë. Ky aks kombëtar vijon të jetë i bllokuar prej pesë ditësh për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe inerteve në rrugë. Për të shmangur rreziqet autoritetet vendore kanë pezulluar qarkullimin e automjeteve fill pas aksidentit të ndodhur më 7 janar.
Policia e Qarkullimit Rrugor e Korçës dhe Elbasanit orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit. Rruga do të qëndrojë e mbyllur deri në pastrimin e plotë të dherave dhe inerteve nga firma kontraktore dhe nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces.
Bllokim pas bllokimi
Aksi Qukës – Qafë Plloçë, i gjatë 43,4 km, nisi të ndërtohej 16 vite më parë dhe kushtoi rreth 242.6 milionë dollarë. Ndonëse u inaugurua me daulle dhe bukë me qiqra, Faktoje verifikoi se rruga u hap për qarkullim e papërfunduar.
Problemet me rrugën që u inagurua në shtator të vitit të shkuar nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve dy muaj më pas treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.
Prej katër muajsh, ky aks ka shfaqur probleme të vazhdueshme me rrëshqitjet e dherave, veçanërisht gjatë reshjeve intensive.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga prefektura e Korçës, ARRSH dhe verifikimet në terren, deklarata e ministres Belinda Balluku se “të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme” kategorizohet e pavërtetë. Aksi Qukës – Qafë Plloçë, segment strategjik i rrjetit rrugor kombëtar, vijon të jetë i bllokuar.
Pas bllokimit gjatë ditës se djeshme, tashmë është bërë i mundur kalimi me zinxhirë në aksin nacional Librazhd-Peshkopi. Termometri ka zbritur në -5 gradë Celsius dhe ka prani të akullit. Autoritetet bëjnë thirrje për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë apel ndaj qytetarëve për kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë këtyre ditëve të acarta, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë në rrugë dhe hapësira publike, përfshirë trotuaret dhe rrugët.
Policia ka theksuar rëndësinë e kujdesit të veçantë për pronarët e autolarjeve që bëjnë pastrimin e veturave, duke i paralajmëruar ata për pasojat e derdhjes së ujërave në trotuare dhe rrugë, të cilat shkaktojnë ngrica.
Këto ngrica mund të jenë një rrezik serioz për sigurinë e trafikut rrugor dhe këmbësorëve, duke rritur mundësinë e aksidenteve.
“Policia, në bashkëpunim me organet komunale, do të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatojë masat ligjore ndaj atyre që shkelin këto rregulla,” thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë rregullat dhe të tregojnë kujdes, ndërsa Policia mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta të shënuara gjatë natës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se temperaturat minimale kanë zbritur deri në -18°C në Valbonë, -15°C në Kukës dhe Qafë Thanë, si dhe -10°C në Dibër.
Ndërkohë nuk janë regjistruar reshje shiu apo dëbore.
Sipas ARRSH-së, kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, duke kryer pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve në zonat malore me prezencë dëbore. /j.p/
Pas reshjeve rekorde që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit ditët e fundit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve, por java e re do të karakterizohet nga depërtimi i masave të ftohta ajrore në gjithë Kosovën.
Për ditën e hënë, parashihet mot kryesisht i vranët me intervale me diell.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -11 deri në -8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga -5 deri në -1 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 5 metra për sekondë.
Autoritetet këshillojnë kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht gjatë orëve të hershme të mëngjesit për shkak të ngricave dhe mjegullës./Telegrafi/
Situata pas motit të keq në qarkun e Korçës po shkon drejt përmirësimit, megjithëse vijojnë ende disa problematika të lokalizuara. Sipas raportimeve nga strukturat përgjegjëse, nga 600 abonentë të raportuar pa energji elektrike në orët e mëngjesit, aktualisht rezulton se janë 4 fiderë pjesërisht të stakuar, duke lënë pa energji rreth 80 abonentë në zonat […]
PRISHTINË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në lagjen “Meshari” ku jetojnë minoritetet në komunën e Fushë Kosovës. Uji ka përmbytur rrugët dhe disa shtëpi, duke hyrë deri në bodrume, raporton KosovaPress.
