Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 March 2026Main stream

Deklarata e re e Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatës, afati i dorëzimit deri më 31 mars


TIRANË, 9 mars/ATSH/ Bizneset në vend kanë afat deri më 31 mars për të dorëzuar Deklaratën e Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatës (TAK), sipas formularit të ri që ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti.

Administrata tatimore bën të ditur se deklarata e re sjell një strukturë më të detajuar raportimi, duke synuar rritjen e transparencës në deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të subjekteve.

Formulari përfshin më shumë elemente raportimi financiar, duke kërkuar nga bizneset një paraqitje më të plotë të aktivitetit të tyre ekonomik.

Sipas administratës, ndryshimet në deklaratë lidhen me pasqyrimin më të detajuar të të ardhurave, shpenzimeve dhe kategorive të tjera financiare, çka pritet të përmirësojë saktësinë e deklarimeve dhe analizën e të dhënave nga autoritetet tatimore. /j.p/

The post Deklarata e re e Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatës, afati i dorëzimit deri më 31 mars appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 March 2026Main stream

Yzeiraj takim me përfaqësues të disa institucioneve financiare: Rritje e besimit tek ekonomia shqiptare

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke u reflektuar në praninë e tyre jo vetëm në Eurobondet e vendit, por edhe në ankandet e borxhit publik në monedhën kombëtare.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, priti sot një delegacion me përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare bankare dhe të investimit, mes tyre edhe Bank of America, Wellington Management, Franklin Templeton, Janus Henderson Investors dhe Degroof Petercam.

Gjatë takimit u vlerësua rritja e besimit të tregjeve financiare ndërkombëtare ndaj ekonomisë shqiptare, e mbështetur nga stabiliteti makroekonomik, reformat e ndërmarra dhe perspektiva evropiane e Shqipëria.

“Prania e institucioneve të tilla globale konsiderohet një sinjal pozitiv për konsolidimin e ekonomisë shqiptare dhe për rritjen e interesit të investitorëve të huaj për tregun financiar të vendit”, u shpreh Yzeiraj. /j.p/

The post Yzeiraj takim me përfaqësues të disa institucioneve financiare: Rritje e besimit tek ekonomia shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla në Bruksel: Progres në përthithjen e fondeve të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi në Bruksel një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Drejtorisë së Bujqësisë në Komisionin Europian, Elisabet Werner.

Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në përthithjen e fondeve europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin efektiv të programit IPARD III.

Në takim u vlerësua ecuria pozitive e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me këtë program, i cili krijon më shumë mundësi financimi për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.

“Rritja e aksesit në fondet e Bashkimit Europian dhe modernizimi i sektorit bujqësor mbeten ndër prioritetet kryesore në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë”, u shpreh Salla. /j.p/

1 nga 3

The post Salla në Bruksel: Progres në përthithjen e fondeve të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKPA: Mbi 13 mijë gra të punësuara gjatë vitit 2025

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) vijon të mbështesë fuqizimin ekonomik të vajzave dhe grave përmes programeve të punësimit dhe formimit profesional, duke krijuar mundësi të reja për integrimin e tyre në tregun e punës.

Sipas të dhënave të AKPA-s, gjatë vitit 2025 janë punësuar 13 308 vajza dhe gra, të regjistruara pranë zyrave të punës në të gjithë vendin.

Po ashtu, 7296 vajza dhe gra kanë ndjekur kurse dhe programe trajnimi profesional, me qëllim përmirësimin e aftësive dhe përshtatjen me kërkesat e tregut të punës.

Ndërkohë, përmes programeve të nxitjes së punësimit me subvencion, janë punësuar 2 825 vajza dhe gra, duke përfituar nga mbështetja financiare dhe lehtësitë që shteti ofron për bizneset që zgjedhin të punësojnë gra.

Përmes programit të vetëpunësimit, 177 vajza dhe gra kanë krijuar bizneset e tyre, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mundësive të reja të punësimit.

