Normal view

Prokuroria kërkoi burg/ GJKKO shpall të pafajshëm ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi

By: user 8
7 July 2025 at 18:45

Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili ishte vënë nën akuzë nga SPAK për fshehje të pasurisë.

Vendimi u dha këtë të hënë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas trupit gjykues, “fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë”, duke e rrëzuar kështu kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK kishte kërkuar gjykimin penal të Shkëlzen Selimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

Pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve të palëve, GJKKO vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e ish-gjyqtarit, duke e shpallur atë të pafajshëm.

The post Prokuroria kërkoi burg/ GJKKO shpall të pafajshëm ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi appeared first on Lapsi.al.

E fundit/ Putin shkarkon ministrin Starovoit, ai gjendet i vdekur disa orë më pas

By: user 8
7 July 2025 at 16:40

Ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, u gjet i vdekur pranë Moskës vetëm pak orë pasi u shkarkua nga Presidenti Putin. Mediat vendase raportuan se ai vdiq në një vetëvrasje të dukshme.

Presidenti Vladimir Putin e shkarkoi atë pas ndërprerjeve masive të hapësirës ajrore civile ruse të shkaktuara nga sulmet me dronë ukrainasë. Sipas raportimeve të mediave ruse, një armë u gjet pranë trupit të Starovoit. Raportet gjithashtu pohojnë se ai vdiq në një vetëvrasje. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë informacion zyrtar mbi shkakun e vdekjes.

Më herët të hënën, Kremlini nuk dha detaje ose arsye specifike për shkarkimin e Starovoit, i cili kishte shërbyer si guvernator i rajonit Kursk të Rusisë përpara se të riemërohej ministër i transportit në maj 2024.

Megjithatë, shkarkimi i tij erdhi pasi pothuajse 300 fluturime u anuluan në aeroportet kryesore gjatë fundjavës së kaluar për shkak të sulmit të fundit me dronë ukrainas.

The post E fundit/ Putin shkarkon ministrin Starovoit, ai gjendet i vdekur disa orë më pas appeared first on Lapsi.al.

Takimi i shumëpritur Trump-Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, me dyer të mbyllura

By: user 8
7 July 2025 at 16:25

Takimi mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme në Shtëpinë e Bardhë, pritet të kalojë pa deklarata publike për mediat, sipas planifikimit aktual.

Sipas agjendës së parashikuar, as mbërritja e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë, e cila është planifikuar për në orën 18:30 me orën lokale (12:30 pas mesnate me orën e Shqipërisë), nuk do të jetë e hapur për mediat.

Më pas, Netanyahu dhe Trump do të zhvillojnë një darkë private bashkë me bashkëshortet e tyre.

Ndryshe nga dy vizitat e mëparshme të Netanyahut në SHBA këtë vit, kësaj radhe nuk është planifikuar asnjë konferencë për shtyp dhe as ndonjë fotografim zyrtar në Zyrën Ovale.

Para darkës me Trumpin, Netanyahu do të zhvillojë një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Takimi do të mbahet në Blair House, rezidenca zyrtare ku po qëndron kryeministri izraelit.

Të martën, Netanyahu ka planifikuar një takim me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe më pas me anëtarë të Kongresit në Capitol Hill.

Të mërkurën, ai do të takohet me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon, përpara se të presë një mbrëmje gala me liderë të komunitetit hebre dhe atij ungjillor në SHBA. Netanyahu pritet të rikthehet në Izrael ditën e enjte.

The post Takimi i shumëpritur Trump-Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, me dyer të mbyllura appeared first on Lapsi.al.

Vajza e mitur u abuzua nga babai, flet gjyshi i të miturës

By: user 8
7 July 2025 at 15:22

Pas një ngjarjeje të rëndë familjare që ka tronditur qytetin e Fierit, një baba i arrestuar për abuzim ndaj vajzës së mitur ka lënë pas një familje në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike.

Gjyshi i 7 fëmijëve, mes tyre një fëmijë i vetëm 1-vjeçar ka treguar se pas arrestimit të babait, fëmijët kanë mbetur pa kujdes prindëror dhe vajza e mitur që ka qenë viktimë e abuzimit është marrë në mbrojtje nga shteti. Ai tha se nëna e fëmijëve, vajza e tij, ndodhet në pamundësi për të punuar për shkak të moshës së vogël të fëmijëve dhe mungesës së një mbështetjeje të strukturuar.

“Këta 7 fëmijë tani quhen jetimë. Vajzën që ai e ka abuzuar e ka marrë shteti tani. Vajza ime nuk ka asnjë të ardhur. Ne kërkojmë nga shteti, sepse këta fëmijë kanë nevojë për një zgjidhje afatgjatë, për një shtëpi pranë qendrës spitalore dhe kopshtin. Bashkia ka ofruar një punësim për vajzën time, por nuk mund të punojë sepse ka fëmijë të vegjël.
Ne po të dinim se çfarë do ndodhte, do vepronim ndryshe si familje. Jemi shokuar dhe shumë të prekur nga kjo që ka ndodhur. Nuk kemi pasur asnjë kontakt me mbesën, por dimë që është në duar të sigurta, në duart e shtetit dhe do kontaktojmë me të më pas,” u shpreh gjyshi i vajzës.

Ai shton se ndihma e deritanishme prej 200 mijë lekësh të reja dhe mbulimi i qerasë për një banesë që ende nuk është siguruar, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të jetesës.

