Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar

22 December 2025 at 10:30

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në mbrëmjen gala “Laureatët 2025”, organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, një event tradicional përmes të cilit u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar gjatë vitit 2025.

Gjatë ceremonisë, Duka dorëzoi çmimin “Futbollisti i Vitit 2025” në futbollin kosovar, i cili u fitua nga sulmuesi i FC Dritës, Arb Manaj, për paraqitjet dhe kontributin e tij gjatë vitit. Ai shoqërohej në këtë ceremoni nga Zv.Presidenti i FSHF, Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Në fjalën e mbajtur gjatë eventit, Presidenti i FSHF-së vlerësoi zhvillimin e ndjeshëm të futbollit në Kosovë, veçanërisht pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, duke theksuar progresin e dukshëm të viteve të fundit.

“Është një mbrëmje unike, sepse futbolli flet zakonisht në fushë. Çunat dhe gocat që do të laurohen sonte kanë folur në fushë, kanë derdhur djersë dhe kanë sakrifikuar për një vit. Kjo mbrëmje nuk është vetëm për të marrë tituj, por edhe për të festuar atë çka është bërë në një vit futbolli në Kosovë”, u shpreh Duka.

Ai nënvizoi se zhvillimi i futbollit kosovar gjatë dhjetë viteve të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA ka qenë i jashtëzakonshëm, duke shtuar se vitet e fundit përfaqësojnë “qershinë mbi tortë”, si për rezultatet sportive, ashtu edhe për përmirësimet në infrastrukturë.

“Rezultati i ekipit kombëtar është më i rëndësishmi. Jam shumë i lumtur që përfaqësuesja e Kosovës, nën drejtimin e stafit teknik dhe të futbollistëve, sot lufton për të qenë një nga ekipet pjesëmarrëse në finalet e Kupës së Botës. Performanca e ekipit në vitin 2025 ka qenë fantastike dhe ka kënaqur tifozët kudo ku jetojnë shqiptarë”, theksoi kreu i FSHF-së.

Në vijim, Duka garantoi mbështetjen e vazhdueshme të FSHF-së dhe të UEFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke theksuar se sot Kosova është një partnere e barabartë në familjen europiane të futbollit.

“Deri dje thuhej se ne, si vëllai i madh, do të mbështesnim vëllain e vogël. Sot ky mision ka përfunduar. Kosova është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe një partner i rëndësishëm për të gjitha federatat europiane. Si dy partnerë të UEFA-s, do të bashkëpunojmë maksimalisht për zhvillimin e futbollit shqiptar kudo ku jetojnë shqiptarë”, shtoi  Duka.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti i FSHF-së uroi të gjithë komunitetin e futbollit kosovar për festat e fundvitit dhe shprehu urimet më të mira për vitin 2026.

“Gëzuar Festat, Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në vitin 2026 për secilin nga ju dhe familjet tuaja. Dhe në sport, ajo që presim me shumë dëshirë është ta shohim Kosovën në Kupën e Botës 2026”, përfundoi Duka.

1 nga 5

/gj.m/a.f/

The post Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit

22 December 2025 at 10:27

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka hyrë në gatishmëri të plotë dhe ka përforcuar shërbimet policore në të gjithë territorin e vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore, i cili synon parandalimin e incidenteve, ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Sipas Policisë, masat përfshijnë shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në terren, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.

Paralelisht, do të forcohet menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, përmes shtimit të sporteleve dhe burimeve njerëzore, si dhe përmes intensifikimit të bashkëpunimit me autoritetet homologe, me synim shmangien e radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Policia njofton gjithashtu se do të rriten kontrollet në pikat kufitare dhe patrullimet në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore, përmes monitorimit të shtuar të qarkullimit, përdorimit të mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, dronëve, alkooltestuesve dhe shtimit të patrullave të Policisë Rrugore në të gjitha akset urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Në deklaratë, Policia e Shtetit gjithashtu përgënjeshtron kategorikisht pretendimet e bëra nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, lidhur me ekzistencën e urdhrave për plotësimin e një numri të caktuar masash administrative.

Sipas Policisë, një urdhër i tillë nuk ekziston dhe masat administrative përdoren vetëm si instrument ligjor për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjithashtu, Policia e Shtetit thekson se, do të ketë bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe Policitë Bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Shërbimet policore do të jenë të shtuara në shëtitore, zona pedonale, sheshe publike, objekte kulti, restorante, lokale dhe qendra tregtare, për të parandaluar konfliktet dhe ngjarjet kriminale.

