Normal view

Received — 14 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – BE ripohon autoritetin e saj përballë presionit të ri tregtar amerikan

14 August 2026 at 21:31

BRUKSEL, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Komisioni Evropian riafirmoi sot autonominë e tij rregullator, pas presionit të ripërtërirë tregtar të SHBA-së në lidhje me direktivat e reja të BE-së mbi standardet mjedisore dhe të drejtat e njeriut në zinxhirët e furnizimit.

”Bashkimi Evropian vazhdon të angazhohet në diskutime, si për çështjet tarifore ashtu edhe për ato jotarifore, me Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podesta, por, shtoi ajo, “ne kemi qenë shumë të qartë dhe të qëndrueshëm se as korniza jonë rregullatore dhe as autonomia jonë rregullatore nuk janë të negociueshme”.

Ambasadori i SHBA-së në BE, Andrew Puzder, më herët sot i kishte bërë thirrje BE-së të “përputhë” dispozitat e dy direktivave të reja kryesore mbi standardet mjedisore dhe të drejtat e njeriut në zinxhirët e furnizimit me marrëveshjen tregtare BE-SHBA të përfunduar vitin e kaluar.

“Tani është koha që BE-ja të përmbushë angazhimet e saj”, postoi Puzder në X, duke bashkëngjitur një dokument të qeverisë amerikane që detajonte një listë të gjatë shqetësimesh në lidhje me këto rregulla.

“Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar barrën e panevojshme të vendosur mbi tregtinë amerikane në mungesë të një zgjidhjeje që adreson këto shqetësime”, paralajmëron dokumenti.

Direktiva e Kontrollit të Duhur të Qëndrueshmërisë Korporative kërkon që kompanitë e mëdha të adresojnë “ndikimet negative të të drejtave të njeriut dhe mjedisit” të zinxhirëve të tyre të furnizimit në mbarë botën, ndërsa Direktiva e Raportimit të Qëndrueshmërisë Korporative kërkon që ato të japin informacion mbi ndikimin e tyre në klimë dhe emetimet, si dhe masat e marra për t’i zvogëluar ato.

“Shtrirja jashtëterritoriale e këtyre direktivave, së bashku me kërkesat e kushtueshme dhe të rënda të kontrollit të dukurisë së zinxhirit të furnizimit, do të dëmtojnë aftësinë e kompanive amerikane për të konkurruar në një nivel të barabartë në tregun e BE-së”, thuhet në dokumentin e SHBA-së.

BE-ja tashmë e ka zvogëluar fushëveprimin e dy ligjeve nën presionin e bizneseve, si brenda ashtu edhe jashtë bllokut, duke vonuar zbatimin e tyre dhe duke kursyer kompanitë më të vogla, por dokumenti i SHBA-së beson se kjo nuk mjafton./  a.jor.

The post KOMENT – BE ripohon autoritetin e saj përballë presionit të ri tregtar amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – 1 800 banorë evakuohen për shkak të zjarreve të fuqishëm

14 August 2026 at 20:51

HURTGENVALD, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Rreth 1 800 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në perëndim të Gjermanisë, pasi një zjarr i fuqishëm pyjor u përhap me shpejtësi pranë zonave të banuara.

Zjarri ka përfshirë një zonë pranë qytetit Hurtgenvald, në landin Nordrhein-Uestfalen, afër kufijve me Belgjikën dhe Holandën.

Flakët u zgjeruan me shpejtësi nga rreth 25 hektarë në 300 hektarë, ndërsa zjarri iu afrua deri në rreth 10 metra banesave më të afërta.

Banorëve iu kërkua të largoheshin gjatë natës dhe të merrnin me vete vetëm sendet më të rëndësishme.

Për ta janë ngritur qendra të përkohshme strehimi në një shkollë dhe një qendër sportive.

Rreth 300 punonjës të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e helikopterëve dhe mjeteve të rënda të ushtrisë gjermane.

Ekipet po hapin korridore mbrojtëse në pyje për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Operacioni është bërë edhe më i rrezikshëm nga municionet e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat kanë shpërthyer gjatë përhapjes së zjarrit.

Shpërthimet e dëgjuara gjatë natës kanë kufizuar mundësinë e zjarrfikësve për t’iu afruar disa zonave të prekura.

Banorët kanë përshkruar situatën si alarmante.

Një prej tyre tha se kishte parë kolona të mëdha tymi të zi dhe ishte larguar gjatë natës për t’u strehuar te një i afërm.

Ajo tregoi gjithashtu se në zonë ndihej erë e rëndë dhe se hiri po binte nga qielli.

Ndërkohë, një tjetër zjarr pyjor ka shpërthyer pranë liqenit Mohnesee, gjithashtu në Nordrhein-Uestfalen.

Rreth 100 punonjës të emergjencave arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, por temperaturat e larta, thatësira dhe terreni i vështirë vazhdojnë të krijojnë kushte të rrezikshme për përhapjen e flakëve.

Temperaturat priten të arrijnë deri në 39 gradë Celcius, ndërsa vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë fundjavës.