The post Vajza e mitur u abuzua nga babai, flet gjyshi i të miturës appeared first on Lapsi.al.

Rama gjen prokuroren armike të hapësirave publike, kërkon hetimin e saj

By: user 8
7 July 2025 at 14:39

Në linjë me operacionin e radhës propagandistik të qeverisë, çlirimin e hapësirave të zaptuara publike, kreu i qeverisë, Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të dhënë për një hapësirë publike në Theth.

Gjatë një komunikimi live në rrjetin e tij social Facebook, Rama thotë se ky rast është referuar në prokurori, por kjo e fundit vendosi që të mos nisë hetimet për çështjen dhe të mos shpallë në kërkim personin që e ka kryer këtë shkelje. Një vendim ky i prokurores Gjeli, që siç thotë Rama e la pa fjale.

Rama tha më tej se ka kërkuar që çështja e saj t’i përcillet Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Pas një masakre të mirëfilltë të rrezikuar nga një individ i cili rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit, Thethi që është kartolinë e mrekullisë shqiptare dhe që është katandisur mu në zemër të tij në një praktikisht territor  toke të xanun. Si ka mundësi, si është e mundur që pasi, insektoriati përkatës dhe policia konstatojnë një ndërhyrje të tillë mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare, dhe përcjellin rastin në prokurori, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot të kuptoja por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Dhe po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur thëthin, në cenim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur.

Tani unë i kam kërkuar ministrisë së drejtësisë të veprojë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin dhe ka lënë në baltë qytetarët e republikës, ka lënë në baltë të gjithë ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe e cila është e padenjë për të qenë e paguar nga taksapaguasit si prokurore dhe kam kërkuar që çështja e saj t’i përcillet këshillit të lartë të Prokurorisë, i cili duhet të shikojë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale republikës dhe interesit publik dhe të gjykojë nëse zonja Gjeli është apo jo e denjë për tu paguar ende nga taksat e shqiptarëve si prokurore”, u shpreh Rama.

The post Rama gjen prokuroren armike të hapësirave publike, kërkon hetimin e saj appeared first on Lapsi.al.

Ministria e Mbrojtjes: 19 zjarre në 24 orët e fundit

By: user 8
7 July 2025 at 13:58

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e: Finiqit, Vlorës, Elbasanit, Poliçanit, Beratit, Hasit, Bulqizës, Malësisë së Madhe, Lezhës, Kolonjës, Korçës, Tiranës, Kavajës e Fierit.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

– Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës, pas izolimit të saj nga forcat operacionale, ditën e djeshme.

– Puna vijon në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Gjatë natës forcat e MZSH Finiq dhe efektivët e Forcave të Armatosura qëndruan në monitorimin për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm. Ditën e sotme zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshinicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar.

– Zjarri, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë vazhdon të jetë aktiv në tri vatra të shpërndara. Terreni e vështirëson ndërhyrjen, por zjarri nuk paraqet rrezikshmëri për zonën.

– Aktive mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim nga MZSH Poliçan dhe ditën e sotme kafilluar puna për shuarjen e plotë të vatrës së fundit aktive me 10 efektivë dhe 5 forca bashkiake. Sipas një informacioni paraprak nga shërbimi pyjor deri ditën e djeshme janë përshkuar rreth 50 ha.

– Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta vatra e zjarrit është transferuar duke shtrirë në territor drejt “Malit të Bardhë”. Ditën e sotme në terren ndodhen1 automjet zjarrfikës me 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.

– Në vendin e quajtur“Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit . Ditën e sotme në terren ndodhen 6 efektivë nga MZSH, 5 forca bashkiake, 5 forca nga shërbimi pyjor dhe 8 forca vullnetare.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale si dhe 8 automjete të rënda. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet.
Në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Durrës (Jug).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.
Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.
Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina, shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftoni në kohë autoritetet vendore.

The post Ministria e Mbrojtjes: 19 zjarre në 24 orët e fundit appeared first on Lapsi.al.

Tjetër përplasje e fortë Meta-Kryemadhi nga dyert e SPAK-ut

By: user 8
7 July 2025 at 13:39

Pas muajsh tensionesh të nënkuptuara, përplasja mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka dalë sërish hapur në skenën publike. Akuza, aludime dhe deklarata që hedhin hije mbi marrëdhënien personale dhe politike mes dy figurave kryesore të PL-së, kanë ndezur debatin mediatik dhe kanë thelluar dyshimet për një ndarje jo vetëm bashkëshortore, por edhe strategjike në skenën opozitare.

Monika Kryemadhi ka dalë sot nga ambientet e SPAK ku ajo u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa u ndal për të dhënë një deklaratë për mediat.

E pyetur në lidhje me ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej muajit tetor, Kryemadhi tha se ish-Presidenti informohet “vetëm për gjërat që i intereson grupit të njerëzve rreth tij”.

Ajo shtoi se nuk i “intereson më fare se çfarë mendon, thotë apo bën Meta”, ndërsa vijoi duke thënë se është e qetë në ndërgjegjen e saj për çdo veprim.

“Meta informohet për gjërat që u intereson grupi i tij i afërt sepse ai është në izolim. Nuk më intereson më fare të jem e sinqertë, se cfarë mendon zoti Meta e cfarë thotë e bën zoti Meta. Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj. Nëse kam bërë diçka që për juve është gabim e për mua nuk është, hajde ta diskutojmë”, u shpreh ajo. 