Banorët thonë se furnizimi me ujë të pijshëm është plotësisht i ndërprerë, ndërsa problemet me energjinë elektrike janë të vazhdueshme, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për familjet që jetojnë në ketë lagje.
Shumë prej shtëpive të prekura janë të pabanuara, në zona më të ulëta, ku uji grumbullohet më lehtë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet komunale për të siguruar furnizim me ujë dhe për të parandaluar dëmet materiale.
Edhe mbrëmë banorët e kësaj lagje përjetuan tmerrin e nga vërshimet. Sipas disa fotove dhe videove të dërguara nga banorët, shtëpitë e tyre ishin të përmbytura nga uji dhe balta./KosovaPress/
Qarkullimi në aksin rrugor Prishtinë – Pejë e respektivisht për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është zhvilluar me vështirësi sot në orët e mëngjesit, si pasojë e reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.
Siç shihet edhe në foto, në këtë segment janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa rruga paraqitet e mbuluar me borë dhe e rrëshqitshme.
Drejtuesit e automjeteve janë detyruar të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, për shkak të kushteve të rënda atmosferike.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe respektim të rregullave të trafikut, sidomos në drejtim të aeroportit, ku fluksi i automjeteve mbetet i lartë gjatë orëve të para të ditës.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës./RTK/
Si pasojë e temperaturave të ulëta dhe kushteve të motit, ngricat dhe bora janë prezente në shumicën e akseve rrugore në vend.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në të gjitha magjistralet që shpijnë drejt pikave të kalimit kufitar është evidentuar borë dhe akull, ndërsa mjegull dhe rrëshqitje dheu nuk janë raportuar.
Pavarësisht kushteve të vështira, të gjitha pikat kufitare mbesin të kalueshme.
Megjithatë, në disa segmente qarkullimi zhvillohet me vështirësi, ndërsa në aksin Pejë-Kullë qarkullimi lejohet vetëm për automjete të vogla.
Situata më e ndjeshme paraqitet edhe në magjistralen Prishtinë–Mutivodë, ku rruga është e kalueshme, por me vështirësi për shkak të ngricave.
Ndërkohë, parashikimi i motit për të dielën tregon se temperaturat do të mbesin në vlera negative.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra për sekondë.
Autoritetet u rekomandojnë ngasësve të mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe të përdorin pajisje dimërore, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë orëve të mëngjesit dhe të natës. /Telegrafi/
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Qarku i Gjirokastrës është ndër zonat më të goditura nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, tri ditë më parë ndodhi një shkarje masive e dherave që bllokoi qarkullimin e mjeteve.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli inspektoi sot situatën në terren dhe bëri të ditur se, pas ndërhyrjes së menjëhershme së ARRSH dhe kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes, qarkullimi i mjeteve është rikthyer me një kah, për shkak se rreshqitja vazhdon të jetë aktive dhe paraqet rrezik.
Shkaku i kësaj situate janë reshjet intensive dhe erozioni i tokës.
Kozeli bëri të ditur se, ARRSH dhe kontraktori do të mbajnë nën monitorim të plotë dhe janë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo kohë që paraqitet nevoja, deri në normalizimin e plotë të situatës, për të eliminuar çdo rrezik për qytetarët.
Kozeli bëri të ditur se, menjëherë pas përmirësimit të situatës ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, duke siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurt për qarkullimin.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Bashkia e Himarës informoi sot se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në aksin rrugor Himarë- Vuno në vendin e quajtur Vishë janë konstatuar gurë të rënë në rrugë.
Bashkia e Himarës informoi sot se rruga është e hapur dhe qarkullimi po organizohet nga Policia Rrugore.
Bashkia i bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes maksimal të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe të zbatojnë udhëzimet e Policisë Rrugore.