AKPA thekson se do të vijojë mbështetjen për vajzat dhe gratë përmes programeve të aftësimit profesional dhe politikave aktive të punësimit, me synimin për të rritur pjesëmarrjen. /j.p/

1 nga 4

The post AKPA: Mbi 13 mijë gra të punësuara gjatë vitit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mediu: GJKKO lejon zhvillimin e një procesi të gjykuar për “Gërdecin”

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi sot se procesi gjyqësor ndaj tij për çështjen e shpërthimit të Gërdecit është i pavlefshëm, ndërsa akuzoi drejtësinë se prej 18 vitesh është përballur me hetime dhe procese të vazhdueshme pa prova që e lidhin me ngjarjen.

Në një konferencë për mediet në Tiranë, Mediu u shpreh se hetimet e kryera nga Prokuroria dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk kanë gjetur asnjë provë që e implikon në korrupsion apo në shpërthimin tragjik.

Sipas tij, hetimet kanë përfshirë edhe familjarët e tij dhe aspekte private e shëndetësore.

“Prokuroria dhe SPAK më kanë hetuar mua dhe familjarët e mi në çdo aspekt 360 gradë. Është provuar përfundimisht se nuk kam qenë i përfshirë në asnjë akt korrupsioni”, u shpreh Mediu.

Mediu bëri të ditur se gjatë 18 viteve të fundit janë zhvilluar mbi 10 procese gjyqësore lidhur me këtë çështje, pa një vendim që të dëshmojë se ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Në çdo veprim që kam kryer kam vlerësuar propozimet e shtabit dhe strukturave më të larta ushtarake, ashtu siç ma kërkonte ligji”, tha ai.

Kreu i Partisë Republikane shtoi se SPAK e ka dërguar çështjen e tij formalisht në gjykatë dhe e cilësoi periudhën 18-vjeçare si një proces “persekutimi nga drejtësia”. /j.p/

The post Mediu: GJKKO lejon zhvillimin e një procesi të gjykuar për “Gërdecin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: PD do ta ketë përparësi absolute arsimin

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Në një takim me Departamentin e Arsimit në PD, ku morën pjesë dhe pedagogë, mësues dhe sindikalistë me rastin e Ditë së Mësuesit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, u shpreh se, arsimi do të jetë përparësi absolute për demokratët, duke e cilësuar gjendjen e sistemit arsimor si një krizë të thellë kombëtare.

Në fjalën e tij, Berisha shprehu fillimisht mirënjohje për misionin e mësuesve dhe pedagogëve, duke theksuar se misioni i tyre është i një rëndësie përcaktuese më shumë se çdo mision tjetër për të ardhmen e një kombi.

Ai vlerësoi figurën e mësuesit si një “misionar të vërtetë të kombit” ndërsa shtoi se pikërisht për këtë arsye arsimi duhet të jetë prioritet absolut i politikave shtetërore.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u ndal te problematikat që, sipas tij, kanë sjellë degradimin e sistemit arsimor në vitet e fundit.

Ai foli për një ‘krizë të jashtëzakonshme të sistemit arsimor’ dhe për një “rrokullisje të këtij sistemi shumë më të madhe se ajo që shohim në rrugë dhe urat e ndërtuara nga kjo qeveri”.

Sipas tij, disa vendime të ndërmarra në sektorin e arsimit kanë pasur pasoja të rënda për zhvillimin akademik dhe kërkimin shkencor në vend.

Në këtë kuadër, ai kritikoi ashpër bllokimin e doktoraturave në universitete, duke deklaruar se “nuk mund të ketë akt më antikombëtar sesa të bllokosh me një urdhër doktoraturat në universitete”.

Një tjetër element të rëndësishëm që theksoi lideri i opozitës ishte rënia e rezultateve të arsimit shqiptar në vlerësimet ndërkombëtare.