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i kyçur në qeli nga SPAK-u, i është përgjigjur ashpër deklaratave të Monika Kryemadhit nga Prokuroria e Posaçme, duke e quajtur atë “Zeqine e SPAK-ut”.

Meta tha se për hir të fëmijëve kishte vendosur të mos merrej më me Kryemadhin, por se sipas tij, “ajo po përdoret për interesa të caktuara”. Ai mohoi çdo akuzë për përfshirje në çështje penale dhe akuzoi SPAK për manipulim dhe izolim politik. Meta theksoi se nuk beson në vërtetësinë e pretendimeve për kartat bankare, duke i cilësuar si mashtrime për të justifikuar hetimet ndaj tij.

Postimi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

𝐍𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐣𝐢𝐠𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 “𝐙𝐞𝐪𝐢𝐧𝐞𝐧𝐞̈” 𝐞 𝐒𝐏𝐀𝐊-𝐮𝐭.

Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të.

Por kur të komandon halli bëhesh “Zeqine” e SPAK-ut.

Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta banakre të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.

Ilir Meta dhe Tedi Blushi iu janë përgjigjur këtyre shpifjeve monstruese që filluan me rrëmbimin tim monstruoz, me hetimin monstruoz dhe me izolimin tejet monstruoz, që nuk ka lidhje me asnjë fakt dhe provë penale për Ilir Metën.

Përkundrazi. faktet dhe provat janë fshehur deri tani për të mbuluar personat që kanë shkelur ligjet apo që kanë patur dijeni për shkeljet e ligjeve apo që janë vërtetuar si dëshmitarë të rremë, që dihet publikisht që ishin në listat e kandidatëve për deputet të “Rilindjes” dhe kanë punuar për “Rilindjen” me material shtrëngues.

Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë.

Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje “Zeqinesë” të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh.

The post Tjetër përplasje e fortë Meta-Kryemadhi nga dyert e SPAK-ut appeared first on Lapsi.al.

Lirohet pas dy vitesh arrest Jamarbër Malltezi

By: user 8
7 July 2025 at 12:35

Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për të liruar dhëndrin e kreut të PD Sali Berisha , Jamarbër Malltezi.

Prej rreth dy vitesh, Malltezi ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa u arrestua më 21 tetor 2023 në kuadër të dosjes “Partizani”.

Shfuqizimi i masës ka ardhur kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh.

Ndërkohë në seancën e sotme mësohet se është rrëzuar edhe kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri për dorëheqje.

Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në kryeqytet.

Berisha përballet me akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Malltezi dhe Bektashi me korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

The post Lirohet pas dy vitesh arrest Jamarbër Malltezi appeared first on Lapsi.al.

Sërish pa zgjidhje/ Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

By: user 8
7 July 2025 at 12:24

Më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare – përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.

Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre./ REL

The post Sërish pa zgjidhje/ Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës appeared first on Lapsi.al.

Autobusi Tiranë-Kamëz përfshihet nga flakët, panik mes pasagjerëve

By: user 8
7 July 2025 at 12:12

Një autobus i linjës Tiranë-Kamëz është përfshirë nga flakët këtë mëngjes, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin në bord.

Sipas informacioneve, zjarri ka shpërthyer fillimisht në pjesën e motorit, ndërsa mjeti ishte në lëvizje. Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar.

Në vendngjarje mbërritën me shpejtësi zjarrfikëset e Kamzës, të cilat arritën të neutralizonin flakët dhe të shmangnin përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e incidentit. Paraprakisht dyshohet për një defekt teknik në sistemin elektrik të autobusit.

Masa e arrestit/ Sa shpresë ka Veliaj të dalë nga burgu?

The post Autobusi Tiranë-Kamëz përfshihet nga flakët, panik mes pasagjerëve appeared first on Lapsi.al.

Parashikimi i motit për fillimin e javës: I nxehti nuk e lëshon vendin

By: user 8
6 July 2025 at 17:15

Ditën e hënë vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në lindje në orët e mesditës deri ato të pasdites.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra pritet të shënojnë nesër temperaturat më të larta që do të arrijnë deri në 38 gradë celcius.

Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi 10-14 m/s, ndërsa valëzimi në det do të jetë 2-3 ballë.

Tabelat me temperaturat:

moti 2

moti 1

The post Parashikimi i motit për fillimin e javës: I nxehti nuk e lëshon vendin appeared first on Lapsi.al.

Pas gjashtë ditësh, shuhet më në fund zjarri në Landfillin e Elbasanit

By: user 8
6 July 2025 at 17:04

Pas rreth 150 orësh me zjarr aktiv në Landfillin e Elbasanit, situata është vënë nën kontroll. Që prej orës 16:00 të ditës së diel, nuk është konstatuar më prani flakësh apo tymi në zonën e prekur.

Zjarri, i cili kishte përfshirë si sipërfaqen ashtu edhe nënshtresat e mbetjeve, është izoluar pas një operacioni të zgjeruar që përfshiu forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, ushtrinë dhe institucionet qendrore.

E gjithë sipërfaqja e landfillit, prej afërsisht 20.000 m², është mbuluar me mbi 35 mijë metër kub dhera. Trashësia e shtresës së dheut shkon deri në 2 metra në pjesën e sipërme dhe nga 30 deri në 50 cm në skajet anësore. Kjo masë ka për qëllim ndërprerjen e furnizimit me oksigjen, duke ndalur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në thellësi.