Sipas monitoruesit të ngrohjes globale të BE-së, Evropa Perëndimore ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe zjarreve.

Meteorologët paralajmërojnë se toka është tharë ndjeshëm dhe se nevojiten reshje të vazhdueshme për të rikthyer lagështinë, por një periudhë e tillë shiu nuk duket ende në horizont. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – 1 800 banorë evakuohen për shkak të zjarreve të fuqishëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu ftoi në takim drejtuesit e partive të martën, në fokus presidenti konsensual

14 August 2026 at 20:47

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka dërguar ftesë udhëheqësve partiakë për një takim konsultativ që është caktuar për të martën e 18 gushtit.

Në këtë ftesë thuhet se takimin konsultativ ajo e ka thirrur për të biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale.

Në ftesë është vënë theksi te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje për “zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

Kjo ftesë vjen një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërsa, PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. /Kosovapress/

The post Haxhiu ftoi në takim drejtuesit e partive të martën, në fokus presidenti konsensual appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

10 vatra aktive zjarri, në kontroll segmenti pranë banesave në Lurë

14 August 2026 at 20:43

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi për situatën e zjarreve në vend, ku gjatë orëve të fundit janë në ndjekje 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.

Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjen e koordinuar nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e zonave të banuara.

Në Lurë, Dibër, ku paraqitet një nga situatat më të rëndësishme, operacioni vijon me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë, si dhe me 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor. Ndërhyrja ka bërë të mundur kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të saj.

Në Tiranë, vijon operacioni në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 9 forca të ADZM-së dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca të MZSH-së me 6 mjete. Situata në këtë zonë paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë dhënë rezultat në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Gjatë ditës është përdorur mbështetja ajrore e Forcave të Armatosura, ndërsa në Zidoll, pas ndërhyrjes së helikopterit, situata është normalizuar dhe vijon puna për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës.

Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna dhe monitorimi i vatrave të mbetura. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe kufizimin sa më të shpejtë të vatrave aktive.

/gj.m/j.p/

The post 10 vatra aktive zjarri, në kontroll segmenti pranë banesave në Lurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të rinjtë e Shkodrës u shpërndajnë ujë policëve në rrugë si mënyrë falënderimi

14 August 2026 at 20:12

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Të rinjtë e Shkodrës kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të falënderuar efektivët e Policisë së Shtetit që këto ditë të nxehta vijojnë të jenë në rrugë për menaxhimin e trafikut.

Ata kanë shpërndarë ujë për punonjësit e Policisë që ishin të angazhuar në kontrollin e trafikut, duke e cilësuar këtë si një gjest të vogël mirënjohjeje për punën dhe shërbimin e tyre ndaj qytetarëve.

“Sot kemi dalë për t’u thënë faleminderit policëve që janë në rrugë, në këtë vapë, për të kontrolluar trafikun, por edhe që ditë për ditë mbrojnë qytetin tonë. Është një gjest i vogël nga ana jonë, por edhe një shembull se si edhe ne si të rinj mund të japim kontributin tonë”, u shprehën të rinjtë.

Në mesazhin e tyre, ata iu drejtuan edhe qytetarëve të Shkodrës, duke i ftuar të përdorin më shumë biçikletat, të ecin në këmbë dhe të shfrytëzojnë transportin publik, me qëllim uljen e trafikut dhe ndotjes në qytet.

“Të rinjtë duan të japin një mesazh që të gjithë qytetarët e Shkodrës të shmangin trafikun, të përdorin biçikleta, të ecin në këmbë dhe të përdorin gjithashtu transportin publik. Sa më pak makina, aq më pak trafik dhe aq më pak ndotje për qytetin e Shkodrës”, thanë ata.

Edhe qytetarë të Shkodrës vlerësojnë përdorimin e biçikletës si një alternativë praktike për lëvizjen në qytet.

Sipas tyre, biçikleta është një mjet i shpejtë, ekonomik dhe që nuk krijon ndotje, ndërsa ndihmon edhe në reduktimin e trafikut.

“Biçikleta është një mjet shumë i mirë komunikimi, është edhe më ekonomik, nuk shpenzon, por ndihmon edhe në shmangien e trafikut. Është një mjet i sigurt, i mirë dhe ekonomik”, shprehen qytetarët.

Nisma e të rinjve vjen si një mesazh solidariteti dhe mirënjohjeje për punonjësit e Policisë që vijojnë të kryejnë detyrën në kushtet e temperaturave të larta, ndërsa promovon njëkohësisht edhe përdorimin e mjeteve alternative të transportit në Shkodër.

/gj.m/j.p/

The post Të rinjtë e Shkodrës u shpërndajnë ujë policëve në rrugë si mënyrë falënderimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska refuzon armëpushimin me Kievin për Detin e Zi

14 August 2026 at 20:10

MOSKË, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia ka refuzuar një propozim turk për ndalimin e sulmeve ukrainase dhe ruse ndaj anijeve në Detin e Zi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha sot se Moska nuk sheh arsye për një armëpushim të tillë në kushtet aktuale. 