Duke iu referuar testimit ndërkombëtar PISA (Programme for International Student Assessment), Berisha deklaroi se Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme në renditje, duke e cilësuar këtë si një tregues alarmant për gjendjen e arsimit. Sipas tij, kjo rënie duhet të shërbejë si një sinjal për të ndërmarrë reforma të thella dhe për të ndërtuar një platformë të re zhvillimi për arsimin.

Në këtë kontekst, kryetari i PD-së Sali Berisha theksoi se arsimi do të jetë prioritet absolut për opozitën në të ardhmen.

“PD e shpalli arsimin përparësi absolute dhe ai duhet të jetë procesi më serioz i një kombi” deklaroi Berisha, duke shtuar se rindërtimi i vendit duhet të nisë pikërisht nga sistemi arsimor. Sipas tij, një nga hapat e parë duhet të jetë rikthimi i mësuesit në një pozicion të respektuar në shoqëri dhe përmirësimi i kushteve financiare dhe profesionale për ta. ‘Do ta nisim përsëri me mësuesin duke e vendosur atë në piedestalin që meriton”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Berisha gjatë fjalës së tij, iu drejtua veçanërisht intelektualëve, studentëve dhe pedagogëve, duke i ftuar ata të kenë një rol aktiv në mbrojtjen e interesit publik. Sipas tij, thelbi i rolit të intelektualit është të mos bëhet pjesë e “shumicës së heshtur”.

Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe protestë paqësore, duke theksuar se sipas tij ndryshimi politik dhe përmirësimi i situatës në vend kërkon angazhimin e gjerë të shoqërisë, veçanërisht të studentëve dhe të rinjve.

“Nxënësit dhe studentët duhet të jenë në ballë të kësaj lëvizjeje”, deklaroi Berisha. /j.p/

 

The post Berisha: PD do ta ketë përparësi absolute arsimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensionet në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas me pakicë arrin 185 lekë për litër

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Çmimi i naftës në tregun me pakicë në vend ka shënuar rritje të ndjeshme ditët e fundit, duke arritur deri në 185 lekë për litër, si pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe luftës në Lindjen e Mesme, që ka ndikuar në rritjen e çmimeve ndërkombëtare të naftës.

Sipas vëzhgimeve në terren, operatorët kryesorë të karburanteve në Tiranë kanë shënuar çmime midis 182 dhe 185 lekë për litër, nga 168–175 lekë që ishte niveli para nisjes së konfliktit. Benzina ka shënuar gjithashtu rritje, duke arritur deri në 188 lekë për litër, ndërsa çmimi i gazit varion midis 57 dhe 62 lekë për litër.

Ekspertët shpjegojnë se kjo rritje lidhet me pasigurinë në furnizim dhe transportin e karburanteve, që ka ndikuar drejtpërdrejt në bursat globale të naftës.

Rritja e çmimeve ka sjellë reagime edhe nga autoritetet e tregut. Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve për të vlerësuar lëvizjet e çmimeve në pikat e shitjes me pakicë dhe ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë në kostot për konsumatorët. /j.p/

1 nga 5

The post Tensionet në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas me pakicë arrin 185 lekë për litër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogana Shqiptare, pjesë e sesionit të Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të OBD

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Dogana Shqiptare mori pjesë në Bruksel në sesionin e radhës të Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të organizuar nga Organizata Botërore e Doganave, një forum i rëndësishëm ku administratat doganore nga e gjithë bota shkëmbejnë përvoja dhe diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushën e modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Gjatë këtij sesioni, përfaqësues të administratave doganore dhe partnerëve ndërkombëtarë diskutuan mbi mënyrat për të rritur efektivitetin e programeve të ndërtimit të kapaciteteve dhe për të siguruar që reformat dhe iniciativat në këtë fushë të prodhojnë rezultate të qëndrueshme dhe të matshme.