Policia njofton se do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe do të rritet gatishmëria në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare.

Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të vazhdueshme për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat policore dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte në numrin pa pagesë 112, gjatë gjithë periudhës festive.

/gj.m/a.f/

The post Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paraqitja e Legjionarëve, Broja rikthehet te goli në Premier League

22 December 2025 at 10:26

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë zhvilluar një tjetër javë pozitive me klubet e tyre respektive, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në kampionatet ku aktivizohen.

Pas një periudhe të gjatë, Armando Broja u rikthye te goli në kampionatin anglez. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Bournemouth në transfertë, ndërsa në minutat e fundit realizoi golin e barazimit me kokë, duke i siguruar një pikë të rëndësishme ekipit të tij, Burnley.

Në Itali, Torino regjistroi një tjetër fitore në kampionat, me dy futbollistë të Kombëtares shqiptare në formacionin titullar. Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani dhanë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës, e cila mori tri pikë shumë të vlefshme në transfertën ndaj Sassuolos.

Një paraqitje pozitive zhvilloi edhe Arbër Hoxha me Dinamo Zagreb. Pavarësisht se nuk arriti të shënonte, ai kontribuoi në fitoren e radhës në kampionat ndaj Lokomotiva Zagreb. Pas përfundimit të javës së 18-të, Dinamo Zagreb kryeson renditjen me 38 pikë.

Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi. Ndërkohë, nga stoli dhanë kontributin e tyre Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Indrit Tuci.

/gj.m/a.f/

The post Paraqitja e Legjionarëve, Broja rikthehet te goli në Premier League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë ujore e nënujore

22 December 2025 at 10:22

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale një video kushtuar angazhimit të Forcave Detare në mbrojtjen e ujërave shqiptare, duke vënë në fokus misionin e përditshëm të Rojës Bregdetare.

“Misioni ka emër”, shkruan Vengu, duke theksuar rolin e Kapiten Jetnor Ballës dhe ekuipazhit të anijes “Iliria”, të cilët janë çdo ditë në det, në vijën e parë të kontrollit dhe sigurisë së ujërave shqiptare.

Sipas ministrit, Forcat Detare, ashtu si çdo komponent tjetër i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po rrisin ndjeshëm përgatitjen operacionale, kapacitetet dhe ritmin e trajnimeve, si dhe angazhimin në misione të përbashkëta me aleatët.

“Duke investuar në përgatitje dhe kapaciteteve, ne po rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë tona ujore e nënujore”, thekson Vengu në mesazhin e tij.

Në video, nënlejtnanti Marison Mira shpjegon se gjatë patrullimeve dhe lundrimit në det, ekuipazhet zhvillojnë paralelisht edhe stërvitje operacionale.

Ai nënvizon se një nga trajnimet e rëndësishme është edhe lufta kundër zjarrit në anije, si pjesë e përgatitjes për situata emergjente.

Ky angazhim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është pjesë e strategjisë për forcimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për garantimin e sigurisë detare në përputhje me standardet e NATO-s.

/gj.m/a.f/

The post Vengu: Rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë ujore e nënujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive

21 December 2025 at 13:49

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit sportiv, Ismet Bellova duke vlerësuar figurën e tij si një prej zërave më emblematikë, themelues i gazetarisë sportive në Shqipëri dhe njeri i mirë.

“Me zërin e tij karakteristik dhe fjalorin e kulluar shqip, Ismet Bellova për 70 vjet ka komentuar ngjarjet më të rëndësishme sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit”, thuhet në njoftimin e KOKSH.

Po ashtu, vlerësohet se kontributi i tij në sportin shqiptar, jo vetëm si gazetar, por edhe si drejtues i Olimpikut Special, kanë lënë gjurmë të rëndësishme

“Në emër të Presidentit të KOKSH, Fidel Ylli dhe Komitetit Olimpik KOmbëtar, i shprehim ngushëllime familjes dhe të afërme. Pusho në paqe Mjeshtët i Madh”, përfundon reagimi i KOKSH.