Zakharova akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmeve me dronë ndaj anijeve civile dhe tregtare të vendeve që ndodhen në rajonin e Detit të Zi.

Sipas saj, një armëpushim i kufizuar do të ishte vetëm një “masë gjysmake” që do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe armatosur përsëri. 

Megjithatë, Moska ka deklaruar se nuk ka marrë një propozim formal turk për një moratorium, me kushte të përcaktuara qartë, përmes kanaleve zyrtare.

Kjo bie pjesërisht në kundërshtim me deklaratat e Ankarasë, e cila ka thënë se iniciativa u është përcjellë të dyja palëve. 

Në javët e fundit, sulmet ndaj transportit tregtar në Detin e Zi dhe Detin Azov janë intensifikuar.

Ukraina ka goditur me dronë objekte dhe anije që lidhen me eksportet ruse të naftës dhe grurit, ndërsa edhe një traget turk është goditur.

Nga ana tjetër, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj porteve ukrainase. 

Përshkallëzimi ka shkaktuar shqetësime për sigurinë e transportit ndërkombëtar dhe furnizimin global me ushqime.

Ukraina është një eksportuese e rëndësishme e grurit, ndërsa sulmet ndaj porteve dhe anijeve kanë kufizuar ndjeshëm rrugët e eksportit.

Turqia po përpiqet të ndërmjetësojë për një mekanizëm që do të ndalonte sulmet ndaj anijeve civile dhe do të lejonte rifillimin më të sigurt të transportit detar.

Por refuzimi i Moskës tregon se, për momentin, nuk ka konsensus për një armëpushim në Detin e Zi. /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post RUSI – Moska refuzon armëpushimin me Kievin për Detin e Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahet protesta e 76-të në Tiranë për Zvërnecin

14 August 2026 at 20:00

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet protesta e 76-të radhazi kundër investimit në Zvërnec, teksa sot marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

Të rinjtë e diasporës janë grumbulluar fillimisht në zonën e ish-stacionit të Trenit, prej nga kanë nisur marshimin drejt sheshit “Skënderbej” dhe më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku është zhvilluar tubimi.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë mbajtur pankarta me mesazhe në mbështetje të lëvizjes qytetare dhe thirrje për ndryshim politik. Ndër sloganet e shfaqura ishin “Nga Berlini me zemër për Shqipërinë!” dhe “Larg në distancë, bashkë në qëndresë!”.

Një e re e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë fjalën gjatë protestës, duke shprehur solidaritetin e diasporës me qytetarët që protestojnë në Shqipëri.

“Edhe pse jemi larg, ndajmë të njëjtat dhimbje si shqiptarët këtu. Ndjejmë përgjegjësi dhe detyrim të jemi këtu sot për të treguar se ju mbështesim”, tha ajo, duke bërë të ditur se janë zhvilluar edhe protesta mbështetëse në Nju-Jork, Boston, Uashington dhe Florida.

Në protestë ka marrë pjesë edhe një shqiptare e ardhur nga Zvicra. Ajo foli për vështirësitë që, sipas saj, përballojnë emigrantët shqiptarë dhe për mungesën e mundësive për rikthim në vend.

“Këtu nuk kemi si të kthehemi, nuk ka mundësi, nuk ka meritokraci, po bëhet çdo ditë më keq”, u shpreh ajo, duke kërkuar që qytetarët të vijojnë rezistencën.

“Kjo revoltë duhet ta bëjë Shqipërinë ashtu si duhet të jetë”, shtoi ajo.

Një tjetër pjesëmarrës, shqiptar i ardhur nga Gjermania, foli për arsyet që e kishin detyruar të largohej nga Shqipëria.

“Duam sistem të mirë, të drejtat e popullit shqiptar duhet të jenë si gjithë Europa. Këtu ka korrupsion. Arsyeja që u larguam nga Shqipëria ishte se nuk kishim kushte, nuk i krijonim dot në Shqipëri”, deklaroi ai.

Emigranti tregoi se dy fëmijët e tij kanë mbetur në Dyseldorf të Gjermanisë.

Pjesë e protestës është bërë edhe një e re e ardhur nga Florida, e cila tha se kishte përfunduar studimet për arkitekturë, por nuk kishte gjetur mundësi punësimi në Shqipëri.

“Pavarësisht se jemi të ikur, atdheun nuk e harrojmë kurrë. Duhet të ndihmojmë që Shqipëria të jetë ashtu siç duhet të ishte”, u shpreh ajo.

E reja tha se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria lidhej me mungesën e mundësive për të ndërtuar një të ardhme profesionale.

“Jam larguar se nuk kishte mundësi që të kisha një të ardhme këtu. Kam mbaruar për arkitekturë dhe nuk gjeja dot punë”, deklaroi ajo.