Një nga temat kryesore ishte integrimi i mekanizmave të matjes së performancës në proceset e zhvillimit institucional, me qëllim rritjen e transparencës dhe ndikimit të këtyre programeve.

Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu rëndësia e komunikimit të qartë dhe efektiv të rezultateve të arritura, si një element kyç për forcimin e besimit institucional, angazhimin e partnerëve dhe rritjen e besueshmërisë së administratave doganore.

Sesioni trajtoi edhe progresin në zbatimin e modelit të ri të ndërtimit të kapaciteteve të OBD, e cila synon të rrisë efektivitetin e mbështetjes që organizata u ofron administratave anëtare përmes qasjeve më të strukturuara, të matshme dhe të orientuara drejt rezultateve.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte promovimi i barazisë gjinore dhe diversitetit në administratat doganore, si faktorë që kontribuojnë në zhvillimin e organizatave më gjithëpërfshirëse dhe më efikase.

Pjesëmarrja e Doganës Shqiptare në këtë sesion përbën një mundësi të rëndësishme për të ndjekur nga afër praktikat më të mira ndërkombëtare, për të forcuar bashkëpunimin me administrata të tjera dhe për të mbështetur proceset e vazhdueshme të modernizimit të administratës doganore në vend. /j.p/

1 nga 2

The post Dogana Shqiptare, pjesë e sesionit të Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të OBD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

7 Marsi, Lamallari falënderon mësuesit dhe pedagogët e Akademisë së Sigurisë

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Me rastin e 7 Marsit, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë mësuesit në vend, të cilët me përkushtim dhe durim formojnë brezat e rinj dhe kontribuojnë në ndërtimin e të ardhmes së Shqipërisë.

Në mesazhin e tij, ministri Lamallari përcolli një falënderim të veçantë për pedagogët e Akademisë së Sigurisë, të cilët përgatisin profesionalisht gjeneratat e reja të Policisë së Shtetit.

“Me kontributin tuaj të çmuar në këtë institucion arsimor, Shqipëria fiton çdo ditë profesionistë edhe më të përkushtuar për sigurinë dhe rendin publik. Puna juaj është e pazëvendësueshme! Faleminderit për misionin fisnik që mbani mbi supe çdo ditë. Gëzuar 7 Marsin!”, u shpreh Lamallari.

The post 7 Marsi, Lamallari falënderon mësuesit dhe pedagogët e Akademisë së Sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vizitë e veçantë e grupit të fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” në Tiranë

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Me rastin e kremtimit të 7 Marsit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme priti grupin e fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” nga Manastiri, në Maqedoninë e Veriut. Kjo vizitë e veçantë synon të forcojë lidhjet kulturore dhe gjuhësore me komunitetin shqiptar në rajon.

Manastiri ka një domethënie të veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi aty u mbajt Kongresi i Manastirit, moment historik që bashkoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe forcoi themelet e identitetit kombëtar.

Të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre, fëmijët u mirëpritën nga kryeministri Edi Rama në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), si dhe nga zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Vilma Premti, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit Oriana Osmani dhe ambasadori Denion Mejdani.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ata vizituan shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria”, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta me nxënësit e shkollës, duke ndarë përvoja dhe duke krijuar miqësi të reja. Programi vijoi me aktivitete kulturore në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe përfundoi me një vizitë në Teatrin e Ri të Kukullave.

Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezat e rinj të komunitetit shqiptar në rajon. /j.p/

The post Vizitë e veçantë e grupit të fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi uron Ditën e Mësuesit: Mirënjohje për ata që formësojnë brezat e rinj


TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, uroi sot të gjithë mësuesit dhe pedagogët shqiptarë me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj.

Kryetari Peleshi përcolli një reflektim të pedagoges së Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Belfjore Qose, mbi rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në shoqëri.

