Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 28 December 2025Main stream

Mbi 363 mijë qytetarë kanë votuar deri në 13:30, probleme me energjinë në gjashtë komuna

28 December 2025 at 15:40

PRISHTINË, 28 dhjetor/ATSH/- Mbi 363 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 13:30 sipas të dhënave elektronike të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Ndër qytetet ku pjesëmarrja është më e madhe e votueseve është Prishtina.

Procesi i votimit në zgjedhjet e sotme të parakohshme ka vijuar normalisht, tha sot kryetari i KQZ-së, Kresnik Radoniqi.

Megjithatë, ai tha se në gjashtë komuna, Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, janë evidentuar probleme me energji elektrike, por që më pas janë zgjidhur. Për këtë problem, Radoniqi tha se janë në komunikim me KEDS-in, mirëpo nuk e përjashtoi mundësinë që sërish të ketë probleme me energji elektrike.

/KosovaPress/

 

The post Mbi 363 mijë qytetarë kanë votuar deri në 13:30, probleme me energjinë në gjashtë komuna appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova në zgjedhje të parakohshme, qytetarët votojnë sot për Kuvendin e ri

28 December 2025 at 07:20

PRISHTINË, 28 dhjetor/ATSH/ Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme ku mbi 2 milionë qytetarë janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Nê garën e sotme zgjedhore janë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë nga të cilët 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërsa pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19:00.

Numri i qendrave të votimit është 948, ku 910 nga të cilat janë për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu janë edhe 38 qendra votimi me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendnit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit, duke filluar nga dita e hënë.

KQZ ka marrë masa që sot të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 77,086 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.

Viti 2025 në Kosovë nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe mbyllet me votimin e ditës së sotme.

Policia e Kosovës  ka hartuar dhe po zbaton një plan të detajuar operativ për mbarëvajtjen e sigurisë.

Gjithashtu, në këto zgjedhje janë të angazhuar rreth 100 prokurorë. Institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë në terren për vëzhgim, me fokus të veçantë te grupet e margjinalizuara: personat e privuar nga liria, shtëpitë e të moshuarve dhe qendrat integruese.

/KosovaPress/

The post Kosova në zgjedhje të parakohshme, qytetarët votojnë sot për Kuvendin e ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kurti: Një miliard euro për ushtrinë mandatin e ardhshëm

27 December 2025 at 22:28

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/- Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sonte fushatën e saj elektorale, prej nga u bë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për numrin 116.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti u ndal te arritjet e qeverisjes së tij të deritanishme duke thënë se ekonomia shënoi rritje nga 7 në 11 miliardë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashihet të arrijë në 12 miliardë euro.

Ai theksoi se qeveria aktuale ka rritur ekonominë me rreth 1 miliard euro çdo vit, tri herë më shpejt se qeveritë e kaluara, ndërsa punësimi është rritur pesë herë më shpejt.

“Ne e kemi gjetur ekonominë e Kosovës me 7 miliardë, sivjet është 11 miliardë e vitin e ardhshëm 12 miliardë. Kur vjen puna te punësimi jemi pesëfish më shumë më të shpejtë se ata. Kjo rritje e punësimit ka qenë 85 mijë gjithsej apo 24% më i lartë se në vitin 2021”, tha Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se do të ndahet një miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe do të ketë fabrikë municioni.

“Në mandatin e ardhshëm do t’i ndajmë një miliard euro për prodhimtarinë, shteti do të jetë garanci hipotekë për investimet, të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës. Qasja jonë është shumë e thjeshtë, kush punon fiton, kush fiton investon, kush investon punëson dhe kush punëson fiton edhe më shumë. Prandaj një miliard euro për prodhimtarinë. Një miliard euro garanci për kredi në banka.  Ndërmarrësit e Kosovës nuk do të kenë nevojë që në bankat e Kosovës ta lënë hipotekë tokën stërgjyshore apo pasurit e pa luajtshme”, tha ai.

Kurti përmbylli tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin dhe të mbështesin Vetëvendosjen për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për Kosovën. /Kosovapress/

The post Kurti: Një miliard euro për ushtrinë mandatin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hamza apelon për pjesëmarrje në zgjedhje: Çdo votë, vendim për të ardhmen e Kosovës

27 December 2025 at 22:19

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga ku iu bë thirrje qytetarëve për dalje masive në votim.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se fushata zgjedhore ishte e mbushur me energji, ide dhe vizion për zhvillim, me synim hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, të bazuar në unitet, stabilitet dhe dinjitet.