Ismet Bellova, një prej figurave më të njohura dhe emblematike të gazetarisë sportive shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Ai ishte një nga zërat më të veçantë dhe historikë të mikrofonit shqiptar, komentator i dhjetëra sfidave sportive që kanë shënuar historinë e sportit në Shqipëri.

Ismet Bellova mbetet një nga figurat më të spikatura të komentimit sportiv në Shqipëri, ndërsa ndarja e tij nga jeta ka ngjallur reagime të shumta vlerësimi dhe respekti në botën e sportit.

/gj.m/j.p/

The post KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja

21 December 2025 at 13:45

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mazhoranca nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për imunitetin e zv/kryeministres, Belinda Balluku pa vendosur Gjykata Kushtetuese për pezullimin.

Në nisje të podkastit “Flasim – Episodi 11, Sezoni 5”, Rama duke folur për kërkesën e SPAK-ut për Kuvendin lidhur me imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku, u shpreh se, prokurorët u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme.

“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie”, tha Rama.

“E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër”, theksoi Rama.

Sot, vijoi Kryeministri, “nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart”.

“Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtet për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues

21 December 2025 at 13:40

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

PD e cilëson këtë vendim si akt puçist antikushtetues.

“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres”, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, “deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas PD-së, Kryeministri ka urdhëruar ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës së SPAK nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, duke u bazuar në pritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike thekson se kjo ndërhyrje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë që kërkesat e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të shqyrtohen dhe të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara ligjore.

PD-ja shprehet se kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të hetimeve për pasuri të deklaruara dhe të padeklaruara, përfshirë dyshimet për përfitime nga projektet e infrastrukturës publike dhe pasuri të tjera.

PD thekson se shqyrtimi i këtyre kërkesave nuk lidhet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është një procedurë e pavarur ligjore.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike shpreh shqetësim për ndërhyrjen e ekzekutivit në proceset parlamentare dhe gjyqësore, duke theksuar se respektimi i ligjit dhe procedurave është themeli i funksionimit të institucioneve demokratike.

PD-ja bën thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe për përfundimin e shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë pa vonesa artificiale.

“Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës dhe bën thirrje: Në këmbë, qytetarë! Të mbrojmë nesër me guxim dhe vendosmëri ligjin dhe Kushtetutën, me revolta të fuqishme, për të shpëtuar sa më shpejt shqiptarët dhe Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e PD.

/gj.m/j.p/

The post PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit, Lamallari viziton Institutin e të Miturve në Kavajë

21 December 2025 at 13:34

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi një vizitë në Institutin e të Miturve në Kavajë, në kuadër të festave të fundvitit, duke zgjedhur që këtë periudhë ta ndajë me ata që kanë më shumë nevojë për prani, vëmendje dhe ngrohtësi njerëzore.

Gjatë vizitës, ministri theksoi rëndësinë e këtij institucioni për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë shqiptare, duke nënvizuar se Instituti i të Miturve nuk ofron vetëm siguri dhe mbikëqyrje, por mbi të gjitha mundësi reale për rehabilitim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë që kanë rënë në konflikt me ligjin.

Lamallari theksoi se, “ky institut është institucion me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë tonë pasi ofron jo vetëm siguri dhe mbikëqyrje, por mbi të gjitha mundësi reale për ndryshim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë”.

Lamallari vlerësoi punën e përkushtuar të stafit, i cili çdo ditë angazhohet për trajtimin me dinjitet të të miturve, përfshirjen e tyre në programe arsimore, psikosociale dhe profesionale, si dhe për forcimin e shpresës se çdo i mitur meriton një shans të dytë.

“Angazhimi ynë është i qartë, për një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon ata që shkelin ligjin, por mbi të gjitha rehabiliton, parandalon përsëritjen e krimit dhe investon tek të miturit dhe të rinjtë si filizat e një të ardhme të ndritur të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

/gj.m/j.p/

The post Festat e fundvitit, Lamallari viziton Institutin e të Miturve në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delfinët shfaqen në detin e Vlorës

21 December 2025 at 13:29

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Delfinët kanë dhuruar sërish spektakël sot në ujërat e detit Jon.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet mahnitëse të delfinëve në ujërat e kaltra të bregdetit të Vlorës duke sjellë magjinë e detit në një ditë dhjetori me diell.

Shfaqja e delfinëve ishte surpriza më e bukur për qytetarët dhe turistët pranë bregut, të cilët për disa minuta “vallëzuan” mbi sipërfaqen e ujit, duke dhuruar emocione dhe buzëqeshje.