Pas një udhëzimi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama, u intensifikuan masat për ndalimin e zjarrit brenda fundjavës. Puna u përqendrua në një operacion të vazhdueshëm logjistik dhe teknik për të shmangur përkeqësimin e situatës.

 

 

Sipas vlerësimeve paraprake, incidenti ka pasur ndikim të konsiderueshëm në cilësinë e ajrit dhe mjedisin përreth. Ekspertët njoftojnë se do të jetë e nevojshme një periudhë monitorimi për të vlerësuar efektet mjedisore dhe shëndetësore të ndodhura gjatë ditëve me ndotje të lartë.

Aktualisht nuk dihet nëse ndërhyrja e kryer përbën një zgjidhje të përhershme për menaxhimin e landfillit, apo një masë të përkohshme për të ndalur përhapjen e zjarrit. Institucionet përgjegjëse pritet të analizojnë shkaktarët dhe të propozojnë masa parandaluese për raste të ngjashme në të ardhmen.

Ndërkohë që flakët janë shuar dhe tymi është zhdukur nga qielli mbi Elbasan, mbetet pezull një pyetje thelbësore: A do të mësojmë më në fund nga kjo tragjedi? A do të ketë masa të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen?

The post Pas gjashtë ditësh, shuhet më në fund zjarri në Landfillin e Elbasanit appeared first on Lapsi.al.

Mes presionit të SHBA dhe Kinës, Bashkimi Europian më në vështirësi se kurrë

By: user 8
6 July 2025 at 16:54

Në një botë ku aleancat e vjetra po testohen dhe fuqitë e mëdha po shkruajnë rregulla të reja, Bashkimi Europian ndodhet në një pozicion më të dobët se kurrë më parë: midis një Amerike gjithnjë e më proteksioniste dhe një Kine gjithnjë e më agresive ekonomikisht. Përballë tarifave të Trump dhe shantazhit tregtar të Pekinit, prestigjozja The New York Times analizon se Brukseli nuk ka më luksin të bëjë politikë të jashtme me parime; tani është koha e mbijetesës gjeopolitike.

The New York Times: 

Dikur dukej për shumëkënd sikur Presidenti Trump mund të ishte një arsye për Europën dhe Kinën që të afronin ekonomitë e tyre. Tarifat e planifikuara prej tij bënë pak për ta dalluar Bashkimin Europian, një aleat i vjetër i Shteteve të Bashkuara, nga Kina, sfiduesja kryesore e dominancës amerikane.

Nuk ka ndodhur ashtu. Përkundrazi, Bashkimi Europian e gjen veten në një grackë gjeopolitike midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

Në Bruksel, zyrtarët po përpiqen të sigurojnë një marrëveshje të përafërt tregtare me homologët e tyre amerikanë përpara se Trump të godasë bllokun me tarifa të larta, të përgjithshme, që mund të trondisin ekonominë e BE-së.

Në të njëjtën kohë, politikëbërësit e Bashkimit Europian po përpiqen të nxisin homologët e tyre në Pekin që të ndalojnë së mbështeturi Rusinë, të ndalojnë së ndihmuari industrinë kineze me kaq shumë para shtetërore dhe të ngadalësojnë rrjedhën e mallrave të lira drejt Bashkimit Europian.

Lexo më tej: Çfarë do t’i bënte ekonomisë botërore një luftë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës? 

Por, në një moment të trazuar të sistemit tregtar global, Bashkimi Europian gjithashtu ka nevojë ta mbajë marrëdhënien me Kinën, fuqinë më të madhe prodhuese në botë, në një bazë relativisht të qëndrueshme.

Udhëheqësit nga Bashkimi Europian pritet të jenë në Pekin për një samit në fund të korrikut. Shpresat për këtë mbledhje janë të ulëta.

Edhe pse Kina e shtyn idenë se armiqësia e Trump ndaj tregtisë multilaterale po e shtyn Europën në krahët e saj, problemet e Europës me Kinën vetëm sa po rriten.

“Nuk ka një kartë të Kinës për Europën,” tha Liana Fix, një hulumtuese për Europën në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

(Kaja Kallas, nënkryetarja e Komisionit Evropian, dhe Wang Yi, ministri i jashtëm i Kinës, javën e kaluar në Bruksel)

Tensionet dolën plotësisht në pah javën e kaluar, kur Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, vizitoi Brukselin për takime në prag të samitit. Kina e përshkroi tonin si produktiv dhe hodhi poshtë idenë se dy palët kishin konflikte. Zyrtarët e Bashkimit Europian theksuan pikat e vazhdueshme që janë problem, përfshirë çekuilibrat tregtarë.

Ndarja u theksua edhe këtë fundjavë. Bashkimi Europian ka ndërmarrë së fundmi hapa për të kufizuar shpenzimet qeveritare për pajisje mjekësore nga Kina, duke argumentuar se agjencitë qeveritare kineze kanë trajtuar padrejtësisht kompanitë europiane dhe se ishte e nevojshme të barazohej fusha e lojës. Kina njoftoi të dielën se do të hakmerret.

Megjithatë, Bashkimi Europian mbetet në një vallëzim të brishtë me Kinën. Lidhjet ekonomike mes dy ekonomive janë të gjera. Shumë vende europiane mbeten thellësisht të varura nga Kina për materiale industriale. Dhe eksportet europiane drejt Kinës vazhdojnë të jenë të konsiderueshme, sidomos nga Gjermania, e cila ka pasur prej kohësh marrëdhënie të ngushta tregtare me Kinën.