E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, meritokracinë, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Protesta e 76 në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 26

/gj.m/j.p/

 

 

 

 

 

The post Mbahet protesta e 76-të në Tiranë për Zvërnecin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Mijëra hektarë të shkrumbuar dhe rreth 1 000 banorë të evakuuar

14 August 2026 at 19:27

MADRID, 14 gusht /ATSH-DPA/– Shërbimet spanjolle të emergjencave vijuan sot të luftojnë me dy zjarre të mëdha pyjore, ndërsa një kërcënim i veçantë paraqitej për zonat turistike në provincën Huelva, në jugperëndim të vendit.

Zjarri pranë qytetit të vogël Niebla, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Seviljes, ka përfshirë tashmë rreth 31 mijë hektarë tokë, sipas qeverisë rajonale të Andaluzisë.

Megjithatë, situata në këtë zonë është përmirësuar.

Zëvendëspresidenti rajonal Antonio Sanz tha se një pjesë e madhe e frontit të zjarrit tashmë është vënë nën kontroll dhe se nuk ekziston më një kërcënim i menjëhershëm për qytetet dhe fshatrat përreth.

Në të kundërt, situata është përkeqësuar pranë Las Penas de Riglos, në rajonin verilindor të Aragonës.

Pas riaktivizimit të disa vatrave të zjarrit, gjatë natës u evakuuan edhe katër fshatra të tjerë, me gjithsej 127 banorë.

Me këto evakuime, numri i njerëzve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në këtë zonë ka arritur në rreth 1 mijë persona.

Zjarri ka shkatërruar tashmë rreth 10 mijë hektarë pyje dhe shkurre në provincën Huesca.

Mes zonave të rrezikuara nga përparimi i flakëve ishte edhe manastiri historik San Juan de la Pena.

Si masë paraprake, punonjësit zhvendosën në një vend të sigurt vepra të çmuara arti dhe varret mbretërore që ndodhen në kompleks.

Një 28-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie.

Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë nisur në një zonë rurale ku ruheshin materiale ndërtimi.

Spanja po përjeton një nga sezonet më të rënda të zjarreve pyjore të viteve të fundit.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, që nga fillimi i vitit janë shkatërruar të paktën 226 mijë hektarë bimësi, rreth 38% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të gjithë vendin, sot ishin aktive gjithsej 40 zjarre pyjore dhe zjarre në zona me bimësi, sipas portalit kombëtar të monitorimit të zjarreve Incendios Forestales. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SPANJË – Mijëra hektarë të shkrumbuar dhe rreth 1 000 banorë të evakuuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Selenica dhe Divjaka kundër ndryshimeve territoriale, këshillat bashkiakë kërkojnë ruajtjen e bashkive

14 August 2026 at 19:00

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Këshilli Bashkiak i Selenicës ka dalë me një qëndrim të përbashkët kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës, ndërsa kundërshtimi ndaj ndryshimeve të mundshme në kuadër të Reformës Territoriale është artikuluar edhe nga drejtues vendorë të Bashkisë Divjakë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Selenicës, këshilltarët e mazhorancës dhe opozitës u shprehën në bllok kundër projektit për bashkimin me Vlorën.

Këshilltarët argumentuan se Bashkia e Selenicës duhet të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë vendore dhe deklaruan se do ta kundërshtojnë deri në fund çdo nismë që synon shkrirjen e saj. Sipas tyre, një ndryshim i tillë do të cenonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.

Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili theksoi se institucioni vendor duhet të ruhet dhe se kundërshtimi do të vijojë të mbrohet përmes argumenteve institucionale.

Në mbledhje morën pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë. Ata u shprehën kundër bashkimit me Vlorën dhe deklaruan mbështetjen e tyre për çdo nismë që synon ruajtjen e Bashkisë së Selenicës si njësi më vete.

Ndërkohë, në Bashkinë Divjakë, kryebashkiaku Josif Gorrea ka dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak lidhur me qëndrimin e tij në takimin e zhvilluar në Kuç me kryeministrin Edi Rama, ku është diskutuar Reforma Territoriale.

Gorrea theksoi se qëndrimi i tij për ruajtjen e Bashkisë Divjakë nuk ka ndryshuar.

“Ishte një takim i mbyllur. U diskutua gjatë e gjerë si grupim politik. Shprehëm secili mendimin e tij. Kryeministri i vendit e la të hapur bisedën. Secili të shprehë mendimin e tij të pastër”, deklaroi Gorrea.

Ai tha se edhe gjatë atij takimi kishte mbrojtur qëndrimin për vijimin e funksionimit të Bashkisë Divjakë, duke theksuar se nuk kishte ndryshuar në asnjë moment nga qëndrimi i shprehur më herët.

Gorrea ngriti gjithashtu pretendime për mospërputhje në disa prej argumenteve të Komisionit të Reformës Territoriale dhe tha se kishte bërë një krahasim mes Lushnjës dhe Divjakës.

/gj.m/j.p/

The post Selenica dhe Divjaka kundër ndryshimeve territoriale, këshillat bashkiakë kërkojnë ruajtjen e bashkive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Shkatërrohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi bankar

14 August 2026 at 18:45

FRANKFURT, 14 gusht /ATSH-DPA/- Policia dhe prokurorët  kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar mashtrimi, i cili dyshohet se u ka shkaktuar klientëve të bankave dëme prej miliona eurosh.