Delfinët u panë teksa notonin lirshëm, herë në sipërfaqe, e herë duke u zhdukur në thellësi, nën sytë kureshtarë të pushuesve që shëtisnin përgjatë Lungomares.

Qytetarët e Vlorës e konsiderojnë shfaqjen e delfinëve si një shenjë të pastërtisë së ujërave dhe të harmonisë mes natyrës dhe qytetit bregdetar.

Për turistët, kjo përvojë e papritur shndërron një shëtitje të zakonshme dimërore në një kujtim të paharrueshëm.

Me mot të kthjellët, temperatura të buta dhe detin që ofron surpriza të tilla, Vlora dëshmon edhe një herë se është një destinacion që di të magjepsë në çdo stinë, edhe në dhjetor, kur natyra vendos të dhurojë spektaklin e saj më të bukur.

/gj.m/j.p/

The post Delfinët shfaqen në detin e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në Pashaliman synojmë prodhimin e mjeteve luftarake detare

21 December 2025 at 12:55

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, deklaroi në një intervistë televizive se synimi strategjik i qeverisë shqiptare me projektin e Pashalimanit është krijimi i kapaciteteve për prodhimin e mjeteve luftarake detare në Shqipëri, duke e kthyer këtë bazë në një qendër të rëndësishme ushtarako-industriale në rajon.

Vengu theksoi se, Shqipëria ka firmosur pak javë më parë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Italinë, e cila është shoqëruar edhe me donacione konkrete për Forcën Detare shqiptare.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Italinë para pak javësh. Ishte momenti kur u miratua një kornizë bashkëpunimi ushtarak dhe u bënë disa donacione nga pala italiane për tre mjete: dy mjete patrulluese dhe një mjet detar më domethënës, një mjet komandimi”, u shpreh ministri.

Sipas tij, dy nga këto mjete tashmë kanë mbërritur dhe janë bërë pjesë e Forcës Detare, ndërsa mjeti i tretë pritet të vijë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

“Forcat tona po stërviten për ta përdorur dhe për ta manovruar. Këto mjete na sigurojnë që të kthehemi në një forcë detare me kapacitete manovrimi më të konsiderueshme dhe mjete luftimi”, theksoi Vengu.

Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se këto zhvillime janë pjesë e përgatitjeve për projektin strategjik në Pashaliman, në bashkëpunim me kompaninë italiane Fincantieri.

“Në këtë mënyrë ne përgatitemi për atë që po bëjmë për Pashalimanin dhe Fincantierin, që të kemi prodhimin e mjeteve detare luftarake”, deklaroi ai.

Vengu sqaroi se projekti është pjesë e buxhetit afatmesëm të qeverisë shqiptare dhe se aktualisht po zhvillohen negociata me palën italiane, jo vetëm për mirëmbajtjen e flotës ekzistuese, por edhe për ndërtimin e anijeve të reja luftarake në Shqipëri.

“Jemi në një negociatë me Fincantierin që në Pashaliman jo vetëm të mirëmbahet flota jonë, por edhe të ndërtojmë anije luftarake dhe të kuptojmë pse po e bëjmë këtë gjë”, tha ministri.

Duke folur për rëndësinë gjeostrategjike të hapësirës detare shqiptare, Vengu theksoi se Adriatiku dhe Joni nuk duhen parë vetëm si destinacione turistike.

“Adriatiku dhe Joni nuk janë thjesht një horizont turistik, por janë infrastrukturë nënujore në ndërlidhje energjetike”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, ministri nënvizoi se investimet në mbrojtje duhet të sjellin përfitime edhe për ekonominë vendase.

“Përderisa qeveria shqiptare i kërkon Kuvendit dhe taksapaguesve shqiptarë të kontribuojnë në mënyrë domethënëse, detyra jonë është që kjo rritje buxhetesh të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në vendin tonë dhe të prodhojë vlerë të shtuar në Shqipëri”, tha Vengu.

/gj.m/j.p/

The post Vengu: Në Pashaliman synojmë prodhimin e mjeteve luftarake detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisin punimet për dy fushat e reja të futbollit në Gjirokastër

21 December 2025 at 12:52

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Federata e Futbollit ka nisur punimet për dy fushat e futbollit në qytetin e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, si pjesë e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.