Ajo uroi të gjithë arsimtarët me rastin e kësaj dite të veçantë, duke theksuar se ka besuar gjithmonë se arsimi ka fuqinë të ndryshojë jetët e njerëzve përtej klisheve me të cilat shpesh përshkruhet profesioni i mësuesit.

Sipas saj, mësuesia është një profesion dinjitoz që nuk synon vetëm të transmetojë dije, por edhe të ndihmojë nxënësit të zbulojnë potencialin e tyre dhe të gjejnë rrugën e tyre në jetë.

“Kam besuar gjithmonë se arsimi mund të ndryshojë jetët e njerëzve përtej klisheve me të cilat shoqëria shpesh përpiqet ta shndërrojë mësuesinë në një mision. Në të vërtetë, ai është një profesion dinjitoz që nuk synon vetëm t’u mësojë nxënësve si ta shohin jetën, por t’u japë atyre lirinë për të zbuluar potencialet e tyre të vërteta”, u shpreh pedagogia Belfjore Qose.

Duke kujtuar përvojën personale, Qose vlerësoi rolin vendimtar që pati mësuesja e saj e letërsisë në orientimin drejt studimit të kësaj fushe dhe në përcaktimin e së ardhmes së saj profesionale.

Ajo theksoi gjithashtu se mësuesit janë ata që nuk e mbyllin kurrë ditën e tyre me përfundimin e orarit mësimor, pasi përkushtimi ndaj nxënësve dhe arsimit shkon përtej klasës.

Sipas Qoses, edhe pse sot profesionet e lidhura me humanitetin përballen me sfida, ato do të vijojnë të mbeten thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.

Dita e Mësuesit është një simbol mirënjohjeje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e mësuesve, të cilët çdo ditë përcjellin dije, formësojnë vlera dhe frymëzojnë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë për të ndërtuar themelet e së ardhmes. /j.p/

The post Peleshi uron Ditën e Mësuesit: Mirënjohje për ata që formësojnë brezat e rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dilema e Ismailit”, një rrëfim kinematografik mbi besën shqiptare

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Filmi “Dilema e Ismailit”, një vepër kinematografike e bazuar në një histori të vërtetë nga zona e Shëngjergjit në Tiranë, u shfaq premierën duke sjellë në ekran një rrëfim prekës mbi besën shqiptare, humanizmin dhe guximin në një nga periudhat më të errëta të historisë.

I pranishëm në premierën e filmit ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi filmin si një dëshmi të rëndësishme të vlerave shqiptare.

Sipas tij, filmi përcjell një mesazh të fortë për besën shqiptare dhe solidaritetin njerëzor në kohë të vështira, duke sjellë në vëmendje historinë e një familjeje shqiptare që mbrojti dy miq hebrenj, duke respektuar besën e dhënë dhe duke zgjedhur të qëndrojë në anën e dinjitetit njerëzor, pavarësisht rrezikut dhe pasojave të rënda.

Filmi “Dilema e Ismailit” sjell në ekran sakrificën dhe kurajën e kësaj familjeje, duke rikujtuar një kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare dhe të vlerave të saj humane.

Në rolin e Ismailit interpreton aktori i njohur ndërkombëtar Arben Bajraktaraj, ndërsa skenari dhe regjia mbajnë firmën e Dhimitër Ismailajt dhe Valona Ismailajt.

Kjo vepër kinematografike synon të sjellë në vëmendje historitë e panjohura të solidaritetit dhe guximit të shqiptarëve, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm mbi humanizmin dhe respektin për jetën njerëzore. /j.p/

The post “Dilema e Ismailit”, një rrëfim kinematografik mbi besën shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron 7 Marsin me fëmijët shqiptarë nga Manastiri

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot festën e 7 Marsit, Ditën e Mësuesit, duke ndarë një mesazh të veçantë së bashku me fëmijë shqiptarë nga Manastir.