Pas disa vitesh hetime, autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ato braziliane, kanë goditur rrjetin kriminal dhe kanë arrestuar disa persona të dyshuar, njoftuan sot Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Prokuroria e Frankfurtit.

Sipas një deklarate, tre të dyshuar në Evropë janë identifikuar nën dyshimin për mashtrim kompjuterik në sistemet e bankingut online.

Ata do të ndiqen penalisht në Spanjë dhe Bullgari.

Ndërkohë, autoritetet braziliane, me mbështetjen e BKA-së, zhvilluan dje një operacion të gjerë kundër rrjetit.

Katër persona të dyshuar si anëtarë të grupit u arrestuan, ndërsa u kontrolluan 21 prona në shtatë qytete.

Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer një numër të madh tërheqjesh të paautorizuara nga llogaritë e përdoruesve gjermanë të bankingut online, brenda vetëm disa ditësh në nëntor 2023.

Autoritetet gjermane vlerësojnë se dëmi financiar arrin në miliona euro.

Sipas hetuesve, grupi kriminal kishte shfrytëzuar një dobësi në procesin e regjistrimit dhe përpunimit të transaksioneve te një ofrues shërbimesh pagesash.

Dobësia ishte krijuar pas një përditësimi të gabuar të softuerit.

Paratë e përvetësuara transferoheshin kryesisht drejt Brazilit.

Atje, një pjesë e madhe e shumave të vjedhura tërhiqej pasi autorët kishin ndërmarrë përpjekje për të fshehur identitetin e personave që merrnin paratë.

Hetuesit kanë zbuluar se grupi kishte kryer transaksione të ngjashme edhe në katër vende evropiane.

Të dhënat dhe provat e mbledhura nga autoritetet braziliane do t’i bashkohen tashmë hetimit që po zhvillohet në Gjermani.

Prokurori i lartë Benjamin Krause, drejtues i Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit në Internet (ZIT) pranë Prokurorisë së Frankfurtit, tha se rezultati i operacionit tregon se kriminelët kibernetikë nuk mund të ndihen të sigurt.

Hetimi ndërkombëtar tregon gjithashtu se bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme është bërë thelbësor për gjurmimin e rrjeteve kriminale që përdorin sistemet bankare online për të vjedhur dhe transferuar shuma të mëdha parash. /Ad.Ab./  a.jor.

The post GJERMANI – Shkatërrohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi bankar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Këshilli Kushtetues rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

14 August 2026 at 18:03

PARIS, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Këshilli Kushtetues i Francës ka rrëzuar sot ligjin e propozuar që ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke argumentuar se ligji cenonte lirinë e shprehjes.

Vendimi përbën një goditje për presidentin Emmanuel Macron, i cili kishte kërkuar që qeveria ta rishikonte dhe ta përshtaste projektligjin.

Presidenti Macron i ka kërkuar kryeministrit Sebastien Lecornu të hartojë një version të ri që të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga Këshilli Kushtetues.

Në vendimin e tij, Këshilli Kushtetues theksoi se ndalimi i të miturve nën 15 vjeç për të përdorur disa shërbime online do të kërkonte që çdo person, përfshirë të rriturit, të provonte moshën e tij përpara se të kishte akses në këto platforma.

Sipas gjykatës, ligji nuk përcaktonte në mënyrë të mjaftueshme kushtet dhe kufijtë për mënyrën se si do të kryhej verifikimi i moshës.

Për këtë arsye, ligjvënësi nuk kishte vendosur garancitë e nevojshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Parlamenti francez e kishte miratuar më herët ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç, duke e bërë Francën vendin e parë në Evropë që ndërmerrte një masë të tillë.

Nisma ishte frymëzuar edhe nga Australia, e cila në dhjetor vendosi një ndalim për përdorimin e platformave si Facebook, TikTok dhe YouTube nga të rinjtë nën 16 vjeç.

Megjithatë, vendimi i Këshillit Kushtetues nuk nënkupton se Franca ka hequr dorë nga synimi për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët.

Pallati Elysee deklaroi se presidenti Macron mbetet i vendosur që reforma të hyjë në fuqi përpara pranverës së vitit 2027, kur Franca do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale.

Tashmë qeveria franceze duhet të riformulojë projektligjin, veçanërisht pjesën që lidhet me verifikimin e moshës, në mënyrë që mbrojtja e fëmijëve në internet të mos përplaset me të drejtën e qytetarëve për lirinë e shprehjes dhe privatësinë./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Këshilli Kushtetues rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtoria e Burgjeve prodhoi mbi 6500 dokumente në një javë

14 August 2026 at 18:00

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka prodhuar 6,569 dokumente gjatë një jave, në përgjigje të kërkesave të qytetarëve dhe institucioneve.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dokumentet janë prodhuar nga sektori i Gjendjes Gjyqësore, në kuadër të shërbimeve të ofruara për qytetarët.

Nga të dhënat e publikuara rezulton se gjatë kësaj periudhe janë prodhuar edhe 124 dokumente përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE).