Të dyja fushat do të jenë me përmasa standarde dhe do t’i shërbejnë komunitetit sportiv dhe zhvillimit të futbollit në këtë zonë.

Njëra prej fushave është ekzistuese dhe parashikohet që shtrimi i tapetit artificial të realizohet në fillim të vitit 2026.

Ndërkohë, falë shpronësimeve të kryera nga Bashkia Gjirokastër, është siguruar një hapësirë e re në qytet, ku do të ndërtohet një fushë e re nga themelet, në kuadër të projektit “100 Fushat”.

Ndërtimi i këtyre dy fushave vjen në kuadër të angazhimit të mëhershëm të Federatës së Futbollit, pas inaugurimit të fushës me bar natyral në stadiumin “Luftëtari”, dhe konfirmon vëmendjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në qytetin e Gjirokastrës.

/gj.m/j.p/

The post Nisin punimet për dy fushat e reja të futbollit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i mirë i javës së 17-të i Superiores

21 December 2025 at 11:51

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës së 17-të të “Abissnet Superiore”, sipas skemës 1-4-2-3-1.

Në portë është gardiani i Tiranës, Angjelo Tafas.

Katërshja e mbrojtjes përbëhet nga Lorenc Trashi (Flamurtari), Arbenit Xhemajli (Egnatia), Ledio Beqja (Dinamo City) dhe Camara Aboubacar (Bylis).

Para repartit të prapavijës janë pozicionuar Albano Aleksi (Egnatia) dhe Ermal Meta (Tirana).

Muço Boçi i Teutës, Dejvi Bregu i Dinamo City dhe Lirim Kastrati i Vllaznisë mbështesin në sulm futbollistin e Bylisit, Ibrahim Mustapha.

Trajneri më i mirë i javës është përzgjedhur tekniku i Egnatias, Edlir Tetova.

/gj.m/j.p

The post Përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i mirë i javës së 17-të i Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bajrami: Të ketë transparencë dhe llogaridhënie për fondet e IPARD

21 December 2025 at 11:41

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/  Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Bujqësisë dhe Ushqimit në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, ka kërkuar sot transparencë të plotë për fondet e IPARD.

“Nuk është sqaruar ende se ku kanë përfunduar 33 milionë eurot e para të IPARD, fonde të destinuara për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë”, u shpreh Bajrami, duke theksuar se për këtë arsye Bashkimi Europian ka ndalur financimet.

Ajo nënvizoi se fermerët po përballen me vështirësi serioze ekonomike dhe kërkoi veprim nga institucionet përgjegjëse.

“Do të kërkojmë transparencë për çdo euro të IPARD, publikimin e përfituesve dhe përgjegjësi penale e politike për çdo zyrtar të përfshirë”, deklaroi kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë.

Në përfundim, Bajrami theksoi se, mbështetja për fermerët dhe familjet shqiptare mbetet një prioritet dhe se çështja, sipas saj, nuk do të mbyllet pa sqarim të plotë. /j.p/

The post Bajrami: Të ketë transparencë dhe llogaridhënie për fondet e IPARD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada amerikane: Mashtrimi për martesë, krim federal në SHBA

21 December 2025 at 11:38

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, i ka bërë thirrje qytetarëve kundër përpjekjeve për sigurimin e dokumenteve të emigracionit përmes martesave.

Në njoftimin e saj, Ambasada thekson se mashtrimi përmes martesës është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe ndëshkohet me pasoja serioze ligjore.

“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze”, thekson ambasada.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin gjithmonë rrugët ligjore të emigracionit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

“Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur.” përfundon mesazhi i Ambasadës.

/gj.m/

The post Ambasada amerikane: Mashtrimi për martesë, krim federal në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Teatri i ri Kombëtar, më i bukuri në Ballkan

21 December 2025 at 10:47

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës.

I pyetur gjatë podkastit “Flasim – episodi 11, sezoni 5”, se si do të funksionojë Teatri i ri Kombëtar si strukturë apo proces artistik, Rama u shpreh se kjo është çështje e komunitetit artistik.