Por eksportet e Europës janë në rënie, ndërkohë që importet kineze në bllok janë në rritje. Me produkte të lira nga gjigantët e ‘modës së shpejtë’ si Shein dhe Temu që përmbysin tregjet europiane, politikëbërësit po punojnë për të shtrënguar kufizimet ndaj këtyre importeve. Udhëheqësit europianë ankohen rregullisht se bankat shtetërore kineze subvencionojnë aq shumë prodhuesit vendas, saqë kompanitë europiane nuk mund të konkurrojnë.

Ankesat e Europës nuk kufizohen vetëm tek tregtia. Zyrtarët e Bashkimit Europian janë të zemëruar për mbështetjen që Kina i ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, duke ofruar një treg për karburantin dhe produktet e tjera ruse, gjë që ka zbutur efektin e sanksioneve europiane.

(Pasojat e një sulmi me raketa ruse në Sloviansk të Ukrainës, muajin e kaluar. Zyrtarët e Bashkimit Evropian janë të zemëruar për mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën me Ukrainën)

Sipas ministrit të jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, qëllimi i Bashkimit Europian nuk mund të jetë shkëputja nga Kina. “Bëhet fjalë për t’u angazhuar në kushte më të barabarta dhe për të pasur një qasje më transaksionale,” tha ai, gjatë një konference me gazetarët të premten.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po tronditin sistemin global tregtar me synimin për të zvogëluar deficitin tregtar, për të rritur të ardhurat dhe për të rikthyer prodhimin vendas, Bashkimi Europian gjendet në një pozitë të vetmuar. Ai është një bllok prej 27 shtetesh që së bashku përbëjnë ekonominë e tretë më të madhe në botë. BE-ja u krijua për të nxitur tregtinë ndërkufitare dhe mbetet një mbrojtës i fuqishëm i tregtisë së lirë.

“Europa dëshiron t’i tregojë botës se tregtia e lirë me një numër të madh vendesh është e mundur mbi bazën e rregullave,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.

BE-ja e ka thelluar tashmë bashkëpunimin tregtar me vende me qëndrime të ngjashme si Zvicra dhe Kanadaja. Zonja von der Leyen sugjeroi se mund të shkojë edhe më tej: të ndjekë një bashkëpunim të ri ndërmjet bllokut dhe një grupi tregtar prej 11 vendesh që përfshin Japoninë, Vietnamin dhe Australinë, por që nuk përfshin as Shtetet e Bashkuara dhe as Kinën.

Megjithatë, edhe pse zonja von der Leyen përpiqet të kalojë në ofensivë, zyrtarët e BE-së kanë kaluar muaj të tërë në një pozicion shumë më mbrojtës.

Kjo sepse, ndërsa Bashkimi Europian ka kritika për politikat që vijnë nga SHBA-ja dhe Kina, ai gjithashtu po goditet dhe po shqyhet mes të dyjave.

(Pako nga kompania “Shein” që presin të dërgohen në një fabrikë veshjesh në Guangzhou, Kinë, në shkurt)

Pavarësisht rezultatit të bisedimeve tregtare me administratën Trump, pritet që Bashkimi Europian të përfundojë me tarifa më të larta ndaj eksporteve të tij në Shtetet e Bashkuara sesa në fillim të vitit. Zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur vazhdimisht se tarifat 10 përqind në të gjitha produktet nuk janë të negociueshme.

Zyrtarët europianë ka të ngjarë të detyrohen të bëjnë edhe lëshime për të siguruar një marrëveshje, përfshirë ndoshta një angazhim, për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës.

BE-ja është dakord me Trump-in që Kina ka ndjekur praktika të padrejta tregtare. Por blloku mund ta shtyjë Kinën vetëm deri në një pikë, për shkak të ndërlidhjes së thellë ekonomike mes tyre.

Kina, së fundmi, ia ka kujtuar BE-së me kosto këtë realitet.

Si përgjigje ndaj tarifave të SHBA-së, Kina kufizoi eksportet globale të magneteve me elementë të rrallë, që janë thelbësorë për prodhimin e një game të gjerë mallrash, nga makinat dhe dronët, te robotët industrialë dhe raketat.

Duke qenë se Kina dominon prodhimin e elementëve të rrallë, ajo mund t’u shkaktojë dëm serioz partnerëve të saj tregtarë me kufizime të tilla.

Fillimisht, politikanët europianë shpresonin që këto kufizime të preknin kryesisht kompanitë amerikane. Por edhe firmat europiane janë përballur me vonesa të mëdha për të marrë aprovimin e Kinës për blerjet e këtyre materialeve.

Ngadalësimi nuk lidhet vetëm me probleme logjistike për shkak të radhës së aplikimeve që Kina po përpunon. Përkundrazi, duket se është i lidhur me një pikë të vjetër tensioni tregtar mes Europës dhe Kinës.

Prej vitesh, qeveria kineze ka kërkuar që kompanitë e huaja të ndajnë ose të transferojnë teknologjinë te partnerët kinezë si kusht për të hyrë në tregun kinez. Kohët e fundit, prodhuesit europianë të makinave dhe kompani të tjera kanë mbetur prapa krahasuar me konkurrentët kinezë, të cilët udhëheqin zhvillimin në makinat elektrike, panelet diellore dhe teknologjitë e tjera.