Rama theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si një urë që lidh shqiptarët kudo që ndodhen, ndërsa vlerësoi energjinë dhe entuziazmin e fëmijëve që mësojnë dhe ruajnë gjuhën dhe traditat shqiptare dhe rolin e rëndësishëm të arsimit në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj gëzuar 7 Marsin”, u shpreh Rama.

7 Marsi shënon Ditën e Mësuesit në Shqipëri, një festë kushtuar figurës së mësuesit dhe kontributit të tyre në arsimimin dhe formimin e brezave. /j.p/

The post Rama uron 7 Marsin me fëmijët shqiptarë nga Manastiri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria bëhet” rikthen çadrën para Kryeministrisë, përplasje me policinë

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vendosi sërish këtë mbrëmje një çadër proteste para godinës së Kryeministrisë, ndërsa gjatë veprimeve për vendosjen e saj u shënuan përplasje mes mbështetësve të tij dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Lapaj paralajmëroi se përpara godinës së Kryeministrisë do të vendosen edhe çadra të tjera në vijim, si pjesë e protestës së nisur nga mbështetësit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Policia e Shtetit ndërhyri për të larguar çadrën e vendosur nga protestuesit, ndërsa situata u shoqërua me tensione dhe përplasje mes palëve.

Në ditët e para të kësaj proteste, policia kishte sekuestruar çadrat që protestuesit vendosën para godinës së Kryeministrisë, duke argumentuar se vendosja e tyre ishte në kundërshtim me rregullat për përdorimin e hapësirave publike.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Lapaj u shpreh se prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal lidhur me çështjen e çadrave.

Sipas tij, ky vendim i jep të drejtë lëvizjes “Shqipëria Bëhet” që të vendosë sërish çadra në shenjë proteste para Kryeministrisë.

Protesta e mbështetësve të kësaj lëvizjeje po zhvillohet prej disa ditësh përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

/r.e/a.f/

The post “Shqipëria bëhet” rikthen çadrën para Kryeministrisë, përplasje me policinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Xhamia e Et’hem Beut në muajin e shenjtë të Ramazanit

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazani.

Xhamia e Et’hem Beut është një nga objektet më të njohura të kultit dhe monumentet më të rëndësishme historike të kryeqytetit, e cila prej vitesh përfaqëson një simbol të trashëgimisë kulturore dhe fetare të vendit.

Gjatë muajit të Ramazanit, xhamitë në të gjithë vendin frekuentohen nga besimtarët për faljet dhe aktivitetet fetare, ndërsa kjo periudhë konsiderohet një kohë reflektimi, solidariteti dhe përkushtimi shpirtëror.

/r.e/a.f/

The post Rama ndan pamje nga Xhamia e Et’hem Beut në muajin e shenjtë të Ramazanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Luiza Marku drejtuesja e re e komanduar e DRAKU-së Lezhë

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Gjylameti, prezantoi sot drejtuesen e re të komanduar të Drejtorisë Rajonale Lezhë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së standardeve të kontrollit zyrtar dhe forcimit të zbatimit të procedurave standarde operacionale në terren.

Gjatë takimit me stafin e drejtorisë rajonale, Gjylameti u ndal te nevoja për një angazhim të unifikuar teknik dhe profesional nga të gjitha strukturat e institucionit, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit në procesin e inspektimeve.

Ajo theksoi se zbatimi me rigorozitet i procedurave dhe standardeve të kontrollit përbën një element kyç për forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore në vend.

Sipas saj, ky proces kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm institucional dhe profesional, për të siguruar mbrojtjen e plotë të konsumatorit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore që lidhen me sigurinë ushqimore.