“Ajo që mund të them është që do të jetë Teatri më i bukur Kombëtar, apo qoftë edhe jo kombëtar, nuk ka rëndësi se ka dhe teatro të bukura që tjera që nuk janë teatri Kombëtar, por do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin padiskutim dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës. Pastaj se çfarë do të jetë në aspektin përmbajtësor kjo i takon komunitetit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “shumë mirë që do të kemi një super teatër nga pikëpamja e infrastrukturës, por ta bësh atë teatër të jetojë në mënyrë të përditshme me kualitet është sfida e sfidave”.

Ajo që ka rëndësi, theksoi Rama, “është që ai teatër do të jetë në gjendje të mikpresë edhe trupa të huaja, do të jetë në gjendje të mikpresë patjetër edhe trupa dhe aktorë nga territoret shqipfolëse, do të jetë në gjendje të ofrojë shumë, nga pikëpamja e infrastrukturës”.

Pastaj, shtoi kreu i qeverisë, “nga pikëpamje menaxhimit ne nuk jemi ende në një fazë të zhvillimit tonë që të kemi kapacitete menaxhimi të institucioneve kulturore që të jenë të atilla që ta çojnë institucionin në një nivel tjetër dhe që të bëjnë diferencën, flas në tërësi. Patjetër që tek tuk jemi dhe menaxher shumë të mirë”.

Kryeministri foli gjithashtu edhe për projekte të tjera në kulturë që po zhvillohen paralelisht.

“Ne po bëjmë Galerinë e re Kombëtare, po transformojmë Muzeun Kombëtar. Kemi një program shumë ambicioz për këtë mandat që të bëjmë disa muze më të vegjël në Tiranë. Po bëjmë, besoj me shumë sukses një Muze të Historisë së hebrenjve të Shqipërisë në Vlorë. Po përgatitetmi të fillojmë punë për Muzeun “Besa” këtu në Tiranë. Për Muzeun e Artit Islamik. Kemi një sërë gjërash që po shkojnë paralelisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “pikëpyetja për të gjithë këto investime është niveli i menaxhimit në lartësinë e arkitekturës, në lartësinë e kësaj infrastrukture të re, por hap pas hapi”.

/gj.m/

j.p/

The post Rama: Teatri i ri Kombëtar, më i bukuri në Ballkan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asambleja e Federatës së Judos: Objektiv kualifikimi për “Los Anxhelos 2028”

21 December 2025 at 10:28

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Federata Shqiptare e Judos zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme Vjetore, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të saj.

Punimet e Asamblesë u hapën nga Presidenti i Federatës, Drin Shkreta, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Labo Çapo, vijoi me rendin e ditës.

Gjatë Asamblesë u miratua kalendari i aktiviteteve për vitin 2026, projektbuxheti për vitin e ardhshëm, si dhe u pranua anëtarësimi i tre shoqatave të reja.

Një nga objektivat kryesore të Federatës mbetet pjesëmarrja në aktivitetet kualifikuese për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.

I pranishëm në punimet e Asamblesë ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gerti Shima, i cili vlerësoi punën e bërë nga Federata Shqiptare e Judos dhe organizimin model të aktiviteteve sportive.

Me zhvillimin e kësaj Asambleje, Federata Shqiptare e Judos mbyll zyrtarisht të gjitha aktivitetet e saj për vitin 2025, duke hedhur bazat për një vit të ri me synime dhe projekte ambicioze.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Olympicalbania (@olympicalbania)

/gj.m/j.p/

The post Asambleja e Federatës së Judos: Objektiv kualifikimi për “Los Anxhelos 2028” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës në samitin e Brukselit

21 December 2025 at 09:59

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se gjatë samitit BE-Ballkani perëndimor ka kërkuar që Komisioni Europian dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027.

Në nisje të podkastit “Flasim- Episodi 11, Sezoni 5”, Rama u shpreh se, samiti i BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Bruksel ishte një tjetër pikëtakimi e Shqipërisë me Europën në nivelin më të lartë.

Rama theksoi se në këtë samit “u bë bilanci i progresit tonë si rajon drejt BE-së dhe ku Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive, këtu në shtëpinë tonë”.

Rama u ndal tek disa pika që ai vuri në dukje gjatë samitit në Bruksel.

“Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për ne përbën një inkurajim shumë të madh, por përsërita domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe patjetër edhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht”, u shpreh Kryeministri Rama.

Rama nënvizoi se Shqipëria padiskutim do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo për Brukselin, por për interesin tonë strategjik kombëtar.