Banorët që nuk e kanë të domosdoshme lëvizjen me automjete në këto momente janë të ulur ta shmangin atë.
Prej ditës së djeshme Parku Kombëtar i Llogorasë është mbuluar nga reshjet e borës. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se rruga për në Parkun e Llogarasë është plotësisht e hapur për të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt këtij destinacioni. “Rruga për në Parkun e Llogarasë është plotësisht e hapur për të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt këtij destinacioni, gjatë fundjavës…
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut duke sjellë rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trup të rrugës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se reshje dëbore ka pasur në zonën veriore, në lartësi mbi 1100 m, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë.
Akset që kanë pasur probleme: Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës.
Valare-Erind-Çajup (km 7+600): rrëshqitje aktive, aksi i bllokuar në këtë vend po punohet për hapjen.
Në aksin Korçë-Dardhë (km 9+00) ka shkarje anësore e trupit të rrugës, situata po monitorohet. Në aksin Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit): shkarje masive aktive, zgjerim i çarjes rreth 10 cm. Në rrugën Librazhd-Qafë Thanë: rrëshqitje dherash, pastrimi në proces.
Ndërsa në Skuraj-Peshkopi ka rënie gurësh dhe inertesh, pastrim nga grupet e punës. Në Dushaj-Lekbibaj: rënie masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit, qarkullimi vijon me kujdes.
Në Shkalla e Zezë (Gjirokastër) ka rrugë njëkalimshme dhe, kërkohet vëmendje e shtuar nga drejtuesit e mjeteve. Në Llogora ka mjegull të dendur.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve rrugore.
TIRANË, 10 janar/ATSH/-Në zonën e Matogjinit të Bashkisë së Selenicës është shkëputur një pjesë mali duke shfaqur problematika në aksesin rrugor drejt lagjes Bashaj.
Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se aksesi është i bllokuar për lëvizje me automjete dhe se banorët janë jashtë rrezikut.
Në njoftim sqarohet se autoritetet vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit janë në komunikim të vazhdueshëm me banorët.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në bashkëpunim me Repartin e Xhenios, po merr masat e nevojshme për mbështetje dhe ndërhyrje në terren, me qëllim normalizimin e situatës dhe rikthimin e lëvizshmërisë.
TIRANË, 9 janar/ATSH/ Rruga Bogë–Theth vijon të jetë e kalueshme, pavarësisht reshjeve të dëborës në këtë zonë malore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks rrugor, ku po punohet në vijimësi për të garantuar qarkullim pa probleme.
“Gatishmëri maksimale në aksin Bogë–Theth. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ndërhyrjet do të vijojnë sipas nevojës, për të garantuar lëvizje të sigurt për banorët dhe vizitorët”, u shpreh Rama.
Moti i keq me reshje intensive shiu dhe bore ka përfshirë vendin prej disa ditësh. Situata ka shkaktuar rritje të prurjeve në lumenj duke përmbytur mbi 13 mijë ha tokë bujqësore.
Ndërkohë në zonat malore po punohet në vijimësi për pastrimin e akseve rrugore nga bora dhe sigurimin e qarkullimit normal.
TIRANË, 8 janar/ATSH/ Qarkullimi i automjeteve është ndaluar në rrugën Përmet-Çarshovë, pranë vendit të quajtur “Ura e Petranit”, për shkak të çarjes së karrexhatës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, bëri të ditur për ATSH-në se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
“Në terren ndodhen strukturat e Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për rikthimin e normalitetit në këtë segment rrugor”, tha ajo.
Hoxha u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin kalimin në këtë rrugë deri në njoftim të mëtejshëm dhe të ndjekin informacionet zyrtare për zhvillimet.
Ky aks rrugor lidh dy njësi administrative të bashkisë Përmet, Petranin dhe Çarshovën, dhe ka rëndësi të veçantë pasi siguron lidhjen e Përmetit me Korçën. /j.p/