Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit
TIRANË, 19 janar /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike që nëse deri javën e ardhshme nuk paraqiten në komisionet për reformën zgjedhore dhe territoriale, mazhoranca do t’i bëjë ndryshimet pa PD-në.
Në deklaratën e tij, Balla theksoi se, mazhoranca ka vullnetin për bashkëpunim, por nuk do të lejojë bllokimin e proceseve të rëndësishme për vendin.
“Nëse deri javën e ardhshme nuk vini për reformën zgjedhore dhe territoriale, do t’i bëjmë ndryshimet pa ju. Ne ju ftojmë, por Kuvendi nuk mund të mbetet peng i bojkotit”, u shpreh Balla.
Balla përmendi edhe ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për kryeministrin Edi Rama për t’u përfshirë në një organizëm të ri ndërkombëtar, të cilin e cilësoi si një rol të rëndësishëm dhe të pazakontë për vendin.
“Shqipëria sapo është ftuar të marrë një rol të paimagjinueshëm pak vite më parë. Ftesa e Presidentit Trump, i cili ka ftuar personalisht Kryeministrin Edi Rama dhe përmes tij Republikën e Shqipërisë, është një moment që duhet vlerësuar maksimalisht”, deklaroi Balla.
Sipas tij, Shqipëria është përzgjedhur jo vetëm për shkak të anëtarësimit në NATO, por edhe për shkak të marrëdhënies së besimit mes Kryeministrit Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës për këtë çështje, Balla i cilësoi ato kontradiktore, duke theksuar se kritikat kanë ndryshuar vazhdimisht pas publikimit të ftesës.
Në fund të fjalës së tij, Balla përmendi edhe kalendarin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme vendore pritet të zhvillohen mes datave 15 prill – 15 maj 2027, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme mes 15 prill – 15 maj 2029, çka sipas tij e bën të domosdoshme përmbylljen në kohë të reformave zgjedhore dhe territoriale.
/gj.m/j.p/
The post Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