Shërbimet përfshijnë dëshmi penaliteti, aplikime online të thjeshta, aplikime online për subjektet private, për Ambasadën Amerikane, si dhe aplikime online për shtetasit e huaj.

Ministri Gogu theksoi se për një institucion një dokument mund të jetë një procedurë administrative, ndërsa për qytetarin mund të jetë një dokument që i nevojitet urgjentisht.

“Shërbimi publik matet edhe me kohën që i kursen qytetarit”, u shpreh Gogu, duke nënvizuar rëndësinë e ofrimit të shërbimeve sa më shpejt dhe në mënyrë efikase.

/gj.m/j.p/

The post Drejtoria e Burgjeve prodhoi mbi 6500 dokumente në një javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: 65 efektivë të FA të angazhuar në Lurë, zjarri nën kontroll

14 August 2026 at 20:17

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Vijon intensivisht angazhimi i Forcave të Armatosura për përballimin dhe menaxhimin e vatrave të zjarrit në Lurë, Dajt, Krujë dhe Bulqizë, ndërsa situata në zonat pranë qendrave të banuara mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në Lurë janë angazhuar 65 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një automjet zjarrfikës. Ministri thekson se, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për jetën e njerëzve apo banesat.

Në Dajt, për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore. Situata nuk paraqet rrezik për banesat apo bizneset në zonë.

Në Abazë të Krujës, në terren ndodhen 32 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës, një ambulancë dhe një helikopter. Edhe në këtë zonë, sipas Ministrit të Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Bulqizë janë angazhuar 22 efektivë dhe tre mjete të Forcave të Armatosura. Situata pranë qendrave të banuara paraqitet nën kontroll të plotë, pa rrezik për jetën e banorëve dhe banesat e tyre.

Ministri thekson se, situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm ndërsa forcat operacionale vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave, pronave dhe mjedisit.

/gj.m/j.p/

 

The post Nufi: 65 efektivë të FA të angazhuar në Lurë, zjarri nën kontroll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një mace endacake “adopton” një pelegrin në Camino de Santiago

14 August 2026 at 17:52

SPANJË, 15 gusht, ATSH- Një udhëtim në Camino de Santiago mori një kthesë krejt të papritur për Julio-n, një pelegrin i ri që ishte nisur nga Sarria për të përshkuar rrugën drejt Santiago de Compostela-s.

Më 2 maj, tre ditë pas nisjes, teksa largohej nga Palas de Rei në drejtim të Melide-s, Julio takoi një kotele të vogël endacake. Macja nisi ta ndiqte menjëherë. I ngjitej sipër, ecte pas tij dhe sa herë Julio vazhdonte rrugën, edhe ajo vazhdonte. Për rreth 15 kilometra, të dy përshkuan së bashku shtigje rurale dhe rrugë pyjore të Camino-s.

Në vend që ta linte pas, Julio vendosi të kujdesej për të. Shkoi te një veteriner në Melide, i vendosi pipetën kundër parazitëve dhe i bleu parzmore, zinxhir dhe një kafaz transporti. Madje, atë mbrëmje qëndroi në Melide për të riorganizuar të gjithë itinerarin, duke kërkuar edhe mënyra për të vazhduar udhëtimin së bashku me macen.

Por aventura nuk mbaroi aty. Në një zonë pyjore, rreth 15 kilometra larg Santiago-s, macja u zhduk. Julio mori me qira një biçikletë dhe përshkoi disa herë të njëjtën pjesë të rrugës në kërkim të saj. Në ndihmë i erdhën edhe pelegrinë të tjerë, të cilët e kishin parë macen gjatë rrugëtimit. Të nesërmen, ata e gjetën dhe njoftuan Julio-n. Sipas tij, macja kishte ecur vetë më shumë se 10 kilometra në kërkim të tij. 

Më në fund, të dy mbërritën në Santiago. Julio e çoi përsëri te veterineri, ku u konstatua edhe një problem me syrin, për të cilin mori trajtim. Pelegrini e quajti macen Santi, në nder të destinacionit të udhëtimit.

Sot, Santi jeton me Julio-n dhe një mace tjetër të familjes. Ajo që nisi si një takim i rastësishëm në një shteg të Galicisë përfundoi me një adoptim të vërtetë.

“Ajo më kishte adoptuar mua dhe e meritonte”, ka thënë Julio për këtë histori që ka prekur mijëra njerëz në rrjetet sociale.

The post Një mace endacake “adopton” një pelegrin në Camino de Santiago appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Biblioteka e Fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë pajiset me teknologji bashkëkohore

14 August 2026 at 17:39

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Biblioteka e Fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë ka përfunduar pajisjen me teknologjinë dhe elementët e nevojshëm, duke u shndërruar në një hapësirë moderne dhe funksionale për fëmijët.

Hapësira e rikonstruktuar dhe e pajisur është tashmë gati për të mirëpritur fëmijët e qytetit, duke u ofruar një mjedis të ngrohtë dhe të përshtatshëm për lexim, mësim dhe aktivitete të ndryshme me librin.