Hamza premtoi rritje me 50% të pagave,  pensioneve dhr dihmave sociale, duke theksuar se pensioni minimal do të jetë 250 euro.

Ai prezantoi edhe masa ekonomike zero për qind të TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike, si dhe ulje të tatimit në të ardhura.

Hamza theksoi se pa unitet nuk ka stabilitet, pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë, dhe pa qeverisje të mirë nuk ka paga më të larta, çmime më të ulëta dhe siguri për familjet.

Hamza tha se gjatë fushatës ka dëgjuar shqetësimet reale të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua, por për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një ri-kapitullim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj… Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani, sepse çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.

Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të dalin masivisht në votim dhe të votojnë numrin 130, duke theksuar se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe të Kosovës.

Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët dhe premtoi se PDK-ja do të sjellë paga më të larta, pensione dinjitoze dhe çmime më të ulëta nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhje./KosovaPress/

The post Hamza apelon për pjesëmarrje në zgjedhje: Çdo votë, vendim për të ardhmen e Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë

27 December 2025 at 22:00

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur në orët e mbrëmjes se ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose  81.29 % nga 19.187 votues të regjistruar.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë. “Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada…Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.

Radoniqi u ka bërë thirrje të gjithë këshillave të vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së gjatë procesit të votimit ditën e nesërme.

“Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, apeloi ai. /KosovaPress/

The post KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha në Kurbin: Me çdo çmim do çlirojmë shqiptarët nga ky regjim

20 December 2025 at 22:28

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sot turin e foltores në Kurbin.

Berisha tha gjatë fjalës së tij  se regjimi aktual i ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e kryeministrit Edi Rama, duke cënuar të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira: ‘Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ai është armik i votës së lirë”, u shpreh ai.

Kreu i PD tha se “ne përmbysëm një diktaturë 35 vite më parë dhe absolutisht do ta përmbysim këtë në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur, më të shpejtë”.

Sipas tij, çdo qytetar shqiptar ka përgjegjësinë dhe të drejtën për të mbrojtur lirinë dhe votën e lirë:

‘Çdo demokrati e demokrate, çdo shqiptari dhe shqiptareje, është koha e guximit tonë… Ne me çdo çmim, me çdo çmim do të çlirojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë’, vijoi Berisha në takimin me demokratët në Kurbin.

Berisha tha se “nga mëngjesi gjer në darkë, gjer sa ta qërojmë këtë regjim, ne do t’i përsërisim vetes, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri… Pas kësaj, çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij do votojë i lirë. Pas kësaj, pasuritë publike do të jenë pasuri të shqiptarëve. Pas kësaj, taksat do përdoren për shqiptarët”.

The post Berisha në Kurbin: Me çdo çmim do çlirojmë shqiptarët nga ky regjim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Transportit të Kanadasë: Nisim menjëherë fluturimet direkte me Shqipërinë

17 December 2025 at 09:20

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/- Ministri i Transportit i Kanadasë dhe kryetar i Qeverisë në Dhomën e Komunave, Steven MacKinnon ka deklaruar se Kanadaja dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje historike për transportin ajror, e cila për herë të parë do të mundësojë fluturime direkte mes dy vendeve.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Transporteve, theksohet se marrëveshja e re me Shqipërinë mundëson që disa linja ajrore do të operojnë fluturime të planifikuara mes dy vendeve duke parashikuar deri në 14 fluturime pasagjerësh në javë për çdo vend.

Sipas marrëveshjes së arritur, do të mundësohen deri në 10 fluturime mallrash në javë si dhe qasje në çdo pikë në territorin e secilit vend. Kompanitë ajrore mund të fillojnë të ofrojnë shërbime menjëherë sipas kësaj marrëveshjeje.

“Kjo marrëveshje e re e transportit ajror me Republikën e Shqipërisë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë të Evropës, do të hapë mundësi të reja ekonomike për të dy vendet tona. Marrëveshja do të forcojë gjithashtu lidhjet tona midis njerëzve dhe do të rrisë lidhshmërinë globale të Kanadasë”, deklaron MacKinnon.