(Një parking makinash në sipërmarrjen e përbashkët Shanghai Automotive Industrial Corporation-Volkswagen në prill në Shangai)

Duke pasur parasysh këtë, zyrtarët e Bashkimit Europian kanë ushtruar presion mbi kompanitë kineze që të transferojnë teknologji si pjesë e çmimit për hyrjen në tregun europian.

Bashkimi Europian gjithashtu i është bashkuar Shteteve të Bashkuara në kufizimin e dërgesave drejt Kinës të pajisjeve për prodhimin e çipave më të shpejtë, të cilët kanë përdorim si ushtarak ashtu edhe civil.

Kjo ka zemëruar zyrtarët kinezë. Ministri i Tregtisë i Kinës, Wang Wentao, i bëri thirrje Europës që të heqë kontrollin ndaj eksporteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës si pjesë e diskutimeve për rifillimin e furnizimit me elementë të rrallë.

“Ministri Wang Wentao shprehu shpresën që BE-ja të na takojë në gjysmë të rrugës dhe të ndërmarrë masa efektive për të lehtësuar, mbrojtur dhe promovuar tregtinë e përputhshme të produkteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës,” tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë muajin e kaluar.

Në samitin që do të mbahet këtë muaj në Pekin, tha ai, zyrtarët europianë ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi zyrtarët kinezë për të siguruar akses më të qëndrueshëm në elementët e rrallë.

Jens Eskelund, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Europian në Kinë, tha se dhoma dëshiron gjithashtu që takimet të përqendrohen në përpjekjen për të bindur zyrtarët kinezë për nevojën e rregullave më transparente dhe të parashikueshme, si dhe të trajtohet vështirësia në rritje për kompanitë e huaja që duan të bëjnë biznes në Kinë.

Por perspektiva për ndryshime të ndjeshme, apo ndonjë afrim të vërtetë mes Europës dhe Kinës, është e zymtë. Toni që vjen nga Europa nuk është pozitive.

Zonja von der Leyen, në një fjalim në takimin e G7-s muajin e kaluar në Kanada, tha se Kina është e angazhuar në një cikël “dominimi, varësie dhe shantazhi.” 

Përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Mes presionit të SHBA dhe Kinës, Bashkimi Europian më në vështirësi se kurrë appeared first on Lapsi.al.

Berat/ Zjarret rrezikojnë banesat

By: user 8
6 July 2025 at 16:24

Dy vatra zjarri janë regjistruar këtë fundjavë në qarkun e Beratit duke shkaktuar dëme në sipërfaqe pyjore.

Një nga zjarret ka rënë në fshatin Mbrakull, Njësia Administrative Mbrakull, në Bashkinë Poliçan. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha dhe vazhdojnë të përhapen për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.

Ndërhyrja e zjarrfikësve është bërë e vështirë për shkak të terrenit malor, që nuk lejon futjen e mjeteve zjarrfikëse në zonë. Si pasojë, forcat zjarrfikëse po punojnë me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Një tjetër vatër zjarri është shënuar në fshatin Virjon, Njësia Administrative Otllak në Bashkinë Berat, ku dyshohet se shkaku ka qenë një defekt në linjën elektrike.

Zjarri rrezikoi tre banesa dhe parcela me dru frutorë, por falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës me dy mjete dhe gjashtë efektivë u bë e mundur lokalizimi dhe shuarja e flakëve, duke vënë situatën nën kontroll.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, pasi rreziku për zjarre mbetet i lartë, veçanërisht në zonat me pyje dhe bimësi të dendur.

The post Berat/ Zjarret rrezikojnë banesat appeared first on Lapsi.al.

Kurti: Kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës erdhi nga Serbia

By: user 8
6 July 2025 at 15:57

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka përgëzuar institucionet për “reagimin e shpejtë dhe profesional” pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se alarmi i rremë për një bombë në Kuvend paraditen e së shtunës erdhi nga një numër i një shtetasi serb.

Ai shkroi në Facebook se kjo dëshmon për luftën hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, shkroi Kurti.

Ai shpërndau postimin e Sveçlës, i cili shkroi se është konfirmuar se numri nga i cili erdhi kërcënimi për bombë “e ka origjinën në Serbi”.

“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, shkroi Sveçla.

The post Kurti: Kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës erdhi nga Serbia appeared first on Lapsi.al.

Detajet/ Si paraqitet situata me gjashtë zjarret aktive në vend

By: user 8
6 July 2025 at 14:02

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Delvinës, Selenicës, Vlorës, Tiranës, Vorës, Krujës, Hasit, Matit, Malësisë së Madhe, Kurbinit, Korçës, Poliçanit dhe Gjirokastrës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

* Në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Gjatë ditës së djeshme u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit. Forcat operacionale do të vijojnë punën për shuarjen përfundimtare edhe gjatë ditës së sotme.

* Në zonën midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja, dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Sot situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë. Vatra po monitorohet në distancë nga 2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor në fshatin Malçan.

* Në vendin e quajtur “Sotiran”, ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, është raportuar vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje ndodhen efektivët e Shërbimit Vendor të MZSH të bashkisë Vlorë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve.

* Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Terreni i pafavorshëm e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Sot, forcat operacionale me ndihmën e 40 forcave nga FA do të vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit.

* Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, bashkia Has, në një sipërfaqe me pyll pishe. Terreni i vështirë dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, ndaj puna për shuarjen vazhdon.

* Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Sot në mëngjes ka rifilluar operacioni për shuarjen e zjarrit me 2 automjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë.

Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ku si pasojë janë djegur rreth 7 hektarë.

Në tre raste – në fshatin Marqinet (bashkia Vorë), në rrugën “Perlat Rexhepi” (njësia administrative Nr.5, bashkia Tiranë) dhe në fshatin Bulgarec (bashkia Korçë) – zjarri ka përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale dhe 53 mjete të rënda. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 40 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje lokale të dobëta në disa qarqe.

Sa i përket rrezikut nga zjarret, në shumicën e qarqeve pritet nivel “I LARTË”. Në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë pritet nivel “I MODERUAR”, por lokalisht edhe “I LARTË” në zona të caktuara si: Durrës (jug), Korçë (qendër) dhe Vlorë (veri-qendër).

Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin nga afër çdo situatë në terren.

I bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse në çdo rast.

The post Detajet/ Si paraqitet situata me gjashtë zjarret aktive në vend appeared first on Lapsi.al.

Dyshohet se konsumoi fostoksinë, ndërron jetë 25-vjeçari në Fier

By: user 8
6 July 2025 at 13:55

Një ngjarje tragjike është shënuar në Fier, ku një 25-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fostoksinë.

Sipas njoftimit të Policisë, i riu, me inicialet Xh. G., ndërroi jetë në spital si pasojë e helmimit. Materialet për rastin janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme. Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

U referuan materialet në Prokurori pasi shtetasi Xh. G., 25 vjeç, dyshohet se ka konsumuar lëndë helmuese fotoksinë dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital.

The post Dyshohet se konsumoi fostoksinë, ndërron jetë 25-vjeçari në Fier appeared first on Lapsi.al.

Policia arreston dy personat që ndezën zjarrin në Finiq

By: user 8
6 July 2025 at 13:48

Policia e Sarandës arrestoi në flagrancë shtetasit Pranvera Gkergkis dhe Idajet Roshi pasi dyshohen se kanë ndezur me qëllim zjarr në një sipërfaqe toke dhe si pasojë janë djegur rreth 450 m² me bimësi dhe pemë të ndryshme frutore.

“Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit P. G., 55 vjeçe, banuese në Sarandë, dhe I. R., 53 vjeç, banues në Finiq.

Këta shtetas, më datë 05.07.2025, rreth orës 12:00, në fshatin Leshnicë e Poshtme, Bashkia Finiq, dyshohen se kanë ndezur me qëllim zjarr në një sipërfaqe toke dhe si pasojë janë djegur rreth 450 m² me bimësi dhe pemë të ndryshme frutore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, që të mos kryejnë zjarrvënie për asnjë qëllim, pasi përbëjnë rrezik për jetën, pronën dhe mjedisin, dhe ndëshkohen sipas ligjit. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

The post Policia arreston dy personat që ndezën zjarrin në Finiq appeared first on Lapsi.al.

Përplasje me armë zjarri në Pire, arrestohen 12 shqiptarë e grekë

By: user 8
6 July 2025 at 13:39

Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar në Policinë Greke, hetoi një konflikt të armatosur që ndodhi në shtator 2024 jashtë një klubi nate në Pire, midis dy grupeve kriminale.

Për këtë rast, njësitë policore të Departamentit të Ndjekjes së Krimeve kundër Jetës dhe Pronës në zona të ndryshme të Athinës, arrestuan 12 individë, shqiptarë e grekë, anëtarë të organizatave, përfshirë një punonjës policie, ndërsa përmes një hetimi të plotë dhe veprimeve të tjera policore, u identifikua pjesëmarrja dhe roli i tyre në ngjarje.

Konkretisht, lidhur me historikun e çështjes, në orët e para të mëngjesit të datës 29.09.2024, jashtë një klubi nate në zonën e Pireut, dy grupe kriminale, të përbëra nga të paktën 6 persona secila, fillimisht u përleshën me njëra-tjetrën me grushte dhe shqelma. Më pas, anëtarët e dy grupeve kriminale shkëmbyen të shtëna me armë zjarri.

Nga kontrollet fizike dhe kontrollet e kryera në banesa, u gjetën dhe u sekuestruan, ndër të tjera 1 pistoletë me një karikator me 10 fishekë, 1 revolver me 6 fishekë, 1 pistoletë me goditje me 1 fishek, 1 armë gjahu, një mori fishekësh të kalibrave të ndryshëm, 2 karikatorë dhe këllëf pistolete, 14 thika të llojeve të ndryshme, veshjet e përdorura në konfliktin e armatosur, tableta anabolike, 1 palë doreza, 3 makina dhe 1 motorr, marijuanë me peshë 2.4 gram si dhe 175.470 euro.

Personat e arrestuar, me dosjen e ngritur kundër tyre, sipas rastit, akuzohen per krijim të një organizate kriminale, tentativë vrasjeje me dashje, dëmtim të rrezikshëm trupor, shkelje të detyrës dhe shkelje të ligjeve për drogën dhe armët.

Vërehet se shumica e të akuzuarve kanë një të kaluar kriminale për vepra të ngjashme dhe të tjera.

The post Përplasje me armë zjarri në Pire, arrestohen 12 shqiptarë e grekë appeared first on Lapsi.al.