Investimi synon të afrojë më shumë fëmijët me librin dhe leximin, duke krijuar një ambient bashkëkohor ku ata mund të kalojnë kohë cilësore dhe të zhvillojnë interesin për kulturën dhe dijen.

/gj.m/j.p/

The post Biblioteka e Fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë pajiset me teknologji bashkëkohore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Rikthehen pikturat e grabitura të Renoir, Cezanne dhe Matisse

14 August 2026 at 17:23

ROMË, 14 gusht, /ATSH-DPA/ – Tre piktura të realizuara nga Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse, të vjedhura nga një muze në Itali, janë gjetur pas disa muajsh hetime, njoftuan sot forcat e policisë italiane, Carabinieri.

Sipas një deklarate, efektivët e Carabinierëve sekuestruan veprat e çmuara gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të një hetimi të gjerë.

Autoritetet nuk dhanë fillimisht detaje të tjera për personat e dyshuar për vjedhjen apo vendndodhjen e tyre.

Veprat e rikuperuara janë “The Fish” e Renoir, “Cup and Plate with Cherries” e Cezanne dhe “Odalisque on the Terrace” e Matisse.

Vlera e tyre e përbashkët vlerësohet në rreth 9,0 milionë euro, ose afërsisht 10,4 milionë dollarë.

Pikturat u vodhën në fund të marsit nga muzeu Fondazione Magnani-Rocca, pranë Parmës.

Autorët hynë në ndërtesë gjatë natës dhe arritën t’i merrnin të treja veprat brenda vetëm pak minutash.

Pasi u aktivizua alarmi, hajdutët u larguan përmes kopshteve të muzeut.

Në atë kohë, një zëdhënës i institucionit e përshkroi vjedhjen si një operacion të planifikuar, të strukturuar dhe të organizuar.

Vjedhja u shfrytëzua më pas edhe për përhapjen e dezinformatave.

Sipas autoriteteve, një raport i rremë i paraqitur si lajm i BBC-së dhe i shpërndarë përmes një rrjeti të lidhur me Kremlinin pretendonte se piktura e vjedhur e Cézanne ishte ekspozuar në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se kishte ardhur nga mafia.

Rikuperimi i tre veprave konsiderohet një sukses i rëndësishëm për hetuesit italianë, ndërsa hetimet për të përcaktuar autorët dhe mënyrën se si veprat u transportuan dhe u fshehën pas vjedhjes vijojnë. /Ad.Ab./  a.jor.

The post ITALI – Rikthehen pikturat e grabitura të Renoir, Cezanne dhe Matisse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kategoria Superiore, përcaktohen datat dhe oraret e 5 javëve të para të sezonit të ri

14 August 2026 at 16:56

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Komisioni i Ligave dhe Garave pranë Federatës së Futbollit përcaktoi sot datat dhe oraret e pesë javëve të para të kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2026-2027.

Sezoni i ri i elitës së futbollit shqiptar do të nisë më 21 gusht, me përballjen Vllaznia–Skënderbeu, e cila do të luhet në orën 21:00. Në javën e parë do të zhvillohen edhe sfidat Partizani–Teuta, Laçi–AF Elbasani, Dinamo City–Vora dhe Egnatia–Tirana.

Në vijim, Komisioni ka përcaktuar edhe programin e katër javëve të tjera, duke i dhënë formë kalendarit të fillimit të sezonit të ri të “Abissnet Superiore”.

Abissnet Superiore 2026-2027

Java 1
Vllaznia – Skënderbeu           21.08.2026, 21:00
Partizani – Teuta                   22.08.2026, 16:00
KF Laçi – AF Elbasani             22.08.2026, 16:00
Dinamo City – FK Vora           23.08.2026, 18:30
Egnatia – Tirana                   23.08.2026, 21:00

Java 2
Partizani – KF Laçi                29.08.2026, 16:00
AF Elbasani – Vllaznia           29.08.2026, 18:30
Teuta – Tirana                      30.08.2026, 21:00
FK Vora – Egnatia                 31.08.2026, 16:00
Skënderbeu – Dinamo City    31.08.2026, 18:30

Java 3
Egnatia – Skënderbeu        04.09.2026, 18:30
KF Laçi – Teuta                  05.09.2026, 16:00
Vllaznia – Partizani            05.09.2026, 18:30
Tirana – FK Vora               06.09.2026, 16:00
Dinamo City – AF Elbasani 06.09.2026, 18:30

Java 4
Skënderbeu – Tirana     11.09.2026, 18:30
Partizani – Dinamo City 12.09.2026, 16:00
Teuta – FK Vora            12.09.2026, 18:30
KF Laçi – Vllaznia         13.09.2026, 16:00
AF Elbasani – Egnatia   13.09.2026, 18:30

Java 5
Vllaznia – Teuta           18.09.2026, 18:30
FK Vora – Skënderbeu 19.09.2026, 16:00
Dinamo City – KF Laçi 19.09.2026, 18:30
Tirana – AF Elbasani   20.09.2026, 16:00
Egnatia – Partizani     20.09.2026, 18:30

/gj.m/j.p/

The post Kategoria Superiore, përcaktohen datat dhe oraret e 5 javëve të para të sezonit të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – NATO rrëzon një dron të huaj në hapësirën ajrore të Letonisë

14 August 2026 at 16:39

VARSHAVË/BRUKSEL, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Një dron i huaj hyri në hapësirën ajrore të Letonisë dhe u rrëzua nga avionë luftarakë italianë tip “Eurofighter”, njoftuan sot autoritetet ushtarake letoneze.