Ministri i Tregtisë Ndërkombëtare të Kanadasë, Maninder Sidhu ka vlerësuar se marrëveshja e Transportit Ajror midis Kanadasë dhe Shqipërisë shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

“Kjo marrëveshje do të përmirësojë lidhjen ajrore, do të krijojë mundësi të reja për turizëm dhe do të nxisë lidhje më të ngushta mes qytetarëve, duke çuar më tej qëllimet e Kanadasë për diversifikimin tregtar. Për Kanadanë, kjo do t’i ndihmojë bizneset tona të hyjnë në një treg në rritje në Evropën Juglindore dhe do të mbështesë eksportuesit tanë ndërsa ata arrijnë klientë të rinj jashtë vendit. Ky partneritet pasqyron angazhimin tonë të vazhdueshëm për zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare dhe ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe reciprokisht të dobishme në të gjithë botën”, ka nënvizuar ministri Sidhu.

Sipas njoftimit zyrtar, eksportet e mallrave kanadeze në Shqipëri arritën në 85 milionë dollarë në vitin 2024.

Shqipëria është destinacioni kryesor i eksportit të mallrave të Kanadasë në vendet e Ballkanit jo-anëtare të BE-së dhe kjo marrëveshje do të lehtësojë fluturimin e parë të drejtpërdrejtë transatlantik të Shqipërisë.

Negocimi i marrëveshjeve të reja të transportit ajror me vende të ndryshme përmirëson më tej lidhjet ajrore të Kanadasë me pjesën tjetër të botës, gjë që promovon diversifikimin tregtar, forcon zinxhirët e furnizimit, nxit turizmin dhe rritjen ekonomike të vendit.

https://www.canada.ca/en/transport-canada/news/2025/12/minister-of-transport-and-leader-of-the-government-in-the-house-of-commons-announces-first-time-air-transport-agreement-with-the-republic-of-albania.html

The post Ministria e Transportit të Kanadasë: Nisim menjëherë fluturimet direkte me Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmanit iu montuan foto me politikanë serbë, Presidenca: Policia të marrë masa

PRISHTINË, 9 dhjetor/ATSH/ Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me një fotografi të manipuluar e cila po qarkullon në rrjetet sociale.

Në reagimin zyrtar theksohet se fotoja e montuar me kryeparlamentaren e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, “është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani”.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja. Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin për mediet.

Presidenca thekson se përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm.

“Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirorganizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës”.

Presidenca i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, “të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”.

/r.e/

The post Osmanit iu montuan foto me politikanë serbë, Presidenca: Policia të marrë masa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Maestro Zhani Ciko feston 80-vjetorin e lindjes, themelues i ansambleve të para të harqeve në Shqipëri

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Zhani Ciko është një prej figurave më të shquara të artit shqiptar, muzikanti, violinisti, dirigjenti dhe drejtuesi që ka lënë gjurmë të mëdha në kulturën tonë kombëtare.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka uruar Mastro Cikon për 80-vjetorin e tij të lindjes.

I lindur në Tiranë më 8 dhjetor 1945, trashëgimtar i një familjeje artistësh dhe djali i ‘Artistit të Merituar’, Mihal Ciko, rrugëtimi i tij fillon që në moshën pesëvjeçare me violinën, instrument i cili do ta udhëhiqte drejt një karriere shembullore në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare.

Që nga vitet e hershme si violinist solist dhe spalë e Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, te misioni i tij si pedagog, drejtues institucionesh dhe themelues i ansambleve të para të harqeve në Shqipëri, Zhani Ciko ka formësuar breza të tërë artistësh dhe ka ngritur standardet e muzikës profesioniste shqiptare.

Në moshën 25-vjeçare ai u emërua Drejtor Artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa më pas vijoi punën si pedagog, drejtues i Liceut Artistik “Jordan Misja”, themelues vizionar, dirigjent dhe udhëheqës i disa prej ansambleve dhe orkestrave më të rëndësishme të vendit.

Si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH-së (1989–2003) dhe më pas Drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit (2003–2013), ai realizoi qindra koncerte, turne kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe bashkëpunime me teatrot më prestigjiozë të Europës dhe botës, duke i dhënë Shqipërisë një prezencë të re kulturore në skenën globale.

Nën drejtimin e tij u krijuan dhe interpretuan dhjetëra produksione të reja, mes tyre dhe vepra shqiptare të autorëve më të rëndësishëm: Opera “Dhoma”, “Një jetë në stuhi”, “Borana”, “Jeta është ëndërr”, “Lulja e Kujtimit”, “Skënderbeu” Baleti “Migjeniana”, “Lumi i Vdekur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Delina”, “Caravaggio”, “Zorba”, “Arrëthyesi” si dhe një repertor i gjerë veprash botërore, nga Verdi, Puccini, Mozart, Donizetti, Bizet, Strauss, Bellini, Gershëin, Giordano, Offenbach e deri te Ëagner.