Drejtuesja e AKU-së nënvizoi se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve përgjegjëse, duke e konsideruar atë një komponent të rëndësishëm të sigurisë kombëtare.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Luiza Marku drejtuesja e re e komanduar e DRAKU-së Lezhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvillohet turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamet Malo 2026” me pjesëmarrjen e 43 shteteve

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Turneu ndërkombëtar i mundjes Ranking Series “Muhamet Malo” 2026 u zhvillua në datat 25 shkurt – 1 mars në Tiranë, duke u konfirmuar si një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar të mundjes për këtë sezon sportiv.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se turneu mblodhi në kryeqytetin shqiptar sportistë dhe delegacione nga e gjithë bota, duke e kthyer Tiranën në një qendër të rëndësishme të sportit ndërkombëtar gjatë këtyre ditëve.

Sipas tij, me pjesëmarrjen e 43 shteteve dhe mbi 750 pjesëtarëve të delegacioneve, përfshirë trajnerë, sportistë elitarë dhe staf teknik, turneu ofroi përballje të nivelit të lartë dhe emocione të forta sportive.

“Ky aktivitet është një dëshmi e rritjes së rolit të Shqipërisë në organizimin e eventeve ndërkombëtare sportive dhe një mundësi e mirë për promovimin e vendit tonë përmes sportit”, theksoi Gonxhja.

Turneu Ranking Series “Muhamet Malo” është pjesë e serisë së eventeve të rëndësishme ndërkombëtare të mundjes, që kontribuojnë në renditjen botërore të sportistëve dhe shërbejnë si përgatitje për garat më të mëdha të këtij sporti.

Organizimi i këtij aktiviteti në Tiranë u vlerësua nga pjesëmarrësit dhe federatat ndërkombëtare si një event i realizuar me standarde të larta organizative, duke sjellë një atmosferë konkurruese dhe profesionale.

Eventi gjithashtu pati ndikim pozitiv në promovimin e sportit të mundjes në vend.

/r.e/a.f/

The post Zhvillohet turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamet Malo 2026” me pjesëmarrjen e 43 shteteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy valle myzeqare shpallen vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Dy valle të traditës myzeqare, Vallja e Ngjalës dhe Vallja Dyshe Myzeqare, janë përfshirë në listën e vlerave kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Përfshirja e tyre u bë pas një pune 6-mujore për plotësimin e dokumentacionit përkatës, ndërsa tashmë vëmendja do të përqendrohet në ruajtjen e këtyre valleve dhe në përcjelljen e tyre te brezat e rinj.

Historiani Niko Ferro theksoi se vallja dyshe myzeqare është ndër vallet më të ndërlikuara të kësaj treve.

Sipas tij, ajo përfshin mbi 200 elemente lëvizjeje dhe kërkon përgatitje të gjatë për t’u interpretuar.

Ai nënvizoi gjithashtu se edhe vallja rituale e Ngjalës është shumë e vjetër dhe karakterizohet nga një strukturë e veçantë koreografike, me lëvizje majtas-djathtas dhe formacione gjysmërrethore.

“Këto tashmë janë pasuri jo vetëm e Myzeqesë, por e gjithë trashëgimisë sonë kombëtare. Merita e veçantë është se Bashkia Lushnjë punoi për të mos lejuar humbjen e tyre”, u shpreh Ferro.

Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa bëri të ditur se puna do të vijojë për të çuar përpara nismën që këto valle të njihen edhe në nivel ndërkombëtar.

“Në vargun e krenarive të trashëgimisë kulturore që ne kemi, tani kemi pjesë edhe këto dy valle. Bashkia nuk do të ndalet me kaq, pasi do të vazhdojmë përpjekjet që ato të përfshihen edhe në listat e UNESCO”, tha Sefa.

Vallja e Ngjalës dhe Vallja Dyshe Myzeqare interpretohen kryesisht në zonat e Lushnjës, Divjakës dhe Fierit, ndërsa sipas studiuesve ato kanë rrënjë të hershme që lidhen me traditat ilire.

/a.f/r.e/

The post Dy valle myzeqare shpallen vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia e Shkencave përkujton akademikun Bahri Beci në 90-vjetorin e lindjes

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Bahri Beci (1936-2023), studiues i shquar i gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave zhvilloi sot një veprimtari përkujtimore në nder të jetës dhe kontributit të tij shkencor.

Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe letërsisë pranë ASHSH-së.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Vasil Tole, vlerësoi figurën dhe kontributin e akademikut Beci në studimet albanologjike dhe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë së tij shkencore, duke e cilësuar Becin jo vetëm si një studiues të shquar të shqipes, por edhe si një ambasador të saj në hapësirën europiane.

Sipas Toles, botimet e tij në gjuhë të huaja kanë pasuruar bibliografinë gjuhësore të shqipes dhe kanë zgjeruar praninë e saj në auditorin akademik ndërkombëtar. Ai u ndal gjithashtu te kontributi i veçantë i Becit në studimin dhe standardizimin e gjuhës letrare, duke përmendur veprat “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” dhe “Historia e standardizimit të shqipes: politika dhe planifikimi gjuhësor në Shqipëri”.

Në këtë veprimtari përshëndeti edhe profesori Tomorr Plangarica, i cili vlerësoi rolin e akademikut Beci në zhvillimin dhe institucionalizimin e studimeve gjuhësore në Shqipëri. Ai theksoi se përmes studimeve të tij, Beci ka dhënë kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme të gjuhësisë, si dialektologjia e shqipes, politika dhe planifikimi gjuhësor, standardizimi i gjuhës dhe norma gjuhësore, si edhe në studimin e variacionit sociolinguistik dhe në mësimdhënien e shqipes si gjuhë amtare dhe për të huajt.

Në vijim, prof. dr. Anila Omari u ndal në mënyrë të veçantë te kontributi i akademikut Beci në studimet e dialekteve të shqipes. Omari theksoi se Beci është marrë që herët me çështjet e historisë së formimit të dialekteve dhe me problemet e lashtësisë së ndarjes dialektore të shqipes, duke përmendur edhe studimet e tij të hershme të viteve ‘60.

Në aktivitet referuan gjithashtu studiuesit Mimoza Kore, Enkelejda Kapia, Plator Gashi, Mimoza Priku, Merita Bruci dhe Valbona Sinanaj, të cilët rikujtuan kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare dhe në promovimin e gjuhës shqipe në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Aktivitetin e përshëndeti edhe vajza e akademikut Bahri Beci, e cila në emër të familjes shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij.

Aktiviteti i organizuar nga Akademia e Shkencave
1 nga 8

/a.f/r.e/

The post Akademia e Shkencave përkujton akademikun Bahri Beci në 90-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: Ritme të larta punimesh në aksin Elbasan-Papër, progresi fizik ka arritur 68%

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në aksin rrugor Elbasan-Papër, një projekt i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe qarkullimit në zonë.

Sipas Kozelit, punimet në lotin 1 po vijojnë me ritme të mira dhe progresi fizik ka arritur rreth 68%.

Segmenti me gjatësi 9.9 kilometra është i ndarë në tre faza dhe nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, lidhet me bajpasin e Elbasan dhe përfundon pranë kryqëzimit të Cërrik, në afërsi të fshatit Valas.

Gjatë inspektimit u bë e ditur se hapja e trasesë ka përfunduar në të tre fazat e projektit, ndërsa aktualisht po vijon vendosja e trarëve në urat e segmentit.

Po ashtu, punimet për mbrojtjen lumore janë drejt përfundimit, ndërkohë që paralelisht po ndërtohen edhe veprat e vogla të artit.

Ky aks rrugor, i cili shtrihet përgjatë luginës së lumit Shkumbin, pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin rrugor dhe lidhjen mes zonave përreth, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe transportin në këtë korridor të rëndësishëm.

Punimet në aksin Elbasan-Paper
1 nga 8
Ami Kozeli, Kreu i ARRSH

/a.f/

The post Kozeli: Ritme të larta punimesh në aksin Elbasan-Papër, progresi fizik ka arritur 68% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