Ministri i Mbrojtjes, Raivis Melnis, tha se vendimi për ta rrëzuar dronin u mor për të shmangur një kërcënim ndaj popullsisë.

Pas ndërhyrjes së avionëve luftarakë, alarmi ajror u hoq.

Autoritetet u kishin bërë thirrje më herët banorëve në të gjithë vendin që të shmangnin daljet jashtë dhe të kërkonin strehim.

Zëdhënësja e ushtrisë letoneze tha se droni u rrëzua mbi një zonë pyjore.

Nuk raportohet për të plagosur apo dëme materiale.

Shërbimet e emergjencës po punojnë në vendin ku kanë rënë mbetjet e dronit.

Fillimisht nuk u bë e ditur origjina e tij.

Ushtria letoneze deklaroi se droni i huaj kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit në një zonë ku Rusia po zhvillonte aktivitete të luftës elektronike, pranë rajonit Balvi.

Kjo ngre dyshimin se mund të bëhej fjalë për një dron ukrainas që kishte humbur kursin si pasojë e ndërhyrjeve elektronike ruse.

Megjithatë, ministri Melnis theksoi se për momentin nuk është e mundur të përcaktohet me siguri as origjina dhe as lloji i dronit.

Për këtë, tha ai, duhet fillimisht të gjenden dhe të analizohen mbetjet e tij.

NATO reagoi ndaj shkeljes së hapësirës ajrore duke aktivizuar avionë luftarakë italianë “Eurofighter”, të dislokuar në Lituani, si dhe avionë turq “F-16” të vendosur në Estoni.

Ndërhyrja u krye në kuadër të masave të NATO-s për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendeve baltike. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – NATO rrëzon një dron të huaj në hapësirën ajrore të Letonisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbulla prezantohet te Rayo Vallecano: Synojmë 42 pikët sa më shpejt

14 August 2026 at 16:20

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla ka nisur aventurën e re te Rayo Vallecano me entuziazëm, duke vlerësuar atmosferën dhe grupin e skuadrës madrilene, ku aktivizohet edhe një tjetër shqiptar, Ivan Balliu.

Kumbulla tregoi përshtypjet e para pas transferimit te Rayo Vallecano.

“Kam ardhur me shumë entuziazëm. Gjeta një grup shumë të bashkuar, punon shumë dhe e di çfarë është të sakrifikosh. I pari që më kontaktoi ishte Balliu, i cili më mori në telefon dhe po më ndihmon shumë që të ambientohem”, u shpreh Kumbulla.

Mbrojtësi shqiptar foli edhe për objektivat e skuadrës, e cila sezonin e kaluar e përfundoi kampionatin në vendin e tetë.

“Si objektiv të parë, duhet të grumbullojmë 42 pikë sa më shpejt dhe të shikojmë pastaj, pasi është një kampionat shumë i vështirë dhe i ekuilibruar”, tha Kumbulla.

Rayo Vallecano bëhet skuadra e tretë spanjolle për Kumbullën, pas eksperiencave te Espanyol dhe Mallorca, ku mbrojtësi shqiptar ishte huazuar nga Roma.

/gj.m/j.p/

The post Kumbulla prezantohet te Rayo Vallecano: Synojmë 42 pikët sa më shpejt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rekord i konsumit të energjisë, 27,809 MWh më 12 gusht

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Konsumi i energjisë elektrike në vendin tonë ka shënuar një rekord të ri gjatë këtij sezoni veror, duke arritur në rreth 27,809 MWh më 12 gusht 2026, bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri, niveli i konsumit të regjistruar më 12 gusht është rreth 5% më i lartë se rekordi i mëparshëm, i shënuar më 13 gusht 2025.

Ndërkohë, mesatarja ditore e konsumit për periudhën 1–12 gusht 2026 ka arritur në 25,787 MWh, rreth 22% më e lartë krahasuar me mesataren e konsumit gjatë gushtit të vitit 2025.

Korriku dhe gushti i këtij viti kanë shënuar gjithashtu nivelet më të larta të konsumit, përkatësisht me 26,488 MWh dhe 27,809 MWh.

Rritja rekord e konsumit po shoqërohet me situata të vështira në terren, për shkak edhe të zjarreve pranë nënstacioneve dhe linjave të transmetimit.

Përballë kërkesës së lartë për energji, ekipet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) vijojnë punën për garantimin e sigurisë së rrjetit dhe vijimësinë e furnizimit me energji elektrike.

/e.xh/a.f/

The post Rekord i konsumit të energjisë, 27,809 MWh më 12 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