Vera në Europë po zgjatet, Tirana e Athina qytetet me 143 ditë me nxehtësi ekstreme

By: user 8
6 July 2025 at 13:28

Moti i nxehtë i zgjatur po riformëson qytetet e Evropës, ndërsa temperaturat mbi 32°C shtrihen deri në vjeshtë.

Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, qytetet evropiane po përjetojnë vapë ekstreme për shumë më gjatë se muajt tradicionalë të verës.

Disa qytete në Evropë tani përballojnë temperatura të larta deri në pesë muaj në vit, pohon një studim i ri nga Climate Resilience for All.

Analiza, e udhëhequr nga ekipi meteorologjik i OJQ-së, shqyrtoi të dhënat e temperaturës nga viti 2019 deri në vitin 2023 në 85 qytete në të gjithë botën. Ajo u përqendrua në ditët e para dhe të fundit kur secili qytet arriti 32°C, një prag për nxehtësinë ekstreme që paraqet rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin.

Ata zbuluan se të ashtuquajturat ‘stinë të nxehtësisë’ nuk kufizohen më vetëm në muajt e njohur të verës dhe tani kanë kohëzgjatje shumë më të gjatë. Mesatarisht, ekipi, i udhëhequr nga shkencëtari i klimës Dr. Larry Kalkstein, thotë se stinët e nxehtësisë zgjasin 214 ditë në të gjitha qytetet që ata shqyrtuan.

Ditë jashtëzakonisht të nxehta ndodhën në çdo kohë të vitit në 20 nga 85 qytete.

Në cilat qytete në Evropë zgjat më gjatë sezoni i nxehtësisë?

Në Evropë, stinët e nxehtësisë tani shtrihen shumë përtej asaj që dikur konsiderohej verë.

Studimi thotë se Athina në Greqi tani përballet me një nga stinët më të gjata të nxehtësisë në kontinent, me temperatura të larta që zgjasin rreth 145 ditë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, renditet e dyta me një diferencë të ngushtë në listën e “Rezistencës ndaj Klimës për të Gjithë” me 143 ditë me nxehtësi ekstreme.

Në Portugali, sezoni i nxehtësisë në Lisbonë zgjat rreth 136 ditë, nga fundi i pranverës deri në fillim të vjeshtës. Madridi në Spanjë përjeton një sezon nxehtësie prej 119 ditësh, që shtrihet nga fundi i majit deri në mesin e shtatorit.

Zyrtarët e Parisit po përgatiten për një ngrohje prej 4°C , por kryeqyteti francez tashmë po përjeton gati tre muaj nxehtësi ekstreme, me temperatura mbi 32°C nga mesi i qershorit deri në mesin e shtatorit.

Mynihu dhe Varshava kanë stinë të nxehta më të shkurtra, por ende të konsiderueshme, që zgjasin rreth një ose dy muaj.

Pse sezonet më të gjata të nxehtësisë janë problem?

Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu shtuan mesatarisht 30 ditë nxehtësi ekstreme për rreth gjysmën e popullsisë së botës vitin e kaluar. Kjo do të thotë se katër miliardë njerëz u ekspozuan ndaj temperaturave të zgjatura dhe të rrezikshme.

Studimi nga World Weather Attribution, Climate Central dhe Qendra e Klimës së Kryqit të Kuq shqyrtoi periudhën midis majit 2024 dhe majit 2025. Ai zbuloi se ndryshimi i klimës të paktën dyfishoi numrin e ditëve të klasifikuara si “nxehtësi ekstreme” në 195 nga 247 vendet dhe territoret që ata analizuan krahasuar me mesataren e mëparshme.

Evropa është një nga rajonet që tashmë vuan pasojat më të dukshme dhe vdekjeprurëse të ngrohjes globale. Periudhat e zgjatura të nxehtësisë nxjerrin në pah se si po ndryshon klima e kontinentit dhe shqetësimet shëndetësore dhe infrastrukturore që vijnë me këtë ndryshim.

Sezonet më të gjata të nxehtësisë nënkuptojnë një rrezik në rritje të sëmundjeve që lidhen me nxehtësinë, duke çuar në një barrë më të madhe në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe sfida për popullatat vulnerabël. Është veçanërisht problematike për të moshuarit dhe ata me sëmundje të mëparshme.

“Kjo analizë e bën të qartë: nuk mund ta trajtojmë më nxehtësinë si një pjesë normale të verës”, thotë Kathy Baughman McLeod, CEO e Climate Resilience for All.

“‘Sezoni i verës’ që shumë prej nesh dikur e dinim ka ikur.”

Pse qytetet janë kaq të nxehta?

Studimi thekson efektin e ishullit të nxehtësisë urbane , ku qytetet bëhen më të nxehta se zonat rurale përreth për shkak të infrastrukturës së dendur dhe hapësirës së gjelbër të kufizuar, si një faktor kyç që përkeqëson stresin e nxehtësisë në qendrat urbane të Evropës.

«Qytetet që nuk janë projektuar kurrë për ngrohje, tani përballen me goditje dhe strese të reja nga nxehtësia», shpjegon Baughman McLeod.

Me stinët e nxehtësisë që shtrihen shumë përtej muajve të njohur të verës, qeveritë dhe planifikuesit e qytetit përballen me një sfidë urgjente: si t’i mbroni njerëzit nga valët e të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe të zgjatura?

The post Vera në Europë po zgjatet, Tirana e Athina qytetet me 143 ditë me nxehtësi ekstreme appeared first on Lapsi.al.

❌