Nën drejtimin e tij artistik erdhën në jetë 20 produksione të reja dhe 55 premiera operistike e baleti.

Me orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe ansamblin AMRA, Zhani Ciko fitoi çmime të para dhe vlerësime europiane, mes tyre Çmimi i Parë dhe Çmimi i Madh i Bashkisë së Vjenës në Festivalin Botëror “Vienna 2000”,  Summa Cum Laude në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Belgjikë dhe  Çmimi i Parë për orkestrën “Virtuozët e Rinj të Tiranës” dhe Çmimi i Madh si dirigjent në Festivalin Europian të Hungarisë

Ciko gjithashtu ka qenë disa herë fitues si violinist solist në “Koncertet e Majit”.

Për veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, Zhani Ciko është nderuar me titujt të lartë kombëtarë dhe ndërkombëtarë: “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë,  “Kryqi i Nderit për Shkencën dhe Artin” – nga Presidenti i Austrisë, “Kalorës i Artit dhe Letrave” – nga Ministria e Kulturës së Francës, “Ylli i Artë Akademik” – nga Akademia Ndërkombëtare “Imperialis”, Itali, Nderi i Qytetit të Durrësit, Nderi i Qytetit të Patosit ku gjithashtu shkolla e mesme mban emrin e tij (Shkolla e mesme “Zhani Ciko” Patos.) si dhe Urdhëri “Naim Frashëri”.

Ai ka qenë gjithashtu kryetar dhe anëtar i dhjetëra jurive ndërkombëtare në Itali, Francë, Belgjikë, Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri, si edhe kryetar i Shoqatës “Frederik Shopen” dhe anëtar i shoqatave të shumta kulturore gjithashtu tashmë edhe President i Bordit të TKOBAP-së.

TKOBAP e falënderon Mastro Zhani Ciko për kontributin e madh në artin shqiptar, për vizionin, pasionin dhe përkushtimin me të cilin ka formuar breza të tërë artistësh e ka lartësuar kulturën tonë kombëtare. /a.g/

The post Maestro Zhani Ciko feston 80-vjetorin e lindjes, themelues i ansambleve të para të harqeve në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sinjalizuesit, arma më e fortë kundër korrupsionit

PRISHTINË, 8 dhjetor/ATSH/- Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Forumi Konsultativ me Shoqërinë Civile, në shënim të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kanë kërkuar rikthim të fokusit në integritetin institucional, forcim të llogaridhënies dhe eliminim të praktikave korruptive në sektorin publik.

Drejtori i APK, Yll Buleshkaj tha në hapje të aktivitetit se integriteti duhet të jetë detyrim i secilit institucion dhe se sinjalizuesit mbeten një shtyllë thelbësore në identifikimin e shkeljeve.

Udhëheqësi i divizionit për integritet dhe strategji në APK, Burim Sadiku prezantoi raportin e monitorimit të planeve të integritetit në institucionet publike, duke theksuar nevojën për cilësi më të lartë të raporteve.

Profesori universitar, Bekim Baliqi foli për sfidat e implementimit të rregulloreve dhe planeve të integritetit, duke theksuar se mungesa e burimeve e vështirëson zbatimin real të tyre. /Kosovapress/

The post Sinjalizuesit, arma më e fortë kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet pritet të miratohet këtë muaj

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Ministri i Financave, Petrit Malaj ka deklaruar se brenda këtij muaji pritet të miratohet në qeveri projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.

Malaj tha gjatë një interviste për ‘Vizon Plus’ se pr/ligji është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ai shtoi se për këtë nismë ligjore, tashmë janë ezauruar edhe konsultimet publike me grupet e interesit.

“Është një pr/ligj shumë i mirë i cili siguron të gjitha banesat e qytetarëve ndaj tërmeteve. Fondi i sigurimit nga tërmeti do të menaxhohet nga shteti. Do të jetë një kompani shtetërore që do të menaxhojë këtë fond dhe do të garantojë edhe pagesën e primeve në rast të fatkeqësive natyrore”, deklaron ministri.