/gj.m/j.p/

 

The post Rama: Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës në samitin e Brukselit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Të burgosurit pa gjyq të Kosovës në Hagë, pengje të një padrejtësie ndërkombëtare

21 December 2025 at 09:48

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Hashim Thaҫi u rrëmbye pa gjyq dhe pa akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në shënimet e javës në nisje të podkastit “Flasim – Episodi 11, Sezoni 5”, Rama u  ndal tek takimi me Thaçin në Hagë.

“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e luftës çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë, vëllaun tim matanë Bjeshkëve, ishte një moment shënues javës që shkoi”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se Thaҫi, u rrëmbye pa gjyq, pa akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës ku e kishte çuar populli i Kosovës me vullnetin e vet të lirë.

“U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe për të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh dhe dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, nënvizoi Kryeministri.

Rama u shpreh se e gjeti komandantin në formë, të qetë dhe të buzëqeshur si ҫdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tiji.

“Nuk di realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike me bekimin e shteteve të Europës dhe Shteteve të Bashkuara dhe me fondet e taksapaguesve europianë dhe amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt padrejtësia nuk po u bëhet thjesht disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që ҫliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por, që falë Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, falë hashim Thaҫit, falë Kadrit Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, ҫliroi edhe Europën nga një njollë e zezë aparteidi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë”, theksoi kreu i qeverisë.

“Zoti qoftë me të burgosurit pa gjyq të Kosovës në Hagë që prej më shumë se 5 vjetësh tanimë janë pengje. pengje të një padrejtësie. Një padrejtësie në Europën e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor. Le të lutemi që Viti i Ri të sjellë dhe fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të UҪK-së, të Republikës së Kosovës, përveҫse të disa individëve të pafajshëm”, u shpreh Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Të burgosurit pa gjyq të Kosovës në Hagë, pengje të një padrejtësie ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bushati takon Sekretarin amerikan të Shtetit, Rubio: Shqipëria, mrekulli e diplomacisë amerikane

21 December 2025 at 09:13

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati zhvilloi një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Ndërsa ndau foton e rastit, ambasadori Bushati u shpreh se “Shqipëria është një mrekulli e diplomacisë amerikane. Nga një vend i izoluar komunist, me ndihmën e SHBA-ve u shndërruam dhe u rritëm si aleatët më të mirë. Sot, Shqipëria është vendi më pro-amerikan në botë”.

Sipas tij, Sekretari Rubio u shpreh me kënaqësi dakord se ky është një rast miqësie e vërtetë mes vendeve tona dhe se kjo është një “vlerësim i shkëlqyer” në aspektin e politikës dhe diplomacisë.

Gjithashtu, Bushati theksoi se “Shqipëria është vendi i Nënë Terezës dhe një simbol i paqes dhe bashkëjetesës për botën tonë”.

Në një shënim personal, Bushati u shpreh jashtëzakonisht i gëzuar dhe krenar teksa mësoi se Nënë Tereza është shenjtorja e familjes Rubio.

Ambasadori Bushati ftoi Sekretarin Rubio, në emër të Kryeministrit Edi Rama, të vizitojë Shqipërinë për të ndërtuar më tej miqësinë e madhe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Bushati u shpreh se ky ishte një takim i paharrueshëm me një mik të madh të lirisë dhe demokracisë në botë.

/gj.m/j.p/

 

The post Bushati takon Sekretarin amerikan të Shtetit, Rubio: Shqipëria, mrekulli e diplomacisë amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta komentatori legjendar sportiv, Ismet Bellova

21 December 2025 at 08:59

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ismet Bellova, një prej figurave më të njohura dhe emblematike të gazetarisë sportive shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Ai ishte një nga zërat më të veçantë dhe historikë të mikrofonit shqiptar, komentator i dhjetëra sfidave sportive që kanë shënuar historinë e sportit në Shqipëri.

Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, për t’iu përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik dhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, në vitin 1948, kur u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo–Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, Bellova u nderua me tituj dhe dekorata të shumta, mes tyre: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së tij u vlerësua me një sërë çmimesh prestigjioze. Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Ai mori Çmimin e Karrierës në RTSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe “Mikrofonin e Artë”.

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës përbën një humbje të madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën ndër vite dhe në historinë e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi.

/gj.m/j.p/

The post Ndahet nga jeta komentatori legjendar sportiv, Ismet Bellova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