I pyetur nëse do ketë tarifë të unifikuar si për atë që ka apo nuk ka rrezik nga tërmeti, kreu i Financave bëri me dije se akoma nuk është përcaktuar një çmim, por që do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga familjet shqiptare. /a.g/

The post Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet pritet të miratohet këtë muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ivanka Trump interes për historinë e kulturën shqiptare, ndan tre librat që po lexon

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ka publikuar në rrjetet sociale një foto ku shihen tre libra kushtuar Shqipërisë dhe historisë së vendit tonë.

Ajo ka ndarë në “Instasotyr” tre botime të ndryshme, “Shqipëria: Nga Anarkia në Identitetin Ballkanik” (Albania: From Anarchy to Balkan Identity) nga Miranda Vickers dhe James Pettifer, “Shqiptarët: Një histori moderne” (The Albanians: A modern history) nga Miranda Vickers dhe romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i shkrimtarit Ismail Kadare.

“Kërkim”, shkruan Ivanka Trump poshtë fotos së publikuar.

The post Ivanka Trump interes për historinë e kulturën shqiptare, ndan tre librat që po lexon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spitali i Shkodrës realizon për herë të parë live dy ndërhyrje koronare

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Në Spitalin e Shkodrës për herë të parë u realizuan live dy ndërhyrje koronare me udhëheqjen e ekografisë intravaskulare( IVUS), nën drejtimin e Prof. Dr. Aurel Toma dhe Prof. Dr. Florim Cuculi, së bashku me ekipin e kardiologëve intervencionues të Spitalit Rajonal të Shkodrës.

MSHMS bën të ditur se ndërhyrjet u kryen gjatë konferencës “Shkodra PCI 2.0: Daily Work Dilemmas in Interventional Cardiology”, organizuar për të dytin vit radhazi nga Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Në këtë konferencë merrnin pjesë rreth 80 emra të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe një nivel i lartë i ekspertizës së hemodinamikës shqiptare.

The post Spitali i Shkodrës realizon për herë të parë live dy ndërhyrje koronare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/- Presidenti Bajram Begaj ka kujtuar sot sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe integrimit europian.

Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve mbetet e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë, që frymëzuan lëvizjen studentore.

Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa”, shprehet Begaj.

The post Begaj: Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta gazetari dhe historiani, Fatos Mehdi Daci

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/- Fatos Mehdi Daci, një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës, historisë dhe publicistikës dibrane e shqiptare, është ndarë nga jeta.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur familja e gazetarit duke njoftuar se homazhet do të zhvillohen më 8 dhjetor 2025, në Pallatin e Kulturës në Peshkopindërsa varrimi do të kryhet në vendlindje, në lagjen Dacallarë të Sllovës, Dibër, në orën 13:00.

Fatos Daci ishte, Anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare,

Fatos Daci mbetet një prej personaliteteve më prodhimtare të letrave shqipe. Në mbi pesë dekada krijimtarie, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike, me mbi 15.000 faqe, duke dokumentuar jetën, historinë, traditat dhe figurat e Dibrës e të mbarë shqiptarisë.

Ai botoi mijëra portrete, mijëra emra e dëshmi historike dhe ilustroi veprat e tij me mijëra fotografi të rralla, duke lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme.

Si gazetar dhe publicist, ai drejtoi e themeloi disa gazeta, ndër to “Dibra”, ku shërbeu si kryeredaktor e botues për dekada. Ka botuar qindra artikuj, reportazhe e studime, si dhe ka realizuar 23 dokumentarë televizivë.

Fatos Daci ishte organizator i dhjetëra veprimtarive përkujtimore e kulturore në Tiranë, Dibër, Bulqizë e më gjerë, duke promovuar vazhdimisht historinë dhe vlerat dibrane në veçanti.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Daci u nderua me tituj të shumtë, përfshirë “Mjeshtër i Madh”, dhe u shpall disa herë “Qytetar Nderi” nga Bashkia Peshkopi, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni dhe disa komuna të Dibrës.

The post Ndahet nga jeta gazetari dhe historiani, Fatos Mehdi Daci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj uron 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/- Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh drejtuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë me rastin e 113-vjetorit të themelimit.

Presidenti Begaj, njëherësh dhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e efektivëve të FARSH, si dhe suksesin e arritur  në shërbim të Shqipërisë dhe në të gjitha misionet e operacionet ndërkombëtare ku ata shërbejnë.

“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite. Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit”, shprehet Begaj

Kreu i Shtetit shprehu, gjithashtu, vlerësim për të gjitha vajzat, djemtë, gratë dhe burrat e FARSH për misionin fisnik të shërbimit ndaj atdheut.

“Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive. Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut”, shprehet Presidenti Begaj në mesazhin e urimit për Forcat e Armatosura.

The post Begaj uron 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lura nën petkun e dëborës, destinacion edhe në dimër

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Parku Kombëtar i Lurës është veshur nga dëborë, duke krijuar një pamje të magjishme në zemër të Dibrës.

Liqenet akullnajore dhe pyjet e dendur janë zbardhur nga reshjet e ditëve të fundit, duke e kthyer zonën në një nga peizazhet më të bukura të dimrit në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga Lura duke e cilësuar si “pamje përrallore”.

Stina e dimri i jep Lurës një tjetër pamje duke e kthyer në një destinacion ideal për ata që duan të shijojnë magjinë e natyrës së bardhë.

Në këtë trevë janë të ndërthurura bukuritë natyrore, tradita dhe kultura, ndërsa peizazhi mahnitës ngjitet në majë në lartësinë e qiellit dhe ulet me shtatë liqenet, drejtë një lugine mes malesh.

Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.

Liqenet e Lurës kanë një sipërfaqe prej 1.280 hektarë dhe ndodhen në pjesën lindore të malit masiv të quajtur “Kurora e Lurës”. Me 14 liqenet e tij akullnajore krijon një ambient piktoresk dhe tërheqës në një lartësi nga 1.350 deri në 1.720 metra.

Parku Kombëtar i Lurës është zgjeruar edhe me liqenin e Zall-Gjoçaj, duke krijuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” me një sipërfaqe prej 20 mijë e 242 hektarë.

The post Lura nën petkun e dëborës, destinacion edhe në dimër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikthehet pas 9 ditësh transporti publik në Prishtinë

PRISHTINË, 3 dhjetor/ATSH/- Pas një greve 9-ditore, nga sot trafiku urban dhe operatorët privatë të transportit publik në Prishtinë i rikthehen punës, duke normalizuar qarkullimin për mijëra qytetarë që gjatë ditëve të fundit janë përballur me mungesë të linjave.

Trafiku Urban në njoftimin për mediet thekson se ndërprerja e shërbimit ka qenë e pashmangshme për shkak të gjendjes së rënduar financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes.

“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

Me rifillimin e punës nga sot, pritet që të gjitha linjat e rregullta urbane dhe ato të operatorëve privatë të funksionojnë sipas orarit të zakonshëm.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati njoftoi dje se janë alokuar një pjesë e mjeteve të kryeqytetit, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Drejtoria e Financave do të punojë jashtë orarit të rregullt për të kryer detyrimet financiare./KosovaPress.

The post Rikthehet pas 9 ditësh transporti publik në Prishtinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian liron Mogherinin dhe dy të tjerët

BRUKSEL, 2 dhjetor/ATSH/- Pas marrjes në pyetje nga Policia Federale e Flandrës Perëndimore, rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, diplomati Stefano Sannino dhe menaxheri Cesare Zegretti, të përfshirë në skandalin e dyshuar rreth financimit të diplomatëve të rinj evropianë, janë liruar gjatë natës së mbrëmshme.

Kjo u njoftua nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian që po udhëheq hetimin. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, por të tre u liruan sepse “nuk u konsideruan si rrezik për arratisje”, raporton ANSA.

The post Zyra e Prokurorit Publik Evropian liron Mogherinin dhe dy të tjerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Nata e bardhë”, atmosferë feste dhe energji fantastike në Tiranë

29 November 2025 at 22:17

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ “Nata e bardhë”, një event i kthyer tashmë në traditë dhe që organizohet nga Bashkia e Tiranës në kuadër të festave të nëntorit, ka krijuar mbrëmje magjike për qytetarët në sheshin “Skënderbej”.

Koncerti nisi sonte rreth orës 19:00 dhe në skenën e ngritur në sheshin qendror performuan emra të njohur të muzikës shqiptare. Qytetarë të shumtë ia janë bashkuar festimeve me flamuj në duar dhe simbolet kombëtare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga “Nata e bardhë”: “Tirana sot, ku emrat më të njohur të muzikës po performojnë në Sheshin “Skënderbej”, duke sjellë atmosferë feste dhe energji fantastike për qytetin”.

Koncerti do të vijojë deri në mesnatë, me pjesëmarrjen e artistëve Era Istrefi, Majk, Lumi B, Soni Malaj dhe Kida.

Fotoreporter Florian Abazaj:

The post “Nata e bardhë”, atmosferë feste dhe energji fantastike në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